Me rezultat prej 2-1, Brazili ka fituar përballë Bosnje e Hercegovinës në një ndeshje miqësore që u zhvillua të martën në AFG Arena në St. Gallen.
Porsa filloi takimi, lojtari i Real Madridit, Marcelo, erdhi nga krahu i majtë për të shënuar golin e epërsisë (4’).
Mirëpo, nuk kaloi shumë kohë dhe Vedad Ibisevic e barazoi rezultatin pas gabimit të mbrojtjes së Selecaos.
Në minutat shtesë, pas goditjes së Hulk, Sasa Papac shëno një autogol për t’ia siguruar fitoren Brazilit (90’+1).
Trajneri i Italisë, Cesare Prandelli, e ka bërë publike skuadrën startuese për miqësoren e të mërkurës mbrëma ndaj Shteteve të Bashkuara.

Trajneri në portë i ka besuar Gigi Buffonit (Juventus), ndërsa Christian Maggio (Napoli) do të shoqërohet nga Andrea Barzagli, Angelo Ogbonna (Torino) dhe Domenico Criscito (Zenit) në mbrojtje.

Dyshja e mesfushës, Andrea Pirlo (Juventus) dhe Claudio Marchisio (Juventus), do të qëndrojë prapa Antonio Nocerinos (Milan) dhe Thiago Mottas (PSG), ndërsa në sulm do të jenë Sebastian Giovinco (Parma) dhe Alessandro Matri (Juventus).

Formacioni i Italisë (4-3-1-2): Buffon; Maggio, Barzagli, Ogbonna, Criscito; Marchisio, Pirlo, Nocerino; Thiago Motta; Matri, Giovinco.

Në një konferencë për media, Prandelli ka thënë se do të presë deri në minutën e fundit për riaftësimin e Giuseppe Rossit dhe Antonio Cassanos për Euro 2012.
Sulmuesi i Kolnit, Lukas Podolski, është pajtuar që t’i bashkohet Arsenalit në fund të sezonit - raporton Bild.

Kontrata e gjermanit me klubin e tij aktual skadon në vitin 2013, mirëpo për shkak të mungesës së përparimit të klubit të tij të zemrës, ai ka refuzuar që ta vazhdojë kontratën, edhe pse është thënë se Koelni është i gatshëm që t’ia dyfishojë pagën.

Sido që të jetë, Bild njofton se 26-vjeçari ka arritur marrëveshje personale me Topçinjtë, ndërsa tani u mbetet dy klubeve për t’u marrë vesh, në mënyrë që në sezonin e ri Podolski të luajë në Emirates.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, ka shfaqur pakënaqësinë e tij lidhur me anulimin e golit të Sulley Muntarit në derbin e të shtunës ndaj Juventusit.

“Goli i Muntarit, të cilin anësori nuk e pa, është tragjedi për futbollin”.

“Isha më shumë se i zhgënjyer, isha i nevrikosur. Të gjithë e panë se ishte gol”.

“Mund të gabohet në një situatë të pozitës jashtë loje, por jo për diçka të tillë”, ka thënë Ibra në një konferencë për media.
Mesfushori gjerman i Real Madridit, Mesut Ozil, të mërkurën në Weserstadion në Bremen (ku ka luajtur gjatë viteve 2008-2010) do të marrë një çmim të rëndësishëm.

Është fjala për çmimin e futbollistit më të mirë të përfaqësueses së Gjermanisë, të cilin e ka fituar nga një sondazh i 50.000 tifozëve të regjistruar të kësaj kombëtareje.

Çmimin do t’ia ndajë drejtori sportiv, Oliver Bierhoff, para fillimit të takimit miqësor ndaj Francës.

“Jam shumë i lumtur për këtë çmim dhe do të jetë një moment i veçantë kur do ta pranoj”, ka thënë 23-vjeçari.
Robin van Persie ka përsëritur se planifikon që të fillojë bisedimet për vazhdimin e kontratës me Arsenalin gjatë verës që vjen.

Kontrata aktuale e 28-vjeçarit skadon në qershor të vitit 2013, ndërsa klube, si Manchester City, Real Madrid e Barcelona, dëshirojnë shërbimet e tij.

“Tashmë jam qe tetë vite te Arsenali dhe jam krenar që e them këtë. Ndjehem si një topçi i vërtetë. E dua këtë klub, kjo nuk është fshehtësi”.

