Hamburgu vazhdoi me formën solide duke e mposhtur Standard Liegen edhe në transfertë me rezultat 3-1, për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të Europa League me rezultat të përgjithshëm prej 5-2.Hamburgu ishte skuadra më e mirë pa kurrfarë dyshimi dhe kjo u vërtetua pas njëzet minutash lojë kur Mladen Petric shënoi për 1-0 pas asistimit të Ze Robertos.
Nuk vonoi shumë dhe vendasit barazuan rezultatin me anë të De Camargos (33’).
Gëzimi i vendasve zgjati vetëm dy minuta pasi që Mladen Petric në top-formë shënoi golin e dytë për Hamburgun në minutën e 35-të.
Në minutat shtesë (90’+4), Paolo Guerrero shënoi edhe golin e tretë për skuadrën mysafire për të shënuar fitore edhe më bindëse.
Hamburgu në gjysmëfinale do ta ketë kundërshtar Fulhamin duke bërë më lehtë të realizueshme ëndrrën për finalen në stadiumin e NordBank Arena.
Sezoni i Atletico Madridit ka marrë kah tjetër pas barazimit pa gola në Vicente Calderon ndaj Valencias në ndeshjen e dytë çerekfinale, me ç’rast Los Colchoneros kualifikohen falë golave si mysafir në Mestalla, ndeshje që pati përfunduar me rezultat 2-2.Atletico Madridi i pati rastet në këtë takim tejet interesant, por pronësia në top u takoi mysafirëve nga Valencia të cilët nuk arritën të shënojnë golin e fitores.
Me këtë barazim pa gola, Atletico Madridi kualifikohet në gjysmëfinale falë golave si mysafir. Ky kualifikim do të thotë shumë për Atleticon pas një sezoni të konsideruar si katastrofal.
Spanjollët në gjysmëfinale do të luajnë kundër Liverpoolit që eliminoi Benfican me rezultat të përgjithshëm 5-3.
Wolfsburgu ishte nikoqir i Fulhamit në VolksWagen Arena në takimin kthyes çerekfinal, e që përfundoi me fitoren e mysafirëve nga Anglia me rezultat minimal dhe të cilët u kualifikuan në gjysmëfinale të Europa League.Goli i vetëm i kësaj sfide erdhi me të filluar takimi (1’) kur Bobby Zamora shënoi me ndihmën e Zoltan Geras.
Me këtë fitore Fulhami për herë të parë në histori të klubit kualifikohet në gjysmëfinalen e Europa League, me rezultat të përgjithshëm prej 3-1.
Në gjysmëfinale skuadra angleze do të ndeshet me ekipin gjerman Hamburg, që eliminoi bindshëm Standardin me rezultat 5-2 pas dy ndeshjeve.
Të enjten mbrëma, Liverpooli dhe Benfica kanë zhvilluar ndeshjen kthyese çerekfinale të Europa League, e cila përfundoi me rezultat 4-1 në favor të ekipit të Rafa Benitez.Ndeshja e parë e zhvilluar në Estadio da Luz përfundoi me fitoren e portugezëve me rezultat 2-1, ndërsa takimi i zhvilluar në Anfield i takoi skuadrës angleze, e cila fitoi me rezultat 4-1, duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm prej 5-3.
Të Kuqtë dominuan pjesën e parë duke arritur të realizojnë dy herë. Holandezi Dirk Kuyt kaloi vendasit në epërsi pas një krosimi nga këndi (27’), ndërsa Lucas Leiva dyfishoi epërsinë pas një pasimi të bukur të Steven Gerrard (34’).
Edhe në pjesën e dytë ishin vendasit ata që menaxhonin lojën. Fernando Torres shënoi golin e tretë të Liverpoolit pas asistimit të Kuyt (59’).
Me një gol të shënuar nga gjuajtja e lirë (70’), Oscar Cardozo riktheu Benfican në lojë, me ç’rast i nevojitej vetëm edhe një gol për ta parë veten në gjysmëfinale.
Mirëpo, shpresat e portugezëve për kualifikim i shoi spanjolli Torres me golin e dytë personal në ndeshje dhe të katërtin për Liverpoolin (82’).
