Franca ka shkëlqyer në minutat e fundit të ndeshjes, për të mposhtur Rumaninë me rezultat 2-0 në ndeshjen kuaklifikuese për Euro 2012 duke marrë edhe kreun e grupit D.Franca dominoi në pjesën e parë të ndeshjes, por humbi disa raste të mira shënimi. Në anën tjetër, rumunët po ashtu patën rastet e tyre, por portieri Hugo Lloris bëri një paraqitje të mirë për të ruajtur portën e paprekur.
Me gjashtë minuta para fundit të ndeshjes, sulmuesi i Marseille, Loic Remy, depërtoi nëpër mbrojtjen mysafire për të dërguar topin në këndin e djathtë të portës rumune. Në minutat shtesë të ndeshjes, francezët shënuan edhe një gol tjetër, kësaj here me anë të Yoann Gourcuff.
Fitorja është e dyta për Francën, që me gjashtë pikë ngjitet në maje të grupit, ku deri sot qëndronte Shqipëria. Kuqezinjtë tash zbresin në pozitën e dytë të tabelës me pesë pikë.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi, thotë se është duke u rikuperuar nga lëndimi dhe shpreson se do të mund të luajë kundër Valencias.Spanjolli vendosi të pauzojë pas ndeshjes ndaj Rubin Kazan, pasi zbuloi se një kohë të gjatë kishte luajtur me dhimbje. Xavi u la edhe jashtë nga përbërja e Spanjës për ndeshjet kualifikuese për Euro 2012.
“Për momentin ndjehem më mirë. Por një kohë të gjatë vuajta dhe luajta me dhimbje të mëdha. Mjekët e dinin, unë e dija, por kishte ndeshje të mëdha dhe doja të jem pjesë e ekipit. Unë gjithmonë dua të luaj, por në fund dhimbja ishte e padurueshme”.
“Kur do të mund të kthehem? Unë jam optimist, dua të mendoj pozitivisht dhe shpresoj se do të luaj kundër Valencias. Mjekët dhe fizioterapeutët janë ata që do të thonë nëse do të luaj, andaj do të shohim se si do të rikuperohem nga lëndimi”, ka thënë Xavi.
Portieri i Manchester United, Edwin van der Sar, i ka mohuar spekulimet të cilat thonë se ai do të pensionohet në fund të sezonit.Më herët gjatë javës u tha se Van der Sar me siguri do të pensionohet në fund të sezonit. Megjithatë 39-vjeçari i ka mohuar këto spekulime, duke thënë se vendimi rreth të ardhmes së tij do të vijë vetëm në fund të sezonit.
“Këto janë krejtësisht të pavërteta. Nuk e di se prej ka vijnë këto tregime, por janë budallallëqe. Nuk e di nëse do të ndaloj ose do të vazhdoj me futboll pas fundit të sezonit. Tash nuk mendoj për këtë temë. Madje kah fund të sezonit do të marr vendim. Për momentin fokusimi im është vetëm te United”, ka thënë Van der Sar.
Numri një i botës në tenis, Rafa Nadal, ka mposhtur serbin Viktor Troicki 2-1 në sete (7-6, 4-6, 7-6) dhe ka arritur në finale të turneut Japan Open në Tokio.Spanjolli fitoi me vështirësi setin e parë, ndërsa u mposht në të dytin. Por ai luftoi për të fituar setin e tretë që e dërgoi atë në finale.Nadal do të ketë përballë Gael Monfils në finalen e nesërme, pasi francezi mposhti çekun Radek Stepanek në dy sete (6-3, 6-3). Fituesi i finales do të shtojë konton e tij për hiç më pak se 1.2 milion dollarë.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, pret që Nani ta mbulojë mungesën e Antonio Valencias.Valencia pësoi një dëmtim të theksuar të ligamentit dhe theu gjurin kur United u përball me Rangers në muajin shtator.
“Është humbje të humbasësh secilin lojtarë, por Antonio ishte mbase përmirësimi më i madh i skuadrës gjatë 12 muajve të kaluara, andaj ishte një goditje e madhe. Zhvillimin që ne pamë kur ai nënshkroi për ne deri në ditët e sotme ka qenë i mahnitshëm”.
“Megjithatë, ne kemi një ekip të fuqishëm dhe do ta përballojmë këtë. i takon Nanit tash ta luajë pjesën e tij dhe ai ka luajtur shkëlqyeshëm këtë sezon, andaj ai do të na ofrojë zgjidhjen”, ka thënë Ferguson.
