Arshavin dhe Eboue shënuan për t’i dhënë Arsenalit fitoren me rezultat 4-0 ndaj Blackburn Rovers, në ndeshjen e sotme të zhvilluar në Emirates Stadium, që barazon pikët me Aston Villën, duke marrë edhe vendin e katërt.
Topçinjtë kaluan në epërsi që në minutën e dytë të ndeshjes me anë të një autogoli të Andre Ooijer, pas një goditje të Andrei Arshavin.Pas një loje të mirë të Nicklas Bendtner, Theo Walcott u lirua në të djathtë për të asistuar më pastaj për sulmuesin rus. Megjithëse nuk arriti të regjistrojë në emirin e tij golin e parë, Arshavin ishte autori i golit të dytë të Arsenalit, në minutën e 65-të të lojës, që ishte edhe goli i parë i tij që kur u transferua në janar.Zëvendësuesi Emmanuel Eboue shënoi edhe dy gola të tjerë për topçinjtë në dy minutat e fundit të ndeshjes (88’ dhe 90’), për të vulosur fitoren e thellë.Me këtë fitore Arsenali ngjitet në pozitën e katërt të tabelës së Premierligës, me 52 pikë, sa ka edhe Aston Villa që zbret në pozitën e pestë, e që nesër do të presë në Villa Park ekipin e Tottenhamit.
Andrey Voronin ishte sërish hero për liderin e Bundesligës, Hertha Berlin, pasi shënoi golin e vetëm të fitores ndaj Bayer Leverkusen, gol që e mban katër pikë mbi ekipin e dytë ndjekës, Bayernin.
Voronin shënoi golin e fitores në minutat e hershme të pjesës së dytë (50’), megjithëse ishte një shënim me shumë fat, meqë topi shkoi në rrjetë nga kraharori i tij, pasi portieri Adler më herët kishte mbrojtur goditjen e tij të parë.Bayern Munich po ashtu ka shënuar fitore në udhëtim tek Bochum, me rezultat 3-0. Golat për bavarezët i shënuan Ze Roberto (32’), Lahm (60’) dhe Demichelis (90’).Lukas Podolsky humbi një penalti në minutën e 50-të të ndeshjes, ndërsa vendasit po thuajse gjithë pjesën e dytë e kanë zhvilluar me dhjetë lojtar, pas përjashtimit të Pfertzel.Me këtë fitore Hertha mbledh 49 pikë, ndërsa Bayern Munich dhe Wolfsburg ndjekin me nga 45 pikë. Hoffenheim që barazoi në fushë të Eintracht Frankfurtit tash mbledh 43 pikë, ndërsa Hamburg grumbullon 42 pikë, dhe nesër do ndeshet me Energie Cottbus.
Liverpooli ka shënuar fitore të lartë në supersfidën e javës së 29-të të Ligës Premier kundër kampionëve të Manchester United, për të rikthyer shpresat për t’u shpallur kampion.
Derbi i zhvilluar të shtunën në Old Trafford ndërmjet Manchester Unitedit dhe Liverpoolit, ka përfunduar me fitoren e skuadrës mysafire, me rezultat prej 4-1.

Pjesa e parë

Manchester United e filloi mirë takimin duke qenë skuadra e parë e cila krijoi avantazhin. Një ndërhyrje të gabuar të portierit mysafir Pepe Reina, gjyqtari i ndeshjes e dënoi me penallti. Ndërsa i pagabueshëm nga pika e bardhë ishte, portugezi Cristiano Ronaldo (23’). Pesë minuta më vonë (28’), një gabim të mbrojtësit serb, Nemanja Vidic, e shfrytëzoi sulmuesi spanjoll Fernando Torres, i cili solli baraspeshën në Old Trafford. Pa përfunduar pjesa e parë (44’), Patrice Evra e ndali në mënyrë të parregullt kapitenin e Liverpoolit, Steven Gerrard, brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit, ndërsa penalltinë e akorduar në favor të Të Kuqve, simboli i Liverpoolit e shndërroi në gol, duke çuar skuadrën e tij në pushim me një gol avantazh.

Pjesa e dytë

Në pjesën më të madhe të gjysmës së dytë, vendasit ishin kërkues të golit të barazimit, duke bërë presion të vazhdueshëm ndaj portës kundërshtare, ndërsa loja zhvillohej në gjysmëfushën e Liverpoolit. Megjithatë, këtë presion të kampionëve e ndërpreu mbrojtësi serb Vidic, i cili bëri një ndërhyrje të gabuar ndaj Steven Gerrad, derisa ishte lojtari i fundit në mbrojtje, dhe u përjashtua me karton të kuq (76’). Goditja e dënimit që e shkaktoi fajtori kryesor i United, përveçse e përjashtoi atë nga ndeshja, u shndërrua edhe në gol, pasi që Fabio Aurelio e mposhti portierin Va nder Sar me një gjuajtje të bukur (77’). Me një lojtar më pak në fushë, Manchesteri nuk mund të bënte asgjë, ndërsa Liverpooli shënoi edhe golin e katërt (90’) me anë të mbrojtësit të inkuadruar në pjesën e dytë, Andrea Dossena. Me këtë fitore, Liverpooli ringjalli shpresat për garën drejt titullit kampion të Ligës Premier, pasi që tani është vetëm katër pikë pas Manchester Unitedit.
