Fernando Torres është aktualisht në pushime dhe përderisa mediat po spekulojnë mbi të ardhmen e tij, është Roy Hodgson ai që ka zbuluar se sulmuesi spanjoll dëshiron të qëndrojë te Liverpooli.
“Siç e di, ai pritet të kthehet nga pushimet të hënën. Ai po kënaqet me pushimin e merituar, pasi që nuk mendoj se ka pushuar që tre vjet. Ai po kalon shumë kohë me familje dhe deri tani siç e di ai po qëndron larg syrit të mediave, duke mos folur me askë, por ai na ka thënë se ai do të kthehet të hënën”.
“Ai mezi pret të kthehet në punë, duke dëshiruar të luajë për Liverpoolin sezonin e ardhshëm. Kjo është ajo që di dhe spekulimet tjera mendoj se janë të pasakta”, u shpreh Hodgson.
Kampioni i Francës, Marseille, synon që të transferojë sulmuesin e Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor, njofton France Football.
Adebayor mendohet se është vënë në shitje për shkak se Manchester City është vënë në kërkim të Edin Dzekos. Kësaj duhet t’ia shtojmë faktin që Mario Balotelli pritet të zyrtarizohet si lojtar i Cityt brenda 72 orëve.
Marseille dëshiron që të vazhdojë sukseset edhe në Ligën e Kampionëve dhe Adebayor pëlqehet nga trajneri Deschamps. Megjithatë, paga e tij e lartë prej 5 milionë funte për stinor, është problem për skudrën franceze.

Pas përballjes në GJND mes Kosovës dhe Serbisë, shorti i Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF) ka nxjerrë përballë njëra tjetrës në konkurrencën e femrave skuadrën nga Kosova, Kastrioti dhe atë të ZRK Knjaz Milloshit nga Serbia, për të luftuar për kualifikim të mëtutjeshëm në garën për Kupën e Fituesve të Kupave.
Sfida e lartpërmendur kur kosovaret pritet të kenë punë me fqinjet e tyre veriore, vështirë se do të mund të zhvillohet qoftë në Kosovë apo në Serbi, por EHF pritet ta organizojë ndeshjen e parë dhe atë kthyese në ndonjë terren neutral.
Në konkurrencën e meshkujve, fat të keq ka pasur Besa Famiglia që në Kupën e Fituesve të Kupave do të ketë punë me gjigantin evropian që vitin e kaluar eliminoi Kastriotin, skuadrën gjermane VFL Gumersbach.
KHF Prishtina do të udhëtojë më 4 dhe 5 shtator në Qipro për t’u takuar me skuadrën Enosi Neoleas Athienou, ndërsa ndeshja kthyese zhvillohet një javë më vonë në Prishtinë, kurse gjasat për kualifikim janë reale.
Kastrioti ka pasur fat të madh pasi që në rrethin e parë do të ketë të bëjë me skuadrën nga Luksemburgu, Dudelang, të cilën pritet ta eliminojë, kurse më pas do të mund ta presë skuadra nga Manastiri, HC Pelsiter 08.

Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, ka konfirmuar se Javier Mascherano ia ka bërë të qartë se ai dëshiron të largohet nga klubi.
“Po, ai dëshiron të largohet nga klubi, ai e ka bërë këtë të qartë. Por, ai është i kontraktuar me Liverpoolin, kështu që nëse ai do të largohet do të jetë vendimi ynë. Për momentin ai është lojtar i Liverpoolit, ai pritet që të jetë lojtar i Liverpoolit dhe do të trajtohet si lojtar i Liverpoolit, derisa të vie dita që ai të mos jetë”.
“Fakti që lojtari është paksa i pakënaqur me situatën e tij dhe do të preferonte të largohej, nuk do të thotë se ai domosdoshmërisht do të largohet. Po, kjo më zhgënjen mua, por nuk është e pazakontë. Në çdo klub, kudo në Ligën Premier apo në botë ka lojtarë që dëshirojnë të largohen. Disa mund të largohen dhe disa jo”.
“Kjo është situata. Mascherano është lojtar i Liverpoolit dhe ai ka kontratë dyvjeçare. Unë pres që ai ta nderojë kontratën e tij derisa të vijë dita kur klubi vendosë të pranojë ndonjë ofertë për shërbimet e tij”, precizoi Hodgson.
