Festa e Bluve. Pas fitores sensacionale prej 8-0 kundër Wigan Athletic, Chelsea është shpallur kampion i Anglisë me një pikë më tepër se Manchester United, që po ashtu shënoi fitore kundër Stoke Cityt. Nicolas Anelka shënoi për epërsinë e hershme të vendasve (6’), ndërsa Frank Lampard dyfishoi nga pika e bardhë (32’), për të vendosur rezultatin përfundimtar të pjesës së parë prej 2-0.
Në pjesën e dytë, Chelsea ishte skuadër dominuese, sidomos për faktin që Wigani luante me një lojtar më pak (pas përjashtimit të Gary Caldwell në minutën e 31-të). Salomon Kalou shënoi golin e tretë për ekipin nga Stamford Bridge (54’), ndërsa me një vole, Anelka realizoi golin e dytë personal në ndeshje dhe të katërtin për Blutë (57’).
Në këtë ndeshje nuk munguan as golat e Didier Drogbas, i cili shënoi het-trik (63’, 68’ dhe 80’), dhe me 30 gola shpallet golashënuesi më i mirë i Ligës Premier, me tre gola më shumë se Wayne Rooney. Në fund të ndeshjes (90’), i erdhi radha të shënonte edhe Ashley Cole, i cili vendosi rezultatin përfundimtar të takimit prej 8-0 në favor të ekipit vendas.
Pas kësaj fitoreje, Chelsea shpallet kampion i Anglisë për sezonin 2009/2010 me 86 pikë, një më shumë se kampioni nga sezoni i kaluar Manchester United. Veç tjerash, Blutë kanë thyer rekordin e golave të shënuar brenda një sezoni me 103 gola, ndërsa Drogba është fitues i Këpucës së Artë.
Wayne Rooney i dëshpëruar Përkundër fitores prej 4-0 kundër Stoke Cityt, Manchester United nuk ka arritur ta mbrojë titullin e kampionit të Ligës Premier, pasi që ky trofe i ka takuar Chelseat me një pikë më shumë.
Darren Fletcher shënoi për epërsinë e Djajve të Kuq (31’), ndërsa Ryan Giggs dyfishoi epërsinë (38’).
Golin e tretë në favor të ekipit nga Old Trafford e realizoi lojtari kundërshtar Danny Higginbotham, i cili shënoi në portën e vet (54’).
Rezultatin përfundimtar prej 4-0 e vendosi park në minutën e 84.
Me këtë fitore Manchester United mbyll Kampionatin në vendin e dytë me 85 pikë, një më pak se kampioni Chelsea.
Festa e lojtarëve dhe tifozëve të Newcastle United. Pas 38 javësh plot emocion dhe ndeshje interesante, kemi dhe emrat e të rënëve nga Liga Premier, por dhe emrat e atyre që do të rikthehen në Ligën Premier.
Newcastle United në mënyrë solide ka arritur të sigurojë rikthimin në Ligën Premier me 102 pikë të grumbulluara në tabelë dhe me vetëm 4 humbje në 38 ndeshje.
West Bromvich Albion është skuadra tjetër që kthehet në Ligën Premier me 91 pikë dhe me vetëm 7 humbje të pësuara gjatë gjithë sezonit. Emri i tretë që do të kualifikohet në Ligën Premier do të mësohet pas ‘play-offit’ mes Nottingham Forest, Cardiff City, Leicester City dhe Blackpool.
Në Ligën e dytë angleze janë zhvendosur tashmë që moti, Portsmouthi me 20 pikë, ndërsa Burnley dhe Hull përmbyllin sezonin me nga vetëm 30 pikë, duke kompletuar një sezon zhgënjyes për të tria këto skuadra. Megjithatë, Portsmouthi mund të fitojë trofe këtë sezon, pasi që në finale të FA Cup më 15 maj takohet me Chelsean.
