380 ndeshje të kurdisura, përfshirë edhe Ligën e Kampionëve!

Unknown | Tuesday, February 05, 2013 |


Bastet duket se janë bërë një “kancer” për futbollin. Në këtë konkluzion ka dalë Europoli, dhe kreu i saj Rob Wainwright, pas hetimit të kryer prej organizatës që ai drejton, ku kanë rezultuar plot 380 ndeshje, të cilat dyshohen si të kurdisura, në futbollin evropian.

Sipas asaj që deklaron shefi i Europolit janë identifikuar më shumë se 425 zyrtarë, futbollistë dhe kriminelë me emër në kontinent, të cilët janë përfshirë në kurdisjen e ndeshjeve në më shumë se 15 vende evropiane.
Por ajo që shqetëson sipas Wainright, i cili foli për këtë çështje në Hagë të Holandës, është fakti që mes ndeshjeve të dyshuara janë dhe ato të Ligës së Kampionëve dhe eliminatorëve për Kupën e Botës dhe Kampionatin Evropian.

Takimi i Ligës së Kampionëve, që dyshohet si i kurdisur nuk bëhet i ditur, por mësohet se ndeshja është luajtur në Angli, dhe ky është treguesi më i qartë, se bastet kanë shtrirë tashmë rrënjët dhe në vende me traditë në futboll, dhe për më tepër dhe në garat madhore siç është Liga e Kampionëve.

Gjermania është vendi me fluksin më të madh të ndeshjeve të dyshuara, si të kurdisura, që arrin deri në shifrën e 300 takimeve, ndërsa janë raportuar gjithashtu dhe 300 sfida të tjera dhe në kontinentin aziatik, atë amerikano jugor dhe afrikan. Hetimi përfshin periudhën nga viti 2008 në vitin 2011 dhe nga kurdisja e tyre mendohet se janë përfituar më shumë se 8 milion euro.

Për momentin, Shqipëria nuk është lakuar nga Europoli, por fakti që vetëm pak muaj më parë futbolli vendit tonë rezultoi si më i korruptuari në botë, të bën të mendosh që me shumë mundësi, nën hetim mund të kenë përfunduar edhe takime të Kategorisë Superiore apo Kupës së Shqipërisë. (ORAinfo)

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!