Kandidati për zëvendëspresident të Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ka hedhur ‘zjarr në benzinë’ me pohimet e tij se Cesc Fabregas mund të transferohet shumë lehtë, duke përbuzur kështu Arsenalin.
Bartomeu që do të jetë përkrahës i Sandro Rosell në zgjedhjet presidenciale të Barcelonës, ka bërë këto komente përkundër faktit se Arsenali ka refuzuar një ofertë prej 29 milionë funtesh për kapitenin.
“Një lojtar që u prodhua në akademinë tonë, që ka thënë publikisht që dëshiron të vijë te Barcelona, që ia ka thënë këtë trajnerit të tij dhe që mund të llogarisë në mbështetjen e Guardiolas, duket të jetë aq i lehtë për t’u transferuar, për këdo që do hyjë në bisedime, që të gjejë veten dhe të arrijë marrëveshjen”.
“Të gjithë lojtarët kanë një çmim, por ne nuk mund vlerësojmë cili është çmimi i Cesc Fabregasit, sepse ne mund të ndërhyjmë në një marrëveshje që është duke u menduar aktualisht. Çmimi i lojtarit është në lidhje të drejtpërdrejtë me vitet e mbetura në kontratë, por në këtë rast, era po fryen në favor tonin”, deklaroi Bartomeu.
Kampioni i Botës në fuqi, Italia, është mposhtur nga Meksika në sfidën miqësore të zhvilluar në përgatitje për Botërorin e sivjetmë, me rezultat 2-1.
Meksika ishte diç më e mirë në periudha të ndryshme të takimit, por të paktën ishte më konkrete. Carlos Alberto Vela zhbllokoi rezultatin, kur i iku një gracke të ofsajdit për të shënuar për 1-0 dhe epërsinë e Meksikës (17’). Rezultatin e dyfishoi Alberto Medina me një gol të bukur (84’), ndërsa golin e nderit për Italinë e pafuqishme e shënoi Leonardo Bonucci (88’).
Kjo fitore bën mirë për Meksikën para Botërorit të sivjetmë, pasi që ka luajtur ndaj favoritëve më të mëdhenj, duke u përgatitur mirë para kompeticionit. Italia, që është dhe kampion i botës, nuk është befasia më e madhe, kur dihen zgjedhjet e Lippit në formacionin Azzur.
Ashtu sikurse ndaj Arabisë Saudite, ashtu edhe ndaj Koresë së Jugut, Spanja ka arritur të shënojë fitore në çastet e fundit të takimit, në miqësoren tjetër përgatitore para Botërorit.
Spanja dominoi gjatë gjithë takimit si me posedim të topit ashtu dhe me raste, por pa konkretizime. Është dashur që një gol nga distanca i Jesus Navas (86’), të vulosë fatin e këtij takimi, si gol i parë dhe i vetëm i sfidës. Ishte ky goli i parë i Navas në fanellën e Spanjës.
Kjo fitore për Spanjën nuk është asgjë pos një statistikë në letër, pasi që paraqitjet e tilla si ndaj Arabisë Saudite ashtu dhe ndaj Koresë së Jugut nuk garantojnë sukses në Botëror. Megjithatë, është edhe ana pozitive, që ka të bëjë me shpirtin luftarak dhe mos dorëzimin deri në momentin e fundit.
Presidenti i Genoas, Enrico Preziosi, i ka thënë mediumeve italiane se klubi që është nën drejtimin e tij është shumë pranë transferimit të sulmuesit të Romës, Luca Toni.
“Nëse Toni transferohet, dhe kjo tashmë është 80% punë e kryer, atëherë ai do të shënojë më shumë se Diego Milito”.
“Nëse marrëveshja nuk do të arrihet, atëherë do të mendojmë për Julio Baptistan”, deklaroi Preziosi për Radio Radio TV.
Lionel Messi është kurorëzuar me trofeun “Alfredo Di Stefano”, që u ndahet futbollistëve më të mirë të sezonit në La Liga, duke përfunduar kështu midis Madridit para Cristiano Ronaldos.
