I pamundur të përshkruhet me fjalë të thjeshta mund të konsiderohet kualifikimi i Barcelonës në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pasi Blaugranët me një fitore super të lartë prej 7-1 ka arritur ta s’kualifikojë Bayer Leverkusenin nga gara më prestigjioze evropiane.Ishte kjo një ndeshje stërvitore për Barcelonën, ku shkëlqeu një prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave, Lionel Messi, i cili u ka bërë të ditur të gjithëve se po kthehet në formën më të mirë me pesë golat e shënuar, që përbën rekord për numrin e golave të shënuara nga një lojtar në këtë garë, teksa gjermanët e Leverkusenit u turpëruan.
Gjithçka filloi në minutën e 25-të, kur goleadën e hapi Lionel Messi me një parabollim. Epërsia u dyfishua (43’) përsëri nga Lionel Messi, që ishte dhe rezultati përmbyllës i pjesës së parë.Leverkuseni u dogj nga Lionel Messi në furrën e Camp Nou tek në pjesën e dytë. Ishte argjentinasi ai që në minutën e 50-të shënoi për 3-0, para se Tello të realizonte për 4-0 (55’). Vetëm tri minuta më vonë Messi shënoi golin e katërt për 5-0 (58’), kurse golat nuk kishin të ndalur për Blaugranët të cilët me Tellon (62’) konfirmuan debaklin për 6-0.

Në minutën e 85-të Messi konfirmoi se do të ndalej në këtë takim me golin e tij të pestë, teksa golin e nderit për gjermanët e shënoi Karim Bellarabi në minutën e fundit, për rezultatin përfundimtar 7-1.
Barcelona kualifikohet kështu me rezultat të përgjithshëm 10-2 në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, teksa Lionel Messi ka pas kësaj faze hiç më pak se 13 gola këtë sezon në Ligën e Kampionëve dhe pa ndonjë problem të madh do të shpallet golashënuesi më i mirë i kësaj gare, pasi rivalët e tij janë shumë, shumë larg tij.
Juventusi ka barazuar me rezultat 1-1 si mysafir i Bolognas duke humbur një rast të mirë për ta marrë kreun e tabelës.Ish-sulmuesi bardhezi, Marco Di Vaio, pranoi një top nga Gaston Ramirez, për ta mposhtur Buffonin (17’) dhe me epërsi të vendasve skuadrat shkuan në pushim.
Në gjysmën e dytë, Mirko Vucinic e barazoi rezultatin pas asistimit të Andrea Pirlos (58’).
Në vazhdim ndeshja u tensionua, që për pasojë pati largimin e trajnerit mysafir, Antonio Conte, si dhe përjashtimin e Leonardo Bonuccit me kartonin e dytë të verdhë.
Juventusi gjendet në vend të dytë në tabelë me dy pikë më pak se lideri Milan.
Arsene Wenger është dënuar për sjellje të pahijshme për shkak të kritikave ndaj arbitrit të takimit Arsenal – Milan në kuadër të Ligës së Kampionëve.Përkundër fitores prej 3-0, Topçinjtë dështuan të kualifikohen në çerekfinale, ndërsa trajneri e quajti fajtor arbitrin për eliminimin e Arsenalit.
Slloveni Damir Skomina akordoi 21 goditje të lira për Milanin, ndërsa Wenger mendon se rikthimi i Rossonerëve në gjysmën e dytë ishte falë arbitrit.
UEFA pritet ta dënojë francezin me një ndeshje mosdrejtim të skuadrës.
Andre Villas-Boas nuk e ka respektuar mesfushorin Frank Lampard gjatë kohës sa ishte trajner i Chelseat- ka deklaruar ish-mbrojtësi i Bluve, Alex.Anglezi 33-vjeçar nuk ishte i preferuari i portugezit në Stamford Bridge, ndërsa për një situatë të ngjashme edhe Alex u largua drejt Paris Saint-Germain.
“Mendoj se Lampard meritonte më shumë respekt. Është e vërtetë se kur arrin një moshë të caktuar e di se do të qëndrosh në bankën rezervë ndonjëherë”.
“Ky nuk është problem, mirëpo për shkak të historisë së klubit, ku ka qenë për dhjetë vite, ai ka merituar një shpjegim”, ka thënë Alex për O Jogo.
Ish-mesfushori i Barcelonës, Deco, mendon se skuadra katalunase nuk do të ishte e njëjta pa Lionel Messin dhe mendon se ata janë të varur nga argjentinasi.“Leo është në rrugë për t’u bërë një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave. Ka kaluar shumë kohë që s’kam parë lojtar si ai”.
