Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shënuar fitore sensacionale prej 2-0 kundër Spanjës së favorizuar në gjysmëfinalen e Kupës së Konfederatave.Ndeshja e parë gjysmëfinale e Kupës së Konfederatave e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Free State të Bloemfonteinit, ndërmjet përfaqësueses së Spanjës dhe asaj të SHBA-ve, ka përfunduar me fitoren e amerikanëve me rezultat prej 2-0. Goli i parë në ndeshje erdhi në minutën e 27-të kur sulmuesi i Villarrealit, Jozy Altidore, e mposhti portierin Iker Casillas. Për t’ia vështirësuar punët edhe më shumë kampionit të Evropës, u kujdes Clint Dempsey, i cili shënoi golin e dytë dhe të fundit në ndeshje (73’). Nga minuta e 87-të SHBA-të mbetën me një lojtar më pak në fushë, pasi që Michael Bradley u përjashtua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje në Xavin, mirëpo në minutat e mbetura spanjollët nuk mundën të ndryshojnë asgjë. Me këtë fitore përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kualifikohet në finale të Kupës së Konfederatave ku do ta presë fituesin nga përballja ndërmjet Afrikës së Jugut dhe Brazilit.
Ish-kampionia Maria Sharapova është eliminuar në rundin e dytë të turneut Wimbledon nga argjentinasja Gisela Dulko, e cila ka shënuar fitore në tre sete (6-2, 3-6, 6-4).Ish-numri një i botës, Sharapova, ka dështuar të përgjigjet në mënyrën e duhur ndaj argjentinases, duke u dorëzuar në setin e parë. Pas rikthimit në setin e dytë, rusja u kthye edhe një herë në setin e tretë që ishte dhe vendimtar. Dulko tash do të përballet me rusen tjetër, Nadia Petrova (e 10-ta në botë), e cila mposhti izraeliten Shahar Peer në dy sete (6-3, 6-2). Serena Williams nuk pati asnjë shqetësim në rundin e dytë, duke mposhtur me shumë lehtësi australiane Jarmila Groth (6-2, 6-1), brenda 58 minutash. Amerikania tash do të përballet me italianen Roberta Vinci, e cila mposhti rusen Anastasia Pavlyuchenkova (6-4, 7-6).
Numri dy i botës në tenis, Roger Federer, ka tejkaluar me lehtësi edhe sfidën e dytë në turneun Wimbledon, pasi mposhti në tre sete spanjollin Guillermo Garcia-Lopez (6-2, 6-2, 6-4).Zvicerani, i cili është në kërkim të titullit të gjashtë në Wimbledon dhe titullit të 15-të Grand Slam, rrallë e pa veten në vështirësi në përballje me spanjollin, duke kryer punën brenda një ore e 29 minutash lojë. Federer, i cili është favorit për të fituar titullin në mungesë të kampionit në fuqi Rafael Nadal, në rundin e tretë do të ndeshet me gjermanin Philipp Kohlschreiber, i cili mposhti me shumë vështirësi çekun Ivo Minar (6-4, 3-6, 4-6, 6-2, 8-6). Edhe serbi Novak Djokovic, i katërti në botë, siguroi vend për në rundin e tretë, duke mposhtur në tri sete gjermanin Simon Greul (7-5, 6-1, 6-4). Djokovic në ndeshjen e radhës do të përballet me amerikanin Mardy Fish, i cili në rundin e dytë eliminoi një serb tjetër, Janko Tipsarevic (6-4, 3-6, 6-1, 6-4).
Olimpique Marseille raportohet se ka pranuar një ofertë prej 6 milionë eurosh nga Hamburgu për të hequr dorë nga shërbimet e kapitenit Lorik Cana.Cana, i cili është një nga lojtarët më të mirë të kombëtares shqiptare, ishte edhe një prej lojtarëve kyç të Marseillet në sezonin e fundit, kur u rendit në pozitën e dytë, tre pikë prapa fituesit të kampionatit francez, Bordeaux. Me largimin e Eric Gerets dhe ardhjen e trajnerit të ri, Didier Deschamps, në kreun e klubit francez, u vu në dyshim edhe qëndrimi i Canës. Vetë shqiptari në disa raste ka thënë se nëse ai largohet nga Marseille destinacione të mundshme të tij do të ishin Liga Premier ose Bundesliga. Por klubi francez thuhet se nuk do të analizojë asnjë ofertë ndër 8 milionë euro, bën të ditur France Football, rrjedhimisht nuk do ta marrë parasysh as ofertën e Hamburgut. Të interesuar për Canën thuhet se janë edhe dy klube angleze, Evertoni dhe Liverpooli.
