Barcelona ka regjistruar fitore prej 5-1 përballë Valencias në kryendeshjen e kësaj xhiroje të Kampionatit spanjoll.

Pas një periudhe frustuese, futbollisti që mban epitetin e më të mirit në botë, Lionel Messi, shkëlqeu në këtë takim, i cili ishte i 200-ti në La Liga, duke i realizuar katër gola.Ishin lojtarët mysafirë ata që shënuan të parët me anë të Pablo Piatti (9’), por ky gol vetëm sa i nervozoi lojtarët vendas.
Lionel Messi shfrytëzoi një gabim të Adil Rami pas pasimit të Pedros dhe e barazoi rezultatin (22’).Pesë minuta më pas, argjentinasi me tentativën e dytë e mposhti portierin Diego Alves, i cili nuk e mbajti topin si duhet (27’).
Në minutën e 76-të, Leo Messi kompletoi het-trikun e tij pas një pune të mirë të Tellos.
Një pasim perfekt nga Sergio Busquets, e shfrytëzoi për mrekulli SuperMessi për t’u regjistruar për të katërtën herë këtë mbrëmje në listën e golashënuesve (85’).
Nuk kaloi shumë minuta pas hyrjes në lojë, i rikthyeri nga lëndimi, Xavi Hernandez, shënoi një gol të bukur për ta mbyllur me ‘qershi mbi tortë’ këtë paraqitje mbresëlënëse të Blaugranëve.
Barcelona mbetet në pozitën e dytë në tabelë me dhjetë pikë më pak se Real Madridi që i prin La Ligas.
Roma është inkuadruar në luftën për pozitën që dërgon në Ligën e Kampionëve pas fitores minimale në Olimpico ndaj Parmës.

Roma ishte dominante nga fillimi i takimit, ndërsa kjo u shfaq me golin e sulmuesit më në formë të Romës, i cili tregoi se ditë të bardha nuk ka për kundërshtarët.

Fabio Borini realizoi në minutën e 26-të për 1-0, që ishte dhe rezultati përfundimtar, përkundër rasteve të Romës deri në fund të sfidës.

Me këtë fitore Roma ngjitet në kuotën e 38 pikëve në vendin e pestë, tre pikë larg Udineses që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Arsenali është duke synuar që ta emërojë Pep Guardiolën si pasues të Arsene Wenger në stolin e Arsenalit, pas rezultateve të dobëta këtë sezon.

Mail on Sunday shkruan se burimet brenda Arsenalit besojnë se pronarët janë duke menduar që Arsene Wengerit t’ia japin një post kyç në bordin drejtues, teksa për trajner do të emërohej tekniku katalanas i cili është i specializuar për të drejtuar lojtarët e rinj.

Pep Guardiola gjatë tri viteve të qëndrimit të tij te Barcelona ka fituar hiç më pak se 13 tituj dhe kontrata e tij skadon në qershor të këtij viti.
Manchester City është duke planifikuar një ofertë të jashtëzakonshme për yllin e Benficas, Nicolas Gaitan.

Mirror shkruan se City është i gatshëm të ofrojë 40 milionë euro për mesfushorin fantastik, duke prishur kështu planet e Sir Alex Ferguson.

Gaitan konsiderohet si një prej lojtarëve të rinj më të shpejt dhe më atraktiv në botë, ndërsa ka lënë përshtypje të mirë në sfidat ndaj Manchester Unitedit në Ligën e Kampionëve, që për pasojë pati eliminimin e klubit më të trofeshëm anglez.
Milani ka shënuar fitore shumë të rëndësishme dhe jashtëzakonisht të lehtë në udhëtim te Cesena me rezultat 3-1, duke ashpërsuar edhe më tej luftën për titull të kampionit në Serie A.

Milani që nga fillimi ishte dominues dhe e gjeti shpejt golin. Duke reflektuar paraqitjen e tij të mirë, Sulley Muntari shënoi në minutën e 29-të për 1-0 dhe epërsinë e parë të Rossonerëve. Nuk kaluan dy minuta dhe Emmanuelson e zgjeroi këtë epërsi në 2-0.

Në vazhdim të pjesës së dytë Milani përsëroi dominoi dhe ishte Robinho ai që për 3-0 (55’), vazhdoi formën e tij të mirë para ndeshjeve shumë të rëndësishme. Rezultatin prej 3-1 e vuri Pudil në minutën e 65-të, por vendasit nuk ishin në gjendje që të shënojnë gola të tjerë.