“Pas këtij sezoni do të ulem me menaxherin dhe kryetarin. Pastaj do ta pimë nga një kafe së bashku”.

“Nuk ngutem, unë flas me menaxherin rregullisht. Por në këtë takim do të jetë edhe kryetari”, ka thënë Van Persie për De Telegraaf.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka lënë të kuptohet se ai nuk do ta shkarkojë trajnerin Claudio Ranieri, pas rezultateve të dobëta të zikaltërve.

Gjatë ditës së hënë, Moratti pranoi se është duke menduar rreth të ardhmes së trajnerit, mirëpo tani ia ka ofruar besimin e tij Ranierit.

“Po kam folur me Ranierin. A i kam qartësuar gjërat me të? Po”, u ka thënë gazetarëve presidenti i Nerazzurëve.
Mesfushori i Real Madridit, Mesut Ozil, beson se përfaqësueset e Spanjës dhe Gjermanisë, kanë respekt për njëra-tjetrën.

Furia e Kuqe dhe Die Mannschaft konsiderohen favoritë për Kampionatin e ardhshëm Evropian- Euro 2012.

“Kemi filluar të bëjmë shaka në stërvitje. Por ata (spanjollët) kanë respekt për ne, sikurse ne (gjermanët) që kemi respekt për ata”.

“Qëllimi ynë duhet të jetë fokusimi në veten tonë dhe për të arritur potencialin që kemi. Atëherë mund të mposhtim këdo”, u ka thënë Ozil gazetarëve
Lionel Messi shpreson që Pep Guardiola të qëndrojë si trajner i Barcelonës edhe për disa vite.

“Nuk e di se çfarë po mendon ai. Ne po e presim vendimin që do të marrë”.

“Por shpresoj që të qëndrojë sa më gjatë. Do të ishte më e mira për ne. Është një situatë për të cilën duhet të mendojë”, ka thënë Messi për La Red.

Ndryshe, argjentinasi ka thënë se nëse Pep vendos të largohet, atëherë menaxheri i Athletic Bilbaos, Marcelo Bielsa, do të ishte zëvendësim i mirë.
Coleen Rooney, gruaja e sulmuesit të Manchester Unitedit, Wayne Rooney, është kërcënuar me vdekje, pasi në Twitter ia ka uruar Liverpoolit fitoren kundër Cardiffit në finale të League Cup.

Redsat e fituan trofeun pas ekzekutimit të penaltive, ndërsa Coleen ka shkruar në profilin e saj: “Urime Liverpoolit”. Ky veprim i ka hidhëruar tifozët e United, duke qenë se gruaja e sulmuesit të tyre bën tifo për “armikun e përbetuar”.

“Deri më tash më ke pëlqyer, ndërsa tash dua që edhe ti edhe familja jote të digjeni”, ka shkruar një tifoz.

Coleen u ka treguar 610.000 ‘ndjekësve’ të saj në rrjetin social Twitter se ajo është tifoze e Liverpoolit, përkundër se Rooney ka luajtur për rivalin lokal Everton dhe tash luan për rivalin tjetër, Manchester United.

Ndërkohë, zëdhënësi i Wayne Rooneyt nuk ka komentuar asgjë.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka thënë se një lojë e mirë e kombëtares në miqësoren e nesërme ndaj Gjeorgjisë është më e rëndësishme se sa një rezultat pozitiv.

“Pritshmëritë nga një miqësore janë të ndryshme nga ato të ndeshjeve zyrtare. Unë, nga ndeshja e nesërme do të kërkoja që kombëtarja jonë të luajë mirë dhe futbollistët e rinj që do të aktivizohen t’i bëjmë sa më shpejt pjesë të pandashme të saj. Rezultati nuk është i rëndësishëm, por nëse ndodh, mire se të vijë”, ka thënë ai për Sportin Shqiptar.

Duka po ashtu ka komentuar edhe për fytyrat e reja të kombëtares, të cilët i ka quajtur “seriozë në sjellje”.

“Në dukje është një ekip kombëtar me shumë fytyra të reja, por i përbërë nga djem mjaft seriozë në sjellje. Nga stërvitja e parë që ndoqa, vura re mjaft mobilizim nga ana e tyre për të demonstruar më të mirën e tyre. Sidoqoftë është mjaft shpejt për të dalë në konkluzione”, është shprehur më tej Duka.
Legjenda holandeze, Patrick Kluivert, pret që Robin van Persie të largohet nga Arsenali.

