Përkundër fitores kundër Milanit në Emirates, Arsenali është eliminuar nga Liga e Kampionëve për shkak të rezultatit nga takimi i parë që u zhvillua në San Siro.

Rossonerët e fituan me rezultat 4-0 sfidën e parë të 1/8 së finales të garës më të madhe evropiane për klube, ndërsa në ndeshjen kthyese Topçinjtë triumfuan me rezultat 3-0. Kështu që me rezultat të përgjithshëm prej 4-3 kualifikohet Milani.

Skuadra vendase bëri një paraqitje mbresëlënëse në fraksionin e parë të lojës duke dominuar në çdo aspekt dhe duke arritur ta tundë tri herë rrjetin e kundërshtarit.

Goli i parë erdhi në minutën e shtatë. Alex Oxlade-Chamberlain dërgoi një harkim të rrezikshëm nga këndi dhe Laurent Koscielny e shfrytëzoi hapësirën që iu dha për ta mposhtur me kokë Abbiatin.

Pas një aksioni të Walcott dhe pastrimit jo të mirë të Silvas, Tomas Rosicky i forcoi më shumë shpresat e tifozëve të Arsenalit për kualifikim (26’).

Antonio Nocerino dhe Mesbah e ndalën në mënyrë të gabuar Oxlade-Chamberlainin brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit dhe gjyqtari akordoi penalti. I saktë nga pika e bardhë ishte Robin van Persie për t’i dërguar në ekstazë të pranishmit në Emirates (44’).

Në gjysmën e dytë u tregua një Milan më i sigurt. Megjithatë, ishte portieri Abbiati që shpëtoi një gol të sigurt pas tentativave të Gervinhos dhe Van Persiet.

Në vazhdim edhe skuadra mysafire pati një rast shumë të mirë shënimi, por paksa me fat portieri Szczesny arriti ta mbrojë portën e tij të paprekur.

Arsenal 1-0 Milan


Arsenal 2-0 Milan


Arsenal 3-0 Milan

Lukas Podolski mund të largohet nga Koelni në fund të sezonit për vetëm gjashtë milionë euro, nëse klubi gjerman dështon të qëndrojë në Bundesliga- raporton Bild.

Sulmuesi 26-vjeçar ka kontratë me Koelnin deri në verën e vitit 2013, mirëpo është njoftuar se ai ka arritur marrëveshje personale me Arsenalin dhe pritet të kalojë në Emirates në fund të sezonin aktual.

Drejtuesit e Koelnit kanë pritur të përfitojnë rreth 20 milionë euro për yllin e tyre, mirëpo, sipas një pikë në kontratën e sulmuesit gjerman, ata do të kënaqen me vetëm gjashtë milionë nëse bien në Ligën e dytë.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka bërë shaka rreth spekulimeve që e lidhin atë me një kalim te Chelsea.

Blutë e kanë shkarkuar Andre Villas-Boas nga posti i trajnerit, ndërsa mediat në Angli e konsiderojnë Guardiolan si një nga kandidatët kryesorë për ta marrë drejtimin e klubit nga Stamford Bridge nga sezoni i kaluar.

“Po, po, padyshim, unë flas me Chelsean çdo ditë”, ka bërë shaka Guardiola pas interesimit të gazetarëve nëse ai do të shkonte në Ligën Premier.
Boksieri i suspenduar, Dereck Chisora, ka marrë mbështetje nga boksieri më i njohur nga Zimbabve, Alfonso Zvenyika Lambarda.

Ai mendon se një tipi emocional, siç është Chisora, duhet t’i falet ajo që bëri pas sfidës ndaj Vitali Klitschkos.

“Duhet t’ia falin këtij djali, ata e dinë që secili njeri ka ndjenja dhe secilit mund t’i ndodhë kjo”, ka thënë Alfonso.

Chisora është i suspenduar për afat të pacaktuar për shkak të incidentit me David Hayes, pas humbjes të cilën e pësoi zimbabviani me pasaportë britanike nga Klitschko.
Juventusi nuk duhet të zhgënjehet me rezultatet e kohëve të fundit, pasi sezoni ka qenë i suksesshëm deri më tani- ka thënë trajneri Antonio Conte.

Zonja e Vjetër ka barazuar në pesë prej gjashtë ndeshjeve të fundit në Serie A dhe pozicionohet në vend të dytë me tre pikë më pak se Milani, ndërsa ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

“Nuk e kuptoj pse dikush duhet të zhgënjehet duke pasur parasysh kampionatin e jashtëzakonshëm që po kalojmë”.