Messi kishte përfunduar sezonin si golashënuesi më i mirë në La Liga dhe si fitues i Këpucës së Artë evropiane, ndërsa ky është trofeu i dytë me radhë “Alfredo Di Stefano’, kësaj radhe me 34 vota, para Cristiano Ronaldos që grumbulloi 26 të tilla.
Në vendin e tretë u rendit Xavi Hernandez me 15 vota, kurse i katërti me katër vota u klasifikua Gonzalo Higuain.
Wesley Sneijder Mesfushori kreativ holandez, Wesley Sneijder, ka deklaruar se ai është i uritur për më shumë tituj, pas suksesit me skuadrën e tij Inter sezonin e fundit, ndërsa është në përgatitje të Botërorit me kombëtaren e Holandës.
“T’u them të drejtën, nuk jam i lodhur, sezoni i suksesshëm prapa meje më jep energji të re. Është vërtet kënaqësi të marr me vete tre tituj në kombëtaren holandeze, ndërsa jam i uritur për më shumë. Në Euro 2008 ne treguam se jemi në gjendje ta fitojmë titullin. Ne u eliminuam shumë pa lidhje. Nuk duhet të ndodhë përsëri. Ne kemi mësuar nga gabimet”.
“Ne tashmë i kemi treguar botës se jemi në gjendje ta fitojmë titullin. Holanda mund të mposhtë secilin ekip. Ne duhet të sigurohemi që të mos befasohemi përsëri. Ne nuk mund të lejojmë të shpërqendrohemi”, deklaroi Sneijder.
Interi ka këmbëngulur se nuk është prapa largimit të Rafa Benitezit nga posti i menaxherit të Liverpoolit.
Benitez pritet të bëhet trajner i ri i Interit, pasi që tashmë edhe zyrtarisht ai nuk është më menaxher i Liverpoolit. Megjithatë, një burim i skuadrës Nerazzure ka thënë për La Gazzeta dello Sport se Interi nuk ka gisht në largimin e Benitezit nga Anfield.
“Është e qartë që ne nuk jemi prapa kësaj. Kjo është çështje e Liverpoolit. Por është fakt. Ne nuk po nxitohemi për të gjetur trajnerin e ri. Ne nuk kemi kontaktuar ende me asnjë dhe nuk tentojmë t’i kontaktojmë ata që janë nën kontratë. Nëse Benitez shfaqë interesim për pankinën e Interit, atëherë ai do të bëhej njëri nga kandidatët, por jo i vetmi”, theksoi burimi.
Agjenti i Angel Di Maria është në Spanjë për të finalizuar transferimin e parë të trajnerit të ri të Real Madridit, Jose Mourinho.
Mourinho ishte pyetur dje (e mërkurë) për transferimin e argjentinasit, por refuzoi të pohojë apo të mohojë interesimin. Sidoqoftë, AS pohon se agjenti i Di Marias, Jorge Mendes, që gjithashtu është agjent i Jose Mourinhos, ka shkuar në Madrid për të finalizuar transferimin me zyrtarët e Realit.
Mendes është takuar edhe me drejtorin e Real Madridit, Jorge Valdano, para se të largohej me automjetin e tij pa u prononcuar për gazetarët.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho. Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka pranuar se ai kishte vendosur të largohej nga Interi tre muaj më parë.
“Tre muaj më parë e kuptova që futbolli italian nuk është për mua dhe pas dy vitesh vendosa të ndryshoja”.
“Kur agjenti më tha se Real Madridi mund të jetë opsion, atëherë e dita që do të ishte e përkryer. Real Madridi është klubi më i madh, por tani ata janë pak të frustruar”.
“Unë kam ardhur për të përmirësuar një ekip dhe kjo më pëlqen. Nuk më pëlqen të shkoj në një klub për të vazhduar një projekt. Preferoj të krijoj një ëndërr të re”, deklaroi Mourinho.
Samanta Stosur Samantha Stosur ka arritur të kualifikohet në finalen e madhe të French Open, pasi mposhti bartësen e katërt, serben Jelena Jankovic, ndërsa nga ana tjetër, italiania Francesca Schiavone përfitoi nga dorëzimi i Elena Dementievas, për të arritur në finalen e parë ‘grand slam’ në karrierën e saj.
