Sulmuesi i Manchester Unitedit, Dimitar Berbatov, ka lënë të kuptohet se ai mund të kthehet në përfaqësuesen e Bullgarisë.
Në vitin 2010, Berbatov i dha fund karrierës me kombëtaren e tij duke deklaruar se nuk do ta vishte më asnjëherë fanellën e përfaqësueses, mirëpo tani duket se qëndrimi i tij është zbutur.

“Për t’u kthyer diku duhet që fillimisht të merrni ofertë. Telefoni im është i ndezur dhe mund të jem më konkret nëse marr ofertë”.

“Askush nuk ka tentuar të më kontaktojë. Nuk jam takuar me përzgjedhësin e Bullgarisë, Lubo Penev, nuk kam biseduar me të. Nuk kam mundur as ta uroj për marrjen e postit”, ka thënë sulmuesi në një prononcim për një portal bullgar.
Ish-anësori i Barcelonës, Ludovic Giuly, mendon se Balugranët do ta mbrojnë titullin edhe në edicionin e sivjetmë të Ligës së Kampionëve.
Katalunasit do të luajnë ndaj Bayer Leverkusenit në 1/8 e finales së garës më të madhe evropiane për klube, ndërsa francezi pohon se ata do të triumfojnë në fund.

“Fitimi i La Ligas do të jetë i vështirë, por Barca do ta fitojë Ligën e Kampionëve”.

“Të gjithë duan të luajnë te Barca, nuk ka asnjë klub si ky. Sistemi i klubit është i bazuar në shfrytëzimin e anësorëve të shpejtë. Nuk ka tjetër sistem si i Barcës”, është shprehur Giuly për Esports COPE.
Anzhi Makhachkala është duke përgatitur një ofertë prej 25 milionë eurosh për mesfushorin e Interit, Wesley Sneijder– raporton Sportmediaset.
Gjatë këtij sezoni holandezi ka pasur probleme të shumta me lëndime dhe fitnes që kanë ndikuar në formën e tij, ndërsa gjatë afatit kalimtar të janarit është lidhur me një kalim te Manchester Unitedi.

Tani mediat italiane raportojnë se Anzhi planifikon ta transferojë lojtarin para mbylljes së afatit kalimtar rus (që përfundon më 24 shkurt).

Klubi që transferoi Samuel Eto'on gjatë verës thuhet se është i gatshëm që t’i ofrojë Sneijderit tetë milionë euro për sezon.
Sulmuesi i Arsenalit, Theo Walcott, ka shprehur kënaqësinë për performancën e Topçinjve në fitoren prej 7-1 ndaj Blackburn Rovers.
“Shpresoj që shumica e frustrimeve dolën në pah kundër Blackburnit, ku secili e tregoi veten”, ka thënë anglezi.

Para këtij takimi, trajneri Arsene Wenger u bë shënjestër e kritikave, pasi Arsenali kishte grumbulluar vetëm një pikë nga 12 të mundshmet në katër ndeshjet paraprake, por Walcott konsideron se faji ishte te lojtarët.

Ai ka thënë se lojtarët duhet ta mbështesin trajnerin në momentet e presionit ndaj tij dhe të marrin pjesën e fajit që u takon.
Mbrojtësi i Interit, Walter Samuel, do t’i kalojë dy javët e ardhshme jashtë fushe, si pasojë e një lëndimi muskulor- raporton agjencia ANSA.
Argjentinasi u lëndua në humbjen prej 4-0 nga Roma, ndërsa u zëvendësua në gjysmë të lojës nga Ivan Cordoba.

Një ekzaminim mjekësor i realizuar të martën ka treguar se 33-vjeçari ka lënduar kuadricepsin e këmbës së majtë, ashtu që do t’i nevojiten dy javë për riaftësim.
Ish-portieri i Manchester Unitedit, Edwin van der Sar, ka thënë se zëvendësuesi i tij, David de Gea, duhet të mësohet që të përballet me presionin në mënyrë që të bëhet i suksesshëm në Old Trafford.
Pas pensionimit të holandezit 41-vjeçar në verën e kaluar, Djajtë e Kuq shpenzuan 21 milionë euro për ta sjellë De Gean nga Atletico Madridi.

“Është gjithmonë vështirë kur vjen në një klub të ri dhe në një ligë të re, sidomos në atë angleze. Është shumë kërkuese, mund të jetë shumë e vështirë”.

