Kampioni në fuqi i La Ligës, Barcelona, nuk ka nxjerrë më shumë se një barazim 2-2 në takimin në udhëtim te Almeria, duke rrezikuar kështu të humbë avantazhin që ka ndaj Real Madridit.Vendasi kaluan në epërsi pas vetëm 12 minutash lojë me anë të një goli të shënuar me kokë nga Domingo Cisma, por kampionët barazuan tre minuta para fundit të pjesës së parë me anë të një gjuajtje të lirë nga Lionel Messi.
Pjesa e dytë po ashtu filloi jo mbarë për Barcelonën. Së pari kapiteni Carles Puyol dërgoi topin në rrjetën e gabuar pas një harkimi të Guilherme në minutën 57-të, ndërsa tre minuta më pas Zlatan Ibrahimovic u përjashtua nga ndeshja me karton të kuq për shkak se faulloi Cisma pa top në afërsi.
Edhe pse me dhjetë lojtarë në fushë blaugranët ishin në gjendje të shënojnë edhe një gol, i dyti në ndeshje nga Messi (66’), që i solli një pikë Barcelonës.Ekipi i Pep Guardiolës tash mbledh 62 pikë në maje të tabelës, me Real Madridin që mund të barazojë pikët nëse shënon fitore ndaj Sevillas në takimin që përfundon në mesnatën e sotme.
Kampioni në fuqi Manchester United ka marrë kreun e tabelës së Ligës Premier pasi ka shënuar fitore të vështirë ndaj Wolves në stadiumin Molineux.Në një ndeshje mjaft të baraspeshuar, Paul Scholes ishte autori i golit të vetëm që erdhi në pjesën e dytë të takimit (72’), dhe që mjaftoi për t’i dhënë fitoren minimale 1-0 Manchester United.
Fitorja e çon Manchesterin në maje të tabelës me 63 pikë, dy më shumë se dy ndjekësit, Chelsea dhe Arsenal. Chelsea, që nesër luan në kuadër të Kupës FA kundër Stoke Cityt, ka një ndeshje më pak të zhvilluar, e cila mund ta rikthejë në maje.
Juventus ka shënuar fitore me rezultat 2-1 ndaj Fiorentinas në Artemio Franki, për t’u ngjitur në pozitën e katërt të tabelës.Biankonerët kaluan në epërsi me të filluar ndeshja me golin e mesfushorit brazilian Diego (2’), por vendasit barazuan pas gjysmë ore lojë kur Marco Marchionni shënoi me kokë në portën e Alex Manninger.
Pjesa e dytë solli raste për të dyja palët, por që shkoi në favor të mysafirëve që shënuan golin e radhës në minutën e 68-të me anë të mbrojtësit Fabio Grosso, gol që edhe i dha fitoren Juventusit.
Ndeshja pati edhe disa raste të diskutueshme, me edhe dy penalti të kërkuara nga vendasit, por të shikuara me sy tjetër nga arbitri i ndeshjes.Fitorja ngre Juventusin në pozitën e katërt me 44 pikë, një më shumë se Palermo që nesër pret në fushë të vet Livornon.
Lucas Podolski ka shënuar kundër ish-ekipit të tij Bayern Munich, për t’i dhënë një pikë ekipit të tij aktual Koln, në takimin e javës së 25-të Bundesligës.Sulmuesi i kombëtares gjermane shënoi pas gjysmë ore lojë, avantazh të cilin vendasit e mbajtën deri në pjesë të dytë, kur Bastian Schweinsteiger barazoi rezultatin për Bayernin (58’).
Nga ndeshjet tjera në Bundesliga, derbi në mes të Werder Bremen dhe Stuttgart ka përfunduar pa fitues, 2-2. Mysafirët nga Stuttgart kaluan në epërsi të dyfishtë në pjesë të parë me golat e Pavel Pogrebnyak (15’) dhe Sami Khedira (42’), por vendasit arritën të nxjerrin një pikë falë dy golave të pjesës së dytë të shënuar nga Hugo Almeida (75’) dhe Torsten Frings (81’).
