Benfica ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me Chelsean për transferimin e mesfushorit Ramires në Stamford Bridge për 22 milionë euro.Porsa të arrihet marrëveshja personale e lojtarit me Blutë dhe pasi të kryhen ekzaminimet mjekësore, braziliani do të jetë përfundimisht lojtar i Chelseat.
Kampioni i Anglisë ka qenë në bisedime gjatë gjithë këtij afati kalimtar me Benfican dhe lojtarin, por ditët e fundit pati përparim të dukshëm në negociata, ashtu që kompletimi i transferimit pritet të ndodhë pa përfunduar kjo javë.
Përderisa po vazhdon ‘telenovela’ Cesc Fabregas, drejtori i Barcelonës, Andoni Zubizarreta, ka deklaruar se Fabregas nuk është dashur të largohej nga Camp Nou, sa ishte në akademinë e klubit."Zgjidhja më e mirë në këtë rast do të ishte nëse ai nuk do të largohej kurrë. Pique u largua por më vonë u kthye. Cesc është gjithashtu futbollist i madh dhe ndoshta vendimi i tij për të shkuar te Arsenali e bëri lojtar dhe njeri më të mirë", theksoi Zubizarreta.
Pritet që të enjten të zhvillohet një takim vendimtar mes Arsene Wenger dhe Cesc Fabregas, ku pritet të bisedohet për të ardhmen e këtij të fundit dhe të merret një vendim definitiv.
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Michael Owen, papritmas është shndërruar në cak të skuadrës së promovuar në Ligën Premier, Bristol City.Owen nuk ka qenë sezonin e kaluar startues në formacionin e United dhe as që pritet të jetë, me ardhjen e Hernandez që ka kufizuar tej mase gjasat e sulmuesit anglez.
Këtë situatë të paqëndrueshme, sipas Daily Mail, dëshiron ta shfrytëzojë Bristol City që është i gatshëm të huazojë ish-sulmuesin e Liverpoolit.
Biznesmeni kinez Kenneth Huang ka reaguar ndaj spekulimeve të ditës së djeshme të cilat thoshin se ai ka bërë ofertë për Liverpoolin."Në përgjigje të spekulimeve të mediave se Kenny Huang ka bërë një ofertë zyrtare për Liverpoolin, zotri Huang dëshiron të bëjë të ditur se ai është shprehur i interesuar për të investuar në klubin e Liverpoolit, por nuk ka bërë ende ndonjë ofertë zyrtare", shkruan në komunikatën e lëshuar nga zëdhënësit e Huang.
Të martën është thënë se Huang do të jetë pronari i ardhshëm i Liverpoolit, me ç'rast do të sillte në Anfield lotjarë si Lionel Messi.
Sulmuesi i Wolfsburgut, Edin Dzeko, ka pranuar se atij i pëlqen futbolli italian, por shtoi se ai nuk ka marrë ndonjë ofertë konkrete nga klubet e Serie A."Më pëlqen futbolli italian, por për momentin jam lojtar i Wolfsburgut. Në ditët në vijim do të dimë më shumë për të ardhmen time, unë jam lojtar i Wolfsburgut dhe pjesa tjetër i mbetet agjentit tim".
"Milani dhe Juventusi? Ka pasur interesim, por asgjë konkrete. Janë dy skuadra prestigjioze evropiane, është nder të jem i lidhur me ato", tha Dzeko.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, në intervistën e tij për Sky Sports ka prekur çështje të ndryshme, ndër të cilat rikthimin nga lëndimi të Fernando Torres, ashtu si atë të largimit të mundshëm të Javier Mascheranos nga Anfield.“Ai posa është kthyer nga pushimet dhe duhet të punojë që të kthehet sa më mirë nga pushimi dhe që të riaftësohet nga lëndimi i pësuar në fund të Botërorit. Unë ende shpresoj se ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Arsenalit edhe pse njerëzit e shkencës së futbollit do të duhet të më tregojnë nëse do të jetë herët”, theksoi Hodgson.
