Mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini, ka folur për ndeshjen kundër Real Madridit në kudër të Peace Cup, ndërkohë që ka mohuar pikëpamjet se ai dhe Fabio Cannavaro nuk mund të luajnë bashkë.“Është e pakuptimtë! Gjithmonë kur kemi luajtur bashkë kemi luajtur mirë dhe nuk e kuptoj se si po gjykohemi kështu nga larg, mund të na gjykoni në fushë, por jo nga largësia”, ka thënë Chiellini Qendërmbrojtësi bardhezi ka folur edhe për ndeshjen e të premtes kundër Real Madridit në gjysmëfinalen e Kupës së Paqes. “Ekziston një dallim shumë i vogël ndërmjet Kaka dhe Ronaldo, vlera e tyre është e njëjtë. Besoj se Reali ka kuptuar nevojën e Milanit për ta shitur dhe e ka shfrytëzuar rastin”. “Për mua, Kaka, Ronaldo, Messi dhe Ibrahimovic, të gjithë janë të të njëjtin nivel. Kaka nuk është prapa të tjerëve, ai është absolutisht i jashtëzakonshëm”, ka shtuar italiani.
Transferi i ri i Sunderlandit, Lorik Cana, është zotuar se do të jetë lider i skuadrës, ndërsa ka shtuar se është shumë entuziast që do të garojë në Ligën Premier.“Ndjehem mirë. Është dita ime e parë në stërvitje, një klub i ri, dhe një aventurë e re për mua”. “Është shumë emocionuese të luaj në Ligën Premier. Sot kam kontaktin e parë me trajnerin, me Ericun (menaxherin ndihmës) dhe me bashkëlojtarët. Mezi po pres të luaj për Sunderlandin dhe të shënojmë disa rezultate të mira, sido që të jetë përshtypjet e mia të para janë të mira”. “Kam luajtur për dy nga skuadrat më të mira në Francë- te Paris (Saint-Germain) dhe te Marseille- dhe në Ligën e Kampionëve, që do të thotë se jam këtu që të ofroj përvojën personale te Sunderlandi dhe t’i ndihmoj skuadrës”. “Për mua Liga Premier është më e mira në botë, dhe të gjithë e dinë këtë. Kjo është arsyeja që kam ardhur këtu, ndërsa Sunderlandi është një vend i jashtëzakonshëm për të luajtur futboll dhe ka tifozë të shkëlqyer”. “Unë jam një fitues dhe e kam përvojën e duhur që të luaj në krye të ligës dhe do të mundohem ta bëjë këtë me Sunderlandin”. “Qëllimi im është të jap 300% nga vetja, të jem i fortë dhe të jem lider. Të jem lider është veti natyrore e imja. Dhe mendoj se loja ime është tipike britanike”, ka thënë mesfushori kuqezi për SAFC TV.
Marseille ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me Real Madridin për transferimin e mbrojtësit argjentinas, Gabriel Heinze.Pas ardhjes së menaxhmentit të ri në krye të Los Blancos, Heinze menjëherë hyri në listën e lojtarëve që do të largohen, ndërkohë që Marseille ka bërë disa përforcime në skuadër. Në faqen zyrtare të klubit francez thuhet se dy skuadrat kanë arritur marrëveshje paraprake për transferimin e argjentinasit, ndërsa nuk dihet shuma që do ta paguajë skuadra nga Velodrome për shërbimet e mbrojtësit të dikurshëm të Manchester United.
Sipas “Il Corriere Dello Sport”, ish-sulmuesi i Cruzeiro, PSV, Barcelona, Real Madrid dhe Milan, i cili aktualisht vesh fanellën e Corinthians- në ndeshjen e vikendit të kaluar kundër Palmeiras kishte pësuar dy thyerje në dorën e majtë, prandaj të enjten është dashur t’i nënshtrohet operacionit. Sipas njoftimeve të para, Ronaldo do të mungojë pesë javë, të cilat i nevojiten për shërimin e dorës.