Hamburg ka shënuar fitore minimale ndaj Hertha me golin e Marcell Jansen (40’), ndërsa kampioni aktual Wolfsburg ka arritur të rikthehet nga disavantazhi 1-0 në pjesë të parë, për të shënuar fitore 4-1 në pjesë të dytë kundër Bochumit.
Arsenali ka shënuar fitore me rezultat 3-1 në takimin e sotëm përballë Burnleyt në Emirates Stadium.Vendasit kaluan në epërsi që në pjesë të parë me golin e Cesc Fabregas (34), që ishte edhe goli i vetëm i pjesës së parë.
Me të filluar pjesa e dytë mysafirët arritën të barazojnë rezultatin me anë të Nugent (50’). Por pas 10 minutash të tjera vendasit arritën të rikthejnë epërsinë me anë të Theo Walcott (60’). I futur në lojë si zëvendësues Andrei Arshavin vulosi rezultatin në minutat shtesë të ndeshjes.
Topçinjtë patën edhe një varg rastesh në ndeshje, shumica e tyre të keqpërdorura nga sulmuesi Nicklas Bendtner gjatë të dy pjesëve.Me tre pikët e reja Arsenali barazohet në pikë me liderin e tabelës Chelsean, që vazhdon të mbajë kreun falë diferencës më pozitive të golave.
Mancehster United do të ketë mundësi të marrë kreun nëse shënon fitore më vonë ndaj Wolves.
Njëshi i Liverpoolit, Fernando Torres, është i bindur se Spanja mund t’ia shtojë titullit të Euro 2008 edhe trofeun e Kupës Botërore gjatë kësaj vere.Ai dhe bashkëlojtarët e tij kanë fituar 42 nga 45 takimet e fundit, përfshirë këtu edhe triumfin në kampionatin evropian në vitin 2008.
“Tash e dimë se çfarë ndjenje është të jesh ekip fitues pasi kemi fituar kampionatin evropian dhe kjo na jep më shumë vetëbesim. Lojtarët mendojnë se ata mund të fitojnë, por aty janë edhe brazilianët dhe argjentinasit të cilët mendojnë ngjashëm”.
“Të gjitha top ekipet kanë shans, Spanja po ashtu. Kemi shanse. Duhet vetëm të luftojmë, të shkojmë atje me krenari, të përpiqemi dhe të luajmë futboll dhe të kënaqemi. Dhe pastaj do të shohim se çfarë ndodh në fund”, ka thënë Torres.
Sipas mediave italiane, ekipi i Interit është duke përgatitur një marrëveshje të re të pasur për sulmuesin e ri të talentuar, Mario Balotelli.Deklaratat e vazhdueshme të Balotelli në të cilat ai thotë se ka simpati për Milanin si dhe interesimi nga Barccelona, e kanë bindur Interit ta përshpejtojë procesin e rinovimit të marrëveshjes me Mario Balotellin.
Sulmuesi ka marrëveshje me nerazurët deri në vitin 2013, por sipas mediave në Itali, presidenti Masimo Moratti dëshiron të sigurohet se lojtari do të mbetet në Giuseppe Meazza.
Për këtë qëllim Inter është i gatshëm t’ia ngrejë pagën e sulmuesit për dyfish, nga 1.3 në 2.5 milionë në sezon. Marrëveshja aktuale e Balotellit e nënshkruar në vitin 2008 i jepte atij pagë 1 milionë euro me rritje graduale në pesë vitet e ardhshme.
Mesfushori brazilian Felipe Melo e ka falënderuar trajnerin e Arsenalit, Arsene Wenger, për fjalët e bukura, por thotë se ai mendon vetëm për Juventusin.Braziliani tashmë një kohë të gjatë është duke u përcjellë nga Wenger, i cili të mërkurën lavdëroi lojtarin dhe pohoi se topçinjtë edhe më tej janë duke e përcjellë atë.