Jose Mourinho ka filluar të mendojë për sfidën ndaj Barcelonës, duke marrë menjëherë një laps, një letër dhe një DVD të Lionel Messit për të dizajnuar strategjinë e ndaljes së asit të Barcelonës.Il Corriere dello Sport njofton se strategu i Interit ka filluar të planifikojë mënyra të ndryshme për të ndalur sulmuesin argjentinas kur klubet të takohen në gjysmëfinalen e parë më 20 prill në San Siro.
Krahas shikimit të DVD-ve të Messit me stafin e tij, Mourinho ka dërguar anëtarë të stafit për ta shikuar Messin në aksion ndaj Real Madridit në ‘el Classico’ të shtunën. Stafi i deleguar nga Mourinho do ta shikojë dhe ndeshjen e mesjavës që Barcelona e zhvillon kundër Deportivo La Corunas.
Më pas, Mourinho do të udhëtojë personalisht për të shikuar derbin ndaj Espanyolit më 17 prill, vetëm tri ditë para se të zhvillohet gjysmëfinalja e parë.
Ai gjithashtu pritet të bëjë një plan mjaft përmbajtjesor që do t’ua shpjegojë mbrojtësve dhe mesfushorëve të tij. Walter Samuel, Esteban Cambiasso dhe Javier Zanetti do t’i nënshtrohen mësimeve shtesë se si ta ndalin bashkëkombësin e tyre.
Ish-futbollisti i Barcelonës, Hristo Stoichkov, ka deklaruar për Marca se Barcelona do ta fitojë ‘el Classicon’ e Bernabeut, duke shtuar se Reali do ta ketë pikësynim neutralizimin e Messit.“Barcelona do ta fitojë ‘el Classicon’ e Bernabeut. Real Madridi do ta sulmojë Messin nga të gjitha anët”.
“Shpresoj se Mejuto Gonzalez do të shohë gjithçka në fushë, sepse dyshoj në aftësitë e tij”.
“Unë e urrej Real Madridin dhe Los Blancos”, përfundoi Stoichkov.
Ronaldinho ka nënvizuar synimet e Milanit prej tani deri në fund të sezonit, përderisa ai tenton t’i motivojë bashkëlojtarët në luftën për Scudetto.Me gjashtë ndeshjet e mbetura, Ronaldinho ndjen se Milani ka kapacitet për të spastruar nga rruga Interin.
“Jam vërtet mirë dhe tani kemi edhe gjashtë ndeshje të cilat janë, të gjitha të rëndësishme. Të gjitha ndeshjet e mbetura janë si finale për ne. Por, ne kemi ende gjasa që ne të themi fjalën e fundit. Ne do të duhet të tentojmë të fitojmë sa më shumë pikë që është e mundshme në mënyrë që ta fitojmë titullin në fund”.
“Është me rëndësi të shënoj gola, por detyra ime është që të asistoj te bashkëlojtarët. Jam i kënaqur me atë që po bëj dhe nuk më mungon festa për golat e mi. Jam i lumtur, por dua t’u rikthehem golave” ka thënë Dinho për Milan Channel.
‘El Classico’ i të shtunës përveç se do e vendosë titullin në La Liga, do të jetë edhe derbi i fundit për Jose Maria Gutin, i cili pohon se nga sezoni i ardhshëm nuk do jetë më lojtar i Real Madridit.“E ardhmja ime është e qartë. Ky definitivisht do të jetë ‘el Classico’ i fundit për mua. Sipas situatës sot, nuk ka gjasa që unë të vazhdoj te Reali. Unë kam edhe një vit në kontratë por shpresoj se do të kuptohemi. Jam i sigurt se do të mirëkuptohem me Realin pasi që nuk ka gjasa që unë të qëndroj më këtu dhe dua të largohem”.
“Nuk ka nevojë të bëhet dramë për gjithë këtë, koha kur do të luash më pak vjen për secilin dhe të gjithë duhet ta kuptojnë këtë. Gjëja më e rëndësishme është që të largohem me dinjitet, sidomos nga një klub si Real Madridi”.
“Unë mund të luaj edhe dy vite futboll. Ideja është që të shkoj në Angli, Itali, apo në ndonjë nga vendet Arabe. Varet nga ofertat. Numrin 14 do t’ia lë Xabi Alonsos sepse ai e do atë. Unë do të vazhdoj ta kem zemrën te Reali”, deklaroi Guti për radio Onda Madrid.