“Mascherano? Mendoj se do të jetë e vështirë që ta mbajmë atë nëse vjen ndonjë ofertë e mirë për të dhe nëse është klubi që ai e dëshiron. Do të jetë e vështirë, por gjëja e mirë është që deri tani nuk ka pasur ndonjë ofertë. Si rezultat, unë mund të vazhdoj të punoj me të dhe të merrem vesh me të si lojtar i Liverpooilt, pasi që ai është i tillë. Unë vetëm e pres ditën dhe nëse vjen dita, kur do të vie ndonjë ofertë e mirë, atëherë nuk e di se si do të jenë forcat e mia bindëse”, përfundoi menaxheri i The Reds.
Drejtori i Bayernit të Munichut, Karl-Heinz Rummenigge, ka akuzuar rëndë Miroslav Klosen dhe qëndrimin e tij, duke thënë se ai punon më shumë për përfaqësuesen gjermane se sa për Bayernin.“Klose ishte kritikuar ashpër para Botërorit dhe mediat thanë se Cacau është dashur të luante para tij. Më pas, ai tha se do të punojë shumë dhe humbi pesë kilogramë”.
“Në këtë pikë, unë e pyeta veten: ‘A nuk duhet të punojë ai shumë dhe të jetë në formën më të mire edhe për Bayernin?’. Nuk është e drejtë që ai rastësisht fillon të punojë shumë për kombëtaren gjermane, ndërsa te Bayerni, ku ai fiton bukën e tij, ka një qëndrim më ndryshe”, tha Rummenigge për Bild.
Mbrojtësi i ri i Arsenalit, Laurent Koscielny, është i gatshëm që të punojë dhe të dëshmojë se ai është në gjendje që t’i mbijetojë tempit të lartë të punës në Ligën Premier.“Unë ndjehem i gatshëm. Më pëlqen sfida fizike e Ligës Premier. Unë do të bëj edhe pak muskuj, por nuk kam frikë nga asgjë. Unë vetëm dua të bëhem më i fortë”.
“Vermaelen dhe unë ndihmojmë shumë njëri tjetrin në fushë. Të jesh në mbrojtje, puna kërkon shumë komunikim.. Unë po tentoj sa më shumë që është e mundur që të flas anglisht, në mënyrë që komunikimi të jetë i rrjedhshëm në fushë, ndërsa kjo do të vie dalë ngadalë. Unë do të bëhem më i mirë e më i mirë”, u shpreh Koscielny.
Mbrojtësi i Schalkes, Christoph Metzelder, ka thënë se bashkëlojtari i tij i porsatransferuar, Raul, do të jetë më i rëndësishëm për Mbretërit e Kaltër se sa që është Robben për Bayernin.“Ne do të duhet të presim dhe të shohim se cili do të jetë më i miri nga të dy. Robben është cilësor, por Raul është më i rëndësishëm për ekipin, për shkak të qëndrimit të tij të mrekullueshëm në fushë”.
“Transferimi i Raulit është shumë më i rëndësishëm për Schalken. Kjo është shenjë për klubet tjera që jemi forcë në të cilën duhet llogaritur. Unë jam paksa i zhgënjyer që shumë njerëz thonë se lojtarët të cilët janë moshuar shkojnë në Bundesligë. Raul do të shkonte në Dubai apo atje diku nëse e ka pasur qëllimin për të fituar para”, është shprehur Metzelder për Bild.
Sulmuesi i kërkuar nga Liverpooli dhe West Hami, Loic Remy, ka bërë të ditur publikisht se preferenca e tij kryesore është Liga Premier.“Unë jam i gatshëm që ta vazhdoj sezonin e ardhshëm te Nice, përkundër faktit se kam shpresuar që tani do të isha te klubi i ri. Unë i kam bërë preferencat e mia të qartë, unë e favorizoj ende Ligën Premier”, theksoi Remy për L’Equipe.
