Legjenda franceze Zinedine Zidane ka deklaruar se po t’i jepej mundësia të zgjidhte ndërmjet superyllit të Manchester Unitedit, Cristiano Ronaldo, dhe anësorit të Bayern Munichut, Franck Ribery, ai do ta zgjidhte të dytin si lojtarin më të mirë.“Cristiano është një lojtar i shkëlqyer, kuptohet, ai e ka fituar Topin e Artë dhe mund ta fitojë sërish këtë sezon. Ai është një lojtar mjaft i rrezikshëm”. “Por nëse më pyetni mua se kë e preferoj, është e shumë e qartë, Riberyn”, ka thënë Zidane, i cili ka shtuar se nëse Perez zgjidhet president i Real Madridit, ai do të jetë pjesë e drejtuesve të Los Merengues, që do të thotë një mundësi më shumë që bashkëvendësi i tij, Franck Ribery, ta vesh fanellën e Los Blancos.
Trajneri i porsacaktuar i Juventusit, Ciro Ferrara, ndjehet maksimalisht i nderuar që i është dhënë mundësia të jetë trajner i Zonjës së Vjetër, ndërsa nuk e ka fshehur gëzimin për fitoren e parë në krye të bardhezinjve.“Jam i lumtur për skuadrën, lojtarët dhe vetveten. Kjo është hera e parë që jam në krye të një skuadre edhe atë në krye të njërës nga skuadrat më të mira në botë”. “Kam marrë komplimente nga drejtuesit e klubit (për fitoren kundër Sienas) dhe më duhet të pranoj se jam shumë i kënaqur”, ka thënë Ferrara për “Juventus Channel”.
Manchester Unitedi dhe Barcelona do të ndeshen të mërkurën mbrëma në Stadio Olimpico të Romës për finalen e Ligës së Kampionëve, ndërsa kjo ndeshje do të jetë edhe përballje direkte ndërmjet dy superyjeve, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi.“Nuk është mirë të hysh në fushë dhe t’ia kesh frikën dikujt, megjtihatë unë e respektoj Messin”. “Ai ka një stil të shkëlqyer të lojës dhe mendoj se edhe ai do të jetë i emocionuar në finale, sikurse unë”. “Këtë vit do të zhvillohet finalja ndërmjet dy skuadrave më të mira në botë dhe mendoj se do të jetë një spektakël të cilin e dëshirojnë tifozët e futbollit, ka thënë Ronaldo për “News of the World”.
Mediat turke njoftojnë se Galatasaray ka arritur marrëveshje për ta transferuar sulmuesin e Real Madridit, Ruud van Nistelrooy.Sulmuesi holandez ka munguar thuajse në të gjithë sezonin 2008/2009 për Los Merengues, ndërsa me caktimin e presidentit të ri pritet largimi i tij. “Milliyet” njofton që drejtori i Galatasarayt, Haldun Ustunel, ka udhëtuar në Holandë dhe ka arritur një marrëveshje verbale me lojtarin. Ndërsa tani mbetet që skuadra turke të diskutojë termet e transferit me Realin, me ç’rast do të mund të realizohet transferimi gjatë këtij afati kalimtar veror.
Juventusi është pranë zyrtarizimit të transferimit të Diegos, pasi braziliani i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore të hënën në Torino.“Tuttosport” njofton se pas ekzaminimeve mjekësore, braziliani është drejtuar në takimin me shefin ekzekutiv Jean-Claude Blanc, ku do ta nënshkruajë kontratën e tij pesëvjeçare me vlerë prej 4 milionë eurosh në sezon. Ndërkohë, Werder Bremeni do të fitojë 25 milionë euro nga shitja e lojtarit kryesor. “Edhe pse çështja nuk është zyrtarizuar, jemi prani sigurimit të shërbimeve të Diegos”, ka thënë shefi i transfereve Alessio Secco për “Corriere dello Sport”.
