Përkundër barazimit 1-1 ndaj CSKA Moskës, trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, nuk është i shqetësuar.

Ai ka thënë për AS se Los Blancos është dashur të shënonin së paku edhe një gol, megjithatë ka pohuar se edhe barazimi “nuk është rezultat i keq”.

“Nuk jam i lumtur, por as i pikëlluar. Kjo nuk është një dramë”.

“Ne e bëmë të njëjtën në vitin e kaluar në Lyon dhe megjithatë u kualifikuam në çerekfinale. Ne mund të fitojmë në shtëpi”, ka deklaruar portugezi.
Portieri i CSKA Moskës, Sergei Chepchugov, beson se skuadra e tij ka gjasa të barabarta me Real Madridin për t’u kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Dy skuadrat barazuan me rezultat 1-1 në Luzhniki Stadium, ndërsa edhe pse ndeshja e kthimit zhvillohet në Santiago Bernabeu, Chepchugov beson se ekipet janë në të njëjtin nivel sa i përket mundësisë së vazhdimit tutje.
“Ronaldo, Kaka dhe lojtarët tjerë të Real Madridit janë vetëm njerëz; ne gjithmonë kemi pasur gjasa 50-50 dhe akoma kemi”.
“Ne do të shkojmë dhe do të jemi të fortë në ndeshjen e kthimit. Ne nuk do të luajmë vetëm për ta mbrojtur golin tonë”, ka thënë Chepchugov.
Sulmuesi i Tottenhamit, Emmanuel Adebayor, ka njoftuar se është kthyer në stërvitje dhe shpreson të luajë të dielën ndaj ish-skuadrës së tij, Arsenal, në kuadër të derbit londinez.

Togolezi është lënduar në stërvitje dhe ishte në dyshim për t’u paraqitur, mirëpo duket se ai do të jetë në dispozicion të Harry Redknapp për udhëtimin në Emirates.

“Porsa i përfundova stërvitjet, jam shumë i lumtur me progresin, gjuri po duket shumë më mirë. Po punoj në fitnesin tim për të dielën”, ka shkruar Adebayor në Twitter.
Me rezultat prej 3-1, Napoli e ka mposhtur Chelsean në takimin e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve, të zhvilluar të martën mbrëma në Stadio San Paolo.

Vendasit bënë një paraqitje mahnitëse në gjysmën e parë duke dominuar tërësisht, mirëpo ishin mysafirët ata që shënuan të parët.Një gabim të Paolo Cannavaros, e shfrytëzoi Juan Mata për t’i kaluar Blutë në epërsi (27’).
Mirëpo, fuqia e vendasve u dëshmua me anë të Ezequiel Lavezzit, i cili pranoi një top nga Edinson Cavani dhe me një gol të bukur e barazoi rezultatin (38’).Në minutat shtesë të pjesës së parë (45’+3), Gokhan Inler dërgoi një krosim të jashtëzakonshëm drejt Edinson Cavanit, i cili nuk fal.
Në gjysmën e dytë, mysafirët tentuan të ktheheshin në lojë, mirëpo këtë nuk e lejoi skuadra italiane.Ishte sërish dyshja, Edinson Cavani dhe Ezequiel Lavezzi, që ndërtuan golin e tretë. Uruguaiani e bëri të gjithë punën dhe ia pasoi topin argjentinasit, i cili nuk e pati të vështirë ta realizonte golin e dytë personal në këtë ndeshje (65’).
Epërsia e napolitanëve ka mundur të jetë edhe më e lartë, mirëpo fati ishte në anën e Chelseat.
Ky rezultat e favorizon lehtësisht Napolin për të vazhduar tutje, megjithatë gjithçka është e hapur kur dihet emri i rivalit, i cili mund të përmbysë gjithçka në Stamford Bridge.
Mesfushori i Benficas, Javi Garcia, nuk ka marrë kurrfarë oferte nga Manchester Unitedi- ka thënë agjenti i lojtarit.

24-vjeçari kërkohet nga skuadrat e mëdha evropiane, ndërsa Unitedi dhe Milani janë më të interesuar.

Madje, Daily Mirror raportoi të hënën se agjenti i Garcias ishte në bisedime me Djajtë e Kuq që ai të kalojë në Old Trafford gjatë verës.

