Menaxheri i Manchester Cityt është i ngazëllyer pas transferimit më të ri në Eastlands, Mario Balotellin.Mancini e ka quajtur Balotellin si një prej lojtarëve më të mirë të gjeneratës së tij në Evropë.
“Mendoj se Mario është një prej lojtarëve më të mirë të gjeneratës së tij në Evropë dhe jam shumë i lumtur që do të punoj përsëri me të”.
“Stili i tij i lojës do t’i përshtatet Ligës Premier, dhe meqë ai ende është i ri, ka shanse të mëdha për tu përmirësuar. Ai është një lojtar i fuqishëm dhe ngazëllues, dhe fansat e Cityt do të kënaqen duke e shikuar atë”, ka thënë Mancini për faqen zyrtare të klubit.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, është tallur me spekulimet se ai është duke u përgatitur ta shesë sulmuesin Peter Crouch.Anglezi është lidhur me një kalim në Sunderland së fundi, ndërsa nuk kanë munguar as spekulimet që e lidhin atë me një rikthim në Liverpool. Megjithatë Redknapp thotë se nuk ka shanse që shtatlarti të largohet nga White Hart Lane.
“Nuk ka shanse. Ai nuk është për shitje. Ai nuk do të shkojë askund. Unë jam fans i madh i Peter. E kam sjellë atë në klub dhe nuk kam synime ta lejoj të largohet”, ka thënë Redknapp.
Mesfushori i kombëtares së Brazilit, Ramires, ka përfunduar transferimin e tij te Chelsea dhe ka nënshkruar marrëveshje katërvjeçare me klubin londinez.Chelsea tashmë disa javë është përpjekur të transferojë brazilianin, përpjekje që u shpërblye sot. Blutë i kanë paguar Benficas 16.3 milionë funte për të marrë shërbimet e 23-vjeçarit
“FC Chelsea ka kënaqësinë të zbulojë se ka kompletuar transferimin e brazilian Ramires nga Benfica me një marrëveshje katërvjeçare”, shkruhet në deklaratën e Chelseat.
Manchester City ka bërë të ditur se ka kompletuar transferimin e sulmuesit italian Mario Balotelli nga Inter.Balotelli ka kaluar testet mjekësore dhe ka nënshkruar marrëveshje pesëvjeçare me klubin anglez. Klubi nga Eastlands kishte kërkuar 20-vjeçarin gjatë gjithë verës dhe përfundimisht ka arritur të marrë shërbimet e tij për një shumë që mbetet e pazbuluar, e që thuhet të jetë diku rreth 24 milionë funte.
“Manchester City ka kënaqësinë të bëjë të ditur se ka angazhuar Mario Balotellin nga Inter për një shumë e cila do të mbetet sekrete”, thuhet në deklaratën e Manchester Cityt.
Sulmuesi nuk do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjen e parë të Ligës Premier, të cilën City e zhvillon ndaj Tottenhamit në White Hart Lane.
Roy Hodgson thotë se ai nuk dëshiron që Javier Mascherano të largohet nga Liverpooli dhe shton se përforcimi i ri, Christian Poulsen, nuk është sjellë si zëvendësim për argjentinasin.Pavarësisht spekulimeve të fundit se Barcelona është në prag të nënshkrimit me Mascheranon, Hodgson thotë se argjentinasi nuk do të largohet nga Anfield dhe se ai është pjesë e planeve të tij.
“Nuk dua që Javier Mascherano të largohet. Në këtë moment Javier nuk tregon shenja se largohet. Kam biseduar me të për futbollin dhe ai nuk ka dhënë shenja që nga biseda jonë e parë, kur qartas bëri të ditur se preferon të largohet nëse është e mundur”.
“Që atëherë ai i kryen detyrat e tij në stërvitje dhe sipas meje ai është futbollist i Liverpoolit dhe do të jetë derisa dikush tjetër nuk e angazhon – dhe më duket se kjo ditë nuk është afër”, ka thënë Hodgson.
Arsene Wenger është i bindur se kapiteni i Cesc Fabregas ende është ‘thellësisht i dashuruar’ në Arsenalin.Spanjolli këtë verë ishte në prag të kalimit në Barcelona, pasi edhe publikisht deklaroi se dëshiron të rikthehet në Camp Nou, por Arsenali nuk deshi të dëgjojë për largimin e tij dhe refuzoi dy oferta të klubit spanjoll.
