Carlo Ancelotti ka deklaruar se është i ngazëllyer që është kandidati kryesor në listën e Florentino Perezit për ta marrë drejtimin e Real Madridit, duke mos e mohuar një transferim të mundshëm në Bernabeu.
Trajneri i Rossonerëve ka qenë pjesë e spekulimeve për t’u angazhuar si trajner i Los Blancos, nëse ish-presidenti Perez fiton presidencën, ndërsa vetë italiani nuk i ka thënë jo kësaj mundësie. “Unë trajner i Real Madridit? Çka do që ndodh, ndodh. Më pëlqen fakti që Florentino Perez më ka mua në listën e tij”, është cituar të ketë thënë trajneri i Milanit nga “Marca”.
Kobe Bryant ka shënuar 28 pikë në ndeshjen e radhës të NBA-së, të cilën Los Angeles Lakers e fitoi me rezultat 107-100 ndaj Dallas Mavericks.
Bryant kontribuoi edhe me tetë kërcime dhe pesë asistime derisa Trevor Ariza shënoi pikët më të larta në karrierë në këtë ndeshje, 26. Pau Gasol ndihmoi me 25 pikë. Kjo ishte fitorja e 53-të e Lakers këtë sezon, kundrejt 13 humbjeve.Jason Terry shënoi 29 pikë, derisa Dirk Nowitzki ndihmoi me 20 tjera për Dallas, që aktualisht renditen në pozitën e tetë të Konferencës Perëndimore, me 40 fitore dhe 27 humbje.
Legjenda e Lazios, Bruno Giordano, nuk beson se Interi e ka siguruar Scudetton, pavarësisht se gjendet shtatë pikë përpara Juventusit.
“Nuk mendoj se ka marrë fund, sepse Interi duhet të luajë kundër Juventusit”. “Nerazzurët arritën të nxjerrin fitore kundër Fiorentinës, edhe pse nuk treguan lojë të mirë. Megjithatë kjo fitore iu jep kurajë dhe iu siguron pikë”. “Mendoj se Juventusi duhet të besojë në Scudetto, sepse ka akoma shumë pikë në lojë dhe Interi do të udhëtojë në Torino për t’u përballur me Bianconerët”, ka thënë Giordano për “Sky Sport Italia”, duke shtuar se Roma, Fiorentina dhe Genoa i kanë shanset e njëjta për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Nemanja Vidic, do të mungojë në dy ndeshjet e radhës në Ligën Premier, pasi që FA e ka dënuar me dy ndeshje moslojë për shkak të kartonit të kuq që mori të shtunën në ndeshjen kundër Liverpooolit.
Serbi do të mungojë në ndeshjen e të shtunës kundër Fulhamit si edhe në ndeshjen pas dy javësh kundër Asron Villas. Arsyeja që Vidic është dënuar me dy ndeshje moslojë, është për faktin se ai e ka marrë kartonin e dytë të kuq këtë sezon.
Arjen Robben dhe Klaas Jan Huntelaar ishin dy nga lojtarët më të mirë në fushë në fitoren e Real Madridit, prej 5-2, në fushën e Athletic Bilbaos të shtunën mbrëma, mirëpo njoftohet se gjërat nuk shkojnë mirë ndërmjet dy holandezëve.
“Sport” dhe “AS” kanë njoftuar se dy bashkëkombësit e kanë problem të përshtaten me njëri-tjetrin. Gjatë një momenti në ndeshjen kundër Bilbaos, Huntelaar i ka thënë Robbenit pse nuk ia ka pasuar topin, ndërsa ky i fundit ka reaguar duke i thënë: “Mbylle gojën!”. Pas zëvendësimit të të dy lojtarëve, Robben e ka zgjatur dorën për ta përshëndetur, ndërsa ish-sulmuesi i Ajaxit nuk i është përgjigjur këtij reagimi. Mësohet se Huntelaar ndjehet i frustruar për shkak të numrit të vogël të topave që pranon nga Robben që nga momenti kur është inkuadruar në formacionin bazë të Realit.
Superylli i Milanit, Kaka, është kthyer nga lëndimi të dielën për të luajtur kundër Sienas në Stadio Franchi, mirëpo ekziston frika se lëndimi i është kthyer sërish, prandaj është dashur të largohet nga ndeshja në minutën e 72-të.