Festa e Topçinjve Arsenali ka kryer me sukses ‘stërvitjen’ javore në Emirates, pas fitores së lartë prej 4-0 ndaj Fulhamit.
Fulhami nuk kishte arsye pse të përqendrohej në këtë duel, për arsye se gjendet në një pozitë te mirë në tabelë dhe gjithë vëmendjen e ka në finalen e Europa League që zhvillohet më 12 maj në Hamburg.
Dueli përfundoi në pjesën e parë. Andrey Arshavin kaloi në epërsi Arsenalin pas 21 minutash lojë. Pesë minuta më vonë, rezultatin e dyfishoi i rikthyer Robin Van Persie. Për 3-0 në pjesën e parë u përkujdes Baird që shënoi autogol.
Një sezon relativisht të mirë të Arsenalit e kompletoi Carlos Vela pas asistimit të Samir Nasrit (84’).
Arsenali e përfundoi sezonin me 75 pikë në pozitën e tretë të tabelës së Ligës Premier, me ç’rast ka siguruar kualifikimin direkt për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
Liverpooli nuk ka arritur ta mbyllë në mënyrën më të mirë këtë sezon, pasi që u ndal në një barazim pa gola nga skuadra që nga sezoni i ardhshëm do të garojë në League Championship.
Përkundër dominimit, The Reds nuk arritën të shënojnë në udhëtim, duke rrumbullakuar një sezon më shumë se të dështuar.
Liverpooli përfundoi në pozitën e shtatë në tabelë, me 63 pikë duke u kualifikuar kështu për sezonin e ardhshëm të Europa League.
David Lanzafame realizoi dy herë kundër Juventusit. Milani dhe Juventusi kanë pësuar disfata në xhiron e 37-të të Serie A, disfata të cilat mund të ndikojnë shumë në renditjen përfundimtare të këtyre dy skuadrave.
Një top të mirë të Fatic e pranoi Giuseppe Sculli që konvertoi pasimin në gol (57’), për fitoren minimale të gjenovasve.
Sezoni katastrofal i Juventusit është duke u plotësuar edhe me humbjen e 14-të, kësaj radhe ndaj Parmës në Olimpico të Torinos.
Del Piero fillimisht kaloi në epërsi Juventusin pas 16 minutash lojë. Vetëm pas katër minutash lojë David Lanzafame barazoi rezultatin. Hernan Crespo asistoi Lanzafame që shënoi golin e dytë të Parmës në këtë sfidë (40’).
Fitoren e madhe të parmanëve e vulosi Biabiany në minutën e 84. Ndërkohë që Vicenzo Iaquanta vetëm sa e ngushtoi epërsinë në 2-3 në minutat shtesë.
Me këto disfata, Milani rrezikon pozitën e tretë në tabelë që dërgon direkt në Ligën e Kampionëve, ndërsa Juventusi mund të përshëndetet edhe nga Europa League.
Gianpaolo Pazzini realizoi golin e Sampdorias. Palermo ka arritur të nxjerrë një barazim në shtëpi ndaj Sampdorias, për të vazhduar edhe për një javë luftën për pozitën e katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve.
Në pjesën e parë u zhvillua një lojë e ‘vdekur’ pa raste dhe pa konkretizime tjera.
Ndeshja mori kah tjetër në fraksionin e dytë. Gianpaolo Pazzini shndërroi në gol një penalti (54’) për epërsinë e Sampdorias.
Festën e Sampdorias e shtyu sulmuesi më i mirë i Palermos, Fabrizio Miccoli, që shënoi po ashtu nga penaltia për 1-1 (68’).
Sampdoria ka 64 pikë dhe është në pozitën e katërt, dy më shumë se Palermo në pozitën e pestë dhe tre më pak se Milani në pozitën e tretë, një javë para përfundimit të Kampionatit italian.
Heroi i Romës, Francesco Totti. Roma ka shënuar fitore prej 2-1 përballë Cagliarit, për të mbajtur gjallë shpresat për ndonjë dështim eventual të Interit në javën e fundit të Kampionatit italian.