Në konferencën e sotme të shtypit Wenger ka thënë se Fabregas ende e do Arsenalin dhe nuk e ka humbur lidhjen me klubin, ku u transferua në shtator të vitit 2003.
“Cesc sillet shumë mirë, edhe krahas të gjithë tregimit, dashuria e tij ndaj klubit kurrë nuk ka qenë e kërcënuar. Mund të kuptoni se ai ishte i shkëputur në mes të Barcelonës dhe mbetjes në Arsenal, por ai vërtet është thellë i dashuruar në këtë klub. Sjellja e tij është plotësisht e duhur”, ka thënë Wenger.
Roy Hodgson ka zbuluar se Fernando Torres mund të paraqitet në ndeshjen derbi, të parën të sezonit të ri, atë kundër Arsenalit, që zhvillohet të dielën në Anfield.Sulmuesi i është bashkuar me vonesë pjesës tjetër të ekipit, pas pushimeve dhe triumfit me Spanjën në Kupën e Botës, dhe pjesën më të madhe të stërvitjeve e ka kaluar me fizioterapeutët, duke u rikuperuar nga lëndimi.
“Po, Torres ka shanse të luajë kundër Arsenalit. Ai ka punuar fuqishëm me qëllim që të jetë i gatshëm për fillimin e Ligës Premier. Ai ka punuar me ngulm dy javë e gjysmë. Nuk e përjashtoj mundësinë që ai të paraqitet, por as nuk mund të pohoj me siguri se ai do të luajë”, ka thënë Hodgson.
Mesfushori i Milanit, Ronaldinho, thotë se ai është i lumtur në San Siro dhe nuk e përjashton mundësinë ta përfundojë karrierën me Rosonerët.Braziliani një kohë të gjatë është lidhur me një largim nga Milani, me Palmeiras, Flamengo dhe Los Angeles Galaxy të përmendura si opsione për të, por ai thotë se është i lumtur në Serie A.
Madje, duke komentuar fjalët e Silvio Berlusconit se ka marrëveshje që braziliani ta përfundojë karrierën në Milan, Ronaldinho ka thënë se është e mundshme një gjë e tillë.
“Gjithë çfarë dëshiron Berlusconi është e mundshme... Unë jam i lumtur këtu, planifikoj të vazhdoj punën time dhe të përpiqem t’i bëj të lumtur fansat e Milanit, Berlusconin dhe trajnerin. Kurrë nuk kam menduar të largohem dhe gjithmonë është bukur kur dëgjoni diçka të tillë”, ka thënë Dinho.
Sir Alex Ferguson thotë se kampionin në fuqi i Ligës Premier, Chelsea, duhet të llogaritet si favorit për të ruajtur pozitën e parë edhe në sezonin e ri.Djajtë e Kuq përfunduan në pozitën e dytë me vetëm një pikë më pak se Chelsea në betejën që zgjati deri në javën e fundit të sezonit të kaluar.
Dhe, në prag të fillimit të sezonit të ri, Sir Alex Ferguson thotë se ekipi i Carlo Ancelottit duhet të llogaritet si favorit.
“Mendimet e mia nuk janë të përqendruara vetëm në top katërshin, pasi duhet të mendojmë për ta fituar kampionatin. Por, duhet të mendojmë se Chelsea, pasi triumfoi sezonin e kaluar, është favorit. Duhet të mendojmë kështu – ekipi që ka qenë kampion sezonin e kaluar, përsëri do të vrapojë pas trofeut”, ka thënë Ferguson.
Përforcimi i ri i Schalke, Raul, ka dhënë shenja se ai është i kënaqur që i është bashkuar klubit nga Bundesliga.Veterani spanjoll ende nuk ka luajtur një ndeshje garuese me klubin gjerman pas transferimit të tij nga Real Madridi, megjithatë duhet mjaft i lumtur me zgjedhjen që ka bërë.
“Kam marrë vendim të mirë kur i jam bashkuar këtij klubi për të përfunduar karrierën time. Kam mundur të qëndroj në Real, e kam pasur përkrahjen e Jose Mourinho. Kam kaluar 16 vite atje, po thuajse gjithë karrierën time. Por familja ime dhe unë dëshironim të zbulojnë diçka të re dhe nëse nuk e bënim këtë vit, mund të mos e kishim bërë kurrë”, ka thënë Raul.
