Me rezultat të barabartë 1-1 ka përfunduar supersfida e kësaj fundjave mes Milanit dhe Juventusit, me Zonjën e Vjetër që vazhdon edhe pas javës së 25-të të mbetet pa humbje në Serie A.
Ndeshja nga fillimi ishte tejet dinamike, me Milanin që e dominoi lojën në posedim dhe në konkretizim. Kjo erdhi ndoshta për shkak të ndryshimeve të Juventusit në formacion, pasi Milani edhe pa Ibrahimovicin, nuk shfaqi shenja dobësie, përkundrazi, mbyti në çdo aspekt kundërshtarin. Juventusi u paraqit me një formacion të pa zakont, 4-4-2, e që u tregua vendim i gabuar nga Conte.

Milani fillon të shfaqë tentativat e para dhe me anë të disa depërtimeve kërkoi golin, megjithëse nuk arrin ta gjejë aq lehtë portën.

Pas një aksioni të nisur nga krahu, një top të kthyer e shfrytëzoi më së miri Antonio Nocerino, i cili me anë të gjuajtjes së fuqishme, e cila u devijua, ndau në dysh portën Bianconere dhe e detyroi Buffonin të kapitulonte. San Siro në delir, Zonja e Vjetër e shokuar (15’). Dinamika e lojës vetëm sa u intensifikua në vazhdim të takimit. Juventusi tenton që me kundërsulme ta dënojë Milanin, teksa këta të fundit nuk u ndalën.
Një aksion mirë të organizuar nga krahu Rossonerët arrijnë ta konkretizojnë në gol me anë të Muntarit pas një tollovie, por se Calciopoli mund të jetë gjallë e vërtetoi gjyqtari Paulo Tagliavento i cili në mënyrë skandaloze anuloi golin e pastërt të Milanit (shih foton më poshtë). Protesta të mëdha pasuan nga publiku dhe vetë lojtarët Rossoner, por Milani mbeti i dëmtuar.
Kuq e Zinjtë kanë mundur të dëmtohen edhe më shumë nëse në kundërsulm Marchisio do të shënonte nga goditja nga distanca në mesin e habisë së krijuar ndër lojtarët në fushë, por heroik u tregua Abbiati që në mënyrë legjendare ndali goditjen.
Milani vazhdon ta dominojë sfidën pas këtij skandali. Ishte Mark Van Bommel ai që për pak sa nuk shënoi gol nga një goditje nga gjysmëdistanca, por holandezi nuk kishte fat.
Me rezultatin 1-0 mbaroi pjesa e parë, e cila vërtetoi se derbi D’Italia nga ky sezon u takon këtyre skuadrave.
Fraksioni i dytë ishte diçka më i baraspeshuar. Conte bën ndryshime, sjell lojtarë të tjerë në fushë. Inkuadron Simone Pepen, Mirko Vucinic dhe Alessandro Matrin, të cilët u treguan opsione të qëlluara.
Juventusi arriti të rrezikojë portën Rossonere dy herë, madje realizoi dhe një gol që u anulua për pozicion jashtë loje, teksa edhe kuq e zinjtë ishin pranë golit, por nuk arritën të dyfishojnë epërsinë përkundër impenjimit.
Kur u mendua se Milani siguroi fitoren teksa Juventusi po vuante, vjen dhe goli i Zonjës së Vjetër. Simone Pepe harkoi nga krahu në zonë për Alessandro Matrin, i cili nga afërsia realizoi për 1-1 dhe rezultatin përfundimtar të sfidës (83’), pasi Milani përkundër tentimeve nuk arriti të shënojë fitore.
Vlen të përmendet se në fund të takimit pas një ndërhyrjeje të ashpër u përjashtua nga loja Arturo Vidal.
Pas kësaj ndeshje kontraverse ku u dëmtua rëndë Milani, skuadrat mbesin aty ku janë, Juventusi mbetet pa humbje në pozitën e dytë me 50 pikë dhe një ndeshje më pak se Milani, që ka një pikë më shumë në vendin e parë.

Manchester City ka regjistruar fitore prej 3-0 përballë Blackburnit për të vazhduar kryesimin e Ligës Premier.

Në takimin e zhvilluar në Etihad Stadium, Mario Balotelli shënoi golin e vetëm në gjysmën e parë (30’).

Në pjesën e dytë, pasanikët shënuan edhe dy herë, ndërsa realizues ishin Sergio Aguero (52’) dhe Edin Dzeko (81’).