Nice kërkon 15 milionë euro për Remyn, ndërsa të interesuar janë treguar skuadra si Liverpool, West Ham, Lyon dhe Rennes.
Klubi gjerman Schalke 04 ka konfirmuar përmes faqes zyrtare se mbrojtësi brazilian Rafinha ka kaluar te Genoa.Klubet nuk kanë bërë të ditur se sa ka qenë shuma transferimit, por e përditshmja gjermane Bild pohon se bëhet fjalë për një shumë prej 8 milionë eurosh.
Genoa ka pasur probleme të mëdha në mbrojtje në të kaluarën, por Rafinha pritet që t’i zgjidhë ato, marrë parasysh cilësitë e tij.
Genoa ka bombarduar në merkaton e këtij viti, pasi që deri tani ka transferuar Luca Tonin, Miguel Veloson, Eduardon dhe Chicon.
Federata Argjentinase e Futbollit (AFA), ka konfirmuar se nuk do të ketë ndonjë vendim për përzgjedhësin e ri deri në nëntor, një post i cili u la nga Diego Maradona, për shkak se AFA nuk ia rinovoi kontratën.“Pasi të përfundojë asambleja vjetore në tetor, do të thirret Komiteti Kombëtar i Përfaqësueses. Të gjithë emrat që lidhen me postin e përzgjedhësit të përfaqësueses janë emra të spekulimeve të cilat nuk lidhen me Federatën Argjentinase”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga AFA.
Përgjegjës për përfaqësuesen argjentinase tani do të jetë Sergio Batista, që është përzgjedhës i kategorisë U-20. Batista njëkohësisht është favorit për postin e përzgjedhësit në nivelin e seniorëve. Kandidatë të tjerë janë Diego Simeone, Carlos Bianchi, Alex Sabella dhe Miguel Angel Russo.
Përzgjedhësi i ri i Brazilit, Mano Menezes, dëshiron që Brazili të luajë përsëri futboll sulmues, për ta lënë menjëanë pragmatizmin e treguar nga ish-përzgjedhësi, Carlos Dunga.“Ne do ta shpëtojmë stilin tonë. Brazili ka mënyrën e vet të lojës. Ne duam ta rikthejmë traditën e të qenit protagonist dhe të ndalojmë së qeni aktorë që kërkojnë gabimet e rivalëve. Bota luan tani më shumë si Brazili dhe ne e kemi distancuar veten nga kjo”.
“Më pëlqen të luaj 4-3-3 ose 4-2-3-1, sikurse që luajti Gjermania me tre kreatorë dhe si Spanja që bëri një futboll të mrekullueshëm. Ne mund të luajmë kështu, sepse talenti është këtej pari”, ka thënë Menezes që do të debutojë ndaj SHBA-ve të martën e ardhshme.
Ish-trajneri i Romës, Luciano Spalletti, ka sulmuar trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho, duke aluduar se ai e ka përbuzur futbollin italian.“Mourinho ishte tepër i mençur. Ai fitoi gjithçka, ai tha çfarë ka pasur për të thënë, ai na mori për një xhiro, fitoi gjithçka, përfitoi atë që kërkoi dhe tha lamtumirë, e më pas iu bashkua Realit”.
“Aty rifillon loja e tij. Ai është i ftohtë si vrasës. Ju nuk mund ta vëni në pikëpyetje si profesionist që është. Por, ku po i mbajmë ndjenjat? Unë gjithmonë i kam bërë zgjidhjet e mia me zemër, jo me kokë dhe jam krenar për këtë”, deklaroi Spalletti për La Gazzeta dello Sport.
Thiago Silva ka këmbëngulur edhe njëherë se ai është dhe do të mbetet lojtar i Milanit, pak ditë pasi u spekulua për një interesim të Real Madridit.“Unë jam i lumtur këtu. Gattuso, Nesta dhe të gjithë të tjerët flasin mirë për mua. Unë jam i kënaqur me këtë edhe me interesimin e Real Madridit, por unë shpresoj të qëndroj te Milani deri në vitin 2014”, theksoi Silva.
