e martë, 21 shkurt 2012

Mourinho: As i lumtur as i pikëlluar

Përkundër barazimit 1-1 ndaj CSKA Moskës, trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, nuk është i shqetësuar.

Ai ka thënë për AS se Los Blancos është dashur të shënonin së paku edhe një gol, megjithatë ka pohuar se edhe barazimi “nuk është rezultat i keq”.

“Nuk jam i lumtur, por as i pikëlluar. Kjo nuk është një dramë”.

“Ne e bëmë të njëjtën në vitin e kaluar në Lyon dhe megjithatë u kualifikuam në çerekfinale. Ne mund të fitojmë në shtëpi”, ka deklaruar portugezi.

Chepchugov: Edhe lojtarët e Realit janë njerëz

Portieri i CSKA Moskës, Sergei Chepchugov, beson se skuadra e tij ka gjasa të barabarta me Real Madridin për t’u kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Dy skuadrat barazuan me rezultat 1-1 në Luzhniki Stadium, ndërsa edhe pse ndeshja e kthimit zhvillohet në Santiago Bernabeu, Chepchugov beson se ekipet janë në të njëjtin nivel sa i përket mundësisë së vazhdimit tutje.
“Ronaldo, Kaka dhe lojtarët tjerë të Real Madridit janë vetëm njerëz; ne gjithmonë kemi pasur gjasa 50-50 dhe akoma kemi”.
“Ne do të shkojmë dhe do të jemi të fortë në ndeshjen e kthimit. Ne nuk do të luajmë vetëm për ta mbrojtur golin tonë”, ka thënë Chepchugov.

Adebayor shpreson të luajë ndaj Arsenalit

Sulmuesi i Tottenhamit, Emmanuel Adebayor, ka njoftuar se është kthyer në stërvitje dhe shpreson të luajë të dielën ndaj ish-skuadrës së tij, Arsenal, në kuadër të derbit londinez.

Togolezi është lënduar në stërvitje dhe ishte në dyshim për t’u paraqitur, mirëpo duket se ai do të jetë në dispozicion të Harry Redknapp për udhëtimin në Emirates.

“Porsa i përfundova stërvitjet, jam shumë i lumtur me progresin, gjuri po duket shumë më mirë. Po punoj në fitnesin tim për të dielën”, ka shkruar Adebayor në Twitter.

Napoli vazhdon të befasojë (VIDEO)

Me rezultat prej 3-1, Napoli e ka mposhtur Chelsean në takimin e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve, të zhvilluar të martën mbrëma në Stadio San Paolo.

Vendasit bënë një paraqitje mahnitëse në gjysmën e parë duke dominuar tërësisht, mirëpo ishin mysafirët ata që shënuan të parët.Një gabim të Paolo Cannavaros, e shfrytëzoi Juan Mata për t’i kaluar Blutë në epërsi (27’).
Mirëpo, fuqia e vendasve u dëshmua me anë të Ezequiel Lavezzit, i cili pranoi një top nga Edinson Cavani dhe me një gol të bukur e barazoi rezultatin (38’).Në minutat shtesë të pjesës së parë (45’+3), Gokhan Inler dërgoi një krosim të jashtëzakonshëm drejt Edinson Cavanit, i cili nuk fal.
Në gjysmën e dytë, mysafirët tentuan të ktheheshin në lojë, mirëpo këtë nuk e lejoi skuadra italiane.Ishte sërish dyshja, Edinson Cavani dhe Ezequiel Lavezzi, që ndërtuan golin e tretë. Uruguaiani e bëri të gjithë punën dhe ia pasoi topin argjentinasit, i cili nuk e pati të vështirë ta realizonte golin e dytë personal në këtë ndeshje (65’).
Epërsia e napolitanëve ka mundur të jetë edhe më e lartë, mirëpo fati ishte në anën e Chelseat.
Ky rezultat e favorizon lehtësisht Napolin për të vazhduar tutje, megjithatë gjithçka është e hapur kur dihet emri i rivalit, i cili mund të përmbysë gjithçka në Stamford Bridge.

United nuk ka bërë ofertë për Javi Garcian

Mesfushori i Benficas, Javi Garcia, nuk ka marrë kurrfarë oferte nga Manchester Unitedi- ka thënë agjenti i lojtarit.

24-vjeçari kërkohet nga skuadrat e mëdha evropiane, ndërsa Unitedi dhe Milani janë më të interesuar.

Madje, Daily Mirror raportoi të hënën se agjenti i Garcias ishte në bisedime me Djajtë e Kuq që ai të kalojë në Old Trafford gjatë verës.

“Nuk mund të them asgjë, askush nuk ka folur me mua. Nuk ka oferta, vetëm spekulime”, ka thënë agjenti Manuel Garcia Quillon për TSF.

Reali barazon në Moskë

Real Madridi ka barazuar me rezultat 1-1 si mysafir i CSKA Moskës, në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve.