“Ai dallon aq shumë dhe e ka bërë Barcelonën edhe më të madhe saqë është normalisht”.
“Barcelona ka një ekip të shkëlqyer, por pa Leon nuk do ishte njësoj”, ka thënë portugezi për Marca.
Gjatë takimit të Kupës FA kundër Birminghamit, tifozët e Chelseat kanë thirrur emrin e Jose Mourinhos.Trajneri i caktuar i Bluve, Roberto Di Matteo, e ka filluar me fitore punën e tij të re, ndërsa nuk i ka injoruar zërat e tifozëve.
“Jose është pjesë e historisë së këtij klubi, në të cilin ka arritur aq shumë suksese. Ai do të mbetet gjithmonë në zemrat e tifozëve tanë”, ka thënë Di Matteo.
Trajneri italian ka theksuar se lojtarët duhet ta marrin përgjegjësinë e plotë në mënyrë që ta shpëtojnë këtë sezon.
Filippo Inzaghi dikur gjatë karrierës e ka veshur fanellën e Atalantas dhe gjatë atij sezoni (1996-1997) u bë golashënuesi më i mirë në Serie A, me 24 gola të shënuar.Më pas, ai u transferua te Juventusi ku qëndroi gjatë viteve 1997-2001, dhe që atëherë bart fanellën e Milanit.
Mirëpo, njeriu i njohur për aftësitë e tij për të shënuar, nuk është pjesë e planeve të trajneri të Rossonerëve, Massimiliano Allegri.
38-vjeçari përkundër moshës që ka nuk planifikon të pensionohet, ndërsa për shkak të situatës te klubi aktual, është në kërkim të një skuadre ku dëshiron minutazh për të luajtur.
Sipas mediave italiane, ai mund të transferohet te skuadra e Atalantas, ndërsa thuhet se tashmë kanë filluar bisedimet mes agjentit të tij dhe drejtuesve të klubit italian.
Anzhi Makhachkala dhe Lokomotiv Moska janë të gatshëm t’i ofrojnë sulmuesit të Koelnit, Lukas Podolski, 12 milionë euro për sezon.Sulmuesi gjerman thuhet të ketë arritur marrëveshje personale me Arsenalin, përkundër se ka marrëveshje me Koelnin deri në vitin 2013. Ndërsa Topçinjtë do ta paguajnë atë gjashtë milionë euro për sezon.
Sipas Sport-Bild, klubet e pasura ruse planifikojnë t’i bëjnë oferta “të parefuzueshme” Podolskit, megjithatë ai ka thënë se paratë nuk janë vendimtare për të ardhmen e tij.
“Paratë nuk janë gjëja me e rëndësishme për mua. Ajo që është vendimtare është zhvillimi i lojës”, ka thënë gjermani.
Michael Carrick ka mohuar sugjerimet se Manchester Unitedi nuk po e merr seriozisht Europa Leaguen duke thënë se Djajtë e Kuq planifikojnë ta fitojnë atë.“Megjithatë është një garë evropiane. Është një të cilën duam ta fitojmë”.
“Ne asnjëherë nuk kemi qenë pjesë e saj. Kushedi se kur do të na vijë rasti për ta fituar përsëri?”, ka deklaruar mesfushori.
Manchester Unitedi në kuadër të 1/8 së finales të Europa League do të ketë punë me Athletic Bilbaon.
Bayern Munichu është duke u përgatitur që ta ndërrojë trajnerin gjatë verës, meqë drejtuesit e klubit përballen me frikën se do ta përfundojnë sezonin e dytë radhazi pa trofe.Jupp Heynckes ka marrë shumë kritika kohët e fundit, ndërsa Bild raporton se ai ka dy javë në dispozicion për t’i ndryshuar gjërat, përndryshe do të shkarkohet në fund të sezonit aktual.
Trajneri i Borussia Monchengladbachut, Lucien Favre, është i pëlqyeri i shefit ekzekutiv të Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge.
Ndërkohë, presidenti Uli Hoeness është duke menduar për trajnerin Hannoverit, Mirko Slomka.
Arsenali është larguar nga Liga e Kampionëve kokëlartë- ka deklaruar mesfushori Tomas Rosicky.Topçinjtë bënë një paraqitje mahnitëse në ndeshjen kthyese të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve kundër Milanit duke shënuar tre gola, megjithatë Rossonerët kishin shënuar një më shumë në terren të tyre.
“Jam krenar për bashkëlojtarët e mi, sepse ajo që treguam sot (e martë) ishte futboll i shkëlqyer, por është pikëlluese sepse jemi jashtë gare”.
“Mund të largohemi me kokat lartë, mirëpo dështuam në Milano”, ka deklaruar çeku.