Kaka nuk ka luajtur për Milanin që nga 7 shkurti kur ishte lënduar në përballjen kundër Regginas, mirëpo rikthimi i tij në fushë ka bërë që braziliani të lëndohet sërish. “Jam vërtet i shqetësuar dhe nuk e di kur do të mund të luaj sërish. Nuk di se çfarë të bëj, e ndjeva të njëjtën dhimbje sikurse herën e fundit. Një goditje e vogël dhe menjëherë jam kthyer në gjendjen e mëparshme. Nuk e di se kur do të më largohet kjo dhimbje”, është shprehur Kaka i dëshpëruar.
Mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini, i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjike në hundë, ndërsa lajmet më të reja janë se operacioni ka dalë i suksesshëm.
Chiellini e lëndoi hundën në një përballje me Francisco Vallianin në ndeshjen kundër Bolognas të shtunën, ndërsa për ta korrigjuar këtë lëndim është dashur t’i nënshtrohej të ndërhyrjes kirurgjike të hënën. “Chiellini është dashur t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjike në hundë në mëngjesin e sotëm. Operacioni ka zgjatur më pak se tridhjetë minuta dhe ndërhyrja ka qenë e suksesshme, ndërsa lojtari do të lëshohet brenda disa orësh. Është e mundur që lojtari të jetë në fushën stërvitore që të mërkurën”, shkruan në deklaratën zyrtare të klubit. Ky është një lajm i mirë për Zonjën e Vjetër, pasi që fundjavën që vjen do ta zhvillojë ndeshjen derbi kundër Romës në Olimpico të kryeqytetit italian.
Edhe pse trofetë e sezonit të kaluar gjenden në kabinetin e Manchester Unitedit dhe çmimin për lojtarin më të mirë në botë e ka fituar Cristiano Ronaldo, trajneri i Liverpoolit, Rafael Benitez, thotë se skuadra e tij ka qenë skuadra më e mirë në Evropë vitet e fundit.
“Besoj se Liverpooli ka qenë skuadra më e mirë në Evropë në pesë vitet e fundit. Kemi arritur që në të njëjtën javë ta mposhtim Real Madridin dhe Manchester Unitedin, nëse mund t’i mposhtim ata, atëherë mund ta mposhtim çdo skuadër”, është cituar Benitez nga “The Sun”. Nga an tjetër kapiteni Steven Gerrad ka shtuar: “Do ta nevojitet fat për ta fituar trofeun e Ligës Premier, mirëpo fitorja jonë kundër Unitedit, do të krijojë besim edhe te skuadrat tjera se Manchesteri nuk është skuadër e cila nuk mund të mposhtet”.
Presidenti i Lyonit, Jean-Michel Aulas, thotë se ekipi i tij mund të sjellë sërish në Francë sulmuesin e Juventusit, David Trezeguet.
Trezeguet nuk është shumë i kënaqur nga hapësira që i jepet në klub pas rikthimit të tij nga rikuperimi, dhe kjo pakënaqësi ishte e dukshme edhe në ndeshjen kundër Chelseat, kur u nxor nga loja. “Ne e kemi dëshiruar atë edhe para dy vitesh. Nuk është e fshehtë që e duam Trezeguet. Nuk kam folur me trajnerin për këtë, as me Juventusin, por ne e duam atë futbollist. Ai është një futbollist i jashtëzakonshëm, por ne e kemi Bezneman...”, ka thënë Aulas.
Menaxheri i Barcelonës, Josep Guardiola, është i kënaqur nga fitorja e mbrëmshme ndaj Almerias, por pranon se nuk ishte aspak një fitore e lehtë.
Barcelona iu përgjigj Real Madridit me tri pikë në fitoren ndaj Almerias, për të rikthyer avantazhin prej 6 pikësh në krye të tabelës. Barcelona shënoi fitore 2-0 me dy golat e Bojan Krkic, por Guardiola thotë se megjithatë nuk ishte një fitore e lehtë. “Ndoshta u duk se kishim një ndeshje të lehtë, por jo, nuk ishte gjithçka aq e lehtë. Kishim kontroll të ndeshjes, por në pjesën e parë e mbajtëm shumë kohë topin, duhej të ishim më të shpejtë dhe këtë e bëmë në pjesën e dytë”, ka thënë Guardiola. “Almeria nuk kishte shumë raste të shënojë, dhe kjo sepse luajtëm mirë dhe i uroj futbollistët e mi. Por në futboll asgjë nuk është aq e thjeshtë. Duhet të punojmë dhe të vazhdojmë të përparojmë”, ka shtuar trajneri i Barcelonës.