Australiania 26 vjeçare, që kishte eliminuar më parë favoritet si Justine Henin dhe Serena Williams, ka ‘djegur’ serben Jelena Jankovic në një duel që zgjati vetëm një orë, e që përfundoi me rezultat deklasues, 6-1 dhe 6-2.
Francesca Schiavone bëhet italiania e parë që ka arritur të kualifikohet në një finale të një ‘grand slam’ turneu, pasi përfitoi nga dorëzimi i ruses Elena Dementieva, që pas setit të parë të humbur prej 7-6, hoqi dorë nga takimi për shkak të një lëndimi.
Finalja e French Open në konkurrencën e femrave, Stosur – Schiavone, zhvillohet të shtunën.
Liverpooli ka konfirmuar edhe zyrtarisht se menaxheri Rafael Benitez do të largohet nga posti i kryetrajnerit të The Reds, me dëshirë të të dyja palëve.
Zyrtarët e klubit janë tejet të hidhëruar në Benitezin për shkak të sezonit të dështuar, ndërsa kontratën e tij pesëvjeçare të vlefshme prej 16 milionë funtesh, do ta kompensojnë me një shumë prej 3 milionë funtesh. Liverpooli është vënë menjëherë në kërkim të pasuesit të teknikut spanjoll.
“Zotëri Benitez është larguar nga pozita e tij si menaxher i ekipit, pas gjashtë vitesh, ndërsa klubi dëshiron t’i bëjë falënderimet më të mëdha për shërbimet e tij dhe t’i dëshirojë çdo të mirë në karrierën e tij në të ardhmen”, shkruan në komunikatën e lëshuar në faqen zyrtare.
“Është shumë pikëlluese për mua që të bëj të ditur se unë nuk do të jem më menaxher i Liverpoolit. Unë do të doja të falënderoja gjithë stafin dhe lojtarët për mundin e tyre. Unë nuk gjej fjalë se si t’iu falënderoj për këto vite të kaluara dhe jam krenar të them se kam qenë menaxheri juaj. Ju faleminderit shumë dhe mos harroni: ‘You’ll never walk alone’ (motoja e Liverpoolit)”, u shpreh Benitez pak pas konfirmimit.
Juventusi është i gatshëm ta shesë qendërmbrojtësin, Giorgio Chiellini, te Real Madridi ose Manchester City, të cilët janë duke garuar kokë më kokë për firmën e italianit.
Tuttosport shkruan se Chiellini është më pak se i kënaqur me pagën e tij prej 2 milionë eurosh për sezon, përderisa superyjet tjerë fitojnë më shumë.
Ai po pret që të negociojë me klubin, por interesimi i Real Madridit dhe Cityt mund ta bindë klubin për ta shitur atë.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, ka lëvduar transferimin e sulmuesit të Flamengos, Adriano, duke thënë se Roma do të jetë larg më e fortë me ‘perandorin’ brazilian.
“Unë pres një Romë më të fortë, sepse kemi pasur një sezon të përkryer. Ne e dimë se ku duhet të intervenojmë dhe ne do të tentojmë t’i akomodojmë ata të cilët duan të largohen. Sa për Adrianon, jam i lumtur për transferimin e tij. Roma mund t’i ndihmojë atij të ringjallet”.
“Unë nuk do të shëtitem vërdallë natën me gramafon, duke thirrur lojtarët e mi të kthehen nga kafenetë. Adriano është 28-vjeçar dhe ai mund të menaxhojë stilin e tij të jetës. Unë jam bosi në fushë, pas ndeshjes, lojtarët e mi janë të lirë të bëjnë çfarë të duan”, deklaroi Ranieri.
Sipas El Mundo Deportivo, Carlo Ancelotti është takuar me sulmuesin e Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, në tentim për ta bindur atë të shkojë te Chelsea.
Që të dy të lartpërmendurit kanë shkuar për pushime në Miami të Floridës. Kjo duket të jetë koincidencë, por raporti në gazetën katalanase flet për një bisedim transferimi.