Giallorossët pësuan gol në minutën e 73-të pas golit të Andrea Lazzarit, mirëpo arritën shumë shpejtë që ta rikthejnë rezultatin në favor të tyre.
Ishte kapiteni legjendar Francesco Totti që realizoi dy herë (79 dhe 83’) për të shpresuar që në javën e fundit, Interi të dështojë si mysafir i Sienas dhe Roma të fitojë përballë Chievos.
Interi ka shënuar fitore pre 4-3 ndaj Chievos, megjithatë titulli do të vendoset në javën e fundit, duke qenë se edhe Roma ka shënuar fitore.
Nerazzurrët u gjetën në disavantazh pas një gabimi të Samuel dhe Motta, me ç’rast topi përfundoi në rrjetin e Julio Cesar (12’). Mirëpo nuk kaloi as një minutë, dhe mysafirët kthyen favorin duke shënuar në portë të vet, ndërsa ‘realizues’ ishte Andrea Mantovani.
Për epërsinë e parë të zikaltërve shënoi Esteban Cambiasso (34’), ndërsa Diego Milito vendosi rezultatin e pjesës së parë prej 3-1 (39’).
Në minutat e para të pjesës së dytë (52’), Mario Balotelli shënoi golin e katërt të Interit, ndërsa pas një ore lojë (60’) Pablo Granoche ngushtoi rezultatin në 4-2.
Për ta bërë ndeshjen më dramatike u përkujdes Sergio Pellissier, i cili ngushtoi edhe më shumë epërsinë (75’).
Deri në fund të ndeshjes nuk pati gola të tjerë, ashtu që Interit i mbetet edhe pengesa e vetme, Siena, në javën e fundit të Serie A për t’u shpallur sërish kampion i Italisë.
Mark Webber është fituesi i Çmimit të Madh të Spanjës, duke u ngjitur në pozitën e tretë në renditjen e ngasësve të Formulës 1, pas garës së parë të fituar këtë sezon.
Webber dominoi në këtë garë dhe pa kurrfarë problemi doli i pari në cak. I dyti u rendit spanjolli Fernando Alonso që shfrytëzoi një dalje nga pista të britanikut Lewis Hamilton një xhiro para përfundimit të garës.
Sebastian Vettel gjithashtu u ngjit në podium si i treti, kurse befasia e ditës është shtatë herë kampioni i Formulës 1, Michael Schumaher, që ka filluar t’i ‘tregojë dhëmbët’ duke dalë në pozitën e katërt.
Kampioni aktual Jenson Button nuk arriti më shumë se pozitën e pestë dhe kështu lejon që Fernando Alonso të ngjitet në krye të renditjes së ngasësve.
Real Madridi është i gatshëm të testojë Barcelonën për superyllin Lionel Messi, me një shumë rekorde prej 140 milionë eurosh.
Sipas The Mirror, kjo do të ishte një marrëveshje shokuese për botën e futbollit përderisa Real po provokon rivalin e përbetuar, për lojtarin më të mirë. Los Blancos tashmë kanë thyer të gjitha rekordet kur transferuan Cristiano Ronaldon për 94 milionë euro.
Plani origjinal kishte të bëjë me një ofertë prej 120 milionë eurosh, që është dhe klauzola në kontratën e Messit. Kjo ofertë do të duhej të bëhej në finalen e madhe të Bernabeut, por pas eliminimit të Barcelonës, planet e Florentino Perezit ndryshuan. Megjithatë, është çështje javësh kur Real Madrid do të lansojë një ofertë për futbollistin më të mirë në botë.
Wayne Rooney tashmë ka filluar të mendojë për sezonin e ardhshëm, pasi që kërkon një sulmues të ri, për të ndërtuar sipas tij bilancin e duhur në fazën ofensive.
