Torres dhe Gerrard Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, është i lumtur që Fernando Torres është kthyer nga lëndimi dhe pret që t’i ndihmojë skuadrës për të dalë nga momenti i krizës.
“Për mua është gjë e madhe që Fernando është kthyer, është gjë e madhe për klubin, gjë e madhe për të gjithë këtu”. “Ai është njeriu kryesor i yni. Ai është golashënuesi ynë më i mirë, prandaj na nevojitet në formë të mirë dhe goditëse”. “Nëse kjo ndodh, atëherë jam i bindur se do të ngjitemi në Ligë dhe do të jemi në katër vendet e para”, ka thënë mesfushori anglez për This Is London.
Trajneri i Bayern Munichut, Louis van Gaal, e ka bërë të qartë që gjigantët bavarezë janë të gatshëm ta largojnë sulmuesin italian Luca Toni, në afatin kalimtar të janarit.
“Nuk kam për çfarë të flas më me Luca Tonin. Ai ka deklaruar se dëshiron të largohet nga Bayerni, prandaj mund të fillojë të kërkojë një skuadër të re”. “Është vonë për të kërkuar falje tani. Ai është dashur të mendojë më herët për këtë gjë. Ai e ka marrë vendimin që të sillet në mënyrë të caktuar dhe nuk ka më kthim prapa”. “Ai nuk i ka realizuar ato që kemi pritur këtë sezon dhe ai nuk është i nevojshëm më te Bayern Munichu”, ka thënë Van Gaal për Corriere dello Sport.
Xabi Alonso dhe Sergio Ramos i janë bashkëngjitur pjesës tjetër të skuadrës madrilene gjatë seancave stërvitore të të enjtes, ashtu që pritet të jenë të gatshëm për ndeshjen e fundjavës kundër Valencias.
Të mërkurën, Marca njoftoi se Alonso do të mungojë në këtë ndeshje të rëndësishme, si pasojë e një lëndimi që mori në takimin kundër Marseille në Ligën e Kampionëve, mirëpo lajmet e reja vijnë në favor të Realit, ashtu që mesfushori spanjoll pritet të jetë i gatshëm për lojë, sikurse edhe mbrojtësi Sergio Ramos Ata që do të mungojnë në Mestalla, janë Christophe Metzelder, Guti, Ruud Van Nistelrooy dhe Kaka, të cilët janë të lënduar, si edhe Cristiano Ronaldo, i cili u përjashtua me karton të kuq nga ndeshja kundër Almerias.
Diego u fishkëllye nga tifozët pas eliminimit të Juventusit nga Liga e Kampionëve, mirëpo agjenti i brazilianit, Giacomo Petralito, thotë se të gjithë duhet të kenë durim me klientin e tij.
“Të gjithë lojtarët e huaj të cilët vijnë në Itali, kanë nevojë për kohë për t’u adaptuar në ambientin e ri”. “Diego është një lojtar i shkëlqyer dhe do ta dëshmojë këtë herët apo vonë. Atij duhet t’i jepet kohë”, ka thënë Petralito për Ilsussidiario.net.
Mbrojtësi i Romës, Cicinho, nuk do të largohet nga klubi kryeqytetas gjatë afatit kalimtar të janarit- thotë agjenti i tij.
Të mërkurën, Il Corriere Dello Sport shkroi se braziliani do ta vazhdojë karrierën në një skuadër tjetër, mirëpo agjenti Riccardo Sarti thotë se Cicinho do të qëndrojë në Olimpico. “Cicinho është i qetë dhe ai gjithmonë stërvitet për atë që pritet nga ai te Roma. Tash për tash, gjërat nuk janë të lehta për të, mirëpo ai është i qetë”. “Ai është lojtar i Romës, por nëse klubi vendos ta shesë atë, atëherë do ta evaluojmë hapin e radhës. Tani për tani, ai dëshiron të qëndrojë te Roma dhe nuk e ka në plan largohet”, ka thënë agjenti për Calciomercato.it.
E ardhmja e trajnerit të Juventusit, Ciro Ferrara, nuk është e sigurt, sidomos nëse bardhezinjtë nuk shënojnë fitore kundër Barit në fundjavë.
