Deklaratat sensacionale rreth çështjes Balotelli nuk kanë të ndalur, pasi që është vetë protagonisti ai që ka vendosur të kërkojë falje për veprimet e tij kontroverse, kur ai hodhi në tokë fanellën e Interit, pas vërshëllimave të gjyqtarit dhe ofendimeve të Mourinhos.
Më herët gjatë ditës tifozët ultras të Interit ia kanë shkruar një letër lamtumire Balotellit ku kërkonin që ai të largohej. Nuk vonoi shumë dhe Balotelli kërkoi falje në një intervistë për agjencinë ANSA.
“Unë do të doja të kërkoj falje për veprimet e mia të së martës mbrëma. Kur hyra në fushë dhe kur i pashë tifozët duke më vërshëllyer e trajnerin duke më bërtitur, e humba veten. Nuk kuptova asgjë dhe në fund e hodha fanellën time me nervozitet. Kërkoj falje që nuk isha në gjendje të mbaj nën kontroll tensionin dhe frustrimin që më kaploi”.
“Më duhet të them se nuk jam i hidhëruar me tifozët ultras të Interit. Ata gjithnjë më kanë mbështetur mua kur të tjerët më vërshëllenin. Për ata, unë dua që Inter të fitojë gjithçka dhe unë gjithmonë do ta nderoj këtë fanellë”, përfundoi Balotelli.
Carlo Ancelotti ka mohuar se mungesa e John Terryt mund të jetë indikator në mbrojtjen e Chelseat, pasi që, sipas Ancelottit, Branislav Ivanovic është rikthyer për ta zëvendësuar atë.
“John Terry është një lojtar i rëndësishëm që na mungon, por tani kemi një gatshëm Ivanovicin dhe ne mund ta zhvendosim atë në qendër të mbrojtjes, sepse Ivanovic është qendërmbrojtës”.
“Ai ka luajtur shumë ndeshje si anësor i djathtë, por ai ka cilësi për të qenë në qendër dhe ne nuk do të kemi problem”.
“Gjithashtu, sipas te gjitha gjasave, në fushë do të jetë Ashley Cole”, u tha Ancelotti gazetarëve në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Stoke Cityt.
Me afrimin e afatit kalimtar veror, rriten dhe spekulimet për emrat që do të mund të sjellë në skuadër Arsene Wenger, i cili shprehet se spekulimet e deritanishme janë të gabuara.
“Për momentin nuk jemi në tregun e transferimeve. Me rëndësi është që të fokusohemi në sfidat përballë nesh dhe se si do t’i përfundojmë ato. Kam lexuar disa spekulime për transferime nëpër gazeta dhe them se të gjitha janë të gabuara. Të gjitha. Kështu që, s’ka nevojë të më pyesni se cilët janë emrat, sepse te gjithë janë të gabuar”.
“Sfida e nesërme ndaj Cityt? Nuk ka lidhje se çfarë ka ndodhur në ndeshjen e parë, sepse me rëndësi është që kemi një qëndrim pozitiv. Nesër na duhen tifozët prapa nesh”, deklaroi Wenger.
Pak ditë më parë, FIGC konfirmoi se do të rihapë hetimet e të ashtuquajturit ‘Calciopoli II’, pas dëshmive të reja të ofruara në gjykatën e Napolit, ndërsa këto hetime do të zhvillohen gjatë Kampionatit Botëror, në kohën kur kombëtarja italiane do të ketë punë në Afrikën e Jugut.
Kjo do të jetë një goditje e rëndë për kombëtaren italiane, pasi që dihet se këto hetime do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në suksesin e Italisë në Botëror.
Gjithashtu pritet që vendimet e reja rreth hetimit të ri të merren gjatë Botërorit, gjë që nuk është e mirëpritur në qarqet Azzure.
Seanca e radhës gjyqësore e gjykatës së Napolit për Calciopolin zhvillohet më 27 prill, seancë e shtyrë nga 20 prilli, e që do të mbahet një ditë para takimit kthyes, Barcelona – Inter në Ligën e Kampionëve.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, ia ka bërë të qartë çdo ekipi të interesuar për Gareth Bale, se ai është i paprekshëm dhe nuk është në shitje.
