Kampioni i La Ligës, Barcelona, ka bërë edhe një hap drejt mbrojtjes së titullit pasi, edhe pse me vështirësi, arriti ta mposhtë Sevillan me rezultat 3-2 në Ramon Sanchez Pizjuan.Barcelona ishte forca dominuese që nga fillimi i takimit. Një pasim elegant nga Maxwell, arriti ta shfrytëzojë për mrekulli Lionel Messi që shënoi lehtë pasi pranoi topin bukur me gjoks (5’).
Blaugranët dyfishuan epërsinë që në pjesën e parë, kur pas një pasimi të mirë të Xavit, Bojan Krkic u gjend më së miri para portës kundërshtare (28’).
Pjesa e dytë, ishte vërtetë fantastike. Në minutën e 56-të është Abdullae Konko ai që largohet nga loja pas kartonit të dytë të verdhë duke e lënë Sevillan pa një lojtar dhe duke lënë të kuptohet se takimi kishte përfunduar, veçanërisht pas edhe një goli të tretë nga mysafirët, të shënuar nga Pedro (62’).
Sidoqoftë, disa minuta më pas Fredi Kanoute u gjend mirë para portierit Victor Valdes, duke shënuar për të ngushtuar disavantazhin në 3-1. Befasitë nuk mbaruan me kaq. Pas një goditje dënimi, Didier Zokora pasoi bukur te Luis Fabiano që e la me gishta në gojë mbrojtjen e Barcelonës me golin e shënuar nga një goditjeje e ulët (71’).
Pavarësisht se ndeshja u bë më emocionuese, Sevilla ishte e pafuqishme të kthejë rezultatin në të mirë të saj, pasi me një futbollist më pak në fushë dhe me Guardiolën që bëri zëvendësim taktik, topi i takoi në shumicën e kohës Barcelonës.
Barcelona me këtë fitore gjendet si kurrë më parë pranë titullit, pasi kaloi pengesën më të vështirë dhe përsëri është lidere me një pikë më shumë se Reali që ‘copëtoi’ Athletic Bilbaon. Barcelona në javën e fundit takohet me Valladolidin në Camp Nou, sfidë që vështirë se mund të përfundojë me befasi. Reali në anën tjetër udhëton te Malaga.
Reali i Madridi ka shënuar fitore 5-1 në Santiago Bernabeu ndaj Atletic Bilbao për të vazhduar presionin ndaj Barcelnës edhe në javën e fundit të kampionatit spanjoll.Pas vetëm 20 minutash erdhi momenti kyç i ndeshjes kur mbrojtësi Amorebieta ndaloi me dorë një goditje të Gonzalo Higuan dhe arbitri përjashtoi lojtarin me karton të kuq dhe akordoi penalti për Realin. Cristiano Ronaldo nuk huqi për të çuar vendasit në avantazh.
Duke pasur epërsi numerike në fushë, Reali vazhdoi të dominojë në posedim, por mysafirët bënë befasinë duke barazuar pesë minuta para fundit të pjesës së parë. Numri 10 i Atletic Bilbaos, Yepes, u lejua të vrapojë nëpër fushë duke kaluar Ramos, Gago dhe Xabi dhe për të dërguar topin nëpër këmbët e Albiol dhe Arbeloa në portën e Casillas.
Me të filluar pjesa e dytë dhe me inkuadrimin e Kaka, Reali vazhdoi të kërkojë më me ngulm golin e avantazhit, i cili erdhi në minutën e 72-të të ndeshjes. Pas një harkimi të topit nga Xabi Alonso, portieri arriti të mbrojë një goditje të Benzema, por jo edhe një tjetër të Higuain.
Dhjetë minutat e fundit të ndeshjes sollën edhe tre gola për Realin, së pari një gol nga një goditje e fuqishme Sergio Ramos, që shpejt u pasua nga një tjetër i shënuar nga Karim Benzema. Marcelo vulosi rezultatin një minutë para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes.
Me fitoren e sotme Reali do të vazhdojë presionin në Barcelonën, që po sonte ka shënuar fitore të rëndësishme në fushë të Sevillas, për të mbajtur epërsinë prej një pike në maje të tabelës.
Në javën e fundit të kampionatit spanjoll, që zhvillohet të dielën e ardhshme, Reali do të udhëtojë në fushë të Malagas, ndërsa Barcelona pret në Nou Camp, Real Valadolidin.
