Real Madridi ka shënuar fitore mbresëlënëse prej 5-0 në kryendeshjen e kësaj xhiroje në Kampionatin spanjoll kundër Espanyolit.

Serinë e golave e filloi Cristiano Ronaldo, i cili pranoi një top nga Gonzalo Higuain për ta shënuar golin e 30-të në La Liga këtë edicion (24’).

Pas një bashkëpunimi me Mesut Oezil, Sami Khedira e dyfishoi epërsinë e Mbretërve dhe vendosi rezultatin e pjesës së parë (38’).

Në minutat e para të gjysmës së dytë (47’), Kaka dërgoi një top drejt Gonzalo Higuain, ndërsa argjentinasi e trefishoi avantazhin e Los Blancos.

Kaka ishte realizues i golit të katërt të vendasve (67’) dhe ishte ku një gol i merituar pas paraqitjes së mirë të brazilianit këtë mbrëmje.

Higuain u regjistrua për të dytën herë në listën e golashënuesve (78’) falë asistimit të mrekullueshëm të Ricardo Kaka.

Real Madridi vazhdon ta ruajë distancën prej dhjetë pikësh kundrejt Barcelonës dhe me performanca të tilla është në rrugë të mbarë për t’u shpallur kampion i Spanjës.
Skuadra e Interit ka arritur të nxjerrë një barazim prej 2-2 kundër Catanias, për t’iu shmangur turpit para tifozëve të vet në Giuseppe Meazza.

Nerazzuarët u gjetën në disavantazh prej dy golash në gjysmën e parë, pasi Alejandro Gomez (20’) dhe Mariano Julio Izco (36’) shënuan për mysafirët.

Mirëpo, në njëzet minutat e fundit të takimit vendasit arritën që ta barazojnë rezultatin.

Një pikë nga ky takim Interit ia sollën Diego Forlan (71’) dhe Diego Milito (80’).
Boston Celtics kanë regjistruar fitoren e 19-të sezonale në NBA duke mposhtur New York Knicks pas vazhdimeve me rezultat 115-111 (27-29, 24-27, 29-16, 23-31, 12-8).

Në fitoren e Celtics dominoi Rajon Rondo me ‘triple-double’ prej 18 pikë, 17 kërcime dhe 20 asistime.

Më efikasi sa u përket pikëve ishte Paul Pierce me 34 pikë, ndërsa Kevin Garnett regjistroi 18 pikë e 10 kërcime.

Më i miri te Knicksat ishte Carmelo Anthony me 25 pikë dhe shtatë kërcime.
Trajneri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, mendon se fitorja ndaj Tottenhamit dëshmon se Djajtë e Kuq janë të fokusuar në garën për titullin e kampionit të Anglisë.

“Mendoj se është vështirë të thuhet (se kush do ta zë vendin e parë), sepse gjithçka mund të ndodhë. Mund të humbësh pikë befasisht”.

“Mendoj se kjo do të ndodhë, të dyja skuadrat do të lëshojnë pikë, por është e rëndësishme që të lëshosh më pak pikë se rivali dhe ne kemi përvojë, nuk do të bëhemi nervozë, po kënaqemi dhe paraqitja luftarake që treguam sot (e diel) kundër një skuadre shumë të mirë, tregon se jemi mirë në garë”, citon Sky Sports fjalët e Ferguson.

Manchester Unitedi gjendet në vendin e dytë në tabelën e Ligës Premier, me dy pikë më pak se lideri Manchester City.
Heroi i takimit në ndeshjen kundër Tottenhamit, Ashley Young, konsideron se Manchester Unitedi nuk ishte në formën më të mirë në fitoren prej 3-1 në White Hart Lane.

Anësori 26-vjeçar asistoi në golin e parë dhe shënoi dy të tjerët për United para se Jermain Defoe të shënonte golin e nderit për vendasit.

“Në gjysmën e parë nuk ishim në formën më të mirë, mirëpo shënuam, pastaj u angazhuam në ofensivë në pjesën e dytë dhe shënuam dy gola tjerë si mysafirë, që është shumë e rëndësishme, ndërsa fitorja është edhe më mirë”.