Pas kësaj fitoreje, Manchester City ka pesë pikë më shumë se Manchester Unitedi që ndeshjen e kësaj xhiroje e zhvillon si mysafir i Norwichit.
Mesfushori i Manchester Cityt, David Silva, mendon se triumfi në Ligën Premier për të do të ishte i njëjtë sikurse fitimi i Kupës së Botës.

“Liga Premier dhe Kupa e botës janë dy gara me rëndësi të barabartë për mua. Për mua është shumë me rëndësi ta fitoj titullin në Ligën Premier pas triumfit në Kupën e Botës”.

“Forma e mirë në shtëpi nuk është pse jemi të përkushtuar të fitojmë patjetër në shtëpi, por taktikat tona dallojnë nga ndeshjet si mysafir, prandaj nuk kemi asnjë humbje dhe asnjë barazim, të gjitha 12 ndeshjet i kemi fituar”, u shpreh spanjolli.
Kapiteni i Anglisë, Steven Gerrard, beson se ekipi kombëtar anglez do të ketë shumë sukses nën Stuart Pearce dhe këmbëngul se largimi i Fabio Capellos vetëm sa shënon fillimin e një epoke të re për Tre Luanët.

“Unë nuk mendoj se largimi i Capellos do të ndikojë në ekipin e Anglisë. Do të vijë një menaxher i ri, është një fillim i freskët për të gjithë. Mund të jetë ngritja e cila na nevojitet për një verë shumë të suksesshme”.

“Sidoqoftë, jam befasuar me largimin e Capellos, pasi kam pritur që ai të qëndrojë deri ne fund të kontratës së tij”, potencoi Gerrard.
Menaxheri i Chelseat, Andres Villas Boas, ka falënderuar të gjithë ata që e kanë inkurajuar dhe kanë besuar në të, por ka pranuar se ka nevojë për ende kohë që të luajë lojën e tij.

“Dikush mund të na japë besim, por na duhet kohë. Presioni reflekton një shoqëri që është në nxitim për gjithçka: tifozët janë duke nxituar për rezultate, unë jam duke nxituar që ta tejkalojmë Napolin nga Liga e Kampionëve”.

“Ky sens i urgjencës dhe emergjencës nuk e respekton kohën. Është pjesë e një shoqërie frenetike. Çka do të bënte në këtë rast ndërrimi i menaxherit? Vetëm sa do t’i shtonte problemet e klubit”, u shpreh portugezi.
Strategu i Romës, Luis Enrique, ka hedhur poshtë spekulimet që e lidhin atë me një rikthim si kryetrajner i Barcelonës.

“Unë të kthehem te Barcelona? Të flasësh për të ardhmen në futboll është një gjë dëshire. Nuk ka të ardhme në futboll”.

“Të jetosh të tashmen, të përmirësosh çdo ditë ekipin, kjo të pret, sepse nesër nuk e di se çka ndodhë. Unë nuk e di nëse do të largohem nga futbolli pas Romës, ndoshta nuk do të drejtoj ekipe tjera, nuk brengosem. Gjëja e sigurt është që nëse klubi dëshiron, unë do të qëndroj këtu deri në fund të kontratës time”, deklaroi Luis Enrique.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, beson se Real Madridi nuk guxon të lëshojë pikë dhe të ulë intensitetin e përpjekjeve për të fituar ndeshjet e mbetura në La Liga, pasi Barcelona pret të shfrytëzojë rastin.

“Ne nuk mund të jemi të qetë dhe duhet të tentojmë edhe më shumë para mbarimit të sezonit”.

“Do të jetë ndeshje e vështirë ndaj Rayo Vallecanos, pasi është ekip që ka lojtarë të mirë. Për një ekip të promovuar në elitë dhe suksesin e tyre, flet pozita në tabelë. Por, ne jemi duke luajtur mirë dhe shpresoj se mund të vazhdojmë kështu”, u shpreh ‘El Pipita’.
Ish-sulmuesi i Milanit, Marco Van Basten, ka zbuluar se ai nuk do të kishte problem që ta drejtonte Juventusin, nëse do t’i ofrohej kjo mundësi në të ardhmen.

“Juventusi është një prej ekipeve të mëdha italiane. Do të ishte mirë që unë të bëja diçka në Torino një ditë”.

