Përfaqësuesja e Brazilit ka shënuar fitore prej 2-1 përballë Koresë së Veriut, në takimin e dytë të ‘grupit të vdekjes’.
Brazilianët ishin dominues gjatë gjithë pjesës së parë, mirëpo pas 45 minutash nuk arritën të realizojnë përkundër presionit të vazhdueshëm.
Dhjetë minuta brenda fraksionit të dytë të lojës (55’), Douglas Maicon kaloi Selecaon në epërsi me një supergol.
Një aksion i Robinhos dhe Elanos përfundoi me golin e dytë të Brazilit, që e realizoi sulmuesi i Galatasarayt (72’).
Verikoreanët arritën ta ngushtojnë diferencën në minutat e fundit të takimit, kur realizoi Yun Nam JI (89’), mirëpo nuk arritën të bëjnë më shumë deri në mbyllje të takimit.
Me këtë fitore, Brazili pozicionohet në vendin e parë në Grupin G, me dy pikë më shumë se Bregu i Fildishtë dhe Portugalia, ndërsa Koreja e Veriut mban vendin e fundit pa asnjë pikë.
Përzgjedhësi i Bregut të Fildishtë, Sven Goran Eriksson, është shprehur të jetë i kënaqur me pikën e fituar ndaj Portugalisë, në ndeshjen hapëse të ‘grupit të vdekjes’.
“Portugalia është ekip i mirë, kështu që një pikë është në rregull. Nuk jemi plotësisht të kënaqur, por ata janë ekip i mirë dhe ishte ndeshje e mirë teknikisht”.
“Askush nuk dëshiron ta humbasë një ndeshje të tillë. Ata patën një rast të mirë në pjesën e parë, kur Ronaldo e goditi shtyllën”, tha pas ndeshjes suedezi për ITV.
President nderi i Real Madridit, Alferdo Di Stefano, ka analizuar javën e parë të Botërorit, me ç’rast nënvizoi favoritët kryesorë për titull dhe Lionel Messin si futbollistin më të mirë.
“Kë e shoh si fitues? Të njëjtët si gjithmonë. Nga Evropa e shoh Italinë, Spanjën, Francën dhe Anglinë dhe nga Amerika i shoh Argjentinën, Brazilin dhe Uruguain”.
“Messi ishte i shkëlqyer. Ai luan mirë dhe krijon spektakël me disa nga golat që ai është në gjendje t’i shënojë. Ai ka cilësi dhe aftësi të mëdha. Por futbolli më i mirë luhet natyrisht si ekip, nuk mund të fitosh i vetmuar. Nuk është si në boks apo tenis kur dikush mund t’i fitojë ndeshjet i vetmuar”, deklaroi Di Stefano për Marca.
Sulmuesi i ri i Romës, Adriano, e ka përcaktuar Scudetton sezonin e ardhshëm si synimin kryesor të skuadrës së tij.
“Mund të luftojmë për Scudetto? Shpresoj se po. Roma ka skuadër të mirë me shumë kampionë në ekip, Francesco Totti dhe Daniele De Rossi për shembull”.
“Jam i bindur se unë mund të jap kontribut të madh, duke punuar shumë. Unë erdha këtu për arsye se më pëlqen mënyra se si luan ekipi. Loja e Romës është spektakolare dhe e kënaqshme për tifozët. Plus, unë dua që të lë imazh më të mirë në Itali, në krahasim me atë që e lashë kur luajta për Interin”, tha Adriano për La Roma.
Mbrojtësi i Barcelonës, Carles Puyol, ka dhënë një deklaratë sensacionale për gazetën madrilene Marca, duke e konsideruar Sergio Ramosin si pasardhësin e tij në mbrojtjen blaugrane.
“Mendoj se është vështirë që Ramos të transferohet dhe Real Madridi do të bënte gabim të madh nëse e lë atë të shkojë. Por, nëse ai vjen te Barca, atëherë ai do ishte një pasues i mirë i imi. Ai është mbrojtës i madh”.
“David Villa do të na ndihmojë shumë dhe nuk do të ketë telashe për t’u adoptuar. Mendoj se Barcelona është në gjendje të rikthejë formën më të mirë me këtë ekip. Jose Mourinho për Real Madridin është transferim fantastik, ai është trajner që ka fituar gjithçka”, ka thënë Puyol.
Interi do të tentojë të lëkundë Tottenhamin me një shkëmbim të mesfushorit Sulley Muntari me mbrojtësin Gareth Bale.
20- vjeçari Bale ka qenë njëri prej futbollistëve më të mirë në Ligën Premier në sezonin që posa e lamë pas. Ai ka lënë përshtypje në mbarë Evropën, duke u bërë atraksion i klubeve të fuqishme të kontinentit të vjetër.