Me këtë fitore, Milani është në vendin e parë me 50 pikë, një pikë më shumë se Juventusi që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Javën e ardhshme Juventusi i shkon Milanit në San Siro në duelin që mund ta përcaktojë titullin.
Cristiano Ronaldo është golashënuesi i 13-të më i mirë në historinë e Real Madridit, pasi shënoi golin e 121-të në fanellën e Los Blancos në sfidën ndaj Santanderit.

Goli i shënuar me kokoë nga Ronaldo, barazon rekordin e Juanitos i cili shënoi po aq gola në 400 paraqitje, kurse Ronaldo i shënoi për vetëm 123 paraqitje në gara zyrtare.

Golashënuesi më i mirë i Real Madridit është Raul me 323 gola, i ndjekur nga Di Stefano (308) dhe Santillana (290).
Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, beson se ekipi i tij ka treguar se është ekip i madh pasi arriti të rikthejë rezultatin në sfidën ndaj Catanias nga disavantazhi në minutat e para të sfidës.

“Ne kemi qenë të mirë, ishim të koncentruar dhe të matur dhe shfaqëm përgjigje të shkëlqyer për tifozët, pasi treguam se jemi ekip i madh”.

“Ne jemi grup i madh dhe kjo është parë edhe të shtunën. Unë e kam ditur se ne do të përballemi me një Catania të fortë, që po ashtu tregoi forcat e veta. Ata kanë lojtarë të mirë dhe është dëshmi se drejtori Pietro Lo Monaco po bën punë shumë të mirë”, tha Conte.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, është i bindur se Juventusi është favorit për ta fituar sfidën kruciale për titull që zhvillohet javën e ardhshme në San Siro, ndërsa si arsye për këtë e sheh faktin se Bianconerët luajnë një herë në javë.

“Mendoj se vitin e kaluar kur kemi luajtur keq, ne fitonim pikët, por këtë vit sa herë kemi luajtur keq, kemi pësuar disfata dhe mendoj se kjo është cilësi e kampionatit”.

“Mendoj se Juventusi po bën mirë, por nuk duhet të harrojmë se ata luajnë një herë në javë, kurse ne tri ndeshje në javë. Dallimi është shumë i madh”, tha Ibra.
Trajneri i Bayernit të Munichut, Jupp Heynckes është tejet i frustruar me paraqitjen e ekipit të tij ndaj Freiburgut, ku bavarezët dështuan të fitojnë.

“Ne ishim të dobët në pjesën e parë. Ne kemi menduar se do të kishim sukses me futboll të bukur. Ne është dashur t’u rezistojmë në mënyrë energjike, ne është dashur që të jemi më agresiv. Por, ne nuk e kemi bërë këtë deri në fund të pjesës së dytë”.

“Për këtë arsye luftohet 90 minuta për të fituar. Në tabelë, edhe dy pikë janë lëshuar. Ekipi në maje është shumë stabil dhe kështu natyrisht ne nuk mund të lejojmë gabime të tilla”, deklaroi Heynckes.
Trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, është i vetdishëm për sfidën e vështirë për skuadrën e tij ndaj Chelseat, që vlen për kualifikim në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

“Unë nuk pajtohem se Napoli është favorit. Chelsea dëshiron të bëjë mirë në Ligën e Kampionëve dhe ata kanë lojtarët të cilët janë mësuar me ndeshje të tilla”.

“Do të jetë test i tmerrshëm dhe nëse duam të kualifikohemi duhet të bëjmë mrekullira”, ka thënë Mazzarri.
Mefushori i Juventusit, Andrea Pirlo, thotë se ai është i gatshëm që të rikthehet në San Siro për një ndeshje emocionale ndaj ish-ekipit të tij, Milanit.

“Unë në mënyrë të pa evitueshme do të ndjej emocione”.

“Do të jetë ndeshje e rëndësishme, në të cilën do të përballen dy ekipe të shkëlqyera. Nëse lojtarët më të mirë do të përfshihen, atëherë sigurisht se ndeshja do të jetë më interesante”, ka thënë Pirlo.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka pranuar se ai ndjen dashuri për ish-klubet e tij, Chelsean dhe Interin, por nuk dëshiron që të rikthehet.

Blutë e Londrës dhe Nerazzurët janë dëgjuar duke brohoritur emrin e Mourinhos nëpër tribuna të stadiumeve dhe kjo ka bërë që të preket edhe vet Mourinho, i cili ka aluduar në qëndrim te Real Madridi.