Drejtori i sapoemëruar sportiv i Stuttgartit, Fredi Bobic, ka thënë se ai do të intervenojë dhe së shpejti pritet ta sqarojë të ardhmen e mesfushorit Sami Khedira.
“Kontrata e Khediras do të skadojë pas një viti, që do të thotë se ai do të lejohet të largohet nga Stuttgarti si transfer i lirë. Kjo nuk do të ishte mirë për një biznes si Stuttgarti. Ne do të kishim pasur dëshirë ta zgjasnim kontratën e Khediras, por është në dorë të tij. Ne do të bisdojmë në ditët në vijim”.
“Nëse e shesim Khediran, atëherë të ardhurat do të investohen në lojtarë të rinj, por jo në zëvëndësim të Khediras me një lojtar të nivelit të Khediras. Nuk na nevojitet ajo, ne kemi tre lojtarë në skuadrën tonë që mund të luajnë në pozitën e tij. Natyrisht, do të vijnë edhe disa lojtarë”, ka thënë Bobic.
Sipas mediave italiane, Milani është skuadra që ka filluar të interesohet për mesfushorin në largim të Juventusit, Mauro Camoranesi.
Tuttosport njofton se gjatë humbjes 2-0 të Milanit ndaj Vareses të dielën, Giuseppe Marotta dhe Luigi Del Neri, kanë biseduar me Ariedo Braidan dhe Adriano Gallianin në lidhje me Camoranesin. Të katër ‘musketerët’ janë parë të ulur pranë njëri tjetrit në miqësoren ku panë disfatën e Milanit.
Zërat thonë se klubet po punojnë në një marrëveshje për italo-argjentinasin i cili është i gatshëm të largohet nga Zonja e vjetër. Camoranesi tashmë ka refuzuar oferta nga Olympiakos, Hercules dhe Club America, që ka bërë mediat të mendojnë se ai kërkon kalimin te një klub më i madh. Është thënë se trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri është adhurues i flaktë i Camoranesit.
Drejtori i Manchester United, David Gill, ka konfirmuar se Sir Alex Ferguson, ka mjaft para në dispozicion për të blerë lojtarë të rinj.
Ferguson nuk di për shpenzime viteve të fundit dhe përkundër disa shitjeve të mëdha siç ishte ajo e Ronaldos për shumë rekorde 80 milionë funte, ‘Fergie’ nuk është nxituar dhe është mbështetur në lojtarë të rinj. Por, tifozëve të United tani u ka hequr dyshimet drejtori Gill, pasi që sipas tij Ferguson ka mjaft para për të shpenzuar.
“Paratë janë aty nëse besojmë se ka ndonjë lojtar që mund ta përmirësojë këtë që është një skuadër shumë e mirë. Ekipi ka qenë së bashku për një numër vitesh dhe ka bërë mirë. Për ta përmirësuar atë, lojtari që do të vijë, duhet të jetë i cilësisë shumë të lartë”.
“Ne po shikojmë në lojtarë. Ne po shikojmë 365 ditë në vit, jo vetëm kur hapet afati kalimtar veror. Ne studiuam shumë lojtarë në Botëror, por ne i njohim ata qysh më herët. Në përgjithësi mendoj se Sir Alex është mjaft komfort me skuadrën që ka. Nuk them se nuk do të vijë askush, por e them se mund dhe jo se duhet të vijë dikush. Të shohim çfarë do të ndodhë në javët në vazhdim”, ka thënë Gill.
Zëdhënësi i bordit të Barcelonës, Toni Freixa, ka thënë se Arsenali nuk dëshiron të negociojë me Barcelonën për shitjen e mesfushorit Cesc Fabregas.
“Arsenali nuk dëshiron të ulet dhe të negociojë me ne. Problemi nuk qëndron në dëshirat e Cesc apo të Barcelonës, ata thjeshtë nuk duan të negociojnë”, theksoi Freixa para gazetarëve.
Barcelona ka vënë një limit të shumës që është e gatshme të ofrojë, bëhet fjalë për 45 milionë euro, por edhe nëse Arsenali do të ulej për të negociuar, kjo shumë është larg prej kërkesave të Topçinjve.