“Pandev dëshiron të largohet, por ne nuk mund të lejojmë largimin e tij për një çmim të ulët. Napoli pagoi rreth 18 milionë euro për Fabio Quagliarellan dhe lojtari ynë nuk është hiç më pak i vlefshëm se kjo shumë”, ka thënë Tare. “Çmimi është i njëjtë, por ende nuk kemi marrë një ofertë formale. Vetëm po presim një ofertë të mirë, por në këtë stad nuk mund të them se sa janë gjasat që transferimi të realizohet. Kaka për shembull u largua nga Milani për disa ditë”, ka shtuar ish-kapiteni i kombëtares shqiptare.
Siç shkruajnë mediat spanjolle, sulmuesi i Atletico Madridi, Diego Forlan, mund të përfundojë në Barcelona.Agjenti i lojtarit dje ishte në Barcelona për të diskutuar të ardhmen e sulmuesit paraguaian. Siç bën të ditur El Mundo Deportivo, ai është takuar me drejtorin sportiv të Barcelonës, Txiki Begiristain, për të diskutuar mundësinë e kalimit të Forlan në Camp Nou gjatë kësaj vere. Barcelona është duke menduar transferimin e Forlan, pas dështimeve për të arritur marrëveshje me sulmuesin e Valencias, David Villa, dhe atë të Interit, Zlatan Ibrahimovic. Blaugranët vazhdimisht lidhen edhe me një angazhim të një lojtari tjetër të Atleticos, Sergio Aguero, edhe pse klubi i tij ka pohuar se argjentinasi do të luajë në Vicente Calderon edhe sezonin e ardhshëm.
Mesfushori holandez Rafael van der Vaart mund të rikthehet te ish-klubi i tij, Hamburg, i cili megjithatë do të ketë konkurrent edhe Ajaxin dhe Werder Bremenin.Holandezi është një prej shumë yjeve të Real Madridit të cilët janë të lidhur me një largim nga Santiago Bernabeu. Po thuajse të gjithë lojtarët holandez raportohet se janë në shitje dhe Van der Vaart është i vetëdijshëm se nuk do të ketë hapësirë në sezonin e ardhshëm te mbretërit, edhe pse ka deklaruar se dëshiron të mbetet në Madrid. Pasi kaloi tri vite të shkëlqyeshme në Hamburg është e kuptueshme se ai do të dëshironte të rikthehet te lubi i Bundesligës, por në garë është edhe Werderi që kërkon zëvendësim për Diegon e larguar. Martin Jol thuhet se dëshiron ta marr Van der Vaart në Ajax, por kjo do të ishte një hap prapa për të. Anglia për momentin mbetet destinacioni i ardhshëm i holandezit, nëse ai do të largohet nga klubi spanjoll.
Atletico Madrid thotë se Sergio Aguero nuk është në shitje dhe se sezonin e ardhshëm do të vazhdojë të luajë në Vicente Calderon.Edhe pse spekulimet rreth largimit të Agueros janë bërë edhe më të zëshme së fundi, duket se kjo nuk do të ndodhë. Atletico ka bërë të ditur se ka marrë vendim për të mos e shitur lojtarin. “E di se klubet e mëdha në Evropë janë të interesuar për futbollistin tonë, por kam folur me njerëz të afërt të Kun dhe jam i bindur se ai edhe sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e përbërjes tonë”, ka thënë presidenti i klubit Enrique Cerezo.
Drejtori gjeneral i Real Madridit, Jorge Valdano, ka konfirmuar se Mbretërit nuk janë më në garë për ta transferuar sulmuesin e Valencias, David Villa.Villa ka qenë njëri nga lojtarët që Florentino Perez kishte premtuar ta sillte në Bernabeu gjatë këtij afati kalimtar, mirëpo bisedimet për angazhimin e tij nuk rezultuan me sukses, kështu që Valdano thotë se Reali do ta pranojë vendimin e Valencias për mosshitjen e sulmuesit spanjoll. “Çështja me Villan është 100 për qind e përfunduar. Presidentët e të dy klubeve kanë biseduar për të, por Valencia tha se Villa nuk është në shitje”. “Ne e kuptojmë këtë vendim, prandaj jemi duke kërkuar një alternativë tjetër”, ka deklaruar Valdano.