Sipas Corriere dello Sport, Rafael Benitez do të tentojë të sjellë një lojtar të ri në Meazza, përkundër faktit se Bale nënshkroi kontratë katërvjeçare me Tottenhamin në muajin maj.
Menaxheri i Spursave, Harry Redknapp e bleu Muntarin kur ky i fundit ishte te Portsmouthi dhe nuk besohet se ai do ta lëshojë rastin për të punuar përsëri me ganezin.
Milani është i gatshëm të shpenzojë 5 milionë euro në 15-vjeçarin e Brescias, sensacionin Lorenzo Tassi, që u lëvdua kohë më parë nga presidenti i tij si “Roberto Baggio i ri”.
Tassi që u lind më 12 shtator të vitit 1995, është zhvilluar në sistemin akademik të Brescias, ndërsa ka tërhoqi interesimin e Rosonerëve.
Milannews.it njofton se klubi nga San Siro tashmë ia ka ofruar 5 milionë euro Brescias për mesfushorin që krahasohet me legjendën Baggio.
Brescia ka siguruar kalimin në Serie A, pasi mposhti të dielën Torinon me rezultat 2-1 në ‘play-off’.
Kapiteni i Italisë, Fabio Cannavaro, ka konfirmuar se ai do të pensionohet nga përfaqësuesja pas Kampionatit Botëror.
“Në fund të Botërorit unë do t’u them lamtumirë dhe faleminderit. Megjithatë, do të më mungojë klima në kombëtare. Ekziston melankoli për aventurën time të fundit si ‘azzur’, pasi që e vesh këtë fanellë që 13 vjet, por janë shumë net magjike që do t’i mbajë si kujtim”.
“Thonë se unë jam i harxhuar, por më kujtohet kur isha i ri, njerëzit thanë se jam shumë i shkurtër për t’u bërë futbollist. Ishte sezon i vështirë me Juventusin, por unë e kuptova se nëse e fitoj Topin e Artë, atëherë kjo do të ndodhte për shkak të ekipit, por nëse humbim, atëherë ky është faji i Cannavaros”, u shpreh Cannavaro për revistën Chi.
Cannavaro bëri debutimin e tij në fanellën e kombëtares italiane në vitin 1997.
Argjentina duket të ketë shpëtuar nga barazimi skandaloz ndaj Nigerisë, pasi që goli i vetëm i shënuar në atë takim nga Gabriel Heinze, sipas FIFA-s është dashur të anulohej nga arbitri kryesor i atij takimi, Wolfgang Stark.
Një analizë e hollësishme pas ndeshjes nga FIFA, ka bërë që këta të fundit të konsiderojnë se goli është dashur të anulohej dhe të mos pranohej nga Stark, pasi që mbrojtësi argjentinas Walter Samuel e mbajti për fanelle markuesin e Heinzes, nigerianin Chinedu Obasi, duke mundësuar që Heinze të shënojë golin e fitores për Argjentinën. Mirëpo tash është vonë për Nigerinë.
FIFA ua ka tërhequr vërejtjen gjyqtarëve të saj që të kenë kujdes gjatë goditjeve të lira dhe kornerëve, në të cilat ndodhin fërkime të shumta brenda zonës.
Ka përfunduar pa gola takimi i parë i ‘grupit të vdekjes’ ndërmjet Bregut të Fildishtë dhe Portugalisë, i zhvilluar të martën në Nelson Mandela Bay në Port Elizabeth.
Skuadrat treguan lojë të mirë në fraksionin e parë të ndeshjes, mirëpo pas 45 minutash rezultati ishte po ai i fillimit.
Në gjysmën e dytë të takimit u zhvillua lojë edhe më dinamike, mirëpo skuadrat nuk arritën ta gjejnë rrjetin, ashtu që takimi përfundoi baras.
Ky barazim i mban Portugalinë dhe Bregun e Fildishtë në krye të Grupit G me nga një pikë, para ndeshjes ndërmjet Brazilit dhe Koresë së Veriut.
Trajneri i Italisë, Marcello Lippi, ka vënë në pah formën e dobët të të gjithë favoritëve për titull të më të mirit të botës, duke thënë se asnjë skuadër deri tani nuk ishte e përkryer.
“Ne duhet të përmirësohemi dhe jam i sigurt se ne do ta bëjmë këtë. Por, deri tani, nuk kam parë ndonjë ekip në Botëror që ishte i përkryer”.
“Katër vite më parë, ne e filluam Botërorin duke rrezikuar shumë më shumë se sot, por ne gjithashtu krijuam më shumë raste atëherë”, theksoi Lippi.
Franz Beckenbauer duke dëgjuar instrumentin afrikan të quajtur - Vuvuzela Legjenda gjermane Franz Beckenbauer ka kritikuar ashpër stilin e lojës së kombëtares angleze, në ndeshjen hapëse të Tre Luanëve në Botërorin e sivjetmë.