Nga ana tjetër faqja zyrtare e Milanit ka konfirmuar se sulmuesi Klaas-Jan Huntelaar është rikthyer në stërvitje.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka përgëzuar ‘mikun’ e tij Sir Alex Ferguson, për punën që ka bërë me ish-superyllin e Manchester United, Cristiano Ronaldo, duke e krahasuar këtë të fundit me legjendën e Interit, Javier Zanetti.“Jorge Mendes (agjenti i Mourinhos dhe Ronaldos) punon me mua dhe me Ronaldon dhe ne gjithmonë flasim shumë për Cristianon. Për më shumë, ka pak trajnerë të cilët i kam miq dhe Sir Alex Ferguson është një prej tyre. Me të bisedova gjithashtu për Ronaldon”.
“Ai më tha se ‘djaloshi’ siç e quan ai, ka mënyrë të çmendur të punës. Pasi e pashë për së afërmi, mendoj se është mbresëlënëse për një lojtar si ai që asnjë nuk e ka statusin si të tij, të punojë më shumë se ai”.
“Unë kam pasur shumë lojtarë me përvojë, shumë të moshuar, që ishin shembuj. Javier Zanetti, Ivan Cordoba, Marco Materazzi, gjithashtu e treguan këtë. Këtu e kam Cristianon dhe nga mënyra si punon, është e lehtë të kërkoj atë që dua nga të tjerët, duke parë përkushtimin në punë”, tha Mourinho për AS.
Kinezi Kenny Huang siç duket ka edhe një rival tjetër për të marrë në pronësi Liverpoolin, bëhet fjalë për Yahya Kirdin, një investitor në Kanadaja dhe Lindje të Mesme.Yahya Kirdi me anë të një komunikate të lëshuar nga kompania e tij ka konfirmuar se është në negociata të avancuara me pronarët Hicks dhe Gillet në mënyrë që ta blejë Liverpoolin. Kjo e bën atë automatikisht favorit.
Nga ana tjetër, The Daily Telegraph pohon se Rhone Group nga New Yorku është rikthyer në garë për ta blerë Liverpoolin dhe pas një oferte të dështuar në janar, tani duket se grupi nga New Yorku e ka marrë seriozisht çështjen për t’u bërë konkurrencë Kridit dhe Huangut.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka konfirmuar se është i interesuar për transferimin e një mbrojtësi dhe një sulmuesi, para se të mbyllet afati kalimtar veror.“Përpos transferimit të një mbrojtësi të ri, unë dua t’ia shtoj ekipit edhe një sulmues. Një sulmues i ri do të ishte i mirëseardhur. Më përpara do të doja të kisha një sulmues tjetër për sulm se sa të kisha pak opsione”.
“Aktualisht kam Gonazlo Higuain dhe Karim Benzema për pozitën e sulmuesit, përderisa edhe Cristiano Ronaldo mund të luajë aty. Sidoqoftë, preferoj që Ronaldo të ketë pak më shumë liri në fushë. Ai është shumë i talentuar për ta mbajtur vetëm në sulm gjatë gjithë kohës”, tha strategu portugez.
Përzgjedhësi i Holandës, Bert van Marwijk, ka hedhur poshtë akuzat e stafit mjekësor të Bayern Munichut, që ka thënë ditë më parë se Arjen Robben ka luajtur i lënduar gjatë Botërorit dhe si pasojë e kësaj, anësori holandez tani do të mungojë dy muaj.“Ne nuk rrezikuam me Robbenin në Botëror dhe biseduam gjithçka që kemi bërë me vetë lojtarin. Jam i bindur se ai nuk ishte i lënduar pas finales ndaj Spanjës”.
“Holanda nuk ka të bëjë absolutisht asgjë me lëndimin muskulor. Me një lëndim të tillë, askush nuk do të mund të sprintonte sikurse që bëri Arjen Robben në kohën shtesë të finales”.