Mark van Bommel është i lehtësuar pasi Milani arriti të kualifikohet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve edhe pse u “deklasua” nga Arsenali në pjesën e parë të ndeshjes së kthimit të zhvilluar mbrëmë në Emirates Stadium.Rossonerët arritën në Londër me një epërsi prej katër golash, por u mposhtën 3-0 në Emirates dhe madje rrezikuan të pësojnë edhe më shumë, por arritën të kualifikohen për në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm 4-3.
“Ndesha kishte gjithçka. Por mendoj se ishte faji i jonë, pasi ne u dhamë atyre mundësi të rikthejnë vetëbesimin”.
“Në pjesën e parë Arsenali na deklasoi neve me lojën e tyre të fuqishme. Por mendoj se ne luajtëm shumë më mirë në pjesën e dytë”, ka thënë Van Bommel.
Kombëtarja shqiptare ka rënë dy vende në renditjen e FIFAs për muajin mars, pas disfatës 2-1 në miqësoren ndaj Gjeorgjisë.Kuqezinjtë kishin 452 pikë dhe pushtonin pozitën e 78-të muajin e kaluar, por tash kanë 20 pikë më pak, 432, dhe rreshtohen në pozitën e 80-të.
Nga vendet e Ballkanit, kombëtarja ka lënë prapa Bullgarinë, që me 406 pikë rreshtohet e 85-ta, dhe Maqedoninë, e cila rreshtohet më së keqi nga vendet e rajonit, me 328 pikë në vendin e 102-të.
Kroacia dhe Greqia renditen më së miri nga vendet e Ballkanit, me të parën që pushton pozitën e 9-të dhe të dytën që rreshtohet e 13-ta. Bosnja e Hercegovina është e 21-ta, Serbia e 26-ta dhe Mali i Zi i 44-ti.
Portieri i Milanit, Christian Abbiati, thotë se ia nuk pati një paraqitje të mirë në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Arsenalit, pavarësisht se bëri disa mbrojtje të shkëlqyeshme, përfshirë një shans të pastër të Robin Van Persiet.“Faleminderit shumë për komplimentet por mos e zmadhoni, pasi megjithatë kam pranuar tre gola. Gjëja më e rëndësishme është që kaluam në rundin e dytë, nuk kemi arritur në çerekfinale për shumë vite”.
“Në pauzë ne ishim të shqetësuar, ne e kishim humbur avantazhin e madh të cilin e kishim nga ndeshja e parë. Ne po e humbnim kualifikimin. Në pauzë ne shikuam në njëri-tjetrin dhe thamë se është e pamundshme të jetë më keq se kjo”.
“Në pjesën e dytë, Arsenali ishte dukshëm më i lodhur, ata ishin harxhuar pas mundit që dhanë në pjesën e parë”.
“Van Persie? Mbase ai më nënvlerësoi mua”, ka thënë Abbiatti.
Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, thotë se ata mbeten në një pozitë të fuqishme në garën për titull.Juve është vetëm tre pikë prapa Milanit, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar dhe një diferencë shumë më pozitive të golave.
“Pyetja ime është kjo – pse duhet të zemërohem për një kampanjë të jashtëzakonshme në ligë të cilën ne po e prodhojmë? Ndryshe nga kjo, ne mendojmë vetëm për të dhënë më të mirën nga vetja, mendojmë vetëm se si mund të japim gjithçka, unë së pari”.
“Deri tash, kjo përpjekje na ka mundësuar të jemi konkurrues sërish, të respektohemi në fushë sërish, të na e kanë frikën sërish, të gjejmë kundërshtarët të cilët japin 150 për qind për të na mposhtur neve, të gjejmë ekipet të cilat ende duan të na mposhtin”.
“Kjo është sepse ne kemi dhënë maksimumin, andaj nuk shoh arsye për depresion. Ne duhet të jemi shumë krenarë, shumë të fuqishëm dhe shumë të kënaqur me atë çfarë po bëjmë”, ka thënë Conte.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka gjetur kohë të lavdërojë paraqitjen e dy mesfushorëve, Alex Oxlade-Chamberlain dhe Tomas Rosickyt, në fitoren e mbrëmshme ndaj Milanit.Oxlade-Chamberlain bëri startin e parë në Ligën e Kampionëve dhe luajti në pozitën e mesfushorit të qendrës, që nuk është një pozitë natyrale për të.