Sipas Il Corriere Dello Sport, Juve tashmë është duke menduar për një trajner të ri, ndërsa emrat që qarkullojnë janë Roberto Mancini, Sven Goran Eriksson dhe Guus Hiddink. Ferrara është nën presion të madh pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, ndërsa ndeshja kundër Barit është vendimtare për punën e tij.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, është i kënaqur nga taktika ‘agresive’ e Jose Mourinho, dhe shpreson se ekipi i tij do të vazhdojë të luajë edhe më mirë në Ligën e Kampionëve.
Mourinho nxori në fushë një formacion shumë ofensiv në takimin e mbrëmshëm kundër Rubin Kazan, që rezultoi me fitore 2-0 të Interit. Eto’o, Balotelli dhe Milito ishin në mesin e treshes sulmuese, të përkrahur nga Wesley Sneijder prapa tyre. “Nuk e prita këtë formacion, duket se pikërisht kjo ishte vendimtare, fakti që jemi përgjigjur me agresivitet, që i dha motiv shtesë ekipit. Tash duhet të tregojmë se vlejmë në këtë garë”. “Shpresoj se do të jemi më të mirë se dy sezonet e kaluara kur ishim eliminuar nga kundërshtarë të vështirë siç ishin Liverpool dhe Manchester United”, ka thënë Moratti.
Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, është i pasigurt për derbin e qytetit kundër Espanyol, pasi ka pësuar lëndim në takimin e mbrëmshëm të Ligës së Kampionëve kundër Dinamo Kievit.
Argjentinasi ia solli fitoren Barcelonës (2-1) pasi shënoi një shtylla-gol nga gjuajtja e lirë, disa minuta para fundit të ndeshjes. Por pastaj pësoi një goditje në nyje, për të cilën arsye duhej ta lëshonte fushën. Barcelona këtë vikend do të takohet me Espanyol dhe ende është e pasigurt nëse Messi do të luajë në këtë ndeshje. Ndërkohë pritet të realizohen skenime dhe kontrolle shtesë për t’u përcaktuar saktësisht niveli i lëndimit dhe sa kohë Messi do të qëndrojë jashtë fushe.
Trajneri i Fiorentinës, Cesare Prandelli, nuk e ka fshehur gëzimin e tij për fitoren e fundit ndaj Liverpoolit, e cila iu ndihmoi të përfundojnë në pozitën e parë të grupit E.
Fiorentina e përfundoi me stil fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, pasi ekipi italian mposhti me rezultat 2-1 Liverpoolin në Anfield. “Nuk kam menduar se do të mund të përfundojmë në pozitën e parë të grupit. Por kur ekipi luan mirë dhe qetë gjithçka është e mundur dhe kjo ndodhi sonte. Më pëlqeu si luajtën në pjesën e parë. Krijuam shumë shanse dhe i shkaktuam probleme Liverpoolit”. “Në pjesën e dytë kishim disa rënie, por nuk u dorëzuam. Ju jap komplimente futbollistëve pasi e merituan. Ata flijuan për këtë rezultat dhe tash duhet të kënaqemi me shpërblimin”, ka përfunduar Prandelli.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, nuk ka qenë i disponuar për të festuar fitoren e mbrëmshme prej 2-0 ndaj Rubin Kazan, e cila i ndihmoi të kualifikohet në fazën e ardhshme të Ligës së Kampionëve.
“Ka vetëm një gjë të cilën nuk po arrij ta kuptoj. Mendova se Italia ishte një vend ku vetëm rezultatet llogariten, por kam kuptuar se nuk është kështu për secilin”. “Ne ishim kampionë të Italisë sezonin e kaluar dhe jemi në maje të tabelës këtë sezon. Ne u eliminuam nga Evropa nga kampioni në fuqi sezonin e kaluar dhe këtë sezon kishim në grup kampionin e ri të kësaj gare...”, është përgjigjur Mourinho rreth kritikave nga mediumet italiane.
Los Angeles Lakers kanë shkëlqyer në çerekun e katërt të takimit për të mposhtur ekipin Utah Jazz me rezultat 101-77, që është fitorja e 10-të radhazi e këtij ekipi.
Lakers kishin vetëm dy pikë avantazh në fillim të çerekut të fundit, por dominuan në këtë pjesë të fundit të cilën e fituan me 28-6. Kobe Bryant shënoi 27 pikë dhe tetë asistime në ndeshje, ndërsa Pau Gasol kontribuoi me 19 pikë dhe 12 kërcime. Lakers tash kanë 17 fitore përkundër tre humbjeve këtë sezon. Deron Williams shënoi 17 pikë dhe tetë asistime për Jazz, që kanë 12 fitore dhe nëntë humbje.
