Sulmuesi i Portos, Hulk, nuk e refuzon mundësinë e kalimit te cilido nga rivalët spanjollë, Barcelona ose Real Madrid, në të ardhmen.25-vjeçari është njëri nga sulmuesit më të kërkuar në Evropë, ndërsa gjatë afatit kalimtar veror pritet që ai t’i bashkohet ndonjë skuadre të madhe.
“Kam shumë dashuri për Porton, por kush nuk do të donte të luajë për Barcelonën me kualitetin që ka?”.
“Barcelona ose Real Madridi, mendoj se do të thosha ‘PO’ për të luajtur për këto skuadra”, ka deklaruar braziliani për A Bola.
Trajneri i Chelseat, Roberto Di Matteo, mendon se Blutë akoma mund të kenë një sezon të suksesshëm, përkundër shkarkimit të Andre Villas-Boas.Italiani do ta drejtojë klubin londinez deri në fund të sezonit aktual, ndërsa sfidën e parë do ta ketë kundër Birmingham Cityt në kuadër të FA Cup.
Veç Kupës FA, trajnerit të ri i mbetet që të luftojë për pozitën e katërt në tabelën e Ligës Premier dhe të tentojë përmbysjen e rezultatit të Napolit prej 3-1 në kuadër të Ligës së Kampionëve.
“Obligimi ynë është që të vazhdojmë përpara dhe të përpiqemi të marrim rezultatet që na duhen në Kampionat, në Ligën e Kampionëve dhe në Kupën FA, në mënyrë që të kemi një sezon të mirë”, ka thënë Di Matteo.
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Federico Macheda, është dënuar me 15.000 funte për shkak të mesazheve homofobe në profilin e tij në Twitter.Italiani, i cili aktualisht është i huazuar te Queens Park Rangers, është shpallur fajtor për përdorim “të përmbajtjeve abuzuese dhe/ose ofenduese kundrejt personave me orientim seksual ndaj gjinisë së njëjtë”.
Për të njëjtën arsye, para dy javësh është dënuar me 7.000 funte edhe mesfushori i West Hamit, Ravel Morrison.
Fitorja e skuadrës afrikane Mamelodi Sunddowns si mysafir i skuadrës Poewrlines ende vazhdon të komentohet nga mediat sportive.Tashmë janë publikuar edhe 24 golat e kësaj ndeshje të cilët për një moment të bëjnë të lumtur për dominimin e njëres skuadër në futboll përderisa të bëjnë edhe të vuash duke e parë skuadren vendase se sa shumë vuan, se çfarë cilësije kanë, apo të themi se s’kanë fare.
Shumë emocional duket edhe portieri vendas i cili çdo gol të tij e përjeton në mënyren e vetë dhe në fund duket paksa i lodhur duke e nxjerrur topin nga rrjeta e tij plot 24 herë.
Në këtë ndeshje është thyer edhe një rekord botëror nga sulmuesi Mushekwi i cili realizoi 4 gola brenda 5 minutave në fund të pjesës së parë.
Agjenti i Esteban Cambiassos ka thënë se klienti i tij është prekur shumë nga fishkëllimat e tifozëve gjatë barazimit prej 2-2 ndaj Catanias, megjithatë ai nuk e ka në plan që të largohet nga Interi.Mesfushori bëri një paraqitje jo të kënaqshme në Giuseppe Meazza, ndërsa shumëkush mendon se 31-vjeçari do të jetë tepricë kur zikaltrit ta riformojnë skuadrën.
Megjithatë, Peppino Tirri mendon se argjentinasi ka edhe shumë për t’i dhënë Interit. Agjenti ka thënë për i se fishkëllimat iu drejtuan klientit të tij, megjithatë kishin të bëjnë me formën e përgjithshme të skuadrës.
“Ai ende do të jetë një pikë reference për Interin në vitet e ardhshme”, ka sqaruar Tirri.
Portieri i Manchester United, David de Gea, është shprehur i kënaqur me muajt e tij të parë në Old Trafford.21-vjeçari i kushtoi 20 milionë euro Unitedit, mirëpo pati një fillim jo edhe aq të sigurt me Djajtë e Kuq. Ndërsa në javët e fundit paraqitjet e tij janë përmirësuar dukshëm dhe ai është i lumtur me kontributin e tij.