“Nuk mund të them asgjë, askush nuk ka folur me mua. Nuk ka oferta, vetëm spekulime”, ka thënë agjenti Manuel Garcia Quillon për TSF.
Real Madridi ka barazuar me rezultat 1-1 si mysafir i CSKA Moskës, në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve.

Në një mot të ftohtë në Olimpiyskiy stadion Luzhniki, Mbretërit arritën të shënojnë një gol në pjesën e parë, mirëpo në fund të fraksionit të dytë vendasit e barazuan rezultatin.

Pas një mbrojtjeje të dobët të rusëve, Cristiano Ronaldo i kaloi mysafirët në epërsi (28’), ndërsa ky ishte goli i 36 sezonal në të gjitha garat për superyllin portugez.

Në minutat shtesë të ndeshjes, Pontus Wernbloom nuk e lejoi CSKA-në që të dalë e humbur nga stadiumi Luzhniki (90’+3).

Natyrisht se ky rezultat e favorizon Real Madridin për t’u kualifikuar në çerekfinale, kur dihet që ndeshjen e kthimit e zhvillon para tifozëve të vet.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi, ka thënë se asnjëherë nuk ka menduar për t’ia zënë vendin Pep Guardiolas, as tash e as në të ardhmen. Ai është i fokusuar tërësisht në karrierën si futbollist aktiv.

Kontrata e Guardiolas skadon në fund të sezonit aktual dhe derisa ai po heziton ta vazhdojë atë, vazhdimisht po përmenden emra që mund t’ia zënë vendin.

“Më lini të luaj. Madje as që mendoj për atë (të jem trajner)”.

“Ndjehem si futbollist, unë nuk kam as licencë të trajnerit. Dua të luaj për shumë vite, derisa trupi im të jetë i qëndrueshëm”, u ka thënë Xavi gazetarëve.

Për më shumë, mjeshtri i mesfushës beson se trajneri i Barcës nuk do të largohet nga Camp Nou.
Trajneri i Chelseat, Andre Villas-Boas, ka zgjedhur një formacion startues pa dyshen e sulmit, Fernando Torres apo Didier Drogba, për takimin e të martës mbrëma ndaj Napolit në kuadër të Ligës së Kampionëve- shkruan La Gazzetta dello Sport.

Sipas gazetës italiane, Blutë do të luajnë me formacionin 4-3-3, ndërsa ajo që bie në sy është mungesa e dy sulmuesve të përmendur në formacionin bazë.

Gary Cahill dhe John Terry do të jenë në qendër të mbrojtjes, të mbështetur nga mbrojtësit e krahut, Branislav Ivanovic dhe Ashley Cole.

Mesfusha do të përbehet nga treshja, Michael Essien, Raul Meireles dhe Frank Lampard.

Në fazën ofensive, si anësorë do të luajnë Juan Mata dhe Ramires, ndërsa Daniel Sturridge do të jetë në qendër të sulmit.
Trajneri i Romës, Luis Enrique, shpreson që Pep Guardiola të vazhdojë drejtimin e Barcelonës edhe në sezonin e ardhshëm.

Të dy trajnerët kanë qenë bashkëlojtarë te Blaugranët gjatë viteve 1996-2001, duke fituar dy tituj të Spanjës, një Kupë të Mbreti dhe një trofe të Kupës UEFA.

“E ardhmja e Guardiolas? Dua që ai të vazhdojë për të dhe për klubin”.

“Ai është shumë i mençur, është katalunas dhe e bart në vete shpirtin e Barcës, megjithatë duhet të vendosë për të ardhmen dhe ta tregojë atë me qartësi”, citon Sport.es fjalët e Luis Enriques.
Kampioni i botës në versionin WBC, Vitali Klitschko, ka thënë se mund t’i ofrojë revansh Dereck Chisoras, të cilin e mposhti të shtunën në Munih.

Ukrainasi fitoi me pikë pas 12 raundesh, mirëpo kjo nuk e kënaq atë, sepse dëshiron ta nokautojë.

“Arsyeja më thotë se nuk duhet t’i ofroj revansh Chisoras. Por, egoja nuk më lejon që ta lë atë njeri pa ndëshkimin e vërtetë”.

