Skuadra e Romës ka pësuar humbje minimale si mysafir i Sienas.Golin e vetëm e shënoi Calaio nga penaltia në minutën e 51-të.
Nga ana tjetër, Napoli ka fituar përballë Chievos me rezultat prej 2-0.
Me dy gola të shënuar në pjesën e parë, nga Britos (15’) dhe Cavani nga penaltia (38’), napolitanët arkëtuan tre pikë të reja.
Pas kësaj xhiroje, Roma dhe Napoli mbajnë pozitat gjashtë dhe shtatë në tabelë me një pikë diferencë mes tyre.
Ish-trajneri i Anglisë, Fabio Capello, ka mohuar spekulimet se ka pasur takim me zyrtarët e Anzhi Makhachkalas.Mediat ruse kanë raportuar të dielën se italiani ka udhëtuar në Moskë për të filluar negociatat me klubin rus.
“Unë jam në Saint-Moritz. Takimi i vetëm që kam është të hënën e ardhshme, në Bologne, për të marrë një çmim”, ka thënë Capello për L'Equipe.
Spekulimet se ish-trajneri i Juventusit dhe Real Madridit do ta marrë drejtimin e Anzhit u përhapën pasi Yuri Krasnozhan u largua pas vetëm dy muajsh në postin e trajnerit.
Trajneri i Bayer Leverkusenit, Robin Dutt, e ka bërë të qartë se Barcelona është favorit absolut në takimet e 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve.“Do të ishte një mrekulli po ta mposhtnim Barcelonën pas dy ndeshjeve”.
“Barca është më e mirë se përfaqësuesja e Spanjës”.
“Duhet t’i kushtojmë vëmendje të njëjtë secilit lojtar të Barcës- madje edhe zëvendësuesit janë në nivel ndërkombëtar”, ka thënë Dutt.
Ish-trajneri i Juventusit, Marcello Lippi, mendon se takimet e shtyra ndaj Parmës dhe Bolognas, nuk do të ndikojnë në rrjedhën e suksesshme të Bainconerëve në garën për titull.Zonja e Vjetër gjendet pas Milanit në tabelë me dy pikë më pak, mirëpo ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.
“Nuk mendoj se do të ndikojnë në rrugën e tyre. Nëse skuadra do të kishte ndryshime të tilla në fillim të sezonit, ndoshta do t’i kishte shqetësuar”.
“Por tash skuadra është zhvilluar dhe është e vetëdijshme për fuqinë e vet”, ka thënë Lippi për La Stampa.
Carlos Tevez e ka akuzuar trajnerin e Manchester Cityt, Roberto Mancini, se e ka trajtuar “si qen” gjatë takimit të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munichut në muajin shtator.“Isha pak pa disponim dhe kur e inkuadroi De Jongun dhe e nxori Dzekon, ndërsa ne humbnim 2-0, mendova se ishte një zëvendësim defensiv, prandaj vendosa të qëndroj në stol”, ka thënë Tevez për Fox Sports Latin America.
Ai ka shpjeguar se teksa Dzeko largohej ai fliste boshnjakisht, ndërsa Mancini e shante në italisht dhe se trajneri nuk e kishte parë Tevezin teksa ishte ulur.
“Unë shkova dhe u ula dhe ai nuk më pa, sepse po diskutonte (me Dzekon). Mirëpo, më pas u kthye dhe më pa mua dhe mund ta imagjinoni çfarë ndodhi. Ai ishte në mes të një zënke, dhe më tha mua të vazhdoj të nxehem dhe më trajtoi si një qen”.
“Pastaj më foli me atë ton të zërit dhe unë i thash: ‘Jo nuk dal’”, ka treguar Tevez, duke shtuar se Mancini më pas e kishte ofenduar shumë.
Sidoqoftë, argjentinasi ka thënë se do ta veshë sërish fanellën e Cityt dhe do të mundohet të rikthejë zemrat e tifozëve.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka deklaruar se nuk shqetësohet nga kritikat pas humbjes nga Osasuna, dhe se është i fokusuar në takimin e Ligës së Kampionëve kundër Bayer Leverkusenit.Pas humbjes prej 3-2 në Reyno de Navarra, Blaugranët kanë mbetur dhjetë pikë prapa Real Madridit në garën për titullin e La Ligas, ndërsa trajneri ka marrë kritika për përzgjedhjen e lojtarëve.
Guardiola ka thënë se i ka pritur kritikat e tilla pas humbjes, porse nuk është edhe aq i shqetësuar nga fjalët, por ndjehet keq që skuadra e tij ka humbur.
Ai ka theksuar se është i fokusuar te përballja e të martës mbrëma ndaj Bayer Leverkusenit.