“Çfarë pashë nga Anglia kundër SHBA-ve, nuk kishte të bëjë aspak me futboll. Mu shfaq ajo Angli e kohërave të këqija, që luante sa për të thënë”, theksoi gjermani duke vënë në dyshim aftësinë e Capellos për të menaxhuar me kombëtaren angleze.
Gjermania në sfidën e parë të saj dërrmoi Australinë me rezultat 4-0, duke bërë që gazeta më e madhe gjermane, Bild, të shkruajë në titullin kryesor, “Ne do t’i s’pastrojmë të gjithë nga rruga”.
Një gol i vonshëm i Winston Reid i ka dhënë një pikë kombëtares së Zelandës së Re në ndeshjen e grupit F të Kupës Botërore përballë Sllovakisë.
Pas një pjese të parë pa gola, ishin sllovakët ata që kaluan në avantazh. Një harkim nga e djathta e Stanislav Sestak arriti te Robert Vittek që shënoi me kokë në portën e Mark Paston.
Kur u mendua se evropianët do të nxjerrin tre pikë në këtë ndeshje për të marrë kreun e grupit para Italisë dhe Paraguait, Zelanda e Re bëri befasinë duke shënuar në minutën e tretë të kohës shtesë.
Pas një harkimi të topit nga Shane Smeltz, Reid u gjend mirë me kokë para portës së Jan Mucha për të barazuar gjithçka. Me këtë rezultat të gjitha ekipet në grupin F mbledhin nga një pikë.
Juventusi mezi pret të mbarojë Botërori për të finalizuar transferimin e njërit prej mbrojtësve më të mirë sot në Evropë, atë të Genoas, Leonardo Bonucci.
Bianconerët po kërkojnë përforcime për repartin defensiv gjatë merkatos, ndërsa trajneri i ri Luigi Del Neri e ka marrë seriozisht punën për revolucionin në klub.
Bonucci ka treguar paraqitje fantastike në fanellën e Barit, sa ishte si huazim te ky klub nga Genoa, ndërsa tani e ardhmja e tij është në ndonjë skuadër të madhe italiane.
Drejtori i Interit, Marco Branca, ka thënë se yjet e Interit nuk janë në shitje, e aq më pak për Real Madridin.
“Ne i konsiderojmë të gjithë lojtarët tanë që nuk janë në shitje, kështu që ju garantoj se nuk ka plane për t’u takuar me Real Madridin dhe për të negociuar për yjet tona”.
“Tani duhet të përgatisim planet tona për të ardhmen. Benitez është një top trajner dhe jemi shumë të kënaqur”, tha Branca për Mediaset.
Arsenali do të lansojë fanellat e reja shumë shpejtë, me fytyrën kryesore në të, futbollistin më të kërkuar nga Barcelona, Cesc Fabregas.
The Sun pohon se Arsenali ka lansuar foto preliminare me Cesc Fabregasin në fanellën e re të Arsenalit.
Barcelona po e kërkon me ngulm Fabregasin, ndërsa ky i fundit kërkon gjithashtu rikthimin në vendlindje.
Arsenali nuk lëshon pe dhe për të punuar në këtë çështje, do të angazhohen Joan Laporta dhe presidenti i ri i Barcelonës, që njihet si njeri që nuk bisedon dy herë, Sandro Rosell.
Pep Guardiola ia ka ofruar dorëheqjen presidentit të ri të Barcelonës, Sandro Rosell.
Sport shkruan se dyshja u takua sy më sy të hënën dhe Guardiola, si trajner me tipare tradicionale që është, ia ofroi presidentit të sapo emëruar, në skadim të kontratës, dorëheqjen e tij, e cila menjëherë u refuzua nga Sandro Rosell.
Në vend të kësaj, Rosell i ka premtuar trajnerit fillimin e negociatave për një kontratë afatgjate. Ai e ka siguruar strategun e ri spanjoll se nuk do t’i ndërhyjë në punët e tij rreth klubit.
Presidentit të Interit, Massimo Morattit, duket t’i ketë ardhur në maje të hundës presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, që vazhdimisht po kërkon ulje të çmimit për Maiconin dhe Militon.
Pasi lejoi që të përgjysmohej klauzola prej 16 milionë eurosh për Mourinhon, Moratti ka pritur më shumë respekt nga Real Madridi për Milition dhe Maiconin.
Presidenti zikaltër kërkon 35 milionë euro për Maiconin, ndërsa çmimet e ulëta të ofruara nga Florentino Perez, nuk i interesojnë dhe aq bosit ‘nerazzur’. Ndërsa për Militon, Moratti tani është nervozuar edhe më tepër, pasi që kërkon në këmbim të tij, sulmuesin e Realit, Gonzalo Higuain.
Kampioni i Evropës, Interi është jashtëzakonisht i interesuar në mesfushorin e Werder Bremenit, Mesut Özil.