Dhe Raul beson se ai mund t’i ndihmojë Schalke të arrijë sukses të dukshëm duke pasur për qëllim titullin e Bundesligës.
Everton raportohet se është duke i bërë konkurrencë Tottenhamit në luftën për të transferuar anësorin e Aston Villa, Ashley Young.Daily Star shkruan se menaxheri i Evertonit, David Moyes, i është bashkuar garës për të transferuar yllin e Villas, Young.
E ardhmja e Young është në dyshime pas largimit befasuar të Martin O’Neill nga drejtimi i klubit anglez, dhe Tottenham është në radhë të parë për të siguruar shërbimet e anësorit anglez.
Young mendohet se preferon një transferim në klubin nga Londra Veriore dhe tashmë është interesuar edhe për vendbanim atje.
Manchester City ka përfshirë sulmuesin brazilian Robinho në ekipin prej 25 lojtarëve në prag të ndeshjes së parë të sezonit në Ligën Premier, asaj kundër Tottenhamit.Trajneri Roberto Mancini, i cili dëshiron t’i shesë sulmuesin Craig Bellamy dhe mesfushorin Stephen Ireland në disa ditët e ardhshme, dhe është në proces të transferimit të James Milner nga Aston Villa dhe Mario Balotellit nga Inter, ka thënë se Robinho është pjesë e ekipit prej 25 lojtarëve dhe se ai do të ulet dhe ta diskutojë të ardhmen e tij me brazilianin gjatë javës së ardhshme.
“Ai sapo ka arritur dje dhe është i lodhur nga Kupa e Botës dhe ndeshje tjera që ka luajtur. Por ai është në listën time dhe do të bisedoj me të javën e ardhshme për situatën”, ka thënë Mancini për mediat angleze.
Robinho nuk e ka fshehur faktin se dëshiron të qëndrojë me klubin brazilian Santos, ku kaloi pjesën e dytë të sezonit të kaluar si huazim.
Michael Essien shpreson që sezonet me lëndime të jenë e kaluar për të dhe në sezonin e ri të jetë i shëndoshë dhe t’i ndihmojë ekipit në realizimin e qëllimeve.Mesfushori defansiv i Chelseat mungoi në më shumë se gjysmën e sezonit për shkak të problemeve me ligamentet. Por kjo tashmë është e kaluar dhe ganezi është i gatshëm për sezonin e ri.
“Është mirë që po bëj përgatitje të plota, personalisht mendoj se kam luajtur mirë dhe gjatë çdo ndeshje të ardhshme jam gjithnjë e më i përgatitur. Dy herë nuk kam filluar sezonet për shkak të lëndimeve, por i kam përfunduar ata. Të kaluarin e fillova mirë, por nuk e përfundova, andaj shpresoj që ky vit të jetë i mirë dhe të mbetem i pa lënduar dhe t’i ndihmoj ekipit të fitojë ndonjë trofe”, ka thënë Essien.
Jamie Carragher thotë se me ardhjen e Roy Hodgson në Liverpool ka arritur edhe një energji e re.Carragher mendon se caktimi i Hodgson si menaxher i ri i klubit, arritja e Joe Cole, Milan Jovanovic dhe Christian Poulsen, dhe qëndrimi i Steven Gerrard dhe Fernando Torres kanë bërë që Liverpooli të jetë plot energji në prag të fillimit të sezonit të ri.
“Gjithmonë jeni të uritur të ktheheni, veçanërisht pasi vera nuk shkoi aq mirë për vendin dhe kur ekipi sezonin e kaluar priti shumë dhe nuk ndodhi kjo. Mezi pres sezonin e ri. Është më ndryshe, por gjithmonë do të jetë ndryshe me menaxher dhe staf tjetër”.
“Secili menaxher ka mënyrën e tij se si bëhen gjërat. Kjo iu jep njerëzve një energji ose besim të ripërtërirë. Klubi nuk i ndërron menaxherët shpesh, andaj kur kjo ndodh, është një gjë e madhe. Shpresojmë se ne do të përfitojmë nga kjo që në fillim të sezonit”, ka thënë Carragher.