Mbrojtësi i Real Madridit, Pepe, është ankuar ndaj medieve, të cilat, sipas tij, e paraqesin atë si vrasës.Portugezi shpesh bëhet shënjestër e mediave për veprimet e tij agresive dhe aktrimin që e bën gjatë ndeshjeve.
“Mediat më paraqesin si vrasës. Për mua më e rëndësishme është që t’i mbroj ngjyrat e Real Madridit. Kur ec nëpër rrugë shumë njerëz më tregojnë se ende më duan”, ka thënë Pepe për Canal+.
Ai ka folur edhe për trajnerin Jose Mourinho, për të cilin ka thënë se beson që do të qëndrojë te Los Blancos, përkundër spekulimeve për largimin e tij.
Wayne Rooney ka lënë të kuptohet se planifikon të qëndrojë edhe shumë kohë te Manchester Unitedi dhe dëshiron të bëhet golashënuesi më i mirë në histori të Djajve të Kuq.Futbollisti anglez ishte vendimtar në fitoren prej 2-1 ndaj Liverpoolit, pasi shënoi të dy golat e United, ndërsa në këtë mënyrë arriti Joe Spence në vendin e gjashtë, në listën e realizuesve më të mirë të klubit. Të dy kanë nga 168 gola të shënuar.
“Sapo e pash se jam golashënuesi i gjashtë në histori të Manchester Unitedit. Nuk e di nëse kjo është e vërtetë, por jam jashtëzakonisht krenar. Qëllimi im është që të fitoj shumë trofe dhe të bëhem golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave te klubi. Kjo do të ishte e çuditshme... Edhe 81”, ka shkruar 26-vjeçari në Twitter.
Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave te Manchester Unitedi është Bobby Charlton me 249 gola.
Carlos Tevez të martën pritet të kthehet në Mançester, ndërsa thuhet se dëshiron t’i lë pas vetes mosmarrëveshjet me trajnerin Roberto Mancini dhe ta veshë sërish fanellën e Manchester Cityt.Argjentinasi nuk ka luajtur në asnjë ndeshje me ‘pasanikët’ që nga shtatori kur refuzoi të inkuadrohej ndaj Bayern Munichut në Ligën e Kampionëve.
Më pas, ai shkoi drejt Argjentinës pa lejen e klubit dhe dëshironte të transferohej në ndonjë skuadër tjetër.
Megjithatë, meqë kjo nuk ndodhi, Tevez pritet të kthehet te City dhe të fillojë të luajë sërish për klubin pronësi e të cilit është.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka marrë disa lajme premtuese nga stafi mjekësor para takimi të Ligës së Kampionëve ndaj Arsenalit.Alexandre Pato, Kevin-Prince Boateng dhe Alessandro Nesta janë kthyer në stërvitje.
Pato u lëndua në takimin ndaj Novaras në Kupë në muajin janar, Boateng lëndoi muskulin në derbin ndaj Interit, ndërsa Nesta u lëndua në stërvitje para takimit ndaj Napolit.
Sidoqoftë, Milani ka konfirmuar përmes faqes zyrtare se të tre lojtarët i kanë kaluar problemet e tyre dhe do të jenë në dispozicion në takimin e të mërkurës në San Siro.
Legjenda holandeze, Marco van Basten, do të marrë drejtimin e Heerenveenit në fund të sezonit aktual.Trajneri i tanishëm, Ron Jans, ka deklaruar se do të tërhiqet nga ky post porsa t’i skadojë kontrata, ndërsa Voetbal International njofton se ish-sulmuesi i Milanit do ta marrë drejtimin e klubit holandez.
Caktimi i Van Bastenit ka ardhur si befasi, pasi është pritur që trajneri i FC Zwolle, Art Langeler, të angazhohet si trajner i Heerenveenit, ndërsa është përmendur edhe emri i ish-trajnerit të Holandës dhe Bayern Munihut, Louis van Gaal.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, është ndarë më se i kënaqur me lojën e Cristiano Ronaldos.Ronaldo shënoi hat-trick në fitoren e mbrëmshme kundër Levantes, përfshirë edhe një gol të bukur nga largësia në pjesën e dytë, që ka impresionuar Mourinhon.
“Goli i Cristiano Ronaldos ishte i mrekullueshëm, fantastik, dhe besoj se do të qarkullojë nëpër botë gjatë disa javëve të ardhshme. E gjithë skuadra ndjehet kështu dhe ishte një gol i veçantë për Ronaldon. Ishte goli i katër mijtë në Bernabeu dhe e meritoi”, ka thënë Mourinho.
