Ryan Giggs ia dedikon të gjithë karrierën e tij të shkëlqyeshme menaxherit të Manchester United, Sir Alex Ferguson.
“Nëse shikoj prapa nuk do ta ndryshoja karrierën time për asgjë dhe bosi ka qenë instrument i gjithçka që unë kam arritur. Ka qenë e rëndësishme për menaxherin të kontrollojë karrierën time kur unë isha 17 vjeçar, dhe ai e ka bërë këtë”, thotë Giggs.“Ai më njeh më mirë se çdokush tjetër, madje edhe se gruaja ime! Ai më njeh nga mosha kur isha 13 vjeçar dhe ai erdhi në shtëpinë time për të nënshkruar me mua”, ka komentuar më tej anglezi.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, thotë se Arsene Wenger meriton të fitojë Ligën e Kampionëve për arritjet e tij në futboll.
“Futbolli ia ka borxh Wengerit, Ligën e Kampionëve. Menaxheri gjithmonë është munduar që ekipi të luajë një futboll atraktiv dhe meriton një shpërblim për këtë”, thotë Fabregas.“Historia e futbollit do të ishte e padrejtë nëse Arsene kurrë nuk e bart në duart e tij trofeun, të cilin kemi qenë aq afër ta fitojmë. Ne gjithmonë kemi marrë rreziqe dhe kemi luajtur një stil të hapur të futbollit”, shton spanjolli.
Sulmuesi i ri i Arsenalit, Carlos Vela, pritet t’i bashkohet ekipit të Valon Behramit, West Ham United, si huazim në sezonin e ardhshëm.
Meksikani 20-vjeçar nuk ka qenë në gjendje të sigurojë një vend të rregullt në ekipin e Arsenalit, pas huazimeve tek klubet spanjolle Celta Vigo, Salamanca dhe Osasuna.Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, tash është i gatshëm t’i lejojë atij edhe një largim të përkohshëm, kësaj here për në Upton Park.
Ekipi i Bundesligës, Schalke, është duke dashur të rikthejë në gjermani mesfushorin e Chelseat, Michael Ballack.
Sipas People, ish-trajneri i Bayern Munichut, Felix Magath, këtë javë është emëruar si menaxher i ardhshëm i Schalkes, dhe iu ka thënë miqve të tij se kërkon lojtarin e Chelseat.Megjithëse raportohet se dëshiron të rikthehet në Gjermani, Ballack duhet të pranojë një ulje të dukshme të pagës së tij. Gjermani megjithatë ka më shumë gjasa të pranojë ofertën për të vazhduar kontratën me Chelseat edhe për një vit tjetër, me një shumë prej 120 mijë funtesh në javë.
Sulmuesi i Sunderlandit, Djibril Cisse, shpreson t’i bashkohet Tottenhamit gjatë kësaj vere, shkruajnë mediat angleze.
Daily Mail thotë se Cisse ka tronditur bashkëlojtarët e tij të Sunderlandit, duke thënë “Do t’i bashkohem Tottenhamit këtë verë”.Francezi, i cili është i huazuar te Sunderlandi nga Marseille, i kishte thënë këto fjalë gjatë të premtes, pasi i është thënë se nuk do të jetë në formacionin e parë për ndeshjen ndaj Boltonit.Marseille kishte arritur marrëveshje të vlefshme 10 milionë euro me Sunderlandin për të lejuar transferimin e përhershëm të Cisse, por tash duket ekipi francez do të duhet të bisedojë me Tottenhamin.
Sulmuesi i Milanit, Andriy Shevchenko thotë se dëshiron t’i japë fund karrierës së tij në San Siro.
Ukrainasi, i cili për momentin luan për Milanin si i huazuar nga Chelsea, edhe krahas minutave të pakta që aktivizohet, thotë se dëshiron të mbetet me rosonerët.“Duhet ta pyetni Abramovich për të ardhmen time. Unë dua të mbetem në Milan, por do të duhet të vendosim në fund të sezonit. Nuk ndjehem si lojtar i dikurshëm. Ndjehem fizikisht i fuqishëm dhe dua ta përfundoj karrierën këtu, në Milan”, ka thënë Shevchenko.“Qëllimi im është të rikthehem në formën më të mirë dhe të luaj në nivelin më të lartë”, ka shtuar më tej ukrainasi.