“Ai duhet të përballet me të. Ata kanë paguar shumë para për të dhe ai duhet ta tejkalojë (presionin)”, ka deklaruar Van der Sar.
Trajneri i Valencias, Unai Emery, ka mohuar thëniet se Lionel Messi nuk ka qenë në formën më të mirë në ndeshjet e fundit të Barcelonës.
Analistë të ndryshëm sportivë kanë pohuar se niveli i argjentinasit ka rënë në ndeshjet e fundit, por kështu nuk mendon trajneri i Los Che, skuadër me të cilën Barca do ta zhvillojë ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Kupës së Mbretit në Camp Nou.

“Ai është lojtari më i mirë në botë, nuk mendoj se ai është në një moment të keq të formës”, u ka thënë Emery gazetarëve në një konferencë për media.

Për më shumë, ai ka kërkuar nga lojtarët e tij që të fokusohen maksimalisht në takimin e të mërkurës mbrëma.

Blaugranët kanë një përparësi, duke qenë se ndeshja e parë e zhvilluar në Mestalla përfundoi me rezultat 1-1.
Veterani i Milanit, Filippo Inzaghi, konsideron se suspendimi prej tri ndeshjesh i Zlatan Ibrahimovicit, është i tepruar.
Boshnjaku me pasaportë suedeze është dënuar për shkak të sjelljes josportive kundrejt Salvatore Aronicas në takimin e të dielës ndaj Napolit.

“Jam vërtet i pikëlluar për Ibran, sepse përveç që është një bashkëlojtar i imi, ai është po ashtu një mik i afërt”.

“E di sa i rëndësishëm është ai për Milanin dhe do të na mungojë. Kam shpresuar se do të suspendohej vetëm dy ndeshje, sepse tri janë të tepruara, sjellja e tij nuk ishte e dhunshme”, ka thënë Pippo për MilanNews.
Në ndeshjen Liverpool - Tottenham (0-0), e cila u luajt të hënën në mbrëmje, krejt papritur në fushë hynë një mace, e cila bëhet shkak për ndërprerjen e lojës për 1 minutë.

Për këtë ndeshje vlen ajo shprehja popullore që “nëse para të del një mace dhe të zë rrugën, gjërat kanë gjasa të shkojnë keq”, pasi që të dyja skuadrat nuk arritën të gjenin dot rrjetën për 90 minuta.

Menjëherë pasi videoja publikohet në Twitter, ajo u ndoq nga më shumë se 5000 njerëz në më pak se një orë.

Anësori i Baselit, Xherdan Shaqiri, gjendet në Gjermani, për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore te Bayern Munichu- raporton Bild.
20-vjeçari pritet të nënshkruajë kontratë katërvjeçare me bavarezët, pasi dy klubet kanë arritur marrëveshje rreth çmimit të lojtarit.

Burime të medieve gjermane bëjnë të ditur se në ditët e ardhshme do të konfirmohet nënshkrimi i marrëveshjes, ndërsa shqiptari me pasaportë zvicerane nga sezoni i ri do të luajë për Bayern Munichun.
Chelsea është duke e monitoruar situatën e anësorit të Juventusit, Milos Krasic, të cilin planifikon ta transferojë gjatë verës.
Serbi ishte pranë kalimit te Tottenhami gjatë afatit kalimtar të janarit, mirëpo transferimi dështoi.

Ndërsa agjenti i tij, Valado Borozan, ka bërë të ditur për calciomercatio.it se ai mund të kalojë në Ligën Premier gjatë afatit kalimtar veror.

Krasic nuk është nga të preferuarit e Antonio Contes në rolin e mesfushorit të krahut.
Sevilla ka konfirmuar angazhimin e Michel Del Campos si trajner të ri deri në fund të sezonit aktual.
Mesfushorit të dikurshëm të Real Madridit i është premtuar kontratë afatgjate, nëse ai arrin ta kualifikojë skuadrën në Ligën e Kampionëve

48-vjeçari e ka drejtuar Getafen gjatë viteve 2009-2011, mirëpo u largua në verë, pasi klubi nuk i ofroi kontratë të re.