Duket se informata e shpërndarë të hënën në Facebook-un që u mendua të jetë i Royston Drenthes, se ky i fundit do të luajë për Liverpoolin sezonin e ardhshëm, ka qenë një gënjeshtër.
“Drenthe nuk ka llogari as në Facebook, as në Twitter e as në MySpace. Ne do të ndërrmarim masa ligjore ndaj personave që e kanë krijuar këtë llogari false të Royston Drenthe”, ka thënë agjenti për BBC.
“Drenthe definitivisht do të qëndrojë te Real Madridi. Ai është i lumtur këtu, ai ka biseduar me drejtorët e klubit dhe mezi e pret fillimin e sezonit të ri”, përfundoi agjenti.
Agjenti i Wesley Sneijder, Soren Lerby e ka bërë të qartë se e ardhmja e mesfushorit holandez është te Interi, duke hedhur kështu poshtë spekulimet për një kalim te Manchester United.
“Ky është një nga ato vitet ku gjithçka është e bukur dhe perfekte. Është e vështirë që Wesley të harrojë atë që ndodhi këtë vit”.
“Ai ka bërë histori dhe të gjithë janë të lumtur për këtë. E ardhmja e tij? Është me Interin, nuk ka dyshime ose probleme për këtë”, theksoi Lerby.
Siç njofton Sport, zëvëndëspresidenti i Barcelonës për financa, Javier Faus, ka bërë të ditur se klubi katalanas ka pasur humbje prej 77.1 milionë euro sezonin e kaluar, në krahasim me përfitimin neto prej 11.1 milionë euro para sezonit të kaluar.
Këtu kemi të bëjmë me një diferencë prej 88 milionë euro, përkundër faktit se Barcelona ka marrë kredi kohë më parë. Në total, borxhi i Barcelonës kap shifrën e 442 milionë euro neto, ndërsa borxhi bruto është 552 milionë euro.
Mbetet të shihet nëse këto probleme financiare të Barcelonës do të ndikojnë në tregun e transferimeve dhe madje këtë do ta shohim shumë shpejtë, pasi që Barcelona do të tentoj ta transferojë Fabregasin, në njërën prej sagave më të gjata të transferimeve që është parë ndonjëherë.
Mbrojtësi i Milanit, Gianluca Zambrotta, ndjen se klubi nuk ka nevojë të investojë në tregun e transferimeve për arsye se e ka Ronaldinhon.
“Ronaldinho është shumë i rëndësishëm dhe është fundamentale që ai të punojë mirë dhe të na ndihmojë t’i fitojmë ndeshjet. Ai gjithashtu mund të luajë si ‘trekuartist’ pasi që ai ka cilësi”.
“Nuk mendoj se duhet të blejmë si Milan që jemi, pasi që edhe kështu jemi mjaft kompetitivë”.
“Mendoj se Interi është ende ekipi më i fortë këtej pari për momentin, por së bashku me Romën dhe Juventusin, ne do të jemi kokë me kokë në luftë me ata”, sqaroi Zambrotta.
Mbrojtësi danez i Wolfsburgut, Simon Kjaer ka deklaruar se klubi i tij i ri ka potencial për ta fituar titullin e kampionit në Gjermani.
“Standardi është shumë i lartë, ka shumë cilësi në skuadër. Stërvitjet janë shumë më të vështira dhe intenzive, por më pëlqen kjo. Unë mezi i pres ato çdo ditë. Trajneri është motivues i mirë, me shumë ide të mira. Ne gjithashtu stërvitemi shumë me topin, që nuk ishte rasti në Itali”.
“Mendoj se mund të kemi një sezon të mirë dhe ne kemi gjasa që ta fitojmë titullin”, u shpreh Kjaer.
Qendërmbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini, ka shprehur gatishmërinë për të qëndruar te Juventusi, pasi që sipas tij ai kurrë nuk është ndier se është pranë largimit dhe njëherit shtoi se ai dëshiron që të zvogëlohet epërsia në nivel me Interin.
“Unë jam i lumtur që do të qëndroj dhe që do t’i ndihmoj ekipit të rikthehet në një skuadër të madhe. Unë kurrë nuk jam ndier i shitur. Synimi ynë minimal është të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve dhe ekziston mundësia e të rikthyerit në një skuadër konkurruese”.