“Sinqerisht, mendoj se kam bërë më shumë gjëra të mira, sesa të këqija. Por duket se ato që i kam bërë keq janë raportuar më shumë”.
“Jam i lumtur me paraqitjet e mia deri më sot dhe jam i sigurt se do të ketë shumë të tjera”.
“Kuptohet, unë jam autokritik. Duhet të jem. Secili futbollist duhet të mësojë nga gabimet e tij dhe të përmirësohet çdo ditë dhe të mësojë se cilat janë dobësitë e tij”, citon AS fjalët e spanjollit.
Legjenda argjentinase, Diego Maradona, ka deklaruar se do t’i pëlqente të bëhej sikur Arsene Wenger te klubi që e drejton aktualisht, Al Wasl.Dikur lojtari më i mirë në botë ka mohuar edhe një herë se ka nënshkruar për klubin nga EBA vetëm për çështje parash.
“Do të më pëlqente ta përmbushja dhe ta rinovoja (kontratën); të bëhesha një lloj Arsene Wengeri te Al Wasl”.
“Dua ta përmbush një kontratë afatgjate, sidomos për shkak të të rinjve, të moshave 14, 16, 18 dhe 20 vjeç- t’u tregoj atyre se paraja është e rëndësishme për këdo, mirëpo lavdia nuk mund të blihet”, ka thënë Maradona për DPA.
Mesfushori i Chelseat, Ramires, ka nënshkruar kontratë të re pesëvjeçare për të qëndruar në Stamford Bridge.“Jam shumë i lumtur me kontratën e re. Jam shumë i lumtur me mbështetjen që marr kur luaj për këtë klub, prandaj dua të qëndroj. Faleminderit Chelsea”, ka thënë Ramires për faqen zyrtare të klubit, ndërsa transmeton PA.
Braziliani iu bashkua Bluve nga Benfica në verën e vitit 2010 dhe që atëherë është bërë njëri nga lojtarët kyçë të mesfushës.
Hamburgu nuk do ta ketë në dispozicion sulmuesin, Jose Paolo Guerrero, në tetë ndeshjet e radhës për shkak të ndërhyrjes brutale ndaj portierit të Stuttgartit, Sven Ulreich.Në ndeshjen e të shtunës, peruani e ndoqi portierin kundërshtar drejt këndit dhe në momentin kur e kuptoi se nuk mund ta merrte topin e goditi atë në këmbë.
Guerrero u përjashtua automatikisht me karton të kuq, ndërsa Hamburgu e humbi atë ndeshje me rezultat 0-4.
Drejtori sportiv i Hamburgut, Frank Arnesen, ka thënë se dënimi është shumë i lartë dhe se klubi ka bërë ankesë për vendimin e Komitetit disiplinor të DFB.
Mesfushori i Chelseat, Juan Mata, mendon se Blutë do të duhet të fillojnë sërish pas shkarkimit të Andre Villas-Boas nga posti i trajnerit.“Mendoj se duhet të fillojmë sërish, nuk jemi në një moment të mirë”.
“Nuk jemi në një rrjedhë të mirë të rezultateve, mirëpo të gjithë duam ta ndryshojmë këtë. Mendoj se jemi të gatshëm që të ndryshojmë”, ka deklaruar spanjolli.
Si pasojë e rezultateve jo të mira, drejtuesit e Chelseat e shkarkuan Villas-Boas, ndërsa në postin e trajnerit është angazhuar asistenti Roberto Di Matteo.
Zlatan Ibrahimovici është në nivel të njëjtë me yllin e Barcelonës, Lionel Messi dhe atë të Real Madridit, Cristiano Ronaldo- thotë trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri.“Ibrahimovic? Shpresoj që ai ta fitojë Topin e Artë, edhe pse shumëçka do të varet nga rezultatet që do të arrijmë këtë vit”.
“Së bashku me Messin dhe Cristiano Ronaldon, këta tre janë lojtarët më të mirë në botë”, ka deklaruar Allegri në një konferencë për media.
Claudio Ranieri nuk e di nëse do ta vazhdojë punën si trajner i Interit, pas barazimit kundër Catanias.Barazimi i të dielës e ngrit në nëntë numrin e ndeshjeve radhazi pa fitore të zikaltërve në të gjitha garat, ndërsa janë përhapur spekulime se trajneri i shkarkuar i Chelseat, Andre Villas-Boas, mund ta marrë drejtimin e klubit italian.