Ibrahimovic është duke u lidhur edhe me Manchester Cityn, por Chelsea është opsion më i mirë për të, për shkak të Ligës së Kampionëve.
Mesfushori anglez Steven Gerrard ka thënë se strategu Fabio Capello, i ka sjellë kombëtares angleze mentalitet fitues.
“Që prej se Capello erdhi në krye, ka pasur ndryshime. Unë mendoj që secili lojtar ka thënë se ishte e vështirë të luash për kombëtaren disa vite më parë për shkak se presioni ishte i madh. Capello na ka dhënë besimin dhe mentalitetin fitues”.
“Unë mendoj se mund të dalim nga grupi si fitues dhe më pas t’i hyjmë edhe sfidës së 1/8 së finales. Unë nuk dua të shkoj më larg, por kemi një përzierje të mirë të përvojës dhe lojtarëve të rinj të talentuar”, theksoi Gerrard.
Mbrojtësi i majtë i Fiorentinas, Juan Manuel Vargas, ka bërë shaka me spekulimet që e lidhnin atë me një kalim te Real Madridi.
“Unë kurrë nuk kam thënë se kam pranuar ofertë nga Real Madridi. E tashmja ime është me Fiorentinan, ku jam shumë i kënaqur në të gjitha aspektet, njerëzit më duan dhe unë dua të qëndroj këtu edhe një kohë të gjatë”.
“Të gjitha janë spekulime. I vetmi Real që mund t’i bashkohem është Real Potosi i Bolivisë”, përfundoi shakanë e tij Vargas.
Siç raporton Marca, 600.000 euro pritet të jetë bonusi për secilin futbollist të kombëtares spanjolle, nëse Spanja fiton Botërorin e sivjetmë, ndërsa kjo lëvizje shihet si mjaft kontroverse kur dihet se është bonusi më i madh në këtë Botëror.
Vetëm Argjentina dhe Anglia mund t’i afrohen Spanjës në këtë aspekt. Argjentinasit mund të fitojnë nga 510.000 euro nëse e fitojnë Botërorin, përderisa lojtarët anglezë do të fitonin nga 475.000 euro. Në rast se Italia do ta fitonte Botërorin, futbollistët italianë do të pranonin më pak se gjysmën e bonusit spanjoll – nga 240.000 euro. Brazilianët do fitonin edhe më pak, nga 180.000 euro.
Përfaqësueset tjera, si Franca dhe Gjermania, nëse shpallen kampion do t’u jepnin lojtarëve të tyre nga 390.000, respektivisht 250.000 euro. Kjo lëvizje në Spanjë shihet si jashtëzakonisht kontroverse, kur dihet se shteti Iberik është në krizë ekonomike.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, thotë se trajneri i kombëtares angleze Fabio Capello ka gabuar që e ka lënë anësorin e Arsenalit, Theo Walcott, jashtë Kupës së Botës.
“E di se ka shumë opinione, të jem i sinqertë, ka miliona menaxherë atje. Por, sipas mendimit tim, dhe dua të them se është vetëm i imi, nëse ka pasur një gabim në 23 të përzgjedhurit e Fabio Capello, ka qenë mospërfshirja e Walcott”.
“Mund të kuptoj mendimin e tij, se kemi Aaron Lennon, Shaun Wright-Phillips, James Milner dhe Joe Cole që mund ta mbulojnë krahun. Por vetëm duhet të shihni prapa në ndeshjen ndaj Kroacisë në shtator 2008, kur Walcott shënoi hat-trick, për të parë se sa i rrezikshëm mund të jetë ai”, ka shkruar Redknapp në kolumnen e tij për the Sun.
Barcelona raportohet se është duke përgatitur ofertë të re për kapitenin e Arsenalit, Cesc Fabregas.
The Times shkruan se Barcelona planifikon ta kundërshtojë Arsenalin me edhe një ofertë të dytë për të nënshkruar me Fabregas, pasi oferta e parë prej 29 milionë funteve u refuzua dje.
Barcelona tashmë ka nënshkruar përforcimin e parë të madh të sezonit, pasi solli David Villan nga Valencia për 34.2 milionë funte dhe është e vendosur ta sjellë në ‘atdheun’ e tij edhe 23-vjeçarin Fabregas, i cili u largua nga blaugranët në moshën 16-vjeçare.