“Ne kemi një sezon të gjatë para nesh dhe tifozët duhet të kuptojnë se po nisim një cikël të ri. Ne nuk jemi në të njëjtin nivel si Interi, por cilësinë e kemi”, deklaroi Chiellini.
Trajneri i Bayern Munichut, Louis Van Gaal, ka thënë se Barcelona është skuadra më e mirë në Evropë, ndërsa për kundërshtarë kryesorë në sezonin e ri në Evropë, sipas holandezit, Barca do t’i ketë Chelsean dhe Unitedin, por edhe Interin, Bayernin dhe Real Madridin e Jose Mourinhos.
“Skuadra më e mirë në Evropë? Barcelona. Finalistët e Ligës së fundit të Kampionëve (Interi dhe Bayern Munichu) nuk janë skuadrat më të mira, por nuk fitojnë gjithmonë më të mirët. Ka skuadra që luajnë në nivel mjaft të lartë- Barcelona, Chelsea dhe Manchester Unitedi - derisa skuadrat tjera janë në një shkallë më të ulët, ne (Bayerni), Interi, Lyoni dhe Madridi i ri i Mourinhos”.
“Të gjithë e dini se asnjëherë nuk më ka pëlqyer mënyra e lojës së Mourinhos, por unë po ashtu e kam lëvduar kapacitetin për të ndërtuar grupe dhe për të fituar... Mendoj se Madridi ka bërë një hap përpara me angazhimin e Mourinhos në stol”, ka thënë Van Gaal për Marca.
Duket se Tottenhami më në fund ka vendosur të shpenzojë në afatin kalimtar veror dhe transferimi i parë pritet të jetë sulmuesi uruguaian i Ajaxit, Luis Suarez.
Tottenhami ka përgatitur gjithsej 45 milionë funte për të shpenzuar në afatin kalimtar veror në mënyrë që të përgatitet sa më mirë për Ligën e Kampionëve.
Aktualisht skuadra nga White Hart Lane është e interesuar në tre sulmues, Klaas-Jan Huntelaar, Luis Suarez dhe Luis Fabiano, ndërsa burimet brenda Tottenhamit thonë se 25 milionë funte pritet të shpenzohen për sulmuesin e Ajaxit.
Trajneri i Marseille, Didier Deschamps, ka ofruar mbështetjen e tij të plotë për përzgjedhësin e Francës, Laurent Blanc, pasi që beson se trajneri i trekolorëve është njeriu i duhur për stolin e Les Bleus.
“Unë jam i bindur se Laurent Blanc ka cilësitë njerëzore dhe profesionale për të bërë punë të mirë”.
“Situata është mjaft e luhatshme. Është një fazë e rindërtimit. Laurent Blanc nuk është David Copperfield. Ai do ta ketë përparësinë, me emrin e tij, që të komandojë respektin dhe kredibilitetin. Ai është njeriu për këtë punë. Por, ai nuk mund ta bëjë këtë i vetmuar”, ka thënë Deschamps për France Futball.
Agjenti i Nicolas Burdissos ka akuzuar Interin për ‘lojë jo të drejtë’ sa i përket transferimit të argjentinasit te Roma.
“Nicolas Burdisso është i pakënaqur për këtë situatë dhe ai është i pakënaqur me Interin, pasi që ata nuk e kanë thirrur. E njëjta gjë vlen edhe për Romën. Roma na premtoi një verë të qetë dhe në vend të kësaj ata që tre muaj nuk janë ulur në tavolinë me Interin. Nuk është e vërtetë që unë dhe Burdisso ishim të gatshëm për të biseduar me Massimo Morattin. Është Interi ai që vendosë se çfarë do”.
“Unë nuk dua që të luaj më lojëra. Ata kanë luajtur me të dhe kjo është mungesë e respektit”, ka thënë Fernando Hidalgo.
Fjalët e agjentit të Burdissos natyrisht se i hapin rrugë Juventusit, që mezi pret ta shfrytëzojë rastin dhe t’ia ‘vjedhë’ Romës, argjentinasin Burdisso.
Drejtori i CSKA Moskës, Roman Babaev, ka mohuar spekulimet se Keisuke Honda do të kalojë gjatë kësaj vere te Milani.
