Lista e Kombëtares, jashtë Hyka, Salihi e Çani

Lina's | Thursday, January 24, 2013 |

Jashtë Hyka, Salihi e Çani, një vend në skuadër për Vajushin e Balën. Janë këto të rejat e mëdha të listës së trajnerit të kombëtares Xhani De Biazi për ndeshjen miqësore ndaj Gjeorgjisë, në program më 6 shkurt në Tiranë. Tekniku ka bërë disa ndryshime në ekip, duke tentuar të provojë sërish futbollistë të rinj. 

Burime nga stafi kuqezi bëjnë të ditur se De Biazi, përveç rezultatit, do të tentojë të testojë disa futbollistë të tjerë, duke qenë se në mars rifillojnë ndeshjet eliminatore të Botërorit 2010. Për Salihin, problem është fakti se ai nuk ka qenë në formë te D.C. Junajtid, ndërsa ka disa javë që nuk luan për shkak se kampionati amerikan ka përfunduar. Në vend të tij, De Biazi ka ndërmend t’i japë një shans Bekim Balës, që megjithë përfundimin e kampionatit çek në mesin e muajit dhjetor, ende nuk është provuar si një titullar i mirëfilltë në sulmin kuqezi. 

Sa i përket Jahmir Hykës, arsyet lidhen me faktin se ai ka pësuar një dëmtim tre ditë më parë dhe duket se nuk mund të rikuperohet në kohë. Por, është fakt se fantazisti kuqezi nuk e ka bindur asnjëherë trajnerin e përfaqësueses, i cili që pas ndeshjeve me Slloveninë dhe Islandën pati menduar ta lërë jashtë. “Nuk është ai që prisja, në fushë nuk ngjan fare nga ai që unë kam parë nëpër kaseta”, tha atëherë De Biazi, në një intervistë për “GSH”. 

Në vend të tij, trajneri i përfaqësueses do t’i besojë Armando Vajushit, një prej talenteve të futbollit shqiptar, por që në kombëtare ka luajtur shumë pak, për shkak edhe të konkurrencës që ka patur në këtë repart. Një tjetër emër që është lënë, është Edgar Çani. Sulmuesi sapo ka firmosur një kontratë me Katanian në Serinë A italiane, duke u ndihmuar pikërisht nga ndërmjetësimi i De Biazit. 

Por, Çani nuk ka luajtur pothuajse fare në fazën e parë me Polonian e Varshavës dhe për momentin nuk është në gjendje të luajë. “Kam nevojë për 20-30 ditë që të rigjej formën time dhe të përshtatem me grupin, – u shpreh sulmuesi i përfaqësueses shqiptare. 

– Për gjithçka dua të falënderoj sidomos trajnerët Franko Kolomba dhe Xhani De Biazi, që më kanë ndihmuar shumë në karrierën time. Për mua është një emocion i veçantë që mbroj ngjyrat e kombëtares time”, tha më tej Edgar Çani përpara gazetarëve italianë.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!