Skuadra e Chelseat ka shënuar fitore të lehtë prej 4-1 përballë ekipit sllovak Zilina.Michael Essien filloi serinë e golave (13’), për t’u ndjekur me dy gola të njëpasnjëshëm të Nicolas Anelkas (24’ dhe 28’), i cili vendosi rezultatin përfundimtar të pjesës së parë.
Me të filluar pjesa e dytë (48’), Daniel Sturridge shënoi edhe golin e katërt për Blutë, ndërsa golin e nderit për vendasit e realizoi Tomas Oravec (55’).
Ndeshja tjetër e Grupit F, ndërmjet Marseille dhe Spartak Moskës, i ka takuar ekipit rus që shënoi fitore minimale prej 1-0, ndërsa njeriu tragjik ishte Cesar Azpilicueta, i cili shënoi autogol (82’).
Bayern Munichu e ka mposhtur Romën me rezultat prej 2-0 në njërën nga ndeshjet kryesore të xhiros së parë të fazës grupore të Ligës së Kampionëve.Goli i epërsisë për bavarezët erdhi në minutën e 79-të kur pas një asistimi të Daniel van Buyten, Thomas Mueller mposhti portierin Julio Sergio.
Fitoren e vendasve e vulosi Miroslav Klose me golin e dytë (83’), duke vendosur edhe rezultatin përfundimtar të takimit.
Ndeshja tjetër e Grupit E, ndërmjet CFR Cluj dhe Basel, i ka takuar skuadrës rumune, e cila fitoi me rezultat 2-1.
Milani dhe Real Madridi kanë regjistruar fitoret e para në fazën grupore të Ligës së Kampionëve duke mposhtur kundërshtarët e tyre respektivë, Auxerre dhe Ajax me rezultate identike prej 2-0.Zlatan Ibrahimovic ishte lojtari kryesor i Milanit në debutimin e tij në Ligën e Kampionëve me fanellën kuqezi duke shënuar dy gola (66’ dhe 69’), pas asistimeve të Boateng dhe Ronaldinho.
Nga ana tjetër, përkundër dominimit dhe rasteve, Los Blancos nuk arritën të shënojnë më shumë se dy gola në takimin e zhvilluar kundër Ajaxit në Santiago Bernabeu.
Goli i parë erdhi kur pas një krosimi nga këndi të Xabi Alonsos, nga rrëmuja e krijuar Vurnon Anita (31’) shënon në portën e gabuar.
Higuain ishte realizuesi i golit të dytë (73’), ndërsa këtë radhë punën e kreu Mesut Ozil.
Pas këtyre fitoreve, Rossonerët dhe Los Merengues kryesojnë në Grupin G me nga tre pikë, derisa kundërshtarët e tyre do të kërkojnë pikë në takimet e radhës.
Nga tre gola të shënuara në secilën pjesë i kanë dhënë fitoren e thellë prej 6-0 Arsenalit në takimin e parë të sezonit të Ligës së Kampionëve përballë portugezëve të Braga, ndeshje kjo e zhvilluar në Emirates Stadium.Djelmoshat e trajnerit Arsene Wenger kaluan në avantazh të trefishtë që në pjesën e parë të ndeshjes. Pas vetëm tetë minutash lojë, përforcimi i verës për Arsenalin, Marouane Chamack, faulohet në zonën e rreptësisë nga portieri mysafir Felipe, duke fituar një penalti, e cila u shndërrua në gol nga kapiteni Cesc Fabregas.
Pas gjysmë ore lojë, Andrei Arshavin dyfishoi epërsinë për vendasit me Fabregas si asistues. Nuk zgjati shumë dhe Topçinjtë gjetën edhe njëherë portën dhe kësaj here në listë u shënua Chamack, pas një bashkëveprimi të mirë me Jack Wilshare (34’).Pjesa e dytë solli po aq gola dhe spektakël sa edhe e para. Ishte përsëri Fabregas që hapi serinë e golave të pjesës së dytë, po pas tetë minutash lojë në këtë pjesë, falë një asistimi të Arshavin.
