Ekipi nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Al-Garrafa, ka pohuar se është në negociata për të angazhuar kapitenin e Lyonit, mesfushorin brazilian Juninho.Braziliani është pa kontratë nga fundi i sezonit dhe u paralajmërua se do të transferohej në ndonjë prej vendeve afrikane ku do të mund të merrte një pagë të majme. Mbrëmë, agjenti i lojtarit ka thënë brazilianin e kërkojnë edhe shumë klube në Itali, por së fundi del në pah një destinacion i ri për Juninhon, dhe sipas gjasave ai do të luajë në Katar në sezonin e ardhshëm. Juninho sot ka udhëtuar për në Doha, ndërsa klubi Al-Garrafa ka pohuar se ata janë në negociata me të, për ta definuar transferimin. Sipas disa burimeve, Juninho do të fitojë pagë vjetore rreth 2.5 milionë euro, që do të jetë rekord për kampionatin e këtij vendi.
Kampioni i Anglisë, Manchester United, do të dërgojë ofertë për mbrojtësin e Interit, Douglas Maicon.Corriere dello Sport shkruan se Maicon, i cili gjendet në Afrikën e jugut ku kombëtarja e Brazilit merr pjesë në Kupën e Konfederatave, është i alarmuar nga lajmi se Sir Alex Ferguson dëshiron të nënshkruajë me të. Real Madrid ka thënë se do të ofrojë 18 milionë funte për brazilianin, por Ferguson raportohet se përgatit të mposhtë ofertën e Realit, duke dhënë 22 milionë euro.
Mbrojtësi i Arsenalit, Bacary Sagna, do të mirëpriste një kalim në Real Madrid.Sagna është emri i fundit i cili lidhet me një kalim te gjiganti spanjoll. Ndryshe nga bashkë-lojtari i tij, Gael Clichy, Sagna, i cili ka nënshkruar marrëveshje afatgjate me Arsenalin, nuk ka përjashtuar një kalim te Reali. “Jam i befasuar me këtë, edhe pse nuk di asgjë, por nuk jam kundër kësaj ideje. Dua të vazhdoj me Arsenalin, por do të shohim”, ka thënë francezi.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, thotë se kontrata e tij e re do të jetë edhe e fundit e tij në lojën aktive të futbollit.“Do të jem 33 vjeçar në fund të kontratës time në vitin 2013 dhe nuk e di nëse do të shkoj më tej. Nëse pensionohem, atëherë do ta di se që nga fillimi deri në fund të karrierës time kam pasur vetëm një klub. Dhe nuk dua të mendoj për të veshur ndonjë fanellë tjetër në të ardhmen”, ka thënë Gerrard. “Isha afër largimit në të kaluarën, ndoshta dy herë, veçanërisht në vitin 2005. Atë vit ishim larg titullit të Premier League dhe interesimi i Chelseat më pushtoi kokën. Ishte një moment i vështirë për mua. Sidoqoftë, tash kur shikoj prapa jam shumë i lumtur me atë që vendosa të qëndroj këtu. Kjo më ka dhënë krenari të vërtetë”, ka shtuar anglezi.
Kampioni i ri i Gjermanisë, Wolfsburg, është duke kërkuar sulmuesin e Portsmouth, Peter Crouch.Shtatlarti anglez mund të arrijë te Wolfsburgu si zëvendësim i sulmuesit boshnjak Edin Dzeko, i cili pritet të shitet gjatë kësaj vere. “Më duket si një opsion interesant për të ardhmen e Peter Crouch”, ka thënë agjenti i lojtarit, Jonathan Barnett.
Mesfushori i Arsenalit, Emmanuel Eboue, ka deklaruar se ai është i gatshëm të largohet nga Arsenali.Përfaqësuesi i kombëtares së Bregut të Fildishtë ka thënë për France Football se largimi nga ekipi anglez është një zgjidhje e vështirë, por se nuk mund të pranojë që qëndrojë në stolin rezervë si në sezonin e kaluar. “Është një zgjidhje e vështirë, por mendoj se do të jetë edhe më vështirë nëse përjetoj edhe një sezon si ky i fundit. Sidoqoftë, nëse largohem, do të jetë sigurisht për një kampionat tjetër të madh”, ka thënë lojtari.