“Dua ta nokautoj. Ende kemi çështje të pazgjidhura”, ka thënë Klitschko për Die Welt.
Trajneri i Al Wasl, Diego Maradona, e ka quajtur Jose Mourinhon si trajnerin më të mirë në botë.

“E admiroj Mourinhon. Si njeri, si trajner dhe menaxher dhe si psikolog. Për mua ai është më i miri. Mourinho mund ta kthejë një monedhë në trëndafil dhe kjo ashtë arsyeja për diferencën e madhe në joshjen time për të”.

“Nuk jam i dashuruar në të ose diçka e ngjashme, por ai është një djalosh i jashtëzakonshëm”.

“Pep është një njeri i mrekullueshëm. E njoh Guardiolën shumë mirë, por ndoshta ai nuk ka aq shumë merita sa ka lojtarë impresiv. Por, le të mos harrojmë se Pep është shumë i ri dhe ai ka një karrierë të shkëlqyeshme përpara”, ka thënë Maradona.
Trajneri i skuadrës së basketbollit të Bayern Munichut, Dirk Bauermann, ka zbuluar se ylli i futbollit Bastian Schweinsteiger për pak sa nuk ka luajtur për skuadrën e tij sezonin e kaluar.

Në autobiografinë e tij që do të publikohet së shpejti, ish-trajneri i kombëtares gjermane në basketboll ka shpjeguar se Shweini kishte qenë si opsion për t’u përfshirë në skuadër pasi ata fituan promovimin në ligën e parë të basketbollit. Por frika për ndonjë lëndim të mundshëm kishte penguar këtë aventurë të tij”.

“Shtatë ndeshje para fundit të sezonit, në mars të vitit 2011, ne siguruam promovimin në Bundesligën e Basketbollit, me pesë ndeshje të mbetura në kampionat”.

“Në fakt, Bastian Schweinsteiger mund të kishte luajtur për ne në atë kohë. Do të ishte shumë kënaqësi. Por mbi të gjitha, kjo tregon si funksionon Bayern: pas vetëm disa muajsh kishte një raport të ngushtë në mes të futbollistëve dhe basketbollistëve”, ka shkruar Bauermann, raporton Bild.
Fabio Capello raportohet se nuk është i interesuar të drejtojë Chelsean.

Daily Mail shkruan se ish-përzgjedhësi i përfaqësueses së Anglisë në futboll është duke u menduar nga Roman Abramovich nëse ai humb durimin në Andre Villas-Boas.

Por Abramovichit i është thënë se Capello nuk do të ishte i interesuar për një pozitë afat-shkurtër.
Sebastian Vettel ka shënuar kohën më të shpejtë në testin e sotëm, të dytin për para-sezonin 2012, të Formula 1 në Barcelonë.

Një xhiro e vonshme nga kampioni në fuqi ka nxjerrë Red Bull RB8 si veturën më të shpejtë në këtë seancë, me Force India dhe ngasësin Nico Hulkenberg, i cili ishte më i shpejti shumicën e kohës, që ra në pozitën e dytë.

Lewis Hamilton përfundoi i treti në listën e më të shpejtëve. Ai ishte më pak se çerek sekonde më i ngadalshëm se Vettel.
Ngasësi i Toro Rossos, Daniel Ricciardo, ishte i katërti, derisa Fernando Alonso me Ferrarin e tij arriti kohën e pestë më të mirë.

Michael Schumacher, që drejtoi Mercedes' W03 për të parën herë në këto testime, ishte pesë të qindtat më i ngathtë se Alonso në pozitën e gjashtë.

1. Sebastian Vettel - Red Bull 1:23.343 (38)
2. Nico Hulkenberg - Force India 1:23.440 (47)
3. Lewis Hamilton - McLaren 1:23.590 (45)
4. Daniel Ricciardo - Toro Rosso 1:23.618 (45)
5. Fernando Alonso - Ferrari 1:24.100 (37)
6. Michael Schumacher - Mercedes 1:24.150 (42)
7. Sergio Perez - Sauber 1:24.219 (29)
8. Bruno Senna - Williams 1:26.188 (56)
9. Romain Grosjean - Lotus 1:26.809 (7)
10. Heikki Kovalainen - Caterham 1:27.537 (9)
11. Charles Pic - Marussia 1:29.248 (65)
Mesfushori i Baselit, Xherdan Shaqiri, mezi pret ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve kundër skuadrës së tij të ardhshme, Bayern Munich.
Shqiptari me nënshtetësi zvicerane në fund të sezonit do të largohet nga klubi zviceran për t’iu bashkuar gjigantit nga Bundesliga, të cilin e quan si klubin më të mirë në Gjermani.

