Juventusi e humbi mundësinë për ta fituar një trofe këtë sezon kur u eliminua në gjysmëfinale të Kupës së Italisë nga Lazio, e cila në fund edhe e fitoi këtë garë, ndërsa kapiteni i Bianconerëve, Alessandro Del Piero, ka kërkuar hakmarrje në ndeshjen e të dielës kundër Biancocelestëve në Torino.
Të dielën Juventus do të luftojë për vendin e dytë në tabelë, pasi që ka pikë të barabarta me Milanin, i cili luan në udhëtim kundër Fiorentinës, ndërsa çdo lëshim i Rossonerëve do të mirëpritet nga bardhezinjtë, të cilët e kanë mundësinë e fundit ta sigurojnë vendin e dytë në tabelë për të shkuar direkt në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve në sezonin e ardhshëm. Del Piero ishte pjesë e fitores së javës së kaluar kundër Sienës, në ndeshjen e parë të trajnerit të ri, Ciro Ferrara, duke shënuar dy gola dhe duke asistuar në njërin prej tre golave të shënuar, ndërsa “Tuttosport” njofton se ikona e Zonjës së Vjetër është i etur për hakmarrje ndaj Lazios.
"Calciomercato" njofton se Lazio ka bërë një ofertë prej gjashtë milionë eurosh për mesfushorin e Torinos, Blerim Xhemaili.
Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane ka qenë njëri nga lojtarët më të mirë këtë sezon te Torino duke tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave të Serie A. 23-vjeçari ka kontratë me Torinon deri në vitin 2012 , mirëpo ai ka dëshirë të transferohet në një skuadër më të madhe, dhe nëse Torino largohet nga Serie A, padyshim që Xhemaili do ta pranojë ofertën e Lazios. Këtë fundjavë zhvillohet xhiroja e fundit në Serie A, ndërsa Torino ende rrezikohet për të rënë nga elita e futbollit italian, për më keq, në javën e fundit Granata përballet me Romën.
Bordeaux ka njoftuar pasditen e të enjtes se e ka kompletuar transferimin e mesfushorit Yoann Gourcuff, i cili këtë sezon ka qenë i huazuar te skuadra franceze nga Milani.
Gourcuff ka treguar formë të jashtëzakonshme këtë sezon duke u shpallur lojtar i vitit në Ligën e Parë franceze dhe duke i ndihmuar skuadrës së tij që të jetë shumë pranë për ta fituar Kampionatin francez (Bordeaux ka nevojë për një pikë të vetme në xhiron e fundit të Ligue 1 për t’u shpallur kampion). Konfirmimin e transferimit e kanë bërë presidenti i Bordeaux, Jean-Louis Triaud, dhe vetë lojtari, i cili është shprehur shumë i lumtur që do ta vazhdojë aventurën me skuadrën franceze. “Jam i lumtur që do ta vazhdoj aventurën time sportive me Girondins (Bordeaux). Vendimi im për të nënshkruar me këtë skuadër është zhvilluar gjatë gjithë sezonit”, ka thënë mesfushori.
Biznesmeni i pasur arab Sulaiman Al-Fahim, pronari aktual i Manchester Cityt, e ka blerë edhe skuadrën tjetër nga Liga Premier, Portsmouth.
Konfirmimi ka ardhur nga një deklaratë zyrtare e klubit, ndërsa mësohet se Al Fahim do të paguajë 80 milionë funte për blerjen e Portsmouth. Marrëveshja është arritur të mërkurën në Romë, ndërmjet Al Fahim dhe tashmë ish-presidentit Alexandre Gaydamak. Këtë sezon Portsmouth ka siguruar qëndrimin në Premier League duke zënë vendin e 14-të në ligën më të fortë në botë.
Manchester City është duke përgatitur një mega-ofertë për sulmuesin e Barcelonës, Samuel Eto’o, njërin nga heronjtë e Blaugranëve në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Manchester Unitedit.
Gazeta spanjolle “Marca” njofton se ‘pasanikët’ janë duke përgatitur një ofertë serioze për ta bindur kampionin e ri të Evropës që të heqë dorë nga sulmuesi kamerunas. 28-vjeçarit i ka mbetur edhe një vit në kontratën e tij me Barcelonën, prandaj katalunasve do t’u konvenonte që të fitonin një shifër me shumë zero për prishjen e kontratës së tij.
Mbrojtësi i Interit, Maicon, i cili ka qenë i lidhur me një transferim të mundshëm te Real Madridi, mund të largohet nga Nerazzurët gjatë afatit kalimtar veror, thotë agjenti i tij Antonio Caliendo.
“Maicon është nga ata lojtarë, të cilët të gjithë i dëshirojnë. Gjatë afatit kalimtar (veror) besoj se do të ketë shumë lëvizje, sidomos te Real Madridi dhe Barcelona”. “Gjithçka është e mundur, por kjo varet nëse Moratti do të jetë i kënaqur me ofertat të cilat do t’i pranojë”, ka thënë Caliendo për tuttomercatoweb.
Mbrojtësi i Romës, Marco Motta, ka deklaruar se dëshiron të mbetet të skuadra kryeqytetase, ku është i huazuar nga Udinese.
23-vjeçari kaloi te Roma në afatin kalimtar dimëror nga Udine, ndërsa ka shfaqur një formë të jashtëzakonshme, duke siguruar vend në formacionin bazë të Romës, dhe njëkohësisht siguroi vend edhe në përfaqësuesen e Italisë. Megjithatë, e ardhmja e tij mbetet e paqartë, ndërsa lojtari dëshiron që së paku ta zgjatë huazimin e tij te Giallorossët. “Shpresoj të qëndroj te Roma”, u ka thënë Motta tifozëve të Romës shkruan Laroma24.it.