“Pozita ime? Gjëja e rëndësishme është Interi, unë mundohem ta bëj më të mirën për skuadrën”.
“Kam kontratë dyvjeçare dhe shpresoj të qëndroj. Unë mundohem të punoj dhe të jap më të mirën nga vetja. Kjo nuk është një çështje e thjeshtë, por unë besoj”, ka thënë Ranieri për Sky Sport Italia.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka konfirmuar se mesfushori Mikel Arteta do të mungojë në ndeshjen kthyese të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve ndaj Milanit.Arteta ka pësuar një lëndim në derbin ndaj Liverpoolit në Anfield, pas një përplasje me Jordan Henderson.
Përveç tij, ndeshjen nga tribunat do ta përcjellin edhe Yossi Benayoun dhe Abou Diaby.
Për më shumë, trajneri i Topçinjve ka bërë të ditur se edhe Tomas Rosicky është në dyshim për lojë.
Bayer Leverkuseni nuk do t’i ofrojë Barcelonës një ndeshje të lehtë të takimin kthyes të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve- thotë Stefan Kiessling.Gjermanët u mposhtën me rezultat 1-3 në terren vendas, ndërsa të mërkurën udhëtojnë në Camp Nou me shpresa gati të shuara për kualifikim në çerekfinale.
“Nuk e di nëse kemi gjasa reale. Por ne duam t’i shkaktojmë probleme Barcës”, ka thënë sulmuesi i Leverkusenit.
Trajneri i Bayern Munich, Jupp Heynckes, ka marrë përgjegjësinë për formën e dobët të skuadrës së tij në disa ndeshjet e fundit.Bavarezët kanë ngecur shkatë pikë ndaj Borussia Dortmund në garën për titullin e Bundesligës, pasi gjatë vikendit pësuan me rezultat 2-0 nga Bayer Leverkusen. Ata po ashtu janë në disavantazh 1-0 nga ndeshja e parë e 1/8-tës së finales së Ligës së Kampionëve ndaj Baselit.
“Kritikat janë të vlefshme edhe për mua [jo vetëm për lojtarët]. Unë jam personi i cili është përgjegjës për të gjitha gjërat”.
“Kushdo që e drejton Bayernin duhet të përballet me situata të tilla. Unë duhet të mbetem i qetë dhe të kem besim në veten. Mendoj se e kam përvojën e patjetërsueshme”, ka thënë Heynckes.
Ish-menaxheri i Chelseat, Luis Felipe Scolari, thotë se do të jetë “ferr” për këdo që do të pasojë Andre Villas-Boas në karrigen menaxhuese të Bluve.Scolari, i cili tash drejton skuadrën braziliani Pameiras, nuk është i befasuar me shkarkimin e hershëm të portugezit, pasi mendon se ish-skuadra e tij është më ndryshe nga klubet tjera angleze.
“Anglia ka klube si Arsenal, ku Arsene Wenger ka qenë aty për disa vite, dhe megjithatë ka fituar dy ose tre kampionate”.
“Kultura e Chelseat është shumë më ndryshe, por kjo lëvizje është e çuditshme – edhe pse nuk është shumë e çuditshme për mua për shkak të asaj çfarë kam kaluar atje”.
“Disa gjëra dihen, si raporti me drejtorin e bordit, i cili ka raport me disa lojtarë para trajnerit. Villas-Boas ishte një kampion dhe ai do të vazhdojë të jetë. Ai duhej të zëvendësonte së paku shtatë ose tetë lojtarë, madje që kur unë isha atje, por ai dështoi. Do të jetë ferr për këdo që do të caktohet në vendin e tij”, ka thënë Scolari.
Presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis, dëshiron t’i mbajë në skuadër dyshen sulmuese Edinson Cavani dhe Marek Hamsik.Që të dy lojtarët janë lidhur me një largim në fund të këtij sezoni, me shumë klube evropiane që kanë shprehur interesim për ta.
“A kanë para klubet angleze dhe spanjolle ta blejnë Cavanin? Do të shohim. Ne së fundi kemi harxhuar shumë para në Vargas dhe presim ai të zhvillohet si lojtar”.