Mesfushori kosovar i Olimpique Marseille, Lorik Cana, do të jetë plotësisht i gatshëm për t’i shërbyer kombëtares shqiptare më 28 mars, në sfidën përballë Hungarisë.
Cana është rikuperuar nga dëmtimi në gju dhe pritet të jetë një prej lojtarëve kyç në takimin që do të luhet në stadiumin “Qemal Stafa”. Pas ndeshjes në Kupën UEFA kundër Ajaxit, u krijua përshtypja se 25-vjeçari kishte sërish probleme fizike, edhe sepse ai u aktivizua vetëm 45 minuta në fitoren 2-1 të Olimpique Marseille. Megjithatë, Cana ka hedhur poshtë çdo dyshim, duke deklaruar se aktivizimi vetëm për një pjesë loje ishte i llogaritur. “Nuk jam dëmtuar, por së bashku me stafin teknik preferuam të mos rrezikonim, pasi ishim duke fituar. Jam ende në fazë rikuperimi dhe ndihesha pak i lodhur, sepse nuk është e thjeshtë të luash një ndeshje në tre ditë pas dëmtimit”, ishin fjalët e zv/kapitenit kuqezi. “Duke parë rrjedhën e lojës kundër holandezëve, vlerësuam se nuk i nevojitesha më skuadrës. Për më tepër që nuk duhej të mbingarkohesha, pasi të dielën kemi një sfidë shumë të rëndësishme, siç është ajo me PSG-në”, ka shtuar shqiptari,. Kundër Hungarisë, në dispozicion të ekipit do të jetë edhe kapiteni Altin Lala, i cili është kthyer në nivelet optimale fizike dhe kjo konfirmohet prej faktit se ai është grumbulluar me ekipin e parë të Hanoverit për sfidën e sotme me Borusian e Dortmundit.
Sulmuesi i Bayern Munichut, Luca Toni, ka folur për perspektivën e skuadrës së tij në Ligën e Kampionëve këtë sezon, duke thënë se favoritët kryesorë për ta ngritur trofeun janë Manchester United dhe Barcelona.
“Cilët janë favoritët? Mendoj se Manchester United dhe Barcelona janë një hap para të gjitha skuadrave tjera”. “Është normale se ne shpresojmë ta fitojmë Ligën e Kampionëve, por do të jetë shumë vështirë. Megjithatë ne do të mundohemi dhe do të shohim se çka do të ndodhë”. “Ne nuk jemi favoritë për t’u shpallur kampionë, por do t’i bëjmë të gjitha skuadrat të vuajnë, dhe pastaj do ta shohim suksesin tonë”, ka thënë për “SkySport24”, Luca Toni, njëri nga lojtarët e paktë italianë që kanë mbetur në Ligën e Kampionëve.
Mbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand, thotë se bashkëlojtari i tij Ryan Giggs meriton të shpallet lojtari i vitit në Ligën Premier.
Veterani i United, i cili këtë vit po luan në një pozitë më ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shohim, ka marrë shumë lëvdata këtë sezon, sidomos për ndeshjet e Ligës së Kampionëve kundër Interit. “Paraqitjet e Giggsit kundër Interit kanë qenë më të mirat se të cilitdo lojtar të Unitedit këtë sezon. Me lojën e tij ai dëshmoi se vazhdon të mbetet lojtar i rëndësishëm për skuadrën”. “Giggs ndoshta nuk luan në çdo ndeshje, por atëherë kur luan ai jep gjithçka për klubin”. “Sipas meje, ai është në nivel të njëjtë me Nemanja Vidicin (lojtari i cili konsiderohet pretendenti kryesor për t’u shpallur lojtari më i miri i sezonit në Ligën Premier), në garën për t’u shpallur lojtar i vitit. Giggsi është legjenda e Manchester Unitedit”, ka thënë mbrojtësi anglez.
Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka deklaruar se skuadra e Barcelonës është favorite për ta fituar Ligën e Kampionëve këtë sezon. Topçinjtë e kanë siguruar çerekfinalen e Ligës së Kampionëve duke eliminuar Romën pas penalltive, ndërkohë trajneri francez pohon se nëse Arsenali dëshiron ta fitojë trofeun Ligës së Kampionëve këtë sezon, atëherë duhet t’i mposhtë Blaugranët, të cilët i konsideron favoritë për t’u shpallur kampionë të kësaj gare. “Barcelona është favorit sepse zhvillon lojën më bindëse në Evropë dhe ata kanë arritur të shënojnë shumë gola. Prandaj është e kuptueshme se shumica e ekspertëve i konsiderojnë ata si favoritë”, ka thënë Wenger.
David Trezeguet i ka sjellë probleme vetes me komentet e fundit në adresë të trajnerit të Juventusit, Claudio Ranieri, pasi që bardhezinjtë tani janë duke menduar për shitjen e sulmuesit francez.