Superylli i Milanit, Ricardo Kaka, e ka shprehur shqetësimin e tij për formën e dobët të Rossonerëve, para ndeshjes së të dielës kundër Fiorentinës, pasi që fitorja është e domosdoshme për ta mbajtur pozitën e dytë në tabelë, me qëllim të kualifikimit direkt në Ligën e Kampionëve.
“Kjo është një javë shumë e veçantë dhe delikate. Po kalojmë nëpër një periudhë të vështirë dhe duhet doemos ta tejkalojmë këtë dhe të rikthehemi në Ligën e Kampionëve” “Finalja e djeshme ndërmjet Barcelonës dhe Manchester Unitedit na motivoi edhe më shumë, sepse dëshirojmë t’i kemi sërish ato emocione dhe atë presion, dhe të fitojmë sërish”. “Na ka mbetur vetëm një ndeshje dhe nuk duhet të shmangemi nga objektivi ynë, sepse është shumë me rëndësi të luajmë sërish në Ligën e Kampionëve”, është cituar të ketë thënë braziliani për faqen zyrtare të Rossonerëve.
Portieri i Manchester Unitedit, Edwin van der Sar, ka pranuar se Djajtë e Kuq nuk ishin në formën e tyre më të mirë në finalen e të mërkurës mbrëma dhe se Barcelona me plot meritë është shpallur kampion.
“Të gjithë jemi të zhgënjyer me paraqitjen tonë dhe me rezultatin”. “Gabimi kryesor ishte pranimi i golit të parë dhe pastaj ne vuajtëm dhe nuk mund të ktheheshim në lojën tonë. Barcelona e mbajti topin shumë mirë”. “Ne ishim nën presion edhe atëherë kur e kishim topin. Gjithçka dukej se po shkon keq për ne. Barcelona ishte meritore për këtë gjë”. “Barcelona e fitoi titullin e Evropës (për klube) dhe tani është skuadra më e mirë në Evropë. Barca luajti shumë mirë, dhe krejt çka na mbetet neve është të provojmë në sezonin e ardhshëm”, ka thënë holandezi për faqen zyrtare të United.
Sulmuesi i Juventusit, David Trezeguet, është gjithnjë më afër largimit nga Zonja e Vjetër, sidomos pasi presidenti Giovanni Cobolli Gigli konfirmoi se francezi do të shkojë "në vendin e duhur".
Ndërkohe agjenti i 31-vjeçarit, Antonio Caliendo, ka thënë për RomaGiallorossa.com se javën e ardhshme do të takohen me drejtuesit e Juves për të diskutuar për të ardhmen e Trezegol. Njëra nga skuadrat e mundshme për të kaluar sulmuesi bardhezi është Roma. “Nëse Roma është e interesuar, atëherë mund të arrijmë një marrëveshje. Pastaj do të presim nëse dy skuadrat do të mund të merren vesh me njëra-tjetrën”, ka shtuar Caliendo.
Skuadra e Ervin Skelës, Energie Cottbus, do të zhvillojë dy ndeshje kundër Nurnbergut (Bundesliga 2) në luftën për të mbetur në elitën e futbollit gjerman- Bundesliga 1.
Cottbus të enjten (18:00) do ta zhvillojë ndeshjen e parë kundër skuadrës nga Liga e Dytë gjermane, ndërsa të dielën zhvillohet ndeshja e kthimit. Që nga fitorja kundër Hannoverit, drejtuesit e Cottbusit u kanë premtuar premi nga 5.000 euro secilit lojtar për secilën fitore të Cottbusit, nëse skuadra qëndron në Bundesliga 1. Kjodo të thotë se në pesë ndeshjet e fituara së fundmi janë grumbulluar 25.000 euro për secilin lojtar, ndërsa nëse i fitojnë edhe dy ndeshjet kundër Nurnbergut (+ 10.000 €) lojtarët, ku përfshihet edhe Ervin Skela, do të marrin nga 35.000 euro shpërblim.
Gjiganti bavarez Bayern Munich ka mohuar spekulimet se ka arritur marrëveshje me Chelsean për shitjen e Franck Ribery.
Të enjten është raportuar se Blutë kanë arritur marrëveshje me skuadrën gjermane për transferimin e francezit për vlerën prej 50 milionë eurosh. Mirëpo, një përfaqësues i Bayernit ka mohuar këtë gjë duke thënë se gjermanët planifikojnë t’ia zgjatin kontratën 26-vjeçarit. “Ai ka kontratë deri në vitin 2011 dhe ne dëshirojmë t’ia zgjatim atë”, është cituar nga BBC përfaqësuesi Bayernit.
Agjenti i Ryan Babel ka reaguar për të fundosur thashethemet e fundit për klientin e tij, duke thënë se 22-vjeçari nuk do të largohet në afatin kalimtar veror.
Ditët e fundit është spekuluar se trajneri i Të Kuqve, Rafael Benitez, i ka thënë holandezit që mund të largohet në drejtim të një skuadre tjetër, pasi që nuk ka vend në formacionin kryesor të Liverpooolit, mirëpo agjenti i lojtarit, Winnie Haatrecht, thotë se Babel nuk planifikon të largohet nga Anfield. “Së shpejti do të takohemi me Benitezin për të diskutuar për sezonin e ardhshëm. Ryan u largua nga Ajaxi për të fituar trofe me Liverpoolin, dhe këtë nuk e ka arritur ende. Ai akoma nuk është i gatshëm të largohet nga Liverpooli, sepse dëshiron të sigurojë vend në formacionin bazë të skuadrës”, ka thënë Haatrecht.
Los Angeles Lakers ka bërë një paraqitje të zjarrtë për të mposhtur Denver Nuggets me rezultat 103-94 dhe për të qenë një fitore larg finales së NBA-së.
Kobe Bryant shënoi 22 pikë, ndërsa rezerva Lamar Odom kontribuoi me 19 pikë dhe me 14 kërcime, për t’i ndihmuar Lakersave të marrin avantazhin 3-2 në finalen e Konferencës Perëndimore. Carmelo Anthony shënoi pikët më të larta në ndeshje, 31 gjithsej për Nuggets, të cilët avancuan 73-66 në çerekun e tretë të ndeshjes, para se Lakers ta marrin nën kontroll ndeshjen e zhvilluar në Staples Center.