“Ne kemi paguar shumë për të, andaj çdokush që e dëshiron Cavanin do të duhet të bëjë një ofertë adekuate. Jo për të më respektuar mua, por atë. Ai është një lojtar vërtet i mirë i cili ndjehet i lumtur te Napoli”.
“Sa i takon Hamsik, ka pasur shumë kërkesa gjatë viteve, por ai ka kontratë me ne deri në vitin 2016”, ka thënë De Laurentiis për Sky Italia.
Presidenti i UEFA-së, Michel Platini, ka deklaruar se një finale në mes të Real Madridit dhe Barcelonës, do të ishte një ndeshje impresive.Barcelona është me një këmbë në gjysmëfinale pasi mposhti Bayer Leverkusen me rezultat 3-1 në ndeshjen e parë, derisa Madrid nxori vetëm një barazim 1-1 në fushë të CKSA Moskës në ndeshjen e parë. Megjithatë dy gjigantët spanjoll shihen si favoritët kryesor për ta fituar garën evropiane.
“Kush do të jetë në finale? Ka edhe klube angleze dhe italiane... Nuk e di se kush do të luajë, por një ndeshje në mes Madrid dhe Barcelonës do të ishte një finale e mrekullueshme”, ka thënë Platini për Canal +.
Platini po ashtu ka folur për garën për titull të Spanjës, duke thënë se diferenca prej dhjetë pikësh e Los Blancos u jep atyre një avantazh të theksuar ndaj katalanasve.
Mesfushori i Real Madridit, Kaka, ka porositur skuadrën e tij ta ruajë vazhdën e fitoreve pas triumfit 5-0 ndaj Espanyol gjatë të dielës.Braziliani ishte startues në ndeshje dhe shkëlqeu duke shënuar një gol dhe duke kontribuar me dy asistime.
“Kjo është një mbrëmje e veçantë. Ne duhet të vazhdojmë të fitojmë pikë pasi kemi një kundërshtar i cili është shumë konkurrues”.
“Unë isha në gjendje të bëj atë që doja ta bëj. Kjo ndeshje do të më japë shumë vetëbesim. Le të shohim nëse mund ta ruaj këtë nivel”.
“Mendoj se ne të jemi ata të cilët e bëjmë një ndeshje të vështirë ose të lehtë. Ne ishim të vetëdijshëm për atë se çfarë duhej të bënim dhe e bëmë ndeshjen më të lehtë. Të gjithë jemi të lumtur”, ka thënë Kaka.
Mesfushori i Romës, Daniele de Rossi, thotë se Lazio ishte thjesht më e mirë, pas disfatës së djeshme në derbin e kryeqytetit italian.Lazio fitoi me rezultat 2-1 në një sfidë në të cilën portieri i Romës, Maarten Stekelenburg, u përjashtua me karton të kuq herët në ndeshje.
“Incidentet e këtij sezoni thjesht nuk shkojnë në të mirën tonë. Kam folur për referët gjatë tërë jetës, jam ankuar, jam zemëruar, por kjo nuk është produktive. Nuk mendoj se referët bënë diçka aq tronditëse sot. Problemi është se kur mbeteni me 10 lojtarë, ju duhet të hiqni dorë nga loja, andaj kjo është frustruese”.
“Është për të ardhur keq që ndeshja filloi kështu, pasi edhe ndeshja e parë ishte po ashtu e prishur nga një karton i kuq. Ne duhet të fokusohemi te vetja, pasi humbën kundër një skuadre të Lazios që ishte më shumë si ekip se sa Roma këtë sezon”, ka thënë De Rossi.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, ka lavdëruar qasjen e skuadrës së tij në barazimin e të dielës 2-2 ndaj Catanias në San Siro.Interi e pa veten në disavatazh 2-0 në fund të pjesës së parë, por ishte në gjendje të rikthehet në ndeshje për të barazuar rezultatin.
“Duke marrë parasysh se si shkoi ndeshja, ne treguam karakter të madh. Nuk ishte e lehtë, pasi pas fillimit tonë të mirë, Catania na goditi rëndë me dy gola”.