Ikona e Manchester United, Ryan Giggs, dëshiron të fitojë shumë tituj para se përfundimisht t´i varë këpucët.Edhe pse në moshën 36-vjeçare, Giggs mbetet një pjesë integrale e ekipit të Sir Alex Ferguson, por e di se kohës së tij si lojtar i United po i vjen fundi.
“Dëshironi të fitoni gjithçka para se t´i jepni fund. Dëshironi të fitoni çdo ndeshje që luani, çdo trofe që garoni, dëshironi të fitoni. Nuk mundeni gjithmonë ta bëni këtë, por duhet të përpiqeni të jepni më të mirën për të fituar”.
“Nëse do të më lejohej vetëm një? Do ta kisha zgjedhur Ligën e Kampionëve – por kjo ndryshon. Nesër mund të them Ligën. Por Liga dhe Liga e Kampionëve janë të mëdha”, ka thënë Giggs.
Lorik Cana thotë se edhe pse ka preferuar tre pikë ndaj Bosnjës, duke marrë parasysh kërcënimet e ekipit kundërshtar në pjesën e fundit të ndeshjes, ai është i kënaqur edhe me barazim.Cana, i cili mbajti shiritin e kapitenit, ishte shtylla e mbrojtjes në takimin e mbrëmshëm eliminator për Euro 2012, duke bërë disa ndërhyrje vendimtare për të penguar sulmin boshnjak, madje edhe i lënduar në disa minutat e takimit të ndeshjes.
“Nuk di çfarë të them lidhur me rezultatin e ndeshjes, sepse përpara saj jam pyetur nëse isha i kënaqur me barazimin dhe të them të drejtën kam thënë jo. Por tani, duke parë si u zhvillua ndeshja, besoj se jam i kënaqur”.
“Kishim përballë një kundërshtar me kualitet shumë të lartë. Ata na krijuan vështirësi taktike. Jemi munduar shumë të japim më të mirën përpara tifozerisë sonë dhe kemi meritën që u rikthyem në lojë duke reaguar.
“Jam pak i zhgënjyer për pjesën e parë, sepse vetëm në një rast që kundërshtari pati, arriti të na ndëshkonte. Gjithsesi, kishim edhe pak fat në fundin e sfidës, por besoj se barazimi është i kënaqshëm për ne dhe plotësisht i merituar”, ka thënë Cana, siç përcjell Sporti Shqiptar.
Cana luajti duke çaluar në dhjetë minutat e fundit të takimit, por ende nuk ka një përshkrim të saktë të dëmtimit të tij dhe ende nuk dihet nëse ai do të jetë në gjendje për takimin e të martës, kundër Bjellorusisë.
Barcelona është alarmuar pasi sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato, ka thënë se ai më parë do t’i bashkohej klubit spanjoll se sa Manchester Cityt.Klubi nga Liga Premier është lidhur me një mega-ofertë në vlerën 75 milionë eurove për brazilianin e ri, i cili gjeti rrjetën në fitoren e mbrëmshme të Brazilit ndaj Iranit. Por Pato preferon Spanjën dhe ka thënë se ai do të largohej nga Milani vetëm për Barcelonën, edhe pse shton se është i lumtur në San Siro.
“Nëse një ditë largohem nga Milani, atëherë do të doja të luaj për Barcelonën. Jam i nderuar nga oferta e Cityt, por unë jam lojtar i Milanit dhe jam mirë këtu”, ka thënë Pato për Eurosport.it.
Klubi spanjoll Hercules dëshiron ta shtojë në radhët e veta sulmuesin e Udineses, Antonio Di Natale.Hercules nënshkroi me David Trezeguet si transferim të lirë gjatë verës dhe ata shpresojnë të sjellin edhe një sulmues në zë nga Serie A.
Itasportpress.it shkruan se klubi spanjoll po bën interesim të hershëm në mundësinë e transferimit të Di Natale dhe diskutimet mund të hapen në mes të dy klubeve gjatë afatit kalimtar të janarit.
Hercules ka treguar lojëra të mira në La Liga në këtë fillim sezoni duke shënuar fitore ndaj Barcelonës dhe Sevillas. Megjithatë, statusi i tyre si një klub ambicioz, mund të mos jetë i mjaftueshëm për të joshur Di Natale, i cili ka refuzuar një transferim te Juventusi gjatë kësaj vere.