Sipas mediave italiane, Werder Bremen është duke monitoruar nga afër situatën e sulmuesit brazilian Julio Baptista, i cili është nën kontratë me Romën.La Repubblica shkruan se ekipi nga Bundesliga është në kërkim të përforcimeve në repartin e sulmit pas pasigurive rreth të ardhmes së Hugo Almeida dhe Markus Rosenberg, dhe trajneri Thomas Schaaf supozohet se e sheh Baptistan si opsion.
Ish-ylli i Sevillas dhe Arsenalit iu bashkua Romës nga Real Madridi në verën e vitit 2008, por dështoi të tregojë ndonjë sukses në kryeqytetin italian. Sulmuesi 28-vjeçari tash pritet të largohet nga klubi gjatë verës.
Ai më herët është lidhur me një kalim në Olympiacos dhe Galatasaray, por ka bërë të ditur se nuk është i interesuar të luajë në kampionatin grek ose turk. Një ofertë nga Bundesliga mund të ishte e mirëpritur nga lojtari.
Siç mëson Sky Sports, Mario Balotelli ka shkuar në Angli për t’iu nënshkruar testit mjekësor me Manchester Cityn.Agjenti i Balotellit kishte thënë të enjtën se marrëveshja do të arrihet brenda pak orëve, ndërsa tani sipas mediave angleze, City ka arritur marrëveshje me Interin dhe do të paguajë 24 milionë funte.
Interi i ka dhënë leje Balotellit që të udhëtojë në Angli për t’iu nënshtruar testit mjekësor dhe nëse gjithçka shkon sipas planit, sonte mbrëma më së largu nesër do të bëhet zyrtarizimi i transferimit të pestë të Manchester Cityt për këtë afat kalimtar veror.
Bashkëpronari i West Hamit, David Sullivan, ka zbuluar se kosovari Valon Behrami dëshiron të largohet nga Upton Park.“Ne nuk kemi marrë ofertë për të. Ai nuk dëshiron të jetë këtu, bashkëshortes së tij nuk i pëlqen Londra, por ai na kushtoi 6 milionë funte dhe agjenti i tij fitoi më shumë se 1 milionë për ta sjellë atë te West Hami”.
“Ai është lojtar i jashtëzakonshëm dhe jam i befasuar se pse nuk kemi marrë ende ndonjë ofertë”, tha Sullivan.
Portieri i Fulhamit, Mark Schwarzer, ka kërkuar nga Fulhami që t’ia bëjë ëndrrën realitet dhe që ta transferojë atë te Arsenali.“Kam nevojë që të ndodhë. Unë kam pasur disa biseda me Mark Hughes. Është delikate çështja. Kush nuk do të shkonte te Arsenali? Në këtë fazë të karrierës time është një rast fantastik që të luaj në atë nivel dhe vërtet të gjithë duan ta shfrytëzojnë atë”.
“Ka kaluar kohë e gjatë dhe sezoni është aq pranë fillimit. Në njërën anë ju i kuptoni ekipet se nuk kanë dëshirë të shpërqëndrohen, por unë dua që gjërat të zgjidhen shpejtë. Vetëm koha do të tregoj nëse ajo do të ndodhë apo jo”, deklaroi Schwarzer.
Mesfushori i Real Madridit, Kaka, pas operimit të bërë në gju ka thënë për Marca sa ishte ai lëndim që e ka detyruar të mos jetë vetvetja, por mohoi t’ia ketë rrezikuar karrierën.“Unë vuajta sepse nuk munda të tregoj se kush është Kaka i vërtetë. Unë luajta futboll të infiltruar që t’i ndihmoj Realit”.
“Unë nuk jam i papërgjegjshëm, unë nuk e vë karrierën time në rrezik. Unë vetëm dua që t’u kthej tifozëve gjithë dashurinë që ata janë duke më dhënë”, tha Kaka.
Manchester City besohet t’i ketë ofruar sulmuesit të Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, një kontratë katërvjeçare të vlefshme rreth 607 mijë euro në javë.Suedezi do të bëhej futbollisti më i paguar në botë, duke fituar 29 milionë euro në stinor, shumë më shumë se sa superyje si Lionel Messi, Cristiano Ronaldo dhe Kaka. Sipas The Sun, zyrtarët e Cityt ia kanë bërë ofertën Mino Raiolas, agjentit të Ibrahimovic, për t’i treguar atij se sa shumë e dëshirojnë Ibrën në Angli.