Rikthimi i legjendës së Formula 1, Michael Schumacher, duket të jetë shumë pranë realizimit, sidomos pasi që FIA ka vendosur t’ia sigurojë lejen për ta zëvendësuar pilotin e lënduar të Ferrarit, Felipe Massa.Të enjten trupi drejtues i Formula 1, FIA, ka konfirmuar se do t’i japë licencë shtatëherë kampionit të botës që të garojë në kompeticionet e radhës, duke filluar nga Çmimi i Madh i Evropës që do të mbahet muajin e ardhshëm në Valencia. Schumacher herën e fundit është paraqitur në garën për Çmimin e Madh të Brazilit me 22 tetor 2006, ndërsa sipas rregullave të FIA-s një pilot mund ta sigurojë licencën nëse para tre vitesh ka garuar në 15 kompeticione. Gjermani e plotëson këtë kusht, meqenëse ka pilotuar bolidin e Ferrarit në 18 garat e vitit 2006.
Mbrojtësi i Barcelonës, Martin Caceres, ka kaluar ekzaminimet mjekësore te Juventusi dhe është në prag të kompletim të transferimit të tij në formë huazimi te Zonja e Vjetër.“Il Corriere Dello Sport” shkruan se uruguaiani kishte arritur në Torino mëngjesin e të enjtes, me ç’rast i ka kaluar me sukses testet mjekësore, ndërsa së shpejti pritet të nënshkruhet edhe huazimi njëvjeçar te Bianconerët. Sipas të njëjtit burim, në fund të sezonit Juve do ta ketë mundësinë që ta blejë lojtarin për shumën prej afër 12 milionë eurosh.
Milani ka shënjestruar mesfushorin e Real Madridit, Wesley Sneijder, si alternativë nëse Andrea Pirlo vendos të transferohet te Chelsea.“La Gazzetta Dello Sport” njofton se kuqezinjtë tashmë e kanë refuzuar një ofertë të Bluve për yllin e tyre, mirëpo zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka deklaruar se skuadra e tij nuk ka pranuar ofertë nga Chelsea, duke lënë kështu gjithçka të hapur. Milani ende nuk ka siguruar lojtarët e nevojshëm për sezonin e ri, prandaj nëse Pirlo largohet, atëherë Rossonerët do të detyrohen ta përforcojnë edhe mesfushën, ndërsa holandezi Sneijder do të jetë tepricë te Mbretërit pas transferimit të Xabi Alonsos nga Liverpooli.
Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ka mohuar spekulimet se sulmuesi argjentinas Julio Cruz është pranë kalimit te Lazio.“Cruz nuk është pranë Lazios. Është normale që një lojtar si ai të tërheq interesimin tonë, por edhe të të gjithë të tjerëve”, është shprehur ish-sulmuesi i Përfaqësueses kuqezi për Tuttomercatoweb.com. Tare ka mohuar edhe spekulimet e deritanishme në lidhje me sulmuesin e Lazios, Goran Pandev, duke thënë se deri më tani nuk ka ndonjë zhvillim në lidhje me transferimin e maqedonasit.
Barcelona ka konfirmuar se Aliaksandr Hleb në sezonin e ri do të luajë për skuadrën e Stuttgartit.“Klubi i Barcelonës konfirmon se Aliaksandr Hleb ka kompletuar transferimin te Stuttgarti”, shkruan në deklaratën zyrtare të Barcës. Fillimisht Hleb është dashur të transferohej tek Interi, si pjesë e marrëveshjes për kalimin e Zlatan Ibrahimovicit në Camp Nou. Mirëpo bjellorusi vendosi të transferohej në klubin e tij të dikurshëm ku ka kaluar pesë vite (2000-2005). Ndërkohë konfirmimin zyrtar për kalimin e Hlebit në Bundesliga e ka bërë edhe Stuttgarti.
