Kombëtarja e Spanjës është fituese e Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010, pasi që ka arritur të shënojë fitore historike prej 1-0 përballë Holandës në finalen e madhe të zhvilluar në Soccer City të Johanesburgut.
Kjo finale u përshkua me një lojë mjaft agresive nga të dyja anët, ndërsa këtë e dëshmon edhe numri i madh kartonëve të verdhë të ndarë nga arbitri kryesor Howard Webb.
Rastet më të mira gjatë kohës së rregullt për ‘Tulipanët’, i pati Arjen Robben, i cili dy herë dështoi përballë portierit Iker Casillas, ndërkohë që për ‘Furinë e kuqe’ vlen të përmendet një rast i shkëlqyer i David Villas që nuk përfundoi në rrjet, dhe një rast shumë i mirë i Sergio Ramos, mirëpo goditja e tij përfundoi mbi portë.
Sido që të jetë, në fund të kohës së rregullt të takimit rrjetat mbetën pa u prekur, ashtu që duhej të zhvilloheshin vazhdimet për të përcaktuar kampionin.Në pjesën e parë të vazhdimeve, Cesc Fabregas pati një mundësi të artë për ta kaluar përfaqësuesen e tij në epërsi kur u gjet ballë për ballë me Stekelenburg, mirëpo portieri holandez doli më i suksesshëm.
John Heitinga ia vështirësoi punët kombëtares së tij në pjesën e dytë të vazhdimeve, pasi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrjeje në Andres Iniestan, dhe gjyqtari Webb e përjashtoi nga loja.Lojtari më i mirë i Spanjës në këtë takim, Andres Iniesta, doli edhe hero i kombëtares së tij, duke u shkëputur në mënyrë perfekte për të realizuar golin e fitores në minutën e 117-të.
Ky është titulli i parë i kampionit të botës në histori të përfaqësueses spanjolle, ndërsa vjen pas titullit të kampionit të Evropës të fituar në vitin 2008.
Bosi i Arsenalit, Arsene Wenger, ka hedhur poshtë spekulimet se Arsenali është në kërkim të mesfushorit të Bordeaux, Yoann Gourcuff, duke thënë se Topçinjtë kanë mjaft mesfushorë.“Ne nuk jemi të interesuar për Gourcuffin dhe ne kurrë nuk kemi kontaktuar. Ai është lojtar që më pëlqen shumë, por tani kemi mbulim të mjaftueshëm në mesfushë”, tha Wenger për Telefoot.
Kjo deklaratë e Wenger edhe njëherë e sqaron në njëfarë mënyre se ai nuk ka ndërmend t’ia shesë Barcelonës kapitenin Cesc Fabregas.
Sulmuesi i Milanit, Marco Boriello, ka kritikuar ish-përzgjedhësin e Italisë, Marcello Lippi, për dështimin e Azzurëve në Kampionatin Botëror, Afrika e Jugut 2010.“Fatkeqësisht nuk kishte entuziazëm nga opinioni. Njerëzit nuk e mbështesnin Italinë dhe ndoshta Lippi është dashur t’i dëgjojë ata më shumë. Është natyrisht penduese kjo, pasi që vendimet për kombëtare ishin bërë të qarta shumë kohë më parë”.
“Nuk kishte shumë dallim të madh në cilësi nga lojtarët që kanë shkuar në Afrikën e Jugut dhe me ata që janë lënë në shtëpi. Ndoshta përfshirja e Antonio Cassanos dhe e Mario Balotellit, do të ishte shtysë e nevojshme”.
“Cassano te Milani? Unë kam luajtur me Cassanon në nivele të ndryshme për Azzurët dhe ai gjithmonë më ka pëlqyer. Ai është lojtar i tipit të Milanit”, deklaroi Boriello.
Kreu i FIFA-s, Sepp Blatter, ka mbrojtur organizimin dhe Botërorin në përgjithësi, duke thënë se ky është një Botëror i veçantë dhe i paprekur nga gabimet e gjyqtarëve, apo stadiumet e zbrazëta.“Ne i kemi gjyqtarët më të mirë. Ne kemi tentuar t’i nxjerrim ata në maje, por natyrisht se arbitrat janë qenie njerëzore dhe ata gabojnë si të gjithë të tjerët”.
