Federata e Futbollit e Gjermanisë ka vendosur që ndeshjen miqësore kundër Kilit - e paraparë të zhvillohej të shtunën - ta anulojë pas vetëvrasjes që bërë portieri i përfaqësueses gjermane dhe Hannoverit, Robert Enke. Këtë e ka konfirmuar kreu i futbollit gjerman Theo Zwanziger, në një konferencë për media. Gjithashtu Zwanziger ka bërë të ditur se skuadra e drejtuar nga selektori Joakim Loew i ka ndërprerë stërvitjet. Trajneri i pancerve ka thënë se është i tronditur nga tragjedia që ndodhi të martën mbrëma. Sipas tij, Enke nuk ka qenë vetëm një lojtar i shquar, por edhe një person i madh. "Askush nga lojtarët nuk është në gjendje për të lëvizur në këtë situatë. Ne kemi humbur një mik,"ka thënë Loew. Mediat gjermane kanë raportuar se përfaqësuesja e Gjermanisë do ta zhvillojë ndeshjen tjetër miqësore kundër Bregut të Fildishtë, e cila është e paraparë të zhvillohet në mesin e javës së ardhshme.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka kërkuar nga lojtarët e tij që të mbajnë formën e tyre dhe të harrojnë ‘nëntorin famëkeq’ për Topçinjtë.Aktualisht, Arsenali është pesë pikë prapa liderit Chelsea në Ligën Premier, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Në fund të këtij muaji Topçinjtë do të ndeshen me Blutë me shpresën për të ngushtuar edhe më shumë diferencën e pikëve, dhe për të përfunduar një muaj të suksesshëm. “Tradicionalisht, nëntori nuk ka qenë një muaj i mirë për ne. Por këtë mund ta shpjegoj se ishte pasojë e lëndimeve... Po ashtu varet edhe nga ndeshjet- sepse kemi pasur nga dy ose tri ndeshje të vështira në muajin nëntor. Kemi pasur ndeshje vendimtare në Ligën e Kampionëve, ndërsa lojtarët është dashur të luajnë edhe me përfaqësueset e tyre”. “Tash kemi një ‘pushim’ të tillë kur lojtarët do të luajnë me përfaqësueset, dhe të shpresojmë që do të kthehen në formë të mirë. Pastaj do të shkojmë te Sunderlandi (21 nëntor) dhe atje është gjithmonë një vend i vështirë për të luajtur”, ka thënë francezi në një konferencë për shtyp.
Sulmuesi i Juventusit, Alessandro Del Piero, është pranë rikthimit të tij në fushë dhe u ka thënë gazetarëve se pret të luajë në ndeshjen kundër Udineses.“Jam mirë. Jam duke bërë stërvitje të plota dhe do të vazhdoj kështu deri me 22 nëntor, kur do të jem në dispozicion të trajnerit”. “Pritjet janë shumë të mëdha që unë të jem në fushë. Meqë nuk kam luajtur shumë, dhe nuk është mundur të shihet puna ime së bashku me Diegon dhe bashkëlojtarët tjerë. Vërtet dëshiroj të luaj”, ka thënë 35-vjeçari për Il Corriere dello Sport.
Mbrojtësi i Italisë, Gianluca Zambrotta, ka kërkuar nga Francesco Totti dhe Alessandro Nesta që të rishqyrtojnë mundësitë e tyre për t’u kthyer te përfaqësuesja e Italisë.“Trajneri e ka lënë derën hapur, ndërsa lojtarët të cilët nuk kanë marrë pjesë në kualifikime mund të integrojnë veten me pjesën tjetër të lojtarëve (që janë këtu)”. “Totti ka qenë gjithmonë i rëndësishëm për ne, por unë nuk e di se çfarë dëshiron ai të bëjë. Po ashtu nuk di as se cilat janë qëllimet e Lippit, por ne jemi të gatshëm të mirëpresim këdo”. “Sa i përket Nestas, nuk dua të flas. Ai po ka një sezon të shkëlqyer, por është trajneri ai që merr vendimet se kush mund të vijë e kush jo. Mirëpo, e kaluara na ka mësuar se ka pasur raste kur lojtarët kanë ardhur më vonë”, u ka thënë Zambrotta gazetarëve.
Renzo Contratto, agjenti i mbrojtësit të Interit, Davide Santon, ka mohuar spekulimet se klienti i tij është pranë largimit nga zikaltrit. “Santon nuk është në shitje, nëse ai do të ishte në shitje, atëherë do të ishin të interesuara shumë skuadra italiane dhe gjysma e Evropës për të”, ka thënë Contratto për tuttomercatoweb, duke mohuar po ashtu se ai është pranë kalimit te Napoli. Santon nuk është përfshirë në listën lojtarëve të Interit që luajtën kundër Livornos dhe Romës, dhe kjo ka qenë arsyeja e spekulimeve për mundësinë e largimit të 18-vjeçarit nga Giuseppe Meazza.