“Për një djalosh i cili kurrë nuk ka luajtur në nivel të një mesfushori të qendrës, ai startoi në një ndeshje të Ligës së Kampionëve dhe ia doli mirë. Ai u lodh ca në pjesën e dytë pas lëndimit, dhe fitoi më pak topa se që bëri në pjesën e parë. Kur ai e merr topin, gjithmonë e dini se diçka mund të ndodhë”.
“Duhet t’i jap meritat Tomas Rosickyt. Ai ishte i jashtëzakonshëm edhe një herë. Në të gjitha këto ndeshje, ai ishte lojtari më me ndikim, dhe ai nuk i merr gjithmonë meritat për këtë, andaj do të doja ta shfrytëzoj këtë mundësi për t’ia dhënë meritat atij”, ka thënë Wenger.
Trajneri i Zenit St. Petersburg, Luciano Spalletti, thotë se skuadra më e mirë vazhdoi në çerekfinale, pas eliminimit nga Benfica në Ligën e Kampionëve.Skuadra ruse fitoi 3-2 në ndeshjen e parë, por u mposht me rezultat 2-0 në takimin e mbrëmshme duke u eliminuar nga gara.
“Benfica e meritoi të fitojë. Ne treguam shumë më pak se që tregojmë zakonisht. Ne nuk jemi mësuar të luajmë ndeshje të një rëndësie të tillë”.
“Benfica ishte thjesht më e mirë. Ne kemi një barrierë mentale e cila duhet të tejkalohet për të qenë në gjendje të tregojmë kualitetet tona të vërteta”.
“Ne u përpoqëm ta kontrollojmë ndeshjen në pjesën e dytë, krijuam shanse, por Benfica ishte më e mirë. Kampanja jonë në Ligën e Kampionëve ishte e shkëlqyeshme: ne treguam futboll të mirë në disa ndeshje. Sot kjo nuk ndodhi”, ka thënë Spalletti.
Menaxheri i përkohshëm i Chelseat, Roberto di Matteo, thotë se morali është i lartë pas fitores së tyre në Kupën FA nga Birmingham City.“Ne kishim një detyrë të vështirë sot duke marrë parasysh ndodhitë në disa ditët e kaluara dhe ishte e rëndësishme për ne të kalojmë në rundin e ardhshëm. Ne duhej ta bëjmë detyrën tonë sot”.
“A ishte një zgjidhje e mençur? Kjo nuk kishte të bënte me mençurinë. Ata ishin të gjithë në dispozicion. Ata e dinë cakun që ne duhet të arrijmë”.
“Ata janë lojtarë të mëdhenj për këtë klub. Ne kemi një skuadër dhe ne duhet ta shfrytëzojmë skuadrën. Ne duhet të përpiqemi të nxjerrim më të mirën nga këta lojtarë”.
“Ishte pyetja për ta freskuar ekipin ca, për t’i dhënë ca energji dhe këmbë të freskëta për një ndeshje si kjo. Ne duhej të luftonim sot”, ka thënë italiani.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, ka lavdëruar Arsenalin pas paraqitjes së mbrëmshme të Topçinjve në kuadër të Ligës së Kampionëve.Milani i mbijetoi presionit të Arsenalit dhe pavarësisht se humbi 3-0 arriti të kualifikohet me rezultat të përgjithshëm 4-3.
“Ne nuk mund të jemi të kënaqur, humbëm 3-0, ishim me fat. Ishte një ndeshje e vështirë, një rezultat i keq të cilin nuk e kemi pritur. Ne mund t’ia kishim dalë më lehtë”.
“Në prag të fillimit të ndeshjes askush nuk mendonte për një rikthim të tillë, por ata kanë besuar dhe u mungoi vetëm një gol”, ka thënë Ibrahimovic.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, thotë se nuk ka arritur t’i bëjë ballë presionit të ndeshjes ndaj Arsenalit dhe se i ka kaluar 20 minutat e fundit në dhomën e veshjeve.“Kam vuajtur shumë, si e gjithë skuadra. Isha i tmerruar, fatmirësisht frika kaloi dhe kualifikimi mbeti. Në futboll, këto gjëra ndodhin, në fund ne kaluam më tej me rezultat 4-3”.
“Pas mbrojtjes së Abbiatit nga Van Persie, mendova për zemrën time dhe dola në dhomën e veshjeve dhe nuk e kam parë pjesën e mbetur të ndeshjes. Pasi u shëtita në afërsi të banjës për 20 minuta, mirëmbajtësi erdhi dhe më tregoi se ne kishim mbijetuar”, ka thënë Galliani.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, mendon se krenaria e tyre është rikthyer pas fitores së mbrëmshme 3-0 ndaj Milanit, edhe pse ata u eliminuan nga Liga e Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 4-3.“Ne u rikthyem me një paraqitje të mirë sonte dhe jemi të zhgënjyer pasi ne e prekëm kualifikimin. Ne kishim shanse dhe nuk i shfrytëzuam, por ne ishim shumë afër. Mendoj se ne vuajtëm ca në pjesën e dytë fizikisht, pasi dhamë shumë në Liverpool”.