“Mendoj se të gjithë lojtarët e dinin se nuk po luanim me potencialin maksimal dhe duhej ta tregonim këtë në pjesën e dytë”, ka thënë Young për Sky Sports.
Agjenti i Rafa Benitez ka thënë se Chelsea nuk ka bërë ofertë për klientin e tij.

Ish-trajneri i Liverpoolit dhe Interit kryeson listën e emrave që mund të angazhohen në postin e trajnerit të Bluve nga sezoni i ardhshëm, ndërsa ka pasur spekulime se ai tashmë ka marrë një ofertë.

“Deri në këtë moment, nuk ka pasur kurrfarë oferte nga Chelsea për Benitez”.

“Jemi të vetëdijshëm për spekulimet, por duam t’i mohojmë ato, nuk ka pasur asnjë kontakt ende”.

“Benitez është i hapur që të diskutojë për ndonjë ofertë të rëndësishme”, ka thënë agjenti Manuel Garcia Quilon për Goal.com.
Roberto Di Matteo (djathtas) Ish-sulmuesi i Juventusit dhe Italisë, Fabrizio Ravanelli, e ka lëvduar trajnerin e ri të Chelseat, Roberto Di Matteo.

Pas shkarkimit të Andre Villas-Boas, 41-vjeçari është angazhuar si trajner i ekipit të parë, ndërsa Ravanelli mendon se ky është një shans jetësor për të.

“Kjo është një sfidë e shkëlqyer, sidomos nëse kemi parasysh se Chelsea është në Ligën e Kampionëve”.

“Mendoj se ky është një rast jetësor për Roberton, drejtimi i Chelseat është diçka që nuk ndodh çdo ditë”, ka thënë Ravanelli për Goal.com.
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka thënë se nuk është i befasuar pas shkarkimit të Andre Villas-Boas nga posti i trajnerit të Chelseat.

Duke folur për Sky Sports, ai ka thënë se vendimi për shkarkimin e Villas-Boas është tipik për epokën moderne në futboll, ku ndikon mossuksesi afatshkurtër dhe presioni i medave.

“Lajmi nuk është befasues për mua. Gjithçka ishte ndërtuar në media dhe rezultati nuk ishte i mirë për të. Mirëpo, është zhgënjyese, sepse ai është një menaxher i ri”.

“Kur je i ri ke nevojë për kohë, ndërsa fatkeqësisht në këtë industri nuk të jepet kohë- prandaj në njëfarë mënyrë është pikëlluese”, ka shpjeguar Sir Alex.
Skuadra e Nurnbergut ka shënuar fitore prej 1-0 përballë Borussia Monchengladbachut.

Heroi i ndeshjes ishte sulmuesi shqiptar me pasaportë zvicerane, Albert Bunjaku, i cili e shënoi golin e fitores në minutën e 87-të.

Pas kësaj fitoreje, Nurnbergu gjendet në pozitën e nëntë me 31 pikë, ndërkohë që Monchengladbach mbetet tetë pikë prapa liderit Borussia Dortmund.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, është shprehur shumë i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij ndaj Palermos të shtunën pasdite.

“Treguam lojë fantastike, djemtë ishin të jashtëzakonshëm. Ne filluam shumë mirë. Të fitonim në Palermo ishte me rëndësi, prandaj mendoj se ishte fitore esenciale”.

“Ibrahimovic shënoi tri gola shumë të mirë. Robinho po ashtu luajti mirë, ai vrapoi shumë, asistoi te golat dhe mbuloi hapësirat. Tani jam duke menduar vetëm për Arsenalin”, ka thënë Allegri.
Manchester Unitedi ka triumfuar në njërën nga ndeshjet kryesore të kësaj xhiroje në Ligën Premier. Me rezultat 3-1, Djajtë e Kuq kanë fituar si mysafirë të Tottenham Hotspur në White Hart Lane.

Lojtarët e United u treguan më të rrezikshëm në gjysmën e parë, gjatë të cilës arritën të realizojnë një herë, ndërkohë që vendasve iu anulua një gol për prekje të topit me dorë. Një krosim nga këndi të Ashley Young e shfrytëzoi Wayne Rooney për të kaluar mysafirët në epërsi (45’), ndërsa ky ishte goli i shtatë i tij në tetë ndeshjet e fundit ndaj Spursave.

