Dy golashënuesit e United, Rooney dhe Scholes. Djajtë e Kuq kanë arritur të kthehen nga disavantazhi për ta mposhtur Milanin para tifozëve të vet.
Takimi i parë i 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve, i zhvilluar të martën mbrëma në San Siro, ndërmjet Milanit dhe Manchester Unitedit, ka përfunduar me fitoren e mysafirëve me rezultat 3-2.
Vendasit krijuan avantazh të hershëm (3’), kur pas një krosimi të ulët të David Beckham, Ronaldinho me ndihmën e Michael Carrick mposhti portierin Van der Sar.
Në fraksionin e parë të lojës, kuqezinjtë ishin skuadër dukshëm më e mirë se kundërshtari i tyre anglez, mirëpo vendasit nuk i konkretizuan rastet e tyre të shumta.
Kështu që, kjo iu hakmor. Në minutën e 36-të, mesfushori veteran Paul Scholes barazoi rezultatin me një gol të shënuar paksa me fat, dhe me rezultat 1-1 përfundoi pjesa e parë.
Në pjesën e dytë gjërat ndryshuan dhe United dalëngadalë ktheu ndeshjen në favor të vet.
Në skenë doli sulmuesi në top-formë, Wayne Rooney, i cili shënoi dy herë në portën e Nelson Didas, pas krosimeve të Valencias (66’) dhe Fletcherit (85’), për t’ia vështirësuar punët skuadrës vendase.
I inkuadruari në pjesën e dytë, Clarence Seedorf, arriti ta ngushtojë epërsinë në 2-3 (85’), por kjo ishte krejt çka arritën të bëjnë Rossonerët në pjesën e dytë.
Ky rezultat e favorizon Manchester Unitedin, kur dihet se ndeshja e kthimit do të zhvillohet në Old Trafford.
Festa e vendasve Lyoni dhe Real Madridi janë takuar të martën mbrëma në Stade Gerland për të zhvilluar përballjen e parë të të tetës së finales së Ligës së Kampionëve, e cila përfundoi me fitoren e skuadrës franceze me rezultat minimal prej 1-0.
Në fraksionin e parë, Reali pati më tepër nga loja, ndërsa Lyoni pati rastet më të mira, por as njëra e as skuadra tjetër nuk arritën të tundin rrjetat.
Me të filluar pjesa e dytë (47’), Jean Makoun shënoi një supergol nga 23 metra për ta befasuar portierin Iker Casillas.
Ky rezultoi të ishte goli i fitores për Lyonin, duke qenë se Mbretërit nuk arritën të ndryshojnë asgjë deri në fund të takimit.
Rezultati 1-0 nuk e favorizon Lyonin, por mospranimi i golit në terren vendas është një element shumë i mirë për të shkuar në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet në Santiago Bernabeu.
Disa orë para ndeshjes së parë çerekfinale kundër Lyonit, superylli i Real Madridit, Ricardo Kaka, ka treguar rëndësinë e trofeut të Ligës së Kampionëve.
“Vetëm talenti nuk mjafton për ta fituar Ligën e Kampionëve. Duhen bërë edhe shumë gjëra dhe duhet t’u kushtohet rëndësi shumë detajeve”.
“Kjo është gara më e madhe që kemi në nivel klubesh, prandaj për lojtarët është arritja më e madhe”.
“Unë kam humbur një finale të jashtëzakonshme dhe e kam fituar një tjetër kundër të njëjtit ekip (Liverpoolit)”.
“Sivjet duhet të jemi shumë të kujdesshëm te detajet e lojës sonë”, citohet braziliani nga Marca.
Rooney (majtas) dhe Drogba (djathtas) Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, nuk i pengon pse e krahasojnë me sulmuesin e Manchester Unitedit, Wayne Rooney, megjithatë lojtari nga Bregu i Fildishtë thotë se është i ndryshëm nga anglezi.
Këtë sezon, të dy sulmuesit janë në formë të shkëlqyer dhe njëherit janë në garë për golashënuesin më të mirë, kurse skuadrat e tyre po luftojnë për titullin e Ligës Premier, ndërsa shpesh është shtruar çështja se cili është futbollist më i mirë.
“Nuk më pengon ajo që njerëzit na krahasojnë të dyve. Nuk besoj se ekziston lojtari më i mirë”.
“Ndoshta mund të jesh më i mirë në një kohë të caktuar, por herën tjetër do të jetë dikush tjetër. Rooney është i jashtëzakonshëm, por ne jemi futbollistë të ndryshëm”, ka deklaruar Drogba.
Trajneri i Juventusit, Alberto Zaccheroni, beson se Bianconerët do ta sigurojnë pozitën e katërt në tabelë.
Aktualisht Zonja e Vjetër pozicionohet në vendin e gjashtë, por ka vetëm një pikë më pak se vendi i katërt (Sampdoria) që çon në Ligën e Kampionëve.
Në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, trajneri ka thënë se drejtuesit e Juventusit kur e angazhuan në punë ia bënë të qartë se duhet të sigurojë një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve.