Pasi që pa Messin duke shkatërruar çdo gjë para vetes ndaj Arsenalit, trajneri i tij te kombëtarja argjentinase Diego Maradona, ka tejkaluar çdo kufi duke e krahasuar Lionel Messin me Zotin.Të gjithë janë mahnitur nga e bëma e Lionel Messit të martën në Camp Nou ndaj Arsenalit, që vuri vulë se është lojtari më i mirë që ka luajtur ndonjëherë për Barcelonën, ndërsa legjenda e Argjentinës, Diego Maradona, ka pasur guximin ta krahasojë atë me Zotin.
“Ne jemi të gjithë të lumtur për të dhe ne e dimë se sa me fat jemi që ai është argjentinas. Për momentin, ai po luan futboll më mirë se Zoti. Unë i kam thënë atij se koha ime ka kaluar. Unë i kam thënë se është në dorë të tij se çfarë mund të bëjë në karrierë dhe në fund do ta shohim se kush ishte më i miri”.
“Është thënë se Messi nuk ka pasion kur luan për Argjentinën, por unë e kam parë për së afërmi dhe them se mund të mbështetem në të. Dua që lojtarëve të mi t’ua shtoj besimin dhe mendoj se kjo skuadër ka më shumë talent se ajo e vitit 1986. Kam besim të madh në këta djelmosha dhe njerëzit mund të mendojnë çfarë të duan. Nëse duhet të ndërmarr rreziqe, këtë dhe do ta bëj”, deklaroi Maradona.
Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, ka vënë në pah fazën finale të Milanit, duke thënë se Scudetto nuk do të fitohet nëse sulmuesit nuk shënojnë më shumë gola.“Sulmuesit tanë po luajnë shumë larg golit. Si mund të shënojnë gola të tillë? Kështu, nuk fitohet Scudetto”, tha Berlusconi.
Milani ka dështuar të shënojë në nëntë ndeshje këtë sezon, duke shënuar vetëm 52 gola, nëntë më pak se Interi.
Cristiano Ronaldo ka vazhduar me deklaratat retorike para ‘el Classicos’, duke thënë në një konferencë për shtyp se Barcelona është ekip më i kompletuar, por se Messi do ta ketë të vështirë të përsëris atë që bëri ndaj Arsenalit.“Lojtari më i mirë në botë? Hmm, unë jam më i vjetër, më i gjatë dhe më i gjerë se Messi”, theksoi me shaka Ronaldo.
“Ai po kalon një sezon fenomenal dhe ai është njëri prej më të mirëve, si tani ashtu dhe në të gjitha kohërat. Unë po luaj mirë, dhe jam i kënaqur sepse e di që vitet e ardhshme do të jenë shumë të mira”.
“Messi vs unë në ‘el Classico’? Messi dhe unë nuk jemi lojtarë që luajmë individualisht. Unë dua t’i ndihmoj Realit të fitojë tituj, ashtu si Messi Barcelonës. Shpresoj se Messi të vazhdojë të shënojë gola, por të shtunën ai nuk do të shënojë. Messi nuk luan vetë dhe bashkëlojtarët e tij janë për t’u lëvduar. Ai është fenomenal por edhe ata përreth tij janë gjithashtu. Barcelona është ekip shumë i kompletuar dhe neve na mungon një gjë e kësaj. Shpresoj se ne do bëhemi më të kompletuar”.
“‘El Classico’? Do të jetë ndeshje e madhe, një ndeshje e veçantë. Por nuk do jetë as ndeshja e parë e as e fundit. Unë dua të fitoj që të jemi para tyre në tabelë. Nuk kam asgjë kundër Barcelonës pasi që jemi dy ekipet më të mira në Spanjë. Le të fitojë ekipi më i mirë dhe ai ekip të jetë Real Madridi”.
“Hakmarrje për 2-6? Janë dy ndeshje të ndryshme me lojtarë të ndryshëm. Ne nuk e ndjejmë nevojën për hakmarrje. Ne e dimë se kjo ndeshje mund ta vendosë La Ligën. Ne kemi si synim ta fitojmë këtë ndeshje”, përfundoi Ronaldo.