Sevilla aktualisht gjendet në vendin e 11-të në tabelë, ndërsa Michel do ta drejtojë për herë të parë skuadrën në takimin ndaj Real Sociedadit.
Legjenda e Chelseat, Gianluca Vialli, thotë se klubi ka nevojë për stabilitet për të qëndruar në krye.
Menaxheri Andre Villas-Boas është nën presion të shtuar, veçanërisht pasi pronari Roman Abramovich bëri një vizitë befasuese për t’i përcjellë ata në prag të ndeshjes së të dielës.

Por, ish-menaxheri i Bluve, Gianluca Vialli, thotë se pronari rus duhet ta ruajë besimin në portugezin.

“Andre Villas-Boas ka pasur më shumë sukses në tre vitet e kaluara se sa 99 për qind e menaxherëve që kanë arritur në 30 vite. Ai po bën një punë të mirë te Chelsea, dhe vetëm ka nevojë për kohë për të kompletuar projektin e tij”, ka shpjeguar Vialli.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, pritet të barazojë rekordin e legjendës së klubit, Manuel Sanchis, si lojtari me më së shumti paraqitje të kompletuara në La Liga për gjigantin spanjoll.
Sipas AS, Sanchis kishte kompletuar 437 ndeshje në ligë për klubin gjatë karrierës së tij që zgjati nga viti 1983 deri në vitin 2001.

Casillas ka marrë pjesë në 441 ndeshje në La Liga për Real Madridin, por 30-vjeçari është inkuadruar nga karrigia e rezervave një herë, derisa është larguar para fundit të ndeshjes në katër raste, pasi dy herë është përjashtuar dhe dy herë është larguar për shkak të lëndimeve.

Spanjolli do të barazojë rekordin e Sanchiz nëse luan për 90 minuta në ndeshjen e të dielës kundër Levante, dhe mund të bëhet rekord-mbajtës i vetëm në ndeshjen kundër Racing Santander një javë më vonë.

Casillas, i cili ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2017, ka bërë 603 paraqitje për klubin deri tash në të gjitha garat.
Menaxheri i Anglisë, Fabio Capello, është duke e menduar të ardhmen e tij pas përjashtimit të kapitenit të Chelseat, John Terry, si kapiten i Tre Luanëve.
The Mirror shkruan se Capello është shumë i frustuar me Federatën Angleze të Futbollit rreth rastit të John Terryt, sa që mund të largohet para finaleve të Kampionatit Evropian.

Dhe Capello po ashtu mund të përballet me pakënaqësi në dhomën e veshjeve pasi mbështetja e tij për Terryn si kapiten ka shqetësuar disa lojtar dhe ka rritur gjasat për përplasje.

Capello pritet të takohet me kryetarin e FA-së David Bernstein këtë javë për të parë se si mund ta qetësojnë situatën. Italiani është zemëruar pasi vendimi për ta shkarkuar Terryn nga detyra e kapitenit është bërë pa e pyetur atë.

Takimi mund të rezultojë edhe me vendimin nëse Capello do të vazhdojë deri në Euro 2012, pasi ka qenë aq haptas kritik ndaj punëtorëve të tij.
Veterani nga Mali, Seydou Keita, thotë se ai mezi pret ndeshjen e ardhshme të Kupës së Kombeve të Afrikës përballë Bregut të Fildishtë, pasi mposhti Gabonin në çerekfinalen e të dielës.
“Ne nuk jemi Barcelona ose Brazili, ne kemi kualitet dhe dobësitë tona, nuk do të jetë e lehtë kundër Bregut të Fildishtë. Por kundër Gabonit ju patë edhe njëherë se edhe kur ne e kemi të vështirë ne mund të bëjmë atë që të tjerët nuk e bëjnë”.

“Bregu i Fildishtë është favorit, andaj presioni është në ta. Ndryshe nga ta, ne nuk kemi çfarë të humbasim, ne do të japim maksimumin për të shkuar edhe më tej në këtë garë”, ka thënë ylli i Barcelonës.
Thiago Silva vazhdon të joshë vëmendjen e Barcelonës pas performancave të tij të mira gjatë sezon 2011/12, shkruan e përditshmja katalanase Sport.
Mbrojtësi brazilian zbuloi verën e kaluar se ai kishte biseduar me klubin spanjoll, por transferimi kurrë nuk ishte realizuar.

Megjithatë, kampionët në fuqi të Ligës së Kampionëve nuk janë dorëzuar dhe shpresojnë të nënshkruajnë me mbrojtësin e qendrës në kërkim për të forcuar vijën e fundit, dhe raportohet se e kanë shndërruar Thiago Silvan në cakun primar për afatin kalimtar të verës.