Lionel Messi ka përsëritur dëshirën që bashkëkombësi i tij, Javier Mascherano, t’i bashkëngjitet te Barcelona.Spekulohet për një largim të mundshëm të mesfushorit të Liverpoolit nga Anfield gjatë këtij afati kalimtar, ndërsa Barcelona është njëra nga skuadrat e interesuar për shërbimet e tij. “Pa dyshim që do të më pëlqente që ai të vinte. Kush nuk do të dëshironte të luajë krahas një lojtar të jashtëzakonshëm siç është Javier. Shpresoj që ai të vijë këtu”, ka thënë Messi për “El Mundo Deportivo”.
Iker Casillas ka mohuar ‘me forcë’ spekulimet se mund të largohet nga Real Madridi këtë verë për t’iu bashkëngjitur Manchester Unitedit.“Nuk ka absolutisht asgjë nga Unitedi ose ndonjë skuadër tjetër. As agjenti im e as Real Madridi nuk më kanë thënë asgjë për ndonjë ofertë dhe askush nuk më ka telefonuar. Të gjitha janë spekulime, gjëra që ndodhin gjatë afateve kalimtare”. “Unë kam kontratë me Madridin deri në vitin 2017 dhe dëshiroj ta respektoj atë. Të gjithë e dinë se unë jam një ‘madridist’ dhe jam gjithmonë 100 për qind me klubin. Unë i jam bashkuar Realit si i ri dhe këtu është shtëpia ime”, ka thënë Casillas.
Zlatan Ibrahimovic, i cili aktualisht gjendet në pushime, nuk brengoset shumë për sezonin e ri, përkundër se gjigantët spanjollë, Real Madrid dhe Barcelona, dëshirojnë ta transferojnë atë nga Giuseppe Meazza.“Argëtohem kur lexoj se një ditë jam në Madrid, pastaj në Barcelonë ose në Londër (te Chelsea). E vërteta është se tani për tani e ardhmja ime është Interi”. “Mirëpo gjithçka mund të ndodhë. Askush nuk mund ta garantojë të ardhmen, megjtihatë tani ekziston vetëm Interi”, ka thënë Ibra për gazetën suedeze “Expressen”.
Carlo Ancelotti ka një ide të qartë për tipat e lojtarëve të cilët i nevojiten te Chelsea për ta fituar Ligën e Kampionëve, ndërsa deri më tani ai ka kërkuar lojtarët që i njeh më së miri, ata nga Serie A.Pasi nuk arriti të sigurojë shërbimet e sulmuesit të Interit, Zlatan Ibrahimovic, Ancelotti dëshiron të tentojë transferimin e sulmuesit të Milanit, Alexandre Pato, dhe mbrojtësin e Interit, Douglas Maicon. Blutë kanë ofruar 30 milionë euro për Maiconin, mirëpo presidenti zikaltër Massimo Moratti kërkon 40 milionë. Ndërsa për Paton, Chelsea ka ofruar shërbimet e sulmuesit Didier Drogba dhe shumën prej 35 milionë eurosh për t’i bindur Rossonerët që të heqin dorë nga sulmuesi i tyre.
Sipas tabloidit britanik "The Daily Mirror", Arsenali ka kontaktuar me gjigantët nga Serie A, Milan dhe Inter, për mundësinë e transferimit të sulmuesit Emmanuel Adebayor para mbylljes së këtij afati kalimtar.Njoftohet se Topçinjtë dëshirojnë ta shesin 25-vjeçarin për shumën prej 25 milionë funtesh (29.1 milionë euro), ndërsa planifikojnë t’ua shesin Adebayorin italianëve, me qëllim që të mos kalojë te Chelsea. Trajneri i ri i Bluve, Carlo Ancelotti, është i interesuar ta transferojë sulmuesin nga Togo, prandaj drejtuesit e Arsenalit janë vënë në alarm që ta shesin atë diku tjetër, me qëllim që të mos shkojë te rivali i tyre nga Liga Premier.
Barcelona dëshiron të bëjë gjithçka për të siguruar shërbimet e sulmuesit të Valencias, David Villa, për të cilin është i interesuar edhe rivali i përjetshëm, Real Madrid.Edhe pse presidenti i Valencias, Manuel Llorente, së fundmi deklaroi se ka vendosur të mos e shesë sulmuesin spanjoll, sido që të jetë, kataluanist dëshirojnë të bëjnë një ofertë “që nuk refuzohet”. Blaugranët e kanë të kufizuar buxhetin e shpenzimeve këtë afat kalimtar, dhe maksimumi që mund të shpenzojnë është 35 milionë euro. Mirëpo, ata e kanë në dispozicion sulmuesin Samuel Eto’o, të cilin mund ta shfrytëzojnë si pjesë e marrëveshjes. Kështu, sipas “TV3”, Barcelona planifikon ta shesë kamerunasin Eto-o dhe të grumbullojë 40 milionë euro të nevojshëm për t’i bërë ofertë Valencias për David Villan.