Carles Puyol thotë se Barcelona nuk do ta humbë fokusin nga kampionati spanjoll, pavarësisht se ka ngecur dhjetë pikë krahasuar me Real Madridin në maje të tabelës.“Sigurisht, nuk jemi të kënaqur me ndeshjen kundër Osasunas, por liga nuk është humbur ende. Ne duhet të jemi realistë dhe të pranojmë se është e komplikuar, por nuk do të dorëzohemi, dhe do të luftojmë deri në fund”.
Kapiteni i Barcës po ashtu është i qartë në një gjë: skuadra nuk do të dorëzohet në ligë, por nuk do ta injorojë as fokusin në dy garat tjera të mëdha.
“Ne do të luftojmë në të gjitha tre garat dhe kush mendon ndryshe, gabohet”, ka thënë Puyol.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, ka hedhur poshtë krahasimet me Marco van Basten.“Ju nuk mund t’i krahasoni lojtarët. Ai ishte sulmues, si unë. Por Zlatan është Zlatan”.
“Mbaj mend kur për të parën herë e pashë atë, isha në dhomën e veshjeve të Ajaxit, ai bënte një praktikë për t’u bërë trajner. Isha krejtësisht i heshtur, nuk dija çfarë të thosha”.
“Në atë kohë, e njoha atë më mirë. Mendoja se ai ishte një person i mirë, një sulmues i vërtetë, i cili gjithmonë dëshiron të dëgjojë”, ka thënë Ibra.
Trajneri i Romës, Luis Enrique, është i ngazëllyer me formën që po kalon Erik Lamela.“Jam shumë i kënaqur me lojtarët e mi. Media duket se e sheh Borinin si Zot në këtë moment, derisa Lamela nuk po ia del mirë, por besoj te e kundërta”.
“Çdo lojtar kalon nëpër faza në një sezon. Nuk e shoh Borinin si Zot tash, por ai nuk ishte i keq as më herët. E njëjta vlen edhe për Lamerlan”, ka thënë Enrique.
Portieri i Barcelonës, Victor Valdes, thotë se titulli po ju ik prej duarve.Real Madridi shënoi fitore ndaj Levantes mbrëmë për t’i ikur dhjetë pikë Barcelonës, për të cilën Valdes mendon se është një diferencë e theksuar.
“Të jemi realistë, do të jetë shumë vështirë. Ne nuk luajtëm mirë dhe Liga është bërë ca e komplikuar. Nuk është përfundimtare, por është më e vështirë”, ka thënë Valdes.
Trajneri i Interit, Claudio Raniero, ndjehet i sigurt në bankinën Nerazzure edhe pas disfatës nga Novara.U raportua se drejtuesit e klubit kishin vizituar dhomën e veshjeve dhe kishin zhvilluar një takim krize me trajnerin dhe skuadrën.
“Klubi dhe presidenti Massimo Moratti janë 100 për qind prapa meje. Ne kemi një komunikim të shkëlqyeshëm dhe e ndjej mbështetjen e tyre të plotë”.
“Ne u përpoqëm të shënojmë në një mijë mënyra të ndryshme gjatë ndeshje. Ne madje ndryshuam taktikat tona gjatë kohës dhe të bësh presion me tre lojtarë në mesfushë është ndryshe se sa me katër”, ka thënë Ranieri.
Thierry Henry u ka thënë tifozëve të Arsenalit se ai mund të rikthehet sërish në klub sezonin e ardhshëm.Henry do të kthehet në New York Red Bulls pas ndeshjes së të mërkurës në Ligën e Kampionëve në udhëtim te Milani, por është shprehur i gatshëm për rikthim sezonin e ardhshëm.
“Kurrë nuk mund të thuash kurrë, apo? Duhet ta pyesni menaxherin. Nuk e di. Gjithmonë e kam thënë këtë, është disi e vështirë për mua të them jo. Nëse ata kanë nevojë për mua një ditë, do të jem këtu”, ka thënë Henry.
Ylli i Real Madridit, Cristinao Ronaldo, është i ngazëllyer me hat-trickun e tij në fitoren ndaj Levantes.“Ne e dinim se ndeshja do të ishte e vështirë dhe nuk bëmë një fillim të mirë. Ne ndryshuam pas golit të parë. Ne jemi në rregull dhe duhet të vazhdojmë kështu deri në fund të sezonit, por ka ende shumë ndeshje të mbetura”.
“Golat erdhën falë përpjekjes së gjithë skuadrës. Ne po luajmë mirë dhe unë po kaloj një fazë të mirë të cilën dua ta ruaj”.