Barcelona ka përshirë Thierry Henryn dhe Andres Iniestan, në listën e lojtarëve të cilët do të jenë pjesë e finales së Ligës së Kampionëve më 27 maj në Romë.Dy nga lojtarët më të rëndësishëm të Barcës, janë stërvitur të hënën me pjesën tjetër të skuadrës duke i dhënë kështu shpresë të madhe trajnerit Pep Guardiola, i cili edhe ashtu do të ketë mungesë të disa lojtarëve kyç në finalen e madhe kundër Manchester Unitedit. Henry nuk luan që nga ‘El Clasico’ në Bernabeu, pasi ishte dëmtuar nga mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, ndërsa Iniesta është lënduar në ndeshjen kundër Villarrealit. Të dy lojtarët kanë dhënë maksimumin për të qenë pjesë e skuadrës katalunase në finalen e Romës, ndërkohë që ata do t’u nënshtrohen testeve në seancën e fundit stërvitore dhe pastaj Guardiola do të vendose nëse do t’i inkuadrojë dhe kur do t’i inkuadrojë në lojë.
Mbrojtësi i Barcelonës, Sylvinho, beson se nëse luan në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Manchester Unitedit, ai do të arrijë me sukses që ta markojë superyllin portugez, Cristiano Ronaldo.Eric Abidal, Dani Alves dhe Rafa Marquez nuk do të luajnë për Balugranët në finalen e 27 majit, që do të thotë se Sylvinho do të luajë në mbrojtje. “Nuk e konsideroj pozitën time (mbrojtës i krahut të majtë) si pikën e dobët të Barcelonës”. “Nuk kam luajtur në shumë ndeshje, mirëpo kur më është dhënë mundësia, mendoj se kam luajtur mirë”. “Cristiano Ronaldo ka shumë talent dhe është vështirë për ta ndaluar. Ai bën gjëra të cilat as nuk mund t’i imagjinosh. Mendja e tij është e shpejtë, por mendoj se e imja është edhe më e shpejtë”, u ka thënë braziliani gazetarëve.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, ka deklaruar se ai do ta bartë fanellën e Bluve derisa drejtuesit e skuadrës do ta dëshirojnë këtë gjë.Drogba ka qenë pjesë e thashethemeve për një largim të mundshëm nga Stamford Bridge, drejt Marseille, Interit apo Real Madridit, mirëpo sulmuesi nga Bregu i Fildishtë është shprehur pro qëndrimit te skuadra e tij aktuale. “Mendoj se ardhmja e Chelseat do të jetë madhështore, sepse kemi krijuar diçka për të cilën shumë lojtarë dëshirojnë të luajnë këtu”. “Ata e dinë se nëse vinë këtu, secilin vit duhet të luftojnë për të fituar trofe”. “Kjo skuadër tashmë është e madhe, mirëpo në të ardhmen edhe më shumë do të shkruajë historinë”. “Jam shumë krenar që jam pjesë e Chelseat dhe dëshiroj të mbetem këtu aq gjatë sa të më dëshirojnë”, ka thënë Drogba për “The Mirror”.
Trajneri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka thënë se mbrojtësi kryesor i Djajve të Kuq, Rio Ferdinand, do të jetë në gjendje të rikuperohet për finalen e të mërkurës mbrëma të Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës.“Rio po rikuperohet shpejtë. Ai është stërvitur gjatë vikendit me lojtarët tjerë. Mendoj se ai do të arrijë të rikuperohet deri të mërkurën”, ka thënë Sir Alex për UEFA.com Skocezi ka shtuar se edhe dy mbrojtësit tjerë, Rafael dhe wes Brown, të cilët kanë pësuar lëndime të vogla, do të jenë të gatshëm për finalen e madhe.
Menaxheri i Interit, Jose Mourinho, thotë se Manchester United duhej të përballej me Chelsean dhe jo me Barcelonën, në finalen e Ligës së Kampionëve.Këto komente portugezi i ka bërë në një kolumne në gazetën britanike Telegraph.“Një gjë dua të them, Chelsea e meritoi finalen. Barça është një ekip i klasit, por ata nuk ishin më të mirë se Chelsea. A kishte vendime të gabuara? Po. A ishte Barcelona me fat? Po. Por ky vazhdon të jetë një super-ekip dhe ata vazhduan të besonin deri në sekondën e fundit”, ka shkruar portugezi.“Lojtarët e Chelseat merituan të ishin të lumtur, ata pothuajse kanë qenë kampionë evropian gjatë pesë viteve të fundit dhe gjithmonë ka një lidhje të çuditshme ‘pothuajse’. Jam i dëshpëruar për ta, por Barcelona dhe Manchester United do t’i japin botës një finale të madhe”, ka shtuar më tej Mourinho.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka refuzuar një ofertë nga Juventusi për të marrë nën drejtim klubin italian.Daily Star Sunday shkruan se ekipi italian është i fundit nga gjigantët evropian që dështon të marrë francezin nga Arsenali, pas dështimit të Real Madridit.Vikendin e kaluar klubi nga Torino vendosi të shkarkojë trajnerin e deritanishëm, Claudio Ranieri, dhe e kishte etiketuar Wengerin si personin për të zëvendësuar italianin.Juventusi ishte i gatshëm t’ia ofronte pagën më të lartë se çdo trajner tjetër, dhe këtë ua kishte përcjellë agjentëve të tij.Por përgjigja e Wenger ka qenë e njëjta, “Faleminderit, por jo faleminderit”, të cilën ia kishte thënë edhe Real Madridit muajin e kaluar.