“Ata shfaqën besimin tek unë me një objektiv, i cili duhet të realizohet, dhe unë duhet ta siguroj skuadrën që të luajë në Ligën e Kampionëve. Nuk ka rëndësi nëse do të zëmë vendin e tretë apo të katërt”, ka thënë Zaccheroni.
Trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se çdo vit trofeu i Ligës së Kampionëve po bëhet gjithnjë e më vështirë i arritshëm, sepse skuadrat po bëhen shumë më konkurruese.
Ancelotti e ka fituar dy herë këtë trofe në të kaluarën me Milanin (2003 dhe 2007), mirëpo tani thotë se Liga e Kampionëve është një garë shumë më e vështirë.
“Jemi në një fazë të Ligës së Kampionëve, e cila shton maksimalisht adrenalinën. Më përpara, Liga e Kampionëve është fituar më lehtë, por tash ka më shumë konkurrencë”, ka thënë trajneri për La Stampa.
Alessandro Del Piero shpreson të vazhdojë të thyejë rekorde me fanellën e Juventusit, pasi kaloi Gianpiero Bonipertin me numrin e paraqitjeve në Serie A.
Në ndeshjen kundër Genoas, ku shkëlqeu, kapiteni bardhezi regjistroi paraqitjen e 445-të në Serie A për Bianconerët, duke kaluar rekordin e mbajtur nga Boniperti me 444 paraqitje.
“Është një tjetër rekord, por unë ende nuk po ngopem. Mendoj se kurrë nuk do të ngopem së thyeri rekorde të këtilla, sepse nuk është çështje e festimit të një momenti historik, por është një motivim më shumë për të vazhduar në thyerjen e rekordeve”, ka thënë ikona e Juves për faqen zyrtare të tij.
Marcello Lippi është i bindur se Italia do të shkojë shumë lartë në Kampionatin e ardhshëm Botëror, ndërsa thotë se të zgjedhurit e tij do të bëjnë gjithçka për t’u shpallur sërish kampionë të botës.
“Para çdo gare njerëzit thonë se Brazili është favorit dhe nëse nuk fiton (Brazili), pastaj thonë Spanja. Pas tyre është një grup i dytë favoritësh, si Italia, Franca, Gjermani dhe Argjentina, që gjithmonë luajnë mirë”.
“Por ne kemi vullnet të madh për të provuar sërish dhe në do të shfrytëzojmë të gjitha forcat, pastaj nuk i dihet (ndoshta do të fitojmë)”, ka thënë Lippi për Radio Rai 1.
Ish-lojtari i Real Madridit, Zinedine Zidane, shpreson se klubi mbretëror do ta fitojë titullin e 10-të në garën e klubeve evropiane këtë vit në Bernabeu.
“Mendoj se Reali kohëve të fundit luan vërtet mirë. Barcelona humbi të dielën andaj Real Madridi është vetëm një hap larg liderit. Është e nevojshme që Reali të vazhdojë me të njëjtin stil”, ka thënë Zindane.
“Në Evropë? Do jetë vështirë pasi ka shumë ekipe të mira. Por le të presim dhe të shohim çfarë do të ndodhë. Gjithmonë kur ekipi luan, tregon paraqitje më të mira se herëve të kaluara. Shpresoj se do të arrijmë në finale dhe do ta fitojmë titullin e 10-të në Ligën e Kampionëve në Bernabeu”, ka shtuar francezi.
Jose Mourinho thotë se ish-klubi i tij Chelsea kishte rënë në formë të dobët pasi ai u largua nga Stamford Bridge dhe shton se blutë do të fitonin më shumë nëse Roman Abramovich nuk do ta shkarkonte.
Blutë fituan vetëm një trofe të Kupës FA në dy vitet e fundit, pasi Jose Mourinho u largua nga ekipi anglez.
“Chelsea duhej të më mbante mua nëse dëshironte të fitonte më shumë tituj. Chelsea shumë është munduar në dy vitet e fundit dhe nuk është rastësi që ata pësuan rënie pasi unë u largova”, ka thënë Mourinho.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, thotë se ai do të luajë kundër Milanit me ndjenjën e dhimbjes nga finalja e vitit të kaluar, kur Djajtë e Kuq u mposhtën nga Barcelona, dhe ka kujtuar edhe finalen kur ka mposhtur Chelesan.
Wayne Rooney thotë se ka qenë e habitshme të humbë në finale nga Barcelona, por dëshiron përsëri të luajë në takimin e fundit të Ligës së Kampionëve dhe t’i gëzohet trofeut të madh.
“Ishte një mbrëmje e çuditshme. Ishte mund të arrihet deri atje, por pastaj ishte një ndjenjë e çuditshme të humbim nga Barcelona. Kujtimet nga ajo mbrëmje edhe më shumë më motivojnë të plasohemi përsëri në finale”, ka thënë Rooney.
