Martin Demichelis dhe Thomas Mueller festojnë golin e parë. Bayern Munihu ka shënuar fitore prej 2-0 kundër Hoffenheimit, në kuadër të javës së 18-të në Bundesliga.
Martin Demichelis shënoi golin e parë (35’), ndërsa Miroslav Klose dyfishoi epërsinë (86’) dhe vendosi rezultatin përfundimtar të takimit.
Pas fitores së arritur në Allianz Arena, bavarezët marrin kreun e tabelës me një pikë më shumë se Bayer Leverkusen që të shtunën zhvillon ndeshjen e javës së 18-të kundër Mainzit.
Didier Drogba trefishoi epërsinë. Bregu i Fildishtë është përfaqësuesja e parë që ka siguruar çerekfinalen e Kupës së Kombeve të Afrikës, pas fitores prej 3-1 që shënoi kundër Ganës.
Elefantët kaluan në epërsi me anë të Gervinhos (23’), i cili vendosi rezultatin përfundimtar të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë (66’), Siaka Tiene dyfishoi epërsinë me një gol të shënuar nga gjuajtja e lirë.
Në minutat shtesë, Didier Drogba trefishoi epërsinë, ndërkohë që Asamoah Gyan shënoi golin e nderit për Ganën.
Duke qenë se Grupi B përbëhet vetëm nga tri përfaqësuese (pas mospjesëmarrjes së Togos), me këtë fitore Bregu i Fildishtë siguron kualifikimin.
Ndërkohë, Gana dhe Burkina Faso që kanë nga një pikë, do të kenë përballje të drejtpërdrejtë për një vend në çerekfinale.
Sevilla porsa eliminoi Barcelonën nga Kupa e Mbretit, ndërsa të shtunën sërish do të ketë përballë Blaugranët në Camp Nou, në kuadër të javës së 18-të në La Liga.
“Barca është skuadra më e mirë në botë. Nuk është asnjëherë lehtë të luash kundër tyre, por ne kemi vetëbesim dhe ambicie për të përsëritur atë që bëmë (në Kupën e Mbretit)”.
“Do të luajmë me zemër dhe do të mundohemi të nxjerrim një rezultat trepikësh”, citohet trajneri i andaluzianëve Manolo Jimenez nga AS.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, thotë se paratë e shpenzuara nga klubi për blerjen e Robinhos, nuk ia sigurojnë brazilianit vendin në formacionin bazë të skuadrës.
“Nuk ka rëndësi se sa kushton një lojtar... E rëndësishmja është se pas transferimit lojtari të punojë shumë dhe të luajë mirë”.
“Para ndeshjes kundër Middlesbrough, Robinho pati problem me një muskul dhe nuk mundi të stërvitej dy ose tri ditë”.
“Por ekziston mundësia që ai të luajë të shtunën (kundër Evertonit), edhe pse ndihem keq për lojtarët e sulmit, pasi që kam pesë ose gjashtë (sulmues) të mirë dhe më duhet të vendos se kush do të qëndrojë në bankën rezervë”, ka thënë ish-trajneri Interit.
Interi dhe Roma kanë arritur marrëveshje për transferimin e sulmuesit brazilian Julio Baptista te zikaltrit.
Sipas romanews.eu, agjenti i lojtarit Alessandro Luci, së bashku me presidenten e Romës, Rosella Sensi, dhe drejtorin sportiv Daniele Prado, kanë arritur në Milano dhe së shpejti pritet të jepet konfirmimi zyrtar i nënshkrimit të marrëveshjes.
Supozohet se ky transferim do t’i mundësojë Romës që ta përvetësojë plotësisht të huazuarin nga Interi, Nicolas Burdisso, dhe njëherit Nerazzurët do të paguajnë një shumë parash për brazilianin.
Tenistja e pestë në ranglistën botërore, rusja Elena Dementieva, ka shënuar fitore bindëse prej 2-0 në sete (6-3, 6-2), përballë tenistes numër një në botë, Serena Williams, në finalen e Sydney International.