Trajneri i Holandës, Bert van Marwijk, planifikon ta vendosë në qendër të sulmit sulmuesin e Arsenalit, Robin van Persie.Mirëpo, përkundër se ka shënuar shtatë gola në Ligën Premier këtë sezon, Van Persie thotë se ai nuk mund të krahasohet me Fernando Torresin apo Didier Drogban, pasi që loja e tij është më shumë si një sulmues i dytë. “Nuk e konsideroj veten si një sulmues të vërtetë. Lojtarët si Fernando Torres dhe Didier Drogba janë vrasës të vërtetë. Mendoj se loja ime është mesi i një sulmuesi kryesor dhe një mbështetësi të sulmuesit. Jam kombinim i të dyve”, ka thënë Van Persie.
Mesfushori ofensiv i Juventusit, Sebastian Giovinco, është i kënaqur me performancat e fundit të skuadrës së tij dhe beson se Zonja e Vjetër është në rrugë të mbarë për të ngushtuar edhe më shumë diferencën e pikëve me Interin.“Ishte me rëndësi të paraqiteshim mirë në ndeshjen e fundit, në të cilën arritëm të sigurojmë një fitore të vështirë”. “Tash jemi duke punuar shumë dhe mund të shfrytëzojmë edhe ndihmën e atyre që po kthehen (nga lëndimi), gjë që na bën shumë të kënaqur”. “Duhet të përqendrohemi te vetvetja, të luajmë mirë dhe të fitojmë, nuk duhet të përmendim skuadra tjera dhe punët e tyre”, ka thënë Sebastian Giovinco për Juventus Channel.
Diego Forlan ka nënshkruar kontratë të re me Atletico Madridin, e cila do ta mbajë në klub deri në vitin 2013.Marrëveshja ishte arritur më herët, mirëpo ka munguar nënshkrimi, kështu që tashmë është finalizuar gjithçka. “Jam i ngazëllyer me rinovimin. Qëkur erdha në këtë klub kam thënë se jam shumë i lumtur dhe se shpresoja që të luaj për shumë vite te Atletico”, ka thënë Forlan.
Evertoni është i gatshëm të fillojë negociata me Louis Saha për vazhdimin e qëndrimit të tij në Goodison Park.Saha është në një formë të shkëlqyeshme këtë sezon me Evertonin dhe tashmë ka shënuar nëntë gola. Lojërat e mira të sulmuesit i kanë detyruar anëtarët e Evertonit të mendojnë për të mbajtur francezin, i cili në vitin 2008 erdhi nga United dhe nënshkroi marrëveshje dyvjeçare.Në ndeshjen e fundit kundër West Ham United, Saha, pati një lëndim të lehtë, të cilin duhet ta rikuperojë gjatë kohës së pauzës ndërkombëtare. Pritet që francezi të jetë i gatshëm për udhëtimin e Evertonit në Manchester United më 21 nëntor.
Policia gjermane ka pohuar se ka gjetur një letër të shkruar nga portieri i kombëtares gjermane, Robert Enke, i cili mbrëmë ka vdekur pasi është shkelur nga një tren ekspres në afërsi të Hannoverit.Vdekjen e 32-vjeçarit Enke mbrëmë e pohoi presidenti i Hannoverit ku ka luajtur portieri, ndërsa të dhënat e para kanë thënë se bëhet fjalë për vetëvrasje. Mëngjesin e sotëm policia gjermane pohoi se ka gjetur një letër nga Enke, në të cilën është thënë se ai do të bëjë vetëvrasje.“Mund të pohoj se kemi gjetur një letër të shkruar por për respekt të familjes së tij nuk do të themi asgjë më shumë”, ka thënë zëdhënësi i policisë. Mbrëmë qindra fansa janë mbledhur para stadiumit të Hannoverit, duke dërguar lule dhe duke ndezur qirinj në shenjë kujtimi për kapitenin e ekipit.
Dallas Mavericks është rikuperuar nga fillimi i dobët i sezonit për të mposhtur rivalin nga Teksasi, Houston Rockets, me rezultat 121-103.Mavericks u rikthyen nga deficiti 56-39 në çerekun e dytë të ndeshjes, për të shënuar fitoren e dytë të sezonit.Jason Terry ka qenë i saktë në shtatë nga tetë tentimet për të shënuar 24 pikë derisa Dirk Nowitzki ka shënuar 23 pikë. Aaron Brooks ka udhëhequr për Houston me 22 pikë, derisa Carl Landry ka shënuar 19.