27-vjeçari ka kontratë me Milanin deri në qershor të vitit 2016, por Barcelona është e gatshme të ofrojë 30 milionë euro për të bindur Rossonerët të heqin dorë nga lojtari.
Mesfushori i Romës, Daniele De Rossi, është bërë lojtari më i paguar italian pas vazhdimit të kontratës së tij me Giallorossët, shkruan La Gazzetta dello Sport.
Italiani këtë javë nënshkroi marrëveshje të re me Romën deri në verën e vitit 2017, dhe do të fitojë 6.5 milionë euro sipas kësaj kontrate.

Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, i cili më herët ishte italiani më i paguar në Serie A, aktualisht ka një pagë vjetore prej 6 milionë euro me Bianconerët.

De Rossi nuk është lojtari më paguar në kampionatin italian, pas rritjes së fundit të pagës së Zlatan Ibrahimovic, i cili merr 9 milionë euro nga Milani plus 3 milionë euro bonuse.

28-vjeçari supozohet se ka negociuar edhe me klube të tjera jashtë Italisë si, Manchester City, Paris Saint-Germain dhe Anzhi Makhachkala, gjatë disa javëve të kaluara, por ka refuzuar ofertat të cilat raportohet se kanë arritur deri në 10 milionë euro në vit.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka shprehur admirimin për yllin e Lille, Eden Hazard.
“Vërtet më pëlqen ai dhe për disa arsye. Është fuqia e tij kreative, aftësia për të shmangur kundërshtarin, vizioni i tij në ndeshje dhe aftësitë e tij për adresuar pasimin e fundit, që e bën atë një lojtar shumë interesant”, ka deklaruar francezi.

Por Wenger do të duhet të mbledhë fonte të mjaftueshme për të mposhtur disa prej rivalëve më të mëdhenj evropian, nëse dëshiron të nënshkruajë me Hazard. Për belgun i interesuar është edhe njëri prej klubeve më të fuqishme financiarisht, Manchester City.
Trajneri i Bayern Munichut, Jupp Heynckes, nuk është i shqetësuar për formën jo të mirë që po kalon skuadra dhe shpreson që sulmuesit “të shpërthejnë” së shpejti.
Bavarezët kanë marrë vetëm katër pikë nga tre ndeshjet e fundit të këtij viti dhe kanë humbur kreun ndaj Borussia Dortmund.

“Dortmund është rikthyer më mirë pas pauzës dimërore. Por unë jam plot vetëbesim në skuadrën dhe lojtarët e mi. Ne kemi sulmues shumë të mirë në repartin ofensiv. Është çështje kohe para se ata të shpërthejnë”, ka thënë Heynckes.

Bayerni të mërkurën do të përballet me Stuttgartin në kuadër të Kupës së Gjermanisë, DFB-Pokal, para se të rikthehet në Bundeliga gjatë vikendit me ndeshjen në shtëpi kundër Kaiserslautern.
Kobe Bryant ka tejkaluar Shaquille O'Neal për t’u bërë shënuesi i pestë më i mirë i NBA-së, por ky moment gëzimi i tij është goditur pasi skuadra e tij Los Angeles Lakers pësoi disfatë 95-90 nga Philadelphia 76ers.
Lou Williams shënoi më së shumti, 24 pikë, për Philadelphia, që shënoi fitoren e gjashtë në shtatë ndeshje dhe të 18-tën e sezonit krahas shtatë ndeshjeve. Lakers në anën tjetër mbetet me 14 fitore dhe 11 humbje këtë sezon.

Bryant përfundoi ndeshjen me 28 pikë për të çuar në 28,601 numrin e pikëve në karrierën e tij, dhe le prapa O’Neal me 28,596 pikë. Lider i shënimeve i të gjitha kohërave në NBA mbetet Kareem Abdul-Jabbar me 38,387 pikë.
Zlatan Ibrahimovic ka marrë përgjegjësinë e plotë për përjashtimin e të dielës në barazimin 0-0 ndaj Napolit dhe pranuar se ai e meritoi kartonin e kuq.
Suedezi u dërgua jashtë loje në minutën e 19-të të pjesës së dytë të ndeshjes në San Siro për shkak se goditi Salvatore Aronican. Por ai është penduar dhe ka pranuar se nuk duhet ta lejojë veten të bëjë gjëra të tilla.