Por pavarësisht spekulimeve se mes Arsenalit dhe Juventusit mund të ketë shkëmbime lojtarësh që përfshijnë Felipe Melon, mesfushori thotë se dëshiron të mbetet te biankonerët.
“Kam kënaqësinë që një trajner i shkëlqyeshëm ka mendim të lartë për mua, por unë do të mbetem në Juventus. Jam i fokusuar në ndeshjen ndaj Fiorentinas dhe se si të tregoj paraqitje më të mira në fanellën e Juventusit”, ka thënë Melo për Tuttosport.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se nuk ka kurrfarë çarje mes tij dhe sulmuesit Thierry Henry.Ish-kapiteni i Arsenali e gjen veten vazhdimisht në stol dhe së fundi u raportua se ka thënë se po e ‘ruan veten për Kupën Botërore’. Por Guardiola thotë se fjalët e tij janë keqinterpretuar.
“E kam dëgjuar pyetjen dhe përgjigjen në frëngjisht dhe nuk është ajo që ai ka thënë. Asnjë lojtar nuk do të thotë ‘ta kërcas belin’ për të shkuar në Kupën Botërore. Ajo do të thotë çmimi që duhet të paguajë për të fituar gjithçka”, ka thënë Guardiola.
“Nëse ai nuk luan kjo mbase është sepse të tjerët janë më shumë në formë ose më të inspiruar. Unë dua që ai të rebelohet dhe të na ndihmojë. Unë dua më shumë nga ai dhe ai e di këtë, por në fund kjo varet nga ai”, ka shtuar Guardiola.
Menaxheri i West Ham United, Gianfranco Zola, raportohet se është i shqetësuar pasi kontrata e re e ofruar për mesfushorin kosovar Valon Behrami është tërhequr.Telegraph-i anglez shkruan se shqiptari me nënshtetësi zvicerane pritej të nënshkruante marrëveshje të re pesëvjeçare në fillim të muajit të kaluar, por tash besohet se bashkëpronari i klubit, David Sullivan, dëshiron ta shesë atë gjatë verës.
24-vjeçari mitrovicas ka edhe tre vjet kontratë me klubin anglez, por Zola dëshiron ta sigurojë më gjatë të ardhmen e tij, siç dëshiron edhe Behrami. Atij i është ofruar 30 mijë funte në javë, që madje është gjysma e asaj sa fitojnë lojtarët më të paguar në West Ham.
Përveç me një varg klubesh italiane, në mes të cilave Palermo dhe Roma, Behrami është lidhur edhe me një kalim në Manchester United dhe Manchester City.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, ka zbuluar se në suksesin e tij këtë sezon ka ndikuar edhe ish-bashkëlojtari, Ruud van Nistelrooy.Higuain, i cili ishte vetëm 19-vjeçar kur nënshkroi për Madridin, beson se disa prej meritave për golat e shënuar këtë sezon duhet të shkojnë në drejtim të Van Nistelrooyt dhe këshillave të tij.
“Ruud më ka thënë se golat janë si ketchup. Ndonjëherë sa më shumë që mundohesh ata nuk vijnë, dhe ndonjëherë ata të gjithë vijnë përnjëherë”, ka thënë Higuain.
Në prag të takimit me Barcelonën, trajneri i Almerias, Juanma Lillo e vlerëson mesfushorin spanjoll Andres Iniesta si lojtarin më të mirë në botë.Almeria sonte përballet me Barcelonën, me trajnerin Pep Guardiola që ka luajtur për të në Meksikë, me ekipin Dorados de Sinaloa.
“Për mua ai është lojtari më i mirë në botë, të tjerët e tregojnë veten më shumë kur ai është në ekip me ta. Xavi është një lojtar tjetër që vazhdimisht po përmirëson lojën për bashkëlojtarët e tij, derisa Messi mund të ju thyejë për gjysmë”, ka thënë Lillo.