“Ne po shikojmë se si të ndërtojmë një ekip këtu. Ne nuk dëshirojmë të shesim lojtarë si ai. Ai është e ardhmja e klubit. Ne do t’i mbajmë lojtarët më të mirë këtu. Ai është pjesë e këtij plani”.
“Dikush gjithmonë tenton ta lidhë dikë me ndonjë klub. Nuk ka gjasa që ai të shitet. Unë nuk i marr këto vendime, por e di se presidenti nuk dëshiron ta shesë atë”, tha Redknapp për gazetarët para takimit ndaj Manchester United.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, i ka hedhur poshtë spekulimet se ai do t’ia shesë Manchester Cityt sulmuesin e tij kryesor, Fernando Torres.
Është spekuluar se Manchester City ka gati 60 milionë funte për të transferuar spanjollin, pohime të cilat Benitez i quan absurde.
“Ne kemi thënë në mënyrë të përsëritur se Fernando Torres nuk është në shitje dhe ai ka edhe tre vite në kontratën e tij. Kështu që, si mund ta transferojnë ata një lojtar, që nuk dëshiron të largohet? ”.
“A do të shpenzoj unë? Natyrisht. Më duhet një sulmues i klasit botëror, por me respekt për pronarët nuk dua të hedh para. Nëse kemi nevojë për një sulmues të mirë, ne do të shpenzojmë”, ka thënë Benitez.
Trajneri i Milanit, Leonardo, shpreson se do ta shohë skuadrën e tij në një formë të mirë në takim përballë Palermos, pas humbjes së nga Sampdoria javën e kaluar.
“Ne jemi në një fazë të garave ku shumë faktorë bëhen të rëndësishëm. Nesër në Palermo do të luajë një ekip konkurrues, që shpresoj se do ta bëjë më të mirën. Por, ekipi i Dellio Rosit po kalon nëpër momente vërtet të mira. Ata nuk kanë humbur që një kohë të gjatë në shtëpi dhe kanë synime të mëdha për këtë sezon”.
“Ne duhet të jemi të fokusuar dhe të mos lejojmë veten të shfrenohemi. Më me rëndësi është ndeshja e nesërme. E ardhmja ime? Do të tregoja papjekuri nëse flas tani për të ardhmen”, deklaroi Leonardo në konferencën për shtyp para takimit të të shtunës.
Presidenti i Juventusit, Jean Claude-Blanc, duket ta ketë marrë seriozisht nevojën e një revolucioni në klub, pasi që ai do të udhëtojë në Liverpul javën e ardhshme për të finalizuar marrëveshjen e transferimit të Rafael Benitezit, i cili ka garantuar se nuk ka pengesa që ai të shkojë në Torino.
Sipas Sky Sport 24, strategjia e Juventusit për një revolucion është e qartë. Së pari, Blanc do të nënshkruajë me Benitezin dhe pas kësaj, ai do të shkojë në Genoa për të nënshkruar me drejtorin e Sampdorias, Giuseppe Marotta, që do të ketë për detyrë ‘ushqimin’ e duhur të Benitezit me të holla.
Rafael Benitez do të përfitojë nga katër milionë euro për sezon me një bonus prej një milion eurosh për të zgjedhur stafin sipas dëshirave të tij.
Pritet që Juventusit t’i dalin telashe me kontratën e Benitezit, pasi që Liverpooli dëshiron 16 milionë euro për ta shkëputur atë, por drejtuesit e Juventusit besojnë se këtë mund ta bëjnë për një shumë të përgjysmuar.
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Wayne Rooney, ka deklaruar se fitorja e madhe e Unitedit në derbin lokal ndaj Manchester Cityt, ka shtuar besimin dhe urinë e Djajve të Kuq për të shkelur çdo gjë që udel përpara, në kohën kur Liga Premier ka hyrë në fazën e fundit të saj.