Kluivert, një mik i Van Persiet, beson se 28-vjeçari do të preferojë të largohet nga Emirates Stadium për të kaluar në një kampionat tjetër evropian.

“Gjithmonë është vështirë kur ju keni fituar shumë gjëra me një klub, pasi dëshironi të vazhdoni dhe ta bëni këtë me një klub tjetër”.

“Mos më keqkuptoni, Arsenali është një klub i shkëlqyeshëm, por ndoshta ai dëshiron të largohet për të fituar të njëjtat gjëra që ka bërë me Arsenalin”, ka thënë Kluivert.
Franz Beckenbauer e ka etiketuar sulmuesin e Bayern Munich, Franck Ribery, si “një fenomen”, pas paraqitjes së tij kundër Schalkes.

Vetëm disa ditë pas paraqitjes zhgënjyese kundër Baselit në Ligën e Kampionëve, francezi shënoi të dyja golat në fitoren 2-0 të bavarezëve ndaj Schalkes.

“Ai është fenomen. Si mund të ndodhë që ai të vrapojë aq shumë? Stili i tij i lojës është i tillë që duhet të jetë shumë i lodhshëm: ai është vazhdimisht në duele”.

“Dhe keni parë sa shumë sulme janë zhvilluar në të majtë. Kjo është një shenjë që tregon kur ai luan futbollin më të mirë. Ai bën më shumë vrapim në të majtë krahasuar me krahun e djathë”, ka thënë Beckenbauer.
Menaxheri i Chelseat, Andre Villas-Boas, ka shkallën më të keqe të fitoreve në Stamford Bridge në pesëdhjetë vitet e fundit, në bazë të statistikave të analizuara nga mediat angleze.

Villas-Boas ka një shkallë të fitores 17 për qind në gjashtë ndeshjet e fundit, derisa Carlo Ancelotti ishte 50 për qind në prag të shkarkimit të tij në maj.

Në shkallën e përgjithshme Villas Boas ka më pak se gjysmat e ndeshjeve fitore, derisa Ancelotti kishte po thuajse dy të tretat e ndeshjeve fitore.

Shkalla e fitoreve të Chelseat në 20 vitet e fundit (1992-2012):

Guus Hiddink (2009) — Shkalla e fitoreve 73%, Lojëra - 22, Fitore – 16, Barazime – 5, Disfata – 1, Gola të shënuar – 41, Gola të pësuar – 19;

Jose Mourinho (2004-07) — Shkalla e fitoreve 68%, Lojëra – 182, Fitore – 123, Barazime – 39, Disfata – 20, Gola të shënuar – 326, Gola të pësuar – 115;

Avram Grant (2007-08) — Shkalla e fitoreve 67%, Lojëra – 54, Fitore – 36, Barazime – 13, Disfata – 5, Gola të shënuar – 97, Gola të pësuar – 36;

Carlo Ancelotti (2009-11) — Shkalla e fitoreve 63%, Lojëra – 107, Fitore – 67, Barazime – 19, Disfata – 21, Gola të shënuar – 238, Gola të pësuar – 89;

Phil Scolari (2008-09) — Shkalla e fitoreve 56%, Lojëra – 36, Fitore – 20, Barazime – 11, Disfata – 5, Gola të shënuar – 66, Gola të pësuar – 24;

Claudio Ranieri (2000-04) — Shkalla e fitoreve 53%, Lojëra – 197, Fitore – 105, Barazime – 46, Disfata – 46, Gola të shënuar – 353, Gola të pësuar – 197;

Gianluca Vialli (1998-2000) — Shkalla e fitoreve 53% Lojëra – 140, Fitore – 74, Barazime – 37, Disfata – 29, Gola të shënuar – 219, Gola të pësuar – 123;

Rud Gullit (1996-98) — Shkalla e fitoreve 50%, Lojëra – 82, Fitore – 41, Barazime – 17, Disfata – 24, Gola të shënuar – 157, Gola të pësuar 108,

ANDRE-VILLAS BOAS (2011- ) — Shkalla e fitoreve 49%, Lojëra – 39, Fitore – 19, Barazime – 11, Disfata – 9, Gola të shënuar – 69, Gola të pësuar – 42.
Mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva, është i vetëdijshëm për interesimin e Barcelonës, por thotë se për momentin është i fokusuar vetëm si të fitojë tituj me Rossonerët.