“Kur Ancelotti kërkoi të largohej unë kam qenë edhe pranë Milanit, por gjurin nuk e kam pasur në rregull dhe nuk ishte koha e duhur që të kthehesha në pankinën Rossonere”, tha Van Basten.
Skuadra e Chelseat ka arritur që më në fund të bëjë diçka të mirë duke fituar me rezultat 3-0 kundër Boltonit.

Pjesa e parë e takimit të zhvilluar në Stamford Bridge përfundoi pa gola, ndërsa të tre golat e Bluve u shënuan në gjysmën e dytë.

Pas një asistimi të Drogbas, David Luiz i kali vendasit në epërsi (48’). Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Didier Drogba, ishte realizues i golit të dytë pas një krosimi nga këndi të Lampard (61’).

Një harkim të mirë të Juan Matas e shfrytëzoi Frank Lampard për ta vendosur rezultatin përfundimtar të takimit (79’).

Kjo fitore e kthen Chelsean në pozitën e katërt në tabelë me tre pikë më shumë se Arsenali që në këtë xhiro e zhvillon derbin ndaj Tottenhamit.
Mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini, ka thënë se Bianconerët do ta dominojnë ndeshjen derbi ndaj Milanit që zhvillohet në San Siro të shtunën.

“Milani po vjen nga një vit ku fitoi titullin dhe ata po tregojnë se janë prej ekipeve më të forta në Evropë. Kështu që ne respektojmë Rossonerët, por kemi dëshirë për të shkuar dhe për ta dominuar lojën”.

“Nuk është sikurse ndeshja e vitit 2005, kur unë besoj se ishte ndeshje më vendimtare. Për mendimin tim, pa marrë parasysh rezultatin, këtu mund të ndodhin edhe shumë gjëra deri në fund të sezonit”, tha Chiellini.
Përzgjedhësi i Argjentinës, Sergio Batista, shpreson që Pep Guardiola të qëndrojë te Barcelona, pasi thotë të ketë rënë në dashuri me futbollin që bëjnë katalanasit.

“Unë ëndërroj ta drejtoj Barcelonën. Unë ëndërroj ta drejtoj drejtpërdrejt Lionel Messin te Barcelona. Mund të ndjesh se je në gjendje ta drejtosh Barcelonën. Por, unë do të dëshiroja që Guardiola të vazhdojë qëndrimin e tij për arsye se jam në dashuri me futbollin që ai ka bërë”.

“Futbolli është për t’u luajtur ashtu sikurse e luan Barcelona. Jam tifoz i flakt i Barcelonës. Unë nuk i humbas ndeshjet e tyre. Guardiola është një prej trajnerëve më të mirë në histori. Ai e ka dëshmuar këtë në fushë. Ai ka bërë shumë gjëra. Ai është trajner i madh dhe shpresoj që ai të qëndrojë te Barcelona”, potencoi Batista.
Juventusi u është bashkuar skuadrave të interesuara për sulmuesin e Arsenalit, Robin Van Persie, me Zonjën e Vjetër që është në përgatitje të ofertës për holandezin.

Il Corriere dello Sport shkruan se klubi italian dëshiron të bëjë një tentim zyrtar për Van Persien gjatë verës, teksa drejtori Giuseppe Marotta mezi pret fillimin e bisedimeve me zyrtarët e Arsenalit.

Kontrata e Van Persiet skadon në verën e vitit 2013 dhe tashmë në kërkim të tij janë vënë shumë klube, duke përfshirë Real Madridin dhe Barcelonën.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp beson se tifozët e Arsenalit duhet të jenë të kujdesshëm se çfarë dëshirojnë, pas thirrjeve për shkarkim të Arsene Wengerit.

“Ata nuk mund të bëjnë trajner më të mirë se sa këtë që kanë, apo jo? Ata nuk mund ta zëvëndësojnë Wengerin. Ai ka bërë punë fantastike që prej nënshkrimit të tij me Arsenalin. Wenger është top klasi botëror”.

“Pasi e thashë këtë, le të shpresojmë se mund t’ua prishim fundjavën me një fitore tonën në Emirates”, u shpreh Redknapp.
Asi i Barcelonës, Cesc Fabregas, ka thënë se ai nuk do ta kontaktojë Van Persien për ta bindur atë të kalojë në Camp Nou.

“Unë bisedoj me të shpesh, por jo për Barcelonën”.