Sulmuesi i Fiorentinas, Adrian Mutu, është vetëm tre javë larg rikthimit të tij në aksion, pas nëntë muajsh përjashtimi.Rumuni u përjashtua në muajin prill, pasi dështoi t´i kalojë dy teste të ndryshme anti-doping në muajin janar. Por suspendimi i tij do të përfundojë më 29 tetor, që do të thotë se ai mund të rikthehet në ndeshjen kundër Catanias, në javën e nëntë të sezonit të ri në Serie A.
"Mezi pres të rikthehet, ashtu që të mund t´u ndihmoj djelmoshave", ka thënë Mutu për Violanews.com.
Mutu po ashtu sapo ka hapur një aventurë biznesore në Firencë, që është një dëshmi se ai nuk planifikon të largohet nga klubi në një të ardhme të shpejtë.
Mesfushori i kombëtares shqiptare, Ervin Skela, ka thënë pas përfundimit të ndeshjes ndaj Bosnjës se kombëtarja kuqezi duhet të bëjë çmos për të ruajtur ritmin që ka treguar në tre ndeshjet e para të kualifikimeve për Euro 2012."Me realizimin e golit të Duros, ne u futëm në lojë. Dhe mendoj se në pjesën e dytë kemi bërë një lojë më të mirë , duke marrë parasysh shumë rastet që patëm", ka thënë Skela gjatë një prononcimi për TVSH.
"Shpresoj në të ardhmen ta mbajmë këtë ritëm, duke marrë parasysh edhe lojtarët nga stoli futen të motivuar dhe kanë çfarë të ofrojnë në fushë", ka shtuar mesfushori shqiptar.
Skela, i cili aktualisht është lojtarë i lirë dhe pa ekip, ka pritur të aktivizohet që nga fillimi i takimit, por trajneri boshnjak Xhemal Mustedanagiq vendosi ta inkuadrojë atë vetëm në pauzën mes pjesëve, duke larguar Erjon Bogdanin.
"Çdo lojtar kërkon të luajë në ekipin kombëtar, sidomos unë që vij nga një moment shumë i keq. Trajneri vendos dhe unë jam profesionist. Dhe rezultati pozitiv i jep atij të drejtë", ka përfunduar Skela.
Përzgjedhësi i Spanjës, Vicente del Bosque, mendon se ekipi i tij meritoi të shënoj fitoren e 16-të radhazi kualifikuese, pasi mbrëmë mposhti Lituaninë me rezultat 3-1.Golat e pjesës së dytë, dy të shënuara nga Fernando Llorente, dhe një tjetër nga David Silva, ishin të mjaftueshme të mposhtin Lituaninë.
“Këto janë tre pikë shumë të rëndësishme për ne. Ne kemi kombinuar topin shumë mirë, por na mungoi efikasiteti në pjesën e parë. Por ne e merituam fitoren. ishte ajo çfarë dëshironim, gjashtë pikë nga dy ndeshje”, ka thënë Del Bosque.
Spanja të martën udhëton në Skoci, ku do të synojnë të ruajnë rekordin e fitoreve të njëpasnjëshme në fazën kualifikuese. Që nga barazimi 1-1 ndaj Islandës në shtator të vitit 2007, Spanja ka fituar çdo ndeshje kualifikuese që ka zhvilluar, dhe për më tepër ata janë të pamposhtur në ndeshjet kualifikuese që nga humbja ndaj Suedisë në tetor të vitit 2006.
Mesfushori i Real Madridit, Sami Khedira, ka dalë në mbrojtje të Cristiano Ronaldo pasi ai ishte kritikuar nga shtypi gjerman.Khedira ka lavdëruar bashkë-lojtarin e tij, duke thënë se ai ka qenë vital për t´i ndihmuar atij të gjejë veten në Bernabeu pas transferimit në afatin kalimtar veror.
"Ai nuk është arrogant ose vetjak, siç thonë shumë njerëz. Ai vishet në mënyrë elegante dhe gjithmonë është sjellë në mënyrë miqësore. Ai më ka ndihmuar mua dhe Mesut Ozil të integrohemi me pjesën tjetër të ekipit", ka thënë Khedira për AS.
Përzgjedhësi i Italisë në futboll, Cesare Prandelli, thotë se ai është i kënaqur me pikën e fituar ndaj Irlandës së Veriut.Azzurët barazuan pa gola në ndeshjen e mbrëmshme të vlefshme për kualifikimet për në kampionatin Evropian Euro 2012.
“Jam i kënaqur. Ishte një fushë e vështirë, ne u përpoqëm të fitojmë dhe pasuam topin shumë mirë. Ne luftuam deri në fund, andaj jam i kënaqur”.