Humbja e të premtes nga Serena vjen vetëm tri ditë para fillimit të Australian Open, ku amerikania do të tentojë ta mbrojë titullin.
“Mendoj se ajo luajti mirë. Unë bëra afër një mijë e dy gabime të padetyrueshme... Mendoj se është më mirë tash se më vonë”, tha Williams pas përballjes, me shpresë së do të luajë më mirë në Australian Open.
Felipe Massa beson se nuk do të ketë vështirësi të bashkëpunojë me partnerin e ri te Ferrari, Fernando Alonso, përkundër mosmarrëveshjeve të të kaluarës.
Dy pilotët kanë pasur disa incidente në pistë në vitin 2007 dhe në vitin 2008, mirëpo braziliani mendon se këto probleme i takojnë të së kaluarës dhe nuk do të ndikojnë gjatë sezonit të ri.
“Nuk kam asnjë problem me të. Mund të bëj punë të mirë me të. Shpresoj të bëjmë punë të mirë së bashku...”, citohet Massa nga BBC Sport.
David Trezeguet Agjenti i David Trezeguet, Antonio Caliendo, thotë se klienti i tij planifikon ta mbyllë karrierën te Juventus, përkundër spekulimeve të cilat e lidhin me një largim të mundshëm nga Zonja e Vjetër.
“Mendoj se David do të qëndrojë te Juventus. Madje edhe bashkëlojtarët e tij kanë thënë se ai ka qenë lider, edhe i ‘Juventusit të vjetër’ edhe atij ‘të ri’”, tha agjenti i tij.
Trezegol ka qenë shpesh pjesë e spekulimeve për t’u larguar nga Bianconerët, ndërsa së fundmi është thënë se gjiganti turk Galatasaray interesohet për shërbimet e tij.
Aktualisht francezi është duke u rikuperuar nga lëndimi i nyjës, dhe njoftohet se gjithçka shkon sipas planit, dhe së shpejti ai do të kthehet në fushë.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, u ka dhënë fund spekulimeve në lidhje me transferimet e Rossonerëve, duke thënë se as nuk do të vijnë, e as nuk do të largohen lojtarë nga skuadra kuqezi.
“Tashmë e kam shpjeguar se ‘tregu’ për ne është i mbyllur. Klass-Jan Huntelaar nuk është në shitje”.
“Christian Abbiati është në gjendje të mirë dhe kjo është arsyeja që e huazuam Storarin”, është shprehur Galliani para gazetarëve.
Shefi ekzekutiv i Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummenigge, thotë se do të bëjë krejt çka është e mundur që ta mbajë yllin francez Franck Ribery në skuadër.
Anësori francez kërkohet thuajse nga të gjitha skuadrat e mëdha, duke përmendur Real Madridin, Chelsean, Barcelonën, Interin, Juventusin dhe Manchester Unitedin, dhe bavarezët do ta kenë të vështirë që ta mbajnë në skuadër.
“Qëllimi ynë është që të vazhdojmë me Franck Riberyn. Do të bëj krejt çka është e mundur që ta mbajmë. Mirëpo, nuk mund të parashikoj nëse do të kemi sukses në këtë drejtim”, ka thënë Rummenigge.
Juventusi ka rikthyer mesfushorin Yago Falque nga Bari, ku ka qenë i huazuar.
Problemet në mesfushë e kanë detyruar trajnerin Ciro Ferrara që ta ktheje spanjollin në skuadër.
Mungesa e Mohammed Sissokos, lëndimet e Mauro Camoranesit dhe Christian Poulsen, huazimi i Tiagos te Atletico Madridi, ia kanë kufizuar opsionet në mesfushë skuadrës bardhezi.
“Yago kthehet te Juventus. Mesfushori, që u transferuar vitin e kaluar nga Barcelona, është kthyer”, shkruan në faqen zyrtare të Juves, derisa Sky Sport Italia njofton se edhe Michele Paolucci do të kthehet te Zonja e Vjetër.
