Barazim mes Juventus dhe Lazio në Kupën e Italisë

Unknown | Wednesday, January 23, 2013 |

Juventus dhe Lazio nuk japin asnjë orientim për skuadrën e parë finaliste të Kupës së Italisë. Kampionët e Serie A nuk mundën të shkonin më shumë se barazimi 1-1 në “Juventus Stadium”, duke bërë një hap pas në objektivat sezonale. Pjesa e parë nisi me vrullin e zakonshëm të të zotëve të shtëpisë por shumë shpejt, skuadra e Petkovic futi një marsh më shumë duke vendosur barazpeshën në fushë. 

Në minutat e fundit Conte mori një lajm të keq sepse Bonucci u largua nga fusha për një tërheqje muskulore, duke ia lënë vendin uruguajanit Caceres. Duhej të vinte minuta e 65-të që ndeshja të zhbllokohej me një gol të mbrojtësit Peluso, i cili shfrytëzoi më së miri goditjen e këndit për të kërcyer në ajër, duke kaluar në avantazh bardhezinjtë. Por kur nuk shënon, pëson, sepse Mauri kishte ruajtur një surprizë për Juventusin duke i shpëtuar markimit të De Ceglies brenda zonës dhe duke shënuar golin e barazimit. 

Me këtë barazim gjithçka mbetet e hapur edhe pse Lazio gëzon avantazhin e golit në fushën kundërshtare. Takimi i kthimit do të luhet pas një jave në “Olimpico” të Romës.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!