Sulmuesi brazilian me nënshtetësi kroate Eduardo Da Silva është i bindur se ai mund të mbulojë zbrazëtirën e mbetur pas largimit të Emmanuel Adebayor drejt Manchester City.26-vjeçari, i cili shënoi dy gola në fitoren 5-0 në miqësoren e Arsenalit kundër Szombathelyi, përfundimisht është kthyer në formë të plotë pas thyerjes së dyfishtë të këmbës që në shkurt të vitit 2008. “Ndeshja e të hënës ishte shumë e rëndësishme për mua dhe jam i lumtur që shënova dy herë. Shpresoj se do të arrijmë diçka këtë sezon dhe se do të shënoj edhe më shumë në të ardhmen”, ka thënë Eduardo. Sulmuesi po ashtu pritet të jetë pjesë e kombëtares kroate për ndeshjet e radhës kualifikuese për Kupën Botërore, kundër Bjellorusisë më 12 gusht.
Sulmuesi i Newcastle United, Obafemi Martins, pritet të largohet nga ekipi anglez për të kaluar në radhët e kampionit të Bundesligës, Wolfsburg.Nigeriani tashmë ka zbuluar dëshirën e tij për të kaluar në radhët e Wolfsburgut në disa javët në vazhdim.
Dhe sipas “The Sun”, Martins, nuk ishte në mesin e zëvendësuesve në ndeshjen e mbrëmshme miqësore kundër Leeds United, duke nxitur edhe më tej spekulimet se ai mund të kalojë në kampionatin gjerman.
Newcastle pritet të fitojë rreth 7.5 milionë euro nga shitja e sulmuesit, ndërsa përcaktimi i kushteve personale dhe testeve mjekësore pritet të realizohen gjatë javës së ardhshme.
Klubi i Ligës Premier, Aston Villa, është i interesuar të marrë shërbimet e mbrojtësit të West Ham United, Matthew Upson.Menaxheri i Aston Villas, Martin O'Neill, dëshiron të nënshkruajë me edhe dy mbrojtës në disa javët e mbetura të afatit kalimtar. Dhe, siç shkruajnë mediat angleze, Villa ka përqendruar vëmendjen në Matthew Upson, duke iu bashkuar kështu listës së ekipeve që kërkojnë mbrojtësin e kombëtares angleze, ku janë edhe Arsenal dhe Manchester City.
Ylli i ri i Real Madrid, Kaka, ka shpjeguar se pse ai ka refuzuar shansin për të veshur fanellën e Zinedine Zidane, me numrin 5.“Nuk kam asgjë të bëj me Zidane. Kjo ishte më shumë sepse për brazilianët numri 5 është më shumë defansiv. Andaj unë preferova të qëndroj me numrin 8, me të cilin kam filluar në Sao Paolo”, ka thënë Kaka.“Zidane është legjendë e futbollit, ai ka bërë më së shumti histori me Francën dhe Real Madridin. Ai është në një nivel tjetër, pasi ai tashmë ka bërë histori në karrierën e tij. Unë ende nuk e kam arritur atë. Nuk ndjehem komod me krahasimin, por është OK”, ka shtuar braziliani.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, tashmë është i gatshëm të arrijë kompromis për të shitur mesfushorin spanjoll Xabi Alonso te Real Madridi.Siç shkruan Daily Mail, lëvizja e Alonsos në Bernabeu është zvarritur gjithë verën, me menaxherin e Liverpoolit, Rafael Benitez, që kërkonte 35 milion dhe me Realin që ofronte 25 milionë funte për spanjollin.Megjithatë dy klubet tash janë larg vetëm 5 milionë euro në negociatat e tyre dhe pritet që ata të arrijnë marrëveshje nën shumën 30 milionë funte deri në vikend.27-vjeçari do të ribashkohej me tashmë ish-bashkë-lojtarin e tij të Liverpoolit, Alvaro Arbeloa, i cili dje kompletoi transferimin në Bernabeu për 3.5 milionë funte.
