
Shoqata Angleze e Futbollit (FA) ka marrë vendim për ta dënuar sulmuesin e Manchester Unitedit, Wayne Rooney, për përdorimin e gjuhës ofenduese dhe abuzive gjatë ndeshjes kundër West Ham United. Rooney ishte njeriu kryesor i Djajve të Kuq në atë përballje, me ç’rast me het-trikun e tij arriti t’i sigurojë tre pikë liderit të Ligës Premier. Mirëpo, pas shënimit të golit të tretë nga penalltia, Rooney vrapoi drejt një kamere duke thënë fjalë ofenduese, për të cilat më pas kërkoi falje. Megjithatë, FA ka vendosur ta dënojë atë, me dy ndeshje moslojë nëse e pranon dënimin, ashtu që do të mungonte në gjysmëfinalen e FA Cup kundër rivalit lokal Manchester City. Rooney ka kohë të apelojë ndaj këtij vendimi deri të martën.

Sezoni aktual ka përfunduar më herët për mbrojtësin e Romës, Philippe Mexes, i cili ka dëmtuar ligamentet e gjurit në humbjen prej 2-0 nga Juventusi. Francezi pësoi një dëmtim të ligamentit kryesor të gjurit të majtë, ndërsa klubi ka konfirmuar se ai do të mungojë në pjesën e mbetur të sezonit. Sipas komunikatës së lëshuar nga Roma, Mexes do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjike për ta rregulluar këtë problem. Koha e rikuperimit nuk është saktësuar, ndërsa sipas La Repubblica, mbrojtësi pritet të mungojë rreth katër muaj.

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka thënë se ende nuk e di nëse Cristiano Ronaldo do të luajë në përballjen e Ligës së Kampionëve kundër Tottenham Hotspur. Ronaldo, Marcelo, Di Maria dhe Benzema janë në dyshim për ndeshjen e parë çerekfinale kundër Spursave që zhvillohet të martën mbrëma në Santiago Bernabeu, ndërsa portugezi thotë se ende nuk e di me saktësi se kë do ta ketë në dispozicion dhe kë jo. “Nuk e di se si janë, pas trajnimit do ta bëj listën. Benzema nuk ka gjasa, Ronaldo dhe Di Maria janë në dyshim”, ka thënë Mourinho.

Mesfushori i Borussia Dortmundit, Mario Goetze, ka joshur interesimin e top-klubeve evropiane, siç janë Barcelona dhe Manchester Unitedi. 18-vjeçari bëri një paraqitje të shkëlqyer në përballjen kundër Hannoverit, duke bërë që Blaugranët t’iu bashkëngjiteshin Djajve të Kuq në garën për shërbimet e tij. Mirëpo, përkundër këtij interesimi, drejtori sportiv i Dortmundit, Michael Zorc, ka thënë për Bild se klubi nuk planifikon ta shesë lojtarin në një të ardhme të afërt. “Fatmirësisht, sapo ia kemi zgjatur kontratën deri në vitin 2014”, ka thënë Zorc.

Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, ka shpëtuar i palënduar nga një aksident trafiku në afërsi të fushës stërvitore mëngjesin e të hënës. Mesfushori spanjoll pësoi një tronditje të lehtë në rrugën A41 në Hendon, në veriperëndim të Londrës, mirëpo ai u paraqit në stërvitje dhe pas ekzaminimit nga stafi mjekësor i Topçinjve, ai vazhdoi me trajnimin e zakonshëm. Ndërkohë, policia përmes një deklarate zyrtare ka deklaruar se pas aksidentit, asnjë nga të aksidentuarit nuk ka kërkuar ndihmë mjekësore.