“Stadiume të zbrazëta? Kishte ulëse të zbrazëta, jo stadiume të zbrazëta. Mos harroni, 95% e biletave janë shitur. Jo të gjithë erdhën në stadium. Nëse keni parë në disa stadiume ulëse të zbrazëta, ishte për shkak të akomodimit dhe e kemi pritur që kjo të ndodhë për shkak se në Afrikë nuk ka ulëse akomoduese”.
“Të gjitha festat e tifozëve nuk ishin për shkak se këtu është luajtur futboll, por specifikisht sepse jemi në Afrikë. Nuk mund ta bëj një renditje të Botërorit, por ishte një Botëror shumë atraktiv dhe për mua ishte gjithashtu një Botëror emocional”, tha Blatter.
Sipas Daily Star Sunday, Wesley Sneijder dëshiron të kalojë në Ligën Premier për të luajtur për Manchester Unitedin, ndërsa ai vetë në qarqet e tija private ka deklaruar se një transferim i tillë nuk është i vdekur.Anëtarë të familjes së Sneijderit janë duke këmbëngulur që ai të kalojë te Manchester Unitedi dhe njëherë e përgjithmonë, ta plotësojë ëndrrën e tij.
“Wesley dëshiron të luajë për Unitedin dhe ai duhet të shkojë atje. Ai ishte shumë i zhgënjyer kur ata nuk u interesuan për të, kur ai u largua nga Reali për 15 milionë euro”, tha një anëtar i familjes Sneijder.
Parma është shumë pranë rikthimit të Luis Jimenezit në klub, njofton Sky Sport Italia.Pas një periudhe huazimi te Parma sezonin e kaluar, klubi parman nuk arriti dot të mposhtë Interin në negociatat për firmën e futbollistit. Sidoqoftë, Parma është në gjendje të lëkundë klubin e ri të Jimenezit, Ternana.
Pas skadimit të bashkëpronësisë, Interi i humbi të drejtat mbi Jimenezin në një ‘ankand të verbër’, ndërsa klubi nga Serie C është duke kërkuar që të përfitojë nga Parma, me shitjen e Jimenezit në Serie A.
Sulmuesi i Milanit, Klaas-Jan Huntelaar, është duke u kërkuar nga Aston Villa dhe Tottenhami, përderisa Milani dëshiron ta shesë atë, me vetë sulmuesin holandez që tani aludon hapur për një kalim në Ligën Premier.“Kalimi në Angli do të ishte gjë e mrekullueshme për mua. Liga Premier është një kampionat të cilin gjithmonë e shikoj. Është argëtuese dhe futbolli do të më përshtatej sepse ekipet sulmojnë. Shumë lojtarë holandezë kanë luajtur në Angli, lojtarë të cilët i kam adhuruar si Dennis Bergkamp. Të gjithë duan të luajnë këtu. Është një nga kampionatet më të mira në Evropë”.
“Unë kam qenë shumë pranë kalimit në Angli në të kaluarën, pasi që kishte klube shumë të interesuara në mua, por unë e zgjodha Milanin. Të shohim çfarë do të ndodhë. Natyrisht, Liga e Kampionëve për mua është më e rëndësishme, por më e rëndësishme është që unë të luaj. Fokusi im pas Botërorit do të jetë Milani, kështu që do të duhet të shohim se çfarë ndodhë kur të kthehem në Itali. Unë dua të luaj për Milanin, por nuk dua të qëndroj në pankinë”, u shpreh Huntelaar për Sunday Mirror.
Legjenda e Interit, Javier Zanetti, ka pohuar se Serie A është bërë kampionat shumë më i vështirë për t’u fituar, për shkak të cilësisë së ekipeve pjesëmarrëse.“Unë mendoj se kampionati italian është në një nivel më të lartë se sa më parë. Përkundër historisë, nuk është kurrë e lehtë të mposhtësh ekipe si Fiorentina apo Sampdoria”, theksoi ‘Il Capitano’ për La Gazzetta dello Sport.
36-vjeçari do të luajë sezonin e tij të 16-të me Interin, ndërsa ka 700 paraqitje. Ai ishte pjesë integrale e ekipit që e fitoi tripletën historike sezonin që sapo përfundoi.