Ndeshja e gjashtë mes dy ekipeve do të zhvillohet të premten në Denver.


Pep Guardiola sigurisht se është i kënaqur që ka fituar edhe trofeun më të rëndësishëm të sezonit dhe në mesin e fjalëve të tij, ka thënë edhe se këtë ia dedikuar futbollit italian dhe Paolo Maldinit.
Barcelona mposhti Manchester United me rezultat 2-0 në finalen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve që u zhvillua në kryeqytetin Italia, Romë. Legjenda e Milanit, Paolo Maldini, vikendin e kaluar luajti ndeshjen e fundit para tifozëve të rosonerëve, kur u fye nga një pjesë e fansave, por ai ka një fans shumë të veçantë, pikërisht Guardiolën. “Ia dedikoj këtë futbollit italian dhe Paolo Maldinin, i cili nuk duhet të shqetësohet pasi ka adhurues nëpër gjithë Evropën”, ka thënë Guardiola për RAI Sport.
Mediat italiane përcjellin lajmin se veterani Pavel Nedved me siguri do ta vazhdojë marrëveshjen me Juventusin edhe për një sezon tjetër.
36-vjeçari çek në shkurt pohoi se në fund të sezonit do të tërhiqet nga futbolli, megjithatë duket se ndeshja e të dielës ndaj Lazios nuk do të jetë paraqitja e tij e fundit me biankonerët. “Nëse Nedved do të vazhdojë të luajë? Asgjë nuk është e pamundur, por për këtë duhet ta pyetni Juventusin”, ka thënë agjenti i lojtarit në një intervistë për La Stampa. Sportmediaset shkruan se vetë lojtari është rimenduar rreth pensionimit dhe është i gatshëm ta vazhdojë marrëveshjen edhe për një vit tjetër.
Mesfushori i Chelseat, Deco, ka pohuar se është në negociata me Interin për t’u transferuar në Serie A.
Portugezi arriti në Stamford Bridge në fillim të këtij sezoni, pasi Pep Guardiola nuk llogariste në shërbimet e tij. Pas një fillimi të mbarë, Deco pësoi një rënie të formës dhe nuk fitoi shumë minutazh nën drejtimin e Guus Hiddink. “Mund të pohoj se jam në negociata me Interin. Nuk fitoja shumë raste për lojë në vitin e parë në Chelsea dhe kalimi në Itali është një zgjidhje e mirë. Të stërvitem sërish me Jose Mourinho, do të jetë një opsion interesant”, ka thënë portugezi. “Por nuk dua të hy në detaje, pasi nuk jam unë ai që e udhëheq gjithë këtë proces të transferimit”, ka shtuar Deco.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka pranuar humbjen duke thënë se Barcelona ishte ekip më i mirë dhe meritoi të fitojë finalen e Ligës së Kampionëve.
Një gol i Samuel Eto'o dhe një tjetër nga Lionel Messi, i sollën edhe titullin e tretë të sezonit Barcelonës, dhe Ferguson mendon se kjo ishte plotësisht e merituar“Mendoj se goli i parë ishte vrasës, sulmi i parë që ata patën, shënuan, dhe kjo ishte një fillim i keq i ndeshjes për ne. Filluam shkëlqyeshëm, me shumë besim, por u nervozuam ca më pas dhe kur ata shënojnë, ata mund ta mbajnë topin gjithë natën dhe ne thjesht nuk e kishim mjaftueshëm”, ka thënë Ferguson për Sky Sports.“Kishin disa gjysmë-raste të mira në pjesën e dytë, dhe mbase mund t’ia kishim dalë më mirë, por me të drejtë ne u mposhtëm nga një ekip më i mirë. Nuk ishim në formën më të mirë, por pas golit të parë ishte edhe më vështirë”, ka shtuar skocezi pas ndeshjes.