“Bayerni dëshiron që t’ia prishë imazhin Holandës dhe kjo thjeshtë nuk është e drejtë. Për mendimin tim, stafi mjekësor i kombëtares holandeze meriton komplimente për punën e bërë në Botërorin e sivjetmë”, deklaroi Van Marwijk.
Me largimin e kapitenit legjendar Raul nga Real Madridi, automatikisht edhe shiriti i kapitenit të Los Blancos tani do t’i takojë Iker Casillasit, i cili menjëherë ka filluar të shtrojë autoritetin, pasi që ka thënë se mbretërit nuk kanë frikë nga Barcelona.“Kanë ndodhur ndryshime dhe unë ndjej përgjegjësi të madhe. Është sfidë personale që do të zëvëndësoj një emblemë të klubit si Raul. Njerëzit të cilët kanë qenë kapitenë kanë demonstruar profesionalizëm. Unë kam pasur shembuj të mirë, kam mësuar nga të gjithë dhe të gjithëve i falënderoj”.
Casillas më pas e mohoi faktin se Spanja e fitoi Kampionatin Botëror falë Barcelonës dhe lojtarëve të saj, me ç’rast ka shtuar se Real Madridi nuk ka pse të ketë frikë nga Blaugranët.
“Ky ekip i Spanjës ishte i ndërtuar katër vite më parë, kur Barcelona nuk e fitoi La Ligan. Barcelona do të duhet të luaj ndaj nesh një në një dhe ne nuk ka arsye pse duhet të jemi të frikësuar. Ne nuk do të mbesim mbrapa, ne gjithashtu kemi lojtarë të mëdhenj dhe lojtarë të rinj. Është gjithmonë motivim të mposhtim një ekip si Barcelona, pasi që kështu i kënaqim tifozët e Realit”, deklaroi Iker Casillas.
Roma po shpreson që sa më shpejtë ta kompletojë transferimin e mesfushorit të West Hamit, Valon Behrami.Il Corriere dello Sport pohon se anësori kosovar do të jetë transferi i fundit i Romës gjatë këtij afati kalimtar veror, në kohën kur po vazhdojnë bisedimet për Nicolas Burdisson.
Behrami dëshiron largimin nga West Hami kurse Roma dëshiron të bëjë një ofertë prej 5.5 milionë euro. Megjithatë, vështirë se Avram Grant do ta lë mitrovicasin të largohet nga Upton Park, me negociatat e gjata dhe të vështira që pritet të zhvillohen në ditët në vijim.
Juventusi ka shtuar interesimin në sulmuesin e Real Madridit, Karim Benzema, njofton Il Corriere dello Sport.Drejtori teknik i Binaconerëve, Giuseppe Marotta, i mbylli dyert një transferimi të Edin Dzekos, përkundër thirrjeve të këtij të fundit për të bërë edhe më tej përpjekje.
Megjithatë, Juventusi nuk po ka më nerva dhe tani po mendon të kthehet kah Karim Benzema i Real Madridit, për të cilin mund të shfrytëzojë dhe problemet në jetën e tij private. Në listën e Juves thuhet se janë edhe Emmanuel Adebayor i Manchester Cityt dhe Giampaolo Pazzini i Sampdorias.
Trajneri i Interit, Rafael Benitez, ka deklaruar se përkundër humbjes prej 3-2 ndaj Panathinaikos, ka pasur shumë gjëra tjera pozitive të cilat i ka shfaqur kjo ndeshje.“Dizavantazhi prej 3-1 në pjesën e parë tregon se skuadra di si të luftojë dhe kjo është ajo që pashë në pjesën e dytë. Luajtëm me shumë lojtarë të rinj, kjo është gjëja më pozitive. Ne e dimë se java e dytë e stërvitjes do të ishte më e vështira, me shumë udhëtime dhe dy ndeshje në dy ditë. Por, këto janë përvoja pozitive, të cilat na ndihmojnë të ngritemi”.