Në një mot të ftohtë në Olimpiyskiy stadion Luzhniki, Mbretërit arritën të shënojnë një gol në pjesën e parë, mirëpo në fund të fraksionit të dytë vendasit e barazuan rezultatin.

Pas një mbrojtjeje të dobët të rusëve, Cristiano Ronaldo i kaloi mysafirët në epërsi (28’), ndërsa ky ishte goli i 36 sezonal në të gjitha garat për superyllin portugez.

Në minutat shtesë të ndeshjes, Pontus Wernbloom nuk e lejoi CSKA-në që të dalë e humbur nga stadiumi Luzhniki (90’+3).

Natyrisht se ky rezultat e favorizon Real Madridin për t’u kualifikuar në çerekfinale, kur dihet që ndeshjen e kthimit e zhvillon para tifozëve të vet.

Xavi nuk mendon për zëvendësimin e Guardiolas

Mesfushori i Barcelonës, Xavi, ka thënë se asnjëherë nuk ka menduar për t’ia zënë vendin Pep Guardiolas, as tash e as në të ardhmen. Ai është i fokusuar tërësisht në karrierën si futbollist aktiv.

Kontrata e Guardiolas skadon në fund të sezonit aktual dhe derisa ai po heziton ta vazhdojë atë, vazhdimisht po përmenden emra që mund t’ia zënë vendin.

“Më lini të luaj. Madje as që mendoj për atë (të jem trajner)”.

“Ndjehem si futbollist, unë nuk kam as licencë të trajnerit. Dua të luaj për shumë vite, derisa trupi im të jetë i qëndrueshëm”, u ka thënë Xavi gazetarëve.

Për më shumë, mjeshtri i mesfushës beson se trajneri i Barcës nuk do të largohet nga Camp Nou.

Drogba e Torres në stol

Trajneri i Chelseat, Andre Villas-Boas, ka zgjedhur një formacion startues pa dyshen e sulmit, Fernando Torres apo Didier Drogba, për takimin e të martës mbrëma ndaj Napolit në kuadër të Ligës së Kampionëve- shkruan La Gazzetta dello Sport.

Sipas gazetës italiane, Blutë do të luajnë me formacionin 4-3-3, ndërsa ajo që bie në sy është mungesa e dy sulmuesve të përmendur në formacionin bazë.

Gary Cahill dhe John Terry do të jenë në qendër të mbrojtjes, të mbështetur nga mbrojtësit e krahut, Branislav Ivanovic dhe Ashley Cole.

Mesfusha do të përbehet nga treshja, Michael Essien, Raul Meireles dhe Frank Lampard.

Në fazën ofensive, si anësorë do të luajnë Juan Mata dhe Ramires, ndërsa Daniel Sturridge do të jetë në qendër të sulmit.

Enrique kërkon qëndrimin e Guardiolas

Trajneri i Romës, Luis Enrique, shpreson që Pep Guardiola të vazhdojë drejtimin e Barcelonës edhe në sezonin e ardhshëm.

Të dy trajnerët kanë qenë bashkëlojtarë te Blaugranët gjatë viteve 1996-2001, duke fituar dy tituj të Spanjës, një Kupë të Mbreti dhe një trofe të Kupës UEFA.

“E ardhmja e Guardiolas? Dua që ai të vazhdojë për të dhe për klubin”.

“Ai është shumë i mençur, është katalunas dhe e bart në vete shpirtin e Barcës, megjithatë duhet të vendosë për të ardhmen dhe ta tregojë atë me qartësi”, citon Sport.es fjalët e Luis Enriques.

Klitschko dëshiron ta nokautojë Chisoran

Kampioni i botës në versionin WBC, Vitali Klitschko, ka thënë se mund t’i ofrojë revansh Dereck Chisoras, të cilin e mposhti të shtunën në Munih.

Ukrainasi fitoi me pikë pas 12 raundesh, mirëpo kjo nuk e kënaq atë, sepse dëshiron ta nokautojë.

“Arsyeja më thotë se nuk duhet t’i ofroj revansh Chisoras. Por, egoja nuk më lejon që ta lë atë njeri pa ndëshkimin e vërtetë”.

“Dua ta nokautoj. Ende kemi çështje të pazgjidhura”, ka thënë Klitschko për Die Welt.

Maradona: E admiroj Mourinhon, por nuk e dashuroj

Trajneri i Al Wasl, Diego Maradona, e ka quajtur Jose Mourinhon si trajnerin më të mirë në botë.

“E admiroj Mourinhon. Si njeri, si trajner dhe menaxher dhe si psikolog. Për mua ai është më i miri. Mourinho mund ta kthejë një monedhë në trëndafil dhe kjo ashtë arsyeja për diferencën e madhe në joshjen time për të”.

“Nuk jam i dashuruar në të ose diçka e ngjashme, por ai është një djalosh i jashtëzakonshëm”.