“Ai është lojtar i Arsenalit dhe ai e di se çfarë është më e mira për të. Unë i dëshiroj shumë fat pa marrë parasysh vendimin që do të marrë”, u shpreh Cesc për El Mundo Deportivo.
Legjenda e Juventusit, Pavel Nedved, ka përkrahur mendimin e Antonio Contes për gjyqtarët, duke thënë se ata gjithnjë e më shumë janë kudnër Zonjës së Vjetër dhe kjo po ndodh që prej Calciopolit.

“Ne nuk duam favore, ne duam trajtim të drejtë”.

“Është fakt se gjyqtarët janë të kushtëzuar ndaj nesh. Pas vitit 2006, shumë pak penalti janë dhënë në favor tonin”, theksoi Nedved.

Milani pret Juventusin në supersfidën e kësaj jave në futbollin botëror që mund të jetë vendimtare për titullin në Serie A.
Mesfushori i Arsenalit, Andrey Arshavin, e ka kompletuar transferimin e tij te ish-klubi Zenit St. Petersburg deri në korrik të këtij viti.

30 vjeçari ka vuajtur që të gjejë formën e duhur në 27 paraqitjet e bëra këtë sezon dhe u rikthye në Zenit në ditën e fundit të afatit kalimtar rus.

“Unë kalova te Zeniti. Si i huazuar, do të luaj me numrin 29”, konfirmoi mesfushori në faqen e tij zyrtare.
Futbollisti që mbron ngjyrat e Rayo Vallecanos, Jose Casado, beson se Sergio Ramos është mbrojtësi më i mirë që ndonjëherë ka prodhuar futbolli spanjoll.

“Ai është reflektim tani i asaj që ka qenë në të kaluarën. Ai ka fituar gjithçka në moshën 25 vjeçare. Ai do të jetë referencë për mua për vitet në vijim, pasi ai do të thyejë çdo rekord”.

“Ai do të konfirmohet si qendërmbrojtësi më i mirë që Spanja ka pasur ndonjëherë. Ai është legjendë”, u shpreh Casado.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, ka pranuar se ai ka vuajtur pas humbjes në Carling Cup nga Chelsea në vitin 2005, teksa thotë se tani dëshiron ta bëjë ëndrrën realitet.

“Unë isha lidhur me një kalim te Chelsea para asaj finale. Kështu që shënimi i autogolit dhe humbja ishte një tmerr për mua. Kishte tifozë të Liverpoolit atëkohë që menduan se autogolin e shënova me qëllim”.

“Unë kam dashur të bëj vetvrasje. Ishte një prej ditëve më të këqija në jetën time, sidomos pasi kemi pasur të bëjmë me Chelsean”, u shpreh Gerrard.
Sulmuesi fantastik i Arsenalit, Robin Van Persie, ka deklaruar se fitorja ndaj Tottenhamit është më se vitale për Topçinjtë, në luftën për vendin e katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve.

“A ka mënyrë më të mirë që të rregullosh gjërat se sa të mposhtësh Spursat? Unë mezi pres ndeshjen që luhet këtë fundjavë, pasi fitorja është absolutisht vitale”.

“Nuk mendoj se dikush do të mohonte se Spursat kanë ekip të mirë dhe ata kanë shtuar qëndrueshmërinë këtë sezon. Ata po fitojnë ndeshjet e vështira dhe si rezultat, ata kanë bërë hapin e radhës drejt top ekipeve. Spursat kanë investuar shumë para viteve të fundit dhe kur shikoni në shumat e shpenzuara, atëherë kjo reflekton në pozitën e tyre në kampionat”, ka thënë Van Persie.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, ka lëvduar impaktin e Andrea Pirlos te Juventusi, duke thënë se ai ka qenë shumë më vendimtar këtë sezon se as Zlatan Ibrahimovic.

“Pirlo ka qenë më vendimtar se sa Ibrahimovic këtë sezon. Ibra natyrisht se mban atë ftohtësinë e tij, duke ndihmuar Milanin që të mbajë nivelin e lartë të sezonit të kaluar”.

“Pirlo ka baraspeshuar hapësirën mes Milanit dhe Juventusit. A ishte Pirlo një dhuratë nga Milani? Nuk mendoj kështu. Ai kërkoi të vinte këtu dhe të ballafaqohej me sfidën”, ka thënë Buffon.
Dyshja e Paris Saint-Germain, Carlo Ancelotti dhe Claude Makelele, ka kritikuar bosin e Chelseat, Andres Villas Boas, duke e fajësuar atë për krizën aktuale të klubit londinez.

