Gjermania një pikë larg kualifikimit
Përfaqësuesja e Gjermanisë ka regjistruar fitore prej 3-1 si mysafir i Azerbajxhanit në kuadër të fazës kualifikuese për Euro 2012, ndërsa gjendet vetëm një pikë larg kualifikimit matematikor në Kampionatin e ardhshëm Evropian të futbolit.
Lojtari më i mirë në ndeshje, Mesut Ozil, kaloi mysafirët në epërsi (30’), ndërsa pa përfunduar pjesa e parë (41’), Mario Gomez dyfishoi epërsinë.
Një minutë pa përfunduar koha e rregullt e takimit, Murad Huseynov shënoi golin e nderit për vendasit. Ndërsa në minutat shtesë (90’+3), Andre Schuerrle shënoi golin e tretë për gjermanët.
Pas kësaj fitoreje, Gjermania ngritet në kuotën e 21 pikëve në Grupin A dhe ka dhjetë pikë më shumë se vendi i dytë që mbahet nga Belgjika dhe njëmbëdhjetë pikë më shumë se Turqia që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Në këtë mënyrë Gjermanisë i duhet vetëm edhe një pikë (ose nëse Turqia humb një pikë) që të kualifikohet në Euro 2012.
Category: Futboll
0 Komente