Gjermani me origjinë turke ka rënë në syrin e skuadrave më të mëdha evropiane pas paraqitjes së tij fantastike në ‘shkeljen’ që i bëri Gjermania kombëtares së Australisë të dielën.
La Gazzeta dello Sport shkruan se radhës së gjatë të skuadrave, në të cilën është edhe armiku i Interit, Juventusi, tani do t’u bashkohen dhe Nerazzurët të cilët automatikisht shndërrohen në favoritë për transferimin e Özil, për shkak të suksesit sezonin e kaluar dhe për shkak të parave në dispozicion.
Barcelona është duke shqyrtuar transferimin e asit të Liverpoolit, Steven Gerrard, në rast se dështon transferimi i Cesc Fabregas.
Sipas AS, dështimet e vazhdueshme për transferimin e Fabregasit kanë bërë që Pep Guardiola ta detyrojë presidentin e ri, Sandro Rosell, të mendojë shpenzimin e 40 milionë eurove në mesfushorin anglez.
Barcelona për firmën e Fabregasit do të ketë për rival dy nga skuadrat më të mëdha evropiane, Interin dhe Real Madridin, të cilët janë të gatshëm të vënë në tavolinë mbi 50 milionë euro për mesfushorin e hekurt anglez.
Trajneri i ri i Interit, Rafa Benitez, në prezantimin e tij para mediave italiane, ka deklaruar se ai mund të jetë shumë më i suksesshëm se sa paraardhësi i tij, Jose Mourinho.
“Është vështirë të përmirësosh një ekip fitues, por ne po shikojmë në gjithçka. Mourinho tha se ai nuk ishte budalla? Unë jam këtu sepse jam i mençur. Ne mund të fitojmë gjashtë trofe këtë vit. Unë kam përvojë, por ne duhet të punojmë shumë sepse kemi ndeshje të vështira në gusht”.
“Unë dalloj nga Mourinho. Ai bëri punë të madhe këtu. Më pëlqen futbolli i bukur dhe të fitoj me të. Unë dua ta bëj punën time. Ju mund të frymoni futboll këtu dhe unë do të tentoj të bëj gjithçka në mundësitë e mia, që Interi të jetë sa më i mirë. Unë jam krenar që do ta drejtoj Interin. Klubi vjen nga një sezon ku ka fituar gjithçka dhe shpresoj se lojtarët nuk e kanë humbur vullnetin për të fituar”.
“Mediat dhe kacafytja e tyre me Mourinhon? Mentaliteti këtu është i njëjtë si në Spanjë. Nëse luajmë futboll të bukur dhe fitojmë atëherë do të jetë mirë”, deklaroi Benitez.
Mbrojtësi i djathtë i Barcelonës, Daniel Alves, ka refuzuar ofertën e parë të Barcelonës për vazhdim të kontratës, njofton sportivja kataluanse Sport.
Kampioni i Spanjës dëshiron t’ia vazhdojë kontratën brazilianit për të shmangur interesimin e vazhdueshëm të pasanikëve nga City. Megjithatë, mediumet spanjolle raportojnë për një refuzim të ofertës së parë të Barcelonës nga Alves, për shkak të mos plotësimit të kërkesave financiare të mbrojtësit brazilian.
City dëshiron të shpenzojë 50 milionë për brazilianin Alves, ndërsa edhe paga e ofruar nga City për të është astronomike. Nëse Barcelona nuk i plotëson së shpejti kërkesat e Alves, atëherë lirisht mund të përshëndetet nga ky i fundit.
Antonio Cassano ka vazhduar me deklaratat e tij kontroverse në drejtim të përzgjedhësit të Italisë, Marcello Lippi, duke i dëshiruar këtij të fundit çdo të keqe në Botëror, ndërsa u uroi fat bashkëlojtarëve të kombëtares.
“Itali-Paraguai? Nuk e kam shikuar ndeshjen sepse unë kam qenë i zënë. Mendoj se Francesco Totti ose Alessandro Del Piero e kanë shikuar ndeshjen. Shpresoj se Italia do të fitojë, jam një tifoz dhe shpresoj se do luajnë mirë. Lippi nuk më ftoi, por çfarë mund të bëj?”.
“Cesare Prandelli? Ai punoi mirë në Firencë dhe mendoj se ai mund të ketë sukses me Italinë. Shpresoj se ai do të shikoj në mua, sepse një përzgjedhës i Italisë nuk e ka vizituar Genoan që dy vite. Nuk e di çfarë i kam bërë Lippit, ndoshta atij nuk i pëlqen personaliteti im. Të tjerët janë ftuar, unë jo. Unë do të isha i lumtur nëse Italia fiton, por aspak i gëzuar për Lippin”, deklaroi Cassano për Sky Sports Italia.
Mesfushori i Chelseat dhe i Anglisë, Frank Lampard, thotë se Anglia nuk mund të lejojë edhe një rrëshqitje tjetër në Kupën Botërore.
