Erton Fejzullahu Skuadra holandeze ka shënuar fitore të lartë prej 8-0 në ndeshjen mysafire kundër skuadrës maqedonase Pelister, përkundër se tërë pjesën e dytë e zhvilloi me një lojtar më pak në fushë, pasi Bjorn Vleminckx u përjashtua me karton të kuq në fund të pjesës së parë.
Sulmuesi shqiptar me pasaportë suedeze, Erton Fejzullahu, hapi serinë e golave (27’) dhe njëherit vendosi rezultatin përfundimtar të pjesës së parë.
Në gjysmën e dytë, sulmuesi Saidi Ntibazonkiza shënoi katër gola (57’, 64’, 79’ dhe 85’), mesfushori Jeffrey Sarpong shënoi dy herë (67’ dhe 83’) dhe një gol e shënoi mesfushori tjetër Rutger Worm.
Festa e egjiptianëve pas barazimit të Emad Motaeb. Përballja e Grupit C e vlefshme për Kupën e Kombeve të Afrikës, ndërmjet Egjiptit dhe Nigerisë, ka përfunduar me fitoren e egjiptianëve me rezultat 3-1.
Përfaqësuesja e Nigerisë kaloi në avantazh në minutën e 12-të me anë të Chinedu Obasi- Edu, ndërsa Emad Motaeb barazoi rezultatin (34’), për të dërguar skuadrat në pushim me shifrat 1-1.
Në fraksionin e dytë të lojës, Egjipti realizoi edhe dy herë, me anë të Ahmed Hassan (54’) dhe Mohamed Nagy Gedo (87’), për të nxjerrë pikë të plota nga ky takim.
Sonte zhvillohet edhe përballja tjetër e Grupit C, ndërmjet Mozambikut dhe Beninit.
Michael Schumacher ka filluar përgatitjet për rikthimin e tij në Formula një, duke testuar automjetin GP2, në Spanjë.
Shtatëherë kampioni i botës në F1, të martën ka vozitur në pistën në Jerez, në kushte jo edhe aq të mira- temperaturat e ulëta dhe era ia kufizonin shpejtësinë.
Piloti gjerman kthehet në Formula 1 pas tre vitesh pushim, ndërsa do të pilotojë për skuderinë Mercedes.
Ky testim i mundëson Schumacherit që të bëjë pak kilometrazh, para se të fillojë sezoni i ri i garës më prestigjioze të automobilizmit.
Njëherit, Shumi me këtë testim do të ndihmojë edhe në zhvillimin e serive 2011/2013 të automjetit GP2 - F1.
Kevin Kuranyi thotë se nuk planifikon të zhvendoset në Ligën Premier në janar, porse do të vazhdojë të qëndrojë te Schalke.
Sunderlandi, Birminghami dhe Chelsea janë në garë për shërbimet e futbollistit gjerman, mirëpo ai dëshiron ta respektojë kontratën e tij, e cila skadon në fund të sezonit.
“Tash e kam mundësinë të bëj diçka të madhe me Schalken, dhe do të qëndroj këtu për këtë gjë dhe për trajnerin Felix Magath”, është shprehur Kuranyi për Bild.
Schalke nuk dëshiron të heqë dorë nga sulmuesi gjerman, mirëpo trajneri Magath është i vetëdijshëm se nëse nuk kualifikohen në Ligën e Kampionëve, Kuranyi do të largohet.
Dyshja e mbrojtjes së Interit, Davide Santon dhe Marco Materazzi, nuk do të largohen nga Nerazzurët në janar, thotë agjenti Renzo Contratto.
Duke qenë se dy mbrojtësit kanë shumë pak minutazh në lojën e Interit, u shfaqën spekulime se ata dëshirojnë në të largohen nga kampioni i Italisë.
“Nuk ka të vërtetë në atë që thuhet. Asnjëherë nuk ka pasur bisedime ndërmjet Interit dhe Lazios për Santon, dhe mendoj se mundësia që Santon të largohet nga Interi është afër zeros”, është shprehur Contratto.
Ai ka folur edhe për interesimin e Panathinaikosit për Materazzin, duke shtuar se skuadra greke “vetëm shfaqi interesim dhe asgjë më shumë” dhe se nuk ka pasur kurrfarë bisedimesh.