Edhe pse me dy lojtarë më pak në fushë, Villarreali ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në El Madrigal duke mposhtur Valencian me rezultat 2-0, për t’iu afruar edhe pozitës që dërgon në Europa League.Derbi i dytë i La Ligës, u vulos që në pjesën e parë. Sulmuesi italian Giuseppe Rossi u gjend mirë pas një asistimi nga Edgar Cani duke hapur rezultatin pas vetëm 11 minutash lojë.
Nuk zgjati shumë dhe Angel asistoi për Llorenten, i cili shënoi për t’i dhënë avantazhin 2-0 ekipit vendas duke vulosur kështu edhe rezultatin përfundimtar të takimit (19’).
Valencia nuk ishte në gjendje të bëjë diçka më shumë në këtë sfidë, përkundër faktit se Villareali luajti me dy lojtarë më pak një pjesë të konsiderushme të takimit pas dy përjashtimeve të shpejta të Llorentes (72’) dhe Joan Capdevilas (73’).
Valencia ka siguruar pozitën e tretë dhe kualifikimin direkt në Ligën e Kampionëve disa xhiro më parë, ndërsa një javë pa përfunduar Kampionati spanjoll Villareali po lufton ‘kokë më kokë’ me Getafen për pozitën që dërgon në Europa League, pasi që të dyja ekipet kanë nga 55 pikë, por me Getafen që ka golaverazh më të mirë.
Ishte Claudio Ranieri ai që ditë më parë e quajti lojën dhe mentalitetin e Jose Mourinhos si ‘bombë ore’, kurse strategu i Interit është ai që ka shprehur dëshirën t’ia shpjegojë Ranierit se pse është shumë pranë fitimit të tri titujve.“Roma është dashur ta përfundojë ndeshjen e të mërkurës me gjashtë lojtarë, duke parë faktin se Mexes, Totti, Perrota, Taddei dhe Burdisso, merituan të përjashtoheshin, kurse ata më flasin për motivim të lojtarëve. Kjo bëhet kur stërvitesh ditë për ditë seancë pas seance. Kjo nuk arrihet nëse u jep futbollistëve të shikojnë një film horror para finales së Coppa Italia. Lojtarët janë profesionistë seriozë dhe jo fëmijë”, tha Mourinho për faqen zyrtare të Interit.
“Ne preferuam të punojmë në fushë dhe t’i studiojmë dobësitë e Romës në thellësi. Nëse do t’i detyroja lojtarët ta shikojnë “Gladiatorin” para ndeshjes, ata do të qeshnin me mua ose do të thërrisnin mjekun duke i thënë se jam i sëmurë. Para finales, unë i shikova gjashtë ndeshje të Romës për t’i parë pikat e dobëta, kam punuar 18 orë, nga tre për secilën ndeshje. Natyrisht, duke mos llogaritur dhe orët shtesë të shpenzuara mbi caktimin e formacionit. Natyrisht, është më lehtë të zgjedhësh një film dhe t’ua japësh futbollistëve ta shikojnë, por Ranieri duket se ka harruar që lojtarët e tij janë kampionë dhe jo fëmijë”.
“Unë kurrë nuk kam thënë se jam fenomen, por nuk jam fajtor pse më kanë angazhuar te Chelsea më 2004 dhe nuk jam fajtor pse i pyesja lojtarët se pse Ranieri nervozohej kur ata e përmendnin fitoren. Nuk është faji im”, ka shtuar strategu portugez.
Carlo Ancelotti ka deklaruar para javës së fundit dhe vendimtare në Ligën Premier se skuadra e tij duhet të mbetet e përqendruar, dhe nëse ata e humbin titullin, atëherë kjo do ishte një tragjedi.“Nuk dua të them se është fati ynë ta fitojmë titullin. Është synimi ynë ta fitojmë atë. Ne kemi bërë punë fantastike dhe kemi edhe një ndeshje për të fituar. Ne duhet ta bëjmë më të mirën, të kemi sjellje të mirë në ndeshjen e fundit. Deri tani, ne e kemi merituar qëndrimin në pozitën e parë”.
“Do të ishte tragjedi nëse e humbim titullin pas 10 muajve punë intensive, punë fantastike çdo ditë. Do të ishte një katastrofë”, deklaroi Ancelotti për Daily Mirror.
Bayern Munich edhe zyrtarisht është shpallur kampion i ri i Bundesligës pasi shënoi fitore me rezultat 3-1 ndaj Hertha Berlinit në ditën e fundit të kampionatit gjerman.Ivica Olic hapi rezultatin pas 20 minutash lojë, ndërsa vendasit arritën të barazojnë në pjesë të dytë me anë të Ramos (60’). Dy gola të shpejtë të Arjen Robben në 16 minutat e fundit të ndeshjes (74’ dhe 87’) vulosen fitoren e Bayernit.