“Nëse do të mund të sjellim dy emra të mëdhenj atëherë kjo do të na jepte rastin për ta kthyer titullin sezonin e ardhshëm nëse Chelsea e fiton atë. Nëse shikoni në ekipin e vitit 1999, që fitoi tre tituj, të gjithë sulmuesit e asaj kohe ishin të aftë për të shënuar. Tani jam unë, Berbatov dhe Owen. Është edhe Macheda gjithashtu, por nëse ne do të mund të marrim dhe një sulmues tjetër, atëherë kjo do të na sillte bilancin e duhur”.
“E ardhmja ime? Nuk largohem nga Old Trafford. Kam edhe dy vite në kontratën time dhe mendoj se do ta zgjas atë pas Botërorit. Largimi i Ronaldos? Natyrisht, pas largimit të Ronaldos kam pasur përgjegjësi shtesë dhe e kam ditur se duhet të shënoja më shumë gola”, tha Rooney.
Agjenti italian Ernesto Bronzetti pret që Real Madridi të kërkojë gjatë verës trajnerin e Interit, Jose Mourinho.
Mourinho vazhdon të mbetet ende një emër i lakuar për postin e trajnerit të Realit, përkundër mbështetjes së treguar për Manuel Pellegrinin.
“Nëse Reali dëshiron një trajner për sezonin e ardhshëm, atëherë duhet të kërkojë më të mirin dhe sigurisht se do ta kërkojë Mourinhon, që është më i miri. Massimo Moratti do të duhet të përpiqet shumë që ta mbajë portugezin në Meazza”, tha Bronzetti.
Ernesto Bronzetti është njeriu që para më shumë se një viti kishte parashikuar transferimin e Cristiano Ronaldo dhe Ricardo Kaka te Real Madridi, gjë që për atëkohë dukej e pabesueshme, por që më vonë doli të jetë e vërtetë.
Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano, ka lansuar një sulm mbi kapitenin legjendar të Romës, Francesco Tottin, për veprimet e këtij të fundit ndaj sulmuesit të Interit, Mario Balotelli.
“Ishte një gjest i papranueshëm që tregon dhe korrespondon me problemet dhe me dhunën në futbollin italian”.
“Ka forma të ndryshme të grumbullimit të bazave të tifozëve të cilat shpërthejnë në dhunë. Sot ata shihen nëpër stadiume, kush e di ku mund të shkojnë nesër. Ky është një fenomen brengosës, kurse klubet duhet të reagojnë më fortë”, theksoi presidenti i Italisë.
Sir Alex Ferguson ka zbuluar se frika më e madhe e tij nuk është nëse Manchester United do ta humbë titullin e 19-të, por se a do ta mbajë atë shëndeti.
“Unë kam besim në vetvete dhe nuk do të ndryshoj së qeni ky që jam, unë vetëm shpresoj që shëndeti im të jetë i mirë. Si 68-vjeçar, kur shkoj të fle natës, gjithçka që dua është të zgjohem në mëngjes. Në tre vitet e fundit, tre nga katër bashkëpunëtorët e mi kanë vdekur, të gjithë në të gjashtëdhjetat. Unë kam qenë në funeralet e tyre, natyrisht falë Zotit. Nuk mund të punoni nëse nuk jeni të shëndetshëm”.
“Zëvendësimi im? Këtij klubi i duhet një menaxher i suksesshëm, një njeri që di të menaxhojë me një skuadër të tillë. Megjithatë, mendoj se ai nuk do të mund të fitojë tituj pa bërë dy vite në stolin e United. Por, ka të tillë që mund ta bëjnë këtë”.
“Titulli? Kam shpresë te Wigani dhe besoj se sot do të ndodh çudia. Shpresa vdes e fundit”, deklaroi Ferguson.
Barcelona ka mposhtur Sevillan në derbin e javës së parafundit në La Liga me rezultat 3-2, fitore që ua rrit gjasat Blaugranëve që në javën e fundit me një fitore ndaj Valladolidit ta fitojnë titullin në Camp Nou.