“Në fakt ajo që më së shumti më motivon është finalja para saj, në të cilën fituam në Moskë. Ndjenja pas asaj ndeshje ishte e veçantë, mbase momenti më i mirë në karrierën time dhe dua ta përjetoj atë ndjenjë përsëri. Por Barcelona na shkaktoi dhimbje të gjithëve”, ka shtuar anglezi.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se Barcelona mbetet ekipi më i fuqishëm në Evropë.
United sonte do të dalë në San Siro përballë Milanit në kuadër të Ligës së Kampionëve, por Ferguson, mbase i bindur për sukses në këtë rund, ka hedhur sytë kah rivali më i ashpër i kësaj gare, Barcelona.
“Milani kishte dominuar me lojtarë si Paolo Maldini dhe Franco Baresi, pastaj në fillim të dekadës, Valencia, Real dhe Barca ishin të gjitha në gjysmëfinalet. Në vitet e fundit janë ekipet angleze ata që ia dalin mirë dhe arrijnë shumë në gjysmëfinale dhe finale”
“Por duhet të keni kujdes me Barcelonën. Ata kanë përvojë të fitores nga viti i kaluar dhe ata janë në maje të ligës së tyre. Nuk mund të eliminoni një ekip me të gjithë ato kualitete”, ka thënë Ferguson.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, thotë se ylli i Manchester United, Wayne Rooney, është shumë i ri për të qenë kapiten i kombëtares së Anglisë.
Lampard beson se Rio Ferdinand meriton shansin për të qenë lider i Tre Luanëve.
“John dhe Rio janë që të dy personalitete të mëdha. Kapiteni i Anglisë duhet të jetë dikush me zë në skuadër dhe Ferdinand ka qenë gjithmonë një djalosh i popullarizuar në dhomën e veshjeve dhe ai e ka të lehtë ta bëjë atë”, ka thënë Lampard.
“Kundërthëniet rreth ndryshimit dhe gjithçka është e pavend, por tash që kjo ka ndryshuar, Rio e meriton dhe do të jetë një zbulim i shkëlqyer”.“Wayne është lojtari jonë më i mirë, veçanërisht në këtë moment, dhe ai është një prej atyre që mund t’i ndryshojnë gjërat për ne. Ta ngarkosh atë me pozitën e kapitenit në këtë moshë mund të jetë një prej vendimeve të menaxherit, por mendoj se është më mirë të mos caktohet ai”, ka shtuar mesfushori anglez.
Kaka, Benzema dhe Ronaldo Trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, ka thënë se skuadra e tij është e gatshme për ndeshjen e të martës kundër Lyonit, edhe pse në pesë vitet e fundit është eliminuar në këtë fazë të Ligës së Kampionëve.
“Skuadra është optimiste. Kemi vetëbesim më shumë në mundësinë e kualifikimit, sesa frikë nga eliminimi sikurse në vitet e fundit”, është shprehur trajneri kilian në një konferencë për shtyp.
Pelegrini ka thënë se Karim Benzema është rikuperuar nga lëndimi dhe është në gjendje të përballet ndaj ish-skuadrës së tij.
Ndërkohë që Crisitano Ronaldo, sipas trajnerit, do të jetë frymëzimi i skuadrës për të vazhduar garën dhe për të lënë pas vetes dështimet e viteve të fundit.
Pellegrini ka folur edhe për Kaka, duke thënë se ai po luan mirë sepse nuk ka më dhimbje, njëherit trajneri pret më shumë nga braziliani.
Portieri i Manchester Unitedit, Edwin van der Sar, ka kërkuar nga bashkëlojtarët e tij që t’i kushtojnë vëmendje sulmuesit holandez Klaas-Jan Huntelaar, në ndeshjen e të martës mbrëma kundër Milanit.
“Kemi qenë bashkëlojtarë në ekipin e përfaqësuese. Unë e njoh mirë atë. Ai është një sulmues i shkëlqyer, është shumë i mirë në shfrytëzimin e rasteve që mund t’i jepen. (Prandaj) duhet të sigurohemi që të mos i jepen raste të tilla”, ka thënë 39-vjeçari në një konferencë për shtyp.
Portieri holandez ka thënë se ndeshja kundër Milanit do të jetë e vështirë, duke qenë se Rossonerët kanë kualitet dhe tashmë dihet suksesi i tyre në Evropë.
Portieri i Chelseat, Petr Cech, thotë se është i gatshëm të qëndrojë në Stamford Bridge edhe dhjetë vitet e ardhshme nëse është në gjendje të mirë fizike.
27-vjeçari ka kontratë me Blutë deri në vitin 2013, mirëpo i pyetur nëse është i gatshëm të qëndrojë edhe dhjetë vite te skuadra e Ligës Premier është përgjigjur:
“Nëse jam në formë, së paku siç jam tani, atëherë do të luaj deri sa të mundem, sepse karriera është shumë e shkurtë dhe të gjithë dëshirojnë ta shfrytëzojnë maksimumin”.
“Gjithçka varet nga ajo se sa jeni në formë dhe sa mirë luani, sepse shumë shpejtë mund të ndodhë që të mos jesh i shpejtë si në të kaluarën dhe të mos kesh reflekse të mira”, ka shpjeguar Cech.