Fitorja ishte e 20-ta e bavarezëve, që e përfundon sezonin me pesë pikë mbi Schalke, që barazoi pa gola në Mainz.
Nga ndeshjet tjera, Werder Bremen ka barazuar në fushë të Hamburg me rezultat 1-1 për të siguruar pozitën e tretë dhe të fundit që dërgon në Ligën e Kampionëve. Hannover ka shënuar fitore 3-0 në fushë të Bochum për ta dërguar këtë të fundit në ligën e dytë.
Ekipi ku aktivizohet kosovari Albert Bunjaku, Nuremberg, mposhti Kolnin me rezultat 1-0 dhe do të shkojë në playoff ku do të përballet me Augsburg, ekipin e tretë të ligës së dytë, në tentim për të luajtur edhe sezonin e ardhshëm në elitën e futbollit gjerman.
Sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, është emri më i ri që po lakohet nëpër mediumet spanjolle dhe italiane për një rikthim te Juventusi, skuadër të cilën e la më 2006 pas skandalit të Calciopolit.Sipas Tuttosport, presidenti i ri i Juventusit, Andrea Agnelli, është i gatshëm të nisë bisedimet me Joan Laportan, i cili sipas spekulimeve dëshiron t’i krijojë hapësirë David Villës, duke e larguar Ibrahimovicin, gjë të cilën e mohoi agjenti i Ibras ditë më parë.
Transferimi i Ibrahimovicit nuk do të jetë aspak i lehtë edhe pse Agnelli është i gatshëm të shpenzojë rreth 35-40 milionë euro për suedezin. Kjo për shkak se Laporta e transferoi Ibran për 45 milionë euro plus Samuel Eto’on dhe nuk duket të jetë i gatshëm ta lejojë atë të kalojë për pak para te Juve.
Për më shumë, paga vjetore e Ibras prej 12 milionë euro është një problem shtesë për Juventusin, pasi që Bianconerët nuk kanë mjete për të paguar një lojtar me çmim të tillë.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, shpreson që skuadra e tij ta mposhtë Sevillën në Ramon Sanchez Pizjuan dhe të përfundojë çështjen e titullit që sot.“E kam një parandjenjë se ne do të fitojmë sot dhe do të bëjmë një hap të madh në këtë drejtim kur do ta mposhtim Sevillan. Presioni është mbi Real Madridin. Unë kam besim të plotë në Athletic Bilbaon, sepse ata po luajnë për një vend në Europa League”.
“Një gjë është e sigurt, kushdo që do ta fitojë La Ligan, e meriton atë. Janë dy ekipe me stil të ndryshëm të lojës, por kushdo që do ta fitojë, e meriton atë”, tha Laporta.
Interi raportohet se është shumë pranë zgjatjes së kontratës me trajnerin aktual Jose Mourinho, me qëllim që ta mbajë atë sa më larg interesimit të Real Madridit.Il Corriere dello Sport shkruan se Massimo Moratti është i gatshëm të shpenzojë për të zgjatur marrëveshjen me strategun portugez deri në vitin 2013. Këtu do të përfshihej edhe rritja e pagës së Mourinhos me bonuset shtesë.
Sidoqoftë, nëse Mourinho vendos të largohet në fund të sezonit, ai mund ta shfrytëzojë një klauzolë në kontratën e tij, që në rast të largimit të tij do ta dënonte atë me 7 milionë euro.
Menaxheri i Anglisë, Fabio Capello dhe ai i Catanias, Sinisa Mihajlovic, janë lidhur me një kalim te Interi nëse Mourinho do të kalojë në Bernabeu te Real Madridi.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, thotë se nëse ai fiton dy trofetë këtë sezon, ky do të ishte edhe viti më i suksesshëm në karrierën e tij.Blutë nesër mund ta fitojnë Ligën Premier për të parën herë që nga viti 2006 nëse mposhtin Wigan Athetin në Stamford Bridge, ndërsa më 15 maj Chelsea do të përballet me Portsmouth në finalen e Kupës FA.
“Për shkak të golave që kam shënuar ky sezon edhe është një prej më të mirëve tashmë. Sezoni i kaluar ishte më i miri deri tash për shkak të mënyrës se si kam luajtur, por pastaj mendoni se sa e rëndësishme është të performoni në fund të sezonit”.
“Gjithmonë mbahen mend lojtarët të cilët kanë ndikuar shumë në ndeshjet e mëdha dhe kanë ndihmuar të fitohen ligat – si Wayne Rooney ose Thierry Henry. Andaj nëse fitojmë këtë sezon, atëherë do të them se për shkak të trofeve dhe golave ky sezon është më i miri i imi”, ka thënë Lampard.