“Ne e kemi ditur se do të jetë e vështirë sonte (e shtunë), por kemi bërë një hap të madh drejt qëllimit tonë. Ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse ndeshja ndaj Valladolidit do të jetë shumë e vështirë”.
“Ne e patëm kontrollin në sfidë, por ne u dhamë jetë atyre me ato dy gabime. Ky është futbolli spanjoll. Ne duhet të përgatitemi mirë për Valladolidin”, deklaroi Alves për AS.
Real Madridi ka dështuar të marrë kryesimin e La Ligas edhe pas javës së parafundit, duke lënë kështu që titulli të vendoset javën e fundit, me anësorin e Real Madridit, Sergio Ramos që thotë se do ta përgëzonte Barcelonën nëse do të grumbullonte 99 pikë.
“Qëllimi ynë është që të bëjmë 98 pikë. Gjithçka që mund të bëjmë më pas është ta përgëzojmë Barcelonën”.
“Gara për titull ende nuk ka përfunduar. Ne luajtëm për mrekulli ndaj Athletic Bilbaos dhe shpresuam se Sevilla do të shënonte në fund. Ne jemi të kënaqur me rezultatin final, por është pikëlluese që Barcelona fitoi në Sevilla. Ishte e pamundshme të mos mbanim një sy në atë takim”, deklaroi Ramos.
Përkundër fitores së rëndësishme ndaj Sevillas, Pep Guardiola nuk preferon të fillojë që tani festimet për titull, pasi që mendon se skuadra e tij ende nuk e ka fituar atë, por është shumë pranë që ta bëjë këtë.
“Fat i madh është për ne që varemi tani nga vetvetja, por ne duhet të fitojmë fundjavën e ardhshme sepse Valladolidi po lufton për mbijetesë dhe duke e njohur Javier Clementen (trajnerin e Valladolidit), mund të them që do të jetë takim i vështirë”.
“Ne duhet të themi se titulli ende nuk është fituar. Ne kemi bërë një hap të madh, por duhet të djersitemi dhe të vrapojmë mirë para se ta fitojmë titullin. Ndodh që në futboll të ndodhë ajo që na ndodhi neve dje. Sidoqoftë, nuk dua të analizoj sfidën ndaj Sevillas sepse ne u treguam si luhet futbolli, ndërsa ata patën pak raste”.
“Bojan ka mundur të shënojë për 4-0 ose 5-0, por brenda pesë minutave, gjërat u komplikuan, edhe pse më pas ne e kontrolluam mirë lojën. Ne e kemi ditur se një barazim do të na linte jashtë garës për titull”, tha Guardiola pas ndeshjes.
Sipas trajnerit të Real Madridit, Manuel Pellegrini, skuadra e tij edhe nëse nuk e fiton titullin, ka se për çfarë të mburret, duke thënë se skuadra e tij ka arritur të shënojë mbi 100 gola dhe të jetë ekipi me më së shumti gola të shënuar në Kampionat.
“Ekipi u ndje i frikësuar dhe pa moral në një moment. Ne kemi edhe një ndeshje, shpresuam në Sevillan, por Valladolidi ka për çfarë të luajë kur të vizitojë Barcelonën në javën e ardhshme. Ne do ta mbajmë presionin deri në fund”.
“Ne e kemi ditur se ndeshja e Barcelonës ndaj Sevillas do të ishte më e komplikuar se ajo ndaj Valladolidit, por kurrë nuk i dihet. Ne duhet të mbajmë shpirtin dhe të luftojmë deri në fund. Shpresa vdes e fundit”.
“Ne kemi përmbyllur një sezon fantastik në Bernabeu. Ne fituam 18 nga 19 ndeshjet në atë stadium dhe shënuam 60 gola… Kjo është më shumë se tre gola për ndeshje. Në përgjithësi tani kemi shënuar më shumë se 100 gola. Statistikat janë këtu. Ne jemi ekipi me më së shumti gola të shënuar”, përfundoi Pellegrini.