Pas eliminimit nga Kupa e Mbretit nga ekipi i divizionit të tretë Alcorcon, Perez thotë se nuk duhet të bëhet panik në Real.“Nëse Real Madrid nuk fiton një trofe këtë sezon, nuk është dështim. Fabio Capello tha së fundi se ekipi i ri ka nevojë të zhvillohet. Ne kemi nevojë për stabilitet”.“Ne nuk do të shqetësohemi në vitin e parë të projektit. Jemi shumë komfort me ekipin që kemi. Kemi nevojë për kohë që trajneri të stabilizohet me lojtarët. Sigurisht se Pellegrini do ta përfundojë sezonin këtu”, ka thënë Perez.
Portieri i Interit, Julio Cesar ka nënshkruar kontratë të re pesëvjeçare me kampionin e Serie A.Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi italian me anë të një deklarate në faqen zyrtare. Me anë të marrëveshjes së re Cesar lidhet me Interin deri më 30 qershor të vitit 2014.“Tash dua ta festoj këtë me edhe më shumë fitore. Jam i lumtur, e falënderoj presidentin Massimo Moratti dhe gjithë klubin. Tashmë kam fituar shumë me Interit, por fuqia jonë është mënyra me të cilën ne punojmë për të arritur objektivat e reja”, ka thënë Cesar.
Trajneri i Milanit, Leonardo, thotë se ai po përballet me dilema në përzgjedhjen e portierëve, pas pauzës së ndeshjeve ndërkombëtare.Nelson Dida ka luajtur rolin e portierit të parë në mungesë të dyshes Christian Abbiati dhe Marco Storari, megjithatë, ata tash janë afër rikthimit në formë.“Është një zgjidhje shumë e vështirë. Duhet të mendoj shumë aspekte dhe për trajnerin kjo është një situatë e vështirë”, ka thënë Leonardo.Një komplikim tjetër është fakti se Dida është duke u kërkuar nga Corinthians, të cilët dëshirojnë ta transferojnë brazilianin që në janar.
Luis Figo është i bindur se Cristiano Ronaldo do të ketë një karrierë të suksesshme në Real Madrid.Ish-mesfushori i Barcelonës dhe Real Madridit thotë se Ronaldo mund ta kalojë suksesin e tij në Santiago Bernabeu.“Cristiano do të ketë sukses në Real Madrid. Ai është një futbollist fantastik me karakteristika të veçanta. Me sa duket, për të arritur më shumë fitore dhe më shumë prestigj, do të duhet të ketë edhe sukses të të gjithë ekipit”, ka thënë Figo.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, thotë se trajneri Carlo Ancelotti është i pari në Chelsea që luan me dy sulmues.Drogba thotë se suksesi i partneritetit të tij me Nicolas Anelkan është falë trajnerit italian. “Ancelotti është i pari i cili ka pasur besim në ne për të luajtur së bashku në ballë të golit. Ne nuk kemi pasur nevojë ta bindim atë”. “Janë vetëm rotacionet që na ndalojnë neve ndonjëherë të luajmë së bashku. Ne e kuptuam shpejt se partneriteti jonë do të jetë pjesë e ekuilibrimit të këtij ekipi”, ka thënë Drogba.
Ekipi që bën gara në Ligën e tretë spanjolle, Alcorcon, ka eliminuar gjigantët e Real Madridit nga Kupa e Mbretit me rezultat të përgjithshëm prej 4-1.Në ndeshjen e parë Alcorcon e kishte turpëruar Realin duke e mposhtur me rezultat prej 4-0. Ndërsa në takimin kthyes të zhvilluar të martën mbrëma në Bernabeu, Los Blancos kanë shënuar fitore minimale prej 1-0 me golin e shënuar nga Rafael Van der Vaart (81’), i cili nuk ka mjaftuar që mbretërit të vazhdojnë garën.
Ndërkohë rivali i përjetshëm i Realit, Barcelona, ka deklasuar ekipin Cultural Leonesa, duke e mposhtur me rezultat prej 5-0 në Camp Nou.
Përzgjedhësi i Portugalisë, Carlos Queiroz, duket se dëshiron ti jap fund konfliktit me Real Madridin i shkaktuar nga lëndimet e Ronaldos.Ronaldo ka udhëtuar në Portugali për të ju nënshtruar disa testeve mjeksore të cilat do ta mbarojnë konfliktin. Queiroz e ka mohuar se dëshiron të rrezikoj dhe ta bëj lëndimin e Ronaldos më problematik.
“Dëshiroj ta sqaroj një çështje – nuk ka imponim, por përgjegjësi.”
“Ne kemi ftuar lojtarët që mendojmë se mund ta ndihmojnë kombëtaren. Ne besojmë se nëse marrim një vendim që është në interes të lojtarit, atëherë është në interes të të gjithëve, i klubit dhe i kombëtares.”
“Nuk u besoj gënjeshtrave të që janë thënë. Unë them se do ti besoni federatës portugeze kur të mbyllet kjo çështje.” Deklaroi për Marca, selektori i kombëtares Portugeze Queiroz.
