Presidentja e Flamengos, Patricia Amorim, ka thënë se Ronaldinho dëshiron t’i bashkohet klubit brazilian gjatë afatit kalimtar veror.“Unë e kam dëgjuar këtë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ai. Ronaldinho dëshiron që të na bashkohet neve këtë vit”, ka thënë ajo për Il Corriere dello Sport.
Flamengo thuhet të jetë e gatshme të bëjë një ofertë prej 300 mijë eurosh në muaj për Ronaldinhon. E ardhmja e brazilianit ende nuk është e qartë, me Flamengon e interesuar për të pas kalimit të Adrianos te Roma.
Bosi i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka mohuar kategorikisht spekulimet dhe pohimet se ai ka bërë ofertë për mesfushorin e Interit, Wesley Sneijder.Massimo Moratti javë më parë kishte pohuar se United kishte bërë ofertë për Sneijderin dhe se ai e kishte refuzuar atë. Tani ka dalë në skenë Sir Alex Ferguson që për Mail on Sunday mohoi këto raporte.
“Nuk e di se nga kanë ardhur këto spekulime për Sneijder. Si mund të më ketë refuzuar dikush ende pa i bërë ofertën? Unë besoj se skuadra është shumë më e fortë se sezonin e kaluar me lojtarët, me lojtarët e rinj që kanë fituar përvojë”, tha Ferguson.
Sulmuesi i Uruguait, Luis Suarez, nuk e ka fshehur dëshirën e tij për të kaluar në Ligën Premier, pasi që sipas tij Kampionati anglez është më kompetitivi në botë.“Unë nuk kam ndërmend ta fsheh dashurinë time për Ligën Premier. Arsyeja pse e dua qëndron prapa faktit që në Ligën Premier janë pesë ose gjashtë skuadra me cilësi të Ligës së Kampionëve dhe asnjë kampionat tjetër nuk është i tillë”.
“Kur shikoni lojtarët e Manchester Cityt dhe Liverpoolit, ata kanë lojtarë si Steven Gerrard, Javier Mascherano, David Silva, Yaya Toure dhe Emmanuel Adebayor, dhe kur mendoni se ata nuk do të luajnë në Ligën e Kampionëve, atëherë kjo flet më shumë se gjithçka për fuqinë e kampionatit”.
“Unë e di se kam pasur një Kampionat Botëror shumë të mirë dhe me atë natyrisht se vijnë ofertat nga klubet tjera. Nëse një skuadër e Ligës Premier bën ofertë për mua, atëherë do të jetë e vështirë për Ajaxin të më mbajë dhe mendoj se ata e dinë mjaft mirë këtë”.
“Manchester United është skuadër e madhe dhe së bashku me Real Madridin, janë dy klubet më prestigjioze në botë. Nëse i bashkoheni Unitedit dhe qëndroni atje një kohë të gjatë, atëherë atje sigurisht se do të fitoni diçka. Tottenhami është gjithashtu një ekip që ka ambicie. Nëse vijnë shumë oferta nga Liga Premier, do të vendosi me kohë, por aktualisht janë interesuar vetëm dy skuadra”, deklaroi Suarez.
Xavi u ka thënë bashkëlojtarëve të tij që të gjejnë momentin përfundimtar para golit dhe të jenë më të sigurt në finalen e madhe ndaj Holandës të dielën mbrëma.“Është e qartë që ne nuk kemi shënuar shumë gola. Ne ndjehemi shumë komfortë me mënyrën se si po luajmë dhe ne jemi duke krijuar shumë raste. Zakonisht, kur e bëni këtë, ju dëshironi të shënoni gola. Por, ne nuk po i shndërrojmë rastet në përqindjen tonë normale. Le të shohim nëse mund ta mënjanojmë këtë, sepse kjo do të jetë e rëndësishme në finale”, theksoi Xavi.
Nga ana tjetër Iker Casillas tha se ndeshja do të jetë më e rëndësishme në karrierën e tyre.
“Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme, ndeshja më e rëndësishme në karrierën tonë dhe ne ndjehemi nervozë. Ne jemi ndjerë paksa të frikësuar përgjatë kampionatit, madje edhe në ndeshjet e para. Ne të gjithë e dimë se sa vitale është kjo ndeshje. Është e natyrshme të kemi emocione”, përfundoi portieri spanjoll.