“Në pauzën mes pjesëve, Julio Cesar na dha një fjalim në dhomën e veshjeve dhe duhet t’i jap komplimente për këtë. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se kjo situatë nuk është e mirë dhe duam të kthehemi për të mbledhur pikë”, ka thënë Zanetti.
Trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, është i shqetësuar pasi skuadra kundërshtare është ndarë me menaxherin Andre Villas-Boas.Italianët do të udhëtojnë në Stamford Bridge javën e ardhshme, për ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampionëve, pasi fituan me 3-1 në ndeshjen e parë.
“Si koleg, më vjen keq që e dëgjoj këtë. Nuk e di nëse kjo mund të jetë avantazh në Ligën e Kampionëve, pasi së paku e dija se si luan Villas-Boas. Tash do të duhet të shohim”, ka thënë Mazzarri.
Trajneri i Lazios, Edy Reja, është i ngazëllyer me fitoren e dyfishtë ndaj rivalit të kryeqytetit, Romës.Fitorja e djeshme me rezultat 2-1 erdhi vetëm dhjetë ditë pasi Reja ofroi dorëheqjen, e cila nuk u pranua nga drejtuesit e klubit. Lazio po në drejtim të Rejas kishte mposhtur Romën edhe në pjesën e parë të sezonit.
“Kishte një shkëmbim opinionesh me drejtorët dhe pastaj ne e zgjodhëm situatën. Kuptova se nuk ndodh çdo ditë që një trajner të japë dorëheqje kur është në pozitën e tretë, por unë erdha nga një disfatë 5-1 ndaj Palermos dhe kishte ca tension, andaj reagova në atë mënyrë”.
“Ambicia jonë është të përmirësohemi nga ajo çfarë kemi bërë sezonin e kaluar, që nuk ishte e lehtë, por klubi ka punuar mirë në tregun e transferimeve dhe ne jemi rikthyer në formë”.
“Ka ende shumë, ne tash jemi në një pozitë të mirë dhe shpresoj që ekipi të mund ta ruajë përqendrimin tash pasi ne nuk jemi më në Evropë. Mbi të gjitha, ne duhet të rikuperohemi fizikisht”, ka thënë Reja.
Kobe Bryant është kthyer në lojë pas lëndimit në hundë për të shënuar 33 pikë, derisa Los Angeles Lakers mposhti Miami Heat me rezultat 93-83 në ndeshjen e zhvilluar në Staples Center.Bryant, i cili pësoi një lëndim dhe një tronditje të fuqishme pikërisht nga ylli i Miamit, Dwyane Wade, në ndeshjen All Star vikendin e kaluar, bëri një kontribut të hershëm me 18 pikë në çerekun e parë dhe shtoi gjashtë pikë të vonshme të njëpasnjëshme në çerekun e katërt.
“Është kënaqësi të përballesh me më të mirët. Kjo gjithmonë të jep kënaqësi”, ka thënë Bryant, duke iu referuar Wade dhe LeBron James. Ky i fundit ishte më i dalluari te Miami me 25 pikë, 13 kërcime dhe shtatë asistime.
Ndeshja ishte e shoqëruar edhe me përplasje të vogla, të cilat ishin vazhdë e përplasjeve nga ndeshja All Star.
James dhe Pau Gasol u ndëshkuan me faulle teknike për një zënkë të vogël në fund të çerekut të tretë, derisa Wade u fishkëllye vazhdimisht nga turma dhe dështoi duke shënuar vetëm shtatë nga 17 tentimet dhe grumbulloi vetëm 16 pikë.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, nuk pret që shkarkimi i Andre Villas-Boas nga ana e Chelseat të ketë ndikim në garën për titull.Villas-Boas dje u shkarkua nga posti i menaxherit të Bluve pas rezultateve të dobëta të arritura së fundi, që kanë bërë Chelsea të rreshtohet vetëm i pesti në tabelën e Ligës Premier dhe të jetë në prag të eliminim nga Liga e Kampionëve.
“Përderisa Mourinho nuk vjen, kjo nuk do të ndodhë (rikthimi në garën për titull), dhe nuk mendoj se ai do të vijë këtë javë”, ka thënë Redknapp.
Real Madridi raportohet se është duke e përcjellë situatën e Edinson Cavanit te Napoli.Uruguaiani është shndërruar në një prej sulmuesve më të nxehtë në Evropë dhe paraqitjet e tij në Ligën e Kampionëve kanë joshur vëmendjen e shumë top-klubeve evropiane, përfshirë Chelsean dhe Manchester Cityn.