Ish-mbrojtësi i Manchester United, Gerard Pique, ka thënë se ky ishte një sezon i ëndrrave për ekipin e tij të ri, pasi Barcelona mposhti mbrëmë Manchester United për të fituar titullin e Ligës së Kampionëve.
“Ishte i veçantë pasi luajtëm vërtet mirë dhe merituam të fitojmë. Barcelona gjithmonë ka qenë klubi im, që kur isha i ri, andaj kjo e bën këtë edhe më të veçantë”, ka thënë Pique pas ndeshjes.“Më vjen keq për Manchester United, pasi ata janë vërtet miq të mirë të mi. Që kur kam arritur këtu, e dija se ishte vendimi i duhur. E dija se ishin ekip i shkëlqyeshëm. Ka qenë një sezon i ëndrrave”, ka shtuar spanjolli.
Mbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand, thotë se i gjithë ekipi ka qenë për t’u fajësuar pasi kampioni i Anglisë pësoi humbje nga Barcelona në finalen e Ligës së Kampionëve.
“Barcelona është për t’u respektuar, ata luajtën mirë. Jemi shumë të zhgënjyer me humbjen, por kur ata luajnë në këtë mënyrë, ju duhet të luani futbollin më të mirë dhe sot ne nuk e bëmë këtë”, ka thënë Ferdinand.“Nuk mendoj se ndonjëri prej neve mund të thotë se luajtëm mirë, as në mënyrë individuale ose në mënyrë kolektive”.“Dy gola të butë, turp që nuk luajtëm mirë, edhe pse krijuam pesë ose gjashtë raste. Por sot nuk ishte shkruar për ne, dhe urime Barcelonës. Nuk ka arsyetime, mendoj se sot ata ishin ekip më i mirë. Ata shënuan dy gola në momentet vendimtare dhe e merituan fitoren”, ka shtuar anglezi.
Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, nuk ka gjetur fjalë të përshkruar gëzimin e tij pas triumfit në finalen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve.
Iniesta ishte personi që çoi katalanasit në finale, falë golit të barazimit të shënuar kundër Chelseat në çastet e fundit të ndeshjes gjysmëfinale.Spanjolli ishte shtylla e Barcelonës edhe në fitoren ndaj Manchester United, duke qenë asistues i golit të parë, të cilin e shënoi Samuel Eto’o.“Jemi më të mirët. Nuk ka fjalë për ta shpjeguar këtë, ishte një përfundim perfekt i një sezoni spektakolar. Ata ishin ekip më i mirë për gjashtë ose shtatë minuta, por pastaj ne e kishim lojën në duar. Perfekt”, ka thënë mesfushori spanjoll për Canal+, pas përfundimit të ndeshjes.
Kapiteni i Barcelonës, Carles Puyol, si edhe lojtarët e tjerë, ka qenë i ngazëllyer me triumfin në Ligën e Kampionëve, pasi kampioni i Spanjës mposhti në finale kampionin e Anglisë, Manchester United, me rezultat 2-0.
“Ky është titulli i fundit të cilin e kërkonim dhe është një sezon historik për ne. Pas dhjetë minutave, kur shënuan gol, e udhëhoqëm ndeshjen”, ka thënë PuyolSamuel Eto'o, po ashtu ka qenë emocional, duke thënë se nuk din as si ta festojë këtë. “Atje lart është një Zot. Nuk di as si ta festoj këtë”, ka thënë kamerunasi.
Barcelona është kampioni i ri i Evropës, pasi në finalen e Ligës së Kampionëve në Romë mposhti me rezultat 2-0 tashmë ish-kampionin, Manchester United.
Nga një gol në secilën pjesë, i kanë dhënë përfundimin më të mirë sezonit të parë të trajnerit Pep Guardiola në stolin e Barcelonës, i cili fiton të tre trofetë (Kupën e Mbretit, kampionatin e Spanjës dhe Ligën e Kampionëve).