Avram Grant është trajneri i ri i West Ham United, pasi izraeliti ka arritur marrëveshje katërvjeçare me klubin londinez.
Grant, i cili më herët ka drejtuar Chelsean dhe Portsmouth, vjen në West Ham në pozitën e Gianfrano Zola, i cili u shkarkua në fund të sezonit të kaluar.
“Jam krenar dhe i nderuar që do të jem menaxher i ri i West Hamit. Kjo do të jetë një sfidë emocionuese dhe jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja. Ky është një klub fantastik me fansa dhe histori të shkëlqyeshme, e cila është e respektuar në gjithë botën. Shoh me optimizëm kah sezoni i ri dhe mezi pres të filloj përgatitjet në korrik dhe të punoj me futbollistë”, ka thënë Grant në faqen zyrtare të klubit.
Bernd Schuster është i bindur se Jose Mourinho do të dështojë të përballet me presionin e të qenit trajner i Real Madridit.
Ish-menaxheri i Realit po ashtu ka përmendur mungesën e përvojës si lojtar të trajnerit portugez.
“Ditën e parë ai i mban të gjithë në krahë, por do të shohim pas dy ose tre muajsh. Tash në ditët e para është kënaqësi pasi të gjithë ju pyesin me buzëqeshje dhe nuk ju shqetësojnë, por pastaj kur fillon sezoni, fillon të ndryshojë gjithçka. Ata do të jenë kritik pasi e dinë se si është loja e Mourinhos”, ka thënë Schuster për AS.
Sulmuesi i Bayern Munich, Luca Toni, thotë se ai është i kënaqur me interesimin e Genoas për shërbimet e tij.
“Do të më pëlqente të gjej një projekt që më intrigon dhe një ekip që vërtet më dëshiron. Nuk jam i shqetësuar për kohëzgjatjen e kontratës, por për planet. Prioriteti im është të mbetem në Itali dhe kam shumë oferta, përfshirë më të rëndësishmet, por do të më pëlqente të qëndroj këtu”.
“Genoa më ka kërkuar, por së pari ata duhet të bisedojnë me Bayernin. Nuk besoj të ketë ndonjë problem. Është kënaqësi që kërkoheni nga një klub. Shpresoj gjithçka të zgjidhet brenda dy javëve të ardhshme”, ka thënë Toni.
Mesfushori i Valencias, Ever Banega, është duke joshur interesimin e Liverpoolit.
Burime nga Spanja bëjnë të ditur se Liverpooli është duke synuar të transferojë gjatë verës mesfushorin argjentinas, i cili vlerësohet në 8 milionë funte nga Los Che.
Kjo mund të jetë një shumë e lartë për Liverpoolin, edhe pse Valencia pagoi 16 milionë funte për të sjellë Banega në Mestalla tre vite më parë.
Mbrojtësi i Interit, Douglas Maicon, ka thënë se ai dëshiron të luajë për Realin e Madridit.
I gjendur me kombëtaren e Brazilit në Kupën Botërore, Maicon është pyetur për interesimin nga Reali dhe Manchester City.
“Do ta them shumë qartë, për të shmangur keqkuptimet. Dua të luaj në Madrid, nuk dua të shkoj në Manchester City. Për më tepër, po e përsëris se nuk kam dëgjuar asgjë nga klubi anglez”, ka thënë mbrojtësi.
Maicon është cak prioritar për trajnerin e ri të Realit, Jose Mourinho.
Anësori i Bayern Munich, Arjen Robben, raportohet se është cak i ri i Barcelonës.
Ish-mesfushori i Real Madridit vlerësohet lartë nga trajneri Pep Guardiola, siç shkruan El Mundo Deportivo, dhe spanjolli dëshiron ta sjellë atë përsëri në Spanjë.
Bayerni ka vendosur një çmim prej 40 milionë eurosh për Robben, por kjo shumë nuk largon interesimin e Guardiolas.