Lëndimi i mesfushorit të Barcelonës, Andres Iniesta, nuk është serioz dhe lojtari thotë se do të jetë i gatshëm për finalen e Ligës së Kampionëve, që zhvillohet më 27 maj në Romë.
Iniesta pësoi një lëndim të muskulit të kofshës në barazimin e mbrëmshëm ndaj Villarrealit dhe u dyshua se do të mungonte edhe në finalen e madhe të Romës. Por mesfushori ka deklaruar se do të jetë i gatshëm të përballet me Manchester United.“Do të jem në Romë. Kam vetëm një zgjatje të vogël të muskulit, e cila është e vogël dhe nuk është keq siç ishin parashikimet e para. Entuziazmi i të luajturit në finale do të më ndihmojë të rikuperohem në kohë”, ka deklaruar spanjolli, i cili sot mbushi 25 vjet.
Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ai do të interesohet vetëm për përforcime të vërteta, për të cilat ndoshta nuk do të duhen shumë para.
Arsenali po kalon edhe një sezon pa tituj, ndërsa topçinjtë kanë pësuar dy humbje të vështira në ndeshjet e fundit në Emirates, ndaj rivalëve Manchester United dhe Chelsea.“Nuk mendoj se përbërjes i duhen shumë investime. Për momentin nuk e di sa mjete do të kem në disponim për transferime. Por besoj se duhet të vazhdojmë të përmirësohemi”, ka thënë Wenger“Sipas meje nuk është krejt aq zi siç duket, siç duan ata t’i bëjnë gjërat pas humbjes. Kuptohet se ne luajmë në një ligë të fuqishme, kundër kundërshtarëve të fuqishëm. Andaj duhet të forcohemi vetëm në disa pozita të caktuara”, ka shtuar francezi.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, mendon se nëse ai dhe Fernando Torres nuk do të kishin pësuar lëndime gjatë sezonit, Liverpooli do të ishte shumë më afër titullit.
Shpresat e të kuqve për të fituar titullin tashmë duken të shuara, kur deri në fund të sezonit kanë mbetur vetëm edhe dy ndeshje.“Shqetësuese për ne të dy është se pjesën më të madhe të sezonit nuk ishim së bashku në fushë. Shumë e rëndësishme është që në sezonin e ardhshëm të dy të jemi të shëndoshë, që Liverpooli të ketë më shumë shanse për sukses”, thotë Gerrard.“Mendoj se nëse unë dhe ai (Torres) do të ishim të shëndoshë dhe në formë, do t’u shkaktonim më shumë probleme mbrojtësve kundërshtar. Mendoj se ekipi luan me vetëbesim më të madh nëse ne jemi në fushë”, ka shtuar kapiteni.
Houston Rockets ka përballuar mungesën e Yao Ming duke tronditur liderin e Konferencës Perëndimore, Los Angeles Lakers, të cilin e mposhti me rezultat 99-87 për të barazuar në 2-2 ndeshjet e gjysmëfinales.
Aaron Brooks ka shënuar pikët më të larta në karrierë, 34 gjithsej, për të ndihmuar Rockets të fitojnë në fushë vendore ndaj Lakers. Shane Battier ka shënuar 23 pikë të tjera ndërsa Luis Scola ka kontribuar me 11 pikë dhe 14 kërcime.Pau Gasol shënoi 30 pikë për Lakers, derisa Kobe Bryant shënoi vetëm 15 pikë, duke qenë i saktë në vetëm shtatë nga 17 tentimet. Ndeshja e pestë zhvillohet të martën në Los Angeles.Edhe në gjysmëfinalen e Konferencës Lindore, Boston Celtics ka shënuar fitore 95-94 ndaj Orlando Magic, për të barazuar serinë e play-offit në 2-2. Ndeshja e ardhshme zhvillohet në Boston të martën.