Barcelona planifikon të kërkojë shërbimet e sulmuesit të Manchester Cityt, Robinho, i cili së fundmi është shprehur se do t’i pëlqente të luante për kampionin e Evropës, nëse Blaugranët bëjnë një ofertë për të.“Barca është një skuadër e madhe dhe është gjithmonë kënaqësi kur dëgjoj se më dëshirojnë të luaj atje”, është cituar Robinho nga “Sport”. Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, që në sezonin e kaluar kishte kërkuar nga udhëheqësit e klubit që t’ia sjellin Robinhon, mirëpo kataluanist nuk bënë ofertë për të. Ndërsa tani është ndryshe, dhe pritet që gjiganti spanjoll të bëjë gati ofertën për brazilianin.
Mesfushori shqiptar i Energie Cottbus, Ervin Skela, po kërkohet nga shumë skuadra evropiane pas rënies së ekipit të tij aktual në Bundesliga 2, ndërsa së fundmi interesim ka shprehur skuadra turke Bursaspor, njofton "Top Channel".Kontrata e Skelës me Cottbusin skadon në vitin 2011, mirëpo aty përfshihet edhe klauzola e vlefshme vetëm për Bundesliga 1, kështu që largimi i tij është më se i mundur. Përveç Bursaspor, për mesfushorin kuqezi kanë shprehur interesim edhe disa klube tjera, duke filluar nga Bundesliga 1 (Mainz, Mönchengladbach), Bundesliga 2 (TuS Koblenz), Serie A (Cagliari), Serie B (Torino) dhe kampionati grek i futbollit (Olimpiacos dhe AEK).
Interi është shumë pranë nënshkrimit me sulmuesin e Bayern Munichut, Luca Toni.Sezonin e kaluar Toni pati probleme me lëndime të cilat ia pamundësuan të shfaqte formën e tij më të mirë, kështu që ai nuk është edhe aq i dëshiruar te skuadra bavareze, ndërsa nëse llogaritet edhe ardhja e Mario Gomez dhe Ivica Olic, atëherë largimi i sulmuesit italian nga Allianz Arena është më se i mundur. “Sky Sport Italia” njofton se agjenti i Tonit, Tullio Tinti, është takuar me përfaqësuesit e Interit, dhe se Nerazzurët kanë përgatitur gjashtë milionë euro për Bayernin dhe nga katër milionë euro për sezon për Tonin.
Roma ka bërë gati kontratën e re për simbolin e skuadrës, Francesco Totti, sipas të cilës ai do të luajë në Olimpico deri në vitin 2014.Kontrata aktuale e kapitenit skadon në vitin 2010, ndërsa “Il Corriere Dello Sport” njofton se ‘Numri Dhjetë’ i Giallorossëve do ta nënshkruajë kontratën e re porsa të kthehet nga pushimi. Në bazë të kontratës së re pritet që Tottit t’i ulet paga aktuale (6 milionë euro për sezon) për 20%, ndërsa pas vitit 2014, kur ai do t’i ketë 38 vjet do t’i ofrohet një post si drejtor te skuadra e tij e zemrës.
Wesley Sneijder nuk do të largohet nga Real Madridi gjatë këtij afati kalimtar, thotë agjenti i tij.Mesfushori holandez është njëri nga lojtarët e përfshirë në listën për largim të administratës së re të Mbretërve, mirëpo agjenti Soren Lerby thotë se klienti i tij dëshiron ta bart fanellën e Los Blancos në katër vitet e ardhshme, sa zgjat kontrata e tij. “Wesley ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2013. Ai është i lumtur me Los Blancos dhe nuk dëshiron të largohet”, u ka thënë Lerby gazetarëve.
Kryetari i bordit ekzekutiv të Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummenigge, ka njoftuar se Real Madridi, Barcelona, Chelsea dhe Manchester Unitedi, kanë kërkuar shërbimet e anësorit francez Franck Ribery, mirëpo sipas fjalëve të tij, francezi do të mbetet në Allianz Arena.“Jemi tërësisht të qetë dhe krenar që kemi në skuadër njërin nga tre lojtarët më të mirë në botë, i cili ka kontratë me ne dhe që ka nxitur interesim aq të madh”. “Reali ka kërkuar me anë të presidentit Florentino Perez, dhe këshilltarit të tij Pedro Jimenez që të fillojmë bisedimet për një marrëveshje. Por ne e kemi refuzuar këtë kërkesë, sepse nuk dëshirojmë ta shesim Riberyn”. “Për ofertën e Chelseat kemi njoftuar më herët, ndërsa po ashtu oferta kanë bërë edhe Manchester Unitedi dhe Barcelona”. “Gjithmonë do të ketë perceptime të tilla të cilat do të sugjerojnë se Bayern Munichu po mundohet ta rrisë çmimin dhe kur të arrijë një shifër e caktuar do ta pranojmë, mirëpo ne nuk dëshirojmë ta shesim Riberyn”, ka thënë Rummenigge për “Bild”.