“Nuk shoh arsye pse duhet të bëhemi depresivë, përkundrazi, duhet të jemi krenarë për atë që po bëjmë”, ka thënë Conte.
Sulmuesi i Interit, Luc Castaignos, mendon se skuadra për të cilën luan po plaket, ndërsa ai vazhdimisht pret që t’i jepet mundësia për të treguar kualitetet e tij.

19-vjeçari iu bashkua Interit gjatë verës që lamë pas nga Feyenoordi, megjithatë nuk ka arritur të zë vend në formacionin bazë deri më tani.

“Ndjehem mirë te Interi. Shqetësimi i vetëm është se nuk luaj, por e di se duhet të kem durim. Do të vijë koha ime. Secila minutë që luaj është e rëndësishme. Po e shijoj çdo ditë te Interi”.

“Me gjithë respektin, skuadra ynë po plaket. Kemi shumë të rinj premtues në skuadër dhe atyre duhet t’u jepet rasti sa më shpejtë”, ka thënë holandezi për OnsOranje.
Glen Johnson mendon se ky sezon do të jetë dështim nëse Liverpooli nuk e siguron një vend që çon në Ligën e Kampionëve.

Muajin e kaluar Redsat e fituan Kupën e Ligës (trofeun e parë pas gjashtë vitesh) dhe janë në çerekfinale të Kupës FA, megjithatë atyre nuk po iu ec siç duhet në Ligën Premier.

Humbja nga Arsenali e ka lënë Liverpoolin dhjetë pikë larg pozitës së katërt kur kanë mbetur edhe 11-të xhiro për t’u zhvilluar.

“Mendoj se sezoni do të jetë një dështim nëse nuk e sigurojmë Ligën e Kampionëve. Ky është objektivi kryesor. Ideja ishte të zëmë vendin e katërt”, ka thënë Johnson për Goal.com.
Manchester Unitedi është i gatshëm që të shfrytëzojë çdo rrëshqitje të Manchester Cityt në garën për titullin e Ligës Premier- thotë Ashley Young.

“Në çdo moment që ata mund të rrëshqasin, ne do të jemi të gatshëm të përfitojmë”.

“Ne do t’u ngjitemi nga pas. Siç tha edhe Paul Scholes një ditë, mendojmë se duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet”.

“Prandaj nëse arrijmë ta bëjmë këtë, do të jetë në rregull. Do të përqendrohemi te vetvetja, dhe do t’i marrim ndeshjet një nga një”, u ka thënë anësori gazetarëve.
Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka vendosur që finalja e Kupës së Mbretit për vitin 2012, mes Barcelonës dhe Athletic Bilbaos, të mbahet në Vicente Calderon.

Ndeshja është dashur të zhvillohej në Santiago Bernabeu, mirëpo ajo është zhvendosur për në një vend tjetër, pasi stadiumi i Real Madridit nuk ishte në dispozicion.

Dy finalistët dështuan të arrinin marrëveshje se ku do të mbahej finalja, ashtu që RFEF mori vendim që përballja e 25 majit të mbahej në stadiumin e Atletico Madridit.
Drejtuesit e Interit kanë kontaktuar me përfaqësuesit e Andre Villas-Boas në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje që portugezi ta marrë drejtimin e skuadrës nga muaji qershor- raporton Goal.com.

Massimo Moratti e konsideron ish-trajnerin e Chelseat si njeriun adekuat për zëvendësimin e Claudio Ranierit, i cili pritet të shkarkohet si pasojë e sezonit të dobët që po kalojnë zikaltrit.

Për të njëjtin qëllim u shkarkua edhe Villas-Boas te Chelsea, prandaj presidenti i Interit para se të mendojë për trajnerin e ri, duhet të mendojë për riformimin e skuadrës.

Sipas burimeve, Moratti i ka ofruar kontratë dyvjeçare dhe tre milionë euro në sezon strategut portugez nëse merr drejtimin e Nerazzurrëve.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Mario Balotelli, ka thënë fjalë të mira për sulmuesin e Milanit, Zlatan Ibrahimovic, të cilin e konsideron në të njëjtin nivel me Leo Messin dhe Cristiano Ronaldon.

“Për mua, Ibra është në të njëjtin nivel sikurse Messi dhe Ronaldo”.

“Mirëpo, kur flas me të i them: ‘Unë jam më i mirë se ti’”, ka thënë italiani për La Gazzetta dello Sport.