Filippo Inzaghi është i ngazëllyer me dygolëshin e tij në fitoren 5-1 të Milanit ndaj Sienës, dhe thotë se është ndjerë si fëmijë me golin e tij të 300-të në karrierë.
“Jam aq i lumtur sa një fëmijë në ditën e Krishtlindjeve, pasi po festoj një arritje që më bën të jem krenar. I falënderoj të gjithë bashkë-lojtarët e mi në secilin ekip që kam lutur. Titujt me klubin janë të rëndësishme, por edhe arritjet individuale bëjnë të ndjehesh më i veçantë”, ka thënë Inzaghi. Nga 300 golat në të gjitha garat, 110 prej të cilave me Milanin, Inzaghi kujton ata të finales së Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit në vitin 2007. “Golat më të veçantë ishin ata në Athinë në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit. Ata janë të veçantë së bashku me golat në Kupën Botërore të Klubeve dhe Superkupën Evropiane të vitit 2007”, ka shtuar sulmuesi italian.
Sulmuesi i Real Madridit, Klaas-Jan Huntelaar, shpreson se ata do të mund ta arrijnë liderin e La Ligës, Barcelonës.
“E di se duhet të luftojmë, por jemi aq afër, veçanërisht nëse e marrim parasysh se Barcelona duhet të na vizitojë në Bernabeu. Këtë mund ta fitojmë pa dyshim”, ka thënë Huntelaar. “Gjëja më e rëndësishme është të luajmë si ekip, siç ndodhi kundër Athletic Bilbao, pasi atëherë jemi më të fuqishëm. Nëse qëndrojmë të bashkuar, mund t’i fitojmë të 11 ndeshjet e mbetura në ligë”, ka shtuar holandezi.
Pas fitores ndaj Manchester Cityt, menaxheri i Chelseat, Guus Hiddink, ka thënë se Liverpooli iu ka bërë atyre favor duke e mposhtur Manchester United në ndeshjen e të shtunës.
Me fitoren e djeshme Chelsea ruan vendin e dytë të tabelës, me katërt pikë më pak se Manchester United, që megjithatë ka një ndeshje më pak të luajtur. Liverpooli me pikë të barabarta me Chelsean, mban vendin e tretë. “Nëse do të ishte vetëm katër pikë, do të ishte shumë afër, por ata kanë edhe një ndeshje pa zhvilluar. Por është e qartë se pas rezultatit të papritur të së shtunës, presioni është rikthyer në ligë”, ka thënë Hiddink. “Kjo është një shtytje. Por, nëse duam t’i ndjekim, duhet të vazhdojmë të fitojmë. Kjo do të bëjë presioni të vazhdojë deri në fund të sezonit, që është mirë për secilin”, shton holandezi.
Ylli i Manchester United, Cristiano Ronaldo, ka dhënë shenja se zënka e tij me menaxherin e Interit, Jose Mourinho, ende nuk ka përfunduar. Derisa ishte ende në Chelsea në vitin 2007, Mourinho kishte një fjalosje publike me Ronaldon dhe ylli i Manchester United tha se ‘ai nuk din si t’i pranojë dështimet e tija”. “Nuk dua të flas për Jose Mourinhon. Nëse më pyesni për Sir Alex do të ju them diçka, por nuk më intereson çfarë ndodh me Mourinhon”, ka thënë Ronaldo për Sunday Mirror.
Barcelona ka shënuar fitore si mysafir i Almerias në stadiumin Juegos del Mediterraneo, me rezultat prej 2-0.
Pjesa e parë përfundoi pa gola, ndërsa me të filluar pjesa e dytë Blaugranët shënuan dy gola të shpejtë për ta blinduar fitoren në këtë përballje. Tetë minuta brenda pjesës së dytë (53’), Bojan Krkic shfrytëzoi një goditje të Lionel Messi për ta shënuar golin e parë. Tre minuta më pas, Krkic u shënua sërish në listën e golashënuesve duke dyfishuar epërsinë dhe duke ia siguruar fitoren skuadrës së tij. Me këtë fitore, Barcelona rikthen diferencën prej gjashtë pikëve kundrejt përcjellësit të parë në La Liga, Real Madrid.