Me Slloveninë që mposhti Algjerinë për të marrë kreun e grupit C, Lampard thotë se Anglia nuk mund të lejojë edhe një dështim, pas barazimit 1-1 ndaj SHBA-ve.
“Është vendimtare të fitojmë ndeshjet e ardhshme. Po të fitonim ndaj SHBA-ve do të ishim në karrigen e drejtuesit, por duhet të besojmë në vete. Ka qenë ndeshja e parë dhe ndeshjet e para janë të tilla. Ishim të pafat kur pranuam golin”, ka thënë Lampard.
Barcelona shihet si favorite për të nënshkruar me yllin e Werder Bremen, Mesut Özil.
Gjermani tashmë ka shkëlqyer në Kupën Botërore në Afrikën e Jugut me paraqitjen e tij kundër Australisë dhe ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve.
Özil ka vetëm edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me Werderin dhe është duke u kërkuar edhe nga klube si Arsenal, Liverpool dhe Manchester City.
Megjithatë, itasportpress.it shkruan se i riu ka thënë se ambicie e tij është të luajë në Barcelona dhe me superyllin Lionel Messi.
Juventus ka zbuluar formalisht shitjen e mbrojtësit Cristian Molinaro te ekipi gjerman Stuttgart.
Molinaro iu bashkua Stuttgartit në janar si huazim dhe klubi nga Bundesliga ka shfrytëzuar mundësinë për të nënshkruar me të kontratë të përhershme.
Juventusi ka bërë të ditur se Stuttgart ka paguar 3.9 milionë euro për të transferuar Molinaron.
Rafa Benitez raportohet se dëshiron ta sjellë kapitenin e Real Madridit, Raul Gonzales, te kampioni i Evropës.
"Sport" shkruan se menaxheri i ri i Interit i është bashkuar betejës për të transferuar sulmuesin spanjoll, i cili pritet të lejohet të largohet si lojtar i lirë nga Reali këtë verë.
Manchester United dhe klubi i ligës amerikane të futbollit, New York Red Bull, thuhet se po ashtu janë të interesuar për Raul.
Sulmuesi 33-vjeçar mund të ndjekë hapat e ish-bashkëlojtarit të tij te Reali, Luis Figo, i cili shijoi dy vite të suksesshme në Inter në fund të karrierës së tij.
Legjenda e futbollit, Pele, e ka sulmuar rivalin e tij argjentinas, Maradona, duke thënë se ai e drejton kombëtaren e Argjentinës vetëm për para.
“Maradona e ka marrë drejtimin e Argjentinës pasi ka dashur të punojë, por edhe të përfitojë para. E kemi parë se Argjentina mezi i kaloi kualifikimet. Por, kjo nuk është gabim i Maradonës. Kanë gabuar, edhe atë shumë, ata të cilët e kanë vendosur atë në atë pozitë”, ka thënë Pele.
Pele thotë se ai kurrë nuk ka pasur synim e as dëshirë për t’u bërë përzgjedhës i kombëtares së Brazilit.
Mediat angleze bëjnë të ditur se mesfushori i Liveproolit, Yossi Benayoun, së shpejti do të nënshkruajë me Chelsean.
Benayoun përmenden si mundësi për të zëvendësuar Joe Cole i cili u largua nga Chelsea pasi i skadoi kontrata me blutë.
Edhe pse u paralajmërua se pas largimit të Cole, Michael Ballack dhe Juliano Belletti, Chelsea do të promovojë lojtarë të ri në ekip, duket se ata dëshirojnë të sjellin edhe emra me përvojë siç është 30-vjeçari Benayoun.
Chelsea thuhet se tashmë ka arritur marrëveshje me izraelitin për një kontratë katërvjeçare, ndërsa pritet tash të përfundojë bisedat edhe me Liverpoolin, të cilit ekip pritet t’i paguajë 6 milionë funte.
Ylli i Valencias, Juan Mata, ka mohuar se ai dëshiron të largohet nga klubi spanjoll duke thënë se është i lumtur te Los Che.
Anësori spanjoll kërkohet nga një mori top klubesh evropiane, mes të cilave edhe Barcelona dhe Manchester City.
“Prioritet i imi është të qëndroj në Valencia. Thashethemet nuk më shqetësojnë, unë jam në dispozicion të klubit. Me këtë fanellë kam kaluar tre sezone të shkëlqyeshme”, ka thënë Mata.
Portieri i Juventusit, Gigi Buffon, ka qetësuar frikën e lëndimit në Kupën Botërore, pasi u detyrua të largohet në pauzën mes pjesëve gjatë ndeshje së mbrëmshme përballë Paraguait.
Buffon kishte ndjerë therje në shpinë gjatë ndeshje dhe u zëvendësua në pjesë të dytë nga portieri i Cagliarit, Federico Marchetti.