Topçinjtë kanë siguruar shërbimet e mbrojtësit 35-vjeçar, Sol Campbell, i cili ishte lojtar i lirë pas qëndrimit të shkurtër te Notts County.
Campbell ka kaluar pesë vite të suksesshme te Arsenali, ndërsa tani ai është bashkuar sërish me Topçinjtë.
“Sol Campbell është kthyer tek Arsenali. 35-vjeçari ka nënshkruar sërish për klubin me të cilin shkëlqeu për pesë vite, ndërmjet 2001-2006”, shkruan në një deklaratë në faqen zyrtare të klubit nga Londra.
Real Madridi ka konfirmuar se sulmuesi argjentinas, Gonzalo Higuain, nuk do të luajë në tri javët e ardhshme, për shkak të lëndimit.
Higuain ishte lojtari i ndeshjes në përballjen ndaj Mallorcas, mirëpo ekzaminimet mjekësore të realizuara të martën treguan se ai duhet të pushojë për shkak të lëndimit të shputës së këmbës.
Lëndimi i argjentinasit është një goditje e rëndë për Los Blancos kur kihet parasysh se në dhjetë ndeshjet e fundit shënoi 11 gola.
Nga ana tjetër ky lëndim do t’i shërbejë Karim Benzemas, i cili dëshiron të dëshmojë kualitet e tij.
Sulmuesi veteran i Milanit, Filippo Inzaghi, ka vendosur ta refuzojë vazhdimin njëvjeçar të kontratës dhe t’i bashkëngjitet Parmës në fund të sezonit.
Qsvs.it njofton se Rossonerët tashmë kanë përgatitur një kontratë të re për 36-vjeçarin, kontrata aktuale e të cilin përfundon verën që vjen.
Megjithatë, Pippo dëshiron një skuadër ku do të luajë më shumë, pasi që te Milani nuk po gjen hapësira në formacionin e Leonardos.
Inzaghi ka raporte të mira me presidentin e Parmës, Tommaso Ghirardi, dhe do të ishte zgjidhja e parë te klubi i tij.
Mesfushori i Juventusit, Mohamed Sissoko, ka kërkuar nga skuadra që ta mbështesë trajnerin Ciro Ferrara, i cili gjendet në një moment të vështirë.
Njoftimet nga Italia pohojnë se ndeshja kundër Napolit, e vlefshme për Kupën e Italisë, është shansi i fundit i Ferraras që të mos e përjetojë shkarkimin nga posti i trajnerit.
“Dëgjova për humbjen (nga Milani) dhe ndjehem keq, sepse më dhemb kur humbim. Ka qenë vërtet një moment i keq për ne”.
“Gjithmonë kam qenë i lumtur me Ferraran, mirëpo e kuptoj se drejtorët e vënë në pikëpyetje trajnerin duke u bazuar te problemet”.
“Kështu funksionon futbolli. Kur ka probleme në futboll dhe skuadra shkon në krizë nuk ka sqarime”, ka thënë Sissoko për La Gazzetta dello Sport, i cili aktualisht gjendet në Kupën e Kombeve të Afrikës me përfaqësuesen e Malit.
Dy gjigantët spanjollë të futbollit, Real Madrid dhe Barcelona, po ndjekin sulmuesin e Manchester Unitedit, Wayne Rooney.
Sipas shifrave të publikuara të hënën, United do të kishte dalë në humbje vitin e kaluar, po të mos e shiste Cristiano Ronaldon te Real Madridi, ndërsa spekulohet se ende ka vështirësi financiare në Old Trafford.
Sipas The Sun, shitja e Rooneyt është mënyra e vetme që Djajtë e Kuq të lehtësojnë problemet e pashmangshme.
Njoftohet se dy rivalët spanjollë janë duke menduar të bëjnë oferta që do të kenë vlerën afër 70 milionë funte (78 milionë euro) për të transferuar 24-vjeçarin në radhët e tyre.
Burime nga kampioni i Evropës, Barcelona, thonë se Arsenali do ta shesë mesfushorin Cesc Fabregas në fund të këtij sezoni.
Sport shkruan se Cesc do të largohet nga klubi anglez në muajin qershor, pavarësisht mohimeve të menaxherit Arsene Wenger.
Thuhet se Cesc ka marrë premtime nga Wenger se atij do t’i lejohet të largohet për 45 milionë euro pasi Arsenali refuzoi ofertën prej 30 milionë euro të Barcelonës të dërguar verën e kaluar.
