Topi i artë Lionel Messi është shpallur lojtari më i mirë i vitit të kaluar duke rrëmbyer çmimin “FIFA Topi i Artë 2010” në gala ceremoninë e mbajtur të hënën në Cyrih të Zvicrës.
Lista e ngushtë e lojtarëve konkurrues për këtë trofe ishte ajo e yjeve të Barcelonës, argjentinasit Lionel Messi dhe spanjollëve Andres Iniesta dhe Xavi Hernandez. Ashtu që trofeun më të çmueshëm personal për futbollistët, që për herë të parë e ndajnë bashkë France Football dhe FIFA, e mori Lionel Messi për performancat e tij me Barcelonën dhe me përfaqësuesen e Argjentinës.
Gjatë vitit të kaluar Messi, me Barcelonën fitoi Kampionatin spanjoll, Superkupën e Spanjës, u shpall lojtari i vitit në La Liga, ishte golashënuesi më i mirë në La Liga dhe Ligën e Kampionëve, mori Këpucën e Artë evropiane dhe u shpall lojtari më i mirë në Argjentinë.
Trajneri aktual i Real Madridit, Jose Mourinho, u shpall trajneri i vitit, në veçanti për suksesin e arritur me skuadrën e Interit, me të cilën fitoi Ligën e Kampionëve, Scudetton dhe Kupën e Italisë. Ndërsa konkurrues pati trajnerin e Barcelonës, Pep Guardiola dhe atë të Spanjës, Vicente del Bosque.

Formacioni më i mirë i vitit 2010:


Portier: Iker Casillas


Mbrojtës: Carles Puyol, Gerard Pique, Lucio, Maicon


Mesfushorë: Xavi, Andres Iniesta, Wesley Sneijder


Sulmues: Cristiano Ronaldo, David Villa, Lionel Messi


Futbollistja më e mirë e vitit sipas FIFA-s u zgjodh braziliania Marta, ndërsa në konkurrencë ishte edhe Fatmire Bajramaj me prejardhje nga Istogu që bart ngjyrat e Gjermanisë.
‘FIFA Puskas Award’ për golin më të bukur i takoi mesfushorit turk të Bayern Munichut, Hamit Altintop, për golin e shënuar me Turqinë kundër Kazakistanit.
Çmimi i FIFA-s për “Fair Play” i takoi përfaqësues së femrave të Haititi U-17, ndërsa trajnerja më e mirë e femrave u shpall ajo e Gjermanisë, Silvia Neid.
Real Madridi edhe zyrtarisht është futur në garë për një sulmues të ri, por për ta transferuar gjatë verës së ardhshme e jo gjatë janarit, ndërsa disa prej emrave që lakohen janë tre sulmues në formë të jashtëzakonshme.
Në listën e sulmuesve që Real Madridi është duke i kërkuar janë Javier ‘Chicharito’ Hernandez i Manchester Unitedit, Carlos Tevez i Manchester Cityt dhe së fundmi, favoriti absolut për të kaluar te Los Blancos, Fernando Llorente i Athletic Bilbaos.
Llorente duket të jetë favoriti për të firmosur me Los Blancos, pasi që një ofertë prej 30 milionë eurosh do të ishte e mjaftueshme për t’i nokautuar drejtuesit kontrovers baskë të Bilbaos.
Një prej futbollistëve më të mirë në historinë e futbollit, strategu argjentinas Diego Maradona ka thënë se ai do të shkojë në shkurt në Angli për të biseduar me disa klube të Ligës Premier për t’u punësuar si menaxher.
“Në shkurt do të shkoj në Angli për të dëgjuar një ofertë serioze. Nëse ata më bindin, unë do ta pranoj ofertën”, theksoi Maradona për La Nacion.
“Unë nuk jam dhe aq i dëshpëruar nga kjo situatë, unë e di se një ditë do ta drejtoj një ekip më të madh”, potencoi ‘el pibe de oro’.
Ylli i Barcelonës, Andres Iniesta, ka thënë ai do të ishte i lumtur kushdo që do ta fitonte Topin e Artë, pasi që për konkurrentë ka bashkëlojtarët Xavi Hernandez dhe Lionel Messi.
“Unë jam i nderuar që jam këtu, me dy bashkëlojtarët e mi”.
“Unë do të jem i kënaqur çfarëdo që të ndodhë. Kushdo që do ta fitojë, do ta meritojë atë dhe për këtë arsye do të jem i kënaqur”.