Pas një ore lojë, Ashley Young e dyfishoi epërsinë, ndërsa të gjithë punën e kreu anësori portugez, Nani.

Young pranoi një top nga Patrice Evra për ta shënuar golin e dytë personal në këtë ndeshje (69’) dhe për t’i dhënë fund dilemës për fituesin.

Në vazhdim, i porsainkuadruari në lojë, Jermain Defoe, realizoi një gol për Tottenhamin (87’), mirëpo ky rezultoi goli i nderit për vendasit.

Pas këtij triumfi, Manchester United mban hapin në garën për titullin e kampionit të Anglisë dhe gjendet dy pikë prapa liderit, Manchester City.
Mbrojtësi i Barcelonës, Daniel Alves, është vënë në përkrahje të mbrojtësit Gerard Pique, i cili deklaroi se gjyqtari i takimit ndaj Sporting Gijonit e kishte planifikuar përjashtimin e tij.

“Që të flas për referimin e konsideroj humbje kohe, por Gerard Pique me plot të drejtë mund të jetë i hidhëruar”, theksoi Alves.

Përkundër referimit skandaloz, mungesës së Messit dhe përjashtimit të Piques, Barcelona ia doli të mposhtë Sporting Gijonin me rezultat 3-1.
Menaxheri gjeneral i Bayern Munichut, Christian Nerlinger, beson se Bayerni duhet ta harrojë titullin tani për tani, pas disfatës prej 2-0 nga Bayer Leverkusen të shtunën.

“Ne jemi thellësisht të zhgënjyer. Në pjesën e parë ne kemi bërë raste sa për tri ndeshje. Ne është dashur të shfrytëzonim ndonjë, por më pas u ndryshua kursi i takimit”.

“Ne ishim shumë të pa durueshëm në pjesën e dytë, ne kërkuam të fitojmë me forcë. Ne kemi humbur formën dhe i dhamë Leverkusenit hapësira në kundërsulme. Nuk po e përjashtoj klubin nga gara për titull, por është diçka që tani nuk kërkon vëmendjen tonë. Disi, ne jemi mësuar me dobësinë në udhëtim”, u shpreh Nerlinger.
Jose Mourinho do të refuzonte ndonjë ofertë nga FA për të marrë në dorë kombëtaren angleze për kampionatin evropian Euro 2012, raportojnë mediat nga ishulli.

Mourinho është një prej emrave më të lakuar ditëve të fundit për të marrë në drejtim të tij kombëtaren e Tre Luanëve, por duket se kjo është një ëndërr e pamundur për t’u realizuar për anglezët.

“Nuk ka mënyrë që Mourinho të drejtojë Anglinë. Ai e do futbollin në Angli, por nuk ka gjasa që ai të marrë nën drejtim Anglinë. Ajo që ai do është një klub”, ka thënë një burim për The Sunday Times.
Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, thotë se progresi i ekipit të tij nuk mund të hidhet poshtë në asnjë mënyrë, përkundër 12 barazimeve deri në këtë fazë të sezonit.

“Unë i konsideroj lojtarët e mi më të fortë tani se sa më herët gjatë sezonit, por është ekip që duhet të përmirësohet ende pasi ka ekipe më të organizuara se ne”.

“Gjatë verës kishte fjalë se ne do të përfundojmë në vendin e gjashtë dhe tani mendoj se kemi bërë mrekullinë. Rindërtimi jonë ka nevojë për durim. Fansat duhet të jenë krenarë me ekipin. Nuk di tjetër çfarë të them”, është shprehur Conte.
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, ndjen se kartoni i kuq i marrë në takimin ndaj Sporting Gijonit të shtunën ishte i planifikuar më herët nga gjyqtari i takimit.

“Pas pjesës së parë i thashë gjyqtarit se ishte penalti ndaj Keitas dhe ma merr mendja që ai e kishe planifikuar që të më përjashtonte”.

“Këto ishin pikë të rëndësishme. Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë presion derisa të tejkalojmë Real Madridin”, deklaroi Pique.
Drejtori i Interit, Ernesto Paolillo, ka këmbëngulur se trajneri nën zjarr Claudio Ranieri nuk do të shkarkohet, përkundër formës katastrofale të klubit zikaltër.