Mesfushori brazilian Elano është larguar nga Manchester City për t’iu bashkuar Galatasarayt, ka konfirmuar vetë klubi turk me anë të një deklarate në faqen zyrtare.Milani dhe Interi u raportua se ishin po ashtu të interesuar për lojtarin, por Sky Sports bën të ditur se braziliani tashmë ka lëvizur në drejtim të ekipit turk për një shumë që besohet të jetë afro 9.5 milionë euro.“Lojtari i kombëtares së Brazilit, Elano Blumer (27) ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me Galatasarayn pasi ka luajtur për dy vite në Manchester City”, shkruhet në deklaratën e klubit turk.City ka filluar të reduktojë numrin e lojtarëve dhe Elano bëhet kështu lojtari i katërt që largohet këtë verë, pas Ched Evans, Valeri Bojinov dhe Felipe Caicedo.Ekipi ka sjellë një varg të përforcimesh të reja muajin e fundit si Gareth Barry, Roque Santa Cruz, Carlos Tevez, Emmanuel Adebayor dhe së fundi Kolo Toure.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka qenë i ngazëllyer të shohë Anderson të shënojë golin e tij të parë me klubin anglez.Kampioni i Ligës Premier mposhti ekipin argjentinas Boca Juniors me rezultat 2-1 në ndeshjen e mbrëmshme të Kupës Audi. Anderson dhe përforcimi i ri Antonio Valencia, shënuan për avantazhin e dyfishtë të Manchesterit, derisa rezultatin për Boca a ngushtoi Federico Insua.“Është një mrekulli e Munichut”, ka bërë shaka Ferguson. “Por ndoshta kjo do ta shpërthejë djaloshin, kjo mund të jetë një nxitje për të shënuar më shumë. Ai ka talent, andaj shpresojmë se ai do të mund të shënojë më shumë”.
Mesfushori i Interit, Patrick Vieira, ngurron të transferohet te Tottenhami, për shkak se kjo mund të humb simpatinë që kanë fansat e Arsenalit për të.Siç shkruan Daily Mail, Vieira, i cili dëshiron të largohet nga Interi në kërkim të një ekipi ku do të mund të luajë me ekipin e parë, që do t’i ndihmonte atij të sigurojë një vend për Kupën Botërore të verës së ardhshme, ka lënë anash idenë për t’u transferuar te Tottenham.Viera është e kuptueshme se e ka marrë më me qetësi rikthimin e tij në Londër, pasi kjo mund ketë ndikim në njollosjen e reputacionit të tij si legjendë e Arsenalit.Ekipet franceze Lyon dhe Paris Saint-Germain po ashtu kanë shprehur interesim për 33-vjeçarin, derisa edhe Birmingham bëri interesim të hershëm për të. Por Vieira do të jetë më i lumtur të qëndrojë në Serie A nëse i ofrohet ndonjë marrëveshje e pranueshme.Ndërkohë disa media raportojnë edhe mundësinë pak të besueshme që ish-kapiteni i Arsenalit, të rikthehet në mesin e topçinjve.
Nënshkrimi i ri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, thotë se gjatë kohës së tij në Liverpool ai është bërë një lojtar shumë më i mirë.“Liverpooli është një klub i madh me një histori mbresëlënëse, me shumë suksese. Në Angli ky është një ekip me më së shumti tituj... Andaj tashmë e kam shijuar atë kënaqësi dhe shpresoj se kjo do të më ndihmojë tash në këtë sfidë, e cila qartas është më madhja në karrierën time”, ka thënë Arbeloa.“Mendoj se jam bërë një futbollist më i mirë dhe po ashtu më i pjekur. Kur luani në një klub si Liverpooli e keni shansin të luani me lojtarë të mëdhenj, unë po ashtu jam ftuar nga Spanja dhe kemi fituar Kampionatin Evropian... në këto vite kam mësuar shumë gjëra”.“Kjo më ka bërë lojtar më të mirë dhe shpresoj të jem në gjendje ta tregoj këtë, që në fund është gjë e rëndësishme”, ka shtuar spanjolli.
Milani po vazhdon me formën e keqe në ndeshjet miqësore parasezonale, ndërsa të mërkurën mbrëma është mposhtur me rezultat prej 4-1 nga Bayern Munichu.Është kjo humbja e katërt radhazi e Rossonerëve, të cilët duket se nuk po e gjejnë formulën e fitores. Bavarezët dolën fitues me golat e Muller (12’ dhe 90’), Schweinsteiger (80’) dhe Sene (89’). Ndërsa golin e nderit për kuqezinjtë e shënoi Pirlo (81’).
