“Bayerni është favorit, ata do të vijnë në Basel për të fituar. Ata do të luajnë shumë më ndryshe nga ajo çfarë bënë së fundi kundër Freiburg. Bayern është, dhe për mua mbetet, klubi më i mirë në Gjermani”, ka thënë Shaqiri për Bild.

Anësori kosovar së fundi ka folur në telefon me trajnerin e Bayernit, Jupp Heynckes, dhe nuk e ka lëshuar mundësi për të diskutuar rreth ndeshjes së të mërkurës.

“E kam pyetur nga Z. Heynckes: ‘A do të zemëroheshe nëse shënoja kundër Bayernit’? Ai qeshë pastaj bëri një shaka për këtë. Ishte një bisedë e këndshme”, ka shtuar Shaqiri.
Ylli i Napolit, Edinson Cavani, dëshiron “ta shkatërrojë” futbollin anglez duke eliminuar Chelsean nga Liga e Kampionëve.
Ndryshe nga vitet tjera, këtë sezon Chelsea është vetëm klubi i dytë anglez që ende është duke garuar në garën evropiane këtë sezon, pavarësisht se po kalon një fazë të vështirë në kampionatin anglez. Por Cavani mendon se suksesi i Chelseat nuk do të zgjasë shumë.

“Është një shans i madh për ne ta shkatërrojmë futbollin anglez. Ata kanë një reputacion aq të madh, por këtë vit ata kanë dështuar dhe ne synojmë t’i bëjmë gjërat më keq për klubet angleze, duke mposhtur Chelsean”.

“Nuk kemi frikë nga Chelsea, andaj jemi të bindur se mund ta eliminojmë edhe skuadrën e fundit angleze. Ne nuk themi se do të jetë e lehtë, por, me mënyrën se si luajmë, jemi shumë optimist”.

“Ne jemi në pozitën e gjashtë në Serie A, por jemi në formë të mirë dhe do ta dëshmojmë këtë në fushë”, është zotuar Cavani.

Prej klubeve angleze në Ligën e Kampionëve është duke garuar edhe Arsenali, që mori një goditje javën e kaluar duke u mposhtur 4-0 nga Milani.
Ramires raportohet se ka arritur marrëveshje për të nënshkruar marrëveshje të re me Chelesan.=
Ai ka vazhduar kontratën me Blutë edhe për tre vite të tjera dhe tash do të qëndrojë në Stamford Bridge deri në vitin 2017.

Mesfushori brazilian iu bashkua Bluve nga Benfica për 18 milionë funte në gusht të vitit 2010. The Sun po ashtu raporton se 24-vjeçarit i janë dhënë edhe kushte më të mira financiare.
Derrick Rose ka treguar një ndikim të menjëhershëm pas rikthimit të tij në skuadrën e Chicago Bulls, pasi MVP i sezonit të kaluar shënoi pikët më të larta të ndeshjes, 23, për të ndihmuar ekipin të fitojë 90-79 ndaj Atlanta Hawks.
Rose mungoi në pesë ndeshje të njëpasnjëshme për shkak të një spazme në shpinë, por tregoi pak pasoja të saj, duke ndihmuar edhe me gjashtë asistime dhe pesë kërcime.

Fitorja ishte e 12-ta në 14-të ndeshje për Bulls dhe e mban ekipin në maje të tabelës së Konferencës Lindore, derisa Atalanta, e gjashtë në tabelë, humbi për të shtatën herë në 10 ndeshje.

Carlos Boozer shënoi 16 pikë të tjera për Bulls derisa Rooney Brewer kontribuoi me 13 pikë. Te Hawks më i sakti ishte Jannero Pargo me 19 pikë.
Ambasadori i Manchester Cityt, Patrick Vieira, ka gjetur kohë për të tallur rivalin lokal, Manchester United.
“Te Arsenali ne besonim në vete dhe fituam titullin – dhe e shoh të njëjtin besim këtu në lojtarët te City”.