“City ka treguar se sa shumë e dëshiron Ibrahimovicin dhe edhe pse ai është mirë i paguar te Barcelona, kjo ofertë është e një niveli tjetër. Kjo ka bërë që ai të mendojë edhe njëherë, sidomos për shkak se nuk është i lumtur me formën e tij te Barcelona”.
“Ideja e të qenit pjesë e krijimit të një superklubi për të sfiduar më të mirët në Evropë është gjithashtu tërheqëse. City duhet të arrijë marrëveshjen me Barcelonën para se të shkojë tutje, por ekziston një ndjenjë se gjithçka mund të ndodhë shumë shpejtë”, ka thënë një burim pranë Ibrahimovic.
Nuk pritet asnjë ofertë për blerjen e Liverpoolit as gjatë ditës së sotme, ditë të cilën vetë presidenti , Martin Broughton, e kishte caktuar si datë për shitjen e klubit.Kjo do të thotë se pronarët e rinjë Tom Hicks dhe George Gillet do të paguajnë edhe 2.5 milionë funte tjera në bankën skoceze RBS. Çdo javë që kalon pa shitje të Liverpoolit, automatikisht dënon Hicks dhe Gillet të cilët nëse deri në nëntor nuk do të gjejnë ndonjë blerës do të duhet të paguajnë 60 milionë funte.
Në ndërkohë thuhet se bisedimet me sirianin Yahya Kirdi kanë ngecur për shkak të disa problemve private të tij, kurse miliarderi kinez, Kenny Huang, përkundër faktit se ka shprehur interesim për ta blerë Liverpoolin, ende nuk ka bërë ndonjë ofertë zyrtare.
Transferi i ri i Liverpoolit, Christian Poulsen, beson se ai ka shumë për të treguar pasi kompletoi transferimin prej 4.5 milionë funtesh nga Juventusi.“Me këtë tranferim unë kam shumë për të dëshmuar. Nëse vini te një klub si Liverpooli, ju duhet të punoni. Unë shpresoj se do të tregoj se mund të jem lojtar i mirë për Liverpoolin”.
“Kam kaluar dy vite të mira me Hodgson dhe shpresoj ta vazhdojmë këtë marrëdhënie dhe shpresoj se ai do të jetë i kënaqur me atë që do të tregoj. Hodgson nuk ka nevojë të flasë shumë sepse Liverpooli është i njohur në gjithë botën dhe për njerëzit në Danimarkë, Liverpooli është klubi më i madh në Angli”, deklaroi Poulsen për Sky Sports.
Gjigantët spanjoll të Barcelonës janë fare pranë transferimit të mesfushorit të Liverpoolit, Javier Mascherano, pasi që thuhet të jetë arritur marrëveshja mes dy klubeve.Marrëveshja do të kompletohet me një ofertë prej 15 milionë eurosh plus shërbimet e mesfushorit Aliaksandr Hleb. Sipas spekulimeve, agjenti i lojtarit tashmë është takuar me zyrtarët e Barcelonës dhe konfirmimi për marrëveshjen mund të vijë brenda ditëve të ardhshme.
Mascherano së fundmi ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga Liverpooli dhe për t’iu bashkuar skuadrës spanjolle, ose të ribashkohet me ish-trajnerin Rafa Benitez te kampioni i Evropës, Interi. Blaugranët nga ana tjetër, ishin në kërkim të një zëvëndësuesi për të larguarin drejt Manchester Cityt, Yaya Toure.
Trajneri i ri i Interit, Rafa Benitez, është duke u përgatitur për sfidën e parë konkurruese, Troeun TIM.Turneu tradicional do të zhvillohet në Stadiumin San Nicola të Barit të premten në mbrëmje dhe do të përfshijë ndeshje 45-minutëshe.
“Nuk është lehtë për një trajner të përgatitet për një turne me këtë lloj programi. Për ne do të jetë edhe më vështirë pasi lojtarët ndërkombëtarë do të arrijnë vetëm sonte në mbrëmje pas miqësoreve me kombëtaret e tyre”.
“Të tjerët do të mbeten në Milan për t’u stërvitur, pasi caku ynë primar është të përgatisim ekipin për dy Superkupat dhe Serie A. Do të përpiqemi t’ia dalim mirë për fansat, qoftë nëse ata janë në Bari ose duke na shikuar në televizion”, ka thënë Benitez.
