“Mendoj se problemi te Chelsea është se ata kanë tentuar të ndryshojnë duke futur një ekip më të ri, për t’u dhënë mundësi talentëve. Ata kanë tentuar që të japin më pak ndeshje veteranëve dhe ky u tregua hap i gabuar”, u shpreh Ancelotti.

Nga ana tjetër aspak i kënaqur nuk u shpreh as Makelele që shtoi: “Vërtet më bën të ndihem i pikëlluar që e shoh Chelsean në këtë gjendje. Unë bëra shumë gjëra me Chelsean, kam qëndruar pesë vjet dhe është ekip i mirë. Chelsea po shumb ndeshjet dhe lojtarët me përvojë po qëndrojnë në pankinë. Kjo është keq”.

Chelsea ka probleme edhe në Ligën e Kampionëve, pasi është mposhtur në sfidën e parë nga Napoli me rezultat 3-1 në San Paolo.
Athletic Bilbao është deklaruar edhe njëherë se dëshiron që finalja e Coppa del Rey të mbahet në Santiago Bernabeu, duke quajtur kërkimet e Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) për një stadium tjetër si të pa baza.

Bilbao dhe Barcelona kanë shprehur interesim që ndeshja të mbahet në Bernabeu për shkak të kapacitetit dhe lokacionit. Sidoqoftë, Los Blancos janë kundër kësaj ideje dhe kështu RFEF u shpreh kundër kësaj ideje.

“Vendi i sugjeruar nga klubi jonë për finalen mbetet Santiago Bernabeu, dhe çdo kërkim tjetër është pa bazë dhe pa interes të vërtetë për federatën dhe për vet tifozët”, tha një zëdhënës i klubit bask.

Barcelona dhe Bilbao dëshirojnë që finalja të mbahet në Bernabeu, në mënyrë që ndonjëra prej tyre nga ngrisin titullin para rivalit më të madh, folenë e klubit mbretëror spanjoll.
Legjenda paraguaiane, Jose Luis Chilavert, mendon se Diego Maradona është shembull i keq për futbollistët dhe beson se Lionel Messi është larg lojtar më i mirë dhe më i suksesshëm se sa 51 vjeçari Maradona.

“Për mua, Valdes është portieri më i mirë në botë. Kur Barca ka nevojë për qetësi, ai e jep këtë. Ai po ashtu ka shumë kapacitet”.

“Maradona nuk di asgjë për futboll. Futbollistët duhet të shikojnë veten dhe të mos përdorin doping. Ai i ka bërë shumë dëm futbollit. Ai madje ka folur keq edhe për Papa Gjon Palin II, që është dhe arsyeja pse ai u shpërngul në Emiratet e Bashkuara Arabe”.

“Messi është më i miri, më i mirë se sa Maradona. Në moshën e Messit, Maradona nuk kishte fituar as një përqind të asaj që Messi tani ka fituiar”, u shpreh Chilavert.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, ka deklaruar se dështimi nuk është opsion për The Reds në finalen e Carling Cup që zhvillohet të dielën ndaj Cardiffit në Wembley.

“Kur jeni në një finale, atëherë duhet të fitoni dhe ky është misioni jonë për të dielën. Gjashtë vjet pa titull është shumë kohë e gjatë për një klub si Liverpooli. Ne nuk mund të dështojmë në këtë finale”.

“Erdha te Liverpooli duke ëndërruar momente të tilla, të jem në gjendje të luaj në finale dhe të fitoj tituj. Unë kam përjetuar tashmë momente shumë pozitive dhe dua t’i përsëris të dielën. Ka njerëz që nuk i japin rëndësi Carling Cup por për neve vlen shumë. Ne jemi favoritët ndaj Cardiffit, për shkak të faktit se luajmë në divizone të ndryshme. Kjo është e vërtetë, por në një ndeshje e dimë se mund të ndodhë gjithçka”, ka thënë Reina.
Anësori i Bayernit të Munichut, Arjen Robben, ka pranuar se po rritet frustrimi i tij me klubin bavarez, pasi në ndeshjet e fundit po e sheh veten në pankinë.

“Kur jam ndjerë mirë, më është ndërprerë vazhdimësia”.

“Ka gazeta që dëshirojnë të nisin luftëra të vogla ndaj meje çdo dy muaj. Këtë e marr personalisht. Nuk dua që edhe unë të luftoj me ta, por është vërtet pikëlluese. Jam i frustruar”, tha Robben.