I pyetur nëse ka ndonjë lojtar më të mirë se Ibra në Ligën Premier, SuperMario është përgjigjur: “Jo nuk ka”.
Danijel Pranjic e ka akuzuar trajnerin Jupp Heynckes për mënyrën sesi po e trajton te Bayern Munichu.

Kroati kryesisht ka qëndruar në bankën rezervë këtë edicion, ndërsa tani ka pranuar se nuk ka raporte të mira me trajnerin.

“Ai nuk më ka folur asnjëherë për situatën time. Ne nuk kemi kontakt, ai më injoron tërësisht”.

“Nëse do të më thoshte se nuk jam pjesë e planeve të tij, do ta dija çfarë të pres. Nuk di asgjë tash. Ne nuk komunikojmë aspak dhe ai shtiret sikurse unë nuk ekzistoj”, ka deklaruar Pranjic për 24Sata.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, mendon se ata mund të jenë krenar me sezonin e tyre nëse përfundojnë në top katërshe.

“Të arrijmë në top katërsh do të jetë një arritje pasi ne filluam nga shumë poshtë. Ne e dimë se ajo çfarë na pret është një detyrë e madhe dhe ne i kemi caktuar vetes cak për të arritur atje”.

“Është e vërtetë se ne kemi pasur një rrëshqitje, por mbi të gjitha ne kemi qenë shumë të qëndrueshëm. Kreu është delikat. Liverpooli, një skuadër e mirë, është i shtati. Ne nuk e dimë çfarë do të ndodhë me Chelsean, por ne e dimë një gjë, kjo varet nga rezultatet tona”, ka thënë Wenger.
Ish-drejtori i Juventusit, Luciano Moggi, thotë se dominimi i Interit në Serie A tashmë i takon së kaluarës.

Nerazzurrët fituan pesë tituj të njëpasnjëshëm në Serie A nga viti 2006 deri në vitin 2010, por kanë dështuar të gjejnë formën këtë sezon duke qëndruar vetëm të shtatit në renditjen tabelare.

“Nerazzurrët janë një skuadër e hutuar. Ata nuk përfitojnë më nga afera Calciopoli”, ka thënë Moggi.

“Ranieri? Figo po i afrohet gjithnjë e më shumë pozitës së trajnerit kryesor të Interit”, ka shtuar ish-drejtori i Juventusit.
Sulmuesi i Bayern Munich, Mario Gomez, thotë se presioni është shkaku kryesor për formën e dobët që po kalon skuadra së fundi.

“Neve po na mungon fati dhe vendosmëria në ballë të golit. Në mbrojtje, ka një mosdurim. Ne absolutisht dëshirojmë të fitojmë dhe e dimë se kemi nevojë të fitojmë. Por pastaj hapemi dhe futemi në probleme”.

“Për shkak të presionit për të fituar, ne nervozohemi dhe jemi të pasigurt. Kjo nuk duhet të ndodhë me ne. Por kur kjo ndodh, ne nuk luajmë me disiplinën e nevojshme, ne nuk jemi kompakt dhe ne nuk presim kundërshtarin të bëjë ndonjë gabim”, ka thënë Gomez.
Trajneri i Romës, Luis Enrique, ka konfirmuar qëndrimin e tij se ai nuk është duke menduar të largohet nga klubi i Serie A, pavarësisht formës së dobët që skuadra po kalon së fundi.

Luis Enrique edhe më herët kishte mohuar raportohet të cilat e lidhnin atë me një rikthim te Barcelona, ku ai kishte drejtuar klubin B në mes të viteve 2008 dhe 2011, nëse Pep Guardiola largohet nga Camp Nou gjatë verës.

“Nuk do të largohem”, ka qenë i shkurtër trajneri spanjoll.

Megjithatë, kuptohet se Roma tashmë është duke planifikuar një të ardhme pa Luis Enrique, pasi mendohet se ka zhvilluar një takim sekret me Andre Villas-Boas, i cili sapo është shkarkuar nga Chelsea.
Sven-Goran Eriksson është i gatshëm të rikthehet në karrigen drejtuese të Anglisë edhe një herë për Euro 2012, por nuk pret që atij t’i ofrohet kjo punë.

Suedezi më herët kishte qenë i angazhuar me Tre Luanët nga viti 2001 deri në vitin 2006, duke drejtuar ekipin në çerekfinale të Kupave Botërore 2002 dhe 2006 si dhe në Euro 2004.