“Kur shikoni në skuadrën tonë dhe se si kemi luajtur që nga fillimi i sezonit dhe shikoni se si ka luajtur United, është fakt se ne jemi më të mirë se ata”.

“Alex Ferguson e di si ta fitojë ligën më mirë se çdokush tjetër, por unë besoj se ne kemi lojtarët, menaxherin dhe dëshirën për ta fituar titullin”, ka thënë francezi.
Mesfushori i Chelseat, John Obi Mikel, thotë se Chelsea nuk mund të lejojë të mos luajë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Chelsea aktualisht është duke luftuar me Arsenalin për pozitën e katërt.

“Ne duhet të përfundojmë në top katërsh – gjithçka më pak do të ishte tmerr”.

“Kjo do ta lehtësojë presionin në ne për të shikuar përpara për një sezon më të mirë, ku ne mund të mendojmë për të fituar titullin”, ka thënë 24-vjeçari.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, është i ngazëllyer me formën që po kalon Karim Benzema këtë sezon.
“Nuk më pëlqen të flas për lojtarët në mënyrë individuale, por Benzema është duke punuar mirë për skuadrën. Loja e tij është përmirësuar, ai shënon gola dhe punon për skuadrën edhe në sulm edhe në mbrojtje. Ai është shndërruar në një prej lojtarëve më të mëdhenj evropiane”.

“Nuk dua të flas për Topin e Artë, vetëm mendoj për skuadrën. Ne kemi shans për të fituar një titull këtë sezon dhe kjo është ideja e përgjithshme. Kjo është ajo në të cilën jemi të fokusuar. Ne nuk shqetësohemi për arritjet individuale”, ka thënë Mourinho.
Barcelona do ta angazhojë trajnerin e Romës, Luis Enrique, nëse Pep Guardiola nuk nënshkruan vazhdimin e kontratës.
El Economista shkruan se Blaugranët kanë bërë një listë të ngushtë të personave për ta zëvendësuar Pep, në të cilën përfshihet edhe Enrique, i cili shihet si zgjidhja më ideale.

Në kontratën e tij me Romën është një klauzolë e cila e lejon atë të largohet nga skuadra për t’u kthyer te klubi spanjoll.

Ndërkohë, drejtuesit e Romës synojnë ta riformulojnë kontratën e Enriquem, pas rezultateve pozitive të tij pas Vitit të Ri.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, thotë se ndeshja e vikendit ndaj Juventusit nuk do të jetë vendimtare në garën për titull.
Rossonerët do të takohen me Biankonerët e Antonio Contes me një pikë dhe një pozitë mbi ta në tabelën e Serie A.

“Sfida e të shtunës është shumë e rëndësishme, por nuk është esenciale. Kundërthëniet? Besoj se këto janë pjesë e ndeshjes, është normale për skuadrat e kreut”, ka thënë Allegri.
Mesfushori i Paris Saint-Germain, Thiago Motta, thotë se Interi është drejt shkatërrimit.
“Është vështirë ta ndryshosh Interin. Nuk është mirë të flasësh për problemet e tyre. Nuk është lehtë ta kthesh një skuadrës si ajo gjatë natës. Ka nevojë për kohë, njerëz me aftësi për ta bërë këtë”.

“Por shpresoj se ata do ta gjejnë një zgjidhje sa më shpejt që munden. Mendoj se shitja e Samuel Eto’o vërtet e ka lënduar skuadrën, pasi ai ishte një prej atyre që mund ta bënin diferencën. Diego Milito është një armë e rrezikshme, por me Eto’o, Interi kishte edhe një më shumë”, ka thënë lojtari.

Motta u largua nga Nerazzurrët muajin e kaluar për t’u transferuar te klubi francez.
Rafa Benitez raportohet se mund të jetë pasardhësi i Andre Villas-Boas në karrigen drejtuese të Chelseat.
Daily Mail shkruan se Benitez është lart në listën e kandidatëve të Chelseat për të zëvendësuar Villas-Boas deri në fund të sezonit, nëse Roman Abramovich e humb durimin në portugezin.