Mesfushori kosovar Lorik Cana ka shënuar edhe një herë kundër ish-ekipit të tij Paris Saint German, në fitoren 3-1 të Olimpique Marseille, ekip që kështu ngrihet në pozitën e dytë me një pikë më pak se lideri, Lyoni.
Mysafirët e Marseille kaluan në epërsi pas 24 minutash lojë me golin e ish-lojtarit të Liverpoolit, Boudewijn Zenden, por vendasit barazuan dy minuta para fundit të ndeshjes me anë të ish-yllit të Barcelonës Ludovic Giuly. Minuta e 53-të ishte momenti rikthyes në ndeshje, kur vendasit mbetën me 10 lojtarë në fushë për shkak të përjashtimit të Zoumana Camara me karton të kuq. Dy minuta më pas Bakari Kone risolli avantazhin për Marseillen, ndërsa kapiteni i ekipit Lorik Cana vulosi rezultatin në minutën e 61-të të ndeshjes. Me këtë fitore, Marseille barazohet në pikë me Paris Saint Germain, por ia merr vendin e dytë falë diferencës më pozitive të golave. Lyoni vazhdon të kryesojë tabelën, por pas humbjes së fundit ndaj Auxerre, tash ka vetëm një pikë epërsi ndaj dy ndjekësve. Të rikujtojmë se Cana shënoi golin e vetëm të fitores (1-0) kundër Paris Saint Germain edhe në sezonin 2005/06, që ishte sezoni i parë pas kalimit tek Marseille, dhe fitorja e parë e këtij ekipi ndaj atij parisien pas tre vitesh aso kohe.
Atletico Madrid ka arritur të rikthehet nga dy gola disavantazh për të mposhtur Villarrealin me rezultat 3-2 në Vicente Calderon, dhe për të mbajtur gjallë shpresat për të marrë vendin e katërt, që dërgon në Ligën e Kampionëve.
Atletico humbi një penalti të hershme, kur Diego Forlan nuk ishte i saktë nga pika e bardhë në minutën e tretë të ndeshjes. Villarreali kaloi në epërsi me anë të Matias Fernandez në minutën e 19-të të ndeshjes, ndërsa rezultatin për mysafirët e dyshifoi Ruben Cani, shtatë minuta pas fillimit të pjesës së dytë (52’). Por nuk zgjati shumë, pas edhe një minute, Sergio ‘Kun’ Aguero ringjalli shpresat për Atleticon. Pika vendimtare e ndeshjes ishte përjashtimi nga loja i mesfushorit të Villarealit, Javi Venda, në minutën e 65-të të ndeshjes, pas dy kartonëve të verdhë. Golat nga Diego Forlan (80’) dhe Antonio Lopez (84’) në dhjetë minutat e fundit, i dhanë fitoren Atletico Madridit, që tash i afrohet në dy pikë Villarrealit, që vazhdon të mbajë vendin e katërt. Sikur Villarreal të fitonte, do të krijonte tetë pikë epërsi ndaj Atleticos, dhe do të zbehte gjasat e këtij klubi për të siguruar vend për në Ligën e Kampionëve.
Ndeshja kryesore e javës së 28-të në Serie A, e cila është zhvilluar të dielën mbrëma në Giuseppe Meazza, ndërmjet Interit dhe Fiorentinës, ka përfunduar me fitoren e skuadrës vendase me rezultat prej 2-0.
Zikaltrit kanë arritur të shënojnë fitore shumë të rëndësishme në një ndeshje të vështirë, për të mbajtur diferencën prej shtatë pikëve me Juventusin. Vendasit e filluan furishëm ndeshjen duke arritur shumë shpejt te goli i avantazhit (11’), të cilin e shënoi Zlatan Ibrahimovic duke u gjetur më së mirë para portës së Sebastian Freyt, pas një goditje të Mario Balotellit. Mysafirët gjatë gjithë ndeshjes provuan të bënin diçka për ta ndërruar rezultatin, megjithatë ishin të pafuqishëm përballë kampionëve. Në minutat shtesë trajneri kontrovers i Interit, Jose Mourinho, u përjashtua me karton të kuq (90’+3), pas reagimeve të tij për një ndërhyrje në dëm të Santon. Porsa u përjashtua portugezi, Ibracadabra vulosi fitoren e Interit (90’+4) duke shënuar nga një goditje e lirë. Me këtë fitore Interi vazhdon të mbetet i qetë në krye të tabelës drejt titullit të radhës, kur kanë mbetur edhe dhjetë javë për të përfunduar Kampionati.