Charlotte Bobcats ka shënuar fitore bindëse me rezultat 98-83 në fushë të vet ndaj liderit të Konferencës Perëndimore, Los Angeles Lakers, për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit në play-off.Fitorja i çon Bobcats (29 fitore dhe 31 humbje), një ndeshje larg Miami Heat që gjendet në vendin e tetë në tabelën e Konferencës Lindore, pozitë kjo që dërgon në play-off.
Stephen Jackson udhëhoqi te Bobcats me 21 pikë, për ndihmuar Charlotte të fitojë për herë të parë këtë sezon tre ndeshje radhazi.
Kobe Bryant udhëhoqi në ndeshje duke shënuar 26 pikë për Lakers, të cilët pësuan humbjen e dytë radhazi, pasi një ditë më parë u mposhtën nga Miami Heat.
Drejtori i Sevillas, Monchi, ka qetësuar spekulimet se klubi do ta shesë anësorin Jesus Navas te Real Madrid.Monchi është i vetëdijshëm se pse këto spekulime janë intensifikuar së fundi, dhe thotë se do të presë derisa të përfundojë ndeshja mes dy ekipeve.
“Ky tregim ka një lindje, zhvillim dhe fazë të mëvonshme. Le të shohim se si do të vazhdojë pas ndeshjes së të shtunës. Nëse vazhdon, ne do t’i japim më shumë substancë, por interesimi për lojtarin, në mënyrë ironike, vjen pasi ai do të përballet me Madridin së shpejti”, ka thënë Monchi.
“Duhet t’i shihni tregimet e ngjashme, pasi në pjesën e parë të sezonit Madrid e dëshironte Perottin, me Athletic Bilbao ishte Javi Martinez, me Racing Santander ishte Sergio Canales, me Barcelonën, klauzula e Lionel Messi dhe Andres Iniesta. Të gjitha janë të nxitura”, ka thënë Monchi.
Trajneri i Sampdorias, Gigi Del Neri, e ka ftuar në skuadër sulmuesin e rikuperuar Antonio Cassano.Por megjithatë ai thotë se Cassano nuk do të angazhohet nga minuta e parë kundër Lazios dhe do të qëndrojë në stol.
“Sigurisht Cassano mund të përzgjidhet, por do të zgjatë nga 15 deri në 20 ditë para se ai të jetë tërësisht në formë. Kjo është arsyeja se pse kemi caktuar program pune për të”, ka thënë Del Neri.
Cassano nuk ka luajtur që kur u përplas me trajnerit në stërvitje vitin e kaluar.
Anësori i Manchester United, Antonio Valencia thotë se ai nuk është ‘Cristiano Ronaldo i ri’.Me paraqitjet e fundit Valencia po tregon se ka vlejtur 16 milionë funte, aq sa Alex Ferguson i pagoi Wiganit verën e kaluar, dhe madje është duke i tejkaluar parashikimet.
Edhe pse është sjellë si zëvendësim i Ronaldos, që u largua për 94 milionë euro në drejtim të Real Madridit, Valencia përsërit se ai është një lojtar më ndryshe se Ronaldo.
“Cristiano është një superyll dhe unë jam Valencia, një futbollist që mëson çdo ditë. Nuk dua të krahasohem me të pasi jemi lojtarë shumë të ndryshëm”, ka thënë Valencia.