“Pastaj u lodhëm në mesfushë, ku nuk kishim opsione në karrigen rezervë dhe na vjen keq. Lojtarët bënë një paraqitje pa të meta, me një shpirt fantastik dhe ju vetëm mund t’i uroni ata”, ka thënë Wenger.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, është i paepur për të arritur në finalen e Kupës FA.Spurs sonte do të presin në White Hart Lane ekipin e ligës më të ulët, Stevenage, dhe kanë shanse të mira për të arritur në gjysmëfinale, pasi fituesi i këtij dueli do të presë në shtëpi Boltonin në çerekfinale të Kupës.
“Është një mundësi e madhe për ne. Ne jemi në shtëpi dhe mund të luajmë sërish në shtëpi në ndeshjen e ardhshme, andaj duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi që na është dhënë”.
“Do të doja të arrij në finale dhe të fitoj me Tottenhamin. Do të ishte mrekulli”, ka thënë Redknapp.
Pronari i Paris Saint Germain, Nasser Al-Khelafi, thotë se ai dëshiron ta blejë sulmuesin e Liverpoolit, Luis Suarez.Suarez ka kaluar një sezon jo aq të qëndrueshëm në Ligën Premier, me 10 gola në 34 paraqitje, por po ashtu edhe me suspendim prej tetë ndeshjesh për abuzim racial ndaj mbrojtësit të Manchester United, Patrice Evra.
“Ne vërtet po shikojmë në treg për sezonin e ardhshëm. Ne kemi caqe të qarta në mendjen tonë. Është e vërtetë se ne e dëshirojmë Luis Suarez dhe Gonzalo Higuain”.
“Një cak afatshkurtër është ta fitojmë Ligën e Kampionëve dhe ta gjejmë Messin e ri”, ka thënë Al-Khelafi për revistën franceze Extra Time.
Kaka ka ripërsëritur edhe njëherë se ai është duke menduar vetëm si të arrijë sukses me Real Madridin.Braziliani ishte në listën e shënuesve në fitoren ndaj Espanyol gjatë të dielës.
“Dua të qëndroj, jam shumë i sigurt. Nuk do të largohem pasi dua të arrij sukses këtu”, ka thënë Kaka.
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Federico Macheda, ka pohuar se dëshiron të luajë për Laizon në të ardhmen.“Do të dëshiroja të kthehem te Lazio në të ardhmen, gjithmonë e kam thënë këtë. Por, ende nuk e di të ardhmen time”.
“Kam një kontratë me Manchester Unitedin deri në vitin 2014, por në qershor do ta përfundoj huazimin dhe do të shohim”, ka thënë 20-vjeçari për Corriere Dello Sport.
Lojtari italian, i cili është i huazuar te Queens Park Rangers, e ka filluar karrierën te ekipi i të rinjve të Lazios.
Legjenda e Barcelonës dhe njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit Sandro Rossell, Carlos Rexach, beson se Pep Guardiola do ta nënshkruajë kontratën e re brenda disa javësh.Kontrata e Pep skadon në fund të sezonit aktual, ndërsa qe një kohë ai ka hezituar që të lidhet për një afat tjetër me Blaugranët, duke nxitur spekulime se planifikon të largohet.
Rexach, i cili ka qenë edhe trajner i Barcës, ka thënë për AS se kësaj zgjatje do t’i vijë fundi brenda këtij muaji.
“Mendoj se ajo çfarë po bën Pep, është analizimi i situatës. Ai dëshiron të analizojë dhe të ketë gjithçka nën kontroll, dhe kjo është krejt në rregull”, ka pohuar Rexach.
Blutë kanë shënuar fitore prej 2-0 kundër Birmingham Cityt për t’u kualifikuar në raundin e gjashtë të Kupës FA.Gjysma e parë e takimit të zhvilluar në stadiumin St. Andrew përfundoi pa gola.
Juan Mata i kaloi mysafirët në epërsi (54’), ndërsa pas një ore lojë, Raul Meireles e dyfishoi epërsinë.
Mata pati rast që ta ngritë edhe më shumë avantazhin, mirëpo dështoi të shënonte nga pika e bardhë (70’).
Është ky një fillimi i mbarë i Roberto Di Matteos si trajner i Chelseat që në raundin tjetër do të luajë kundër Leicester Cityt.
