“Ne kemi biseduar rregullisht me të. Ai është shumë i bindur dhe unë jam optimist për të. Ai nuk është në rrezik. Besimi në të është i pa kushtëzuar”.

“Ne shpresojmë se rezultatet në vijim do të na ndihmojnë. Ato janë dritat e vogla në këtë tunel të errët, por shpresoj se do të dalim nga ky tunel ndaj Catanias”, u shpreh Paolillo.
Hernanes Me rezultat 1-2 ka përfunduar derbi i kryeqytetit italian, në një sfidë ku Lazio shfrytëzoi epërsinë numerike në fushë gjatë gjithë takimit për të mposhtur rivalin e përbetuar, Romën.

Ndeshja filloi me tensione dhe ato u shfaqën që në fillim të takimit. Maarten Stekelenburg ndërhyn ndaj sulmuesit Miroslav Klose pas një aksioni të Lazios, duke bërë që të akordohet penalti në të mirë të Lazios dhe me këtë rast nga loja u përjashtua portieri i Romës.

I saktë nga penaltia ishte Hernanes (10’), i cili shënoi për 1-0 dhe epërsinë e Lazios.

Roma në vazhdim e dominoi takimin përkundër disavantazhit numerik në fushë. Pas vetëm gjashtë minutash (16’), një rrëmujë në zonë e shfrytëzoi më së miri Fabio Borini i cili shënoi me kokë për 1-1 dhe barazimin e rezultatit.

Sfida vazhdon e baraspeshuar deri në fund të pjesës së parë, e cila përfundoi me rezultat 1-1.

Në pjesën e dytë Lazio merr kontrollin e lojës dhe dominon. Shumë raste të pa shfrytëzuara nga Lazio bënë që këta të fundit të vihen në pozicion të pa lakmueshëm derisa Mauri shënoi për 2-1 (62’).

Roma rrezikon deri në fund të takimit duke vënë gjithçka përpara, ishte pranë pranimit të një goli të tretë, por në fund vlen të përmendet se Totti me kokë ishte pranë golit të barazimit, por nuk e arriti dot. Në fund Scaloni përjashtohet me kartonin e dytë të verdhë, por kjo nuk ndikoi në epilogun përfundimtar.

Sfida përfundoi me rezultat 2-1 për Lazion dhe me këtë fitore Lazio ngjitet në vendin e tretë me 48 pikë, dy pikë më shumë se Udinese që barazoi pa gola me Atalantën në Friuli.
Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, është i gatshëm që të sjellë trajnerin e Barcelonës, Pep Guardiola, në Stamford Bridge.

Sunday Mirror shkruan se pasi Abramovich largoi nga klubi Andres Villas Boas dhe të sjellë Guardiolën në Londër.

Abramovich është i bindur se mund ta sjellë Guardiolën në Angli nëse ai refuzon të rinovojë kontratën që skadon në qershor.
Gjiganti londinez, Chelsea, ka shkarkuar nga detyra e menaxherit të klubit teknikun portugez, Andres Villas Boas, bëri të ditur klubi nga Stamford Bridge me anë të një komunikate në faqen zyrtare.

Villas Boas është që një kohë të gjatë nën presion nga drejtuesit e klubit pas rezultateve të dobëta të ekipit. Duket se humbja nga WBA të shtunën pasdite rezultoi me shkarkimin e 33 vjeçarit, i cili i kushtoi Chelseat plot 30 milionë euro për t’u transferuar nga Porto.

“Andres Villas Boas nuk është më menaxher i Chelseat. Bordi dëshiron të falënderojë atë për punën e bërë dhe zhgënjimin e thellë që marrëdhënia është dashur të shkëputet aq herët. Fatkeqësisht rezultatet dhe paraqitjet e ekipit nuk kanë qenë të mira dhe nuk kishte shenja për përmirësime në një fazë kyçe të sezonit”.

“Klubi është ende duke garuar në Ligën e Kampionëve dhe FA Cup, kështu që po synojmë që të arrijmë sa më larg në të gjitha frontet. Kështu, kemi ndjerë se ky është opsioni i vetëm për të bërë ndryshimin në këtë moment”, shkruan në komunikatën e klubit londinez.