“Ata duhet të më caktojnë mua! I njoh të gjithë lojtarët. Ka disa lojtarë të mirë të cilët po vijnë, por ende ka lojtarë të mirë nga të vjetrit. Paul Scholes mund të rikthehet sërish! Wayne Rooney është i jashtëzakonshëm, ai ka gjithçka dhe është vetëm 26-vjeçar”.

“Ai është një futbollist i pjekur i cili e kontrollon temperamentin më shumë. Ai është fituesi i ndeshjeve për Anglinë. Por kjo nuk do të ndodhë [caktimi im], për shkak se kjo do të trajtohej nga shtypi dhe FA do të shkonte mbrapsht”, ka thënë Eriksson.
Portieri i Milanit, Christian Abbiati, ka paralajmëruar skuadrën e tij të mos e nënvlerësojë Arsenalin për ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampionëve që zhvillohet sonte në Emirates Stadium.

Kampionët e Serie A janë me një këmbë në çerekfinale pas fitores 4-0 kundër Topçinjve në ndeshjen e parë në San Siro. Megjithatë Abbiati mendon se asgjë ende nuk është e vendosur.

“Jo, [sfida nuk ka mbaruar], pasi Milani ka kujtime të këqija nga përvoja kundër Deportivos”.

“Ne përfundimisht kemi një avantazh të mirë dhe kemi nevojë ta shfrytëzojmë sa më shumë këtë. Por ne do të duhet të punojmë fuqishëm deri në fund të sezonit”, ka thënë Abbiati për Uefa.com.
Andre Villas-Boas raportohet se ka pasur një takim me menaxherin gjeneral të Romës, Franco Baldini, në Londër muajin e kaluar, për të diskutuar një mundësi të kalimit të tij te klubi italian sezonin e ardhshëm.

Villas-Boas, i cili u shkarkua nga Chelsea të dielën, është duke u lidhur me klubin nga Serie A për të zëvendësuar menaxherin aktual Luis Enrique gjatë verës.

Goal bën të ditur se takimi mes Boas dhe Baldinit ishte zhvilluar në një restorant në afër të rezidencës së këtij të fundit në Londër.

Portugezi mendohet se i ka thënë ish-zëvendësit të Fabio Capellos se ai mund të shkarkohet së shpejti dhe se është i gatshëm të transferohet në Olimpico të Romës.

Tash që Villas-Boas është agjent i lirë, një marrëveshje mund të arrihet. Megjithatë karrigia e Luis Enrique pritet të mos preket deri në fund të sezonit.
Marcello Lippi pritet të fluturojë drejt Kinës për të marrë një detyrë në kampionatin kinez të futbollit.

Ish-trajneri i Italisë dhe Juventusit është në biseda me klubin Guangzhou, shkruan e përditshmja sportive italiane Gazzetta dello Sport, dhe tashmë ka arritur marrëveshje për kushtet.

Lippi pritet të zhvendoset në Kinë për një shumë që kap vlerën e 10 milionë eurove.
Ish-menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, ka thënë se ai është i hapur për të drejtuar çdo skuadër që lufton për tituj.

Benitez u spekulua se mund të jetë trajneri i ardhshëm i Bluve, pas shkarkimit të Andre Villas-Boas nga pronari i klubit Roman Abramovich, dhe spanjolli shprehet i gatshëm për çdo detyrë të mundshme.

“Si një menaxher me përvojë në Ligën e Kampionëve dhe përvojë në Spanjë dhe Itali, jam i hapur për oferta”.

“Unë jam një menaxher i cili pret punë, nuk mund t’i ndaloj spekulimet. Nuk mund t’i ndaloj njerëzit të flasin. Unë vetëm pres dhe shoh nëse diçka do të ndodhë në të ardhmen”.

“Do të doja të luftoj për tituj dhe e kam këtë opsion. Jam i hapur për këto lloj projektesh dhe duhet të analizoj çdo ofertë”, ka thënë Benitez.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, e vlerëson Zlatan Ibrahimovic si lojtarin më të mirë në botë.

“Shpresoj Ibrahimovic ta fitojë Topin e Artë, edhe pse kjo do të varet nga ajo se çfarë ne do të arrijmë këtë vit si ekip”.

“Lionel Messi i Barcelonës, Cristiano Ronaldo i Real Madridit dhe Ibra janë tre lojtarët më të mirë në botë për momentin”, ka thënë Allegri.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, mendon se ata kanë fuqi golashënuese për ta befasuar rivalin e sotëm të Ligës së Kampionëve, Milanin.