“Pep është një njeri i mrekullueshëm. E njoh Guardiolën shumë mirë, por ndoshta ai nuk ka aq shumë merita sa ka lojtarë impresiv. Por, le të mos harrojmë se Pep është shumë i ri dhe ai ka një karrierë të shkëlqyeshme përpara”, ka thënë Maradona.

Schweini për pak sa nuk u kthye në basketbollist

Trajneri i skuadrës së basketbollit të Bayern Munichut, Dirk Bauermann, ka zbuluar se ylli i futbollit Bastian Schweinsteiger për pak sa nuk ka luajtur për skuadrën e tij sezonin e kaluar.

Në autobiografinë e tij që do të publikohet së shpejti, ish-trajneri i kombëtares gjermane në basketboll ka shpjeguar se Shweini kishte qenë si opsion për t’u përfshirë në skuadër pasi ata fituan promovimin në ligën e parë të basketbollit. Por frika për ndonjë lëndim të mundshëm kishte penguar këtë aventurë të tij”.

“Shtatë ndeshje para fundit të sezonit, në mars të vitit 2011, ne siguruam promovimin në Bundesligën e Basketbollit, me pesë ndeshje të mbetura në kampionat”.

“Në fakt, Bastian Schweinsteiger mund të kishte luajtur për ne në atë kohë. Do të ishte shumë kënaqësi. Por mbi të gjitha, kjo tregon si funksionon Bayern: pas vetëm disa muajsh kishte një raport të ngushtë në mes të futbollistëve dhe basketbollistëve”, ka shkruar Bauermann, raporton Bild.

Capello nuk është i interesuar për Chelsean?

Fabio Capello raportohet se nuk është i interesuar të drejtojë Chelsean.

Daily Mail shkruan se ish-përzgjedhësi i përfaqësueses së Anglisë në futboll është duke u menduar nga Roman Abramovich nëse ai humb durimin në Andre Villas-Boas.

Por Abramovichit i është thënë se Capello nuk do të ishte i interesuar për një pozitë afat-shkurtër.

Vettel më i shpejti në Barcelonë

Sebastian Vettel ka shënuar kohën më të shpejtë në testin e sotëm, të dytin për para-sezonin 2012, të Formula 1 në Barcelonë.

Një xhiro e vonshme nga kampioni në fuqi ka nxjerrë Red Bull RB8 si veturën më të shpejtë në këtë seancë, me Force India dhe ngasësin Nico Hulkenberg, i cili ishte më i shpejti shumicën e kohës, që ra në pozitën e dytë.

Lewis Hamilton përfundoi i treti në listën e më të shpejtëve. Ai ishte më pak se çerek sekonde më i ngadalshëm se Vettel.
Ngasësi i Toro Rossos, Daniel Ricciardo, ishte i katërti, derisa Fernando Alonso me Ferrarin e tij arriti kohën e pestë më të mirë.

Michael Schumacher, që drejtoi Mercedes' W03 për të parën herë në këto testime, ishte pesë të qindtat më i ngathtë se Alonso në pozitën e gjashtë.

1. Sebastian Vettel - Red Bull 1:23.343 (38)
2. Nico Hulkenberg - Force India 1:23.440 (47)
3. Lewis Hamilton - McLaren 1:23.590 (45)
4. Daniel Ricciardo - Toro Rosso 1:23.618 (45)
5. Fernando Alonso - Ferrari 1:24.100 (37)
6. Michael Schumacher - Mercedes 1:24.150 (42)
7. Sergio Perez - Sauber 1:24.219 (29)
8. Bruno Senna - Williams 1:26.188 (56)
9. Romain Grosjean - Lotus 1:26.809 (7)
10. Heikki Kovalainen - Caterham 1:27.537 (9)
11. Charles Pic - Marussia 1:29.248 (65)

Shaqiri ngacmon Heynckes: Do të shënoj gol

Mesfushori i Baselit, Xherdan Shaqiri, mezi pret ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve kundër skuadrës së tij të ardhshme, Bayern Munich.
Shqiptari me nënshtetësi zvicerane në fund të sezonit do të largohet nga klubi zviceran për t’iu bashkuar gjigantit nga Bundesliga, të cilin e quan si klubin më të mirë në Gjermani.

“Bayerni është favorit, ata do të vijnë në Basel për të fituar. Ata do të luajnë shumë më ndryshe nga ajo çfarë bënë së fundi kundër Freiburg. Bayern është, dhe për mua mbetet, klubi më i mirë në Gjermani”, ka thënë Shaqiri për Bild.

Anësori kosovar së fundi ka folur në telefon me trajnerin e Bayernit, Jupp Heynckes, dhe nuk e ka lëshuar mundësi për të diskutuar rreth ndeshjes së të mërkurës.

“E kam pyetur nga Z. Heynckes: ‘A do të zemëroheshe nëse shënoja kundër Bayernit’? Ai qeshë pastaj bëri një shaka për këtë. Ishte një bisedë e këndshme”, ka shtuar Shaqiri.