Ishte spekuluar se palët kishin arritur marrëveshjen për transferimin e Hondas te Milani për 15 milionë euro, por këto spekulime i ka hedhur në ujë drejtori i klubit rus.
“Unë gjithashtu i kam dëgjuar këto zëra. Nuk më vjen çudi që emri i Hondas publikohet nëpër gazeta, sepse ai vërtet meriton vëmendje. Por, unë nuk kam asgjë për të thënë, sepse nuk kam marrë ofertë zyrtare nga Milani”, theksoi Babaev.
Roger Federer ka angazhuar një trajner të ri, bëhet fjalë për ish-trajnerin e Pete Sampras, Paul Annacone.
“Unë kam kërkuar dikë që t’ia shtoj ekipit tim aktual dhe kam vendosur që të kaloj disa ditë me Paul Annacone”.
“Paul do të punojë përkrah ekipit tim ekzistues dhe jam i eksituar që do të kem mundësi të mësoj nga përvojat e tij”, u shpreh Federer.
Bosi i Ferrarit, Luca Di Montezemolo, nuk është treguar aspak në disponim të mirë sa u përket polemikave të fundit pas garës së Gjermanisë, kur Felipe Massa ka lejuar që të tejkalohet me qëllim nga Fernando Alonso, veprim për të cilin Ferrari u dënua me 100 mijë dollar.
“Këto polemika nuk më interesojnë. Unë thjesht e rikonfirmoj atë që gjithmonë kam thënë, se ai që dëshiron të jetë pilot i Ferrarit duhet të dijë se së pari vijnë interesat e ekipit dhe jo të pilotëve”.
“Kjo filozofi është që nga të vitet e tridhjeta me Tazio Nuvolarin dhe këtë e përjetova edhe vetë në kohën e Niki Laudas. Mjaft më me këtë hipokrizi edhe pse unë e di mjaft mirë se ka shumë njerëz që i dëshirojnë pilotët tanë duke eliminuar njëri tjetrin. Por, unë dhe tifozët tanë gjallë dhe kjo të ndodhë, nuk ka gjasa”, deklaroi Di Montezemolo për faqen zyrtare të Ferrarit.
Mesfushori i Manchester United, Paul Scholes, ka deklaruar se Chelsea është rreziku kryesor për titullin e Ligës Premier, ndërsa e di se i rrezikshëm mund të tregohet Roberto Mancini me Manchester Cityn e tij të superpërforcuar.
“Kush do të jetë rivali më i madh për titull? Duhet të themi Chelsea. Dhe pjesa tjetër…kurrë nuk i dihet. City? Ne do të duhet të shohim çfarë do të ndodhë atje. Ata kanë blerë aq shumë lojtarë. Se a do të mund të përshtaten së bashku, pritet të shihet. Është mirë për Mançesterin që ka dy top ekipe. Është një ndryshim që nga koha kur ata ishin në Divizionin e dytë 10 vite më parë”.
“A do të na motivojnë shpenzimet e tyre? Po. Gjëja e fundit që duam është City mbi ne. Që sa jam unë këtu, kjo nuk ka ndodhur dhe shpresojmë se nuk do të ndodhë”.
“Liverpooli mund të jetë konkurrent. Varet shumë se si do ta fillojë sezonin. Gjithmonë duhet të kemi frikë nga Liverpooli. Para dy sezonesh, ata ishin shumë pranë për të na dhënë një sfidë të madhe”, ka thënë Scholes.
Sipas Sky Sports, Javier Mascherano i ka kërkuar menaxherit të Liverpoolit, Roy Hodgson, që të mos llogarisë më në të dhe të kërkojë ndonjë mesfushor tjetër, pasi që ai do të largohet nga Anfield.
Flitet për një ofertë prej 25 milionë funtesh të Interit për Mascheranon, por nevoja e Liverpoolit për zëvendësuesin e Mascheranos, e bën Muntarin një opsion për t’u përfshirë në marrëveshje.
Pos Muntarit, Hodgson ka filluar të mendojë edhe për Scott Parker apo edhe ndonjë mesfushor tjetër anglez, si alternativë për Mascheranon, i cili nga sezoni i ardhshëm sipas të gjitha gjasave do të luajë në Serie A.
