Mafia e futbollit e ka “kokën” në Singapor

Unknown | Wednesday, February 06, 2013 |

Një ditë pas skandalit që tronditi futbollin botëror me shifrat e publikuara nga Europol për trukimin e ndeshjeve, në dritë dalin detaje të tjera shokuese që tregojnë se sa i “sëmurë” është sporti më popullor në planet. Koka e këtij rrjeti të sofistikuar është në Singapor, vend ky ku kanë selitë disa prej kompanive më të mëdha të basteve. 

Sipas Agjensisë Europiane të Anti-Krimit, po heton 380 ndeshje të dyshuara si të trukuara në kontinentin e vjetër, por në të gjithë botën këto sfida janë 680. Sipas hetuesve ndeshjet janë luajtur nga viti 2008 deri në 2011, ndërsa shqetësimi më i madh që konfirmon fuqinë e organizatave kriminale të basteve të paligjshme, është se këto kanë arritur të trukojnë edhe sfida të kompeticioneve më të rëndësishme të futbollit si Liga e Kampioneve apo eliminatoret e Botërorit. Duke qëndruar në shifrat më të fundit, për të paracaktuar rezultatin e një ndeshjeje janë paguar deri në 100 mijë euro për futbollistët, arbitrat, zyrtarët e ndeshjeve dhe drejtuesit e klubeve. Por përfitimet nga bastet e paligjshme shkojnë në dhjetra milionë euro. 

Kjo gjë ka vënë në lëvizje FIFA-n, organizatën më të madhe të futbollit që qarkullon miliarda dollarë në zhvillimin dhe organizimin e kompeticioneve më të mëdha të këtij sporti. Kjo e fundit ka nisur bashkëpunimin me Interpol dhe Europol për të zbuluar dhe goditur organizatat kriminale që merren me bastet e paligjshme. Sipas hetuesëve vetëm vitin e shkuar, 1 trilion dollarë janë luajtur në bastet e futbollit, ndërsa në të gjithë botën njerëzit shpenzojnë 3 miliardë dollarë në ditë në baste.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!