Trajneri i Milanit, Leonardo, thotë se ai do të flasë për të ardhmen e tij vetëm pasi Milani të sigurojë pozitën e tretë në tabelën e Serie A.Mediat italiane shkruan së fundi se Leonardo mund të mos jetë më trajner i Milanit dhe mund të largohet që të dielën në mbrëmje, pasi rosonerët të përballen me Genoan. Por braziliani nuk dëshiron të flasë para se Milani të sigurojë pozitën e tretë.
“Nesër është një ditë shumë e rëndësishme, ne duam të përfundojmë debatin për Ligën e Kampionëve. Nuk mendoj se çfarë do të bëj pasi mendoj vetëm për detyrat e ekipit tash. Është vendimtare për ne të arrijmë objektivin tonë, vetëm pastaj do të flas për gjërat e tjera dhe për të ardhmen”, ka thënë Leonardo.
Mesfushori i Sunderlandit, Boudewijn Zenden, është pajtuar të vazhdojë për një vit qëndrimin e tij në Stadiumin e Dritave.Holandezi iu bashkua Maceve të Zeza si transferim i lirë në muajin tetor, ku erdhi nga Marseille së bashku me kapitenin Lorik Cana.
33-vjeçari kishte kushtëzuar klubin të luajë së paku 15 ndeshje këtë sezon për të nënshkruar marrëveshje të re, numër të cilin e kishte arritur që në mars. Sipas babait dhe agjentit të tij ai tashmë ka arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës.
“Kam qenë shumë i qartë deri tash se Boudewijn Zenden do të qëndrojë në Sunderland. Kontrata e tij shkruante se ai do të fitonte marrëveshje të re nëse luan 15 ndeshje. Ai i ka arritur këtë që në mars”, ka thënë babai i lojtarit për mediat holandeze.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, është i lumtur të llogaritë në aftësitë drejtuese të kapitenit John Terry.Ancelotti ka lavdëruar fuqinë mentale të Terryt, i cili mund ta përfundojë sezonin duke fituar Ligën Premier dhe Kupën FA, të cilën gjë kapiteni nuk e ka bërë më herët.
“Ai ka një karakter të fuqishëm. Në momente të vështira, ai kurrë nuk ndalon së përqendruari në stërvitje ose në lojë. Ai ka bërë disa gabime, por ka luajtur me vazhdimësi”, ka thënë Ancelotti.
Sipas mediave spanjolle, mesfushori i Real Madridit, Guti, është në prag të transferimit në radhët e Galatasarayt.Marca ka shkruar se veterani Guti sonte do ta zhvillojë ndeshjen e fundit në Santiago Bernabeu në fanellën e Real Madridit. Mesfushori që më herët kishte zbuluar planet për t’u larguar nga Reali dhe në prag të takimit përballë Barcelonës pranoi se ky do të jetë derbi i fundit për të.
Destinacioni i ardhshëm i Gutit pritet të jetë Galatasaray, pasi Frank Rijkard iu ka thënë drejtuesve të klubit se angazhimi i 33-vjeçarit do të jetë një prej prioriteteve këtë verë.
Marca shkruan se klubi turk do t’i ofrojë Gutit marrëveshje dyvjeçare dhe drejtuesit e Realit nuk do ta pengojnë atë, edhe pse lojtari ka edhe një vit marrëveshje me klubin spanjoll.
Guti ka kaluar 15 vite në Real duke zhvilluar 516 ndeshje. Ai ka fituar tre tituj të Ligës së Kampionëve, deri tash ka pesë tituj në La Liga, respektivisht 15 medalje gjithsej me fanellën e Realit.
Robert Pires ka pohuar se ai do të largohet nga Villarreali në fund të këtij sezoni.“Do të largohem shumë i lumtur që kam luajtur në ligën spanjolle para se të pensionohem dhe kam vetëm fjalë mirënjohje për këtë klub dhe për fansat. Jeta vazhdon dhe kështu është futbolli”.
“Ky është vendimi i klubit dhe e respektoj atë plotësisht. E dija se aventurës time në Villarreal do t’i vinte fundi një ditë. Për të ardhmen time, nuk e di ende. Tash jam i fokusuar të ndihmoj Villarrealin, pastaj do të shkoj në pushime dhe do të kem kohë të mendoj se në cilin ekip mund të luaj”, ka thënë mesfushori francez.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se rivali nga Londra Veriore, Tottenham, e ka merituar kualifikimin për në Ligën e Kampionëve.Wenger mendon se ekipi nga White Hart Lane e ka merituar pozitën e katërt pas fitoreve impresive ndaj Arsenalit dhe Chelseat në javët e fundit.
