Deçani ‘plaçkit’ Vëllaznimin

Lina's | Friday, February 01, 2013 |


Dikur ‘plaçkitnin’ Besën e Pejës, derisa tash Vëllaznimin e Gjakovës. Është skuadra e Ligës së Parë, Deçani, që pritet të realizojë përforcime tejet cilësore gjatë afatit kalimtar të dimrit që përfundon më 15 shkurt. Katër futbollistë të Vëllaznimit kanë rënë në ‘radarin’ e skuadrës së trajnerit Erdogan Celina.

Atdhe Gashi, Dardan Rogova, Shpat Tetrica e Ylber Myrta, në pranverë mund ta djersitin fanellën e Deçanit. Është kryetari i Kuvendit Komunal të Deçanit, Rasim Selmanaj, njëherësh edhe donatori kryesor i klubit, i cili ka konfirmuar interesimin për katërshen e klubit gjakovar.

“Për të gjithë këta futbollistë jemi të interesuar. Kemi zhvilluar biseda me ta. Madje, me disa prej tyre edhe kemi arritur një paramarrëveshje. Në ditët në vijim pritet t’i zyrtarizojmë si transfere”, u shpreh Selmanaj të enjten për ‘Sport’. Ai nuk ka dashur të zbulojë emrat se me kë kanë arritur paramarrëveshje, pasi sipas tij, gjithçka do të definohet në mbledhjen e kryesisë që do të mbahet të shtunën. “Të shtunën kemi një mbledhje me kryesinë e klubit dhe aty do të definojmë shumë gjëra, duke përfshirë këtu edhe përforcimet”, shtoi Selmanaj.

Nga ana tjetër, interesimin e Deçanit e ka konfirmuar edhe ish-kapiteni i Vëllaznimit, Atdhe Gashi. Megjithatë, ai pohon se deri më tash nuk ka asgjë konkrete. 

“Deçani ka shprehur interesim për shërbimet e mia. Deri më tash nuk ka asgjë zyrtare. Të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim”, theksoi Gashi. Lojtari nuk ka kontratë me Vëllaznimin dhe vështirë se do të luajë te kjo skuadër në pranverë, pasi gjakovarët nuk ia kanë plotësuar kushtet e kërkuara.

Tutje, i pari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, thotë se pritet të arrijnë një marrëveshje me Besën e Pejës për shkëmbim lojtarësh. “Pos lojtarëve të Vëllaznimit, ka edhe tjerë futbollistë që mund të vijnë të Deçani, kryesisht të Besës. Ne pritet të realizojmë një marrëveshje me këtë klub për shkëmbim lojtarësh”, deklaroi Selmanaj. Ndryshe, Deçanit i janë larguar Mensur Duraku, Fisnik Papuqi, Fisnik Gashi, Krenar Vokshi e Granit Çekaj. Katër të parët janë rikthyer te Besa, derisa Çekaj ka zgjedhur Drenicën. (ORAinfo)

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!