Carlos Vela u fut në lojë si zëvendësues dhe arriti të gjejë dy herë portën kundërshtare (69’ dhe 84’), duke vulosur kështu fitoren e thellë të Arsenalit.Në ndeshjen tjetër të grupit E, kampioni i Rumanisë, Cluj, ka shënuar fitore me rezultat 2-1 ndaj kampionit të Zvicrës, Basel.
Sulmuesi veteran Ludovic Giuly ka deklaruar se ky sezon do të jetë i fundit për të me Paris Saint-Germain, duke paralajmëruar që pas dy tre sezonesh mund të pensionohet nga futbolli aktiv.Ish-lojtari i Monacos, Barcelonës dhe Romës ka thënë për radion RMC, se ai nuk planifikon ta vazhdojë kontratën, e cila i skadon në fund të sezonit, porse do t’i japë fund me ‘parisienët’.
“Ky është sezoni im i fundit në Paris. Do të mundohem të kënaqem dhe të mos pendohem për asgjë. Ajo që është e rëndësishme më vonë në një karrierë është të jetosh me kokën lartë”, është shprehur 34-vjeçari.
Megjithatë, ai nuk ka thënë se do ta përfundojë karrierën në fund të këtij sezoni, porse e ka bërë të qartë se në ditët e sotme mund të luash deri në moshën 35 apo 36 vjeçare.
Drejtori sportiv i Sampdorias, Sergio Gasparin, ka mohuar spekulimet se Antonio Cassano do të largohet së shpejti nga klubi.“Ne dëshirojmë që Cassano të qëndrojë me ne, por për disa muaj nuk dua të flas mbi transferimet”, ka thënë Gasparin për Radio Kiss Kiss.
Ai ka folur edhe për fushatën e klubit në Europa League, duke shprehur shqetësimin se Sampdoria e ka të vështirë të luajë mirë në të gjitha garat.
“Përkushtimet në Evropë kanë ndikim të madh në Serie A. Shpërndarja e energjisë sonë do të jetë vendimtare”, ka thënë ai.
Bastian Schweinsteiger ka thënë se finalisti i vitit të kaluar i Ligës së Kampionëve, Bayern Munich, medoemos duhet të shënojë fitore kundër Romës në përballjen e të mërkurës mbrëma në Allianz Arena.Ai ka rikujtuar suksesin e arritur sezonin e kaluar duke thënë se dëshiron të arrijë sërish në finale, duke e konsideruar Bayernin si favorit në Grupin E.
Mesfushori gjerman u ka thënë gazetarëve se ai dhe bashkëlojtarët e tij ende nuk e kanë gjetur formën e duhur dhe kanë mungesë kondicioni, por sidoqoftë ai ka kërkuar fitore kundër Giallorossëve.
“Duhet të fitojmë me çdo kusht kundër Romës dhe kjo nuk do të jetë e lehtë. Qëllimi ynë fillestar është që ta kalojmë fazën grupore, ndërsa hapin e parë në këtë rrugë mund ta bëjmë ndaj Romës”, ka thënë Schweinsteiger.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka mbështetur sulmuesin Zlatan Ibrahimovic para ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Auxerre.Ibra iu kthye futbollit italian me një humbje shokuese nga Cesena, ndërsa trajneri është i bindur se suedezi do të jetë në formën e tij më të mirë të mërkurën mbrëma.
“Ibrahimovici është kritikuar rëndë. Ai luajti ndaj Cesenas pas vetëm dy seancash stërvitore me ne”.
“Ai u angazhua shumë të mërkurën dhe luajti mirë për bashkëlojtarët e tij. Unë kam shumë besim tek ai”, u ka thënë Allegri gazetarëve.