Ish-trajneri i Real Madridit, Bernd Schuster, e ka këshilluar simbolin e Mbretërve, Raul, që të largohet nga Santiago Bernabeu.
Edhe pse Raul dëshiron që t’i japë fund karrierës me Realin, trajneri gjerman mendon se legjenda e Los Blancos duhet të transferohet në një skuadër tjetër dhe ta mbyllë karrierën duke shijuar futbollin, e jo duke qëndruar në bankën rezervë.
“Mendoj se ai do të luante përsosmërish mirë në një skuadër tjetër, të shijojë minutazhin dhe ta përfundojë karrierën”.
“Kjo është mënyra si Raul mund ta rikthejë formën që njerëzit duan ta shohin, mirëpo kjo është diçka që vështirë pranohet nga cilido lojtar”, ka thënë Schuster.
Sportivja italiane Tuttosport shkruan se Rafa Benitez mund të jetë trajneri i ardhshëm i Juventusit.
Tashmë është e qartë se Ciro Ferrara nuk do të jetë një kohë të gjatë në stolin e Juventusit dhe disa mendojnë se ai nuk do të mund as ta përfundojë këtë sezon.
Deri para disa ditëve Guus Hiddink përmendej si kandidati më serioz për pozitën e trajnerit të Juventusit. Por që kur ai doli me deklaratë se dëshiron të rikthehet në Ligën Premier, mediat filluan ta lidhin atë me postin e trajnerit të Liverpoolit.
Edhe situata e Rafa Benietz nuk është aspak më e kënaqshme se ajo e Ferrara, me Liverpoolin që së fundi u eliminua edhe nga Kupa FA. Tuttosport shkruan se pikërisht Benitez mund të jetë trajneri i ri i Juventusit, nëse ai shkarkohet nga klubi anglez.
Sampdoria ka pohuar se portieri i Milanit, Marco Storari, do t’i bashkohet këtij ekipi si huazim gjashtëmujor deri në fund të sezonit.
Portieri 33-vjeçar e filloi sezonin si zgjidhja e parë e trajnerit të ri të Milanit, Leonardo, por pas lëndimit të tij në tetor e humbi pozitën ndaj të rikthyerit Dida.
“Ekipi i Sampdorias dëshiron të bëjë të ditur se portieri i Milanit, Marco Storari, do të transferohet në klub si huazim deri në fund të sezonit. Portieri do ta mbajë numrin 30 dhe pasditen e sotme do t’u bashkohet bashkë-lojtarëve të ri”, thuhet në deklaratën e klubit italian.
Mesfushori i Real Madridit, Guti, ka pranuar se ai dëshiron ta sprovojë veten në një kampionat tjetër dhe thotë se Interi është një opsion interesant.
Guti është duke kaluar një sezon jo aq të këndshëm për të në Real Madrid, dhe mungoi në fushë më shumë se dy muaj pas fjalosjeve me trajnerin Manuel Pellegrini.
“Dua ta mbylli kontratën time me Real Madridin, por po ashtu do të doja të luaj për ndonjë ekip tjetër. Dua të jetoj një kulturë tjetër, të përjetoj një klub tjetër, me edhe bashkëlojtarë të tjerë në një kampionat tjetër”, ka thënë spanjolli.
“Do të shkoja në Inter me krahë të hapura. Ai është një klub i madh. Kam miq shumë të mirë atje, siç janë Samuel Eto’o dhe Wesley Sneijder. Inter është një ekip i cili mund të luftojë për të gjithë titujt”, ka thënë Guti.
Kampioni i Ligës Premier, Manchester United, është i gatshëm të ofrojë 18 milionë funte për mbrojtësin e Portos, Rolando.
Djajtë e Kuq kanë pasur probleme në mbrojtje këtë sezon, me lëndime shumë të shpeshta të lojtarëve të këtij repart.
Mbrojtësi i Portos, Rolando, është një prej lojtarëve më me perspektivë në botën e futbollit, por klubi portugez nuk do të dorëzohet lehtë nga ai.