Cavani: Ta shkatërrojmë futbollin anglez

Ylli i Napolit, Edinson Cavani, dëshiron “ta shkatërrojë” futbollin anglez duke eliminuar Chelsean nga Liga e Kampionëve.
Ndryshe nga vitet tjera, këtë sezon Chelsea është vetëm klubi i dytë anglez që ende është duke garuar në garën evropiane këtë sezon, pavarësisht se po kalon një fazë të vështirë në kampionatin anglez. Por Cavani mendon se suksesi i Chelseat nuk do të zgjasë shumë.

“Është një shans i madh për ne ta shkatërrojmë futbollin anglez. Ata kanë një reputacion aq të madh, por këtë vit ata kanë dështuar dhe ne synojmë t’i bëjmë gjërat më keq për klubet angleze, duke mposhtur Chelsean”.

“Nuk kemi frikë nga Chelsea, andaj jemi të bindur se mund ta eliminojmë edhe skuadrën e fundit angleze. Ne nuk themi se do të jetë e lehtë, por, me mënyrën se si luajmë, jemi shumë optimist”.

“Ne jemi në pozitën e gjashtë në Serie A, por jemi në formë të mirë dhe do ta dëshmojmë këtë në fushë”, është zotuar Cavani.

Prej klubeve angleze në Ligën e Kampionëve është duke garuar edhe Arsenali, që mori një goditje javën e kaluar duke u mposhtur 4-0 nga Milani.

Ramires vazhdon kontratën me Chelsean

Ramires raportohet se ka arritur marrëveshje për të nënshkruar marrëveshje të re me Chelesan.=
Ai ka vazhduar kontratën me Blutë edhe për tre vite të tjera dhe tash do të qëndrojë në Stamford Bridge deri në vitin 2017.

Mesfushori brazilian iu bashkua Bluve nga Benfica për 18 milionë funte në gusht të vitit 2010. The Sun po ashtu raporton se 24-vjeçarit i janë dhënë edhe kushte më të mira financiare.

Rose rikthehet fuqishëm

Derrick Rose ka treguar një ndikim të menjëhershëm pas rikthimit të tij në skuadrën e Chicago Bulls, pasi MVP i sezonit të kaluar shënoi pikët më të larta të ndeshjes, 23, për të ndihmuar ekipin të fitojë 90-79 ndaj Atlanta Hawks.
Rose mungoi në pesë ndeshje të njëpasnjëshme për shkak të një spazme në shpinë, por tregoi pak pasoja të saj, duke ndihmuar edhe me gjashtë asistime dhe pesë kërcime.

Fitorja ishte e 12-ta në 14-të ndeshje për Bulls dhe e mban ekipin në maje të tabelës së Konferencës Lindore, derisa Atalanta, e gjashtë në tabelë, humbi për të shtatën herë në 10 ndeshje.

Carlos Boozer shënoi 16 pikë të tjera për Bulls derisa Rooney Brewer kontribuoi me 13 pikë. Te Hawks më i sakti ishte Jannero Pargo me 19 pikë.

Vieira tall Man United: City më i mirë se ju

Ambasadori i Manchester Cityt, Patrick Vieira, ka gjetur kohë për të tallur rivalin lokal, Manchester United.
“Te Arsenali ne besonim në vete dhe fituam titullin – dhe e shoh të njëjtin besim këtu në lojtarët te City”.

“Kur shikoni në skuadrën tonë dhe se si kemi luajtur që nga fillimi i sezonit dhe shikoni se si ka luajtur United, është fakt se ne jemi më të mirë se ata”.

“Alex Ferguson e di si ta fitojë ligën më mirë se çdokush tjetër, por unë besoj se ne kemi lojtarët, menaxherin dhe dëshirën për ta fituar titullin”, ka thënë francezi.

Obi Mikel: Nuk mund të lejojmë të jemi jashtë katërshes

Mesfushori i Chelseat, John Obi Mikel, thotë se Chelsea nuk mund të lejojë të mos luajë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Chelsea aktualisht është duke luftuar me Arsenalin për pozitën e katërt.

“Ne duhet të përfundojmë në top katërsh – gjithçka më pak do të ishte tmerr”.

“Kjo do ta lehtësojë presionin në ne për të shikuar përpara për një sezon më të mirë, ku ne mund të mendojmë për të fituar titullin”, ka thënë 24-vjeçari.

Mourinho i kënaqur me formën e Benzamas

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, është i ngazëllyer me formën që po kalon Karim Benzema këtë sezon.
“Nuk më pëlqen të flas për lojtarët në mënyrë individuale, por Benzema është duke punuar mirë për skuadrën. Loja e tij është përmirësuar, ai shënon gola dhe punon për skuadrën edhe në sulm edhe në mbrojtje. Ai është shndërruar në një prej lojtarëve më të mëdhenj evropiane”.