Trezegol e kishte kritikuar Ranierin për shkak të zëvendësimit të tij në ndeshjen kthyese të Ligës së Kampionëve kundër Chelseat, ndërsa trajneri ka deklaruar se është ndjerë i tradhtuar nga lojtari i tij. Gazeta torineze “Tuttosport” njofton se gjërat janë përkeqësuar deri në pikën e fundit, kështu që Bianconerët planifikojnë shitjen e Trezeguet në fund të sezonit, për të lënë vend për ardhjen e lojtarëve të rinj. Njëra nga arsyet që Juventusi mbështet vendimin e Ranierit, është paga e lartë që merr Trezeguet (4 milionë euro në sezon), derisa kohëve të fundit është përfshirë shumë pak në planet e skuadrës bardhezi. Ekipi që është i parë në radhë për transferimin e Trezegol, është Olympique Lyonnais.
Sulmuesi i ri i Milanit, Alexandre Pato, ka dhënë disa komente mjaft ambicioze duke thënë se sezonin e ardhshëm Rossonerët do ta fitojnë garën më prestigjioze të futbollit evropian për klube, Ligën e Kampionëve.
“Milani ka fituar gjithçka në të kaluarën. Tifozët dhe kritikët janë mësuar ta shohin Milanin vetëm duke fituar. Por është normale që nganjëherë të kalohet nëpër periudha krize”. “Sido që të jetë, unë jam i sigurt se sezonin e ardhshëm do të luajmë në Ligën e Kampionëve dhe do ta fitojmë atë. Do të fillojmë një cikël të ri”, ka thënë braziliani për “La Gazzetta Dello Sport”.
LeBron James ka shënuar 51 pikë për të udhëhequr ekipin e tij Cleveland Cavaliers të shënojë fitore 126-123 në kohën shtesë ndaj Sacramento Kings.
James bëri më të mirën që mundi në këtë ndeshje, duke shënuar 16 pikë vetëm në çerekun e katërt. Ai kontribuoi edhe me nëntë asistime. Anderson Varejao ka shënuar 18 pikë dhe 12 kërcime për Cleveland, që u ndihmuar edhe me 12 pikë nga Wally Szczerbiak dhe 10 tjera nga Mo Williams. Kevin Martin shënoi 34 pikë për Sacramento derisa Bobby Jackson dhe Jason Thompson secili kontribuoi me nga 19 pikë dhe Will Solomon me 18.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, thotë se Manchester United është superior ndaj ekipit të tij vetëm për shkak të parave.
“Ndryshimi mes nesh, ndoshta është 100 milionë funtet që shpenzohen për lojtarët dhe një stadium i madh. Për të kapërcyer këtë ndryshim ne duhet të bëjmë çdo gjë në mënyrë të përkryer”, thotë Benitez. “Duhet të jemi të bashkuar, nuk duhet të bëjnë shumë gabime në nënshkrimin e lojtarëve apo drejtimin e klubit. E njëjta gjë vlen edhe për ekipin tim dhe për përzgjedhjen e lojtarëve, gjatë një loje. Ajo duhet të jetë e përkryer”. "Sir Alex ka një grup shumë të mirë lojtarësh dhe një klub të madh, që është në të vërtetë ajo që e krijon dallimin. Ka një ndryshim të madh në mesin e dy klubeve dhe skuadrës së tyre. Lojtarët, rekordet e transferimeve, pagat, ka një dallim të madh. Problemi është se këtë sezon ne kemi qenë aq afër, aq lartë për kaq gjatë, sa pritjet ishin shumë të larta", shton më tej Benitez.
Trajneri i kombëtares së Argjentinës, Diego Maradona, ka porositur sulmuesin Hernan Crespo të largohet nga Interi.
Maradona do të marrë parasysh mundësinë e përfshirjes së Crespos në Kupën Botërore, vetëm nëse sulmuesi veteran luan rregullisht. “I kam thënë atij se nëse ai e lë Interin në qershor, atëherë unë do ta thërrasë atë në ekipin kombëtar, por gjithsesi është e vështirë për mua nëse ai nuk do të luajë", tha Maradona.
Yjet e Manchester United do të kenë mundësinë të fitojnë nëntë milionë euro, nëse ata arrijnë të fitojnë të pesë trofetë këtë sezon, shkruan The Sun.
Ky është një bonus shtesë në ofertë, nëse klubi i fiton të pesë garat këtë sezon, ndërsa disa prej yjeve do të mund të fusin në xhep 400 mijë funte. Ky bonus është vendosur para se sezoni të fillonte dhe përfshin pagesa të ndara për secilin trofe të fituar. Lojtarët e United tashmë kanë fituar nga 85 mijë funte shtesë për dy trofetë e fituara, Kupën Carling dhe Kupën Botërore të Klubeve. Fitoret në Premierligë dhe Ligën e Kampionëve do ta çojnë këtë shumë në 200 mijë funte. Ndërsa nëse Djajtë e Kuq fitojnë edhe Kupën FA më 30 maj, në buxhetin e lojtarëve do të shtohen edhe nga 65 mijë funte. United po ashtu do të paguajë lojtarë të veçantë në varësi prej kontributit të tyre në secilën garë.