“Ne mund të shënojmë gola, në dy ndeshjet e kaluara në shtëpi ne kemi shënuar 12. Andaj e dimë se mund të shënojmë gola. Ky është caku nesër (sot). Cak po ashtu është të gjejmë një ekuilibër të mirë në mes të sulmit dhe mbrojtjes, pasi caku jonë i dyfishtë është edhe të mos pranojmë”.

“Por i njoh mirë lojtarët e mi, e di se ata janë lënduar nga rezultati i parë dhe e di se ata kanë krenarinë e tyre. Ata do të dalin dhe do bëjnë një paraqitje. Ka mundësi që ne të shkojmë më tej. Futbolli është futboll, e dini? Ne pësuam 4-0 nga Milani, por ata kishin pesë goditje në drejtim të golit dhe ne kishin 55 për qind posedim kur nuk luajtëm aspak mirë”.

“Dy gjëra mund të ndryshojnë: nëse ata mund të shënojnë katër atëherë edhe ne mundemi, pse jo? Ne do të përpiqemi. Ne e dimë se mund të bëjmë një performancë më të mirë. Dhe ju mund t’i thoni Milanit se ne do të luajmë në një fushë futbolli, një fushë të vërtetë futbolli”, ka thënë Wenger.
Anësori i Arsenalit, Theo Walcott, thotë se Topçinjtë po luajnë shumë mirë, por duhet të mos pranojnë gola.

“Ne kemi disa lojtarë të klasit botëror këtu dhe është e qartë se një prej atyre është Robin [Van Persie]. Golat që ai i shënon nga çdo kënd janë absolutisht fantastik. Ai është në formën jetësore dhe ne të gjithë jemi prapa tij”.

“Por skuadra si e tërë po luan tmerrësisht mirë. Ne duhet të përpiqemi dhe të ndalojmë së pranuari gola, por ne po fitojmë dhe kjo është e gjitha çfarë është e rëndësishme për momentin”, ka thënë Walcott.
Chelsea është i interesuar të sjellë në Stamford Bridge sulmuesin e Valencias, Roberto Soldado.

Spanjolli ka qenë në radarin e Bluve që nga koha e tij me Real Madridin dhe tash shihet si zëvendësimi i qëlluar për Fernando Torres.

Soldado shënoi hat-trick në rikthimit të tij në përfaqësuesen e Spanjës dhe një ofertë serioze nga klubi anglez vështirë se do të refuzohej nga Valencia që është në nevojë për para.

Një vendim përfundimtar rreth një oferte të Chelseat pritet të merret vetëm pas caktimit të një menaxheri të ri të përhershëm.
Interi raportohet se është duke e përcjellë situatën e Edin Dzekos te Manchester City.

Dzeko ka shprehur frustrimin e tij te City këtë sezon, ku ka dështuar të sigurojë vend të rregullt në ekipin startues, pavarësisht rekordit të tij golashënues.

Mediat italiane shkruajnë se Interi vazhdon ta përcjellë sulmuesin boshnjak dhe shpreson ta sjellë atë në Itali gjatë verës.

Dzeko ishte afër për t’iu bashkuar rivalit lokal të Interit, Milanit, para se të transferohej te City.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, beson se skuadra e tij ende është “në ndërtim e sipër”, pavarësisht sezonit të tyre të suksesshëm.

“A do të na duhen dy ose tre vite për ta fituar Ligën e Kampionëve? Vetëm kam thënë se kjo skuadër është në ndërtim, nesër (sot) ne kemi mundësinë të arrijmë në çerekfinale, pastaj do të shohim”.

“Ne mund t’ia dalim mirë këtë vit – duhet ca fat, përndryshe nuk mund të rikuperoheni nëse kaloni një ndeshje të keqe”, ka thënë Allegri.
Shefi ekzekutiv i Milanit, Adriano Galliani, ka thënë se ëndërron ta shohë sulmuesin e Arsenalit, Robin Van Persie, duke bartur fanellën kuqezi.

Holandezi ka kontratë me Topçinjtë së paku deri në vitin 2013, ndërsa Galliani ka pranuar se jo të gjitha ëndrrat realizohen.

Nga ana tjetër, ai ka folur për Zlatan Ibrahimovicin, për të cilin ka thënë se e meriton Topin e Artë.

“Nëse ai e fiton Ligën e Kampionëve ose Kupën e botës, Zlatan do ta fitojë këtë çmim herët oses vonë”, ka deklaruar Galliani.