“Nuk dua të flas për Topin e Artë, vetëm mendoj për skuadrën. Ne kemi shans për të fituar një titull këtë sezon dhe kjo është ideja e përgjithshme. Kjo është ajo në të cilën jemi të fokusuar. Ne nuk shqetësohemi për arritjet individuale”, ka thënë Mourinho.

Enrique, pasuesi ideal i Guardiolës?

Barcelona do ta angazhojë trajnerin e Romës, Luis Enrique, nëse Pep Guardiola nuk nënshkruan vazhdimin e kontratës.
El Economista shkruan se Blaugranët kanë bërë një listë të ngushtë të personave për ta zëvendësuar Pep, në të cilën përfshihet edhe Enrique, i cili shihet si zgjidhja më ideale.

Në kontratën e tij me Romën është një klauzolë e cila e lejon atë të largohet nga skuadra për t’u kthyer te klubi spanjoll.

Ndërkohë, drejtuesit e Romës synojnë ta riformulojnë kontratën e Enriquem, pas rezultateve pozitive të tij pas Vitit të Ri.

Allegri: Sfida ndaj Juves nuk e vendos titullin

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, thotë se ndeshja e vikendit ndaj Juventusit nuk do të jetë vendimtare në garën për titull.
Rossonerët do të takohen me Biankonerët e Antonio Contes me një pikë dhe një pozitë mbi ta në tabelën e Serie A.

“Sfida e të shtunës është shumë e rëndësishme, por nuk është esenciale. Kundërthëniet? Besoj se këto janë pjesë e ndeshjes, është normale për skuadrat e kreut”, ka thënë Allegri.

Motta: Largimi i Eto’o, fundi i Interit

Mesfushori i Paris Saint-Germain, Thiago Motta, thotë se Interi është drejt shkatërrimit.
“Është vështirë ta ndryshosh Interin. Nuk është mirë të flasësh për problemet e tyre. Nuk është lehtë ta kthesh një skuadrës si ajo gjatë natës. Ka nevojë për kohë, njerëz me aftësi për ta bërë këtë”.

“Por shpresoj se ata do ta gjejnë një zgjidhje sa më shpejt që munden. Mendoj se shitja e Samuel Eto’o vërtet e ka lënduar skuadrën, pasi ai ishte një prej atyre që mund ta bënin diferencën. Diego Milito është një armë e rrezikshme, por me Eto’o, Interi kishte edhe një më shumë”, ka thënë lojtari.

Motta u largua nga Nerazzurrët muajin e kaluar për t’u transferuar te klubi francez.

Benitez të drejtojë Chelsean?

Rafa Benitez raportohet se mund të jetë pasardhësi i Andre Villas-Boas në karrigen drejtuese të Chelseat.
Daily Mail shkruan se Benitez është lart në listën e kandidatëve të Chelseat për të zëvendësuar Villas-Boas deri në fund të sezonit, nëse Roman Abramovich e humb durimin në portugezin.

Villas-Boas do ta shohë veten në një situatë të pakëndshme nëse gjërat shkojnë keq në Napoli në Ligën e Kampionëve.

Me ekipin e tij të rreshtohet i pesti në Ligën Premier dhe rrezikon të eliminohet nga Kupa FA nga Birmingham, sezoni debutues i Villas-Boas vazhdon të përkeqësohet edhe më tej.

Ish-menaxheri i Liverpoolit, Interit dhe Valencias, Benitez, besohet se është i hapur dhe i gatshëm menjëherë të marrë gjërat në duar, pasi nuk është angazhuar që kur u largua nga Interi në fund të vitit 2010.

Cavani e Lavezzi nuk janë në mendjen e Mancinit

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka mohuar spekulimet që e lidhin klubin tij me dyshen e Napolit, Edinson Cavani dhe Ezequiel Lavezzi.
Është spekuluar se trajneri italian planifikon që gjatë verës t’i transferojë dy lojtarët ofensivë, mirëpo ai ka thënë se transferimet janë gjëja e fundit që po mendon aktualisht.

“Nuk kam folur për askënd me drejtorët e Cityt. Duhet njëherë ta fitojmë Ligën Premier, pastaj do të flasim për tregun e transferimeve”, ka thënë Mancini për Il Mattino.

Sneijder e ka refuzuar Zenitin

Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, ka njoftuar se javën që shkoi ka refuzuar një ofertë luksoze nga Zenit St Petersburgu.
Trajneri i klubit rus, Luciano Spalletti, është i interesuar për shërbimet e holandezit, ndërsa lojtari tashmë ka konfirmuar tentativën e Zenitit për ta transferuar atë.

“Ata ishin të përgatitur të shkonin vërtet larg për të më transferuar. Nuk kishte absolutisht asgjë të keqe me ofertën e tyre”.

“Megjithatë, nuk mendoj se ky është momenti i duhur që unë të largohem nga Interi”, ka thënë Sneijder për Voetbal International.

Koeman, Laudrup apo Valverde - në vend të Pep?