Mandla Mandela, nipi i Nelson Mandelas, ka deklaruar se FIFA ka bërë presion të madh në gjyshin e tij, për të marrë pjesë në finalen e Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010.Mandela pritet që t’ia dorëzojë trofeun e Kupës së Botës skuadrës fituese, por ai ende nuk ka marrë ndonjë vendim se a do të marrë pjesë, pasi që duhet të respektojë dhe traditat e familjes pas vdekjes së stërmbesës, Zenani Mandela.
“Familja vërtet ka hequr dorë nga shumë aktivitete, pasi që jemi në zi për Zenanin. Kështu, ne kemi pasur shumë presion nga FIFA që kërkon që gjyshi im të jetë prezent në finale. Por, mendoj se vendimin pritet ta marrë ai, se si zgjohet në mëngjes, si ndjehet, çfarë thotë stafi i tij mjekësor, ashtu si familja e tij”.
“Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter,dëshiron që gjyshi im të jetë prezent në finale. Mendoj se njerëzit duhet të kuptojmë traditat e familjes dhe të kuptojnë humbjen që kemi pasur në familje, pasi që jemi në zi dhe për mua kjo është një arsye e madhe. Fokusi i tyre është që ta kenë ikonën e botës në stadium dhe as që u interesojnë traditat tona si njerëz dhe si familje”, tha Mandla Mandela.
Atleti i shtigjeve të shkurtra, Tyson Gay, ka deklaruar se ai është në gjendje t’i bëjë konkurrencë atletit xhamajkan, Usain Bolt, pasi që Gay mendon se ai nuk është i pakapshëm.“Bolt? Është mirë që të gjithë të fokusohemi në sport. Jam i sigurt se ai dëshiron konkurrencë. Tani për tani ai nuk ka konkurrencë. Unë besoj se mund ta zë atë. Ky është qëllimi im. Nuk them se do ta zë sigurt, por është qëllimi im”.
“Unë ndjehem i depresionuar kur lëndohem, është gjë e keqe, irrituese, frustruese, të gjitha fjalët të cilat mund t’i mendoj. Unë punoj aq shumë dhe më pas shkon diçka keq. Ju dëshironi të thoni se nuk është e drejtë, por kjo ndodhë. Ju duhet t’ia dilni mbanë”, deklaroi Bolt për Telegraph.
Ish-sulmuesi i Arsenalit, Thierry Henry, është shumë pranë largimit nga Barcelona, për t’u prezantuar të enjten e ardhshme si futbollist i skuadrës nga Kampionati amerikan MLS, New York Red Bulls.Sipas News of the World, New York Red Bulls ka konfirmuar se ata do të mbajnë një konferencë për shtyp ku do të prezantohet transferi më i ri, e që sipas tabloidit anglez pritet të jetë Thierry Henry.
Përkundër momenteve jo të mira në fanellën e Barcelonës, francezi mbetet një nga legjendat e futbollit, sidomos gjatë kohës kur barti fanellën e Arsenalit, me 174 gola të shënuar në 244 paraqitje nga viti 1999 deri 2007.
Mesfushori holandez, Wesley Sneijder, ka deklaruar se nëse Anglia e ka ndërmend të shpëtojë nga dështimet e ardhshme në rangun ndërkombëtar, atëherë duhet të mendojë se si ta bëjë Jose Mourinhon përzgjedhës të Tre Luanëve.“Jose Mourinho është një djalosh i sinqertë dhe nëse e pyesni se cili futboll e kënaq më së shumti, ai do t’iu thotë se është Liga Premier. Një ditë, ai do të kthehet në Ligën Premier dhe kur të kthehet, Federata Angleze e Futbollit (FA) duhet të bëjë gjithçka në mundësitë e veta për ta bindur atë ta drejtojë edhe Anglinë”.
“Cilësia e Ligës Premier nuk mund të vihet në pikëpyetje, por shuma e parave që shpenzohet atje mund të shkaktojë probleme për kombëtaren angleze. Shumica e ekipeve mund të shpenzojnë në transferimin e lojtarëve të dëshmuar, ata nuk kanë nevojë të prodhojnë lojtarë, ashtu siç bëjmë ne në Holandë”, deklaroi Sneijder.