Villas-Boas do ta shohë veten në një situatë të pakëndshme nëse gjërat shkojnë keq në Napoli në Ligën e Kampionëve.

Me ekipin e tij të rreshtohet i pesti në Ligën Premier dhe rrezikon të eliminohet nga Kupa FA nga Birmingham, sezoni debutues i Villas-Boas vazhdon të përkeqësohet edhe më tej.

Ish-menaxheri i Liverpoolit, Interit dhe Valencias, Benitez, besohet se është i hapur dhe i gatshëm menjëherë të marrë gjërat në duar, pasi nuk është angazhuar që kur u largua nga Interi në fund të vitit 2010.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka mohuar spekulimet që e lidhin klubin tij me dyshen e Napolit, Edinson Cavani dhe Ezequiel Lavezzi.
Është spekuluar se trajneri italian planifikon që gjatë verës t’i transferojë dy lojtarët ofensivë, mirëpo ai ka thënë se transferimet janë gjëja e fundit që po mendon aktualisht.

“Nuk kam folur për askënd me drejtorët e Cityt. Duhet njëherë ta fitojmë Ligën Premier, pastaj do të flasim për tregun e transferimeve”, ka thënë Mancini për Il Mattino.
Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, ka njoftuar se javën që shkoi ka refuzuar një ofertë luksoze nga Zenit St Petersburgu.
Trajneri i klubit rus, Luciano Spalletti, është i interesuar për shërbimet e holandezit, ndërsa lojtari tashmë ka konfirmuar tentativën e Zenitit për ta transferuar atë.

“Ata ishin të përgatitur të shkonin vërtet larg për të më transferuar. Nuk kishte absolutisht asgjë të keqe me ofertën e tyre”.

“Megjithatë, nuk mendoj se ky është momenti i duhur që unë të largohem nga Interi”, ka thënë Sneijder për Voetbal International.
Legjenda e Barcelonës dhe njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit Sandro Rossell, Carlos Rexach, ka thënë për Marca emrat e atyre që mund ta zënë vendin e Pep Guardiolas në postin e trajnerit.
Është gjithnjë e më pranë dita kur Guardiola duhet të vendosë nëse do të vazhdojë ta drejtojë Barcën apo do të kërkojë një sfidë të re, ndërsa vazhdimisht ka spekulime rreth pasuesit të tij.

“Zëvendësuesi i Guardiolas duhet të jetë dikush që e njeh klubin dhe punën në të. Kur dhe nëse Pep shkon, besoj se rastin për ta drejtuar Barcelonën do ta kenë Ronald Koeman, Michael Laudrup apo Ernesto Valverde”, ka deklaruar Rexach.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, e ka shfrytëzuar profilin e tij në Twitter për të treguar origjinën e tij, për të cilën ndjehet krenar.
“Për ata njerëz që nuk e dinë, unë jam gjysmëboshnjak dhe jam krenar për këtë”, ka shkruar në anglisht lojtari që mbron ngjyrat e Suedisë.

Më pas ai ka shkruar: “Do të tentoj të shkruaj diçka në boshnjakisht: Dua që kësaj radhe t’u falënderoj të gjithë juve fansave të mi nga Bosnja, faleminderit që jeni pranë meje (Ibra i juaj)”.

Zlatan Ibrahimovic është i lindur në Suedi. Babai i tij, Sefik Ibrahimovic, është një boshnjak i cili ka emigruar në Suedi në vitin 1977, ndërsa atje është njohur me nënën e futbollistit, kroaten Jurka Gravic, po ashtu emigrante.

Ai është rritur në lagjen e komuniteteve imigruese Rosengard në Malmo, ndërsa ka edhe tri motra dhe dy vëllezër.
Shefi ekzekutiv i Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummenigge, beson se klubi i tij ka nevojë për një Arjen Robben egoist.
Holandezi ka pasur probleme me fitnesin dhe formën këtë edicion, ndërsa në javët e fundit e ka humbur vendin në formacionin bazë të bavarezëve.

“Shpresoj që së shpejti ta shohim edhe një herë egoizmin e tij, atë qe e ka bërë lojtar të klasit botëror”.

“Neve na duhet Robbeni djallëzor”, ka thënë Rummenigge për Bild.