“E vërteta është se unë kam gjasa për ta fituar çmimin, për faktin se jam ndër tri kandidatët. Le të shohim çfarë do të ndodhë”, u shpreh Iniesta.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka thënë më parë se Flamengo do të jetë klubi i ardhshëm i gjeniut brazilian Ronaldinho, por në fakt në garë tani është futur edhe Corinthians.
“Një sponsor shumë i rëndësishëm dëshiron ta shohë Ronaldinhon te Corinthians. Ne duam ta paguajmë atë 850 mijë euro në muaj në mënyrë për ta bindur që të na bashkohet neve”.
“Kjo është një ofertë zyrtare. Gjithë ajo që agjenti i Ronaldinhos duhet të bëjë është të më vizitojë në parkun Sao Jorge për të hapur bisedimet. Unë do të jem këtu pari çdo ditë dhe lojtari e agjenti e dinë ku të më gjejnë nëse janë të interesuar”, deklaroi në mënyrë sensacionale presidenti i Corinthians, Andres Sanchez.
Megjithatë, mbetet të shihet nëse Ronaldinho do të vendosë që të luajë me Ronaldon (origjinalin) te Corinthians
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka folur për rëndësinë e ceremonisë së Topit të Artë që mbahet sonte mbrëma, duke thënë se është ditë e veçantë për klubin katalanas, pasi që të tre finalistët janë lojtarë të Barcelonës.
“Natyrisht është ditë e madhe për Barcelonën dhe është një prej atyre të arriturave që kurrë nuk mund të përsëriten”.
“Kjo falë punës së shumë njerëzve për 30 vjet. Viteve të fundit, ky ka qenë rezultati. Barcelona është e kënaqur sepse kushdo që fiton, fiton klubi”, deklaroi Rosell.
Që pas pensionimit të Oliver Kahnit, Bayern Munichu ka vuajtur për të gjetur një portier stabil prapa shtyllave, ndërsa tani për këtë pozitë po ka deklarata nga më kontraverset.
“Për mua, çdo pozitë është e hapur. Është e mundur që Thomas Kraft të luajë”, theksoi Van Gaal për Bild i pyetur për portierin bavarez.
Mirëpo, në përgjigje të trajnerit holandez erdhi Franz Beckenbauer që kritikoi ashpër strategun holandez për pavendosmërinë e tij.
“Natyrisht, është e vërtetë që trajneri vendos se kush duhet të luajë. Por, për dallim nga pozitat tjera, te portieri kemi të bëjmë me një pozitë kyçe që mund të ndikojë në të ardhmen e klubit”, theksoi Beckenbauer.
Aktualisht dilema ekziston mes portierit me përvojë Hans Jorg Butt dhe të riut Thomas Kraft, të dy këta tejet të pasigurt në portë. Bayerni e dëshiron Manuel Neuerin e Schalkes, por kjo mund të mbetet vetëm një ëndërr për gjigantët gjermanë, pasi që Felix Magath nuk do ta shesë për asnjë çmim portierin më të mirë në Gjermani.
Sulmuesi kilian i Udineses, Alex Sanchez, mund të jetë shumë pranë kalimit të tij te gjiganti italian, Inter, pasi Nerazzurët hapur kanë shfaqur interesim për të, njofton La Gazzetta dello Sport.
Nerazzurët mezi presin të shtojnë kreativitet në radhët e veta gjatë afatit kalimtar dimëror dhe trajneri Leonardo e sheh 22-vjeçarin Sanchez si transferin e përkryer.
Drejtuesit e Udineses nuk po lëshojnë pe për sulmuesin dhe për këtë arsye agjenti i lojtarit ka shkuar në Appiano Gentile për t’u takuar me drejtuesit zi-kaltër. Çdo ofertë nën 25 milionë euro për kilianin pritet të refuzohet nga Udinese.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, është duke u lidhur edhe një herë me një rikthim në Itali, te Roma.
Ancelotti kurrë nuk e ka fshehur ambicien që një ditë të drejtojë Romën, dhe shansi mund të vijë më herët se që është pritur. Drejtuesit të Romës sërish janë duke menduar të ardhmen e Claudio Ranierit pas disfatës nga Sampdoria dhe pas përplasjes së tij me kapitenin Francesco Totti.
Plasja ndodhi të njëjtën ditë kur News of the World shkroi se Ancelotti ishte sërish në agjendën e bordit të Romës.
Carlo ka arritur vetëm dy fitore në 11 ndeshjet e fundit në të gjitha garat me Chelsean, dhe një vazhdim i rezultateve të dobëta mund të bëjë që Roman Abramivich të humbasë durimin dhe të largojë italianin.