“Ishte një fundjavë e mrekullueshme. Të mposhtim Cityn në minutën e fundit ishte fantastike dhe më pas Tottenhami na bëri një nder duke e mposhtur Chelsean. Gara për titull është ende e hapur dhe tani është në mes nesh dhe Chelseat. Ne duhet t’i fitojmë tri ndeshjet tona dhe të shpresojmë se Chelsea do të dështojë diku”.
“Por, ne kemi besim. Fitorja ndaj Cityt definitivisht na ka ndihmuar dhe keni mundur ta shihni se çfarë domethënie kishte për ne pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit. Ne jemi të fokusuar për t’i fituar të nëntë pikët e tre ndeshjeve dhe këtë do ta bëjmë. Më pas, Stoke City, Liverpooli apo Wigani do të duhet të na e bëjë një nder. Do të ishim falënderues nëse kjo ndodh”, tha Rooney.
Sipas të gjitha gjasave, Bacary Sagna do të qëndrojë tek Arsenali edhe për sezonin e ardhshëm, pas deklaratës së agjentit të tij se ai nuk është kontaktuar nga Juventusi, por se këtë e ka bërë Interi.
“Për momentin nuk jam kontaktuar nga Juventusi. Interi? Nuk kam pasur kontakt direkt me ta, por më kanë thënë se ata janë duke kërkuar një lojtar në atë pozitë dhe se ata po mendojnë për Bacary Sagnan”.
“Nuk e di se çfarë do të ndodhë prej tani deri në fund të sezonit. Çfarë qëndron është se ai ka kontratë deri më 2014 me Arsenalin. Ai është shumë i lumtur në Londër dhe Wenger është i kënaqur me të”, tha Gregory van der Wiel për Calciomercato.
Mesfushori i Liverpoolit, Steven Gerrard, shprehet të jetë i bindur se ekipi i tij mund ta rikthejë deficitin prej 1-0 nga ndeshja e parë në Vicente Calderon, duke thënë se Atletico Madridi më mirë e ka të mos udhëtojë në Anfield.
“Ne jemi të zhgënjyer me rezultatin. Ideja ishte që të shkojmë dhe të shënojmë një gol si mysafir dhe të tentojmë të marrim një fitore”.
“Pas këtij rezultati ndoshta thoni se Atletico është favorit i lehtë. Por, ne i kemi tifozët në Anfield të cilët janë prapa nesh, kështu që nëse hy goli i parë do të jemi dëshmitarë të një erupsioni. Atletico më mirë e ka të mos vijë në Anfield’.
“Nuk është rezultati ideal, por nuk është as rezultati më i keq. Ne ndjejmë se mund ta rikthejmë atë, sepse gjëra të tilla kemi bërë dhe në të kaluarën”, tha Gerrard për faqen zyrtare të klubit.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka hedhur poshtë raportet se ai planifikon të pensionohet në fund të sezonit.
Mediat angleze së fundi spekuluan se skocezi do të largohet nga fusha e gjelbër në fund të sezonit dhe madje përmendën disa emra të mundshëm për ta pasuar atë, mes të cilëve menaxherin e Interit, Jose Mourinho dhe atë të Evertonit, David Moyes.
“Është një gënjeshtër e plotë. Nuk ka asgjë të vërtetë në të. Nuk kam synime të pensionohem dhe nëse do ta bëja, njerëzit të cilëve do t’u tregoja janë (drejtori ekzekutiv) David Hill dhe familja Glazer”, ka thënë Ferguson.
Klubi i Ligës Premier, Arsenali, është duke ndërtuar një bazë në vendlindjen e yjeve të futbollit, Brazil.
The Sun shkruan se menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është duke u përpjekur t’i joshë talentët më të mirë latino-amerikanë për të ardhur në Emirates pa para.
Stafi i topçinjve do të fluturojë për në Brazil muajin e ardhshëm për të vizituar akademinë Laranja Mecanica, shkollë kjo që është nën pronë të tre holandezëve.