“E kam ditur se do jetë një atmosferë e zjarrtë dhe e ruajtëm mirë ekuilibrin për 90 minuta, por po ashtu ishim në kërkim të vazhdueshëm të golit. Ne duhej të ishim ca më preciz në pjesën e tretë, por në përgjithësi jam i kënaqur”, ka thënë Prandelli.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, ka mbështetur përpjekjen e drejtuesve të klubit për të transferuar mesfushorin e Real Madridit, Kaka.Kaka aktualisht është jashtë fushe për shkak të një operacioni dhe është i pasigurt nëse do të rikthehet në ekipin e Jose Mourinhos.
“Ne flasim për një kampion të madh. Ai do të mirëpritet mirë nga tashmë një grup i fuqishëm. E di se keni folur për një transferim eventual te Interi. Kam dëgjuar për këtë nga gazetat”.
“Kampionët gjithmonë pranohen mirë dhe ata e dinë se si të luajnë së bashku, andaj përjashtoj se këtu mund ketë vështirësi me Kaka dhe Sneijder duke luajtur së bashku”, ka thënë argjentinasi.
Robbie Keane thotë se jeta e tij është ´e vështirë´ te Tottenham për shkak të hapësirës së paktë për lojë.Keane është zgjidhja e katërt në sulmin e Tottenhamit, prapa Jermain Defoe, Peter Crouch dhe Roman Pavlyuchenko, dhe edhe pse Defoe ka pasur të lënduara ligamentet në gju, Keane ka filluar vetëm një ndeshje garuese këtë sezon.
"Kur nuk luani, është shumë vështirë. Unë dua të luaj futboll dhe e kam të vështirë kur nuk luaj, por duhet ta ulni kokën dhe punoni shumë në stërvitje, të cilën gjë gjithmonë e bëj".
"E mbaj veten në formë. Por shkëlqimi fitohet vetëm duke luajtur, dhe unë nuk kam luajtur shumë së fundi, po një gjë është se jam i freskët", ka thënë Keane.
Klodian Duro ka thënë se paraqitja e shkëlqyeshme e kuqezinjve në takimin kundër Bosnjës është falë një baze të shëndoshë që tashmë ka krijuar kombëtarja shqiptare.Duro ishte golashënuesi i vetëm për Shqipërinë në stadiumin Qemal Stafa, duke neutralizuar golin e avantazhit të Bosnjë e Hercegovinës, të shënuar nga Vedat Ibisevic, për të nxjerrë kështu edhe një pikë që e mban Shqipërinë në maje të tabelës së grupit D.
"Mendoj se ishte forca e gjithë ekipit, dhe gjithë popullit shqiptar, e gjithë stadiumit të mbushur. Ekipi e kishte përgatitur mirë këtë ndeshje. Ne kishim një bazë të shëndoshë që nga puna e trajnerit Kuzhe".
"Kjo ishte baza që na çoi drejt suksesit. Ekipi luajti bashkë dhe arritëm me meritë të marrim një pikë. Siç thash, baza është e shëndoshë dhe mendoj se të gjithë duhet të gëzojmë. Kemi treguar se ekipi e meriton këtë mbështetje të publikut", ka thënë Duro për Televizionin Shqiptar pas përfundimit të ndeshjes.
Duro po ashtu ka thënë se kuqezinjtë ´duhet te mbledhim forcat´ dhe të përgatiten për ndeshjen e radhës, atë kundër Bjellorusisë.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, beson se Chelsea do ta fitojë Ligën Premier këtë sezon.Italiani pranon se klubi nga Londra perëndimore është teknikisht po aq i mirë sa Arsenali, por më superior sa i takon lojës fizike, që ai beson se do të jetë e mjaftueshme për ta ruajtur titullin e kampionit.
“Chelsea është ekipi më i fuqishëm në Ligën Premier. Teknikisht vetëm Arsenali mund të krahasohet me ta, por Chelsea ka fuqi më të madhe fizike. Ky është i vetmi dallim dhe ajo që i jep Chelseat avantazh”, ka thënë Mancini, siç përcjell The Mirror.
“Pas ndeshjes kundër Chelseat, i thash Carlo [Ancelottit], ‘Të mposhta, por ti do ta fitosh Ligën Premier andaj je më i mirë se unë’. Ende mendoj se Chelsea do ta fitojë titullin”, ka shtuar italiani.
