Debutimi i plotë i mesfushorit Alberto Aquilani dhe rikthimi nga lëndimi i sulmuesit Fernando Torres janë dy gjërat pozitive në humbjen e mbrëmshme të Liverpoolit në Anfield nga Fiorentina.
Pavarësisht se kishte avantazhin e një goli në pjesën e parë, Liverpooli pësoi dy herë në pjesën e dytë për të vazhduar rezultatet negative në Ligën e Kampionëve. “Të shohësh Aquilanin, të shohësh Torres, ishin gjëra pozitive për ndeshjen e ardhshme dhe për pjesën e mbetur të sezonit tonë. Aquilani tregoi kualitetet e tij. Prekja e topit, vizioni dhe pasimet ishin të mira, por duket se ai do të ketë nevojë të punojë më shumë në formën fizike”. “Çdokush është i gatshëm për të dielën, nëse ai stërvitet mirë ai mund të përfshihet kundër Arsenalit. Ne ende presim të shohim gjërat pozitive, luajmë më mirë dhe këtë duhet ta tregojmë në ndeshjet më të rëndësishme. Është fillim i një sezoni të ri për ne, shpresoj”, ka thënë Benitez.
Mesfushori i Chelseat, Joe Cole, thotë se ekipi i tij duhet t’i fitojë të gjitha pesë ndeshjet e fundit të vitit 2009 për të mbuluar tre ndeshjet pa fitore.
Blutë barazuan 2-2 në mesjavë ndaj APOEL Nicosia në Ligën e Kampionëve, për t’ia shtuar këtë dy humbjeve, asaj në Kupën Carling kundër Blackburnit dhe në Ligën Premier kundër Manchester Cityt. “Ka qenë disi një javë me gunga dhe ne kemi nevojë të rikthehemi gjatë vikendit dhe të fillojmë të fitojmë. Pesë ndeshjet e ardhshme janë shumë të rëndësishme. Nëse do të përfundojmë vitin duke qëndruar në krye të tabelës, do të ishim vërtet të lumtur”, ka thënë Cole. Blutë do të udhëtojnë në fushë të Evertonit këtë javë, para se të presin në fushë të vet Portsmouthin.
Liverpooli raportohet se dëshiron së sjellë në radhët e veta sulmuesin e Tottenhamit, Roman Pavlyuchenko, si shkëmbim me Ryan Babel.
Menaxheri i të kuqve, Rafael Benitez, ka nevojë për një sulmues tjetër për të ndihmuar Fernando Torres dhe beson se 27-vjeçari rus mund të jetë njeriu i duhur për këtë detyrë. Benitez besohet se është lodhur nga pyetjet e vazhdueshme të Babel se pse ai vazhdon të jetë në stol dhe e sheh zgjidhjen e situatës duke sjellë një golashënues të aftë. Për ulur çmimin e sulmuesit rus Liverpool mund të ofrojë Babel si pjesë të marrëveshjes. Pavlychenko i kushtoi Tottenhamit 13.8 milionë euro para më shumë se një viti, derisa Babel kushtoi 11.5 milionë euro dy vite më parë, por është vetëm 22 vjeçar dhe mund ta ripaguajë veten nga një shitje tjetër.
Momenti i supergolit të Cristiano Ronaldos, në ndeshjen e Realit kundër Marseilles - SportiSot Përkundër asaj se shënoi një gol fantastik nga gjuajtja e lirë prej mëse 30 metrash, dhe më pas duke e ngrirë lojën me një gol tjetër në fund, njeriu më i shtrenjtë në futboll mendon se mund të jap më shumë.
“Jam i lumtur që shënova dy gola dhe që përfunduam në vendin e parë në grup. Ishte një ndeshje e mirë dhe më duhet ta përgëzoj ekipin që luajti shumë mirë, duke ardhur në pjesën e dytë më qetë se në ndeshjet e kaluara.”
“Nuk jam ende 100% në formën time. Mund të jap më shumë, fizikisht, ka gjëra ku mund të përmirësohem, por jam duke bërë progress. “
Për ndeshjen ndaj Valencias në Mestalla, CR9 shprehet të jetë penduar për kartonin e kuq që nuk e lë të paraqitet ndaj Valencias.
“Shfrenimi i emocioneve të mia ishte gabim njerëzor, por kam besim se bashkëlojtarët e mi do të arrijnë një rezultat të favorshëm.” Përfundoi CR9.