“Ne jemi në një bisedë të zgjatur me Wenger. Ai është shumë entuziast”, ka thënë njëri nga pronarët, Arie Treffers.
Chicago Bulls i ka përballuar hovit të vonshëm të Cleveland Cavaliers për të shënuar fitore 108-106 dhe për të ngushtuar në 2-1 serinë e ndeshjeve të play-offit.
Një trepikësh i Mo Williams i shënuar kur kishin mbetur tre sekonda deri në fund të ndeshjes, ngushtoi në një pikë disavantazhin për Cavaliers, por Chicago më pas shënoi një gjuajtje të lirë ndërsa Anthony Parker huqi një gjuajtje nga gjysma e fushës për Cleveland në sekondën e fundit.
Derrick Rose shënoi 31 pikë për Bulls, derisa LeBron James 39 për Cavaliers.
Në Konferencën Perëndimore, Oklahoma City po ashtu ka ndaluar Los Angeles Lakers duke e mposhtur me rezultat 101-96 në ndeshjen e tretë të serisë prej shtatë ndeshjeve (2-1 për Lakers), derisa Phoenix Suns kanë marrë kontrollin e serisë (2-1 me ndeshje) me fitore 108-89 ndaj Portland Trail Blazers.
Sulmuesi i Sevillas, Luis Fabiano, thotë se ai dëshiron të luajë për kampionin e Anglisë, Manchester United.
29-vjeçari Fabiano ka marrëveshje me ekipin spanjoll deri në vitin 2011 dhe me siguri se do të larohet nga Sevilla gjatë kësaj vere. Braziliani vitin e kaluar ishte afër kalimit në Milan, por rosonerët nuk mundën të arrinin marrëveshje për shumën e dëmshpërblimit.
“Nëse më pyetni cilin klub më së shumi e admiroj, ai është Manchester United. Nëse luani nën drejtimin e Sir Alex Ferguson, atëherë sigurisht se do të fitoni titull ose ndonjë trofe tjetër të madh”, ka thënë Fabiano për Daily Express.
Fabiano ka të shënuar 90 gola në 187 paraqitje për Sevillan dhe do ta udhëheqë sulmin e Brazilit në Kupën Botërore në Afrikën e Jugut.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, thotë se ata nuk planifikojnë ta shesin sulmuesin Klaas-Jan Huntelaar.
Holandezi së fundi është lidhur me një kalim në kampionatin anglez, ku për të janë të interesuar një varg klubesh, përfshirë edhe Arsenalin dhe Manchester United.
Por pavarësisht komenteve të agjentit të lojtarit për një largim të tij, Galliani thotë se ai do të mbetet në San Siro.
“Milani nuk ka synime për të shitur Klaas-Jan Huntelaar”, ka thënë Galliani.

Interi raportohet se është afër ta mposhtë Real Madridin për të marrë shërbimet e mbrojtësit peruan të Fiorentinas, Juan Manuel Vargas.
Burime nga Peru bëjnë të ditur se Interi është në biseda të avancuara me drejtuesit e Violas rreth një marrëveshje transferimi të mbrojtësit të majtë në fund të sezonit.
Drejtori sportiv i Interit, Marco Branca, është në tentim për të zbritur çmimin prej 25 milionë eurosh që Fiorentina kërkon për Vargas, por është i sigurt se do të fitojë këtë garë ndaj Real Madrid dhe Juventus.
Përzgjedhësi i kombëtares së Italisë, Marcello Lippi, është duke e përkrahur Romën ta mposhtë Interin në luftë për Skudeton.
Megjithatë Lippi beson se Interi do të jetë në gjendje të kënaqë veten duke fituar Ligën e Kampionëve.
“E shoh Romën si favorit pasi ata kanë një pikë avantazh dhe ata varen nga vetvetja, jo nga të tjerët. Roma ka një sezon të jashtëzakonshëm dhe shumica e meritave i takojnë trajnerit Claudio Ranieri”.