“Nuk e di çfarë do të ndodhë në të ardhmen time. Përmes disa miqve dhe shtypit e di se Barcelona është e interesuar në mua, por për momentin nuk ka asnjë ofertë konkrete”.

“Ia lë këtë pyetje agjentit tim, por në këtë kohë mendoj vetëm si ta bëj Milanin kampion të Italisë sërish. Ekipi katalanas është më i mirë në botë, edhe pse ata nuk kalojnë nëpër kohë të mira për momentin”.

“Çdo lojtar ëndërron të luajë për një klub të madh si Barcelona. Unë jam i fokusuar vetëm te Milani. Ata janë një grup që më kanë mundësuar të realizoj ëndrrën time, të luaj për një skuadër të madhe”, ka thënë Silva për El Mundo Deportivo.
Çështja shumë e diskutuar javën e fundit, “Fusnota”, ka kaluar kufijtë e interpretimeve politike.

Proceset e fundit nëpër të cilat po kalon Kosova kanë prekur edhe sportin, siç kanë prekur çdo segment të rëndësishëm të shoqërisë kosovare.

A ka apo nuk ka dobi sporti nëse mbi supet e saja Kosova do të bartë fusnotën?

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, mendon se “me fusnotë ndoshta mund të këtë vetëm disa përparime pozitive në zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare miqësore, sepse Serbia do të obligohej që të mos e pengojë Kosovën në nisma rajonale”.

Salihu vlerëson se në substancë kjo çështje nuk do të ndikojë shumë, madje nëse nuk do të ketë njohje të reja të Kosovës atëherë do të jetë diskurs me ato që kemi arritur deri tani.

FFK-ja ka bërë përpjekje të vazhduar që në kontaktet ndërkombëtare të prezantohet si Kosovë për ta thyer bllokadën e ndërkombëtarizimit, e cila bazuar në konstatimet e njohësve të mirë të rrethanave ka prapavijë vetëm politike.
Menaxheri i Udineses, Francesco Guidolin, ka fituar çmimin Panchina d’Oro si Trajneri më i Mirë në Itali për sezonin 2010/11.
Guidolin ka shijuar një sukses të jashtëzakonshëm me Udinesen gjatë dy viteve të kaluara dhe është shpërblyer për punën e tij.

“Jam shumë i lumtur dhe krenar për këtë. Mendoj se e meritoj këtë për gjërat e mrekullueshme që kam bërë dhe ende po bëjmë me Udinesen”, ka thënë trajneri gjatë pranimit të çmimit në zyrat qendrore të Federatës Italiane të Futbollit.

Guidolin udhëhoqi Udinesen në pozitën e katërt në tabelën sezonin e kaluar, duke fituar shansin të luajë në Ligën e Kampionëve për të parën herë në histori të klubit, edhe pse u eliminua nga Arsenali në fazën preliminatore.
Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, thotë se asnjë shumë parash nuk mund ta joshë atë të transferohet te Real Madridi.
Argjentinasi është pyetur nëse ndonjëherë do të mendonte t’i bashkohet Realit, veçanërisht nëse ata do ta dyfishonin pagën e tij aktuale.

“Kjo është diçka të cilës i jam përgjigjur shumë herë. Barca më ka dhënë gjithçka: jam rritur në këtë klub, e di sa shumë ata bëjnë për mua”.

“Kurrë nuk do të mendoja të shkoj te një skuadër rivale dhe aq më pak për para. Vërtet jam i lumtur këtu ku jam”, ka thënë Messi.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka pohuar se ai ka menduar ta shkarkojë trajnerin Claudio Ranieri.
Disfata e vikendit nga Napoli ishte e pesta e njëpasnjëshme në të gjitha garat për Interin nën drejtimin e Ranierit, dhe mbase kulmi i durimit për Morattin.

“Ne jemi duke menduar për gjërat. Do të shohim çfarë do të ndodhë. Po ashtu do të flas edhe me Ranierin pasi nuk kam biseduar me të ende dhe pastaj do të shohim çfarë do të bëjmë”.

“Mendoj se ne mund të dalim nga kjo me Ranierin. Megjithatë, dua të kuptoj disponimin e tij dhe atë të lojtarëve. Kam biseduar me të më herët dhe më duket sikur skuadra po përmirësohet në aspektin psikologjik, por ndonjëherë kjo nuk mjafton”, ka thënë Moratti.
Trajneri i Lazios, Edy Reja, thotë se ai dëshiron të vazhdojë ta drejtojë klubin nga kryeqyteti italian.
Reja ofroi dorëheqjen nga karrigia drejtuese e Lazios javën e kaluar, por duket se ka ndryshuar mendje këtë javë.