Takimi i Diego Maradonas me presidentin e Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA), Julio Grondona, thuhet të ketë përfunduar pa sukses, duke detyruar kështu mediat argjentinase të njoftojnë për një fund të epokës së Maradonas si përzgjedhës i Argjentinës.
Thuhet se Maradona ka kërkuar nga Grondona që të mos ndërrojë stafin, një kërkesë që nuk u prit mirë. Mirë nuk është pritur nga Grondona as kërkesa tjetër e Maradonas, për përfshirjen e Oscar Ruggerit në kombëtaren Gauçose.
Presidenti i AFA nuk ka dhënë ndonjë deklaratë apo komunikatë zyrtare rreth kësaj çështje, por Ole shkruan se Maradonas nuk do t’i vazhdohet kontrata si përzgjedhës i Argjentinës.
Interi do të ketë buxhet të mjaftueshëm sa për të transferuar futbollistët më me emër të kontinentit, pasi që fondi i transferimeve për këtë verë mund të kapë shumën prej 160 milionë euro.
Sipas La Gazzeta dello Sport, Interi pritet të përfitojë rreth 60 milionë euro nga shitja e Balotellit dhe Maiconit, për të shtuar 72 milionë euro nga triumfi në Ligën e Kampionëve, 12 milionë euro nga pjesëmarrja në Superkupën e Evropës dhe Kupës së Botës për Klube, 10 milionë nga Real Madridi si kompensim nga largimi i Jose Mourinhos dhe 2.5 milionë euro nga largimi i Rene Khrin dhe nëse përfshijmë edhe bonuset në lidhje me transferimet e Balotellit dhe Maiconit, atëherë shuma totale është 160 milionë euro.
Ky fond pritet të shpenzohet në sjelljen e yjeve të ndryshme në skuadër siç janë Javier Mascherano, Mesut Ozil apo edhe Dirk Kuyt.
Barcelona është shumë pranë arritjes së marrëveshjes me Arsenalin për firmën e kapitenit të Topçinjve, Cesc Fabrgas, njofton El Mundo Deportivo.
23-vjeçari po lidhet me një rikthim në vendlindje dhe pas muajve të tërë plot spekulime rreth të ardhmes së tij, më në fund duket se palët janë pranë marrëveshjes. E përditshmja katalunase pohon se ekziston një ‘marrëveshje sekrete’, të cilës i janë mbetur vetëm disa detaje për t’u sqaruar. Të dyja klubet kanë mohuar deri në këtë moment se janë në negociata.
Nëse arrihet një marrëveshje mes Arsenalit dhe Barcelonës, atëherë shuma e transferimit të Cesc pritet të jetë 45 milionë euro, apo ndryshe 37.5 milionë funte.
Mesfushori i Manchester United, Paul Scholes, ka thënë se pendohet që nuk mori pjesë në Botërorin e sivjetmë dhe se ndjen që ai është dashur të luante për kombëtaren angleze.
“Ishte e vështirë. Baldini (zëvendëstrajneri) më telefonoi një ditë para se të zyrtarizohej skuadra. Ndoshta më është nevojitur edhe pak kohë. Unë mendova pas një jave, pas disa javësh, që ndoshta është dashur të shkoja. Unë nuk po them se do ta kisha bërë diferencën. Unë nuk do kthehem mbrapa dhe të them se Anglia dështoi pse unë nuk luajta. Vetëm po them që pata rastin të luaja në Botëror, por e refuzova”.
“Unë nuk desha të luaja, deri në momentin kur e pashë gjithë organizimin dhe mendova se ndoshta mora një vendim të gabuar. Nuk ishte menaxheri ai që më telefonoi, por Baldini. Ishte vërtet një pozitë e papërshtatshme për mua”, deklaroi Scholes.
Zyrtarët e Ligës Premier janë duke e hetuar një transferim prej 20 milionë funtesh që pritet ta bëjë Chelsea për të sjellë mesfushorin Ramires nga Benfica.
Zyrtarët e Ligës Premier besojnë se Ramiresin në pronë nuk e ka vetëm Benfica, por 50% të aksioneve të kartonit të Ramires i posedon agjenti i tij Kia Joorabchian, i cili ia ka paguar 5 milionë funte Benficas një vit më parë. Një investitor tjetër, Pini Zahavi, po ashtu ka 30% të kartonit të Ramires, që e bën Benfican pronare me vetëm 20% të mesfushorit brazilian.
