Moratti hap thesin, Inter blen të tjerë lojtarë

Unknown | Thursday, January 31, 2013 |

Interi vazhdon të bëjë merkato të suksesshme në këtë periudhë. Në këtë linjë, serbi Kuzmanovic është një emër “low cost” sepse mbërriti në “Pinetina” vetëm për 2.5 mln Euro, ndërsa Schelotto kërkon konfirmimin në një skuadër të madhe pas aventurës së suksesshme te Atalanta. 

Por blerja që i ngacmon të gjithë është talenti kroat Mateo Kovacic, për të cilin u paguan plot 11 mln Euro në arkën e Dinamos se Zagrebit. Në Kroaci janë të sigurt, mesfushori 18-vjeçar është një fenomen dhe e ardhmja e tij te Interi parashikohet në nivele të larta. Një prej korit të zërave që e shohin Kovacic si investim të zgjuar, është edhe ish sulmuesi i Milanit, Zvonimir Boban. 

Sipas ish bomberit kroat, Kovacic i ka të gjitha mundësitë dhe potencialin për të qenë më i mirë se ai. Boban shton se 18-vjeçari është një talent i pastër dhe mund të luajë si mesfushor qendre, sepse është i shpejtë dhe zotëron teknikë. Emri më i fundit që i shtohet listës së blerjeve është uruguaiani i Defensor Sporting, Laxalt. Gjithsesi, mesfushori amerikano-latin do të bashkohet me skuadrën vetëm gjatë muajve të verës sepse nuk ka pasaportë komunitari dhe Interi i ka prenotuar dy vendet e lojtarëve ekstrakomunitarë. 

Një tjetër emër në hyrje është edhe ai i portierit argjentinas të Lazios, Juan Pablo Carrizo, i cili do të ulet në stol për të mbrojtur krahët e titullarit Handanovic. Gardiani u transferua nga Roma në Milano për 250 mijë Euro sepse kontrata e tij me Lazion skadonte në fund të sezonit.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!