Australiani i Red Bull, Mark Webber, ka arritur të dalë fitues i garës për Çmimin e Madh të Britanisë, pasi që ishte i palëkundshëm duke mbajtur pozitën e parë gjatë 52 xhirove të pistës së rinovuar të Silverstone.Pozitën e dytë e mbajti piloti i McLaren, Lewis Hamilton, që ishte i pafuqishëm, pasi që nuk arriti ta tejkalojë australianin Webber para publikut vendas. Në pozitën e tretë u rendit Nico Rossberg i Mercedes.
Ishte kjo një garë me kthesa të mëdha dhe në të cilën protagonist nuk ishte fituesi i saj, por kolegu Sebastian Vettel, që s’pastroi gjithçka nga rruga duke dalë nga pozita e fundit, në pozitën e shtatë. Fernando Alonso gjithashtu u përpoq të bënte diçka, por së bashku me kolegun e tij nga Ferrari, Felipe Massa, okupuan vetëm pozitën e 14 respektivisht 15. I nënti u radhit shtatë-herë kampioni i botës në Formula 1, Michael Schumaher.
Lewis Hamilton prinë ende në ranglistën e përgjithshme me 145 pikë, ndërsa i dyti është kolegu i tij dhe kampioni aktual Jenson Button që dështoi në vendlindje. Dy pilotët e McLaren janë duke u ndjekur nga dyshja e Red Bull, Vettel dhe Webber të cilët janë në pozitat 3 respektivisht 4.
Transferi më i ri i Chelseat, Yossi Benayoun, ka dhënë një deklaratë sensacionale, ku sqaroi se arsyeja e vetme e largimit të tij nga Liverpooli ishte menaxheri Rafa Benitez, për të cilin thotë t’ia ketë bërë vitet në Anfield një makth të vërtetë.“Të gjithë më pyesin pse u largova nga Liverpooli. Ka vetëm një arsye për këtë – Rafa Benitez. Unë u pajtova t’i bashkohesha Chelseat para se të emërohej Roy Hodgson si menaxher i ri. Është ëndërr për mua që një klub aq fantastik ma ka dhënë mundësinë. Por, unë dua që tifozët e Liverpoolit ta dinë të vërtetën dhe t’ua bëj me dije se unë e kam menduar largimin që një kohë të gjatë për shkak të Benitezit”.
“Ai kurrë nuk më trajtoi me respektin që e meritoja. Nëse unë luajta mirë, nuk kam ndjerë kurrë nota falënderimi nga ai. Edhe kur shënoja, unë prisja që të mos jem në ekipin e parë ndeshjen e ardhshme. Dhe kur tifozët kërkonin që unë të luaja, Benitez më tha se ai nuk mund ta kuptonte pse”.
“Ka shumë shembuj të keqtrajtimit të tij. Në dy raste më herët gjatë sezonit, ndaj Fulhamit dhe Lyonit, tifozët vërshëllyen kur unë u zëvendësova. Ata mendonin se unë luaja mirë, por Benitez më ka thënë se ai ishte i befasuar nga vërshëllimat e tifozëve, sepse unë nuk isha mjaft i mirë”.
“Më pas luajtëm ndaj Birminghamit dhe pasi nuk kisha startuar për një muaj të tërë, ai nuk më ka treguar se do të isha titullar deri dy orë para takimit. Ai tentoi të ma shkatërronte besimin. Ju nuk mund ta trajtoni kështu lojtarin dhe të prisni që ai të jetë i kënaqur. Unë nuk po flas në emër të lojtarëve të tjerë, por njerëzit e dinë se çfarë ndodhi me Albert Rieran dhe Xabi Alonson. Ishte e njëjtë për mua. Benitez tentoi të më thyente, ashtu siç e theu Rieran”.
