FIFA, linjë telefonike për denoncimin e korrupsionit

Ilir Tërstena | Saturday, January 26, 2013 |

Komiteti i Etikës i FIFA-s do të hapë nga muaji shkurt një linjë telefonike, në të cilën mund të denoncohen në mënyrë anonime çështjet e ndryshme të korrupsionit në futboll, si shitjet e ndeshjeve dhe bastet ilegale.

Ky ishte një prej vendimeve që mori komisioni, në mbledhjen e tij të parë, gjashtë muaj pas ngritjes së Komisionit të Etikës, si strukturë brenda FIFA-s.

Është i njëjti komision, ai që do të hetojë edhe rastet e përfolura të korrupsionit në caktimin e Botërorëve të Rusisë dhe Katarit, në vitet 2018 dhe 2022, përkatësisht.

“Nëpërmjet kësaj linje telefonike, FIFA do të hetojë çdo dyshim korrupsioni në mënyrë të imtësishme, duke shqyrtuar çdo fakt që mund të shërbejë si provë dhe dëshmi nga persona të përfshirë”, shkruhej në një komunikatë.

Në mënyrë që të inkurajojë demaskimin e aferave korruptive dhe basteve ilegale në futboll, FIFA është e gatshme që të ofrojë një amnisti në dënime, ndaj personave që informojnë instancat më të larta të futbollit botëror për çështje të ndryshme të dyshimta.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!