Manchester City raportohet se është duke kërkuar yllin e Olympique Lyon, brazilianin Juninho.Siç shkruan Sunday Mirror, Juninho do të jetë cak i një varg klubesh evropiane, pasi ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u larguar nga Lyoni.35-vjeçari brazilian është një prej specialistëve më të mirë në botë në gjuajtjet e lira, ndërsa ka shënuar 99 gola për kampionin e Francës, 44 nga të cilat janë shënuar pikërisht nga gjuajtjet e lira.City është i gatshëm ta sjellë brazilianin në Premier League, ndërsa pritet të ketë edhe konkurrencën e Real Madridit dhe Juventusit.
Sulmuesi francez Louis Saha nuk është penduar që është larguar nga Manchester United për të kaluar në Everton këtë sezon.“Jam shumë i kënaqur me zgjidhjen time për të ardhur në Everton. Edhe bashkë-lojtarët e mi poashtu janë të kënaqur”, thotë Saha.“Gjëra të shkëlqyeshme pritet të ndodhin në ekip, jo vetëm këtë sezon, por edhe në të ardhmen po ashtu. Kjo është sepse e kam bërë zgjidhjen e duhur duke ardhur në Everton. Por nuk mendoj se i kam tejkaluar pritjet ende”, ka shtuar francezi.
Skocezi pranon se argjentinasi është një prej sulmuesve më të rrezikshëm, por shpreson se Patrick Evra do të arrijë ta ndalojë Messin.“Vitin e kaluar vareshim nga forma e Patrick Evra, dhe këtë vit po ashtu do të varemi nga kjo. Patrick është një lojtar fantastik, shumë i shpejtë nëpër gjithë fushën dhe kjo është më se e nevojshme kundër Messi, pasi edhe ai vetë është shumë i shpejtë”, thotë Ferguson.“Kishte momente në Old Trafford kur nuk mund të bënim asgjë kur topi ishte në këmbët e tij dhe ai i sulmonte lojtarët tonë”.“Duhet t’i jepet meritë për këtë, pasi kishte momente kur ne u mbështetëm në fat, se ai do të bëjë ndonjë pasim të gabuar, do të del para topin, ose diçka tjetër do të ndodhë”, ka shtuar skocezi.
Orlando Magic ka mposhtur Cleveland Cavaliers me rezultat 99-89 për të marrë avantazhin 2-1 në serinë e ndeshjeve finale të Konferencës Lindore.Dwight Howard shënoi 24 pikë dhe nëntë kërcime edhe pse luajti më pak se 28 minuta, derisa për Orlando Magic edhe pesë lojtarë të tjerë shënuan pikë dyshifrore.LeBron James vazhdoi me formën e tij të shkëlqyeshme duke shënuar 41 pikë, nëntë asistime dhe shtatë kërcime për Cleveland, por ishte i suksesshëm në vetëm 11 nga 28 gjuajtjen nga loja dhe huqi edhe pesë gjuajtje të lira.
Ndeshja e katërt mes dy ekipeve zhvillohet të martën në Orlando.
Sulmuesi francez Yoann Gourcuff ka thënë se nuk dëshiron të rikthehet tek Milani gjatë verës.Gourcuff është i huazuar nga ekipi italian tek Bordeaux këtë sezon, ku po tregon paraqitje të shkëlqyeshme dhe dëshiron të vazhdojë të luajë për ekipin francez. “Dua të qëndroj në Bordeaux. Tash duhet të gjejmë një marrëveshje me menaxhmentin e rosonerëve”, ka thënë Gourcuff.