Kryetari i federatës italiane të futbollit (FIGC), Giancarlo Abete, ka premtuar se do të marrë parasysh faktet e fundit të ofruara në lidhje me skandalin më të madh në futbollin italian dhe se do të shqyrtojë rihapjen e gjyqit.“Ne natyrisht se do të flasim për këtë, pa kurrfarë dyshimi, pasi që ky është roli im si president”, tha Abete për Il Corriere dello Sport.
Ndërsa presidenti i shoqatës italiane të futbollistëve (AIC), Sergio Campana, thotë se nuk do të ketë rihetim të Calciopolit.
“Asgjë nuk është rihapur. Calciopoli i ri? Ju lutem…”, i tha ai shtypit.
Kështu, sipas pohimeve të fundit, federata italiane është duke e menduar mundësinë e rihapjes së gjyqit të Calciopolit pas dëshmive të reja të ofruara në gjykatën e Napolit, për telefonatat e Massimo Morattit me dizejnatorin e Calciopolit, Paolo Bergamo, që atëherë ishte kreu i gjyqtarëve italian.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, ka lavdëruar paraqitjen e argjentinasit Lionel Messi ndaj Arsenalit në Ligën e Kampionëve duke kërkuar të njëjtën gjë edhe nga Fernando Torres kur Liverpooli të pres Benfican në duelin kthyes çerekfinal në Europa League.“Messi është lojtar fantastik dhe shpresoj se Fernando mund të bëjë të njëjtën gjë sonte”.
“Insua është i lënduar, por ishte i suspenduar. Fabio Aurelio, Martin Skrtel dhe Kelly janë ende të lënduar”, u shpreh Benitez.
Sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, ka thënë se triumfi në Ligën e Kampionëve, në shtëpinë e Real Madridit do të përbënte një titull më të ëmbël.“Ne po e shkruajmë historinë dhe jam krenar që jam pjesë e saj. Fitimi i titullit në Bernabeu do të ishte fantastik pasi që po bëjmë gjithçka për të qenë në finale”, thotë Ibra, i cili shprehet të jetë i sigurt se skuadra e tij do ta eliminojë Interin (në gjysmëfinale).
“Barcelona dhe Interi janë dy ekipe të ndryshme. Këtu duhet të mbani topin, kurse në Itali mendojnë se një gol është i mjaftueshëm”, deklaroi Ibrahimovic për La Gazzeta dello Sport.
Roberto Baggio thotë se Interi do të ketë një punë të vështirë në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës, por mendon se nerazurët mund t’i ndalojnë blaugranët.Legjenda italiane thotë se mundësia më e mirë që Interi ta ndalojë Barcelonën është të mos i lejojë ata të futen në San Siro.
“Nëse marrim parasysh se Barcelona është kampion dhe për tre vite ka arritur në gjysmëfinale dhe nëse shihni se çfarë kanë bërë ata këtë sezon në ndeshjet kundër Interit, është e drejtë të thuhet se janë favoritë”.
“Si mund të ndalohen? I ndaloni duke mos i lejuar të futen në San Siro! Pak Shaka. Interi më duket ekipi i duhur që mund ta ndalojë Barcelonën. Për lojtarët, ndeshjen dhe mentalitetin, ata kanë mjetet për të shqetësuar Pep Guardiolan”, ka thënë Baggio.
Lionel Messi nuk përjashton që më vonë gjatë karrierës së tij të preferojë të luajë në Itali.“Në Itali një ditë? Nuk e di, gjithmonë kam thënë se dua të qëndroj këtu. Në futboll kurrë nuk mund të thoni kurrë, por ideja ime është që të mos largohem”, ka thënë Messi.
Argjentinasi, i cili ndihmoi Barcelonën të kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve pas katër golave të shënuar në takimin kundër Arsenalit, aktualisht është futbollisti më i mirë në botë.
Ylli i Barcelonës tashmë një kohë është cak i Interit me presidentin Massimo Moratti që në disa raste ka shprehur dëshirë për ta pasur atë në radhët e veta.