“Ne e dimë se ndaj Panathinaikos do ishte ndeshje e vështirë, sidomos në mbrojtje. Gjithçka që nuk bëmë negativisht në Baltimore ndaj Manchester Cityt, e bëmë këtu ndaj Panathinaikos në pjesën e parë”
“Unë e di se do të jetë e vështirë të përsëritet suksesi i Interit nga sezoni i kaluar, por ne po punojmë drejt këtij objektivi. Shumë lojtarë janë rikthyer nga pushimet, kështu që duhet të shohim se si jemi pas 15-20 ditësh”, deklaroi Benitez për faqen zyrtare të Interit.
Sipas Bild, nënkampioni i Evropës, Bayerni i Munichut, ia ka zgjatur kontratën sulmuesit të ri, Thomas Muller.Muller thuhet të ketë nënshkruar kontratë të re që do ta mbajë atë në Allianz Arena deri në vitin 2015. Kontrata e kaluar i skadonte në vitin 2013, por rinovimi vjen pas interesimit të klubeve të ndryshme evropiane. Muller do të përfitojë sipas kontratës së re nga 3 milionë euro për sezon.
Thomas Muller ishte standard në sulmin e Bayernit sezonin e kaluar, ndërsa ishte poashtu pjesë integrale e kombëtares së Gjermanisë gjatë Botërorit të sivjetmë, ku u shpall golashënuesi më i mirë dhe futbollisti më i mirë i ri. Thomas Muller në Gjermani konsiderohet si “Gerd Muller i dytë”.
Mesfushori i Liverpoolit, Javier Mascherano, ngadalë por sigurt është duke iu afruar transferimit te kampioni i Evropës, Inter.Il Corriere dello Sport shkruan se drejtori i Liverpoolit, Eduardo Macia, është në Itali për të biseduar me bosët Nerazzur në lidhje me Mascheranon, i cili mezi pret të punojë përsëri me Rafa Benitezin.
Interi thuhet se do të shpenzojë 20 deri 25 milionë euro në Mascheranon, por para se të ndodhë kjo, Liverpooli do të transferojë nga Juventusi mesfushorin defensiv danez, Christian Poulsen.
Presidenti i ri i komitetit teknik të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Roberto Baggio, mendon se Italia duhet të fokusohet në zhvillimin e lojtarëve të rinj dhe shndërrimin e tyre në yje.“Unë po ëndërroj që Italia mund të rikthehet në gjendjen ku do të ketë shumë talentë të rëndësishëm. Ne duhet t’i ngrisim lotjarët tanë të rinj. Ne duhet të japim gjithçka në mënyrë që t’i zhvillojmë ata në lojtarë të mirë”.
“Sa për Balotellin? Është turp që ai po largohet nga Italia, por është e qartë që ka situata të cilat ne nuk i dimë. Futbolli për mua do të jetë një pasion i pakufishëm që do të ekzistojë gjithmonë përreth”, deklaroi Baggio.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka thënë se transferi i ri, Yossi Benayoun, i kupton më mirë taktikat se sa ish-ylli i Bluve, Joe Cole.“Joe Cole është më i shpejtë se Benayoun, por Yossi është më i mirë taktikisht. Ai kupton atë që i them. Benayoun është tejet lojtar inteligjent. Ai di gjithçka për lojën”.
“Cole dhe Benayoun janë lojtarë të ndryshëm dhe të gjithë kanë mendimin e tyre, por ne jemi të kënaqur që e kemi Yossin këtu te Chelsea”, u shpreh Ancelotti.
Menaxheri i Fulhamit, Mark Hughes, ia ka bërë të qartë portierit Mark Shwarzer, se ai nuk ka ndërmend ta shesë te Arsenali.“Gjithmonë ka interesim në lojtarët cilësorë dhe nuk është qëllimi im që t’i lejojë më të mirët të largohen nga klubi. Ne jemi në një pozitë ku nuk kemi nevojë t’i shesim lojtarët tanë më të mirë”.