Portieri i Chelseat, Petr Cech, thotë se ky duhet të jetë viti kur trofeu i Ligës së Kampionëve më në fund do të shkojë në Stamford Bridge.Të mërkurën mbrëma, Blutë ndeshen me MSK Zilina, që shënon ndeshjen e parë në fazën grupore, ndërsa portieri çek ka vetëbesim të plotë para kësaj ndeshjeje.
“Kemi luajtur shumë mirë së fundmi dhe jemi të gatshëm të luajmë në Ligën e Kampionëve. Vitin e kaluar fituam dy tituj, gjë që është një arritje e madhe, por ne nuk mundëm të shkojmë më larg në Ligën e Kampionëve”.
“Vitet e kaluara gjithmonë kemi qenë në gjysmëfinale dhe njëherë në finale, por të gjithë besojmë se këtë herë do ‘shpërthejmë’. Ne gjithmonë, para çdo sezoni besojmë se mund të arrijmë dhe të fitojmë”, ka thënë Cech.
Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, do të mungojë në ndeshjen e të mërkurës mbrëma në Ligën e Kampionëve kundër Ajaxit pas një lëndimi të pulpës së këmbës.Spanjolli ishte ankuar për dhimbje të martën, ashtu që stafi mjekësor ka anuluar angazhimin e tij për takimin që zhvillohet në Bernabeu.
Nëse dhimbja vazhdon ai do të mungojë edhe në takimin e fundjavës kundër Real Sociedad.
Sidoqoftë, para se të merret ndonjë vendim i mëtutjeshëm, fillimisht ai do t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, thotë se nuk ka asgjë për t’u frikësuar nga rivali i Ligës së Kampionëve, Milani.Milani bëri bujë me transferimin e dy yjeve, Zlatan Ibrahimovic dhe Robinho, në ditët e fundit të afatit kalimtar.
“Ata janë përforcuar. Do të jenë dy ndeshje të vështira, por ne nuk duhet të mendojmë për kundërshtarët tonë. Ne jemi Real Madrid dhe nuk kemi frikë nga askush”, ka thënë Ronaldo.
“Ne do të fitojmë diçka, jam i sigurt. Kam një ndjenjë shumë të qartë në brendi. Ne nuk mund të presim të mos fitojmë asgjë. Nuk mund t’ia lejoj vetes të mos çoj asgjë në shtëpi. E ndjej këtë me trajnerin e ri dhe me nënshkrimet që kemi bërë, tashmë kemi ndryshuar kahen”.
“Në vitet e fundit në Ligën e Kampionëve gjërat nuk kanë shkuar mirë, por këtë vit do të jetë më ndryshe”, ka shtuar portugezi.
“Mourinho është një komunikues i madh, një trajner i madh, një person i cili është i sinqertë me stafin dhe lojtarët e tij dhe një trajner i cili është fitimtar... një person serioz. Mourinho është dikush, për të cilin kisha nevojë kur luaja te Reali”, ka thënë Figo.
Ish-ylli i Barcelonës, Real Madridit dhe Interit, thotë se titulli i La Liga do të vendoset në mes të dy gjigantëve spanjoll, Real dhe Barcelona.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se Liga Premier mbetet liga më e fuqishme në botë.Asnjë klub anglez nuk kishte arritur në gjysmëfinalet e sezonit të kaluar të Ligës së Kampionëve, por Wenger mendon se kampionati anglez është më i fuqishmi në botë.
“Ende mendoj se Liga Premier është më e fuqishmja në Evropë. Ne duhet të tregojmë se viti i kaluar ishte aksident. Fatkeqësisht ne dolëm kundër Barcelonës, që ishte më e mirë se ne në të dyja rundet. Ne duhet të rikthehemi dhe të tregojmë se mund të garojmë me ta. Mbi të gjitha mendoj se ishte aksident, por do të shohim”, ka thënë Wenger.
I pyetur se sa klube angleze janë konkurrentë për ta fituar garën evropiane, Wenger është përgjigjur, “Të katërtat”.