“Mendova se e kam dëmtuar muskulin dhe kam shkatërruar gjithçka, por doli të jetë një lodhjet e nervit shiatik. Shpresoj të rikuperohem brenda dy ditësh”, ka thënë Buffon.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, është i gatshëm të bëjë ofertë për mbrojtësin e Juventusit, Giorgio Chiellini.
The Sun shkruan se Ferguson do të lansojë ofertë në vlerën e 25 milionë eurove për mbrojtësin italian. Chiellini, 25-vjeçar, është zgjidhja e parë e United për të zëvendësuar Nemanja Vidic, nëse serbi largohet nga Old Trafford siç edhe pritet.
Pavarësisht se është një prej emrave më të mëdhenj në Serie A, Chiellini merr një pagë modeste prej 1.7 milionë funtesh në vit dhe ka edhe dy sezone të mbetura në kontratën e tij me Juven.
Edhe Zonja e Vjetër mund të pajtohet për të pranuar ofertën e Djajve të Kuq, pasi është në proces për të rindërtuar ekipin pas një sezoni të tmerrshëm ku ata përfunduan në pozitën shtatë.
Sulmuesi i Juventusit, David Trezeguet, mund të mos largohet nga Zonja e Vjetër, deklaroi agjenti i francezit Antonio Caliendo.
“Ne po presim ofertën e duhur, para se të ulemi në tavolinën negociuese. Për momentin ne nuk kemi marrë ndonjë ofertë zyrtare. Trezeguet pëlqehet shumë në Spanjë dhe Angli, por ai nuk ka thënë se po largohet nga Juventusi, ai ka edhe një vit në kontratën e tij”, theksoi Caliendo për Tuttosport.
Francezi është njëri nga futbollistët më zhgënjyes të Juventusit në sezonin e fundit, pasi që pos që u përcoll nga lëndimet e shumta, u përcoll dhe nga forma e dobët që e kaploi gjithë ekipin bardhezi.
Mbrojtësi italian Gianluca Zambrotta ka nënvlerësuar tripletën e fituar nga Interi sezonin që sapo përfundoi, duke thënë se Barcelona është ekipi më i mirë.
“Me vite Barcelona e ka shfaqur futbollin më të mirë. Interi e fitoi Ligën e Kampionëve, por Barcelona është ekip më i mirë kur vjen në pyetje cilësia e lojës”, theksoi Zambrotta.
Agjenti i Maicon ka thënë se mbrojtësi i Interit mund të kalojë te Real Madridi, nëse skuadrat pajtohen mbi shumën e transferimit të klientit të tij.
“Për momentin ekziston dallim i madh mes ofertës dhe kërkesës. Sa më shpejtë që zgjidhet çështja, aq më mirë”.
“Të dy presidentët duhet të lëshojnë pe. Nëse ai largohet nga Interi, natyrisht se do të luajë për Real Madridin. Unë mendoj se nuk do të jetë e vështirë që të dy presidentët të arrijnë marrëveshje”, tha Antonio Caliendo për Calciomercato.
Sulmuesi i Hamburgut, Ruud van Nistelrooy, beson se Cristiano Ronaldo do ta tejkalojë Lionel Messin vetëm nëse do ta fitojë Kampionatin Botëror.
“Ata janë dy lojtarë fantastikë. Cristiano Ronaldo nuk është favorit këtë sezon për të fituar Çmimin e Futbollistit më të Mirë të Vitit. Ai nuk ka fituar asgjë, ndërsa Messi ka fituar titullin në La Liga”.
“Mendoj se titulli për më të mirin e botës mund të definohet në Botëror. Cristiano Ronaldo do të duhet të shkëlqejë ose ta fitojë Botërorin për t’u bërë më i miri përsëri. Titujt janë shumë të rëndësishëm në këto gjëra”, theksoi Van Nistelrooy për Diario de Noticias.
Reprezentuesi spanjoll Trinidad Diego Capel ka tërhequr interesimin e gjigantit të Serie A, Juventus, me paraqitjet e tij fantastike për Sevillan.
Tuttosport beson se Capel është në planet e Del Nerit, për shkak se ky i fundit dëshiron ta rinojë skuadrën. Juventusi tashmë e ka transferuar mesfushorin italian Simone Pepe, ndërsa caku tjetër tani është Diego Capel.
Capel është prodhim i akademisë së Sevillas, kurse ka pothuajse 100 paraqitje në La Liga. Ai posa ka nënshkruar kontratë të re me skuadrën spanjolle, ndërsa çmimi i tij është 18 milionë euro.
Përballja e parë e belges Justine Henin në terrenet e barit që nga viti 2007, përfundoi me fitore prej 6-4 dhe 6-2 ndaj Angelique Kerber, në Unicef Open që po zhvillohet në Hertogenbosch të Holandës.