West Ham United ka konfirmon se ka siguruar shërbimet e sulmuesit kilean, Luis Jimenez, nga Interi, i cili është huazuar për një sezon me mundësinë e nënshkrimit të kontratës së re në fund të sezonit që vjen.Jimenez do ta vesh fanellën e skuadrës nga liga Premier më 1 korrik pasi t’u jetë nënshtruar ekzaminimeve mjekësore. Sulmuesi është shprehur mjaft i kënaqur me këtë transferim duke thënë për faqen zyrtare të klubit se është shumë i lumtur, i emocionuar dhe i vendosur të dëshmojë kualitetet e tij.
Mesfushori i West Ham United, Valon Behrami, shpreson që të kthehet në fushë që në muajin e parë të sezonit të ri- në gusht.Kosovari me pasaportë zvicerane dëmtoi ligamentin e gjurit në mars të këtij viti dhe aktualisht gjendet në procesin e rikuperimit. “Rikuperimi im po shkon shumë mirë dhe nëse vazhdoj kështu më 10 gusht do të bashkohem me lojtarët tjerë të skuadrës (në stërvitje). Ndërsa pas punës intensive dy ose tri javore, në javën e fundit të gushtit shpresoj të jem i gatshëm për lojë”, ka thënë Behrami.
Ende nuk është caktuar data zyrtare prezantimit të Cristiano Ronaldos te Real Madridi, pasi që ende nuk është kompletuar transferimi zyrtar i portugezit, mirëpo mediat spekulojnë se do të jetë data 6 korrik kur Ronaldo do të shkelë në Santiago Bernabeu.Los Blancos presin që së paku 25.000 tifozë dhe 500 gazetarë të jenë të pranishëm në stadium në ditën e prezantimi të lojtarit më të mirë në botë për vitin 2008. “Shtëpia e Bardhë” tashmë ka filluar organizmin e ditës së rëndësishme, me ç’rast pritet të thyhen të gjitha rekordet në numrin e tifozëve të pranishëm për zbulimin e ndonjë lojtari. Rekordin aktual të Realit për numrin e tifozëve të pranishëm në prezantimin e ndonjë lojtari e mban Robinho, me ç’rast ishin grumbulluar 11.000 tifozë, ndërkohë rekordin për numrin e gazetarëve të pranishëm e mban Zinedine Zidane, pasi që gjatë prezantimit të tij ishin të akredituar 400 gazetarë.
Britaniku Andy Murray ka arritur të mposhtë amerikanin Robert Kendrick në sfidën e tij të parë drejt ëndrrës për të ngritur trofeun e Wimbledonit, duke e fituar atë në katër sete (7-5, 6-7, 6-3, 6-4).Skocezi i renditur i treti më i mirë në botë, kërkon të bëhet britaniku i parë që fiton Wimbledonin që kur këtë e ka fituar Fred Perry në vitin 1936.Murray pati vështirësi në dy setet e para, duke e fituar vetëm të parin, por fitoi me lehtësi dy setet e fundit, dhe në rundin e dytë do të takohet me tenistin nga Letonia, Ernests Gulbis.Argjentinasi Juan Martin del Potro (5-ti), ka shkatërruar francezin Arnaud Clement në tri sete (6-3, 6-1, 6-2) dhe në rundin e dytë do të ketë një kundërshtarë të vështirë, pikërisht fituesin e vitit 2002, Lleyton Hewitt. Australiani mposhti Robby Ginepri po në tri sete (6-4, 6-1, 6-1).Edhe Andy Roddick është kualifikuar më tej, duke mposhtur francezin Jeremy Chardy (6-3, 7-6, 4-6, 6-3).
Kampionia në fuqi, Venus Williams, dhe numri një i botës, Dinara Safina, kanë tejkaluar me lehtësi rundin e parë të turneut të tenisit Wimbledon.Williams, kampione e pesëfishtë e këtij turneu, mposhti zviceranen Stefanie Voegele 2-0 në sete (6-3, 6-2), për të siguruar vend në rundin e dytë, ku do të takohet me ukrainasen Kateryna Bondarenko.Në rundin e dytë është kualifikuar edhe rusja Dinara Safina, e cila mposhti në dy sete spanjollen Lourdes Dominguez Lino (7-5, 6-3) dhe në ndeshjen e radhës do të takohet me paraguaianen Rossana de los Rios.
