“Unë vërtet e dua Chelsean dhe Interin. Sidoqoftë, preferoj të jem tifoz i këtyre ekipeve dhe të dëgjoj tifozët duke thirrur emrin tim”, u shpreh portugezi.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është duke kërkuar ringjallje nga lojtarët e tij, për t’iu kthyer fitoreve pas disfatës së radhës në transfertë te Sunderlandi me rezultat 2-0.

“Unë ndjej se kemi pasur një paraqitje të mirë, ku kemi dhënë gjithçka. Ishte ndeshje shumë e vështirë. Ne kemi pasur tri ndeshje në udhëtim për një javë dhe të trija në terrene të vështira. Është një kalendar fatkeq”.

“Ne kemi luftuar shumë, por nuk kemi pasur fat. Ishte 100 përqind penalti të cilën Webb nuk e akordoi, ndërsa Sunderlandi shënoi në goditjen e parë në portë. Më pas, ne është dashur ta ndjekim rezultatin dhe kështu rrezikuam e u dënuam”, u shpreh francezi.
Milani ka marrë lajme të këqija para duelit krucial ndaj Juventusit, pasi mesfushori Kevin Prince Boateng ka pësuar një lëndim në kofshë që mund ta lë atë jashtë sfidës së rëndësishme.

Mesfushori i shumëanshëm u rikthye pas lëndimit në ndeshjen që përfundoi me rezultat 4-0 ndaj Arsenalit, kurse ai u zëvëndësua në pjesën e dytë pas një lëndimi në kofshën e majtë.

“Milani dëshiron të bëjë të ditur se pas ndeshjes ndaj Arsenalit, Boateng është zbuluar se ka pësuar një zgjatje muskulore në kofshën e tij të majtë. Në ditët e ardhshme do të dimë periudhën se kur ai mund të kthehet në ekip”, shkruan në një komunikatë në faqen zyrtare të Rossonerëve.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, u ka sugjeruar lojtarëve të tij që të mbajnë shpirtin që e kanë pasur edhe në ndeshjen ndaj Arsenalit, pasi fitorja ndaj Cesenas është kruciale.

“Ne duhet që t’i qasemi ndeshjes ndaj Cesenas me shpirtin dhe motivimin e njëjtë sikurse ndaj Arsenalit. Ne nuk duhet ta kuptojmë gabimisht, pasi po përballemi me një ekip shumë të organizuar dhe të fortë, që gjithmonë krijon diqka në shtëpi”, theksoi Allegri.

Milanit i duhet patjetër fitorja ndaj Catanias në sfidën që zhvillohet nga ora 15:00, pasi vetëm kështu mban hapin për titull.
Boksierët britanik, Derek Chisora dhe David Haye, ishin përfshirë në një konfrontim në Munich, që ka shpjerë drejt një rrahje masive nga e cila i lënduar ka dalë menaxheri i Hayes, Adam Booth.

Incidenti ndodhi në një konferencë për shtyp, pasi Chisora humbi pas një performance të denjë ndaj Vitalit në 12 raunde. Sidoqoftë, Chisora pas duelit ngacmoi Haye, i cili ishte në rolin e analistit për një televizion britanik, duke e kritikuar për mënyrën se si ka humbur nga Wladimir Klitschko.

“David, si e ke gishtin e këmbës”, theksoi Chisora vazhdimisht në konferencë, duke aluduar në arsyetimin e Haye pas duelit me Wladimirin zhvilluar korrikun e kaluar, duke shtuar “Haye, ti dhe unë mund të takohemi në Londër. Mos ki merak”.

Pas këtyre fjalëve, Haye u ngrit dhe filloi të rrahej me Chisoran, teksa ky i fundit pohon të ketë marrë një shishe për ta goditur Hayen, pasi të njëjtën gjë e bëri edhe ky i fundit.