Trajneri i Barcelonës i ka thënë bordit se Robben është lojtari i radhës të cilin ai e dëshiron, pasi ata transferuan ish-sulmuesin e Valencias, David Villa, për 34 milionë euro.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, ka thënë se giallorosët do të mirëpresin ngrohtë e ish-sulmuesin e Interit, Adriano.
Braziliani është në prag të nënshkrimit me Romën nga Flamengo, ku u transferua pas disa sezoneve të dështuara me Interin.
“Sezonin e ardhshëm do të duhet të luajmë në tre fronte. Mbi të gjitha, Liga e Kampionëve do të jetë një garë e vështirë, duke marrë parasysh kualitetet e ekipeve që marrin pjesë aty”, ka shkruar Totti në kolumnen e tij në Corriere dello Sport.
“Pas një viti mungese, jam i lumtur që kthehemi të luajmë në nivelet më të larta evropiane. Sa i takon përforcimeve, nënshkrimi i Adrianos më duket një start i mirë. Po pres arritja e tij të zyrtarizohet, por ndërkohë i siguroj atij se do të marrë një mikpritje të ngrohtë”, ka shtuar më tej kapiteni i Romës.
Sulmuesi i Spanjës, David Villa, ka pranuar se atij nuk i intereson në cilën pozitë do të luajë gjatë Botërorit, Afrika e Jugut 2010.
“Gjëja më e rëndësishme është të luaj. Nëse luaj i vetmuar në sulm, atëherë do të luaj në qendër. Por, nëse është edhe një sulmues tjetër, nuk do të mendoj dy herë për t’u shndërruar në anësor”, është shprehur sulmuesi i Barcelonës.
Me Fernando Torresin që pritet të rikuperohet në kohë për Kampionatin Botëror, duket se Villa do të duhet t’ia përshtatë pozitën sulmuesit të Liverpoolit.
Liverpooli dëshiron që ta largojë sa më parë nga skuadra trajnerin spanjoll Rafa Benitez, në mënyrë që të shmangë largimet e superyjeve gjatë kësaj vere, njofton The Times.
Liverpooli ka marrë vendim që t’ia ofrojë Benitezit një marrëveshje prej 3 milionë funtesh, vetëm e vetëm që tekniku spanjoll të largohet nga Anfield. Benitezi ka kontratë pesëvjeçare me Liverpoolin e vlefshme 16 milionë funte, shumë që nuk mund të mbulohet nga zyrtarët e The Reds, për shkak të borxheve të mëdha të akumuluara prej rreth 350 milionë funtesh.
Benitez pritet ta pranojë këtë ofertë, pasi që edhe vet ka dhënë shenja se është i pakënaqur me mënyrën se si menaxhohet klubi. Liverpooli ka një buxhet prej 15 milionë funtesh për të shfrytëzuar në afatin e sivjetmë kalimtar, duke përfshirë dhe të hollat e shitjes së futbollistëve të panevojshëm.
Me t’u emëruar trajner i Real Madridit, Jose Mourinho ka filluar të flasë për objektivat e tij, duke lëvduar mënyrën e të menduarit të madrilenëve dhe historinë e Los Blancos.
“Jam shumë i entuziazmuar. Real Madridi është klub perfekt për mua, sepse është i madh, shumë ambicioz dhe me potencial të jashtëzakonshëm. Unë kam besim në aftësitë e mia dhe kam shumë vetëbesim. Unë besoj se mund të sjell më të mirën këtu dhe të jem shumë i suksesshëm. Unë gjithnjë mendoj pozitivisht”.
“Jam këtu për shkak të historisë së jashtëzakonshme të klubit. Tifozët të cilët shkojnë në Bernabeu presin gjithnjë më të mirën. Ata tashmë kanë filluar të mendojnë për titujt që do t’i fitojmë. Metoda e të menduarit të madrilenëve nuk ndryshon nga ajo e imja”.
“Së pari dua të vë presion mbi mua, për të punuar aq më shumë që kam mundësi, që të qëndroj i motivuar dhe të ndjej presionin. Kam nevojë për këtë lloj presioni. Nëse mund të jem në një ambient ku kam këtë lloj presioni, atëherë edhe më mirë”, ka thënë Mourinho.