Pjesa e parë

Djajtë e kuq filluan ndeshjen me më shumë vrull duke krijuar disa raste të mira shënimi, por rrjeta e Barcelonës mbeti e paprekur.

Pas tre minutash lojë Cristiano Ronaldo kërcënoi portën e Victor Valdes me anë të një gjuajtje të lirë, dhe spanjolli ishte i pasigurt në reagimin e tij, por topi u pastrua nga ish-mbrojtësi i United, Gerard Pique. Ronaldo pati edhe një rast tjerët në minutën e tetë të lojës, kur asistimi i Patrice Evra gjeti portugezin në zonën e penaltisë, goditja e të cilit përfundoi jashtë kornizës së golit.

Pjesa e dytë

Blaugranët filluan pjesën e dytë ashtu si e mbyllën të parën, duke kërkuar vazhdimisht të shtojnë epërsinë dhe rezultati nuk mungoi. Së pari Thierry Henry humbi një rast të artë, kur pas një pasimi të Iniesta, arriti të shmangë në të majtë mbrojtjen kundërshtare, por goditja e tij e lehtë u mbrojt nga Van der Sar. Rasti tjetër i shkëlqyeshëm i takoi lojtarit më të mirë të ndeshjes, Xavi Hernandez, goditja e të cilit nga gjuajtja e lirë u ndalua nga shtylla e majtë. Dhe, përpjekjet e katalansve u shpërblyen pas 70 minutash lojë, kur një harkim i Xavit gjeti në mënyrë të përkryer kokën e Messi të harruar në të majtë, i cili dërgoi topin në rrjetën prapa shpinës së portierit holandez.

Edhe pse në avantazh të dy golave, Barcelona vazhdoi të bëjë lojën e saj sulmuese, me edhe disa raste të humbura prej katalanasve, përfshirë edhe një goditje qendrore me kokë nga kapiteni Carles Puyol, që u mbrojt nga Van der Sar. Manchesteri në anën tjetër pati raste më të rralla, që nuk arritën të konkretizohen nga sulmi anglez, pavarësisht se Ferguson reagoi dy herë duke futur në lojë së pari Carlos Tevez dhe pastaj edhe Dimitar Berbatov.

Për Barcelonën ky është titulli i tretë në këtë garë evropiane dhe i dyti që kur kjo mban emrin Liga e Kampionëve. Hera e fundit kur Barcelona fitoi garën evropiane ishte viti 2006, kur nën drejtimin e Frank Rijkaard, në finale mposhti Arsenalin. Manchester United ndërkohë humbi rasti për të hyrë në histori, duke fituar dy herë radhazi Ligën e Kampionëve. United vazhdon të ketë tre tituj të kampionit të Evropës.