Mesfushori i Milanit, Kaka, në një intervistë të fundit thotë se drejtuesit duhet ta rinojnë klubin dhe shton se mezi pret të rikthehet në lojë në Ligën e Kampionëve.
“Të gjithë e dinë se ekipi ka nevojë të rinohet. Maldini do t’i japë fund karrierës, ndërsa Emerson nuk është më me ne. Kemi nevojë për një ekuilibër të futbollistëve të rinj dhe atyre me përvojë, siç ishim në vitin 2003 kur erdha unë”, ka thënë Kaka.“Jam i lumtur që sezonin e ardhshëm do të luajmë në Ligën e Kampionëve. Kjo më kishte munguar shumë. Një vit para televizorit i kam përcjellë ndeshjet dhe kam parë disa përballje vërtet interesante. Kjo më ka shkaktuar shumë dhimbje”, shton mes tjerash braziliani.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, është i kënaqur për shkak të barazimit në mes të Milanit dhe Juventusit, pasi kjo iu mundëson nerazurëve që me fitore ndaj Sienës në vikendin e ardhshëm të festojnë skudeton.
“Mbrëmë pasdite isha ca i nervozuar, jo për shkak të skudetos, por për shkak se dy herë udhëhoqëm dhe lejuam kundërshtarin të barazojë. Por sigurisht se disponimi tash është më i mirë pasi Juve na ndihmoi me barazimin e nxjerrë kundër Milanit”, ka thënë Moratti.“Tash kemi një ndeshje të rëndësishme kundër Sienës dhe duhet ta fitojmë atë përballje dhe ta fitojmë skudeton në Giuseppe Meazza”, ka shtuar italiani.
Mediat angleze përcjellin lajmin se Tottenhami është klubi i fundit i cili i është bashkuar garës për të marrë shërbimet e Carlos Tevez, ndërsa spekulimet për kalim të tij në City janë më të zëshme.
Tevez së fundi deklaroi se do të largohet nga Manchester United në fund të sezonit, pas një periudhe dyvjeçare ‘huazimi’ në Old Trafford.The Sun ka shkruar se trajneri i Tottenhamit, Harry Redknapp, është i fundit nga Premier League që ka shprehur dëshirë për të angazhuar argjentinasit. Sipas këtij tablloidi anglez, Redknapp është i gatshëm të paguajë 25 milionë funte për të marrë shërbimet e Tevez. Në anën tjetër edhe Manchester City është përmendur si një destinacion i mundshëm i argjentinasit, edhe pse Mark Hughes nuk ka dashur të komentojë për transferime nga klubi rival i qytetit.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, thotë se ai nuk ka në plan të largohet nga Torino në fund të këtij sezoni, pavarësisht spekulimeve që qarkulluan së fundmi.
Njëshi i portës së biankonerëve ishte i hidhëruar pas ndeshjes ndaj Lecces në javën e kaluar, dhe Buffon nuk ishte i pranishëm as në zhveshtore kur Ranieri kishte dhënë këshilla plotësuese.“Në disa javët e fundit thjesht kam folur vetë me veten... Kisha nevojë për disa shpjegime. Bisedova me drejtuesit. Nuk kërkova garanci për sukses në sezonin e ardhshëm, por që në tre ose katër vitet e ardhshme të ndërtohet një përbërje e aftë për tituj”, ka thënë Buffon.“Kishim një rënie të formës që nuk mund të mendohej. Nëse dëshironi të luftoni për tituj, duhet të keni sa më pak kriza dhe jo dy, tre ose katër, siç na ndodh neve”.“Nuk ka mundësi që në fund të sezonit të largohem nga Juventusi”, ka shtuar italiani.
Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, mund të jetë jashtë finales së Ligës së Kampionëve, të cilën ekipi spanjoll do ta zhvillojë kundër Manchester United më 27 maj.