Liga Premier nuk lejon përfshirjen e palëve të treta apo të katërta në marrëveshjet e transferimeve, një gjë që konfirmohet dhe nga zëdhënësi i PL, që ka thënë se: “Rregullat tona janë shumë të qarta sa i përket kësaj çështje, asnjë element i palëve të treta nuk do të lejohet në Ligën Premier. Nëse ndodh një transferim, ai duhet të jetë mes dy klubeve”.
Gardiani i Cagliarit, Federico Marchetti, është vendosur në listën e lojtarëve që mund të shiten gjatë këtij afati kalimtar.
SportItalia njofton se presidenti i klubit, Massimo Cellino, dëshiron ta shesë portierin italian, ndërsa Arsenali është ndër skuadrat e interesuara për shërbimet e 27-vjeçarit.
Ndërkohë, Cagliari planifikon që portieri i Chievos, Stefano Sorrentino, ta zë vendin e Marchettit, nëse ky i fundit largohet.
Olympique Lyonnais e ka bërë të qartë se mbrojtësi i krahut të majtë, Aly Cissokho, nuk do të largohet nga skuadra këtë verë.
Ish-lojtari i Portos ka qenë i lidhur me skuadra, si Juventus dhe Galatasaray, mirëpo drejtori gjeneral i Lyonit, Bernard Lacombe, ka thënë s lojtari nuk është në shitje.
“Lojtari nuk është në listën e transferimeve dhe ne llogarisim në të për të ardhmen. Ai është një lojtar të cilin e vlerësojmë dhe i cili sapo e ka rinovuar”, ka thënë Lacombe për Calcionews24.com.
Përzgjedhësi i ri i Brazilit, Mano Menezes, ka ftuar 24 lojtarët për miqësoren e gushtit ndaj SHBA-ve, listë në të cilën mungojnë yje si Maicon, Lucio dhe Fabiano për t’u dhënë pushim, por nga ana tjetër përsëri nuk janë përfshirë Ronaldinho, Ronaldo (origjinali) dhe Adriano.

“Unë e di se që nga ky moment jam duke e okupuar postin më të rëndësishëm në vend. Ne shpresojmë të krijojmë një kombëtare e cila do t’i shfaqë në fushë ambiciet dhe ëndrrat tona. Detyra do të jetë e vështirë, por ne do të sigurohemi që ta mbajmë sa më mirë atë. Ju falemnderit për besimin”, ka thënë Mano Menezes, në prezantimin e tij si përzgjedhës dhe në prezantimin e përbërjes së re.


Lista e plotë e të ftuarve:


Portierët: Victor (Gremio), Renan (Avai), Jefferson (Botafogo)


Mbrojtësit: Dani Alves (Barcelona) Rafael (Manchester United), Andre Santos (Fenerbahçe), Marcelo (Real Madrid), David Luiz (Benfica), Henrique (Racing), Rever (Atletico-MG), Thiago Silva (Milan).


Mesfushorët: Sandro (Internacional), Ramires (Benfica), Lucas (Liverpool), Jucilei (Corinthians), Ganso (Santos), Ederson (Lyon), Hernanes (Sao Paolo), Carlos Eduardo (Hoffenheim).


Sulmuesit: Robinho (Santos), Diego Tardelli (Atletico-MG), Alexandre Pato (Milan), Andre (Santos), Neymar

Sulmuesi i Sevillës, Luis Fabiano, ka ripërsëritur dëshirën e tij për të qëndruar edhe një sezon në Ramon Sanchez Pizjuan, përkundër spekulimeve të shumta për një kalim të tij te Tottenhami dhe Milani.
“Gjatë Botërorit, unë isha shumë i qetë sepse e dija se unë do të qëndroja te Sevilla. Shumë është thënë por asgjë nuk ishte e vërtetë”.
“Unë nuk munda të flisja shumë sepse isha me kombëtaren braziliane, por unë kam edhe një vit në kontratën time me Sevillën dhe jam shumë i kënaqur. Unë vërtet dua të mbroj edhe një herë ngjyrat e Sevillës dhe do të doja t’i ndihmoja klubit që të ngrisë trofeun në Gusht”, deklaroi Fabiano.