“Tema e të ardhmes time është mbyllur. Le ta varrosim këtë dhe të vazhdojmë më tej. Shpesh argumentoj me Presidentët, por pas të gjitha atyre argumenteve mund të krijohet një lidhje më e fuqishme e miqësisë”.

“Zola? Ne e njohim njëri-tjetrin, ne bisedojmë gjatë javës, dhe do të doja ta shoh atë në një detyrë në kampionatin italian dhe me një skuadër të madhe – ndoshta edhe te Lazio një ditë”, ka thënë Reja për Sky Sport Italia.
Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, thotë se ai po ia kalon mirë me trajnerin Jose Mourinho.
Spekulimet për një përplasje në mes të tij dhe strategut portugez, janë hedhur poshtë nga Ramos.

“Ai është një trajner i madh dhe i jep aq shumë grupit dhe është një person nga i cili mund të mësoj shumë nga niveli i tij i përkushtimit dhe profesionalizmit”.

“Kurrë nuk kam pasur probleme me të”, ka deklaruar mbrojtësi spanjoll.
Paris Saint-Germain është i gatshëm të bëjë një ofertë të majme në vlerën e 55 milionë eurove për dyshen e Real Madridit, Kaka dhe Gonzalo Higuain.
Cadena Ser shkruan se pronarët arab të klubit francez tashmë kanë bërë një listë të blerjeve të verës – dhe dyshja e Realit është lartë në listë.

Kaka është i afërt me drejtuesit e PSG, Carlo Ancelotti dhe Leonardo, me të cilët kishte punuar te Milani, dhe klubi francez e vlerëson brazilianin me 30 milionë euro.

Sulmuesi argjentinas Higuain vlerësohet rreth 25 milionë euro nga francezët, edhe pse Chelsea u raportua se ishte gati të paguajë 40 milionë euro për të në afatin kalimtar të janarit.
Mbrojtësi i Barcelonës, Javier Mascherano, thotë se ata duhet ta ruajnë fokusin dhe të fitojnë çdo ndeshje të mbetur, për të ruajtur shpresat për të fituar titullin e La Ligës.
“La Liga do të jetë e vështirë të fitohet. Ata kanë 10 pikë avantazh ndaj nesh, por ne jemi profesionistë dhe do të vazhdojmë të luftojmë. Do të përpiqemi të japim absolutisht më të mirën nga vetja”.

“Ne nuk mund të lejojmë të humbim fokusin. Do të përpiqemi t’i fitojmë të gjitha ndeshjet deri në fund të sezonit”.

“Atletico ishte ca me fat. Ata po ashtu kishin fansat në mbështetje dhe nuk kanë humbur ndeshje me menaxherin e tyre të ri, Megjithatë ne arritën ta zgjidhim situatën me ndeshjen tonë”, ka thënë Mascherano.
Ylli i Barcelonës, Cesc Fabregas, thotë se Lionel Messi dhe ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, e bëjnë La Ligën më të mirë.
“Që të dy e ndihmojnë ligën të zhvillohet. Falë atyre dyve, shumë njerëz dëshirojnë t’i shohin lojërat tona, kjo është e mirëpritur. Ne kënaqemi me ta. Ata janë dy lojtarë të ndryshëm”.

“Ndonjëherë duket sikur nuk ka asgjë nga një ndeshje dhe pastaj del se ata e vendosin rezultatin. Ata kanë një dhunti të veçantë”, ka deklaruar Cesc.
Menaxheri i Chelseat, Andre Villas-Boas, thotë se ai nuk është admirues i skuadrës Manchester Cityt të cilën e ka ndërtuar Roberto Mancini.
Nëse ai mbijeton në Stamford Bridge, Villas-Boas zotohet se do të ndërtojë një skuadrës në stilin e tij dhe jo të harxhojë para siç ka bërë Mancini te Manchester City.

“Nuk do të ndërtoja një skuadrës si Manchester City. Nuk më pëlqejnë standardet e futbollit që bëjnë ata. City është një skuadër italiane dhe ata ndjekin standarde italiane”, ka thënë Villas-Boas.
Wojciech Szczesny thotë se fitorja ndaj Tottenhamit ishte për fansat e Arsenalit.
Portieri sllovak po ashtu shpreson që sezoni i Topçinjve të pësojë një kthesë për të mirë pas kësaj fitoreje.

