De Biasi: Miqësorja me Gjeorgjinë test për të rinjtë

Unknown | Tuesday, February 05, 2013 |

Përfaqësuesja e Shqipërisë do të luajë më 6 shkurt kundër formacionit gjeorgjian miqësoren e fundit në prag të eliminatoreve të Botërorit 2014 dhe të parën për këtë vit. Rezultati është i rëndësishëm vetëm për dozën e optimizmit që do të sjellë në skuadër, por më e rëndësishme për De Biasi është krijimi i një ideje të qartë për formën e futbollistëve. 

“Kjo ndeshje është e rëndësishme pasi vjen në një periudhë të vecantë të vitit. Shumë prej lojtarëve tanë luajnë në kampionate që kanë qëndruar pushim gjatë gjithë këtyre muajve të fundit dhe për këtë arsye unë dua të shoh gjendjen e tyre. Gjeorgjia nuk është një skuadër e njëjtë me Norvegjinë, me të cilën do të luajmë në eliminatore, por sigurisht është e vlefshme për të parë skuadrën”, thotë De Biasi. Në prag të sfidës me Gjeorgjinë, De Biasi duhet t’i bëjë llogaritë me dëmtimet e disa prej lojtarëve të rëndësishëm si Mavraj, Meha e Kukeli. 

Probleme edhe në sulm, ku shumë prej lojtarëve shqiptarë nuk kanë luajtur në skuadrat e tyre. “Çani nuk ka luajtur muajt e fundit, ashtu si Salihi. Unë duhet të mbështetem te Sadiku, që është një lojtar me potencial, por edhe i ri në moshë. Do të dëshiroja që futbollistët tanë të luanin më shumë”, vijon De Biasi. De Biasi ka grumbulluar 22 lojtarë për ndeshjen kundër Gjeorgjisë. Tekniku italian ka preferuar pesë futbollistë nga Superliga, ndërsa ka kthyer në skuadër Armando Vajushin dhe Bekim Bala.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!