“Që kur e ka marrë drejtimin e klubit më herët gjatë sezonit, Ranieri ka pasur një periudhë impresive dhe është simbol i këtij ekipi të Romës. Ai ka sjellë përvojë dhe njohuri. Mendoj se Interi është favorit për ët fituar Ligën e Kampionëve”, ka thënë Lippi.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, dëshiron të mbulojë klauzolën blerëse të kontratës së Angel Di Maria për të marrë shërbimet e yllit të Benficas.
Mesfushori argjentinas është cak i një vargu të klubeve evropiane, me Manchester City, Manchester United dhe Chelsea që kërkojnë ta transferojnë atë gjatë verës.
Perez po ashtu dëshiron ta transferojë Di Marian dhe burime nga Lisbona bëjnë të ditur se ai është i përgatitur të paguajë plot 50 milionë euro, sa shkruhet në klauzolën blerëse të tij, vetëm e vetëm për të fituar këtë garë.
Menaxheri i Sunderlandit, Steve Bruce, dëshiron ekipi tij të përfundojë në mesin e 10 ekipeve më të mira të Ligës Premier këtë sezon.
Bruce pranon se ekipi i tij ka vetëm një shans të arrijë qëllimin për këtë sezon, edhe atë duhet të shënojë fitore në udhëtim te Hull City gjatë vikendit.
“Kurrë nuk heq dorë nga shpresat se ne mund të arrijmë pozitën e 10-të pasi e di se mund të nxjerrim disa rezultate pozitive së bashku. Ende ka shumë, por e gjitha do të varet nëse do të fitojmë gjatë vikendit”, ka thënë Bruce.
Kapiteni Lorik Cana pritet të rikthehet për këtë ndeshje pasi mungoi në disa ndeshjet e kaluara për shkak të një lëndimi të lehtë në ijë.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka deklaruar se ata do të luftojnë për titullin e Ligës Premier sezonin e ardhshëm.
Për këtë sezon, City ende është duke luftuar për të siguruar pozitën e katërt të tabelës që dërgon në Ligën e Kampionëve.
“Të gjithë top-lojtarët dëshirojnë të luajnë në Ligën e Kampionëve, kjo gjë është normale. Nëse dëshironi të ndërtoni një ekip i cili vitin e ardhshëm dëshiron të fitojë Ligën Premier, duhet të siguroni top-lojtarë”.
“Në Evropë ka shumë top-lojtarë. Nuk e di nëse ata do të vijnë këtu për shkak se luajmë në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Mancini.
Portieri i Barcës, Victor Valdes, ka thënë se skuadra e tij do të bëjë gjithçka për të rikthyer dizavantazhin prej 3-1 nga ndeshja e parë ndaj Interit, duke shtuar se ekipit blaugran nuk i interesojnë fjalët e Jose Mourinhos.
Mourinho i kritikoi disa lojtarë të Barcelonës duke thënë se ata nuk dinë se si të pranojnë humbjen.
“Neve nuk na intereson Mourinho. Neve na intereson vetëm finalja. Ne nuk duam t’ia mbyllim dikujt gojën”.
“Nuk do të jetë lehtë të kualifikohemi, por ne besojmë se mund të krijojmë një natë tjetër magjike në Camp Nou”, ka thënë Valdes për Il Corriere dello Sport.
Sipas raporteve nga Italia, Juventusi është duke përgatitur një ofertë për Arsenalin, në të cilën përfshihet Felipe Melo si shkëmbim me sulmuesin e Arsenalit, Robin Van Persie.
Juventusi ka paralajmëruar revolucion gjatë verës pas sezonit katastrofal, ndërsa Van Persie gjendet në krye të listës së gjatë të dëshirave.
Për të arritur deri te holandezi, Zonja e Vjetër do ta shfrytëzojë Felipe Melon, për ta bindur Arsene Wengerin, pasi që siç dihet, Juve ia mori nga dora brazilianin verën e kaluar.
Sipas disa spekulimeve tjera, Gianluigi Buffon pritet të jetë gjithashtu pjesë e kësaj marrëveshje kur dihen kërkimet e gjata të Wengerit për një portier kualitativ.