Kampioni i Evropës, Barcelona, raportohet se ka dërguar ofertë për mbrojtësin e Schalke 04, Rafinha.Sipas sportives spanjolle Sport, Barcelona ka ofruar 3 milionë euro për brazilianin, i cili nga Schalke vlerësohet rreth 8 milionë funte.
Barcelona e sheh Rafinhan si një mbulesë të përkryer për Dani Alves. Rafinha po ashtu ka të njëjtin agjent, Marcos Malaquias, si edhe mbrojtësi i Barcelonës, Henrique.
Sport shkruan se mungesa e shkëlqimit të Ronaldos është duke shqetësuar Realin, përfshirë këtu edhe trajnerin Manuel Pellegrini, që është duke dështuar të gjejë një pozicion ideal për yllin portugez në sistemin e tij.
Po ashtu thuhet se Ronaldo është jo i kënaqur me situatën dhe i dekurajuar për formën e tij të dobët. Ndryshe nga Kaka, Ronaldo ende nuk e ka shijuar një paraqitje të madhe para-sezonale për Realin dhe shtypi madrilen ende kërkon arsye për të lëshuar lëvdata për heroin e ri.
Po ashtu Pellegrinit i është sugjeruar të shohë si opsionin të sakrifikojë kapitenin Raul për Ronaldon.
Trajneri i Milanit, Leonardo, e ka paralajmëruar mesfushorin brazilian Ronaldinho se është koha ai ta kthejë formën e vjetër, para se të jetë shumë vonë.“Është duke u rikthyer në formë, është më mirë. Puna është tash ose kurrë. Tash është momenti për t’u dëshmuar në Milan dhe në ekipin kombëtar”, ka thënë Leonardo në konferencën e shtypit para ndeshjes së nesërme debutuese kundër Sienës.
Ronaldinho pati një fillim të mbarë kur arriti në Milan sezonin e kaluar, por ra nga konkurrenca për pozitën e fillestarit dhe e humbi vendin në kombëtare.
Kalimi i Kaka në Real Madrid, mund të jetë një rast për brazilianin të dëshmohet se është i gatshëm për sfidë në Serie A dhe Leonardo thotë se ai duhet ta shfrytëzojë shansin.
“Ishte mrekulli të shihet në stërvitje sot. Ai duhet ta bëjë këtë. Do të bëj gjithçka t’i përgatis më së miri atë dhe gjithë ekipin”, ka shtuar trajneri brazilian.
Buffon, i cili ishte pyetur të emërtojë lojtarin më të mirë me të cilin ai është përballur ndonjëherë në karrierën e tij, ka zgjedhur Ronaldon para ish-bashkëlojtarit të tij.
“Ibrahimovic? Bah, Ronaldo ka fituar dy Kupa Botërore dhe ka qenë golashënuesi më i mirë gjatë tre Kupave. Ronaldo ishte mësuar të fitonte ndeshjet vet, edhe ato të vështirat edhe ato të lehtat. Ronaldo i vërtet gjithmonë ka qenë kampion për mua”, ka thënë Buffon.
“Ai gjithmonë do të mbahet mend në mesin e më të mirëve, por ai ka mundur të jetë edhe më i mirë se çdokush, përfshirë Pelen dhe Maradonnën”, ka shtuar italiani.
Buffon këtë vikend do të ketë përballë një sulmues shqiptar, është fjala për Erjon Bogdanin, ekipi i të cilit, Chievo, do të përballet me Juventusin në javën e parë të sezonit të ri të Serie A.
Klubi i Premier League, Liverpool, lidhet me një angazhim të Matias de Federico, i cili shihet si Lionel Messi i ri.Siç shkruan Daily Mail, De Federico, është subjekt i një oferte të vlefshme 4.6 milionë dollarë nga një klub i pazbuluar anglez.
19-vjeçari edhe me parë është lidhur me Liverpoolin, dhe mendohet janë pikërisht të kuqtë që kërkojnë sërish talentin.
De Federico luan në rolin e sulmuesit dhe pritet të largohet nga Huracan për t’u bërë partner i legjendës braziliane Ronaldo te Corinthians, derisa interesimi i klubeve angleze të konkretizohet.
Menaxheri i Tottenham, Harry Redknapp, është i gatshëm të futet në garë për portierin e Portsmouth, David James.Sipas Daily Mail, Redknapp është i etur të kthehet përsëri kah ish-klubi i tij Portsmouth, dhe të bëjë ofertë për të marrë shërbimet e James.
Redknapp ka ftuar David Button nga huazimi i tij te Crewe, pasi Heurelho Gomes, u lëndua gjatë mesjavës.
Por ai do të jetë i gatshëm t’ia japë numrin një portierit James, nëse ai vendos të transferohet në White Hart Lane. Redknapp është i bindur se James është i pakënaqur dhe përgatitet të shfrytëzojë shansin për të marrë atë nga Fratton Park.
Ylli i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, thotë se Manchester City mund të bëhet një fuqi evropiane në futboll.Pas fitores së Cityt në Joan Gamper Trophy këtë javë, ku Ibrahimovic debutoi për të parën herë me fanellën e Barcelonës, suedezi e sheh të ndritshme të ardhmen e klubit anglez.
“Manchester City nuk është ende në këtë nivel, por ata mund të arrijnë. Ata kanë blerë disa lojtarë shumë të mirë dhe duket se kanë një projekt shumë të madh dhe ambicion”, ka thënë Ibrahimovic.
“Nëse ata vazhdojnë kështu, mendoj se do të bëhen një prej top pesë klubeve në Evropë brenda dy ose tre vitesh”, ka shtuar suedezi.
