Menaxheri gjeneral i Real Madridit, Jorge Valdano, ka qenë i ngazëllyer që e ka parë Kaka të shkruhet në listën e shënuesve në fitoren ndaj Villarrealit.
Kaka gjeti rrjetën në ndeshjen e dytë të tij të rikthimit nga lëndimi afat-gjatë.
“Ai duket shumë më optimist. Ai është një lojtar i veçantë dhe ne kemi shumë shpresa për të. Me të, ne do të bëjmë kërcim në klas, nuk ka asnjë ekip në botë me një shtytje të kësaj kategorie në janar. Ne duhet të jemi të lumtur, ai është me ne”, ka thënë Valdano.
Real Madridi synon një bëjë një transferim të sulmuesit të Bayern Munichut, Miroslav Klose.
Presidenti i Realit, Florentino Perez, ka shqyrtuar kërkesën e Jose Mourinhos për një sulmues të ri në afatin kalimtar të dimrit, pasi ka parë Gonzalo Higuain të përjashtuar për pjesën e mbetur të sezonit për shkak të operacionit në gju.
Sport shkruan se Klose është etiketuar si një opsion i mundshëm nga drejtuesit e Realit, me sulmuesin që nuk do ta përjashtonte një lëvizje të befasishme në Madrid.
Veterani iu përshtatet karakteristikave që Reali kërkon këtë muaj, pasi Perez është ngurrues të harxhojë në emra të mëdhenj.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se ata duhej të kishin fituar me rezultat shumë më të lartë ndaj Liverpoolit në ndeshjen e djeshme në kuadër të Kupës FA.
United arriti të shënojë fitore minimale në këtë takim falë një penaltie të shndërruar në gol nga Ryan Giggs.
“Është mrekulli që ishte vetëm 1-0. Por ndonjëherë, kur një ekip është me 10 lojtarë, fitoni atë qasje elastike. Ne duhej t’i kishim dërguar ata në shtrat në pjesën e dytë dhe do të mund të kishin qenë tre ose katër (gola)”.
“Por gjithçka mund të ndodhë kur jeni vetëm 1-0. Kupa FA është e shoshitur. Newcastle kishte një avantazh të arsyeshëm kundër Stevenage, por dikush godet nga largësia dhe qëllon kokën e mbrojtësit. Dhe e gjithë ndeshja ndryshon. Fatmirësish, neve nuk na ndodhi diçka e çmendur sot që do të mund të na shkaktonte turpërim”, ka thënë Ferguson.
Menaxheri i Real Madridit, Jose Mourinho thotë se ai është i gatshëm të ndihmojë Leonardon kurdo që trajneri i ri i Interit ka nevojë për të.
Portugezi thotë se ai tashmë është vetëm një tifoz i flaktë i Interit, por po ashtu është i lumtur të bëjë çfarë të mundet nga Madridi për të ndihmuar ish-ekipin e tij.
“Unë dua Interi të fitojë, për lojtarët, presidentin tim Massimo Moratti dhe fansat të fitojnë dhe të jenë të lumtur. Unë jam jashtë klubit tash dhe nuk mund të kontribuoi më shumë. Jam vetëm një tifoz më shumë që përcjell zhvillimin e tyre dhe shpresoj gjithçka të shkojë mirë”.
“Tashmë kam pasur një raport të mirë me Leonardon kur ai ishte nën drejtimin e Milanit dhe ne ishin kundërshtarë, andaj mendoni tash që jemi bashkë, që ai është në detyrë të një prej klubeve të mia favorite. Flas me Leonardon shpesh dhe ai e di se unë jam në karrigen e pasme, duke dërguar mendime pozitive. Ai është aty, me kapacitetin dhe përvojën e duhur për të arritur sukses”, ka thënë Mourinho.
Juventusi raportohet se ka ringjallur interesimin për sulmuesin e Catanias, Maxi Lopez.
Menaxheri Gjeneral i Juventusit, Beppe Marotta nuk ka përfunduar së përforcuari klubin me sulmues, pavarësisht se ditë më parë solli Luca Tonin nga Genoa.
Gazzetta dello Sport shkruan se Marotta ka dërguar vëzhguesit për të përcjellë Maxin në ndeshjen e djeshme kundër Interit.
Marotta po ashtu ka për cak edhe sulmuesin e Villarrealit, Giuseppe Rossi, dhe veteranin e Atletico Madrid, Diego Forlan. Por Maxi Lopez do të mund të arrinte për një çmim më real në këtë periudhë të vitit.