28- vjeçarja Henin, që u kthye nga pensionimi dyvjeçar këtë vit, që është edhe favorite e turneut, nuk e pati problem të fitonte ndaj gjermanes.
Ndërkohë, ish-numri një i botës, Ana Ivanovic, tejkaloi me vështirësi Sofia Arvidssonin me rezultat 4-6, 6-0 dhe 6-1.
Bosi i McLaren, Martin Whitmarsh, ka thënë se sukseset e të kaluarës të McLarenit, mund t’i japin një përparësi të lehtë skuderisë britanike.
Pasi McLaren e fitoi garën e dytë me radhë me të dy pilotët në dy vendet e para, skuderia britanike e sheh veten të parën, si në renditjen e konstruktorëve, ashtu dhe në renditjen e pilotëve.
“Përgjithësisht ekipi ka luftuar vërtet shumë. Ne kemi tejkaluar shumë luftëra, kështu që i kemi ngasësit me përvojë dhe ata e dinë se sa vështirë është”.
“Ne kemi ndoshta më shumë përvojë në ekip se Red Bulli, ndërsa ekipi është i përkushtuar. Ne nuk e nënvlerësojmë Red Bullin, por ne kemi fituar në të kaluarën, kurse ata jo”, deklaroi Whitmarsh.
Pas barazimit ndaj Paraguait, trajneri i Italisë, Marcello Lippi, ka thënë se ekipi i tij e meritoi fitoren në ndeshjen hapëse të Grupit F.
“Ekziston pendesë e madhe sepse merituam fitoren. Në pjesën e parë ata shënuan me një rast nga ndërprerja, ne reaguam mirë, por kemi mundur të bëjmë diçka më shumë”.
“Ndeshje të tilla duhet të fitohen, ata kontrolluan lojën por nuk krijuan asgjë, ndërsa ne kemi luajtur mirë”, u shpreh Lippi pas ndeshjes.
Buffon u largua pas përfundimit të pjesës së parë, duke u zëvendësuar nga Federico Marccheti, për shkak se gardiani i Juventusit ka pësuar një lëndim në shpinë.
Italia nuk ka nxjerrë më shumë se një barazim prej 1-1 kundër Paraguait, në përballjen e parë të Kampionatit të sivjetmë Botëror në kuadër të Grupit F.
Paraguai befasoi kampionin në fuqi, duke kaluar në epërsi me anë të Antolin Alcaraz (39’), i cili me kokë mposhti Buffonin, për të vendosur rezultatin përfundimtar të pjesës së parë.
Mesfushori i Romës, Daniele De Rossi, riktheu Azzurët në lojë, duke barazuar rezultatin në minutën e 63-të.
Në pjesën e mbetur të takimit, Italia bëri më tepër presion në portën kundërshtare duke tentuar të shënonte golin e fitores, mirëpo të zgjedhurit e Lippit nuk ia arritën qëllimit.
Ky barazim do t’i mbajë këto dy përfaqësuese në krye të Grupit F, para takimit ndërmjet Zelandës së Re dhe Sllovakisë, që zhvillohet të martën.
Holanda e theu mbrojtjen e fortë daneze në sfidën e zhvilluar në mesditën e të hënës, duke e fituar ndeshjen me rezultat 2-0, kurse njëri ndër akterët kryesorë, Wesley Sneijder, u shpreh i ngazëllyer me fitoren e parë të kombëtares ‘Portokalli’.
“Fitorja e parë është gjithmonë më e rëndësishmja. Ne nuk luajtëm mirë në pjesën e parë, por ne luajtëm mirë në pjesën e dytë të ndeshjes. Ne jemi të kënaqur me rezultatin dhe tani po mendojmë për ndeshjen e dytë”.
“Është shumë herët të themi se Holanda mund ta fitojë Botërorin. Ne nuk luajtëm mirë por fituam 2-0. Nuk dua të vë bast në Holandën për ta fituar trofeun, sepse unë nuk luaj bastore, sidomos nuk vë bast mbi vetveten”, është shprehur pas ndeshjes Sneijder.
Portugalia do të ketë të bëjë me Bregun e Fildishtë, në kuadër të rrethit të parë të fazës grupore të Botërorit të sivjetmë dhe se cila është rëndësia e këtij takimi, e tregon fakti që përzgjedhësit Carlos Queiroz i intereson më shumë ndeshja se sa gjendja e Luis Nanit të lënduar.
“Nesër (e martë), ne do të luajmë ndaj Bregut të Fildishtë në ndeshjen tonë të parë në Botëror. Kjo është ndeshja jonë e parë në një garë të madhe. Gjërat e vetme për të cilat duhet të brengosemi janë, goditjet, vrapimet, pasimet, golat, qëndrimi dhe shpirti në ndeshjen e të nesërmes”.
