Kampioni në fuqi i Serie A, Interi, ka treguar një paraqitje jo aq bindëse për të barazuar 1-1 në Giuseppe Meazza përballë ekipit të porsa-promovuar në ligën e parë italiane, Bari.

Nerazurët kishin problem për të thyer mbrojtjen e Barit, edhe pse patën kontrollin e topin në pjesën më të madhe të kohës. Pas pjesës së parë pa gola, rezultati u hap vetëm në fillim të pjesës së dytë nga penaltia e dyshimtë e fituar nga Diego Milito dhe e shndërruar në gol nga Samuel Eto’o (56’).

Vendasit do të mund ta kishin bërë 2-0 disa minuta më pas, kur Milito i dha një top të përkryer Eto’o, por kamerunasi dërgoi topin jashtë portës, edhe pse ishte i vetmuar me portierin.

Mysafirët shfrytëzuan ‘lodhjen’ e vendasve dhe shënuan me anë të një kundërsulmi, kur Vitali Kutuzov (73’) kontrolloi një pasim të Antonio Langella dhe dërgoi topin në rrjetën e Julio Cesar.

Bari madje për pak nuk siguroi një fitore historike, pasi një gabim i Thiago Motta i dha shansin e artë Emanuel Rivas, i cili e dërgoi topin vetëm mbi gol.

Dyshja sulmuese Nicolas Anelka dhe Didier Drogba kanë ndihmuar njëri-tjetrin të shënojë secili nga një gol, për t’i dhënë fitoren 2-0 Chelseat në ndeshjen përballë Fulhamit në Craven Cottage.

Sulmuesi i Bregut të Fildishtë shënoi golin e tretë në tre ndeshje pas një asistimi të shkëlqyeshëm të Anelka në fund të pjesës së parë (39’), ndërsa në pjesë të dytë Drogba ia ktheu borxhin francezit, duke asistuar në golin e tij të shënuar 14 minuta para fundit të ndeshjes (76’).

Fitorja është e treta në tre ndeshjet e para të sezonit për Chelsean, që ngjitet në krye të tabelës me pikë të barabarta me Tottenhamin.

Në ndeshjen tjetër të sotme, Burnley, që gjatë mesjavës bëri befasinë duke mposhtur Manchester United, ka shënuar fitore minimale ndaj Evertonit, falë golit Wade Elliot në minutën e 36-të.

Mysafirët patën një rast shënimi në minutën e 76-të të ndeshjes, por Luis Saha nuk ishte i saktë nga pika e bardhë.

Dy klubet e Manchesterit, City dhe United, janë duke kërkuar anësorin e Real Madrid, Arjen Robben.

Sipas Marca, të dy rivalët e qytetit janë të gatshëm të transferojnë ish-mesfushorin e Chelseat, i cili është i lirë nga Real Madridi për një shumë prej 20 milionë funtesh.

Reali ka nevojë ta shesë Robben për të ekuilibruar harxhimet, me Wesley Sneijder që refuzon të transferohet te Inter, dhe me Rafael van der Vaart për të cilin nuk arrin asnjë ofertë konkrete.