Sipas AP, kur Haye dhe Chisora ishin ndarë, Haye u përfshi në një rrahje tjetër me një antar të stafit të Chisoras me të cilin kanë shkëmbyer disa goditje. Gjatë këtij incidenti tjetër të madh Haye mori një tripod televiziv ndërsa në rrëmujë menaxheri i Haye ka dalë me prerje në fytyrë. Gazetarët janë larguar nga këto skena, teksa sigurimi ka tentuar t’i ndajë palët. Para rrahjes së Hayes me Chisoran në Munich, Bernd Boente, menaxheri i Klitshkocs tha: Pas përvojave të këqija me boksierët britanik, ne do të kërkojmë boksierë nga vende tjera. Për dallim nga David Haye, Dereck Chisora vërtet luftoi dhe tentoi të fitonte”.
Ndaj kësaj, Haye u përgjigj: “Ju nuk dëshironi të luftoni me mua, apo jo?”, ndërsa Boente tha: “Ti ke pasur ofertë, nuk pranove, tani je jashtë. Ti je jashtë. Jashtë, jashtë, jashtë. Ti nuk mund ta fusësh veten prap në konkurrencë, pasi nuk ke breza. Chisora shfaqi zemër, për dallim prej teje. Ti shfaqe gishtin tënd të këmbës”.
Wladimir Klitschko, i cili ishte dëshmitar i dramës në sallën e konferencës për shtyp në Munich, tha për BBC: “Jam totalisht i zhgënjyer, shkoi shumë larg, sporti i boksit nuk duhet të jetë i tillë. Fytyra të përgjakura në konferencë për shtyp...duhet të ketë luftë në ring, jo jashtë ringut. Jam vërtet i befasuar”.
Dereck Chisora shkaktoi polemika të mëdha pasi para duelit me Vitali Klitschkon e goditi këtë të fundit me shuplakë gjatë matjes zyrtare, por ukrainasi e mori me sportivitet dhe ia tregoi vendin gjatë duelit.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, tërthorazi ka aluduar në largim, pasi u shpreh i kënaqur me thirrjet për rinovim të kontratës, teksa shtoi se njerëzit do të kishin hedhur gurë mbi të nëse do të kishte dështuar në të kaluarën.

“Unë jam falënderues që njerëzit duan që unë të rinovoj, por nëse nuk do të kishim fituar aq shumë, atëherë ata do të kishin hedhur gurë mbi mua”.

“Unë jam falënderues që klubi nuk ka vendosur limit kohor mbi mua. Nëse ata kanë nevojë të dinë atëherë unë do t’ua kumtoj vendimin së shpejti. Unë tashmë ju kam thënë me mijëra herë. Unë do të rinovoja për pesë apo gjashtë vite, por ju e dini se çfarë mendimi kam. Ëshe zgjedhje personale. Nëse do të kisha dështuar nuk do të kërkonit të rinovoja”, tha Guardiola.
Drejtori i Bayernit të Munidhut, Christian Nerlinger, ka pranuar se titulli nuk është më në duart e bavarezëve, pas barazimit në udhëtim te Freiburgu.

“Natyrisht, titulli nuk është humbur, por nuk është më në duart tona”.

“Kjo ndeshje ishte mister për mua – sidomos pjesa e parë, vërtet më bëri të shtangem. Më është dukur se shumë lojtarë nuk e kuptonin se çfarë ishte në pyetje. Mungoi agresiviteti, vullneti dhe dëshira për të fituar”, tha Nerlinger.
Me vendim kontravers të gjyqtarëve, ukrainasi Vitali Klitschko ka mbrojtur brezin e tij në kategorinë e rëndë në WBC, pasi tejkaloi pengesën britanike, Derek Chisora.

Sfida e cila u prit me entuziazëm nga fansat e boksit anë e mbanë botës, mori kahje tjetër të premtën gjatë matjes zyrtare, kur Derek Chisora goditi me shuplakë rivalin e tij Vitalin, i cili me shikimin e tij të mprehtë ia bëri të ditur se nuk e pret fitorja në mbrëmjen e të shtunës, e në fakt ashtu dhe ndodhi.

Si kampion i vërtetë, që nga fillimi i duelit, Klitschko dominoi dhe për të mos hedhur poshtë vendimin e ngushtë të gjyqtarëve, ishte dhe boksieri shqiptar Luan Krasniqi ai që për televizionin gjerman RTL dha vlerësimin e tij – 108:103 për Vitalin.
Disa goditje në raundet fillëstare ishin kruciale për këtë duel që gjyqtarët të vendosin në fund për fitore të Vitalit, në një duel që nuk u përshkrua me energji të madhe, por më shumë nga brohoritjet e fansave në palestër.
Vlen të përmendet, se në fund të duelit Chisora ofendoi rëndë Vitali Klitchkon, gjë që detyroi vëllain Wladimirin të ndërhynte duke i thënë Chisoras që të kthehet nga ka ardhur.
Vitali dhe Wladimir, vëllezërit Klitschko, aktualisht mbajnë të gjithë brezat e kategorisë së rëndë në boks, duke konfirmuar edhe njëherë dominimin në top sportin luftarak.