Pavarësisht interesimit nga Real Madridi, Barcelona shihet si favorite për të marrë shërbimet e kapitenit të topçinjve.
Andrey Arshavin thotë se Arsenali vështirë se mund ta fitojë titullin e Ligës Premier këtë sezon me një numër aq të madh të të lënduarve.
Arsenali është vetëm tre pikë prapa liderit të tabelës, Chelseat, në kampionatin anglez dhe do të përballet me Porton në rundin e parë të fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve që zhvillohet muajin e ardhshëm.
“Ëndërr e imja është të fitoj titull me klubin tim. Kuptohet, do të ishte më mirë nëse do ta fitonim Ligën Premier ose Ligën e Kampionëve”.
“Por për ta bërë këtë kemi nevojë në mrekulli, që do të thotë të fillojmë të luajmë me formacionin më të mirë! Nuk mendoj se kemi luajtur me atë gjatë këtij sezoni”, ka thënë Arshavin.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, është i ngazëllyer nga potenciali i sulmit të tij të ri të përbërë nga Luca Toni dhe Francesco Totti.
Dyshja janë miq të mirë dhe kanë fituar së bashku Kupën Botërore me kombëtaren italiane në vitin 2006.
“Francesco duhet të rikthejë formën fizike së pari. Gjithkush është i ngazëllyer dhe nuk mund të presë të shohë dyshen Totti-Toni. Por për momentin duhet të presim. Kur Totti të rikthehet, do të vendosim si ta luajmë atë me Tonin”, ka thënë Ranieri.
Trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, thotë se ai nuk ka nevojë për përforcime të reja në skuadër gjatë këtij muaji.
Një mbrojtës i majtë dhe një mbrojtës i qendrës janë përmendur si opsione të mundshme përforcimi për Realin gjatë afatit kalimtar dimëror, por Pellegrini thotë se nuk ka nevojë për lojtarë të rinj.
“Nuk kam kërkuar lojtarë. Ekipi është i kompletuar. Kurrë nuk ka qenë synimi im të nënshkruajmë, pavarësisht lëndimit të Pepe. Mendoj se ne mund ta mbajmë çdo lojtar deri në fund të sezonit. Në princip, nuk mendoj se kemi nevojë për përforcime”, ka thënë Pellegrini.
Ish-drejtori sportiv i Juventusit, Luciano Moggi, e ka kritikuar trajnerin e Interit, Jose Mourinho, duke e quajtur një ‘amator’.
“Portugezi është vërtet një person me fat. Si trajner ai është pak më shumë se një amator që pëlqen të grindet, sikur edhe presidenti i Interit. Ai është shumë më i mirë në marrëdhëniet e publikun”, ka thënë Moggi.
“Kampionati italian tashmë i është atribuuar Interit, që është pak më keq se një ekip i një lige mesatare. Taktikët më të mirë italian kanë emigruar, ashtu si edhe lojtarët më të mirë ndërkombëtarë. Për momentin futbolli italian është në rinie të plotë në të gjitha frontet”, ka thënë Moggi.
Mesfushori i Real Madridit, Leite Kaka, thotë se klubi spanjoll do të bëjë gjithçka për të arritur te finalja e Ligës së Kampionëve, e cila zhvillohet në Santiago Bernabeu.
Kaka thotë se gara evropiane është prioritet për klubin mbretërore, dhe qëndron para garës për titullin e kampionatit spanjoll.
“Do të ishte ëndërr të arrijmë në finale në Bernabeu. Do të bëjmë gjithçka për të arritur atje. Më shumë do të doja të fitoj titullin e Ligës së Kampionëve, ky është turneu më i rëndësishëm”, ka thënë Kaka,
Fernando Torres ka thënë se sezoni aspak i këndshëm i Liverpoolit është si rezultat i mungesës së fatit.
Ekipi i Rafa Benitez aktualisht ndodhet në pozitën e shtatë të tabelës së Ligës Premier dhe tashmë është eliminuar edhe nga Liga e Kampionëve e këtij sezoni.
“Për fat të keq ky sezon nuk po shkon ashtu siç ne dëshiruam, por forma jonë më e mirë pritet të vijë. Le të shpresojmë se mund të tregojmë një sërë paraqitjesh të mira së bashku dhe në maj ne mund të bisedojmë se sa i mirë ka qenë ky sezon”.