Atletico Madrid raportohet se është i interesuar të transferojë anësorin e Manchester Cityt, Shaun Wright-Phillips.
Sipas sportives spanjolle AS, Atletico dëshiron të sjellë në radhët e veta një mesfushor të ri kreativ gjatë këtij muaji dhe lojtari i kombëtares angleze Wright-Phillips është në listën ngushtë.
SWP do të arrinte në Vicente Calderon si zëvendësim për Simao Sabrosa, i cili nënshkroi me Besiktasin gjatë javës së kaluar.
Atletico fillimisht do të kërkojë një marrëveshje huazimi me Cityn, me mundësi që ta bëjë marrëveshjen të përhershme në fund të sezonit.
Agjenti i yllit të Real Madridit, Cristiano Ronaldo, thotë se klienti i tij do ta tejkalojë yllin e Barcelonës, Lionel Messi, dhe do të bëhet lojtari më i mirë që ka ekzistuar ndonjëherë në futboll.
Për shumicën e dashamirëve të futbollit, argjentinasi Messi është talenti më superior në botën e futbollit, por Jorge Mendes mendon ndryshe.
“Cristiano është lojtari më i mirë në botë. Jo Messi? Përfundimisht jo. Lojtarët do të dëshmojnë se unë kam të drejtë, me kalimin e kohës. Cristiano do të shihet si më i madhi i të gjitha kohërave”.
“Messi është një lojtar i shkëlqyeshëm, nuk kam dyshime. Por dëshira, karakteri dhe kualiteti i Cristianos dallojnë nga të tjerët, dhe tash ai bashkohet nga fakti se është duke punuar me trajnerin më të mirë në botë të të gjitha kohërave (Jose Mourinho)”, ka thënë Mendes.
Barcelona raportohet se është duke përcjellë situatën e mbrojtësit të Paris Saint Germain, Mamadou Sakho.
Mbrojtësi i ri është krahasuar me legjendën franceze Marcel Desailly dhe është një cak i kamotshëm i menaxherit të Arsenalit, Arsene Wenger.
Megjithatë, sportivja spanjolle Sport shkruan se drejtori sportiv i Barcës, Andoni Zubizarreta, është duke menduar të transferojë Sakhon.
Zibuzarreta ka shqetësime me mbrojtjen e Barcelonës, me Gabi Milito që tash kërkon të largohet dhe e sheh francezin si zëvendësim të argjentinasit.
Sulmuesi i Manchester United, Michael Owen, e di sa ai do të fishkëllehet nga Të Kuqtë, por nuk ka pritur ata të reagojnë keq edhe në një ndeshje bamirësie.
Owen ishte fishkëllyer nga turma në Anfield për ndeshjen bamirëse të Jamie Carragher më herët gjatë këtij sezoni.
“Nuk ishte e këndshme, por isha atje për të treguar respektin tim për Jamie dhe për të ndihmuar mbledhjen e parave për bamirësi. Nëse do të kisha dashur të shmangia fishkëllimat, do të thosha ‘Faleminderit, por jo faleminderit!’ Pranimi nga publiku ishte i përzier – edhe pse sa më gjatë që luaja, më pak fishkëllima kishte”, ka thënë Owen.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka falënderuar fansat e tyre për mbështetjen gjatë fitores 7-0 në Kupën FA ndaj Ipswich Town.
Ancelotti u përball me një protestues gjatë konferencës së mediave gjatë të premtes, por pranoi një mbështetje të ngrohtë në ndeshjen e djeshme.
“Është vërtet bukur, dukshëm, të dëgjosh fansat në mënyrë të tillë. Ne të gjithë duhet të jemi të afërt, dhe fansat treguan një mbështetje fantastike sot”, ka thënë Ancelotti.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ai ka nevojë të blejë një mbrojtës të qendrës në afatin kalimtar të janarit.
Wenger thotë se nëse lëndimi i Sebastien Squillaci nuk qartësohet shpejt, duke marrë parasysh se Thomas Vermaelen ende nuk është i gatshëm për lojë, ai do të duhet të dalë në treg për një blerje të re.
“Nëse ne kemi vetëm dy mbrojtës të qendrës, atëherë kjo nuk mund të funksionojë me numrat e mbrojtësve të qendrës që ne kemi. Nëse Squillaci ka problem, ne duhet shpejt të dalim për një lojtar të ri”, ka thënë Wenger.