Legjenda e Barcelonës dhe njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit Sandro Rossell, Carlos Rexach, ka thënë për Marca emrat e atyre që mund ta zënë vendin e Pep Guardiolas në postin e trajnerit.
Është gjithnjë e më pranë dita kur Guardiola duhet të vendosë nëse do të vazhdojë ta drejtojë Barcën apo do të kërkojë një sfidë të re, ndërsa vazhdimisht ka spekulime rreth pasuesit të tij.

“Zëvendësuesi i Guardiolas duhet të jetë dikush që e njeh klubin dhe punën në të. Kur dhe nëse Pep shkon, besoj se rastin për ta drejtuar Barcelonën do ta kenë Ronald Koeman, Michael Laudrup apo Ernesto Valverde”, ka deklaruar Rexach.

Ibra, krenar që është gjysmëboshnjak

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, e ka shfrytëzuar profilin e tij në Twitter për të treguar origjinën e tij, për të cilën ndjehet krenar.
“Për ata njerëz që nuk e dinë, unë jam gjysmëboshnjak dhe jam krenar për këtë”, ka shkruar në anglisht lojtari që mbron ngjyrat e Suedisë.

Më pas ai ka shkruar: “Do të tentoj të shkruaj diçka në boshnjakisht: Dua që kësaj radhe t’u falënderoj të gjithë juve fansave të mi nga Bosnja, faleminderit që jeni pranë meje (Ibra i juaj)”.

Zlatan Ibrahimovic është i lindur në Suedi. Babai i tij, Sefik Ibrahimovic, është një boshnjak i cili ka emigruar në Suedi në vitin 1977, ndërsa atje është njohur me nënën e futbollistit, kroaten Jurka Gravic, po ashtu emigrante.

Ai është rritur në lagjen e komuniteteve imigruese Rosengard në Malmo, ndërsa ka edhe tri motra dhe dy vëllezër.

Rummenigge kërkon ‘Robbenin egoist’

Shefi ekzekutiv i Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummenigge, beson se klubi i tij ka nevojë për një Arjen Robben egoist.
Holandezi ka pasur probleme me fitnesin dhe formën këtë edicion, ndërsa në javët e fundit e ka humbur vendin në formacionin bazë të bavarezëve.

“Shpresoj që së shpejti ta shohim edhe një herë egoizmin e tij, atë qe e ka bërë lojtar të klasit botëror”.

“Neve na duhet Robbeni djallëzor”, ka thënë Rummenigge për Bild.

e hënë, 20 shkurt 2012

Haye e Chisora mund të burgosen

Boksieri britanik, David Haye, e ka akuzuar Dereck Chisoran se e ka filluar përleshjen në konferencën për gazetarë pasi Vitali Klitschko mbrojti titullin në versionin WBC.

“Chisora e shkaktoi incidentin që ndodhi. E ka shkatërruar reputacionin e sportit, të cilin të dy e duam aq shumë. Jam shumë i zhgënjyer me reagimin tim, por nuk kam kërkuar falje, e as që do të kërkoj”, ka thënë Haye.

Nga ana tjetër, Chisora përmes një komunikate për media ka kërkuar falje për veprimet e tij, ndërsa është distancuar nga shpjegimi i detajeve duke ia lënë në dorë Bordit të Kontrollit të Boksit në Britani të Madhe që ta hulumtojë çështjen.

Ndërkaq, zëdhënësi i policisë në Munih në një prononcim për media ka deklaruar se të dy boksierët rrezikojnë burgun, madje deri në dhjetë vite.

Borini dëshiron të qëndrojë te Roma

Fabio Borini është i ngazëllyer me situatën e tij te Roma- ka bërë të ditur agjenti i lojtarit.

Sulmuesi i ri italian është në bashkëpronësi mes Parmës dhe Romës, por duket se ai dëshiron të qëndrojë te Giallorossët.

“Fabio është një pjesë në pronësi të Parmës, por nëse do të varej nga ai, ai do t’i takonte qind për qind Romës”.

“Atij i pëlqen qyteti dhe tifozët e klubit, që ishin kyç për ardhjen e tij te Roma gjatë verës”, ka deklaruar agjenti Marco De Marchi për Radio Mana Mana.

Marotta: Milani favorit për derbi

Drejtori i Juventusit, Giuseppe Marotta, mendon se Milani është favorit për derbin e të shtunës që zhvillohet në San Siro mes dy skuadrave të para të Serie A.

Bardhezinjtë gjenden në vendin e dytë në tabelë me një pikë më pak se kuqezinjtë, mirëpo Juve ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

“Milani është favorit për takimin. Ata janë kampionët në fuqi në ligë dhe një nga tetë ekipet më të mira të Evropës”, u ka thënë Marotta gazetarëve.

Pique: Guardiola duhet të qëndrojë

Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, dëshiron që Pep Guardiola të nënshkruajë kontratë të re me Blaugranët.

Kontrata aktuale e 41-vjeçarit skadon në fund të sezonit, ndërsa edhe pse ka fituar 13 tituj me Barcën nga viti 2008, duket se ai heziton ta vazhdojë atë.