“Ne ende kemi objektiva për të arritur. Jemi më se të bindur se mund ta rikthejmë pozitën që e meritojmë në tabelë dhe kjo ende është në duart tona. Ne kemi nevojë vetëm për pak fat si ekip, për të qenë në gjendje të fitojmë trofe”, ka thënë Torres.
Joe Johnson ka shënuar 36 pikë për të ndihmuar Atlanta Hawks të shënojë fitoren e dytë brenda katër ditëve ndaj Boston Celtics, kësaj here me rezultat 102-96.
Johnson udhëhoqi rikthimin e ekipit të tij duke shënuar 12 pikë në çerekun e katërt, kur Hawks shkëlqyen për të marrë avantazhin, pas 14 pikësh disavantazhi në çerekun tretë.
Jamal Crawford shënoi 17 pikë për Atlanta, që tash ka 24 fitore dhe 13 humbje, derisa Rajon Rondo shënoi 26 pikë dhe shtatë asistime dhe Paul Pierce shënoi 19 pikë dhe tetë kërcime për Celtics.
Ekipi nga Boston, që humbi për të tretën herë ndaj Atlanta Hawks këtë sezon, tash ka 26 pikë dhe 10 humbje.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Carlos Tevez, është ndarë i ngazëllyer me tregolëshin e tij në fitoren 4-1 ndaj Blackburn Rovers.
“Kemi fituar tre ndeshjet e fundit në ligë dhe jemi duke shkuar në drejtimin e duhur, por duhet ta ruajmë këtë hap”, ka thënë Tevez.
“Unë jam këtu për të shënuar gola dhe dua të shënoj më së shumti këtë sezon. Ka shkuar mirë për mua deri tash, veçanërisht në disa javët e fundit, por ka edhe shumë deri në fund të sezonit”.
“Synimi jonë është të jemi në top katërsh dhe dua të jem pjesë e kësaj, e di se duhet të vazhdoj të shënoj për të ndihmuar Cityn të arrijë atje ku ne duam të jemi”, ka shtuar argjentinasi.
Ylli i Bayern Munich, Franck Ribery, thotë se ai është duke menduar një transferim te Chelsea, ashtu siç edhe nuk e përjashton një kalim te Real Madridi
Reali tashmë ka dhënë shenja se është i interesuar në anësorin francez, derisa edhe Chelsea thuhet se është i gatshëm të harxhojë për të. Dhe Ribery thotë se destinacioni i tij i ardhshëm do të dihet pas disa muajsh, para fillimit të Kupës Botërore.
“Ka shumë fjalë për Real Madrid dhe Chelsea. Është e vërtetë, ata janë dy klube të mëdha. Por nuk mendoj se kjo do të jetë një serial i gjatë televiziv. Do të jetë shpejtë. Do ta dimë para fundit të sezonit. Brenda dy, dy muaj e gjysmë. Do të doja ta di para Kupës Botërore”, ka thënë Ribery.
Liverpooli ka konfirmuar se ka marrë 2 milionë euro nga shitja e Andriy Voronin te Dinamo e Moskës.
“Klubi Futbollistik Liverpool konfirmon shitjen e sulmuesit ukrainas Andriy Voronin te Dinamo Moska për një shumë prej 2 milionë euro”.
“30-vjeçari ka nënshkruar marrëveshje të përhershme me ekipin rus pasi shënoi gjashtë gola në 40 paraqitje me fanellën e kuqe”, thuhet në deklaratën e klubit anglez.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, beson se ai mund të rikthehet në fushë gjatë këtij vikendi.
“Dëmtimi duket tashmë i shëruar. Nuk ka hapësirë për nguti dhe udhëtimi te Bolton është një cak i arsyeshëm për mua. Bora ndoshta ka trazuar futbollin, por kjo nuk ka ndikuar në rehabilitimin tim”.
“Vrapoja nëpër borë me fizio-terapeutin dhe do të doja dikush të ishte aty për të marrë ndonjë foto. Gjithçka ishte bardh, ishte një skenë e pabesueshme, vetëm ne dy në mes. Ishte një përvojë e këndshme, por po ashtu një punë e pandalshme, andaj shpresoj se do të na paguhet”, ka thënë Cesc.
Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, ka pranuar se është i zhgënjyer pasi vazhdimisht gjendet në bankën rezervë të Los Blancos, megjithatë ai i ka siguruar tifozët se është i lumtur te klubi mbretëror dhe e konsideron këtë rol si një përvojë të re.
Kohëve të fundit francezi është zgjedhja e dytë pas argjentinasit Gonzalo Higuain, i cili po kalon formë më të mirë te Los Merengues.
“Po, mund të thuhet se jam i zhgënjyer, sepse jam. Por është pjesë e punës. Gjërat janë mirë, jam te një klub i madh dhe po mësoj”, është cituar 22-vjeçari nga L'Equipe.
Lojtari i që i kushtoi Realit 35 milionë euro, thotë se do të japë gjithçka nga vetja “për të bindur stafin e trajnerëve dhe për të siguruar besimin e tyre” për të zënë një vend në formacionin bazë.
Pas fitores prej 5-0 kundër Tenerifes, mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, thotë se motivimi i skuadrës vjen nga dëshira për të fituar tituj dhe jo për të heshtur kritikat ndaj tyre.
Blaugranët shënuan këtë fitore, pas një barazimi (kundër Villarrealit në La Liga) dhe një humbjeje (kundër Sevillas në Copa del Rey) në Camp Nou, ndërsa lojtarët menjëherë u vunë në shënjestër të mediave.
“Ne vazhdojmë të mendojmë që të bëhemi më të mirë, ashtu që tifozët të jenë krenarë me ne. Ne nuk luajtëm për ‘të mbyllur gojët’. Ne nuk mendojmë aspak për këtë”, është cituar Iniesta nga Marca.
S ipas mediave gjermane, Milani vazhdon të kërkojë shërbimet e sulmuesit të Wolfsburgut, Edin Dzeko.
Edhe pse kampioni i Gjermanisë mohon të jetë në bisedime me Rossonerët, gazeta Wolfsburger Allgemeine Zeitung njofton se kuqezinjtë kanë bërë një ofertë të ‘freskët’ për shërbimet e boshnjakut
Sipas spekulimeve më të reja, Milani është i gatshëm të ofrojë dy mbrojtësit, Marek Jankulovski dhe Kakha Kaladze dhe para, për të bindur klubin gjerman që të lëshojë yllin e vet.
Manchester City ka shënuar fitore prej 4-1 në ndeshjen e zhvilluar të hënën mbrëma kundër Blackburn Rovers, për t’u ngjitur në pozitën e katërt në tabelë.
Njeriu i ndeshjes së zhvilluar në Stadiumin e Qytetit në Mançester, ishte argjentinasi Carlos Tevez, i cili shënoi het-trik në këtë përballje.
Tevez hapi serinë e golave në minutën e 7-të, ndërsa Micah Richards vendosi rezultatin përfudnimtar të pjesës së parë (39’).
Me të filluar pjesa e dytë (49’), ‘Carlito’ ngriti epërsinë e vendasve në 3-0, derisa golin e nderit për mysafirët e shënoi Morten-Gamst Pedersen (71’).
Në minutat shtesë të ndeshjes (90’+1), Tevez kompletoi het-trikun e tij për t’i dhënë një fitore bindëse ‘pasanikëve’.
Mesfushori i Real Madridit Xabi Alonso, i cili la Anfield Road për Santiago Bernabeu për një shumë prej rreth 40 milion funtash, tani ka shtruar dorën e tij të mirësisë për ish trajnerin e tij në krizë të thellë tani, Rafa Benitez.
“Nuk ka nevojë të vihet në pikëpyetje Benitez pasi që ai është menaxher i shkëlqyer.”
“Ai ndoshta nuk e ka suksesin si të tjerët, por nuk mund t’ia mohoni sukseset.”
“Ai dëshiron të mban distancë, ai është menaxheri ti je lojtari, dhe kjo është mënyra e tij e preferuar. Duhet ta pranosh patjetër.”
“Unë do ta respektoj sa jam gjallë Rafa Benitezin.”
“Ai është njeriu që më pjeku si njeri dhe si lojtarë, pasi që erdha i ri në Liverpool.”
“Largimi nga Liverpooli ishte vendimi më i vështirë i jetës time por pas asaj që ndodhi me Gareth Barryn unë është dashur patjetër të marrë masa.” Deklaroi Alonso.