Ferguson është i gatshëm të paguajë 18 milionë funte, por Porto e vlerëson lojtarin e tyre me dhjetëra miliona më shumë se sa oferta e United.
Trajneri i kombëtares ruse, Guus Hiddink, thuhet se mund të jetë personi i cili do të zëvendësojë Rafa Benitez nëse ai shkarkohet nga detyra e trajnerit të Liverpoolit.
Daily Mail shkruan se Hiddink dëshiron të pasojë Rafa Benitez në stolin e menaxherit të Liverpoolit, por së pari do të kërkojë aprovimin e pronarit të Chelseat, Roman Abramovich.
Hiddink, 63-vjeçar, është ende në dilemë rreth të ardhmes së tij, por burime të afërta me të thonë se ai është duke shikuar mundësinë për të kaluar në Anfield.
“Duhet të flas me presidentin e federatës para se të marr ndonjë vendim për të ardhmen time, por është e vërtetë se do të doja të jem trajner në Angli përsëri. Mbi të gjitha, për shkak të përkrahjes të cilën e kam pasur nga Roman Abramovich, i detyrohem atij të diskutoj gjithçka me ta së pari”, ka thënë Hiddink.
Luol Deng ka shënuar 25 pikë për të udhëhequr Chicago Bulls drejt fitores 96-83 ndaj Boston Celtics, e para këtë sezon ndaj këtij rivali.
Të pesë lojtarët e Bulls që filluan ndeshjen arritën pikë dyshifrore, për të ndihmuar ekipin të shënojë fitoren e tretë radhazi dhe për të çuar në 17 numrin e përgjithshëm të fitoreve këtë sezon (20 humbje).
Celtics, të cilët luajtën ndeshjen e katërt brenda pesë netësh, ishin pa yllin Kevin Garnett, dhe u udhëhoqën nga Paul Pierce me 20 pikë. Boston tash kanë 27 fitore dhe 11 humbje.
Mesfushori italian Gennaro Gattuso thotë po kalon momente të mira dhe se në kampin e Milanit ka një ngritje të vetëbesimit pas rezultateve të fundit.
“Jam i kënaqur me këtë që jetoj tash. Problemet kanë kaluar dhe përfundimisht jam duke u stërvitur me vazhdimësi. Madje kam arritur të luaj dy ndeshje brenda katër ditësh”, thotë Gattuso.
“Jam i lumtur për momentin pozitiv që ekipi po kalon, për pozitën tonë në tabelë dhe për entuziazmin që grupi po frymon. Shpresoj në të ardhmen të shoh më shumë fansa në stadiume duke na mbështetur”.
“Mentaliteti jonë po ndryshon. Kur ne dalim në fushë, kemi më shumë vetëbesim dhe e shihni sigurinë në vetë lojtarët. Kemi më pak frikë”, ka shtuar italiani.
Jahmir Hyka Mesfushori shqiptar Jahmir Hyka, i cili aktivizohet në kampionatin gjerman te Mainz, ka tërhequr vëmendjen e ekipeve nga Serie A.
Fiorentina dhe Palermo janë në kërkim të shqiptarit, i cili ishte afër kalimit në kampionatin italian edhe gjatë verës së kaluar.
Mediat italiane shkruajnë se Hyka javën e ardhshme mund të kalojë si huazim te ndonjëri prej dy ekipeve të përmendura, me mundësi kontrate të përhershme në fund të sezonit në Serie A.
Reali i Madridit raportohet se ka filluar bisedat me Deportivo La Coruna për mbrojtësin Luis Filipe.
Sportivja spanjolle AS shkruan se Reali dëshiron të arrijë një marrëveshje me qëllim që të nënshkruajë me mbrojtësin e majtë brazilian për sezonin e ardhshëm.
Klauzula blerëse e Filipe është 20 milionë euro, derisa Reali do të preferonte të paguajë një shumë afër 16 milionë euro.
Sulmuesi shtatlartë Peter Crouch thotë se muaji janar mund të ndërtojë ose shkatërrojë sezonin e Tottenhamit.