“Një ditë para ndeshjes së fundit të sezonit ndaj Hull Cityt, Benitez më mori në një anë pas stërvitjes dhe më tha: ‘Ti nuk do të jesh në skuadër për këtë ndeshje. Të faleminderit për tri vitet e shërbimit, tani mund ta thërrasësh agjentin dhe të shkosh te ndonjë klub tjetër’. Kjo ishte kur Chelsea ma bëri ofertën dhe marrëveshja ishte arritur para se të largohej Benitez. Unë e dija se duhet të shkoja sa më larg Benitezit. Shumë njerëz te Liverpooli më trajtuan mirë dhe kërkuan që unë të qëndroja, por unë nuk mund ta refuzoja një klub aq të madh si Chelsea. Nuk kam mundur të pres dhe të shoh nëse Benitez do ta mbante punën e tij. Klubi më tha se ata e kuptuan që unë nuk isha i lumtur dhe më premtuan se do të më lejojnë të largohesha posa të vinte oferta e parë”.
“Është mirë për Liverpoolin që ai u largua, por për mua ishte tepër vonë. Unë e di se të gjithë atje do të jenë më të lumtur tani dhe besoj se Roy Hodgson është një zgjedhje e mirë. Ishte privilegj për mua të luaja për një klub aq të madh përballë tifozëve të mrekullueshëm. Unë mendova se do të qëndroja shumë më shumë”, deklaroi Benayoun për News of the World.
Liverpooli ia ka vënë një çmim Fernando Torresit, i cili sipas Daily Mail është 100 milionë funte, një shumë rekorde nëse do të realizohej një transferim, ndërsa kjo lëvizje e zyrtarëve nga Anfield shihet si tentim për të shmangur klubet e interesuara për të.“Duket se Liverpooli po tenton t’ia vë një çmim astronomik Torresit. Përshtypja që ata kanë lënë me këtë është se Torres nuk do të shkojë askund”, theksoi një burim i tabloidit.
E ardhmja e sulmuesit spanjoll nuk është sqaruar ende, pasi që ka shumë klube të interesuara për të, ndërsa ai po kërkon të luajë në Ligën e Kampionëve. Ai ende nuk ka marrë ndonjë vendim definitiv, por me çmimin e ri të vënë nga Liverpooli, vështirë se do të ketë nga ato skuadra që do ta thyejnë rekordin e transferimit të Cristiano Ronaldos te Real Madridi.
“Torres nuk do të shkojë te Manchester City sepse ata nuk mund t’i japin atij atë që do, që është mundësia për të fituar Ligën e Kampionëve”, përfundoi burimi.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourino, do të ndezë së shpejti motorët në mënyrë që të transferojë mbrojtësin Ashley Cole në Bernabeu, dhe njëherit për t’u bashkuar me Maiconin në prag të sezonit të ri.Sipas Daily Mail, Mourinho beson se transferimi i dy prej mbrojtësve anësorë më të mirë në botë, do t’i ndihmojnë Cristiano Ronaldos dhe Kakas për të nxjerrë më të mirën, ndërsa Real Madridi ia ka garantuar Mourinhos një fond prej 40 milionë funtesh për transferimin e dyshes.
Ashley Cole sipas të gjitha gjasave do të jetë futbollisti i ardhshëm i Real Madridit, pasi që futbollisti anglez që u shoqërua nga skandalet e shumta, duke filluar nga ndarja me bashkëshorten Cheryl Cole, e duke vazhduar dhe me skandalin më të fundit të Botërorit, ku ai thuhet ta ketë fyer Anglinë.
Sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato, definitivisht e ka përcaktuar të ardhmen e tij, duke thënë se ai dëshiron të qëndrojë në San Siro, deklaratë që e ka detyruar Chelsean e Carlo Ancelottit të dorëzohet në garë për sulmuesin brazilian.Ditëve të fundit kishte shumë spekulime për të ardhmen e Patos, pasi që ai nga njëra anë lidhej me një ribashkim me Carlo Ancelottin te Chelsea, kurse nga ana tjetër thuhej se do të mund të përfshihej në një marrëveshje shkëmbimi për Ibrahimovic, i cili si duket do të mbetet vetëm një ëndërr për Rossonerët.
“Synimi im i vetëm është që të jem i gatshëm për rifillimin e stërvitjeve me Milanin më 20 korrik. Unë kam kontratë me Milanin deri në vitin 2014 dhe unë dua ta respektoj atë. Pas dhjetë vitesh, unë do të kthehem në Brazil për ta përfunduar karrierën te Internacionali, klubi që i takon zemrës time”, tha Pato për TV eband.