Sami Hyypia, i cili këtë verë do të transferohet në kampionatin gjerman te Bayer Leverkusen, ka falënderuar fansat e Liverpoolit për lamtumirën emocionale gjatë fitore së djeshme ndaj Tottenhamit.“Ishte fantastike dhe do të doja t’i falënderoj fansat për atë dhe për përkrahjen e mahnitshme gjatë 10 viteve sa kam qenë në klub. Ka pasur ca lot në fund dhe u befasova që i mbajta ato brenda deri në atë moment. Ishte një moment dëshpërues për mua”, ka thënë Hyypia. “Gjithmonë kam pasur raporte të mira me fansat. Ata më kanë trajtuar mua si të vetin, që nga dita e parë dhe kjo kurrë nuk do të ndryshojë. Do të më mungojnë”, ka shtuar më tej mbrojtësi finlandez. Hyypia ishte afër për të bërë një lamtumirë perfekte, por goditja e tij me kokë në lojën shtesë, u ndalua nga lojtarët e Tottenhamit, në ndeshjen e djeshme.
Newcastle United ka nevojë për ndryshime të mëdha nëse klubi dëshiron të rikthejë shkëlqimin e mëhershëm, thotë trajneri aktual Alan Shearer.Ish-sulmuesi i kombëtares angleze u soll në klub si menaxher për ndeshjet e fundit, por dështoi ta mbajë klubin në Premier League, dhe tash beson se ekipi ka nevojë për ndryshime të mëdha, për të kthyer formën e mëhershme. “Ka nevojë të bëhen ndryshime të mëdha, të largohen lojtarë, të vijnë lojtarë. Nuk mund të ankohem (për eliminimin nga Liga Premier), ne nuk ishim të mirë gjatë 38 ndeshjeve”, ka thënë Shearer. “Uroj ekipet tjera të cilat mbijetuan. Ata do të jenë pjesë të Premier League, ndërsa ky klub do të kërkojë të kthehet. Ka nevojë për shumë ndryshime, nga kreu deri në fund. Janë bërë shumë gabime”, ka shtuar legjenda e futbollit anglez.
Pavarësisht se do të mungojë në garat evropiane, menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, thotë se ekipi i tij mund të jetë krenar për atë që ka arritur këtë sezon.“Ne ishim të mëngët me disa lojtarë, dhe humbëm Jonathan Woodgate një ditë para ndeshjes. U përpoqëm të japim maksimumin. Futbolli evropian do të ishte një arritje shumë e madhe, duke marrë parasysh pozitën e Spurs kur unë arrita në klub”, ka thënë Redknapp pas ndeshjes së djeshme me Liverpoolin. “Ne po thuajse ia dolëm në fund. Por të kthehesh nga fundi dhe të ngjitesh në pozitën e tetë, është diçka për të qenë krenar. Thjesht nuk ishim në gjendje ta godasim Liverpoolin. Një pjesë e mbrojtjes tonë ishte e dobët, golat që pranuam mund të ishin shmangur”, ka shtuar anglezi.
Ish-kampioni i Spanjës, Real Madrid, vazhdon me formën e dobët së fundmi, pasi pësoi humbje e rezultat 3-1 edhe në ndeshjen e sotme para tifozëve të vet nga Real Mallorca.Reali kaloi i pari në epërsi me golin e sulmuesit argjentinas Gonzalo Higuain në minutën e 20-të të lojës, por vendasin nuk ishin në gjendje ta ruajnë rezultatin. Pas gjashtë minutash tjera mysafirët barazuan me anë të kapitenit Juan Arango.Pjesa e dytë u takoi mysafirëve, të cilët shënuan edhe dy gola të tjerë për të thelluar krizën e madrilenëve. Cleber Santana ishte ai që i dha epërsinë e parë Mallorcas në minutën e 58-të të ndeshjes, ndërsa rezultatin e vulosi Alhassane Keita, 20 minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes.Humbja është e katërta radhazi dhe mbase më e vështira për Real Madridin, pas humbjeve ndaj Barcelonës (2-6), Valencias (3-0) dhe Villarrealit (3-2).
