Manchester City është shumë pranë që ta lirojë nga shërbimet anësorin Craig Bellamy, për ta transferuar atë te Tottenhami për një shumë prej 6 milionë funtesh, për shkak të marrëdhënieve jo të mira me menaxherin Roberto Mancini.
Bellamy ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij me metodikën e punës së Mancinit dhe për këtë arsye ky i fundit dëshiron ta lë uellsianin të largohet gjatë verës. Bellamy është parë hapur pas ndeshjes që City e humbi ndaj Tottenhamin, ta përgëzojë menaxherin e Spursave, Harry Redknapp.
Ishte pikërisht Redknapp ai që verën e kaluar tentoi ta transferojë atë, para se të dalë në skenë Manchester City që e transferoi nga West Hami për 12 milionë funte. Megjithatë, për shkak të pagës së lartë të Bellamy, Tottenham do ishte në gjendje të paguante vetëm 6 milionë funte për të.
Craig Bellamy ka qenë në një formë të mirë këtë sezon, duke bërë që City bashkë me të dhe Adam Johnsonin të aplikojë lojën nga krahu.
Frank Lampard këmbëngul se Liga Premier është më e fortë se kurrë, duke thënë se Chelsea është duke e prekur trofeun, por nuk dëshiron të flasë para se ta fitojë titullin e parë pas katër vitesh.
“Ky është pozicioni në të cilin kemi dashur të jemi. Disa njerëz kanë thënë se Kampionati anglez është dobësuar, por unë nuk mendoj kështu. Kampionati është përmirësuar, sepse klubet nga mesi dhe nga fundi i tabelës janë duke luftuar më shumë dhe janë më të organizuara”.
“Është parë se ishte më vështirë për klubet e mëdha të fitojnë rregullisht çdo javë dhe nëse e fitojmë vetëm edhe një ndeshje, atëherë do të ishte një arritje e madhe për shkak të rrethanave. Të fitosh Kampionatin nuk është dhe aq e lehtë për arsye se jo shpesh ndodh që sezoni të jetë i ngushtë gjatë gjithë kohës”.
“Po luftojmë me ekipe, si Manchester United, Arsenal, Liverpool dhe Manchester City. Ne kur kemi qenë të dobët në moral, kemi vazhduar së luftuari”, përfundoi Lampard.
Marco Van Basten ka pranuar se është duke e shqyrtuar mundësinë për të marrë në drejtim skuadrën e Milanit, ndërsa thotë se për Rossonerët e ka në plan të mendojë kur të përfundojë sezoni.
“Për momentin nuk mund të them asgjë, nuk mendoj se tani është koha e duhur për të folur për këto gjëra. Milani është duke luajtur ende në Serie A. Askush nuk më ka kontaktuar edhe pse e pranoj, është shumë ndjenjë e mirë të flas për këtë çështje”.
“Për çdo rast them se unë vetëm kam ardhur në Milano dhe nuk mendoj se tani është koha e duhur të flasim për këtë. Unë do të mendoj për të ardhmen time vetëm kur Milani të sigurojë pozitën e tretë”, tha Van Basten menjëherë pas aterrimit në Malpensa të Milanos, qytet në të cilin holandezi thotë se do të qëndrojë për punë private.
Mbrojtësi i Interit, Marco Materazzi, i është kundërpërgjigjur deklaratave të presidentes së Romës, Rosella Sensi, që tha se Interi duhet të ketë turp për fitoren ndaj Lazios. ‘Matrix’ tha se pikërisht Sensit duhet t’i vijë turp për çfarë lojtarë ka.
“Është presidentja e Romës ajo që duhet t’i vijë turp”, theksoi Materazzi në një intervistë për Inter Channel.
“Ajo na akuzoi se jemi arrogantë, por në vend të kësaj asaj duhet t’i vijë turp për sjelljet e ekipit të saj në fushë”, shtoi Materazzi.