Liverpooli ka tashmë në agjendë largimin e Fernando Torresit gjatë kësaj vere, ndërsa e ka bërë sulmuesin ganez, Asamoah Gyan, prioritetin kryesor për të zëvendësuar spanjollin.Sipas News of the World, pas paraqitjeve fantastike të Gyan në Botërorin e sivjetmë, vlera e tij është rritur në 20 milionë funte. Ai madje është dhe në nominimet për futbollistin më të mirë të Botërorit.
Këto paraqitje kanë bërë që Liverpooli të përgatitet për një largim të Torresit dhe një transferim të Gyanit. Nga ana tjetër Roy Hodgson është duke u përpjekur për Joe Cole, por sipas spekulimeve të fundit ai preferon të shkojë në La Liga apo Serie A.
A është qenie njerëzore? Jo. Krokodili 700 kilogramësh i quajtur Harry, që jeton në një park krokodilësh, ka përkrahur oktapodin Paul, duke e zgjedhur Spanjën si fituese të Botërorit të sivjetmë.Krokodilit iu desh vetëm një minutë për ta përcaktuar fituesin e Botërorit. Ai doli shpejtë nga uji duke e ngrënë pulën e mbështjellë me flamurin e Spanjës dhe jo atë me flamurin e Holandës.
Mick Burns, pronari i parkut, ka thënë se ai u inspirua që ta bënte këtë nga oktapodi Paul, që i ka qëlluar deri më tani të gjitha rezultatet e ndeshjeve të Botërorit.
Sulmuesi i Arsenalit, Robin Van Persie, ka thënë se një ditë do të dëshironte që të përmendej si ylli i Barcelonës, Lionel Messi.“Kur u ktheva nga lëndimi im i gjatë në pranverë, Arsene Wenger më tha se njerëzit së shpejti do të flasin për mua sikurse për Lionel Messin. Unë jam i sigurt se ata do të flisnin kështu tani po të mos isha lënduar”.
“Unë ndjej besimin e menaxherit, por unë duhet të mbetem i thjeshtë. Unë natyrisht se nuk jam në të njëjtin nivel si Messi. Për më shumë, unë po lëndohem shpesh”.
“Unë po ëndërroj për një sezon me 30 gola dhe 20 asistime. Wenger e di se unë mund ta bëj këtë, por trupi im duhet ta durojë këtë. Synimi im final është që të jem në të njëjtin klas si Messi, Ronaldo dhe Rooney, por para së gjithash në atë të Messit, sepse ai është një gjigant”, deklaroi Van Persie për L’Equipe.
Përzgjedhësi i Holandës, Bert van Marwijk, në deklaratën e tij para finales ka vënë theks të veçantë në ecurinë pa humbje të Holandës në këtë Kampionat Botëror.“Nëse jemi në finale, është për shkak se e merituam. Ne e kemi mposhtur Brazilin dhe ata e kanë mposhtur Gjermaninë. Të dyja ekipe kemi treguar stabilitet enorm. Spanja luajti futboll më atraktiv se ne, por që të dyja ekipet kemi synime të njëjta, stilin e njëjtë. Ata e kanë luajtur një futboll që është pak a shumë më i mirë se i joni, por ne i kemi fituar të gjitha ndeshjet, kurse ata e kanë humbur një”.
“Lojtarët nuk kanë nevojë për motivim të veçantë, ne nuk po flasim për të kaluarën. Të jemi në finale është diçka unike dhe ne duam ta fitojmë atë. Ne nuk po mendojmë për gjysmëfinalet. Unë kam thënë se në ato momente kam menduar për vitet 1974 dhe 1978, por tani jemi të përqendruar vetëm në finale”, tha Van Marwijk.
Njeriu që u përkujdes për eurogolat e këtij Kampionati Botëror, Diego Forlan, ka shprehur zhgënjimin e tij me rastin e humbjes nga Gjermania në luftë për pozitën e tretë.“Ne bëmë pak. Ne kemi dashur ta fitojmë vendin e tretë. Ne bëmë disa gabime dhe ndeshja shkoi si shkoi. Ne jemi kënaqur me këtë Botëror. Arritja jonë është spektakolare”, theksoi Forlan.