Me efekt të menjëhershëm është emëruar trajner i ekipit të parë asistenti Roberto Di Matteo, deri në përfundim të këtij sezoni.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka lëvduar Seydou Keitan pas fitores prej 3-1 ndaj Sporting Gijonit, duke zbuluar se vetëm takimi me mesfushorin ka qenë prej momenteve më të mira në katër vitet e tij te Barcelona.

“Ai shënoi një gol. Ky djalosh kurrë nuk luan keq dhe vërtet merr vendimet e duhura. Gjithmonë ka lojtarë që pasi humbin besimin e trajnerit, ofendohen. Ata ndihen në qendër të një universi ku askush nuk i kupton dhe i lë në pankinë”.

“Por, në këto katër vitet e mia te Barcelona mund të veçoj takimin me këtë njeri. Jam i kënaqur që ai shënoi një gol aq me rëndësi. Puna që ai ka bërë ma bëri edhe mua punën më të lehtë dhe shpresoj që ai të qëndrojë këtu sa më gjatë që është e mundur”, u shpreh Guardiola.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, është shprehur falënderues ndaj zëvëndëspresidentit Adriano Galliani, pasi ishte ky i fundit ai që ia shpëtoi karrierën suedezit duke e sjellë nga Barcelona te Milani.

“Galliani i ka thënë Barcelonës se nuk do të kthehej pa mua”.

“Ai më dha aq shumë besim dhe unë i kam borxh shumë gjëra. Unë i jam shumë falënderues Gallianit dhe shpresoj se edhe ai për mua ka fjalë të mira. Më falni, po e përmend në çdo deklaratë, por kam dashur të jem i pranishëm në ndeshjen ndaj Juventusit, nuk po mund të pranoj barazimin”, u shpreh suedezi.
Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, beson se Blaugranët duhet të dinë t’ia dalin edhe pa prezencën e Lionel Messit, pas fitores së vështirë ndaj Sporting Gijonit në Camp Nou të shtunën mbrëma.

“Kur një lojtar me rëndësi si Messi nuk mund të luajë, atëherë ne duhet të bëjmë më shumë. Por edhe njëherë, kemi luajtur futboll të mrekullueshëm”.

“Vërtet ishte shumë e vështirë kur u përjashtua Pique, por ne sulmuam. Diferenca me Realin është e madhe, por ne do të luftojmë deri në fund”, u shpreh Iniesta.
Ish-sulmuesi i Manchester United, Teddy Sheringham, beson se Jose Mourinho mund të jetë zëvëndësuesi i Sir Alex Ferguson në Old Trafford.

“Mendoj se Mourinho do të ishte ideal për Manchester Unitedin. Do të jetë një prej vendeve më të mira të punës kur Sir Alex të pensionohet – por po ashtu puna më e vështirë për një strateg”.

“Do të jetë vërtet interesant të pasosh një njeri aq të suksesshëm. Mourinho është një prej atyre pak njerëzve që mund t’ia dalin me presionin. Nuk kam dyshime se Mourinho do ta zëvëndësonte me sukses Ferguson”, potencoi Sheringham.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, është duke u përgatitur për t’i thënë lamtumirën kolegut të tij Harry Redknapp gjatë ndeshjes që zhvillohet sot në White Hart Lane, pasi skocezi beson se kjo do të jetë hera e fundit që do ta shohë Redknapp.

“Mendoj se është e pa evitueshme që Harry Redknapp të jetë trajner i Anglisë, jam i sigurtë për këtë. Unë nuk shoh dikë tjetër. Unë e njoh FA dhe ata kanë bërë listën dhe krejt, por të gjithë duke përfshirë edhe mediat e dinë se kush do të jetë përzgjedhësi i ardhshëm”.

“FA nuk e dëshiron shtypin kundër tyre, sepse do të ishte në situatë për panik. Gjithçka është në përkrahje të Harryt dhe mendoj se ai do të jetë zgjedhja e duhur”, ka thënë Ferguson
Sulmuesi legjendar i Interit, Diego Milito, beson se epoka zikaltër ende nuk ka mbaruar dhe se që nga ndeshja ndaj Catanias do të fillojë ringritja e Nerazzurëve në tabelë.