“Nëse Nani do të jetë gati për katër ditë, atëherë kjo do ishte fantastike, por gjëja më e rëndësishme për ne është skuadra si njësi dhe fokusimi në kualifikim, kështu që me gjithë respektin për Nanin, kjo është për çfarë brengosem unë. Ne mund të flasim për të ndonjëherë tjetër”, deklaroi Queiroz.
Sergio Ramos ia ka tërhequr vërejtjen opinionit mbarëbotëror që të mos e konsiderojë Spanjën favorite për ta fituar Botërorin e sivjetmë në Afrikën e Jugut.
“Biseda për favoritët është diçka që e bëjnë njerëzit, shtypi dhe ekipet tjera, por ne duhet të mbajmë këmbët në tokë ashtu siç kemi bërë deri tani. Do të ishte gabim nëse e quajmë veten favorit”.
“Ne po punojmë dhe jemi të fokusuar. Ne duhet të vazhdojmë të përmirësohemi dhe të stërvitemi në atë mënyrë që të mos humbim stabilitetin në momentin kur hyjmë në fushë”.
“Gjëja më e rëndësishme që duhet ta mbajmë në mend është bashkimi, të cilin shpresojmë ta reflektojmë në fushë. Ne kemi stilin tonë dhe ne kemi nevojë për të luajtur rregullisht. Ne duhet të tentojmë t’i dominojmë ndeshjet. Gjëja e vetme që nuk është në dyshim, është cilësia individuale e lojtarëve tanë. Ne gjithashtu duhet të garantojmë ekuilibrin në ekip”.
“Vuvuzelat? Ato janë të mira për tifozët, por zhurma është e papranueshme. Por është e vërtetë, kur hyni në fushë, harroni gjithçka. Nuk dëgjoni tupanët, fyerjet dhe asgjë tjetër”, deklaroi Ramos për AS.
Mesfushori i Spanjës, Cesc Fabregas, pohon se kombëtarja e tij duhet të ketë fat nëse dëshiron të fitojë trofeun e më të mirit në Afrikën e Jugut.
“Ne do të shohim nëse jemi favoritë kur të fillojmë. Ekipi mendon që nuk jemi favoritë. Ne jemi ekip normal, si të gjithë të tjerët, duhet të shkojmë pak nga pak”.
“Kur e fituam Euro 2008, askush nuk tha asgjë për ne. Ne duhet të jemi të kujdesshëm, të punojmë dalë ngadalë, të mendojmë për ndeshjen e parë dhe më pas të shohim çfarë ndodhë. Të kalojmë fazën grupore është synimi ynë primar”.
“Ekipi kombëtar është pak i ri, por me shumë përvojë. Ka pasur ndryshime në më shumë se gjysmën e skuadrës dhe kemi më shumë lojtarë të rinj. Ne jemi shumë të fokusuar, sikurse në Gjermani. Ne kemi luajtur mirë atje, por u eliminuam në një ndeshje me fat të keq”.
“Ne duhet të mësojmë se, në Botëror, të gjithë do të ta bëjnë të vështirë, pa marrë parasysh se kush është. Përpos se të jesh i mirë, të nevojitet dhe fat, sikurse patëm ne në Euro 2008”, ka thënë Fabregas.
Portieri i Italisë, Gianluigi Buffon, ka një qëndrim të caktuar për Botërorin e sivjetmë, duke thënë se vetëm mbrojtja e titullit do të ishte sukses për kombëtaren Azzure.
“Ne kemi cilësinë për ta mbrojtur titullin, por nuk do të jetë e lehtë. Ne jemi këtu pa kurrfarë fiksimi për të fituar, por jemi të bindur se mund të luajmë mirë”.
“Nuk mund ta krahasojmë këtë ekip, me atë të vitit 2006, por ekipi ynë tani ka cilësi individuale, përvojë dhe freski”, tha Buffon për Le Figaro.
Mbrojtja e titullit kampion bote për Italinë fillon të hënën me ndeshjen kundër Paraguait.
Futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi, ka folur për kënaqësinë e tij në këtë Botëror, duke thënë se ky është momenti më i mirë i jetës së tij me kombëtaren ‘gauçose’.
Lionel Messi shfaqi paraqitje fenomenale ndaj Nigerisë dhe përpos faktit që kaloi nga pesë lojtarë, ai nuk arriti të shënonte asnjë gol, dhe kjo vetëm për shkak të intervenimeve epike të portierit Vincent Enyeama, që tani po kërkohet nga tërë Evropa.
“Jam i ngazëllyer sepse gjërat shkuan shumë mirë për mua në fushë dhe sepse ne fituam. Unë kam pasur momente të këqija me kombëtaren, kur gjërat nuk shkonin mirë për ne dhe kur unë luaja dobët. Për këtë arsye ajo ditë ishte e madhe për mua. Ky është momenti më i mirë i jetës time me Argjentinën”, theksoi Messi.