Spurs kanë pesë takime brenda 14 ditësh, përfshirë takimin derbi kundër rivalit për pozitën e katërt, Liverpoolit.
“Është një varg i rëndësishëm i ndeshjeve. Nuk ka ndeshje të lehta, por ka ndeshje në shtëpi nga të cilat mund të nxjerrim maksimumin e pikëve dhe vërtetë ta ngremë veten në ligë”.
“Manchester City fitoi bindshëm (4-1 kundër Blackburn) dhe duken shumë të fuqishëm tash, Liverpooli gjithmonë do të jetë aty, po ashtu edhe Villa, andaj duhet të bëjmë presion në këta ekipe. Nëse vazhdojmë të fitojmë, do të jemi në pozitën e duhur në fund të sezonit”, ka thënë Crouch.
Ylli i Liverpoolit, Fernando Torres, thotë se të kuqtë duhet të bëjnë gjithçka për të fituar Ligën e Evropës këtë sezon.
Pas eliminimit nga Kupa FA gjatë kësaj jave, është vetëm Europa League e cila i jep shans Liverpoolit të fitojë trofe këtë sezon.
“Nuk deshëm ta fitojmë Ligën e Evropës në fillim të sezonit. Tash duhet ta fitojmë atë”, ka thënë Torres.
Gëzimi i madrilenëve. Atletico Madridi ka arritur ta përmbysë disavantazhin prej 3-0 nga ndeshja e parë, kundër Recreativo Huelvas, për të vazhduar garën në Copa del Rey.
Kryeqytetasit fituan me rezultat 5-1, në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në Vicente Calderon, për të siguruar një vend në çerekfinale të Kupës së Mbretit.
Pjesa e parë e takimit përfundoi me epërsi prej 3-0 në favor të vendasve, të cilët shënuan me anë të Simao (21’), Aguero (24’) dhe Tomas Ujfalushi (39’).
Në pjesën e dytë ishin sërish madrilenët ata që shënuan të parët duke ngritur epërsinë në 4-0 me autogolin e Magnus Troest (62’).
Mirëpo, goli i shënuar nga Carmona (71’), ua vështirësoi punët kryeqytetasve, duke qenë se menjëherë pas (73’) mbetën me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit të Paulo Assuncaos me kartonin e dytë të verdhë.
Megjithatë me një gjuajtje të lirë spektakolare, Sabrosa Simao (83’) dërgoi Atleticon në raundin tjetër të Copa del Rey.
Vizën për çerekfinale e ka siguruar edhe Mallorca që ka fituar me rezultat të përgjithshëm 4-3 (1-2 dhe 3-1) kundër Rayo Vallecanos.
Festa e lojtarëve të Lazios. Lazio dhe Udinese kanë shënuar fitore me rezultat identik, prej 2-0, kundër Palermos, respektivisht, Lumezzanes, për t’u kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Italisë.
Me golat e shënuar nga Aleksandar Kolarov (57’) dhe Sergio Floccari (74’), Biancocelestët dolën fitues përballë sicilianëve, në ndeshjen e zhvilluar në Stadio Olimpico të Romës.
Ndërkohë, heronj të Udines ishin Francesco Lodi nga pika e bardhë (45’) dhe Bernardo Corradi (61’).
Në çerekfinale, Lazio do ta ketë përballë Fiorentinan, ndërsa Udinese do të ndeshet kundër Milanit.
Lojtarët e Angolas i gëzohen golit të dytë. Pas barazimit kundër Malit, Angola ka shënuar fitore përballë Malauit, në xhiron e dytë të Grupit A, të vlefshme për Kupën e Kombeve të Afrikës.
Me dy gola të shpejtë të realizuar në fillim të pjesës së dytë, nga Flavio (48’) dhe Manucho (54’), Angola regjistroi fitoren e parë në këtë kompeticion.
Pas kësaj fitoreje, Angola i prin Grupit A me katër pikë, ndërsa pas saj gjenden Malaui dhe Algjeria me nga tri pikë.