“Ne nuk po kalojmë momente të mira, por unë mund të betohem se lojtarët gjithnjë japin më të mirën”.

“Duhet të bashkohemi edhe më shumë. Klubi, ekipi, tifozët duhet të punojnë së bashku për të tejkaluar këtë periudhë. Në momente të vështira ne kurrë nuk kemi hequr dorë nga përgjegjësitë tona”, u shpreh El Principe.
Menaxheri i Chelseat, Andres Villas Boas, beson se West Bormi ishte larg më superior se Chelsea në sfidën e zhvilluar të shtunën pasdite ku Blutë regjistruan disfatën e radhës.

“Para së gijthash, dua të komplimentoj WBA-në për lojën e mrekullueshme, por ne nuk kemi luajtur mirë. Ata ishin larg më superiorë”.

“Ishte zhgënjim i madh për ne sepse ne luajtëm mirë ndaj Boltonit dhe vërtet luajtëm shumë keq. Nëse do të kishim shënuar në fillim do të kishte qenë më mirë, por ata ishin më superiorë dhe arritën të na shkaktojnë shumë probleme”, ka thënë Villas Boas.
Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez, e ka cilësuar fitoren e Arsenalit në Anfield të shtunën në mesditë si një fitore me fat dhe të pa drejtë.

Van Persie shënoi në kohën shtesë për t’ia shkaktuar humbjen e parë Liverpoolit në Anfield, ndërsa mënyra se si The Reds pësuan disfatën nuk i pëlqeu aspak Luis Suarezit.k

“Çfarë humbje e pa drejtë. Ne bëmë më të mirën për të fituar takimin, por kemi humbur krejt në fund. Ejani, mund ta bëjmë. YNWA”, theksoi Suarez në Twitter.
Trajneri i Bayernit të Munichut, Jupp Heynckes, ka pranuar se ekipi i tij ka humbur shumë raste shënimi gjatë humbjes prej 2-0 në transfertë te Bayer Leverkuseni.

“Ne ishim të jashtëzakonshëm në pjesën e parë dhe kemi pasur raste të mrekullueshme, të cilat kemi dështuar t’i konkretizojmë”.

“Kjo është pengesa jonë për momentin. Është zhgënjim i madh për të gjithë ne”, tha Heynckes.
Wladimir Klitschko pa ndonjë problem të madh ka mbrojtur titujt të tij në WBO, IBF, WBA dhe IBO, pasi nokautoi francezin Jean Mormeck në një duel që zgjati disa minuta.

Dueli i zhvilluar në Espirit Arena të Dusseldorfit zgjati vetëm katër raunde, teksa kundërshtari francez, Jean Mormeck në asnjë moment nuk rrezikoi rivalin ukrainas. Në raundin e katërt pas disa goditjeve të forta, në dysheme për herë të dytë u rrëzua Mormeck duke pësuar humbjen e radhës.

Ishte ky nokauti i 50-të në karrierë i Wladimir Klitschkos dhe tani mbreti në boksin e kategorisë së rëndë, “Dr. Grushti i Hekurt” është në pritje të rivalit të radhës.
Juventusi ka bërë një hap të gabuar në garën për titullin e kampionit të Italisë duke barazuar me rezultat 1-1 ndaj Chievos.

Bianconerët e filluan mirë takimin duke qenë skuadër dominuese dhe në pjesën e parë arritën të kalojnë në avantazh.

Pas një krosimi të Andrea Pirlos, Chiellini e goditi shtyllën, ndërsa aty ishte Paolo De Ceglie për ta shënuar golin e epërsisë (18’). Dhe me epërsi minimale të vendasve skuadrat shkuan në pushim.Në gjysmën e dytë, mysafirët filluan të tregoheshin të rrezikshëm, ndërkohë që Juventusi nuk po arrinte ta shënojë golin e sigurisë.
Në vazhdim, Chievo e dramatizoi ndeshjen duke e barazuar rezultatin me anë të Boukary Drame (76’).
Lojtarët bardhezi u munduan me të gjitha forcat deri në fund të takimit për të dalë fitues, mirëpo në fund morën vetëm një pikë.
Pas këtij barazimi, Juventusi mbetet tre pikë prapa liderit Milan, ndërsa ka një ndeshje më pak të zhvilluar.