“Ai duhet të vazhdojë te Barca për atë që ka përjetuar dhe për krejt për atë që do ta përjetojë”, u ka thënë Pique gazetarëve.

Loew mund të drejtojë ndonjë klub në të ardhmen

Strategu i Gjermanisë, Joachim Loew, ka pranuar se mund të joshet nga ndonjë klub për t’u angazhuar në të ardhmen.

Në të kaluarën, ai ka drejtuar klube, si Stuttgart dhe Fenerbahce, por kontrata aktuale e lidh me përfaqësuesen e Gjermanisë deri në vitin 2014.

“Nuk e mohoj se të punoj si trajner i ndonjë klubi do të ishte argëtuese. Nëse më pyesni sot, do të doja të shkoja në ndonjë kampionat jashtë vendit”, ka thënë Loew për 11Freunde.

Njerëzit duan ta shohin stilin e Barcës

Legjenda braziliane e futbollit, Pele, mendon se stili i lojës që e praktikon Barcelona, është rruga të cilën duhet ta ndjekin të gjitha skuadrat tjera futbollistike.

“Çelësi i suksesit është të kesh një grup futbollistësh, të cilët luajnë bashkë një kohë të gjatë. Stili i lojës i Barcelonës është ai që njerëzit duan ta shohin në fushë dhe unë sinqerisht shpresoj se do t’u shërbejë shumë ekipeve në të ardhmen”.

“Shikojeni Gjermaninë loja e të cilës më shumë është e bazuar në aftësitë teknike të lojtarëve. Ajo është diçka që duam të shohim. Është bukur ta shohësh topin duke lëvizur shpejtë nëpër fushë”, ka thënë Pele për FIFA.com.

Dikur futbollisti më i mirë në botë e ka krahasuar Barcelonën aktuale me klubet, si Benfica, Ajax, Milan dhe Real Madrid, të cilët po ashtu kanë dominuar në të kaluarën.

Mazzarri: Napoli nuk është favorit

Trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, u ka thënë lojtarëve të tij se ata nuk duhet ta konsiderojnë veten favoritë në përballjen e Ligës së Kampionëve kundër Chelseat.
Duke qenë se klubi anglez po kalon nëpër një periudhë të vështirë, shumë analistë konsiderojnë se Napoli do të fitojë të martën mbrëma.

“Është qesharake që ne konsiderohemi favoritë, por jemi krenarë për këtë”.

“Megjithatë, do të ketë telashe nëse vërtet besojmë se jemi. Ne nuk jemi favoritë”.

“Lojtarët e mi më kanë impresionuar me mënyrën si janë zhvilluar gjatë dy sezoneve të fundit”, ka thënë 50-vjeçari.

Reali duhet të përballet me kushtet në Moskë

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, kërkon që skuadra e tij të jetë në formën maksimale në takimin e të martës mbrëma kundër CSKA Moskës në Ligën e Kampionëve.
Portugezi konsideron se fusha artificiale dhe temperaturat e ulëta në Luzhniki Stadium mund të kërkojnë angazhim shtesë për të zgjedhurit e tij.

“Duhet të jemi më të fortë se kushtet, të cilat janë të vështira dhe të ndryshme”.

“Sintetikja nuk është e njëjtë sa natyralja. Minus dhjetë gradë nuk është njësoj sikur dhjetë gradë”.

“Ne duhet të jemi në maksimumin tonë për t’i tejkaluar këta faktorë”, u ka thënë Mourinho gazetarëve në një konferencë për media.

‘Giovinco mund të bëhet Zola i ri’

Agjenti i Sebastian Giovincos ka thënë se sulmuesi i Parmës do të shkëlqente te Chelsea.
25-vjeçari po kalon nëpër një formë shumë të mirë me klubin italian, ndërsa Andrea D'Amico e ka lënë të hapur mundësinë që ai të kalojë në Stamford Bridge.

“Po të isha Roman Abramovichi, do ta merrja Giovincon te Chelsea. Ai do të bëhej Zola i ri atje”, ka thënë agjenti për Tuttosport.

City dhe Arsenali përcjellin Cavanin

Klubet e Ligës Premier do ta përcjellin me kujdes ndeshjen e Napolit ndaj Chelsat për ta parë nga afër Edinson Cavanin.
Sulmuesi uruguaian ka kaluar një formë të shkëlqyeshme te Napoli me 41 gola në 57 ndeshje. 25-vjeçari këtë sezon ka shënuar 22 gola, përfshirë edhe golin e barazimit 1-1 ndaj Manchester Cityt.

Mediat angleze raportojnë se Arsenali dhe City do të jenë vetëm dy prej klubeve të cilat do të dërgojë vëzhgues në ndeshjen e të mërkurës.

Përveç tyre, edhe Chelsea, Liverpool dhe Tottenham po ashtu janë lidhur me një transferim të Cavanit.

Ferguson me post të ri te Man United?