Megjithatë, presidenti i Realit, Florentino Perez, raportohet se po ashtu është duke e monitoruar formën e Cavanit dhe dëshiron të bëjë ofertë në vlerën 45 milionë eurove për ta sjellë atë në Santiago Bernabeu në fund të sezonit.
Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, ua ka bërë të qartë lojtarëve të tij se ata janë fajtorë për shkarkimin e Andre Villas-Boas.Daily Mail shkruan se Abramovich personalisht u ka thënë lojtarëve se ata ishin përgjegjës për vendimet e tij dhe se do të ketë “ndryshime të mëdha” te Chelsea gjatë verës.
Abramovich është plot admirim për energjinë dhe vullnetin e Villas-Boas, por ishte i alarmuar nga dështimi i tij për të bashkuar dhomën e veshjeve.
Ai u ka shpërndarë përgjegjësinë edhe lojtarëve për shkarkimin e tij dhe është i zemëruar me refuzimin e tyre për t’iu përshtatur metodave të portugezit, të cilat ai me sukses i kishte aplikuar te Porto.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ai kënaqet duke shikuar suksesin e Robin van Persiet këtë sezon.“Ky është Van Persie. Çdokush flet për aftësitë e tij, por synimi i lëvizjeve të tij para golit është i jashtëzakonshëm”.
“Është kënaqësi ta shikosh para se ai ta marrë topin dhe kjo e bën atë një sulmues të madh. Ne e kemi parë këtë edhe më herët dhe kjo është vërtet një shenjë dalluese e një sulmuesi të madh”, ka thënë Wenger.
Holandezi shënoi të dy golat e fitores 2-1 të Arsenalit ndaj Liverpoolit gjatë vikendit.
Mbrojtësi i Manchester Cityt, Gael Clichy, thotë se mbledhja e sa më shumë pikëve është gjëja më e rëndësishme në këtë stad të sezonit.Clichy shënoi gol në fitoren e vikendit ndaj Bolton Wanderers, por ky u shënua si auto-gol, gjë që nuk e ka shqetësuar lojtarin.
“Vërtet nuk shqetësohem. Nëse ky është synimi im, mirë, por nuk shqetësohem shumë se kush shënon gola. Ne kemi fituar tre pikë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”.
“Ka edhe 11 ndeshje të mbetura dhe nëse ne duhet t’i kalojmë 11 ndeshje pa humbje ose barazim, e dimë se do ta fitojmë titullin”, ka thënë Clichy.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, mendon se fitorja ndaj Tottenhamit i ka dërguar një mesazh të qartë rivalit të tij, Manchester City.“Ne kemi përvojë të mirë me lojtarët andaj ata nuk nervozohen. Ne e treguam këtë me një performancë luftarake kundër një skuadre shumë të mirë”.
“Dhe ne e dimë se ne jemi në garë. Ata (City) e dinë se ku jemi ne dhe ne e dimë se ku janë ata. Ne e dimë se çfarë pritet të bëjmë dhe çfarë duhet të bëjmë. Gjëja më e madhe është t’i rikthejmë të gjithë lojtarët”.
“Por ishte një rezultat i madh për ne këtu dhe një paraqitje e madhe nga mbrojtësit tanë. Është masive, një pozitë masive ku ne jemi tash. 30 prilli do të jetë i madhi”, ka thënë Ferguson.
Nuk kanë kaluar as 24 orë pas shkarkimit të Andre Villas-Boas nga posti i trajnerit të Chelseat, ndërsa vijnë informata se ai mund ta zëvendësojë Claudio Ranierin tek Interi.Zikaltrit kanë regjistruar shtatë humbje në tetë ndeshjet e fundit dhe pas barazimit ndaj Catanias gjenden 17 pikë larg liderit të Serie A, Milan.
Performancat e dobëta të Interit kanë bërë që t’i luhatet karrigia trajnerit aktual, ndërkohë që bastoret tashmë e kanë vënë Villas-Boas në krye të listës së trajnerëve që mund ta marrin drejtimin e ekipi nga Meazza.
