“Ne duam të përparojmë dhe për këtë na duhen lojtarët e mirë, kështu që Mark Shwarzer do të mbetet lojtar i Fulhamit edhe pas mbylljes së afatit kalimtar veror”.
“Megjithatë, ne duam ta zgjidhim situatën sa më shpejtë që është e mundshme, por nuk jemi në një pozitë ku mund t’i lejojmë lojtarët tanë të largohen dhe Shwarzer i takon asaj kategorie”, sqaroi Hughes për The Mirror.
Liverpooli vazhdon të jetë në ndjekje të mesfushorit danez të Juventusit, Christian Poulsen, por agjenti i tij pos që ka mohuar si zakonisht spekulimet, ka aluduar se klienti i tij është i interesuar të shqyrtojë ndonjë ofertë nga The Reds.“Unë nuk dua të komentoj për këto spekulime. Lojtari do të jetë i lirë që të shqyrtojë çdo ofertë konkrete. Në ndërkohë, ne jemi të qetë dhe po vazhdojmë të punojmë”, theksoi agjenti i Poulsen, Joern Bonnesen.
Liverpooli është duke e kërkuar Poulsen si zëvëndësim për Javier Mascheranon, i cili ka kërkuar që të largohet, ndërsa klubi i tij i ardhshëm besohet të jetë Interi.
Skuadra greke Panathinaikos ka arritur të mposhtë kampionin e Evropës, Interin, me rezultat 3-2, në një miqësore parasezonale të zhvilluar në Toronto të Kanadasë.Benitez vendosi që të luante me lojtarë dytësorë, duke përfshirë këtu Materazzin, MacDonald Marigan dhe Joel Obi, kurse pushoi lojtar si Lucio, Maicon, Diego Milito dhe Thiago Motta, ndërsa Mario Balotelli as që kishte udhëtuar në Kanada.
Cisse i dha epërsinë Panathinaikosit pasi shfrytëzoi mirë një gabim të portierit të Interit, Paolo Orlandoni (13). Ishte përsëri Cisse ai që me një goditje nga 30 metra e realizoi dhe golin e dytë për grekët (22’). Samuel Eto’o e riktheu Interin në lojë për rezultatin 2-1 pas gjysmë ore lojë (32’), kur shfrytëzoi për mrekulli një bashkëpunim mes Obit dhe Marigas. Sebastian Letos iu desh që të hynte në mbrojtjen e Interit sikurse gjatë fëmijërisë për të mposhtur një Orlandoni aspak në formë në minutën e 42-të për rezultatin 3-1.
Philippe Coutinho e shënoi golin e tij të parë në fanellën e Interit, kur me një goditje fotografoi portierin grek Tzorvas dhe atë vetëm pesë minuta pasi hyri në lojë (85’). Diego Milito hyri në lojë së bashku me Maicon gjatë pjesës së dytë dhe pikërisht ishte Milito ai që në sekondën e fundit pati një rast të mrekullueshëm për të barazuar, por nuk arriti që goditjen me kokë ta drejtojë në portë.
Kjo humbje e Interit është befasuese marrë parasysh lojën e bukur që e ka shfaqur skuadra zi-kaltër ndaj Manchester Cityt.
29-vjeçari ka qenë njëri ndër emrat më të spekuluar të këtij afati kalimtar, mirëpo marrëveshja me Los Blancos ka ngecur si pasojë e pagës së lartë të kërkuar nga lojtari.
Tani, AS njofton se Maicon i ka ulur kërkesat personale kundrejt Los Merengues, duke bërë që kalimi i tij në Bernabeu të jetë shumë pranë, ndërsa nga ana tjetër duket se edhe Interi do të lëshojë pe sa i përket çmimit të kërkuar për njërin nga lojtarët më të mirë në botë në pozitën e tij.
