“Jem shumë të kënaqur për tifozët pasi i kemi zhgënjyer në disa javë t e fundit”.

“Ne kishim nevojë për një performancë të tillë, jo vetëm për ne por edhe për ta. Shpresoj që ky rezultat ta transformojë sezonin”, ka thënë Szczesny.
Përzgjedhësi i Francës, Laurent Blanc, ka thënë se loja e futbollistëve të tij është dukshëm më e keqe në raport me përfaqësueset e Spanjës, Gjermanisë dhe Holandës.

“Nevojitet shumë kohë që të vendoset mënyra e caktuar e lojës. Loja e përfaqësues së Francës është dukshëm më pak e zhvilluar në krahasim me atë të Spanjës, Gjermanisë dhe Holandës, kjo është e sigurt”, ka deklaruar Blanc.

Të mërkurën Franca zhvillon një ndeshje miqësore ndaj Gjermanisë, ndërsa trajneri i Trekolorëve është i lumtur për këtë ndeshje, pasi e konsideron si një sfidë të madhe taktike.

Për më shumë, Blanc ka përmendur se disa lojtarë francezë angazhohen më shumë nëpër klubet e tyre sesa kur luajnë me përfaqësuesen.

Në Kampionatin e ardhshëm Evropian- Euro 2012, Franca bën gara në Grupin D, së bashku me Anglinë, Suedinë dhe Ukrainën.
Tenisti i dytë në botë, Rafael Nadal, ka deklaruar se Novak Djokovic nuk është i pamposhtshëm.

“Novak është më miri aktualisht, por mund të mposhtet”, ka thënë spanjolli.

Nadal ka folur edhe rreth akuzave për përdorim të dopingut.

“Tashmë i kemi dhënë shumë publicitet kësaj. Mendoj se dopingu është problem global, gjithmonë do të ketë njerëz që mashtrojnë”.

“Unë dua sport të pastër, por nuk më pëlqen sistemi, nuk është korrekt”, ka shtuar ai.
Shpresat e Darren Bent për të siguruar një vend në përfaqësuesen e Anglisë për Kampionatin e ardhshëm Evropian thuajse janë shuar.

Sulmuesi i Aston Villas pritet të mungojë tre muaj pas lëndimit të ligamenteve në takimin e të shtunës ndaj Ëigan Athletic.

Përmes një komunikate për media, klubi i tij njoftoi se ai do të mungojë deri në fund të majit.

Meqenëse Wayne Rooney është i suspenduar për dy ndeshjet e para grupore të Anglisë, është pritur që Bent të zë vendin e tij, megjithatë sesa do të arrijë të riaftësohet, do të mësojmë pas disa muajsh.

Ndeshjen e parë në Euro 2012, Tre Luanët e zhvillojnë më 11 qershor kundër Francës.
Trajneri i Argjentinës, Alejandro Sabella, e ka të qartë se cili departament i skuadrës së tij është prioritet. Ai e konsideron si ‘thembër të Akilit’ fazën defensive të Albicelestëve.

“Duhet të ndërtojmë një mbrojtje të forte, prandaj i kemi ftuar ata që i kemi ftuar”.

“Ka lojtarë që i kam zgjedhur për herë të parë, si Campagnaro dhe Cata Diaz. Duhet ta kemi parasysh lëndimin e Burdissos”, ka thënë ish-trajneri i Estudiantes.

Përfaqësuesja e Argjentinës të mërkurën do të zhvilloje një ndeshje miqësore përballë Zvicrës.
Menaxher i Chelseat, Andre Villas-Boas, ka pranuar se është i interesuar për transferimin e sulmuesit të Portos, Hulk, gjatë afatit kalimtar të qershorit.

Braziliani është një nga sulmuesit më të kërkuar në Evropë, ndërsa duke qenë se disa lojtarë mund të largohen nga Stamford Bridge gjatë verës, ai mund të veshë fanellën e Bluve.

Villas-Boas ka thënë disa lojtarë janë pranë përfundimit të kontratave dhe se do të ketë vend “për një lojtar eksploziv anësor, dikush që është i fortë në situatat një me një dhe Hulk i përshtatet këtij profili”.