Sulmuesi i Valencias, David Villa, është njëri nga lojtarët më të përfolur gjatë këtij afati kalimtar, për të cilin janë të interesuara shumë skuadra të mëdha evropiane.Real Madridi, Barcelona dhe Manchester Unitedi, janë disa nga skuadrat e gatshme të shpenzojnë shuma të majme parash për të siguruar shërbimet e spanjollit, mirëpo ofertat e tyre të deritanishme nuk i kanë kënaqur udhëheqësit e Los Che. “Janë dy gjëra të cilat duhet të sqarohen. E para, Valencia asnjëherë nuk ka arritur marrëveshje me asnjë skuadër për Villan, dhe e dyta, deri më tani nuk ka pasur oferta që plotësojnë kërkesat tona”, ka thënë drejtori sportiv i Valencias, Fernando Gomez.
Mbrojtësi i Lyonit, Fabio Grosso, nuk dëshiron të flasë për mundësinë e transferimit te Juventusi derisa të përfundojë Kupa e Konfederatave.Pas fitores kundër SHBA-ve në kuadër të Kupës së Konfederatave, i pyetur për mundësinë e kalimit te Zonja e Vjetër, ish-lojtari i Interit ka lënë gjithçka të hapur duke thënë se do të mendojë më vonë për këtë gjë. “Juve? Do të pres njëherë të shoh se si do të përfundojë kjo garë, dhe pastaj do të mendoj”, ka thënë Grosso për tuttosport.com.
Calciomercato.com njofton se Roma ka arritur marrëveshje me mesfushorin e Barit, Stefano Guberti, i cili ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me kryeqytetasit.Asgjë nuk është bërë e njohur në lidhje me detajet e këtij transferimi, mirëpo pritet që të enjten të jepet një deklaratë zyrtare nga Roma, e cila do të tregojnë vlerën e blerjes dhe pagën të cilën do ta fitojë lojtari. Për shërbimet e 22-vjeçarit kanë qenë të interesuar edhe Fiorentina dhe Juventusi, mirëpo në fund ai e kishte zgjedhur Romën.
Transferi i ri i Milanit, Aly Cissokho, është shumë i lumtur që do të bartë fanellën e Milanit dhe ka premtuar se do ta shpaguajë besimin që ka shfaqur italiane skuadra për të.“Jam shumë i nderuar që jam te Milan. Kjo është një mundësi e madhe për mua, sepse Milani është një skuadër e madhe. Do të jap më të mirën nga vetja për t’i kënaqur të gjithë”. “Milani ka besuar në mua dhe unë shpresoj që kjo t’i shpërblehet. Në skuadër ka shumë lojtarë të mëdhenj, edhe pse largimi i Kaka ishte një goditje e madhe, megjithatë te Milani ka edhe tjerë emra të mëdhenj”, ka thënë ish-lojtari i Portos për “Gazzetta dello Sport”.
Vlado Borozan, agjenti i sulmuesit të Wolfsburgut, Edin Dzeko, ka thënë se mundësia e transferimit të boshnjakut te Milan varet nga skuadra e tij aktuale, e cila tashmë e ka hequr shprehjen 'nuk është në shitje'.Ditë më parë u njoftua se Dzeko ka arritur marrëveshje me Milanin, dhe pritej të arrihej edhe marrëveshja ndërmjet klubeve. Mirëpo kampioni gjerman vazhdonte të thotë se sulmuesi i spikatur nuk ishte në shitje, por duket se drejtuesit gjermanë kanë ndërruar mendje. “Të gjithë jemi duke punuar që negociatat të përfundojnë në një mënyrë pozitive. Një derë e vogël është hapur dhe gjithçka varet nga drejtuesit e Wolfsburgut të cilët do të japin opinionin e tyre në ditët në vijim. E mira është se nuk e ekziston më shprehja ‘nuk është në shitje’”, ka thënë Borozan për “Gazzetta dello Sport”.
Trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka kërkuar nga sulmuesi argjentinas Carlos Tevez që të transferohet në Stamford Bridge.“The Daily Mail” dhe “The Sun” shkruajnë se ish-trajneri i Milanit ka siguruar numrin e telefonit të Tevez dhe e ka ftuar atë të kalojë te Blutë, ndërkohë që Tevez ka mbetur i mahnitur nga kjo ofertë. “Carlos është shtangur kur ka marrë telefonatë nga Ancelotti, por njëkohësisht është edhe i kënaqur. Ancelotti ka bërë një punë shumë të mirë që ia ka bërë me dije interesimin e tij, ndërsa Carlos është i befasuar për të mirë për veprimin tij”, ka thënë një burim i afërt me lojtarin.
“Sport” njofton se trajneri i Milanit, Leonardo, dëshiron të bëjë përforcime në të gjitha repartet e skuadrës së tij, kështu që ai ka kërkuar nga drejtuesit e klubit të sigurojnë shërbimet e dyshes së Barcelonës, Samuel Eto’o dhe Victor Valdez.Javën e kaluar u spekulua se sulmuesi kamerunas kishte arritur marrëveshje verbale me Rossonerët për të kaluar në San Siro si transfer i lirë në vitin 2010, mirëpo gazeta nga Barcelona shkruan se trajneri i Milanit e dëshiron Eto’o-n që në sezonin që vjen. I njëjti burim pohon se kuqezinjtë dëshirojnë ta sjellin në San Siro dhe portierin e Barcës, Victor Valdez, kontrata e të cilit po ashtu skadon në vitin 2010.
Përkundër rënies në Serie B, Torino ka arritur të sigurojë shërbimet e mesfushorit premtues Blerim Xhemajli nga Bolton Wanderers.Shqiptari me pasaportë zvicerane e kaloi sezonin 2008/2009 në formë huazimi te Torino, duke qenë njëri nga lojtarët më të mirë të ‘Granatës’. Ndërkohë dy skuadrat, Torino dhe Bolton kanë arritur marrëveshje për qëndrimin e 23-vjeçarit në Itali. Mesfushori nga Tetova u transferua te Boltoni në vitin 2007 nga Zurichu, mirëpo si pasojë e lëndimit ai nuk arriti të sigurojë një vend në skuadrën angleze, mirëpo ai shkëlqeu me fanellën e Torinos gjatë sezonit që shkoi, prandaj ata vendosën ta mbajnë duke konkurruar me Lazion dhe Napolin që po ashtu ishin të interesuar për shërbimet e Xhemajlit.
Italia e ka filluar me fitore garën në Kupën e Konfederatave duke i mposhtur SHBA-të me rezultat prej 3-1.Amerikanët në pjesën më të madhe të ndeshjes luajtën me një lojtar më pak, pasi që në minutën e 33-të u përjashtua Ricardo Clark direkt me karton të kuq për ndërhyrjen e tij në Gennaro Gattuson. Megjithatë, përkundër mungesës së një lojtari, SHBA-të kaluan të parët në epërsi me golin e Donovan nga pika e bardhë (41’). Italianët u kthyen në lojë në pjesën e dytë duke shënuar tre gola dhe duke dalë fitues në këtë përballje. Sulmuesi i Villarrealit, Giuseppe Rossi, i cili u inkuadrua në pjesën e dytë, fillimisht e barazoi rezultatin (58’). Ndërkohë, mesfushori i Romës, Daniele De Rossi, kaloi kampionët e botës në epërsi, ndërsa rezultatin përfundimtar e vendosi Giuseppe Rossi me golin e dytë personal në këtë përballje.