Sir Alex Ferguson synon të qëndrojë me Manchester United edhe pasi të heqë dorë nga pozita e menaxherit.
Skocezi 70-vjeçar thotë se ai do të dëshironte një rol të ambasadorit të ngjashëm me atë që ka Sir Bobby Charlton në klub.

“Do të mbetem aktiv. Mendoj se do të ketë një rol për mua te United pasi të përfundoj”, ka thënë Ferguson për BBC Radio 5 Live.

Ranieri: Ose dy sulmues, ose Sneijder

Trajneri i Interit, Claudio Ranieri, thotë se ai mund ta lërë Wesley Sneijder në ulëse për ndeshjen e të mërkurës së Ligës së Kampionëve përballë Marseille.
“Do të duhet të marr një vendim këtu. Ne nuk mund të lejojmë të luajmë me Sneijder dhe me dy sulmues, pasi atëherë do të humbim dikë në mesfushë”.

“Megjithatë, Sneijder nuk është problem për Interin, por në fakt është një zgjidhje. Ne do të mundohemi ta shfrytëzojmë atë në momentin e duhur. Ne mund ta zgjedhim atë edhe për ndeshjen kundër Marseille”, ka thënë Ranieri për La Gazzetta dello Sport.

Hamsik: Chelsea, ndeshja e sezonit

Ylli i Napolit, Marek Hamsik, mezi pret ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve përballë Chelseat, të cilën e ka përshkruar si “ndeshja e sezonit”.
“Do të jetë një ndeshje e madhe. Është ndeshja e sezonit për ne. Ndeshja e kthimit gjysmëfinale e Kupës së Italisë kundër Sienës është po ashtu e rëndësishme, por Liga e Kampionëve është fascionuese. Kjo do të jetë një festë e vërtetë për fansat tanë fantastik, dhe për vetë skuadrën”.

“Chelsea në krizë? Kjo është diçka që shkruajnë gazetat. Megjithatë, ata kanë fituar vetëm një nga gjashtë ndeshjet e fundit. Mund të jetë një situatë e favorshme, por duhet të jemi të kujdesshëm. Chelsea është një skuadër e madhe me disa lojtarë të mëdhenj. Ne duam një rezultat të mirë dhe do të japim maksimumin për ta arritur këtë”, ka thënë Hamsik për Il Corriere dello Sport.

Emery: Barca ishte superiore

Trajneri i Valencias, Unai Emery, thotë se paraqitja e tyre ndaj Barcelonës në disfatën e mbrëmshme 5-1, ishte më e keqja e mundshme.
“Ne kishim një ndeshje të keqe. Është një disfatë e dhimbshme pasi kemi qenë aq inferior. Në herët e kaluara kemi luajtur ndeshje të mira; sot ishte krejtësisht e kundërta”.

“Nuk është vetëm nëse ne u dërmuam ose jo; është se ata ishin shumë superior. Ne ishim në mëshirën e tyre. Ne pamë versionin më të mirë të Barcelonës dhe një prej versioneve më të këqija të Valencias. Qartas, ne ishim dy pole të ndryshme”, citohet të ketë thënë Emery për AS.

Zanetti: Të fokusohemi në LK

Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, ka porositur Nerazzurrët të fokusohen në ndeshjen e radhës të Ligës së Kampionëve përballë Olympique Marseille.
“Ne duhet të jetojmë nga dita në ditë, pasi besoj se kjo është e vetmja mënyrë për të arritur diçka. Kemi biseduar për këtë mes veti dhe me trajnerin. Të gjithë duam ta kthejmë situatën dhe të zhvishemi nga këto aspekte negative”.

“Sa i takon Ligës së Kampionëve, ne kemi një ndeshje të rëndësishme para nesh dhe pastaj do të kthehemi të luftojmë në ligë ku ka disa ekipe që po luftojnë për pozitën e tretë, dhe ne shpresojmë të jemi në mesin e tyre”.

“Kemi kuptuar se po kalojmë në një fazë të keqe, por duam të qëndrojmë të bashkuar dhe ta tejkalojmë këtë ashtu që të mund të përqendrohemi në ndeshjen e Ligës së Kampionëve”, ka thënë Zabnetti.

Guardiola: Ta ruajmë hapin me Realin

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se sfida e Blaugranëve është ta ruajnë ritmin në La Liga me rivalin e tyre Real Madridin.
“Ne jemi dhjetë pikë prapa, por loja jonë thotë se ne nuk jemi shumë larg. Sfida jonë është ta mbajmë ligën të gjallë dhe kjo është detyra e jonë”.

“Ne duhet të vazhdojmë në këto tre muaj të mbetemi në garë siç bëmë sot. Nëse ekipi luan në nivelin e sotëm, nuk shqetësohem nëse tema rreth të ardhmes time është ajo që pushton titujt kryesor”, ka thënë Guardiola.

Lajm më i vjetër

Shpërndaje

Twitter Delicious Facebook Digg Stumbleupon Favorites