Uruguai nuk ka arritur një sukses të tillë që prej më se 40 vitesh.
Gjermania zuri vendin e tretë ashtu si në Botërorin e kaluar, ndërsa me këtë sukses ndihet krenar njëri nga liderët dhe lojtarët më të mirë të ekipit kombëtar gjerman, Bastian Schweinsteiger.“Kjo ishte shumë me rëndësi edhe për tifozët tanë në Gjermani. Unë jam shumë krenar që e kam luajtur Botërorin me një skuadër të tillë. Kapiteni? Michael Ballack është kapiteni i Gjermanisë dhe s’ka çfarë të diskutohet këtu”, theksoi Schweinsteiger.
Njëri ndër golashënuesit, Sami Khedira, u shpreh gjithashtu pas ndeshjes të cilën e vulosi ai me golin e tij me kokë, duke thënë: “Natyrisht ne kemi shpresuar për më shumë, por tek e fundit edhe ndeshja për vendin e tretë ishte si finale, të cilën kemi dashur patjetër ta fitojmë”.
Përzgjedhësi i Uruguait, Oscar Tabarez, beson se skuadra e tij e meritoi një rezultat më të mirë se sa humbjen prej 3-2 ndaj Gjermanisë, duke thënë se ekipi i tij ishte i barabartë me Gjermaninë.“Ne arritëm të bëjmë një lojë të barabartë ndaj një fuqie të vërtetë. Ne kemi mundur ta fitojmë ndeshjen, sepse ata nuk ishin superiorë”.
“Ne nuk jemi larg ekipit më të mirë në botë, rruga tani është hapur. Ne duhet të mësojmë nga ky Botëror. Për të ardhmen e futbollit tonë, kjo çfarë kemi arritur është shumë e rëndësishme, pasi që nuk kemi arritur me dekada një sukses të tillë”, deklaroi Tabarez pas ndeshjes.
Përzgjedhësi i Gjermanisë, Joachim Loew, u shpreh të jetë mjaft i kënaqur me pozitën e tretë të fituar në Kampionatin Botëror, duke thënë se skuadra e tij ishte më e mirë se ajo e Uruguait.“Skuadra me meritë zuri vendin e tretë dhe në pjesën e dytë ka luftuar vërtet në mënyrë të jashtëzakonshme. Nëse e analizojmë gjithë kampionatin, se si luftoi ekipi, atëherë jemi absolutisht të kënaqur”.
“Tani mund të kthehen të gjithë krenarë në Gjermani. Sa i përket vendimit tim për të ardhmen, më duhen disa ditë pushim, sepse tani nuk e di saktë se çfarë do të vendos”, deklaroi Loew.
Fitues i këtij turneu doli Gurash Hasani, i cili e mposhti kundërshtarin e tij me rezultat 2-0 në sete (7-6 dhe 6-2).
Turneu i ardhshëm do të jetë në kategorinë e femrave, ndërsa do të fillojë me 15 korrik. Në këtë turne do të marrin pjesë edhe tenistet që luajnë jashtë Kosovës, ashtu që pritet të jetë ndër turnetë më të mirë në kategorinë e femrave që është organizuar ndonjëherë.
Ish-sulmuesi i Interit, Jurgen Klinsmann, ka thënë se Rafa Benitez është trajneri ideal për Interin për ta zëvendësuar Jose Mourinhon në atë post.Klinsman shënoi 40 gola në fanellën e Interit prej vitit 1989 deri në vitin 1992, ndërsa është i kënaqur për tifozët Nerazzur dhe suksesin e arritur në Ligën e Kampionëve pas një kohe të gjatë. Ai mbështeti emërimin e Benitezit në postin e trajnerit.
“Presidenti Massimo Moratti e bëri zgjedhjen e duhur kur është dashur ta zëvendësojë Mourinhon në pankinë. Unë i dëshiroj Benitezit fat, pasi që ai është mirë i përgatitur dhe një trajner kompetent. Interi po vjen nga një vit i jashtëzakonshëm dhe jam vërtetë i lumtur për tifozët e Interit, pasi që ata e merituan një kënaqësi të tillë”, tha Klinsmann për RaiSport.
