Sulmuesi i Arsenalit, Nicklas Bendtner, pret një fitore në ndeshjen e sotme kundër Braga.Ai ka një rekord të shkëlqyeshëm ndaj ekipeve portugeze, duke shënuar secilën prej ndeshjeve të tij për Danimarkën dhe madje shënoi hat-trick sezonin e kaluar kundër Portos. Por Bendtner, pret që Arsenali ta mposhtë edhe rivalin e sotëm të Ligës së Kampionëve, Braga.
“Është shumë e thjeshtë: Ne presim, dhe me sa duket edhe kemi nevojë për të tre pikët kundër Braga. Ne kemi shumë lëndime për momentin, por po ashtu kemi edhe një fillim të shkëlqyeshëm të sezonit, duke humbur pikë vetëm në ndeshjen në udhëtim kundër Liverpoolit”, ka thënë Bendtner.
Edhe pse dukej se karriera e Ronaldinhos si futbollist aktiv nuk do të zgjasë shumë, për shkak se sezonet e fundit nuk ka arritur ta tregojë atë që bënte dikur, vetë lojtari thotë se planifikon të luajë deri në moshën 40-vjeçare.“Nuk ka qenë lehtë për mua pasi fitova gjithçka që mund të fitohet me Barcelonën. Sidoqoftë, e riktheva formën time sezonin e kaluar falë trajnerit të madh: Leonardo”.
“Kur një lojtar luan mirë për një periudhë të gjatë, tifozët nxiten dhe presin paraqitje klasi secilën javë. Ata fillojnë të pyesin porsa forma të bie”, ka shpjeguar braziliani për Corriere dello Sport.
Ai ka shtuar se do t’i pëlqente që të luajë në Kampionatin e ardhshëm Botëror (2014), madje edhe në atë të vitit 2018, pasi që për të mosha nuk është problem. “Kam luajtur me Paolo Maldinin, i cili ka luajtur deri në moshën 40-vjeçare. Do të doja të isha si ai”.
Juventusi është gati të bëjë ofertë për sulmuesin e Real Madridit, Karim Benzema, gjatë afatit kalimtar të janarit- njoftojnë mediat italiane.Zonja e Vjetër dëshiron të forcojë më shumë sulmin pas largimit të David Trezeguet dhe Diego, ndërsa lëndimet e shpeshta të Vincenzo Iaquintas e kanë bërë drejtorin sportiv Giuseppe Marotta që të mendojë për tjetër sulmues.
Sipas Corriere dello Sport, francezi konsiderohet si zgjidhje e duhur për sulmin bardhezi, mirëpo vështirë se Jose Mourinho do ta lirojë 22-vjeçarin të largohet nga Bernabeu.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, ka kërkuar nga tifozët që të kenë durim me skuadrën këtë sezon duke shtuar se beson që trajneri Jose Mourinho është duke e ndërtuar ekipin për të ardhmen.“Jemi duke ndërtuar një të ardhme dhe kemi një ëndër. Nuk është mirë të fiksohemi pas titujve, ne po i marrim gjërat ditë pas dite, lojë pas loje dhe secila ditë është e rëndësishme”.
“Është shumë lehtë për trajnerin që të lidhet mirë me të gjithë. Në fushë ai kërkon shumë. Ai ka qenë një mësues”, ka thënë portieri spanjoll për ABC.
Menaxheri i Interit, Rafael Benitez, thotë se barazimi 2-2 ndaj Twente në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve nuk është një rezultat i keq.Nerazzurët e panë veten në disavantazh 2-1 pas autogolit të Diego Milito në minutën e 30-të, por arritën të nxjerrin një pikë falë një goli të shënuar nga Samuel Eto’o në minutën e 41-të të takimit.
“Është e vërtetë se pjesa e parë ishte e vështirë, por në pjesën e dytë ne ishim nën kontroll dhe jam i kënaqur me rezultatin kundër një ekipi të vështirë. Twente ka shumë kualitete dhe ishte vështirë për ne”, ka thënë Benitez mes tjerash.
