Portieri spanjoll Pepe Reina ka nënshkruar marrëveshje të re pesëvjeçare me ekipin e Liverpoolit dhe thotë se edhe nëse dështojnë në Europa League dhe në garën për pozitën e katërt, ky do të vazhdojë të jetë një prej klubeve më të mira në botë.Trajneri Rafa Benitez tashmë një kohë të gjatë ka paralajmëruar se ata janë në fund të negociatave me Reina për të vazhduar kontratën e tij. Daily Post ka shkruar se portieri mbrëmë ka nënshkruar marrëveshjen e re e cila do ta mbajë atë në Anfield deri në vitin 2016.
“Pse jam besnik ndaj Liverpoolit? Pasi jam i lumtur këtu dhe klubi është i lumtur me mua. Nuk shoh arsye për t’u larguar. Vërtet nuk e di si ta shpjegoj, por është fjala për ndjenjë. Ndjehem i dashur që nga fillimi i karrierës në Liverpool”.
“Nuk është që gjithmonë të jesh në klub më konkurrues ose në klubin më të madh në botë, është e rëndësishme të jesh në klubin e duhur. Dhe Liverpooli edhe është një prej klubeve më të mira në botë. Pavarësisht çfarë do të ndodhë me sezonin, edhe më tej flasim për Liverpoolin”, ka thënë Reina.
Daniel Alves thotë se ekipi i Barcelonës që drejtohet nga Pep Guardiola përfaqëson gjithçka të mirë që mund të ketë futbolli.“Filloni të luani futboll si fëmijë pasi ëndërroni të luani në mbrëmje si këto. Nëse ju pëlqen futbolli, siç na pëlqen neve, atëherë është për shkak të kualitetit, lojës së mirë, paraqitjes inspiruese dhe ne jemi të tmerrshëm kundër rivalëve të vështirë”, ka thënë mbrojtësi brazilian.
Barcelona të shtunën e ka edhe një ndeshje tjetër të rëndësishme, derbin ‘el Classico’ kundër Real Madridit në Bernabeu, ndeshje e cila mund të jetë vendimtare për titullin e kampionit të Spanjës.
Mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva, thotë se rosonerët ende mund ta fitojnë skudeton.Ekipi i trajnerit Leonardo është në pozitën tretë duke ndjekur me tre pikë, respektivisht me dy, liderët e tabelës, Interin dhe Romën.
“Erdha në Milan për të fituar dhe ende besoj se mund ta fitojmë kampionatin. Ka edhe gjashtë ndeshje të mbetura dhe ne jemi tre pikë prapa pozitës së parë. Duhet të punojmë shumë dhe të mbetemi të përqendruar”, ka thënë Silva.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi, thotë se bashkëlojtari i tij Lionel Messi qëndron i vetëm si lojtari më i mirë në botë.22-vjeçari argjentinas arriti i vetëm të mposhtë Arsenalin në ndeshjen e kthimit çerekfinale të Ligës së Kampionëve duke shënuar katër gola.
“Leo është në një nivel krejtësisht tjetër nga çdo lojtar tjetër në botë, në një nivel krejtësisht tjetër. Nëse jeni me fat mund të gjeni një lojtar si ky vetëm një herë në një çerek shekulli”, ka thënë Xavi.
Toronto Raptors është mposhtur me rezultat 115-104 nga Boston Celtics në ndeshjen e parë pa të lënduarin Chris Bosh, duke rrezikuar edhe pozitën e tetë dhe të fundit të Konferencës Lindore që dërgon në play-off.Në mungesë të Bosh, i cili u lëndua në ndeshjen e të martës kundër Cleveland Cavaliers, Raptors (38 fitore dhe 40 humbje) u dorëzuan më vonë në ndeshje duke humbur avantazhin dhe duke u mposhtur nga Celtics.
Me këtë humbje Toronto mbetet një fitore para Chicago Bulls (37 fitore dhe 40 humbje) në tabelë në luftë për pozitën e tetë me edhe katër ndeshje për t’u luajtur.
Rajon Rondo shënoi 21 pikë dhe Paul Pierce 20 të tjera për të udhëhequr Celtics drejt fitores së 49-të të sezonit (29 humbje). Boston tash është në garë me Atlanta Hawks për pozitën e tretë të Lindjes.
Sulmuesi i Atletico Madrid, Diego Forlan, thotë se secilën herë ai do ta zgjedhë Sergio Agueron para yllit të Barcelonës, Lionel Messi.“Messi ose Aguero? Preferoj Agueron pasi ai është bashkë-lojtari im, por duhet ta pranoj se të dy janë lojtarë të shkëlqyeshëm, të talentuar dhe me një të ardhme të shkëlqyeshme” ka thënë Forlan.