“Po sigurisht, Spurs janë në Ligën e kampionëve me meritë, kurrë nuk do të ishit aty nga rastësia. Ata na mposhtën neve, mposhtën Chelsean, dhe po ashtu pas një dëshpërimi të madh të humbjes në gjysmëfinale të Kupës FA”.
“Kur e mposhtni Arsenalin, e mposhtni Chelsean, e mposhtni Manchester Cityn, e meritoni atë”, ka thënë Wenger.
LeBron James ka shënuar 38 pikë për të ndihmuar Cleveland Cavaliers të shënojë fitore 124-95 në udhëtim te Boston gjatë të premtes, që ishte edhe humbja më e thellë e Celtics në play-off.Fitorja i jep Clevelandit avantazhin 2-1 në rundin e dytë gjysmëfinale të play-offit në Konferencën Lindore, ndërsa ndeshja e katërt zhvillohet të dielën në Boston.
Në Konferencën Perëndimore, Phoenix Suns është vetëm një fitore larg kualifikimin në finalen e Perëndimit pasi mposhti San Antonio Spurs me rezultat 110-96 edhe në takimin e tretë mes tyre.
Menaxheri i Olympique Marseille, Didier Deschamps, e ka lënë të hapur mundësinë për t’u rikthyer në Juventus.Deschamps udhëhoqi Juventusin në vitin 2006 në rikthimin nga Serie B në Serie A, dhe u largua pas një përplasje me bordin e klubit.
“Kurrë mos thuaj kurrë. Por për momentin e shoh veten mirë te Marseille dhe synoj të mbetem këtu. Benitez do të ishte një zgjidhje e mirë për Zonjën e Vjetër, si edhe Ranieri dhe edhe unë do të isha”, ka thënë Deschamps.
Olympiacos do të përballet me Barcelonën në finalen e garës evropiane në basketboll, Euroleague, pasi të dyja ekipet triumfuan në gjysmëfinalet e zhvilluara në Paris.Grekët patën vështirësi përballë Partizanit të Beogradit pasi kishin nevojë për kohën shtesë për të fituar 83-80 ndaj ekipit serb.
Në gjysmëfinalen tjetër, Barcelona bëri një paraqitje të fuqishme në mbrojtje për të mposhtur CSKA Moskën me rezultat 64-54.
Katalanasit kishin humbur dy herë nga ekipi rus në gjysmëfinale në vitet e fundit (2006 dhe 2009) por këtë herë arritën të shkojnë në finale të garës më të madhe evropiane për të parën herë që nga vitit 2003, kur e fituan trofeun në vendin e tyre.
Këshilltari i Florentino Perezit, Zinedine Zidane, ka thënë se për të La Liga këtë sezon do të ketë dy kampionë, për arsye se Real Madridi dhe Barcelona sipas tij kanë shfaqur paraqitje fenomenale duke shkruar historinë me pikët e arritura.“Është e mrekullueshme, pasi që aventura vetëm sa ka filluar. Ne jemi ende në të, një hedhje guri larg Barçës, vetëm një pikë prapa. Dy ndeshje kanë mbetur dhe distanca është minimale”.
“Edhe pse unë jam nga Real Madridi, mendoj se ajo çfarë kanë bërë të dyja ekipet do të shkruhet në histori. Për numrin e pikëve të arritura nga të dyja ekipet, nuk mendoj se ndonjëherë kanë luajtur më mirë. Për mua ekzistojnë dy kampionë”, është shprehur Zidane për Marca.
Presidenti i Bayern Munichut, Uli Hoeness, ka lëshuar një sulm drejt UEFA-së duke thënë se klubi i tij nuk ka as gjasa minimale për të apeluar vendimin e suspendimit të Riberys.Hoeness mendon se UEFA është e ngarkuar me italianë dhe kjo e ka bërë të veten në prag të ndeshjes finale të Ligës së Kampionëve.
“Në UEFA ka shumë italianë që kanë interesa të ndryshme. Arbitri që e përjashtoi Riberyn ishte italian dhe përreth njerëzve që kanë ndikim në UEFA, ka shumë italianë dhe asnjë gjerman”, ka thënë Hoeness.
Bayerni ka vendosur që çështjen Ribery ta dërgojë në gjykatën ndërkombëtare për arbitrim sportiv (CAS) dhe Hoeness është i sigurt se Riberys do t’i jepet rasti të luajë në finalen e madhe të Bernabeut më 22 maj.
