Iniesta pësoi një lëndim të kofshës gjatë barazimit të djeshëm të Barcelonës ndaj Villarrealit në Camp Nou, barazim që i pamundësoi ekipit katalanas të festojë titullin.“Nuk kam parandjenja të mira. Do të presim testet nesër, por nuk ka gjasa që ai të luajë këtë javë. Ne do të përpiqemi ta kemi të gatshëm për Romë, kjo është gjithë çfarë mund të bëjmë. Duhet të presim testet dhe të shohim”, ka thënë Pep Guardiola.
Menaxheri i Mancheter United, Sir Alex Ferguson, ka mohuar se mes tij dhe Cristiano Ronaldos ka mosmarrëveshje, pas reagimit të djeshëm të lojtarit në momentin kur u zëvendësua në derbin ndaj Cityt.
“Është shumë mirë që ai dëshironte të luajë. Është e shkëlqyeshme. Por unë duhet të shoh në gjërat më të rëndësishme. Ai tregoi një paraqitje të shkëlqyeshme kundër Arsenalit. Tash duhet të mendoj për të mërkurën dhe të shtunën. Nuk ka kurrfarë problemi”, ka thënë Ferguson.Pakënaqësia e djeshme e Ronaldos ka nxitur edhe një herë spekulimet të cilat e lidhin atë me një transferim në Real Madrid, dhe sigurisht se do të shtojë shpresat e klubit spanjoll për arritjen e qëllimit.
Menaxheri i Chelseat, Guus Hiddink, ka tallur Arsenalin e trajnerit Arsene Wenger, pas fitores së thellë të bluve në derbin e djeshëm të Ligës Premier.
“Sigurimi i vendit të tretë më jep mua dhe secilit një kënaqësi të veçantë, duke marrë parasysh situatën në muajin shkurt. Lojtarët reaguan në mënyrë të përkryer dhe unë jam shumë krenar”, ka thënë Hiddink.Humbja e djeshme prej 4-1, ishte edhe humbja më e thellë e Arsenalit ndaj Chelseat në ligë, që nga viti 1960.“Kjo tregoi para së gjithash se Chelsea është një prej dy ose tre klubeve më të mëdha në Evropë, por kjo po ashtu do t’i japë mundësi Arsenalit të mendojë më shumë. Kjo mund të jetë një goditje e rëndë dhe t’u tregojë atyre çfarë duhet të bëjnë”, ka shtuar holandezi.
Derbi i javës në Serie A, ai mes Milanit dhe Juvnetusit, i zhvilluar të dielën mbrëma në San Siro, ka përfunduar me barazim 1-1.
Me pjesën e parë pa gola, 45 minutat e dyta të lojës sollën dy sosh, nga një në secilën anë. Rezultati u hap në minutën e 57-të të ndeshjes, kur pas një aksioni të filluar nga Zambrotta, Inzaghi dërgoi topin në zonë për Ambrosinin, i cili humbi rastin, por fati ishte me Clarence Seedorf, pasi goditja e tij shkoi nëpër këmbët e Nicola Legrottaglie, duke përfunduar në rrjetën e Gianluigi Buffon.Por avantazhi i Milanit nuk zgjati shumë, pasi tre minuta më vonë Camoranesi harkoi topin në zonë që arriti tek Iaquinta, i cili shënoi nga afërsia për të barazuar rezultatin pas një ore lojë.Derisa Milanit iu mohua një penalti, pas ndalimit të dyshimtë të Alexandre Patos nga Legrotaglie (85’), një minutë më pas për shkak të një ndërhyrje të ngjashme ndaj Alessandro Del Pieros, Giuseppe Favalli u përjashtua me karton të kuq (86’).Por këto pak minuta të fundit të ndeshjes, nuk i ndihmuan Juventusit të shfrytëzojë epërsinë e një e lojtari më shumë në fushë, për të nxjerrë pikë të plota nga derbi.Me këtë barazim, Milani humb rastin t’i afrohet në pesë pikë Interit, dhe vazhdon të ruajë pozitën e dytë me shtatë pikë prapa liderit. Juventusi në pozitën e tretë mbledh 67 pikë.