Sulmuesi uruguaian ka komentuar edhe takimin e sotëm të Europa League kundër Valencias duke thënë se ata janë më se të motivuar.
“Është një ndeshje e rëndësishme dhe për ata të cilët gjithmonë ëndërrojnë të luajnë kundër një rivali të madh si Valencia dhe po ashtu në shtëpi me njerëz shumë të motivuar. Ne shpresojmë të nxjerrim një rezultat të mirë dhe të kalojmë në rundin e ardhshëm”, ka thënë më tej Forlan.
Anësori i Bayern Munichut, Arjen Robben, ka qenë i ngazëllyer me golin e tij të shkëlqyeshëm të shënuar në ndeshjen kundër Manchester United.Goli i holandezit doli të jetë vendimtar për kualifikimin e Bayernit për në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pavarësisht se bavarezët u mposhtën me rezultat 3-2.
“Kur ishim 3-0 në disavantazh mendova se do të jetë një mbrëmje e vështirë. Por 3-0, ishte e njëjta sikur 2-0. Ne duhej të shënonim gola. Goli i Olic na dha shpresa se mund të vazhdojmë”.
“Duhet të jemi të sinqertë. Ata ishin ekip më i mirë në fillim, me gjithë atmosferën. E pash që Franck Ribery më pa në kënd. E dija se topi do të vinte rrotull meje. U përpoqa të qëndroj i qetë. Mund të përdorni forcën ose teknikën. Unë u përpoqa ta përdor teknikën. Dhe, funksionoi”, ka thënë Robben.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, mendon se ekipi i tij ishte më i mirë se Bayern Munichu gjatë dy ndeshjeve çerekfinale të Ligës së Kampionëve.Ferguson ka mbetur i zhgënjyer pas eliminimit nga gara dhe pas kualifikimit të Bayernit.
“Nuk mendoj se ekipi më i mirë e fitoi ndeshjen, mendoj se ne luajtëm më mirë sonte. Nuk mendoj se diçka ka munguar në garën tonë dhe nuk mendoj se ne ishim të lodhur sonte”.
“Ata kishin një lojtar më shumë, ata e kishin topin. Ne u mbrojtëm mirë dhe ishte një gol i jashtëzakonshëm që i dha fund ndeshjes. Ishte një goditje mahnitëse nga Arjen Robben. Mendoj se ia kemi dalë mirë. Paraqitja jonë sonte ishte e shkëlqyeshme. Ishim pafat sonte, shumë, shumë të pafat”, ka thënë Fergon pas ndeshjes.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, beson se skuadra e tij mund ta eliminojë Benfican nga Europa League, edhe pse Redsat do të hyjnë në takimin kthyes me dizavantazh prej 2-1.“Situata nuk është e keqe. Ne kemi shënuar një gol si mysafir dhe kemi një skuadër më të mirë tani, kështu që shpresoj se ne mund ta menaxhojmë golin në mënyrën më të mirë”.
“Ata kanë baraspeshë. Ata mund të sulmojnë dhe të mbrohen mirë duke pasur besim të madh, kështu që do të jetë vështirë për ne. Por ne po luajmë mirë në shtëpi, sidomos në ndeshjet e fundit. Ne e dimë se Benfica është ekip i mirë por ne besojmë se mund ta mposhtim”.
“Ky është rast për të fituar trofe. Do të jetë me rëndësi për të gjithë këtu, tifozët dhe klubin. Kështu që ne do të tentojmë të bëjmë më të mirën”, deklaroi Benitez.
Angazhimet e Interit në Ligën e Kampionëve e kanë detyruar Serien A ta ndërrojë datën e derbit të shumëpritur në mes të Interit dhe Juventusit për datën 16 prill.Interi siguroi kalimin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve pasi eliminoi CSKA Moskën dhe në këtë fazë do të ketë kundërshtar Barcelonën, takim që zhvillohet më 20 prill.
Për këtë arsye Federata Italiane e Futbollit ka vendosur që t’i ofrojë Interit më shumë pushim para ndeshjes së rëndësishme të Ligës së Kampionëve.
