“Bëra një gjë budallai. Kjo ndodh, ndodh. Por duhet të mësoj nga gabimet e mia. Nuk kam nevojë për kamerat televizive për të kuptuar çfarë kam bërë. Kam bërë gabim”, ka thënë Ibra.

Sulmuesi është ndëshkuar me suspendim prej tre ndeshjesh për gjestin e tij, edhe pse Milani synon të bëjë ankesë për të zvogëluar dënimin.
Bayern Munich raportohet se tashmë ka nënshkruar me shqiptarin Xherdan Shaqiri dhe do ta konfirmojë këtë më vonë gjatë kësaj jave.
Sipas të përditshmes gjermane Bild, dy klubet (Bayerni dhe Baseli) tashmë janë pajtuar që 20-vjeçari të transferohet në Allianz Arena për 9 milionë euro, shumë e cila do të rritet nëse lojtari i arrin të plotësojë disa caqe gjatë viteve të para me klubin bavarez.

Gazeta po ashtu shkruan se kosovari me nënshtetësi zvicerane do të nënshkruajë kontratë me Bayernin deri në vitin 2016 ndërsa transferimi i tij do të kompletohet gjatë verës

Shaqiri do të luajë pikërisht kundër Bayernit më vonë gjatë këtij muaji, kur Baseli do të përballet me gjigantët e Bundesligës në kuadër në 1/8-tës së finales së Ligës së Kampionëve.
Kapiteni i Bregut të Fildishtë, Didier Drogba, ka lavdëruar bashkëlojtarët e tij për karakterin e fuqishëm, që rezultoi me tetë gola të cilët e dërguan skuadrën në gjysmëfinale të Kupës së Kombeve.
“Bashkëlojtarët e mi më kanë inkurajuar dhe ishin shumë përkrahës. Duhej të kthehesha në lojë dhe ua dedikoj atyre këto gola. Më vjen mirë që e bëra këtë për ta dhe jam krenar për bashkëlojtarët e mi”.

“Në vitin 2006 ne ishim në finale dhe humbëm. Në vitin 2008 ne shënuam shumë gola por dështuam të arrijmë në finale. Këtu ne kemi treguar karakter”, ka thënë Drogba.

Bregu i Fildishtë mposhti Guinean me rezultat 3-0 gjatë vikendit dhe të mërkurën do të përballet me Malin në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Kombeve të Afrikës.
Juan Mata thotë se Fernando Torres po luan mirë për momentin dhe se sulmuesi së shpejti do ta rikuperojë mungesën e golave.
“Torres është i mirë, i qetë dhe stërvitet dhe luan shumë mirë. E di se çdokush flet për golat e tij, por e di se ai do të shënojë”.

“Ai ka dhënë shumë asistime këtë sezon dhe ai sigurisht se do t’i ndryshojë këto asistime në gola”, ka thënë Mata për Marca.
Mesfushori i Interit, Javier Zanetti, thotë se Nerazzurrët nuk dorëzohet në shpresat për ta fituar titullin e Serie A.
Interi u mposht nga Roma me rezultat 4-0 vikendin e kaluar dhe ka mbledhur një pikë nga tre ndeshjet e fundit. Megjithatë, Zanetti ende beson se sezoni i tyre ende nuk ka përfunduar.

“A jemi dorëzuar? Asnjëri prej nesh. Pajtohem me atë çfarë tha presidenti, se ne duhet ta shkundim veten. Çdokush në skuadër duhet të përgjigjet për këtë, ne kemi nevojë për karakter dhe këtë herë do t’ia dalim”.

“Roma meritoi fitoren dhe nga nesër [e mërkurë] ne do të fillojmë t’i bëjmë si duhet ato që kemi bërë keq. Ne duhet të fillojmë menjëherë, me Novarën në mendje. Scudetto? Sot duet të mendojmë për Novaran dhe të përfundojmë të tretët, do të japim më të mirën”, ka thënë Zanetti për Sky Sport 24.

“A kemi zgjedhur Ligën e Kampionëve dhe kemi hequr dorë nga Scudetto? Jo ne luftojmë në të gjitha frontet”, ka thënë Zanetti.

Interi aktualisht renditet i pesti në tabelën e Serie A, duke ndjekur Juventusin me nëntë pikë diferencë.