Vlera e përgjithshme e futbollistëve të 32 kombëtareve pjesëmarrëse në Botërorin e futbollit “Afrika e Jugut 2010” arrin një shifër prej 5.6 miliard euro. Kjo shumë e kalon atë të shpenzimeve që Afrika e Jugut ka shpenzuar për ndërtimin e stadiumeve dhe komplekseve (4.6 miliardë euro). Shifrat janë publikuar nga agjencia e lajmeve “Futbol Finance”, pas një studimi të kryer për çdo kombëtare pjesëmarrëse, duke vlerësuar futbollistët e tyre që kishin qenë pjesë e ndeshjeve eliminatore. Zëvendësimet, si dhe dëmtimet e futbollistëve të këtyre 32 kombëtareve mund ta ndryshojnë deri-diku këtë shifër. Kombëtarja më e shtrenjte që do të zbresë në Afrikën e Jugut është ajo e Spanjës, që kap vlerën prej 565 milionë eurove, e ndjekur nga Brazili me 515 milionë, Franca me 450, po aq sa Anglia, ndërsa futbollistët e përfaqësueses italiane kapin vlerën prej 400 milionë euro. Grupi G është më i pasuri, pasi përveç Brazilit, në këtë grup ndodhen edhe yjet e Portugalisë dhe ata të Bregut të Fildishtë.Skuadrat më të varfra të Botërorit janë Koreja e Veriut dhe Zelanda e Re - nga 15 milionë euro. Një peshë të madhe ka edhe grupi H, që kap një vlerë prej 810 milionë eurove. Sfida e artë e grupeve është ajo mes Brazilit dhe Portugalisë, ku vlera e futbollistëve në fushë do të jetë rreth 895 milionë euro, ndërsa ndeshja ndërmjet Brazilit dhe Bregut të Fildishtë do zbresë në fushë futbollistë që kanë një vlerë të përbashkët prej 695 milionë euro.
Mesfushori i Real Madridit, Jose Maria Guti, ka thënë në një konferencë për shtyp se Los Blancos dëshirojnë fitore në derbin e 11 prillit, ‘el Clasico’, edhe atë me rezultat bindës.“Jam i bindur se ‘el Clasico’ do të jetë vendimtar. Është e pakënaqshme për cilëndo skuadër që të lëshojë pikë para asaj ndeshje”.
“Ne duam ta fitojmë ‘el Clasicon’ edhe atë me një rezultat bindës”, është shprehur mesfushori spanjoll.
Mesfushori blaugran, Xavi Hernandez, thotë se është shumë herët që të flitet për derbin e muajit të ardhshëm, ‘el Clasico’, i cili do të zhvillohen në Santiago Bernabeu, ndërmjet Real Madridit dhe Barcelonës.“Është shumë herët të flitet për ‘el Clasico’, por e di se është një ndeshje në të cilën gjithkush kënaqet”, ka thënë spanjolli në një konferencë për shtyp.
Aktualisht katalunasit gjenden dy pikë para mbretërve, ndërsa Xavi thotë se gjërat janë vërtet të tensionuara sa i përket kreut të tabelës.
“Kam një ndjenjë të mirë dhe ne po luajmë mirë në ligë. Të dyja (skuadrat) e dinë se çfarë duhet të bëjnë, duke qenë se presim që njëra ose tjetra të gabojë, ashtu që ta shfrytëzojmë këtë avantazh”, ka shtuar Xavi.
Sulmuesi i dikurshëm i Real Madridit, Arsenalit dhe Sevillas, Davor Suker, thotë se Jesus Navas duhet t’i bashkëngjitet Realit, ndërsa ka njoftuar se i ka thënë Raulit që ta përfundojë karrierën në Ligën Premier.“E njoh Del Nidon (presidentin Sevillas), dhe ashtu si shumë lojtarë që kanë shkuar nga Sevilla te Real Madridi, shpresoj që në të ardhmen edhe Navas të shkojë te Real Madridi”, ka thënë kroati për Eurosport.
Nga ana tjetër, Suker i ka sugjeruar ish-bashkëlojtarit të tij, Raul , që të ndjekë hapat e tij dhe ta mbyllë karrierën në Ligën Premier.
“Rauli është një mik i imi. Do të më pëlqente që ai ta përfundojë karrierën në Angli, ashtu siç i kam thënë herën e fundit që u takuam. Do të ishte kënaqësi ta shihja atë duke e përfunduar karrierën në Londër”, ka shtuar Suker.
