“Isha jashtëzakonisht i kënaqur pasi shënova gol dhe doja ta festoja me menaxherin dhe stafin e tij, pasi ne të gjithë po bëjmë një punë të shkëlqyeshme”, ka thënë portugezi
Kobe Bryant ka shpëtuar Los Angeles Lakers duke shënuar pikët vendimtare me katër sekonda të mbetura për t’i dhënë skuadrës fitoren 94-92 ndaj Toronto Raptors gjatë ndeshjes së mbrëmshme të NBA-së.Bryant, i cili u fut në ndeshje si shënuesi më i mirë këtë sezon, shënoi vetëm shtatë pikë në pjesën e parë, por mbushi bateritë në pjesën e dytë, duke përfunduar ndeshjen me 27 pikë.
Pau Gasol ndihmoi në fitore duke shënuar double-double për të gjashtën herë radhazi për Lakers. Spanjolli kësaj here regjistroi 16 pikë dhe 17 kërcime.
Për Raptors më i sakti ishte Jose Calderon, i cili shënoi pikët më të larta të karrierës, 30.
Legjenda e Real Madridit, Roberto Carlos, thotë se Jose Mourinho është trajneri më i mirë në botë dhe se është përpjekur ta bindë atë të drejtojë klubin rus Anzhi.Carlos dje u rikthye në Bernabeu për të vizituar “ish-shtëpinë” e tij dhe u takua me Mourinhon dhe lojtarët para fitores së tyre ndaj Levante.
“Ai (Jose) më ka thënë se kontrata e tij është e vlefshme dhe ai qëndron. I kam thënë atij se nëse ndryshon mendjen, është një ekip që e pret me dyer të hapura (Anzhi). Ai është trajneri më i mirë në botë”, ka thënë braziliani.
Menaxheri i Chelseat, Andre Villas-Boas, thotë se ai është fajtor për disfatën e vikendit nga Evertoni.“Do t’i analizoj mirë përgatitjet e mia dhe do të marr përgjegjësinë e plotë për disfatën. Mendoj se lojtarët bënë gjithçka që mundën për të ndikuar në rezultat”.
“Ndoshta do të duhet të rishikoj atë çfarë kam bërë dhe të mendoj për përgatitjet. Do të diskutoj përbëtë me stafin tim teknik dhe për vendim-marrjet e mia”, ka thënë Villas-Boas.
Manchester United formalisht ka pranuar faljen e kërkuara nga Liveprooli pas kundërthënieve në Old Trafford.United i ka pranuar kërkim-faljet e sulmuesit të Liverpoolit, Luis Suarez, dhe menaxherit Kenny Dalglish, rreth veprimeve në ndeshjen derbi të vikendit. Djajtë e Kuq kanë lëshuar një deklaratë me titullin “Të Kuqtë pranojnë faljet e rivalëve”.
“Manchester United falënderon Liverpoolin për kërkim-faljet pas ndeshjes së të shtunës. Çdokush në Old Trafford dëshiron të ecë më tej nga kjo. Historia e dy klubeve tona të mëdha është ajo e suksesit dhe rivalitetit të pakrahasueshëm në futbollin britanik. Kjo duhet të jetë fokusi në të ardhmen i të gjitha atyre që i duan klubet”, thuhet në deklaratën e Man United.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, thotë se titulli tash është në duart e tyre.Reali mbrëmë fitoi ndaj Levantes dhe tash është dhjetë pikë mbi Barcelonën në tabelën e La Ligës.
“Dhjetë pikë janë një diferencë e konsiderueshme. Ne po ia dalim mirë dhe duhet të mbetemi të qetë. Ne jemi Real Madrid dhe do të përpiqemi që kjo ligë të mos nga rrëshqasë nga gishtat”.
“Na takon neve të mos e ulim ritmin dhe ta mbajmë këtë intensitet. Ajo çfarë është e rëndësishme është se ne jemi liderë dhe se liga është në duart tona”, ka thënë Higuain.
Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez, ka kërkuar falje për sjelljen e tij në Old Trafford.Suarez pranon se ai duhej t’ia kishte shtrënguar dorën Patrice Evra para fillimit të ndeshjes në Old Trafford të fillonte.
“Kam biseduar me menaxherin (Kenny Dalglish) që nga ndeshja në Old Trafford dhe kam kuptuar se i kam bërë gjërat keq”.
“Thjesht e kam lënë atë në baltë, por po ashtu klubin dhe gjithë prapa meje dhe më vjen keq. Kam bërë gabim dhe pendohem për atë që kam bërë”.
“Duhej t’ia kisha dhënë dorën Patrice Evras para ndeshjes dhe doja t’i kërkoj falje për veprimet e mia. Do të doja që gjithë kjo ngjarje të mbetet prapa dhe të përqendrohem të luaj futboll”, ka thënë Suarez.
