Përforcimi i ri i Real Madridit, Leite Kaka, ka shënuar një penalti në çastet e fundit të ndeshjes për të ndihmuar Brazilin të mposhtë Egjiptin me rezultat 4-3, gjatë një ndeshje drithëruese në kuadër të grupit B të Kupës së Konfederatave.Kaka shënoi golin e parë të ndeshjes në minutën e pestë, para se Mohamed Zidan të barazojë katër minuta më pas. Por Brazili shpejt riktheu epërsinë me anë të Luis Fabianos (12’), ndërsa shkoi në pauzë të pjesëve me dy gola epërsi, pas edhe një goli të Juan (37’). Kampioni i Afrikës për vitet 2006 dhe 2008, Egjipti, bëri një rikthim befasuese, duke shënuar dy gola të shpejtë në pjesën e dytë për të barazuar ndeshjen në 3-3. Së pari Mohamed Shawky ngushtoi disavantazhin (54’), një minutë para se Zidan të shënojë edhe golin e tij të dytë, për të barazuar (55’). Egjipti bëri përpjekje të gjejë edhe golin e katërt, por që në fakt e pësoi atë në portën e vet në çastet e fundit të ndeshjes. Nga pika e bardhë, Kaka dërgoi topin në këndin e poshtëm të portës së Essam Al-Hadari, pasi zëvendësuesi Ahmed Al-Muhammadi me qëllim ndaloi me dorë një goditje të Lucios në minutën shtesë të ndeshjes, duke u përjashtuar edhe me karton të kuq.
Ish-legjenda e Real Madridit, Zinedine Zidane, i rikthyer në klub kësaj here në stafin drejtues, ka paralajmëruar Cristiano Ronaldon të mos presë të njëjtin status të yllit edhe në Real Madrid.“Pavarësisht shumës së madhe të parave të harxhuara në transferimin e tij, Ronaldo do të duhet të pajtohet me të qenit vetëm edhe një yll tjetër në klub”, ka thënë Zidane për Daily Mirror. “Me ardhjen e brazilianit Kaka dhe të tjerëve që pritet të vijnë nën drejtimin e Florentino Perez, ai nuk mund të presë të marrë skenën qendrore në një klub si Real Madrid”. “Për më tepër, derisa tifozët pëlqejnë të kenë në radhë superyje, suksesi kolektiv është më shumë i nevojshëm për ta, se sa ndonjë individualist”, përfundon francezi.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, ka porositur menaxherin Arsene Wenger të bëjë hap konkret për të angazhuar mesfushorin e Barcelonës, Yaya Toure.“Ne jemi mësuar me lojtarë si Patrick Vieira, Gilberto Silva ose Flamini në mesin e fushës. Është e vërtetë se pa dikë si ata, ne kemi qenë lehtësisht të pa ekuilibruar dhe më të dobët në një pozitë aq të rëndësishme”, ka thënë Fabregas. “Është një pozitë e nënvlerësuar, por aq e rëndësishme, veçanërisht për ekipet si i yni që sulmojnë shumë. Kur e keni topin, është shumë e rëndësishme të jeni të sigurt se është dikush është prapa juve që ju mbulon”, ka shtuar spanjolli.
Sulmuesi i Newcastle United, Michael Owen, vazhdon të kërkohet nga klubet italiane.Sunday Sun shkruan se Fiorentina është ekipi i fundit italian që synon të transferojë Owenin dhe mund t’i ofrojë atij angazhim në Ligën e Kampionëve. Por, ish-sulmuesi i Real Madridit, e di se një kalim në Serie A do të thoshte edhe ulje e dukshme e pagës dhe vështirë se mund të ndodhë një lëvizje e tillë.
Pas tregolëshit të shënuar në ndeshjen e mbrëmshme në të cilën Spanja mposhti me rezultat 5-0 Zelandën e Re, Fernando Torres thotë se ky është një fillim i mirë në Kupën e Konfederatave.Sulmuesi i Liverpoolit shënoi hat-trick pas vetëm 17 minutash, që ishte vetëm i dyti në fanellën e tij me Spanjën. “Ky është një fillim i mbarë për ekipin, shumë është e rëndësishme të fillohet gara me fitore, veçanërisht 5-0! Gjithmonë është e rëndësishme të shënohet gol, dhe jam i kënaqur që arrita ta gjej rrjetën tri herë”, ka thënë spanjolli. “Të tre golat i mi ua dedikoj të gjithë fansave në Afrikë, të cilët më dëshiruan mirëseardhje. Një kohë të gjatë jemi munduar me lojën në nivel kombëtar, por tash definitisht po e shijojmë futbollin dhe kjo është një kohë për ta mbajtur mend”. “Shpresoj se do të vazhdojmë me të njëjtën tempo në këtë turne dhe do të kemi formën më të mirë për Kampionatin Botëror”, shton sulmuesi.
















